Pashtriku.org, 15. 06. 2015 – Çështja shqiptare ndahet në dy pjesë: I. A do ta lënë Shqipërinë të bëhet e pavarur? II. Nëse bëhet e pavarur, a do dijë të vetëqeveriset? – Me fjalë të tjera, ka një çështje faktike dhe një çështje kompetence. Po i përmbledh shkurtimisht mendimet e z. Brailsford për njërën dhe për tjetrën çështje.
Çështje faktike – Z. Brailsford ka frikë se mos ndërgjegjja kombëtare e shqiptarëve ka filluar si shumë vonë të shfaqet. “Shtetet e reja që rrethojnë Shqipërinë e kanë parë atë si trashëgiminë e tyre të natyrshme”. Intrigat që kanë thurur, ia kanë dalë mbanë gjer më sot që të pengojnë Shqipërinë për t’u njohur nga diplomacia si një entitet kombëtar. Ndër garuesit, fillimisht në Jug, është Greqia, pretendimet e së cilës mbështeten në pështjellimin e fjalëve ortodoks dhe grek. Në Veri-Lindje, shumica e popullsisë është padyshueshmërisht shqiptare “dhe nëse shkojmë thellë prapa në kohë, shqiptarët, që janë një popull autokton, mund t’i konsiderojnë serbët, me drejtësinë më të plotë, si çibanë dhe uzurpatorë”. Dhe ja ku na thuhet se Kosova është djepi i perandorisë serbe dhe se Serbia u jep kujtimeve të veta historike karakterin e të drejtave që na paska! Në Veri-Perëndim, Mali i Zi lakmon Shkodrën. Lidhur me shkeljet e bullgarëve në Lindje të Shqipërisë, z. Brailsford është gojëkyçur; por do shohim më pas se lidhur me këtë pikë, ai propozon një zgjidhje të kënaqshme për shqiptarët. Përballë shteteve të vogla ballkanike që ndjekin me mënyra orientale e bizantine poshtërimin e popullit shqiptar, ka dy shtete të dorës së parë, Austria dhe Italia që, për nga vetë pozita e tyre gjeografike, kanë në Shqipëri interesa jetësore. Por këto shtete, me kulturën dhe traditat e tyre diplomatike, ushtrojnë një veprim të tillë, karakteri i të cilit është diametralisht i kundërt nga metodat greko-serbe. Austria dhe Italia nuk kërkojnë të poshtërojnë popullin shqiptar; përkundrazi, duan të fitojnë besimin e tij nëpërmjet një ndihme pak a shumë të efektshme. Ekziston pra në Shqipëri një parti austrofile, shumë e fuqishme, si dhe një parti italofile, disi e dobët. Instinktet e tyre monarkike e aristokratike, vëren Z. Brailsford i bëjnë shqiptarët të anojnë drejt Austrisë. Italianët, në sytë e shqiptarëve të Veriut nuk janë veçse ateistë; për shqiptarët e Jugut, ata nuk janë veçse shfrytëzues. Mirëpo, çka duan apo nuk duan vetë shqiptarët, kjo, as që përfillet; dhe vetë intensiteti i garës italo-austriake e shndërron kështu autonominë shqiptare në zgjidhje politike të karakterit praktik.
Çështje kompetence – Nëse Fuqitë e interesuara do merreshin vesh për të lehtësuar ngritjen e Shqipërisë në shtet autonom, a do të ishte në gjendje, populli shqiptar, të përfitonte nga kjo situatë? “Shqiptarët, thotë Z. Brailsford, kanë gjithçka për të krijuar një popull të bashkuar. Ata tani po drejtohen me zell patetik drejt dijes dhe qytetërimit. Do të ishte e vështirë të paraqisje sot një shkak të rëndomtë thjesht për t’u mohuar të drejtën për vetëqeverim, ashtu siç u është njohur grekëve e bullgarëve” (f. 285). Veçse një qeveri e ndërgjegjshme për detyrat që lypset të realizojë, është e mundur vetëm me ndihmën e shqiptarëve të Jugut: “Pa epirotët, Shqipëria do të ishte, thotë z. Brailsford me ton disi të ashpër, një principatë e vogël të egërish, përparimi i të cilëve drejt rendit dhe kulturës do të ishte në mënyrë të patolerueshme i ngadaltë” (f. 278). Nga ana tjetër, një “qeveri” pa Shqipërinë e Jugut do të ishte e pamundur materialisht: sepse shqiptarët e Veriut janë mësuar të mos paguajnë kurrfarë takse, dhe nuk mund t’i taksosh tërthorazi ngaqë nuk konsumojnë produkte të importuara. Në këto kushte, nuk mund të kuptohet se si do jetojë, apo edhe thjesht, si do të vendoset një administratë. Një shtet shqiptar duhet pra domosdoshmërisht të përfshijë krejt territorin e banuar nga raca shqiptare [nënvizuar nga autori F. Konica]. Për fat të keq, në Lindje dhe në Veri, nuk ekziston kurrfarë kufiri natyror. Do të duhej pra të krijohej një kufi konvencional. Pa dyshim që do mbeten shqiptarë jashtë kësaj vije artificiale, apo sllavë brenda kësaj vije: por një komision i paanshëm dhe kompetent do të bënte vlerësimin e pasurive dhe do të organizonte një këmbim sistematik midis shqiptarëve e sllavëve; imigrantët e njërës palë do të merrnin pasuritë e imigrantëve të palës tjetër në mënyrë të ndërsjellë. Në këtë mënyrë as që do shtrohej më çështja nëse një qeveri shqiptare do të ishte në gjendje të respektonte të drejtat e minoriteteve.
