PROF.DR.SADRI FETIU: SIMBOLIKA MITIKO – FANTASTIKE NË PROZËN E ADEM DEMËS (DEMAҪIT)

Prishtinë, 11. 03. 2014 – Vepra letrare me vlerat e veta të mirëfillta artistike shquhet për shtresime të shumta përmbajtësore dhe për paraqitje shumëdimensionale të artit si fiksion dhe si realitet të rikrijuar. Duke qenë e tillë vepra letrare me vlerat e veta estetike jep mundësi për qasje të shumanshme. Ndonëse në shikim të parë duket e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë, e këtillë , shumëdimensionale është proza e Adem Demës që nga fillet e saj. Kësaj radhe në të do t’i trajtojmë aspektet e veçanta të simbolikës mitologjike dhe fantastike që shtrihet, ku më shumë e ku më pak si në tregimet, ashtu edhe në romanet e këtij autori.
Që nga tregimet e para i hasim të veçantat që e karakterizojnë strukturën rrëfimore, në të cilën simbolika mitike shtrihet brenda tri aspekteve që i karakterizojnë personazhet e këtyre tregimeve. Aspekti më i hetueshëm është miti i qendresës. Ai paraqitet në shumë raste i gëshetuar me kultin e punës, që i karakterizon shumicën e personazheve të tregimeve të shkurtra të këtij autori. Simbolika shtrihet pastaj në mitin e Anteut, sepse një pjesë e madhe e personazheve të tregimeve është e lidhur fort për vendin e vet dhe nuk ka fuqi që mund t’i largoj nga vendlindja, ose lidhja e padukshme me truallin i rikthen në vendin e tyre. Përbërësit e miteve dhe të kulteve lidhen edhe me krenarinë dhe burrërinë tradicionale të ngjashme me atë të heronjve të eposit tonë të kreshnikëve.

Adem Dema(çi)

 Simbolika mitike dhe fantastike është në funksion të ideve të autorit edhe në rastet, kur e ironizon forcën e pushtetit, ose kur i motivon kthesat psikologjike siç janë rastet në prozat me titull “Fërkime”, “Ezopi” apo “Toka nuk sillet vetëm rreth bushtit të vet”.
Shtresimet e simbolikës mitiko-fantasike janë shumë funksionale edhe në romanet e Adem Demajt, duke filluar vepra e tij e parë “Gjarpinjtë e gjakut”. Këtu kemi të bëjmë me simbolin mitik të gjarprit, të njohur që nga lashtësia e paraardhësve tanë, ilirëve. Në këtë roman miti për gjarprin ka një funksion krejtësisht të ri.
Ndonëse ka zanafillë në një gojëdhënë popullore, kuptimi i simbolit gjarpër është bërë përcaktues i fatalitetit të gjakmarrjes si mbetje e një bote të egër të luftës së njeriut parak për ta mbrojtur egoizmin e vet dhe interesat e ngushta ekzistenciale. Kështu, në roman bartëse e fatit tragjik bëhet simbolika mitike për strukturën morale, e mbyllur brenda guacës së një bote të veçantë, të lënë në errësirën e skamjes, të shfrytëzimit dhe të prapambetjes.
Shtresimet simbolike të moralit të përcaktuar nga fataliteti i gjakmarrjes përfaqësohet me pjesëtarët e tri familjeve: Malokëve, Goxhufëve dhe Xhukave të dy brezave, që sa i përket mendësisë kanë dallime fare të vogla ndërmjet tyre, sado që ata të brezit më të ri e urrejnë vdekjen dhe e çmojnë bukurinë e jetës. Në personazhin e Mustafës përfaqësohet edhe ideja e mitit të Anteut për lidhjen e pashkëputshme me tokën e vendlindjes, por simbolika mitike merr një dimension të ri të luftës kundër gjakmarrjes.
Në fund, pas tragjedisë së përgjakshme, do të shpërthejë, do të protestojë me dhembje mbi kufomat e të vrarëve në lulen e rinisë. Këtu edhe në aspektin formal del në pah funksioni i simbolikës tradicional të mitit të adhurimti të figurave kosmike, henës dhe yjeve me të cilët bisedon edhe Mustafa njësoj siç vepron Ajkuna nëna e Omerit të Mujit, të vdekur në dhe të varrosur në Lugjet e Verdha.
Dhembja e tij do ta shpojë qiellin e errët të natës me thirrje drejtuar të birit, Musës – fëmijë, që t’i mbysë, t’i shkelë, t’ua shtypë kokat “gjarpinjve të gjakut”, të derdhur në oborrin e tij. Vetëm në këtë situatë, kur kishte përfunduar ngjarja e përgjakshme, kur ishte mbushur oborri me kufoma dhe currilat e gjakut jo vetëm si simbole mitike e fantastike , por tashmë të identifikuar si gjarpinj të vërtetë ishin shtrirë në çdo anë, ky personazh do ta pësojë “katarsisin”, do të lirohet nga lëvozhga e tij patriarkale e çimentuar nga parimet e një moralit të ngushtuar e të ndrydhur gjatë shekujve të robërisë.
Edhe lamentacioni final i këtij personazhi, shumë i ngjashëm me gjamën tradicionale të malësorëve, është motivuar bindshëm në një atmosfere krejtësisht mitike dhe fantastike të përfundimit të dramës së gjarpinjve të gjakut.
Përbërësit e simbolikës fantatike e miteke të përshkojnë edhe romain “Libër për Vet Mohimin”. Këtu shquhet për funksionin e vet artistik simbolika mitike e metempsikozës. Vetë akti i rifillimit, i rikthimit në letërsi, i një autori të dëshmuar për talentin e tij në moshë fare të re, përjetohet si ringjallje, si një reinkarnim i një krijuesi, si metempsikozë e një shpirti të madh artistik, i cili pas aq vitesh të vuajtjeve të stërmundimshme, pas aq torturave shpirtërore e fizike, njësoj si në legjendat dhe baladat e moçme shqiptare, ringjallet për ta përmbushur një detyrë të shenjtë, të cilën tradita jonë etnopsikologjike e ka barazuar e sanksionuar me kuptimin e besës, të cilën nuk ka fuqi ta mposhtë as vetë vdekja.
Sipas të gjitha gjasave, Adem Demaçi, edhe vetë i preokupuar me ndjenjën e rikthimit, e fillon veprën e tij më të re artistike me lojën filozofike të metempsikozës së shpirtit njerëzor, i cili qarkullon në kohë dhe në hapësirë, duke u ripërtërirë edhe në gjallesat e tjera nga bota shtazore dhe bimore. Me anë të kësaj simbolike mitiko-fantastike, totemike autori i hap shteg ironisë, e cila e përshkon tërësinë e veprës.
Loja e vetëdijshme ironike për dyshimin se shpirti mund të jetë i inkarnuar edhe në luan, ose edhe në qyqe, por edhe brenga se, jo vetëm shpirti i tij, por edhe shumë shpirtra shqiptarë do të kenë kaluar nëpër qyqe, kukama e së cilës bëhet lajtmotiv, që përsëritet në vetëdijen e personazheve në forma dhe në situata të ndryshme, për të dëshmuar etjen dhe urinë, dhembjen dhe dëshirën për dritë, për ngrohtësi e përparim të popullit, si edhe në situatat kur këto personazhe ekzaltohen në ëndrrat e tyre për përsosjen e shpirtit njerëzor.
Edhe mënyra me të cilën autori i qaset realizimit artistik të veprës dhe vetë tërësia e saj, e realizuar si një gërshetim i ëndrrës fantastike me realitetin, me groteskën e situatave të zgjedhura, me kontemplacionin e imagjinuar të komunikimit shpirtëror me botën në pika të ndryshme të planetit tonë dhe me botën tjetër të imagjinuar pas vdekjes së njeriut, si botë absolute e shpirtërave, si gjithësi e pakufishme, e bëjnë veprën e Demaçit romani modern të ideve, të cilin e karakterizon e ashtuquajtura konkretësi fantastike.
Vetëvështrimi i thellësive të thelbit shpirtëror i krijon mundësi autorit edhe për eksperimentime metafizike, por edhe për motivacionin fantastik të komunikimit me shpirtra, që gjallërojnë në botën tjetër. Edhe në këtë rast Adem Demaçi në mënyrë krejt origjinale i ripërtërin përbërësit e caktuar të një tradite të njohur që nga fillet e letërsisë antike, që është kultivuar edhe në vepra madhore, siç është. “Komedia hyjnore” e Dante Aligerit e shumë vepra të mërvonshme, që përpiqen të krijojnë unitetin e pandashëm të kuptimit të botës.
Kjo formë e kuptimësisë së shpirtit i krijon mundësi të pakufizuara personazhit kryesor të romanit, si bartës të ideve themelore, që ta paraqesë jetën me gjerësi më të madhe njohëse dhe me nuanca më të stërholluara të ndjenjave lirike, të mallit dhe të dashurisë, të ëndrrave të papërjetuara të lirisë, të kënaqësisë së njohjes së botës dhe të njeriut.
Me gjithë situatat e shumta groteske, me gjithë ironinë e hollë, me gjithë atmosferën mbytëse të pritjes së kotë, romani “Libër për Vet Mohimin” i Adem Demaçit është vepër, që i kushtohet ëndrrës së madhe të njeriut, si shpirt i trazuar, që lufton për të gjetur çelësin me të cilin do ta hapte rrugën e lirisë për popullin e tij, për të gjetur mënyra më të sigurta për përsosje të botës njerëzore në kohën tonë kur shkenca (në roman: fantastika shkencore) ka arritur në kufijtë më të skajshëm të mundësive të veta për të konstruktuar aparate mrekullibërëse, siç është Shatrapuli i romanit të Demaçit.

Ideja metafizike e pavdekësisë së shpirtit, e përsosjes së tij të vazhdueshme, duke ruajtur harmoninë dhe baraspeshën ndërmjet të zezës dhe të bardhës në thelbin e tij, ideja e luftës së njeriut, duke u nisur nga vetvetja dhe vështrimi i shpirtit të tij, bëhet bazë e motivacionit dhe kusht për kompozicionin e romanit.
Kjo ide, që pëson metamorfozën e vet njësoj si botëkuptimi për qarkullimin e shpirtrave, në këtë vepër me anë të personazheve, që lëvizin ndërmjet realitetit dhe ëndrrës, ndërmjet ideales dhe absurdes, ndërmjet njeriut dhe bishës dhe transformohet nëpër ndërrime të situatave dhe të personave të imagjinuar ose të marrë drejtpërdrejt nga realiteti konkret.
Romani “Alb Prometheu” me gjithë pjesën doktrinare, paraqet risi në ligjërimin e romaneve të këtij autori. Vepra ka një strukturë të veçantë tregimtare, sepse është ndërtuar duke u bazuar në disa shtresa kuptimore të gërshetuara mirë midis tyre. Së pari, siç shihet nga vetë titulli në roman e kemi shtresën mitologjike që lidhet me mitin e flijimit, me Prometheun e njohur, si ne mitologji, ashtu edhe në letërsinë klasike helene. Aty doemos është edhe mitologjia shqiptare me figurat e veta të njohura të orëve e të zanave në sajë të simbolikës mitike dhe fantastike është e hetueshme edhe prania e ngjarjeve dhe e personazheve historike që nga periudha ilire e deri në kohën tonë. Por duhet pohuar që në fillim se simbolika e flijimit e ka edhe përmasën e vet autobiografike, meqë Demaçi, për veprën e tij patriotike është një Promethe shqiptar, që idealit të madh çlirimtar dhe bashkimit kombëtar të popullit të tij ia kushtoi një pjesë të madhe të jetës së tij duke i kaluar 28 vjet në burgjet jugosllave.
Duke depërtuar në shtresat simbolike të ligjerimit të romanit do të shohim se këtu vepron edhe bashkëkohësia konkrete, ngjarjet e përditshme të kohës sonë. Mirëpo në në këtë roman konkretësia shprehet me me anë të simbolikës së veçantë, e cila realizohen në formë karakteristike fabulore. Fabula këtu i ka të gjitha karakteristikat ironike dhe alegorike që përfaqësohen me personazhe të botës shtazore. Kjo botë, me konkretisht shtazet – bishat e caktuara në veprën e “Alb Prometheu” nuk perfaqësojnë karaktere njerëzore, por qëndrime shteterore të shteteve të ndryshme që lexuesi nuk e ka shumë vështirë t’i identifikojë si simbole përcaktuese te karakteristikave dhe sjelljeve të tyre ndaj heroit të romanit, Alb Prometheut si edhe përgjithësisht ndaj botës shqiptare.
Mund të thuhet se, me gjithë kuptimësinë simbolike nuk është e rastit as konkretësia gati krejt e tejdukshme e funksionit të përfaqësuesve të ndryshëm të faktorit ndërkombëtar në Kosovën e kohës sonë dhe e veprimtarisë së Lëvizjes “Vetëvendosja”, emri i udhëheqësit të së cilës korrespondon me emrin e heroit të romanit.
Pra, vështruar nga shtresimet e shumta që përmban ligjërimi i këtij romani mund të flitet për përbërës të rinj të simbolikës miktiko-fantastike krejt të panjohur në traditën e deritashme jo vetëm të romaneve të këtij autori , në veçanti, por në ato të letërsisë shqipe, në përgjithësi. Gjithashtu, duhet pohuar se brenda ligjërimit simbolik të romanit krijohet një unitet i përgjithshëm mitiko- fantastik i strukturave zhvillimore tekniko-shkencore që nga lashtësia e deri tek të mbërrimet më të sofistikuara të elektronikës së sotme.
Romani përmban edhe shtresat e caktuara të rrëfimit të drejtpërdrejtë për ngjarje historike, pastaj edhe pjesë të traktateve filozofike e shoqërore, që paraqiten me anë të strukturave të dialogëve ndërmejt personazheve të imagjinuara dhe atyre reale.
Shikuar përgjithësisht romani “Alb Prometheu” është një vepër me strukturë të veçantë fantasiko-shkencore, që siç thuhet shpesh brenda ligjërimit të romanit, në simbolikën mitiko-fantastike gërshetohen ëndrra me zgjendrrën.. Ashtu si edhe në raste të tjera në veprat e këtij autori edhe këtu kemi të bëjmë më një ligjërim simbolik dhe alegorik, që ka dy dimensione të shtrirjes së tij; dimensionin e simboleve të mitologjisë tradicionale shqiptare dhe atë të simbolikës fantastike që veprës ia shquan karakteristikat e një romani fantastiko shkencor. Mirëpo, falë kujdesit të vetë autorit dhe gjuhës së tij të kuptueshme dhe plotë pasuri frazeologjike e figura të traditës popullore, simbolika alegorike në planin e përgjithshëm të ideve është shumë e kuptueshme, prandaj mund të thuhet se romani “Alb Prometheu” u përshtatet të gjitha shtresave të lexuesve shqiptarë, që duke u argëtuar me lexim, mund të mësojnë shumë të panjohura nga historia kombëtare e popullit tonë dhe t’i kuptojnë edhe rrethanat e veprimit të ndërkombëtarëve në situatën aktuale të Kosovës.
Ky roman e ka edhe dimensionin e vet dramatik, prandaj hasën edhe ngjashmëri si në planin e ideve ashtu edhe në atë të situatave konkrete dramatike me veprën “Prometheu i lidhur” i letërsisë klasike helene. Personazhi simbolik i romanit, që kushtimisht paraqet shqiptarin e robëruar gjatë shekujve – deri në kohën tonë, Alb Prometheu, është dënuar nga Perënditë e kohës moderne të qëndrojë në një mjedisë të akullt të zonave të bjeshkëve të Veriut, i lidhur me zinxhirë në një tendë, ku i ka kushtet elementare për jetës, por edhe mbikëqyrjen e aparaturave më moderne elektronike të kohës sonë. Perënditë që e kanë dënuar me izolim presin që ai ta zbusë qëndrimin e vet, të heqë dorë nga liria, nga konceptet e veta të përgjithshme shoqërore, e në mënyrë të veçantë nga koncepti për unitetin kombëtar.
Në këto rrethana me Alb Prometheun komunikojnë vetëm zanat, që e vizitojnë për çdo ditë dhe ky komunikim, ky dialog i qetë dhe i arsyeshëm përbën tërësinë e ngjarjeve të romanit. Zanat në roman kanë funksione të ngjashme me ato të muzave greke dhe si qenie mitologjike e fantastike ato janë të pakapshme për elektronikën moderne, që e përdorin dhunuesit modern të Alb Prometheut.
Drama e jashtme e Albit të mbërthyer me zinxhirë në ëndërr-zgjendrrën e tij në kontakt me zanat shndërrohet në një përjetim të këndshëm, në një bisedë të frytshme për historinë, por edhe për kuptime të tjera për kombin, për jetën dhe ekzistencën e përgjithshme të qenieve njerëzore e hyjnore, për të sotmen dhe për të ardhmen e njerëzimit. Edhe në rrafshin e ligjërimit funksion të veçantë luan simbolika mitike e fantastike që është karakteristike për traditën e epikës sonë legjendare.
Gjuhën e dialogut të Alb Prometheut me zanat e traditës mitologjike shqiptare e karakterizon shprehja e bukur me plotë urime, mallkime e figura tradicionale të fjalëve dhe të kuptimeve që mund të hasën përgjithësisht në prozën tonë popullore, por në mënyrë të veçantë në ciklin heroik të kreshnikëve, me të cilin lidhet mjedisi i paraqitur në roman dhe përgjithësisht atmosfera në të cilën veprojnë qeniet mitologjike dhe simboliko-fantastike që janë personazhe të romanit.
Duke krijuar një vepër të këtillë romansieri Adem Demaçi (Dema) i ka hapur shtegun edhe për kultivimin e zhanrit fantasiko-shkencor në traditën e romanit shqiptar.
Ndonëse autori, me trajtimin e temave nga ngjarjet e fundit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e ka përmbyllur qarkun e përfshirjes së ngjarjeve konkrete të kohës sonë me disa finesave autobiografike në romanet e hartuara gjatë viteve të fundit, dhe me botimin e kompletit të veprave në dhjetë vëllime, shpresojmë se ai do ta vazhdojë edhe me tutje krijimtarinë e tij, veçmas ne kaudrin e prozës të zhanrit të simbolikës mitiko-fantastike. Urojmë që në këtë drejtim të na dhurojë edhe vepra të reja.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura