FATMIR MINGULI: ‘AJO QË E SOLLËN ATA’ NJË ROMAN PËR NGJARJET E VITIT 1999 NË KOSOVË

Durrës, 29. 07. 2016: /Kur brenda kaosit ka rregullsi. Një autor në librin e tij duhet të jetë si Zoti në Univers, i ndodhur në çdo vend dhe i padukshëm nga njerëzit. Gustave Flaubert/
(Analizë kritike për romanin “Ajo që e sollën ata” të shkrimtares Mehrije Daci, Asdreni, Shkup, 2016)
Të lexosh një roman për ngjarjet e vitit 1999 në Kosovë është një privilegj për këdo lexues. Jo se ngjarjet janë të panjohura për shqiptarët dhe për të huajt, porse nëpërmjet një magjie që një vepër letrare të servir, ti ndjehesh i kompletuar dhe i sajdisur, i pa ndikuar nga lajmet televizive, nga germat e zeza të gazetave e nga fjalët nëpër tymnajat e kafeneve tutje e tëhu Prishtinës, Shkupit apo Tiranës.
Mehrije Daci, kjo gazetare, poete, punonjëse sociale dhe një prozatore e thekur, di të sjellë ndër shqiptarë, ditët biblike të prag luftës së Kosovës dhe të epilogut të saj, di të sjellë ata që e vuajtën kalvarin e dhimbjeve që lufta si çdo luftë shkakton.
Mehrije Daci si në një skenë gjallore na sjell lagjen diku në një qytet të Kosovës, ndoshta Pejë, lagjen me të gjitha rekuizitat e saj, pa përjashtuar asgjë. Është kafeneja karshi dyqanit të Mahirit, skena ku zhvillohet teatri gjysmë absurd e gjysmë real i njerëzve që po presin atë që quhet “luftë” e që autorja e metaforizon me tog fjalët,” ajo që e sollën ata”. Skena e dytë madhore e këtij romani është shtëpia e Sahitit dhe që pasohet me skenën e kolonës në ikje të njërëzve shqiptarë drejt Malit të Zi.
Metaforizimi është arma më e fortë artistike e Mehrije Dacit, arma që e çarmatos lexuesin kritizer apo dhe vetëm kritikun kritizer që në faqet e para te romanit.

Autorja Mehrije Daci sjell me këtë roman ato ngjarje, skena të kohës së pragluftës apo dhe vetë luftës. Pak personazhe, pak qytet, vetëm një shtëpi e një lagjeje, lëvizin nëpër 105 faqe libri. E merr zjarr një stafetë narrative sa nga narratori tek Sahiti e sa nga Sahiti tek Meremja e tij e dashur.
Ajo çka shkruan autorja në këtë roman janë thënë e dëgjuar nga miqtë e mi kosovarë, zhvilluar në biseda të zakonshme, ndryshe Mehrija i sjell ato ngjarje artistikisht, ato ikje eksodike që të kujtojnë ikjet biblike të ebrejve.
Ardhja e kolonëve nga Kosova në Durrës, atë mëngjes të hirtë nuk më shlyhet nga mendja. Tek kolona e hirtë me pleq, gra e fëmijë drejtohej për nga godina e “Teatrit Aleksandër Moisiu”, dukej sikur njerëzit veç veshjes së tyre kishin marrë me vete dhe kodrat e fushat e vendlindjes së tyre.
Por le të kthehemi te lagjja e romanit. Aty në kafenë përballë shitores së Mahirit, burrat bëjnë sinoptikat e luftës, programojnë ikjen dhe të gjithë ëndërrojnë kthimin. Meremja, kjo grua e thjeshtë e Kosovës, personifikimi i urtësisë dhe i punës, bashkëshortes perfekte, është ajo që mezi pret të çelin lulet e thanës, mezi pret të shkojë në shtëpinë e të jatit e mezi pret të vijë çasti e të lyejë portën e jashtme që festa e Bajramit të mos e gjejë gafil. Të gjitha këto pritje janë metafora e çlirimit të Kosovës, janë tharmi i vetë subjektit të romanit e çfardo lloj tjetër është thjeshtë rekuizita e jetës.