Deri tani u mjaftova duke nënvizuar disa nga idetë dhe vërejtjet e Z. Brailsford për shqiptarët dhe çështjen shqiptare. Sikur kuadri i ngushtë i kësaj reviste të ma lejonte, do kisha dashur të paraqisja njëkohësisht edhe pikëpamjet e Z. Brailsford për popujt e tjerë të Turqisë evropiane, pikëpamje që shfaqen me të njëjtën qartësi e përkujdesje, si nëpërmjet trajtimit që u bëhet, ashtu dhe nëpërmjet forcës që merr vetë detaji dhe arritja e konkluzioneve, një karakteristikë kjo në studimin e tij për Shqipërinë. Ka kështu një kapitull të shkëlqyer për vllehët; edhe në kreun që u kushtohet grekëve, lexohen me interes të veçantë disa faqe mbi çështjen aq shumë të debatuar të greqishtes apo të gjuhës romaike në shkolla.
Por, studimi i mrekullueshëm rreth “karakteristikave të sundimit turk” është pa mëdyshje gjëja që lë pas gjithçka tjetër. Turqit janë një popull oriental e teokratik, nomadë dhe pushtues. Brenda këtij karakteri të katërfishtë ndodhet çelësi i krejt historisë së tyre. Si nomadë, ata kurrë nuk kanë menduar të vendosin rendin; në vend që të garantojë sigurimin e rrugëve për gjithë njerëzit, qeveria turke vetëm sa merr përsipër të shoqërojë një të huaj me polici (kavasë) gjatë kohës së udhëtimit; që do të thotë “mbani vetë siguri për veten tuaj”. Nisur nga koncepti i tyre teokratik i shtetit, ata ende nuk kanë bërë shkëputje të pushtetit civil nga pushteti fetar. Nga ana tjetër, si orientalë që janë, nuk kanë munguar të përshtatin nomenklaturën administrative mbi bazën e asaj të vendeve të Perëndimit; sepse, prapa fjalëve boshe, nuk ka kurrfarë hije realiteti. Më në fund, si pushtues, qëndrimi i tyre ndaj të krishterëve shpjegohet jo thjesht nisur nga paragjykimet fetare, por sidomos nga vetë tradita e pushtimit që i karakterizon. “Pushtuesi është si përherë superior ndaj të pushtuarit; veçse kemi të bëjmë në këtë rast me një të papritur historike nëse vija e demarkacionit që i ndan është feja. Sepse turku, për mendimin tim, ndjen kështu jo se i krishteri është patjetër inferior ndaj tij, por sepse në sytë e turkut, i krishteri shfaqet si i pandershëm” (f. 24).
Në fakt, shqiptarët, grekët, serbët, vllehët, vetë turqit, shfaqen thjesht si kalimtarë në libër, duke iu bërë kështu një largim temës kryesore. Sepse qëllimi kryesor i autorit është në radhë të parë të bëjë të njohur jetën, luftërat dhe vuajtjet e bullgarëve të “Maqedonisë”, – dhe kurrë nuk ka pasur për këtë çështje studim më serioz e më të plotë. “Historia e tyre gjatë dhjetë vjetëve të fundit plot luftë, thotë ai, është si një dekoratë e bullgarëve për të fituar simpatinë tonë. Në u mungojnë disa nga virtytet që zotërojnë fqinjët e tyre shqiptarë, virtyte dinjiteti dhe hijeshie, le të mos harrojmë se nderi i shqiptarit e ka rrënjën pikërisht në mungesën e fanatizmit. Shqiptari hoqi dorë nga feja e tij dhe mori si shpërblim privilegjin ta mbante ballin lart, të mbante armë e të sundonte si një mbi-njeri mes një race bujkrobërish. Kurse bullgari u lidh pas fesë që shekujt ia kishin trashëguar, uli kokën përpara nevojës së përditshme dhe vuajtjeve të zakonta, mësoi të përulej përpara njerëzve për të qenë ballëlartë përpara Zotit dhe fitoi veset e një skllavi për të ruajtur virtytet e një martiri” (f. 171). E ç’martir, se! Z. Brailsford na shfaq një tablo kaq prekëse sa vërtet ndien mëshirë të papërmbajtshme dhe gati sa nuk pranon që këta bullgarë janë në të vërtetë karabushë lepitkë, tek pandehin se po mashtrojnë dynjanë me fjalë të dykuptimta, se po pasojnë turqit në hegjemoninë e Ballkanit dhe se dashkan të bëhen zotër absolutë të dy kombeve superiore, shqiptarëve e grekëve.
Mirëpo, këto mendime tonat që po shfaqim këtu nuk janë sipas shijes së z. Brailsford. Dhe me këtë rast, do dëshiroja të përmendja një fakt nga më të çuditshmit. Sapo bie fjala për shqiptarët, për grekët, apo për gjithë të tjerët, z. Brailsford nuk mungon të vërë buzën në gaz përpara deklaratash a pretendimesh të tilla, që s’i merr seriozisht; dhe jo vetëm kaq, por nuk e ka për gjë të shfaqë skepticizmin më të fortë. Ama, kur është fjala për bullgarët, një rreze drite vetëtin në mendjen e autorit tonë. Dhe shfaq atëherë siguri për shumë gjëra. Për shembull, ai është i bindur: I. Se rebelimet bullgare janë të vetvetishme dhe sidomos të lira nga çdo makinacion moskovit; II. Se bullgarët e Maqedonisë janë të ndërgjegjshëm për të formuar një kombësi më vete, e kundërt dhe, në u dashtë, armiqësore ndaj Principatës bullgare; III. Se “maqedonët” nuk duan të shtypin askënd, etj., etj. Nuk mund të mos sjellësh ndër mend në këtë rast një shprehje në gojë të Lordit Melburn, me sa më kujtohet: “I wish I were as sure of anything as Tom Macaulay is of everything”. (Do desha të isha po aq i sigurt për gjithçka sa ç’është edhe Tom Macaulay (aktor britanik)).
Siguria e z. Brailsford nuk përbën sistem më vete. Është thjesht një gjendje shpirtërore, origjinën e së cilës mund ta përcaktojmë kollaj: Z. Brailsford i përket shkollës së Gladstone.
Ky ministër i madh liberal ishte, në mënyrën e vet, një despot: sepse nuk ka despotizëm më të keq se idealizmi dogmatik, që përbuz si përvojën, si faktet dhe gjithçka tjetër që prish simetrinë e thjeshtë të koncepteve të tij a apriori. Në idenë e Gladstone, luftërat racore, konfliktet e interesit, tollovia e gënjeshtrave, përplasja e pasioneve dhe zelli i orekseve nuk kanë veçse rëndësi të stisur; vetëm një fakt i madh është i dukshëm: dueli shekullor i krishtërimit me botën muhamedane, lufta midis dritës së mendjes dhe errësirës së mendjes. Është ky një koncept i nderuar i shekullit XI, i rimarrë nga një modern, veshur me frazeologji up-to-date (të kohës) dhe lustruar me krejt shkëlqimin e një retorike të shkathët. E pra, një prozaik e realist i dobët, një vëzhgues i ftohtë e i thatë, le ta katandisë luftën midis turqve e bullgarëve në këto dy arsye kafshërie të thjeshtë: oreksi dhe instinkti i ruajtjes. Për këta idealistë të mrekullueshëm, populli bullgar na qenka vetë Krishti i kryqëzuar, që po jep shpirt ngadalë, me një agoni të ethshme, ndërsa turku dhe bashkëfajtorët e tij, me një kënaqësi satanike bëjnë, përreth martirit të shenjtë, orgji gjaku e poshtërimesh. Këtë koncept, Gladestone e përkrahu me krejt fuqinë e një gojëtarie dramatike vënë në shërbim të një despotizmi të pavetëdijshëm. Gladestone vdiq, por pikëpamjet e tij u shndërruan në shkollë; ai tani ka admiruesit dhe vazhduesit e veprës së tij.
Gjenia e këtij burri shteti ishte kryesisht teatrale. Në dramën idealiste përfytyruar nga Gladestone, turku luan rolin e tradhtarit, bullgari atë të virtytit të fyer rëndë dhe anglezi atë të kalorësit hakmarrës. Populli bullgar është Elsa në lot, duke shpresuar ardhjen e Lohengrinit, për ta shpëtuar nga duart e Telramundit të poshtër. Por, në është e kollajtë të përligjet roli që i është përcaktuar turqve, roli i përcaktuar për bullgarin është shumë i vështirë. Cilësitë që zakonisht shoqërojnë pafajësinë janë natyrshmëria, shpërfillja dhe butësia. Do duhej që të provohej prania e tyre tek bullgari. E duke qenë se është e vështirë, parapëlqehet që fakti të merret si i mirëqenë e i provuar. Sepse, mjaft të hidhet hija më e vogël e dyshimit në mendjen e spektatorit për pafajësinë e Elsës dhe ai do t’i shohë me sy më të butë poshtërsitë e Telramundit. Mjaft të kini guximin të thoni troç të vërtetën qoftë për bullgarin, qoftë për turkun, dhe do shihni se si publiku ka për t’ua futur me një grusht surratit të dy horrave, për t’u kthyer më pas kurrizin.
Andaj Z. Brailsford është i bindur se kryengritjet bullgare janë të vetvetishme, se kanë për qëllim thjesht të sigurojnë lirinë dhe mirëqenien e të gjithëve dhe se prirja e natyrshme e atyre fshatarëve na qenkësh shenjtëria e butësia.
Është e çuditshme dhe disi shkurajuese të lexosh në gazeta njëzet a tridhjetë rreshta përmbledhjeje shpërfillëse për libra që shpesh i kanë kushtuar autorit vite të tëra kërkimesh e mundimesh, muaj përsiatjesh dhe shkrimi. Do kisha dëshiruar të bëja më shumë e më mirë për librin e z. Brailsford. E lexova dhe rilexova me kujdes, u përpoqa të depërtoj në mendimin e tij dhe zgjodha e rendita citimet në mënyrë të tillë që ta bëja lexuesin të shihte si cilësitë e mrekullueshme të librit, ashtu dhe atë çka mund të quhet e meta e thënë me dorë në zemër.
Gjatë gjithë librit, personaliteti i z. Brailsford më është shfaqur i dyfishtë. Më është dukur sikur shihja, krahas vëzhguesit e mendimtarit, edhe ëndërrimtarin. Njeriun, që fillimisht i sheh gjërat ashtu siç janë, dhe që më pas u jep pamjen e asaj çka ai do dëshironte të ishin. Shkrimtarin, që pranon në çast se faktet nuk i përligjin idetë e tij të paramenduara, por që prapëseprapë, nuk mundet të mos i shohë të lidhura me teori të cilat i ka për zemër, edhe pse e sheh që ngjitja bie në sy si artificiale. Kështu, le të përfundojmë me një shembull tipik: Z. Brailsford na shfaq me një qartësi e pastërti të pamëshirshme se e vetmja arsye e ndërhyrjes së Fuqive të huaja në çështjet e Turqisë është lakmia për fitim, interesi, një egoizëm i pashembullt e agresiv; na tregon se dy Fuqitë që, për nga vetë pozita e tyre gjeografike, duhet të jenë relativisht të çinteresuara, Anglia dhe Franca, sillen edhe vetë ato pa ndonjë shenjë bujarie. Pas kësaj, lexuesi me qetësi do arrijë në konkluzionin se loja e përjetshme e intrigave dhe e forcave do të përbëjë vazhdimisht një kapitull historie më vete. E megjithatë, z. Brailsford arrin në një tjetër konkluzion: ai llogarit se “Fuqitë e krishtera” do të kenë mirësinë të merren vesh për t’i dhënë çështjes së Orientit një zgjidhje idealisht të drejtë, për të cilën propozojnë pikat kryesore. Besimi është aritmetika e idealistëve, që i bën të besojnë se gjashtë egoizma të forta janë baras me një bujari të plotë.
Por idealizmi i z. Brailsford ka një përparësi të çmuar: i jep librit të tij një unitet prirjesh dhe ngrohtësi shprehjesh që nëpërmjet kontrastit, nuk bëjnë gjë tjetër veçse vënë edhe më shumë në dukje cilësitë e admirueshme objektive të veprës. Studimi rreth karakteristikave të qeverisë turke, konkretisht kur fokusohet në jetën fshatare në Maqedoni, në çështjen e feve, etj. kanë një bosht e stil të tillë që mund të cilësohen klasikë. Nga kjo pikëpamje, është e qartë se libri i z. Brailsford do të ketë një interes të vazhdueshëm.
Albania, Viti 10, Nr. 4, 1906.
(Përktheu nga frëngjishtja: Monet Maneshi)