(Pashtriku.org, 11.11. 2012) – Libri i zonjës Edit Dyrham – “The Burden of the Balkans” – do të na kishte dhënë rastin për një paralele therëse, nëse kjo seri letrare do të ishte ende në modë. Sepse vepra e zonjës Dyrham, nëpërmjet kundërshtimeve me librat e tjerë që trajtojnë të njëjtin subjekt, sjell në çdo faqe afrime dhe bën krahasime. Shumica e atyre që i janë kushtuar misionit modest që të sqarojnë opinionin publik mbi çështjet e Turqisë, nuk kanë madje as turp që të fillojnë të mësojnë në fillim vetë. Ata përdorin ca mënyra hulumtimi që s’ka rëndësi se në cilën shkencë zbatohen, do të bënin për të qeshur edhe nxënës shkolle. Krejt tjetër është metoda e zonjës Dyrham.
Ata nuk e njohin pothuajse fare gjuhën e popujve që pretendojnë se i studjojnë, pra janë të detyruar t’ia besojnë këtë punë përkthyesve, ca përkthyesve të rangut të tretë, që shpesh e kuptojnë aq pak rëndësinë e pyetjeve sa edhe atë të përgjigjeve, kështu që këta misionarë të opinionit publik perëndimor janë të detyruar gjithashtu të kënaqen me thashethemet e turbullta, gati ziliqare. Përkundrazi, zonja Dyrham i njeh pak a shumë gjuhët që fliten në atë pjesë të Ballkanit dhe informacionet e saj janë më të drejtpërdrejta.
Ata nuk kanë shkelur kurrë këmbë në Shqipëri dhe pretendojnë të gjykojnë shqiptarët dhe të diskutojnë çështjen shqiptare. Zonja Dyrham e ka përshkuar pjesën më të madhe të Shqipërisë nga veriu në jug; ajo ka hyrë në shtëpinë e qytetarit të pasur, ka ndarë bukën e pakë të familjes fshatare; ne e shohim atë herë në shkollën protestante shqiptare, herë në teqetë e bektashinjve, herë në manastirin ortodoks dhe herë në famullinë e një prifti katolik; tani e shohim në pazar, pas një çike në mes të malësorëve të Shpatit, ashtu si më vonë do ta takojmë në shtëpizën me frengji të malësorit mirditor; – ajo ndalet kudo duke shëtitur kudo kureshtinë e saj të vëmendshme, një sy depërtues dhe vëzhgues.
EDITH DURHAM
…………………………………
Të dërguarit e shoqërive, lidhjeve ose gazetave, profesionistët e çështjes së Lindjes shkojnë në ato vende me mandatin urdhërues për t’i parë gjërat në njëfarë mënyre; për të përkrahur intriga elektorale ose financiare, për të rritur ose për të ulur fondet publike, për të luftuar politikën e një qeverie të partisë kundërshtare, për të shtuar tirazhin e gazetave nëpërmjet njoftimeve të bujshme, etj., etj. dhe të gjitha këto interesa dhe pasione lënë pak vend për paanësi. Zonja Dyrham është e pavarur dhe duke udhëtuar për kënaqësinë për të parë dhe për të vëzhguar, nuk kërkon gjë veç ëndjes së njerëzishme për të formuar një opinion vetjak dhe krenarinë fisnike për ta thënë atë.
Shkurt, të vjen keq kur i shikon këta gjurmues profesionistë të opinionit publik tek tregojnë një mendje aq të ngushtë dhe aq të varfër në një gjini studimesh që kërkon zhdërvjelltësinë më të madhe mendore. Duke u vendosur në krah të pikëpamjeve të veçantë, për shembull të pikëpamjes bullgare ata harrojnë se çdo popull ka interesa jetësore për të mbrojtur dhe kërkojnë t’i paraqesin tekat dhe fantazitë bullgare si të vërteta të shenjta, të paprekshme; si skllever të disa frazave stereotipe ata zbarkojnë në Turqi me ca ide krejt të gatshme; shkrimet i përgatisin qysh më parë dhe gjithçka që ata bëjnë është të fusin nëpër to disa anekdota që tregohen rreth e rrotull dhe u vënë sipër datat që u interesojnë. Zonja Dyrham, që nëpërmjet studimeve të mëparshme dhe njohjes së gjuhës serbe, ndoshta ka patur mendime shumë të këqia për kombin shqiptar; flaku tej çdo gjykim a priori ose të paragjykuar. Ajo mundohet me një sinqeritet të pakrahasueshëm intelektual ta studjojë çështjen në vend dhe nga faktet që më parë nuk njiheshin të nxjerrë mësimin që ato kanë brenda tyre.
“Gjërat, thotë ajo, duken krejt ndryshe kur i shikon nga dritarja e fqinjit!” Dhe ajo vëren se ato veprime që jugo-sllavët i cilëson si sulme të dhunshme shqiptare, sipas pikëpamjes shqiptare s’janë gjë tjetër veçse një qëndresë e fortë ndaj shkeljeve mjeshtërore të disa të huajve shumë të shkathët.
Dokumente vetjake me shumicë, dhe të drejtpërdrejta vëzhgime të hollësishme, përbuzje për sharlatizmin, dëshira për t’i parë gjërat ashtu siç janë dhe jo ashtu siç përpiqen t’i paraqesin, gjykime dhe arsyetime të sakta, – këto janë disa nga vlerat e pakundërshtueshme të librit. Paraqitja e këndshme letrare e materialeve i a rrisin edhe më shumë vlerat: arti se si e bën të gjallë një skenë me pak fjalë, humori, herë-herë ironia, madje shumë therëse, gjuha e shkathët dhe e qartë dhe stili plot gjallëri që zgjon kërshërinë pa e lodhur vëmendjen dhe që e tërheq lexuesin. Herë pas here, duke lexuar librin e zonjës Dyrham na dukej sikur gjendeshim në Shqipëri, – dhe ndoshta kjo është lëvdata më e mirë që ne mund t’i bëjmë këtij libri.
***
Më 1904, zonja Dyrham udhëtonte në “Maqedoni” (ky ishte udhëtimi i saj i gjashtë në Ballkan) për studime vetjake, kur misionarët e një komiteti anglez për ndihma për bullgarët që kishin vuajtur aq shumë nga ngjarjet e fundit (“The Balkan Committee”), mbërritën para saj në vend dhe i u lutën t’i ndihmonte në misionin e tyre përdëllimtar. Zonjën Dyrham e caktuan në zonën e Resnjes, dhe asaj i u desh të vizitonte një numër të madh fshatrash duke shpërndarë grurë, veshmbathje etj., për viktimat e mjera të komplotistëve bullgarë, ushtarakët turq dhe nganjëherë edhe nga ndëshkimet e dhunshme por të ligjshme të elementit shqiptar. Me të përfunduar këtë mision bamirësie nga i cili mësoi shumë, zonja Dyrham ndërmorri një udhëtim të gjatë përmes Shqipërisë, duke kaluar në Korçë (zyrtarisht Gjeurixhe) Kolonjë, Leskovik, Përmet, Tepelenë, Vlorë, Berat, Elbasan, Durrës, Tiranë, Krujë (Kruja ish kryeqyteti i Gjergj Kastriotit) Shkodër, dhe Orosh (kryeqendër e Mirditës). Nuk po përmendim fshatrat e vegjël.
Me të drejtë mendojmë se përshkrimet, anekdotat dhe faktet karakteristike janë me bollëk në këtë libër të përgatitur në kushte shumë të përshtatshme. Për fat të keq, është e pamundur, që për vetë hapësirën e vogël që kemi të përpiqemi të japim qoftë edhe një përmbledhje të shpejtë të librit. Ne jemi të detyruar të mjaftohemi në formulimin e disa përfundimeve të përgjithshme tek të cilat e kanë çuar zonjën Dyrham studimet e saj.
……………………………….
LEXONI:”THE BURDEN OF THE BALKANS” BY M. EDITH DURHAM
http://www.peacelink.nu/Boker/Durham/Durham.html
………………………………………………
***
Kombësitë, thotë ajo, ashtu si individët duhet të merren vetë me shpëtimin e tyre. Asnjë nga popujt e Ballkanit nuk është aq i egër sa i kanë përshkruar shpesh. Që të gjithë ata kanë shumë vlera që presin vetëm rastin të shpalosen, dhe në shumë raste, gabimet e tyre nuk janë gjë tjetër veçse gabime të një rinie ekstremiste. Mizoritë që ata kryejnë të gjithë kur gjejnë rastin janë një mbijetesë e mriëfilltë e zakoneve mesjetare dikur të zakonshme për gjithë Evropën. “Zemërmirësia nuk ishte shpikur, madje as në Angli, para fillimit të shekullit të XIX-të; deri atëherë disa dënime të karakterit më të egër ishin dhënë për faje relativisht lehta. Duke folur për gadishullin e Ballkanit, për interesa përfitimi, kanë bërë pak më shumë “kopje” me disa “masakra”, nga ku është nxitur oferta.
Kur një mysliman vret një mysliman, nuk vihet në hesap; kur një i krishterë vret një mysliman, ky është një veprim i drejtë; kur një i krishterë vret një të krishterë, ky është një gabim gjykimi për të cilin më mirë të mos flasësh fare; vetëm kur një mysliman vret një të krishterë atëherë kemi tamam një “masakër”. Kur studjojnë mirë rrethanat në të cilat kanë jetuar popujt e Ballkanit, nuk duhet të habitemi që ata janë kaq të prapambetur, por të habitemi që janë aq të përparuar” (faqe 82).
Zonja Dyrham nxjerr në pah mendjelehtësinë e madhe të atyre që kujtojnë se këtu bëhet fjalë për një luftë midis të krishterëve dhe muhamedanëve. Bullgarët që kanë për qëllim krijimin e një Bullgarie të madhe kërkojnë të fshehin lojën e tyre të vërtetë, duke luajtur me fjalë. Por, shton – ajo, është e qartë se ata luftojnë si myslimanët ashtu edhe të krishterët që s’janë bullgarë. Karakteri i një mendtë i këtyre rivaliteteve të përgjakshme është vetëm e vetëm kombëtar; kjo është, thotë Mis Dyrham, zgjatja e luftrave “para turke”, e luftrave para ardhjes së turqve, të cilët, nga që nuk ishin të zotë t’i shkrinin popujt e pushtuar në një komb të madh homogjen, i lanë të paprekura antagonizmat e vjetra.
Për sa i përket komplotistëve bullgarë, që kanë marrë pseudonimin e “Maqedonasve”, mendimi i zonjës Dyrham është përmbledhur në këtë frazë: “Asgjëkundi nuk kam patur fat me mostrat e “atdhetarëve bullgarë” që kam takuar. Ata ma kanë mbushur mendjen top që nëse Ochrida do ta kisha unë ata do të ishin të fundit fare që unë do të desha t’ua bëja dhuratë.” (faqe 146). Dhe këtë mendim ajo e mbështet me shumë fakte karakteristike (për shembull, ajo përmend rastin e një atdhetari bullgar, i cili i ishte lutur t’i gjente helm për të kryer një “punë” atdhetare).
Nga ana tjetër, mendimi i zonjës Dyrham nuk është aspak lajkatar për popullsinë bullgare, në përgjithësi, të vendosur në lindje dhe rreth e përqark liqeneve shqiptare. Të gjithë njerzit e mençur, të ndershëm dhe të zotë që ajo ka takuar, ishin ose shqiptarë, ose grekë ose bullgarë. Shpesh ajo vë në kundërshtim gjallërinë dhe mprehtësinë e fshatarit shqiptar ose malazez me proçkat e bullgarëve të kësaj pjese të Ballkanit. Dhe ajo përmend për ata shembuj aq të çuditshëm të trashësisë mendore, sa edhe lexuesit e njohur si përkrahës të këtij populli do ta kuptonin gjykimin e zonjës Dyrham për të: Midis tipave më të ndyrë të racës njerëzore, me siguri ai është një nga më të ndyrët që mund të përmendet.
Por ky gjykim i ashpër dhe i paanshëm nuk e përjashton mëshirën dhe zonja Dyrham flet me shqetësim për vuajtjet e këtyre mbeturinave njerëzore. “Fshatarët dinë vetëm një gjë, thotë ajo, ata dinë se jeta e tyre ashtu siç janë punët sot, është e mjerueshme. Të shtypur nga qeveria dhe të tmerruar nga Komiteti, ata janë ngritur në kryengritje dhe do të vazhdojnë të ngrihen për aq kohë sa do të mbetet gjallë diçka midis tyre”. (Faqe 166). Po a ka ilaç për kaq shumë vuajtje? Programi i reformave, i plotësuar edhe me vendosjen e kontrollit financiar, mund të ishte, shpreson zonja Dyrham, një ilaç i dobishëm vetëm për pak kohë edhe nëse do të zbatohej me sinqeritet dhe me shpejtësi. Por ajo duket se tani ndoshta është shumë vonë.
***
Hapi i parë drejt zgjidhjes përfundimtare të vështirësive, thotë zonja Dyrham, do të vinte nga caktimi i kufirit lindor të Shqipërisë. ështja shqiptare është kyçi i çështjes së ashtuquajtur “maqedonase”. Nëse Shqipëria do të kishte në Lindje një kufi të caktuar dhe të njohur nga të gjithë, kriza e sotme do të merrte një kthesë tjetër, sepse luftohet vetëm për rajone që s’pranojnë t’i njohin dhe secili shpreson t’i bëjë të vetat.
Nëse këtë shënim kritik do ta kishim botuar para dhjetë muajsh, në çastin kur sapo u botua libri i zonjës Dyrham, ne do të tregonim drejtësinë dhe urtësinë e vërejtjes së autorit anglez. Sot çdo lëvdatë është e kotë, meqë vetë ngjarjet janë lëvdata më e mirë. Në të vërtetë, diplomacia e ka pranuar rëndësinë e caktimit të kufirit lindor të Shqipërisë; dhe kohët e fundit, zoti Titoni ka bërë premtimin e rëndësishëm, të përsëritur menjëherë për llogari të Austrisë nga zoti kont Golluchovski, se çështja e caktimit të drejtë të kufirit shqiptar do të kihej parasysh.
***
Përshtypja që ka marrë me vete zonja Dyrham për Shqipërinë mund të përmblidhet në një fjalë të vetme: Qeveria turke, me dashaligësinë më të pashpjegueshme, komploton me të huajt për shkatërrimin e kombësisë shqiptare. Zonja Dyrham, citon në frëngjisht, fjalët e një konsulli: Qeveria turke ka vrarë Shqipërinë. Persekutimet kundër gjithçkaje që është shqiptare marrin dita-ditës një karakter më të mërishëm; në Turqi ne jemi të vetmit që s’kemi të drejtë të kemi shkolla, dhe vendi plaçkitet nga nëpunësit aziatikë në bashkëpunim me disa keqbërës vendas. “Varfëria e Maqedonisë, thotë zonja Dyrham, është një lojë fëmijësh përpara asaj të Myzeqesë”, – dhe kini parasysh se Myzeqeja është quajtur nga ekspertët si një nga fushat më pjellore të perandorisë.
Zonja Dyrham flet për përpjekjet e pakrahasueshme të shqiptarëve për t’u arsimuar. “Lufta e Elbasanit për kulturë, thotë ajo, është shumë patetike.” Pastaj, më poshtë, ajo shton se kur sjell në mend pengesat e panumërta që qeveria turke i nxjerr zhvillimit intelektual të popullit shqiptar, “numri i njerzve të informuar dhe të arsimuar është shumë i madh.
***
Në çdo kohë ka patur dhe do të ketë gjithmonë njerëz të gatshëm të flasin dhe të shkruajnë mbi çështje për të cilat nuk dinë asgjë. Por për njerëzit e gjykueshëm, që duan të studjojnë seriozisht një vend ose një popull, do të ketë gjithmonë dy metoda, jashtë të cilave gjithçka s’është gjë tjetër veçse mashtrim: metoda e parë është ajo e udhëtimeve për hetime të hollësishme, të përpikta dhe sistematike në vend; e dyta, të lexosh sa më shumë që të jetë e mundur botime dhe libra që kanë të bëjnë me çështjen, me qëllim që nëpërmjet një numri të madh dokumentesh, faktesh dhe pohimesh kundërshtues të arrish numrin e induksionit të dallosh të vërtetën dhe të bashkërenditësh një tërësi pikëpamjesh të qarta dhe objektive. Ata dhe ata përbëjnë shumicën që janë të detyruar të studjojnë çështjen shqiptare me metodën e dytë nuk mund të mos lexojnë librin e zonjës Dyrham. Ai nuk do t’u japë atyre – atë që asnjë mendje e pavarur nuk duhet ta pranojë – mendime të gatshme, por do të bëjë më të mirën: do t’u japë të dhëna të rëndësishme që ata do t’i përdorin për të formuar një mendim vetjak.
Botuar në “Albania” 1905, nr. 6.
…………………………………
(Ilustrimet i përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org)