Sahiti dhe Meremja, dy njerëz të një jete, ndoshta dhe pjesë e jetës së autores, janë dashuria e vërtetë e njerëzve të zakonshëm larg salltaneteve të politikës apo tregëtisë. Dashuria midis tyre është sa reale aq dhe e lakmueshme nga çdo çift, një dashuri eterne brenda një shtëpie të thjeshtë në një lagje po aq të thjeshtë.
Realizimi i këtyre dy personazheve nga Mehrije Daci është rezultat i eksperiencës së një psikologeje, gazetareje dhe poeteje, por dhe një shpirti të madhe gruaje. Mënyra se si i trajton karakteret e këtyre dy personazheve të kujton stilin modern të Robert Musil në romanin e tij “Njeriu pa cilësi”.
Nje sistem i prroit të ndërgjegjes ku nuk ka kufij teorikë në radhën narrative, një dhënje e ideve përmes veprimit, me struktura fjalësh nga më të thjeshtat, në një gjuhë të popullit të lagjes. Është pikërisht kjo gjuhë e butë, një shqipe e pasur me leksikun origjinal që vihet në gojë të personazheve të paktë të romanit, kjo gjuhë e pastër me aq shumë pak dialektizma. Është thjeshtë meritë e autores.
Mehrije Daci në këtë roman bëhet ndoshta e para autore që realizon romanin e “Kosovës”. Në stilin e saj të pakufi sillen me një ironi popullore figurat e Titos, të atyre që sollën luftën e si rrjedhojë dhe leksikët plot shpoti të njerëzve të lagjes si : ” – Amerika do na e lëshojë prap rrymën?”
Por në roman nuk mungojnë dhe cilësitë e personazheve, sepse Mehrija “gjuan” atë që të tjerët nuk e shohin. Personazhi gei Elvan, psikologjikisht dhe krejt në aspektin social sillet ashtu siç është por edhe si një pykë në jetën e lagjes. Edhe pse i përshkruar pak nga Mehrija ai sikur don të imitojë Majkëll Xheksonin. Dhe vdes i ri. Ndryshe sillet figura e madhe e dëshmorit Muhamet Dubravës. Kjo figurë me narracionin e “çregullt” të autores jep rregullin e madh të dëshmorit, flijimin e jetës për liri.
Mehrije Daci ështe dhe gazetare, po sa shumë larg ajo është nga letërsia mediiatike, asaj letërsie që burra e gra e veshin si kostum për të treguar se dikush janë. Ajo gjthashtu është larg letërsisë gazetareske duke iu referuar thënies shpotitëse të Oskar Uailld-it:” Diferenca midis letërsisë dhe gazetarisë konsiston në faktin që gazetaria është e palexueshme, ndërsa letërsia nuk lexohet.”
Ajo trashëgon pjesën më moderne të prozës kosovare të viteve ’70-’80 si dhe modernizmin e Robert Musilit. Struktura origjinale e prozës se saj është një model se si duhet shkruar pa nojma e pa lulka letrare, por ashtu thjeshtë me gjuhën e lagjes, aty në Pejë. Romantizmi i pastër jo se është i shkruar nga një autore femër stolis faqet e romanit dhe sjell në shpirtin e lexuesit besimin për një të ardhme te sigurtë në Kosovën e çliruar nga ata që e sollën atë.
“Dielli sot nuk kursehej në derdhjen e rrezeve të tij, ani pse ishte vjeshtë. Rrezet derdheshin si uji nga një urnë e praruar që zbrazte përndritjen, mbi gjithçka që zinte syri.”
Dhe mendja të shkon për “parregullësinë” narrative që shkrimtarja Mehrije Daci zbatoi në romanin e saj “Ajo që e sollën ata” por mbasi e ke lexuar romanin vëren se nuk është romani bestseller” Pa rregulla” i italianes Irene P. DE Colle, një roman erotik që shqetëson mendjet e shprishura. Romani i Mehrijes hë për hë nuk është bestseller, por nëse përhapet ndër shqiptarë kudo që janë e përkthehet në gjermanisht atëhere do të dalin në pah vlerat e një proze bashkëkohore e denjë për t’ u renditur në letërsinë e sotme europiane.
Lëvduar qoftë autorja, lëvduar qoftë botuesi, shkrimtari dhe miku im Kalosh Çeliku që më dhuroi këtë libër e që munda të zbuloj atë që shkruajta më lart.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura