FATMIR LEKAJ: SONDAZHI DELIBERATIV SI MJET PËR FORCIMIN E LEGJITIMITETIT TË DEMOKRACISË

Pashtriku.org, 02. 02. 2017: Në vitet 1930-ta, George Gallup, lancoi metodën në bazë të së cilës mund të matej me përqindje të lartë të saktësmërisë opinioni i popullit për çështjet e caktuara, në këtë mënyrë lindi sondazhi. Matja e opinionit nënkupton se poqëse kampioni/mostra është e përzgjedhur në mënyrë shkencore (sipas metodës që siguron që kampioni/mostra të reprezentojë popullin) dhe poqëse është mjaft e madhe (1000 persona/respondentë) atëherë kampioni/mostra do të reprezentojë/pasqyrojë në mënyrë statistikore tërë popullin (pikëpamjen/preferencën e tërë popullit për një çështje të caktuar) me një margjinë të gabueshmërisë së vogël apo të pranuar.
Gallupi ishte i bindur se nëpërmes kësaj metode, ia kishte arritur të realizojë idealin e demokracisë së Greqisë antike duke bërë një sintezë në mes reprezentimit dhe deliberimit. Gallupi mendonte se mediat arrijnë të përmbushin kriterin e deliberimit duke udhëhequr debate për çështjet e caktuara, dhe pasi që njerëzit të kenë dëgjuar të dyja anët e një çështje të caktuar mund të arrihej kriteri i reprezentimit nëpërmes sondazhit që do të reprezentojë/pasqyrojë pikëpamjen/preferencën e tërë popullit për çështjen e caktuar.
Duke u inspiruar nga Gallupi, sondazhet e zakonta për matjet e opinioneve kanë arritur të përmbushin kriterin e reprezentimit (nëse respektohen kriteret metodologjike shkencore) por jo edhe kriterin e deliberimit. Edhe pse mediat kanë evoluar, e bashkë me to edhe vetëdija politike e qytetarëve, deliberimi sipas politologut, James S. Fishkin, ka mbetë rob i “injorancës racionale” (Fishkin 1995:80). Injoranca racionale nënkupton se për një individ do të jetë më racionale të mos bëjë përpjekje që t’i përkushtohet vëmendshëm dhe në thellësi çështjeve të caktuara, sepse si individ në tërësinë e madhe (në mesin e miliona njerëzve) konsideron se nuk ka ndikim të vërtetë në pushtet ose politikbërje. Me fjalë të tjera, në rast se kostoja e përkushtimit për një çështje të caktuar është më e madhe se sa përfitimi, nuk do të mund t’i shmangemi injorancës racionale të individit.

Një problem tjetër është se matjet e opinioneve në të shumtën e rasteve (sidomos për çështjet komplekse dhe sensitive) regjistrojnë vetëm pikëpamjet/preferencat sipërfaqësore të respondentëve, duke mos iu dhënë atyre mundësi për të formuar dhe shprehë pikëpamje/preferenca të mirëmenduara gjatë anketimit. Me fjalë të tjera një sondazh nuk merr parasysh se respondentët për të marrë qëndrim për çështje të caktuara duhet të mirëmendohen duke i formuar pikëpamjet/preferencat e veta në “bashkëlojë” ose “konflikt” me pikëpamjet/preferencat e të tjerëve. Gjithashtu, sipas politologut Øyvind Østerud, një gjë tjetër që kufizon deliberimin (duke u bazuar në hulumtimet metodologjike shkencore) është se njohurit e përgjithshme tek njerëzit për çështjet politike janë shumë të kufizuara, të paqarta dhe të perceptuara gabimisht (Østerud 1996: 258).
Kështu, sondazhet e frymëzuara nga Gallupi mund të kualifikohen si reprezentative por jo edhe si deliberative. Si konsekuencë e kësaj politikanët bëhen më shumë oportunist dhe më pak kreativ, duke ju përshtatur rezultateve të anketimeve, të cilat rezultate nuk janë të bazuara në debatin kritik, përkatësisht në deliberim. Sipas politologut Erik Oddvar Eriksen në shoqëritë e qytetëruara vendimet që kanë ndikim për të gjithë duhet të jenë të bazuara në racionalitet, në kuptimin se çka është e mira e përgjithshme. Argumentet duhet të determinojnë vendimet dhe procesi për të arritur deri tek argumentet e mira konstituon demokracinë (Eriksen 1995: 17).
Në SHBA aranzhohen të ashtuquajturat “forumet për çështjet nacionale” (National Issues Forums) ku grupet gjatë diskutimeve deliberojnë çështje të ndryshme politiko-shoqërore. Ndonëse këto janë forume deliberative, ato kanë kufizimet e tyre, sepse nuk janë reprezentative. Megjithëkëtë, këto forume janë jashtëzakonisht të frytshme dhe korrigjuese për sondazhet e zakonta që poashtu janë të kufizuara duke qenë reprezentative por jo edhe deliberative. Politologu Fishkin, propozon një sintezë që është edhe metodë, e cila përmbushë njëkohësisht kriterin e reprezentimit dhe atë të deliberimit. Kjo metodë nënkupton se kampioni/mostra që përzgjidhet në mënyrë shkencore dhe përmbushë kriterin e reprezentimit të përdoret për të arritur edhe kriterin e deliberimit. Me fjalë tjera, sipas Fishkin-it, edhe pse një kampion/mostër që është reprezentative, humbë kriterin reprezentativ nga ai moment kur respondentët nëpërmes një procesi deliberativ i qasen çështjes duke e diskutuar në mes vete, megjithëkëtë, kampioni/mostra do të jetë reprezentative në kuptimin e thjeshtë hipotetik; se cili do të ishte mendimi i popullit për një çështje sikur krejt populli të kalonte një proces të ngjashëm deliberativ (Fishkin 1995: 164-165, 173).
Sipas Fishkin-it sondazhi deliberativ (deliberative polling) e zgjidhë problemin e injorancës racionale, sepse secili pjesëmarrës ka për të luajtur një rol aktiv dhe të rëndësishëm gjatë procesit të sondazhit deliberativ. Fishkin gjithashtu konsideron se populli dhe votuesit do t’i kenë parasysh konkluzionet e një sondazhi që është deliberativ dhe njëkohësisht reprezentativ dhe kjo sipas tij do të ketë domethënie për opinionin e popullit dhe votuesve. Më tutje ai mendon se është e rëndësishme që procesi deliberativ të transmetohet nëpërmes televizionit në mënyrë që procesi deliberativ që komunikohet të mund të transformoj agjendën publike në agjendën e angazhuar publike. (1995:170-71).
Rrjedhimisht duke u bazuar te Fishkin-i, sondazhi deliberativ ka si parakusht përzgjedhjen e kampionit/mostrës në mënyrë shkencore që siguron reprezentimin, dhe respondentët nëpërmes procesit të deliberimit të debatojnë çështjen e caktuar, poashtu të kenë mundësi të konsultohen me ekspert dhe politikanët, dhe në fund të procesit të marrin pjesë në një sondazh të zakontë për çështjen e caktuar.
Vështirësia praktike për të realizuar një sondazh deliberativ që plotëson edhe kriterin reprezentativ është se kampioni/mostra duhet ti ketë 1000 persona/respondent që në mënyrë statistikore të mund të reprezentoj/pasqyroj pikëpamjen/preferencën e popullit, me një margjinë të gabueshmërisë së pranueshme. Me fjalë të tjera, që të realizohet një proces deliberues në mes 1000 personave me biseda “ballë për ballë” nuk është projekt i lehtë, por megjithëkëtë shumë i rëndësishëm për demokracinë.
Sipas shumë politologëve, metoda e Fishkinit si sintezë e sondazhit deliberativ dhe sondazhit të zakontë është risia më premtuese në praktikën demokratike dhe duhet të adoptohet gjerësisht në shtetet demokratike sepse kontribuon për të forcuar legjitimitetin e demokracisë.
__________________________
Referencat
Eriksen, E. O. (1995): “Introduksjon til en deliberativ politikkmodell” në E. O. Eriksen (red.), Deliberativ politikk. Oslo: Tano.
Fishkin, J. S. (1995): The Voice of the People. New Haven/London: Yale University Press.
Østerud, Ø. (1996): Statsvitenskap. Oslo: Universitetsforlaget.
_______
FATMIR LEKAJ: TIPOLOGJITË E SHTETIT, PUSHTETIT DHE AUTORITETIT
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=6093
***
FATMIR LEKAJ: ZGJERIMI I DOMENIT SHKENCOR POLITOLOGJIK
https://pashtriku.org/index.php?kat=43&shkrimi=6019

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura