FATMIR BRAJSHORI: «ARTI I NJË TË BURGOSURI» I AUTORIT ALI BERISHA

Zyrih, 16 prill 2021: Zakonisht duke lexuar poezi, piktorët frymëzohen për të bërë pikturë. Duke lexuar në dorëshkrim librin më të ri të Ali Sh. Berisha, kuptova që poeti duke pare pikturë ishte frymëzuar për të bërë poezi. Meqë në hyrje të librit, që i kushtohet i tëri Rrahman Bahtirit, një të burgosuri politik dhe luftëtari të lirisë, autori sjellë një jetëshkrim të shkurtër për të, unë do të ndalem më shumë në analizën e veprës së autorit…
Që në fillim të leximit të poezive, gjithësecili do të kuptojë që poeti e ka njohur për së afërmi autorin e pikturave nga të cilat frymëzohet për të varguar fjalë shpirti – për heroin e heshtur, me të cilin Ai nuk mund të rrijë pa kuvenduar; personazhi i vjershave fletë me autorin përmes pikturës, të cilat qëndrojnë përballë tij, dhe tjetri, vjershëtori në këtë rast, duke iu përgjigjur, po në heshtje, me laps e poezi dhe si rrallë herë më parë kemi një bashkëdyzim të përzier me ngjyra dhe fjalë duke bërë një tablo të përbashkët, në një kornizë një pikturë e një poezi.

Por, kur ka pikturat e mikut para vetës, poeti nuk mund të veprojë ndryshe; mbyllet në laboratorin krijues dhe / të pi/ dhe / të shkruaj/ për një jetë të larguar nga kjo mosqenja jetë e heroit të tij të heshtur, prandaj ai pi dhe shkruan:
“Përveç shkronjave RB
Në fund të çdo picture
Vera më thoshte pi
Pikturat më flisnin
Shkruaj.”

Autori ofshan, dëgjon e vepron ngaqë në vazhdim ai, pi e shkruan. Shkruan e pi, për pikturat e letrat e pikturuara që i ngjallën para syve, e të cilat i kishte vijëzuar miku i tij dikur; pikturat e të cilit paraqesin qëndresën, sakrificën, krenarinë, kujtesën, të cilat poeti i bënë tok me vargun e tij, i vë në ekspozitën e tij të parë publike për poezi e pikturë në muzeun kombëtar, të cilat ai i quan: ”Arti i një të burgosuri” dhe unë i emërova krijimet e këtij libri “Poezi për pikturat nga burgu.”
Ali Sh. Berisha me këtë libër na ofron një dimension tjetër për heroin e tij, përpos atij kombëtar, e që është arti. Ajo që duhet të veçohet mirë është kuptimi i titujve të secilës poezi dhe e titullit të librit në veçanti. Pra, një krijim që s’ka se si të mos jetë i ndikuar nga Romantizmi shqiptarë në ide, dhe nga poezia moderne në jetësim.
Në poezin e dytë, poeti hyn në ndjenjën shpirtërore të njeriut qëndresë ose qëndresës njeri, luftëtarit të paepur, militantit me vargjet ku përshkruhet qëndrimi stoik i të burgosurit. Kur gjykatësi lexon dënimin e dhënë… Këtu më së miri vjen në shprehje vargu i lirë e sidomos ai i fundit që tregon një epilog: “Dhe burgut një ditë do t’i hapen dyert!”
Poeti Ali Sh. Berisha përdorë larmi formash të ndryshme në bërjen e poezive që kanë për synim të shkrijnë në lapidar vargjesh heroin e pikturave të tij. Poezitë i ka krijuar duke marrë metrikën e fjalës së fundit, që mund të jetë akute si me rastin kur pohon “burgut një ditë do ti hapen dyert”… Pra, krijimet e tij I përmbahen rregullës që vargjet të janë në mes 2 dhe 8 rrokjeve, të cilat i njohim si poezi e vogël arti, dhe në mes 9 e 14 rrokjeve që e njohim si poezi kryesore arti, që e kemi te rasti i Poemës “Arti i një të burgosuri!”
Si të tilla, poezitë e krijuara kërkojnë mjaft kohë që të analizohen nga lexuesi duke u futur në kuptimin e vet vargjeve… Poeti sikur lë shtegë për secilin që duke i shikuar pikturat dhe lexuar poezit t’ju lind ideja për të bërë vetë një poezi të tretë. Poeti sikur u thotë: “Unë po ju ndihmoj me pikturën në një faqe libri dhe me një poezi, që ju lexues të filloni dhe të krijoni poezinë tuaj” …
Në përmbledhjen e poezive, autori ka vetëm një personazh kryesor, heroin e heshtur, mikun e tij Rrahman Bahtirin. Por, duke lexuar poezitë s’do mend që do të vëreni që vargjet më kuptimplote përdorë autori tek personazhet dytësore, që për kah rëndësia më rrënjësore e të pashmangshëm janë në këtë rast nëna, babai, motra, nusja, djali, vëllai që bie heroikisht në luftë me armiqët, në kohën kur heroi mbahej nga zemërzinjtë në errësirën me emrin burg, motrat si qenje frymore dhe objektet jo frymore, që secilin njeri e lidhin dhe e detyrojnë t’i kujtojë pa qoftë edhe një tra shtëpie që sa s’ka ra në dysheme…
Duke lexuar secilin varg, shohim që s’ka munguar tek Ali Berisha shpalosja e fjalëve nga vargu në varg me dinamikë, ngaqë duke gjetë frymëzimin tek krijimet e personazhit të tij dhe njohja e tij me krijuesin e pikturave për kohë të gjatë janë një lloj inkarnimi i tij me personazhin e tij. Si te poezia “Hark krenarie” e deri te e fundit janë lirika atdhetare, ndërsa përkah fuqia e vargut, apo varg emblematik na paraqitet: «Vëllai i vogël mish e thua që e kisha,,,”
“Arti i një të burgosuri” në tërësi është një poemë pikturale por edhe mund të themi 36 poezi në pikturë. Këtu më së miri vjen në shprehje lirika meditative e autorit, i cili shpreh raportin e tij të thellë emocional duke vjershëruar për botën e heroit të tij; krajatat e tij të jetës, kopshtin e shtëpisë, një flutur me krahë shtrirë, sikur t’i binte në duar, sa ishte në burgun hetues… Pra, përdorë me mjeshtëri jo vetëm lirikën meditative, atdhetare por edhe atë sociale-shoqërore… Në 36 poezitë në pikturë apo në poemën e tij pikturale, vargjet e poetit që kanë plotë tone të larmishme u japin pikturave të krijuara nga Rrahman Bahtiri jo vetëm gjallesë por edhe muzikalitet, që përkojnë me secilin vargë dhe secilin vajëzim… Teksa “ Letër nga Burgu” që janë të krijuara 5 poezi janë në vijë dhe krijim konstant me ato të 26-tat që i lexuam te poezia numër 2 në kap. “Arti i një të burgosuri.” Vargjet që tingëllojnë si lirik epike “Njëri bie për të mos rënë (ngaqë ata që vdesin për atdheun rilinden në përjetësi) / tjetri në burg tretë.” Teksa vagjet “E libri nuk duhet mbyllur / sepse duhet si çelës për të hapur / dyert,” ani pse fragmentare i nxora për të ilustruar porosinë që vlen për të gjitha kohërat…
“Arti i një të burgosuri” si poemë narrative për pikturën apo poezi të bëra nga pikturat, janë krijime origjinale, pa përsëritje të vargut e fjalëve, përpos përshkrimit të tablove pikturale, klasike me vazon në tavolinë, me fruta anësh… Poemë narrative që me fjalë vizaton pikturat e heroit të librit të Ali Sh. Berisha e me këtë rast është miku i poetit Rrahman Bahtiri, që me krijimet e tij në burg (përpos lirisë të krijuar mbrenda burgut), si “ shpend i lirë” ngjyros pergamenën e tij, për të qëndruar përjetë në panteonin e përjetësisë.
Pra, vargjet janë intensive dhe aspak të përsëritshme, me çka ja ka dalë autori falë njohjes së tij me heroin e poezive të këtij libri. Të vetmën referencë të përsëritshme e ka autori të domosdoshme nga peisazhet e pikturave teksa gjendja shpirtërore e poetit ka ngjyra të mbyllura ashtu siç janë hijet në sfond të pikturave të errëta, që do t’ketë mundësi lexuesi t’i vërejë tek ato që prezentohen në këtë libër…
Autori duke e njohur mire heroin e tij, përdorë mirë simbolikën dhe metaforën, i përdorë me vend krahasimet dhe nuk shërbehet fare me ndonjë hiperbolë, sepse materja (frymëzuesi) për të është realja (piktura) dhe imagjinarja, krijimi i poezive… Te poezitë Akrostike, autori përdorë vijën poetike. E krijuesi i kësaj forme poetike është Epikamusi dhe te krijuesit shqiptarë pak është përdorur, është kryesisht Akrostiku në vijë vertikale, të cilën Ali Sh. Berisha mjaft mirë e zotëron dhe e ndërton…
Këtë vështrim timin modest po e përfundoj me shprehjen «se nuk është me rëndësi se çfarë ka menduar autori, por teksti i tij» dhe unë atë gjë bëra, sikur që dua të përmbyll me fjalët e Gëtes, i cili tha: «Në letërsi nuk është qenësore se ç’tregohet por si tregohet». Kur të lexoni këtë libër, besoj që do ta keni si shembull se si tregohet dhe vjershërohet piktura në poezi!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura