FATMIR BRAJSHORI: LAMTUMIRË ASTRIT!

Cyrih, 7. 11. 2016: Astrit, që kur u linde, ti njohe dritën bujare dhe fisnike, të pafajësisë! Jo vetëm atëherë, kur ishe fëmijë por edhe më vonë, në moshën madhore. U mundova çdo portret tëndin ta kundroj: Kudo fytyra jote tregonte, sy të ëmbël, vështrim engjullor, qëndrim i të pafajshmit edhe pse e di që është, qenje vdekatare!
Në Kosovë jetuat sepse kështu deshtët! U rrite si fëmijë aty ku fjala s’kishte me t’u ndalë përgjysmë!
Nektari i maleve të Kosovës – ju shijoi më shumë se alpet helvetike!
Aty jetuat, ku e ndienit tokën, dritën, zërin e Kryengritësve, kur kalonit e kaloje, Rrugës së Blirëve, e ndjeje lindjen dhe këngën e zogjëve, çdo mëngjez, e krahët që hapeshin duke rrahur flatrat, ashtu të njomë, siç ishte vet jeta jote ngaqë zog ishe me këngë lirie!
“Kemi ecur ngadalë por dinjitetshëm, rrugëve, stepave e nëpër erëra të forta, drejt ” Rrugës së Lirisë”, – të thanë një ditë prindërit.
“Është rruga e krenarisë!”, u the.
Të vështrova, në pikturë Astrit!
Gjatë shumë gjatë, të vështrova. Çfarë buzëqeshje të bukur kishe në fytyrë, të ngrohtë dhe profetike! Nuk dallova asnjë shenjë pikëllimi!
Përkundrazi! Tek ty pash plot jetë!
Dinjitet!
Pastaj largova shikimin nga fytyra jote!
Një hije e zezë tu vu sipri, e t’merruar nga buzëqeshja jote! Një kalorës mesjete, me shpatë gjaku e fytyrë ciganësh që vraponte me galop që nga stepat e Karpateve e me kokë MEDUZE, për t’goditur buzëqeshjen e Astritit e që po shastriste zemërkqinjët e ditëve të sotme!
Dhe që këtu desha të përmbyll vargun tim, e të shkruaj:
“Lamtumirë, Astrit!”
Por, të gjithë ata që më lexojnë, më thanë, të shkruaj!
E çfarë të shkruaj?
“Se dashuria dhe vdekja u lindën në vjeshtë!
Kush je ti Astrit Dehari, kush?
Ti je heroi ynë, që nuk e deshe zjarrin për vete por që doje heretikëve, t’ua mirrje nga duart atë zjarr me të cilin ata donin të digjnin vegjelinë!
Kamat e lashta Ilire, brezi ytë lavdiplotë, nuk të la sipas zakonit, të rrije pa bë gjë për vobektësin siç bëjnë eunukët që vallëzojnë rreth “Pronto perëndive” se ti me shok barrë të rëndë i vutë vetës:” denbabaden në luftë ndaj tiranisë!”
“Sa e trishtë do bëhet jeta në Kosovë, mendove, po u bë ndarja; në perandor e vegjëlor!
Sot i gjymtuar ndihem, trup e shpirt: Edhe Morena, Shqiproni, Learti, po kështu janë nën vaj e trishtim, se humbën Fazli Grajçevcin e Xhemali Berishën e kohës së tyre: Astrit Deharin!
Shkruaj për vrasësin, shkruaj më thanë, për ata që; sy gjaku të uritur, që kurrë su lodhën duke na vështruar…
Për ata që kokë fyçkë të donin Astrit, e pa u dridhë zemra, u hodhën mbi një zemër tjetër, që t’mos rrahte për të vetmin faj: rrihte shqip!
E, kur pushoi zemra jote, Astrit, bota ra përmbys!
O hapu tokë, hapu, na gëlltit, të gjithëve! Por toka nuk hapet se do që, të jetojmë me turpin e kohës, turpin tonë, që i morëm jetën një djali të ri.
Na fal Astrit, na fal se nuk të mbrojtëm dot! Se ju pesë gishtat e dorës komb, Ju kërcenuan; e kërcenuesit s’i morëm seriozisht.
Të gjithë, ramë në gjumë.
E, ju që kalonit nëpër rrugë të tmerrit, nuk flinit, sepse gjumin tuaj, ua dhuruat, atyre për t’cilët bëtë vetflijimin: të pagjumurve të kombit tuaj, që një pushtet e qeveri, rrëzë maleve të dyshimta, kishin strehuar shigjetarët e vdekjes për t’vrarë çdo kërkes për drejtësi.
O, Astrit Dehari!
Nesër sarkofagu me trupin tënd do ecë rrugëve të qytetit, ku “perenditë e tiranisë” s’po trazohen dot! Para një viti, kush do mendonte, se Ti, nuk do ecje, në nëntor, rrugëve vjeshtore të Prishtinës? Kush?
Qenka rëndë, shumë rëndë për një prind, të shikoj se si pushteti i Kainëve, krekoset mbi fitoren ndaj rinisë revolucionare, he t’mallkuar qofshin!
Po t’mallkuar qofshin urdhërdhënësit, e dashtë perëndia, që nesër, kur kufoma e Promotheut tonë të ri, të marrë rrugë për përjetësi – tu zihet fryma gjithë atyre, që u bënë fajtor, për shuarjen e një jete, akoma pa filluar mirë ajo.
Para se të të them lamtumirë Astrit, më lejo që unë xhaxhi poeti, të të puth në ballë, se nuk më bënë zemra të hudh dheun e vdekjes, mbi fytyren tënde engjëllore!
Tek po shkruaj këto fjalë dhimbjeje, për Ty Engjulli i kohës sonë Astrit, me fotografin tënde që më rri para si pasqyrë ti më fole:
“Mos më qani mua por vajtone Kosovën që është bërë për të qarë. Unë asgjë s’kërkova për vetën time! Kërkova për njeriun e gjakut e shpirtit tim; pak buk, ujë e kryp, një strehë dhe pak drejtësi dhe liri! Kaq i kërkova Kosovës! Po Kosova së cilës ia puthja buzët natë e ditë, s’më dha asgjë sepse e kishte përgatitur vdekjen për mua!
Lamtumirë nënë dhe ti baba! Edhe ju motra! Unë Astriti po ik por pasha besën e të gjitha besave, edhe nga varri do ta luftoj tiranin! Unë po ik se Kosova deshti kështu, zemërzinjtë projektuan fundin tim… Por kam një hall t’madh; çka ti them Xhemajli Berishës kur ta takoj?
“Të dy jemi viktimat e vrasësve të njejtë, i vendit të njejtë dhe ecëm rrugës së njejtë!”
“LAMTUMIRË, – tha Astriti në tablon time pikturë dhe me buzëqeshjen e njejtë, të fillim shkrimit, ma bëri me dorë…
LAMTUMIRË ASTRIT, LAMTUMIRË!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura