FATMIR MINGULI: VARIACIONE MBI NJË TEMË MAGJIKE

Tiranë, 31. 05. 2013 – (Mendime studjuese për romanin ”Vrasësi i shpirtrave” të Hamdi Erjon Muça)
Qui animum ad scribvendum
Applicat, vel ad dicendum, tot
Sibi indices contra se assumit,
Quat lectores.
S.Hieronimi
Kush merret me shkrime,
Ose me gojëtari, do të marrë
Kundra vetes sa gjykatës
Aq dhe lexues.
Shën Hieronimi

Kohët e fundit, shtëpia botuese e Tiranës OMBRA GVG nxori në qarkullim romanin e ri të autorit Hamdi Erjon Muça, titulluar “Vrasësi i shpirtrave”, roman i cili me 330 faqet e tij i jep lexuesit shqiptar një sagë të mirfilltë të shqiptarëve në periudhat para se Skënderbeu të fillonte betejat e tij madhështore. Në këtë roman të thurur artistikisht bukur me nocionet e historisë së shqiptarëve, nuk ndodhet vetëm Kruja por e gjithë hapësira ilire, ajo tokë që ishte e ilirianëve. Galeria e personazheve është shumë e larmishme duke intersektuar personazhet shqiptarë me ata të huaj, veprim shumë mjeshtëror i autorit Erjoin Muça, i cili, kështu na ka sjellë romanin kozmopolit të historisë së atyre kohëve me shumë kureshtje dhe kënaqësi në lexim.
***
Historia e popullit shqiptar kundër pushtuesit shekullor turk ka kaluar nëpër kohëra e paralelisht dhe nëpërmjet shkrimeve të historisë dhe të krijimeve të letërsisë, ku më shumë spikatin romanet e letërsisë shqiptare e që zanafillojnë nga prifti shkodran, Marlin Barlet me Historinë e Skëndërbeut dhe të Motit të madh të shqiptarëve me librin e tij për Skendërbeun.

Romani i autorit durrsak që jeton në Itali Hamdi Erjon Muça, “Vrasësi i shpirtrave”, i vendos ngjarjet në periudha kohore përpara ardhjes së Skëndërbeut në Shqipëri e të fillonte organizimin e tij kundër turqëve. Kësisoj, Erjon Muça, sikur do të thotë, me këtë roman , ose më mirë do që të vertëtojë shprehjen e Skendërbeut kur u kthye në Krujë:
“Lirinë nuk ju a solla unë, atë e gjeta këtu, midis jush.” Mendoj se popullit dhe letërsisë sonë i duhej një roman i tillë që në fund të fundit tregon veçse shpirtin e pamposhtur luftarak të shqiptarëve në të gjitha kohërat.
Ngjarjet e romanit duke filluar shumë herët nëshekullin e 13-të apo të 14-të e që hipotetikisht ngulmojnë në vigjiljen e ardhjes së kryetrimit në Krujë, marrin karakterin e ortekut. Ato fillojnë në skenat e një kulle të veriut të Shqipërisë dhe përfundojnë në veprimet e bashkërenduara të princave shqiptarë që nga skajet veriore të Dardanisë e bregdetit Adriatik të sipërm të kroatëve të sotëm deri poshtë në Epirin jugor.
Të duket sikur rreth personazhit kryesor, djalit të ri Gjergj dhe i biri i një malësori trim e enigmatik Gjon, vinë e bashkohen princërit shqiptarë andej e këtej Shqipërisë e duke u bashkuar ecin përpara drejt një obelisku madhështor por imagjinar, që nuk do ishte veçse dëbimi i turqëve nga trojet tona shqiptare.
Orteku i ngjarjeve merr me vete në këtë roman jo të zakontë edhe mardhëniet e shqiptarëve me shtetet fqinjë, armiq apo jo armiq duke na shpalosur tabllo të reja të skenave shqiptare, të dipllomacisë dhe të zyrtarizmit të kohës, kulturës dhe dijeve bashkohore të princërve shqiptarë.
Mënyra e narracionit që përdor autori Erjon Muça në romanin e parë të tij “Vrasësi i shpirtrave”, i ngjan zmadhimit galopant amebik të ngjarjeve. Krejt ndryshe nga romanet shqiptarë që trajtojnë temën e luftës kundër turqve, përmend këtu” Kështjellën” e Kadaresë,” Skënderbeun” e Godos,” “Të jetosh në ishull “ të Blushit, e ndonjëtjetër, Erjon Muça , jo vetëm që nuk merret me kohën e Skendërbeut por sheh poshtë në oborret e shtëpive e kullave të shqiptarëve të thjeshtë duke i sjellë njerzit që banojnë në to si personazhe shumë të detajuar dhe të mirë analizuar artistikisht.
Është e çuditshme njohja e thellë e botës së shqiptarëve të thjeshtë në ato shekuj kur vendosen dhe ngjarjet e këtij romani. Është gjithashtu befasuese dhe njohja e simboleve të jetës së kullave të veriut të cilat kanë veçori që kanë tronditur shumë studjues të huaj që i kanë vizituar e kanë qënë mysafirë aty. Prandaj, kur autori përshkruan jetën në vendet e veriut shqiptar, pa lënë mënjanë dhe malësitë e Kosovës, përdor me një origjinalitet të tij artistik parabola dhe legjenda të mirfillta shqiptare që pleksen me flokët e grave e vajzave shqiptare e deri në mjeshtërinë e përdorimit të shpatave nga burrat luftëtarë shqiptarë.
Pikërisht, janë këto parabola që përbëjnë pëlhurën fantazmagorike e cila shpesh mbulon si një tis magjik skenat e jetës normale në realitetin e vet pothuajse në krejt faqet e romanit.
Titulli i romanit “Vrasësi i shpirtrave”, veçse është sugjestionues, është dhe një ekstrakt i gjithë pjesës reale dhe pjesës abstrakte që përbëjnë dhe ndëlidhin natyrshëm faqet e shumta të romanit. Është ky ekstrakt që autori e ka për objektiv final, jo për finesë artificash letrareske por si objektiv madhor që i takon popullit shqiptar ndër shekuj. Në se legjendat, mitet dhe këngët e eposit shqiptar të veriut bëjnë pjesë në jetën e vendasve, shqiptarëve që punojnë dhe mbrojnë trojet e tyre nga pushtuesit turq dhe të tjerë, për këta të fundit ato legjenda, mite apo pjesë të eposit kthehen në ekranizime të turbullta në trutë e tyre që i çojnë ata në frikën e demonëve ashtu siç e analizon me elegancë autori Erjon Muça këtë fenomen aspak të trilluar që ndodhte tek ushtarët turq. Të mos harrojmë se si turqit morën pjesë nga skeleti i Skënderbeut dhe i mbajtën ato për hajmali!?
Sipas shumë autorëve të huaj që kanë studjuar histori të popujve të ndryshëm aty ku nuk shkoqitet mirë historia, në ndihmë u vinë pikërisht mitet, legjendat, feja, etj të atij populli të cilit i studjohet historia, siç kanë vepruar Karen Armstrong tek shkroi librin për Jeruzalemin, teoricieni prakticist Karl Poper etj.
Erjon Muça me shkathtësinë e tij ka ditur të gërshetojë ekuilibrin e besimit të shqiptarëve duke e luhatur pendulin e besimit fetar të shqiptarëve herë nga paganizmi dhe herë nga kristianizmi, dhe shpesh duke i përzjerë së bashku, duke sjellë këtu një risi në prozën shqiptare por të treguar brenda një romani historik, dmth artistikisht.
Janë pikërisht këto maniera të narracionit origjinal të përdorura në romanin “Vrasësi i shpirtrave” që e bëjnë atë të veçantë, tjetërlloj.
Këto tipare që qarkullojnë si damarë të tejdukshëm nëpër subjetin e romanit janë dhe veçori të personazhit simpatik, shqiptarit të ri, të zgjuar, Gjergj, i cili trashëgon sekrete jo vetëm të luftimit nga i jati Gjon, por trashëgon ndjenjat njerzore të dashurisë jo vetëm për familjen por dhe për atdheun dhe popullin e tij.
Personazhi Gjergj megjithëse në moshë të re ,arrin të marrë përsipër pa e ditur as vetë një enigmë të madhe që me dekada ishte përhapur si një legjendë në mes mjegullnajës në viset ku ndodhin ngjarjet e romanit. Por ai, Gjergji nuk është thjesht bartës i enigmës por ai zotëron intuitivitetin e trashëgimit duke ja marrë të jatit këtë fshehtësi të madhe, fshehtësi që turqit e kishin pësuar në kurriz të tyre e që nuk e kuptonin nga vinte Ai, fantazma, që pasi vriste me qindra ushtarë turq, zhdukej misteriozisht. E si mund ta quanin turqit këtë njeri!? Këtë njeri, Gjonin-vrasës të shpirtrave dhe jo vetëm të trupit! Ai ishte demoni i tyre dhe atij i ruheshin më shumë se djallit. Marrja e trupit është thjeshtë vrasje në ushtri, ndërsa marrja e shpirtit është punë që ka të bëjë jo me njerzit e vdekshëm. Por me dekada Gjoni po kërkohej nga komandantët turq po nuk gjindej, mbasi Gjoni ishte tërhequr nga “marrja e shpirtrave“ të pushtuesve. Nga ky moment që zhduket Gjoni si vrarës i shpirtrave të turqëve, këta te fundit i vihen sistemit policor investigues nëpërmjet një Aleksandri që u shërbente turqëve.
Romani ,në këtë etapë shkëputet nga të gjitha emërtimet e modës së sotme që qarkullojnë pasarelave e vitrinave të librit televiziv si në Shqipëri ashtu dhe në Itali. Nuk kemi të bëjmë me trillerin e trendit e as me fiction-in e modës. Eshtë thjesht një roman i ndërtuar nga shpirti i pavrarë nga formulat e modës letrareske në atmosferat metroplolitane të Italisë. Ky roman nuk e ka një plan përgatitor- përfundimtar si ndoshta disa plane të autoreve femra që s’po kam për zemër ti përmend, ndonëse librat e tyre mbushin të gjithë raftet e librarive dhe të koshave në dalje të supermerkatove. Erjon Muça është një autor i ri që ngazëllohet nga poezitë brilante të Oskar Walldit, poezi që i ka njohur në sistemin monist, e duke qënë kështu ndjekës i principeve të lirisë së këtij poeti ai arrin të kompozojë romanin sipas principeve të lirisë.Edhe pse është një punë e madhe romani me karakter historik, Erjon Muça inspirohet dhe nga Properci që thotë; ”Në punët e mëdha mjafton vetëm të dëshirosh” (in magnis voluisse sat est).
Erjon Muça duke sjellë pa ndërprerje tabllo të jetës shqiptare të viteve të pushtimit turk, na fut njëkohësisht në botë të panjohura apo shumë pak të ndeshura në historinë artistike shqiptare apo dhe të huaj. Mënyra e ndërtimit të subjekteve me ndërpreje për mendimin tim ja shton bukurinë romanit duke tejkaluar format arkaike të modeleve të shumë vendeve europiane edhe të dy shekujve të fundit.
Kjo mënyrë krijimi dhe vendosjesh tabllosh, njerzish, ngjarjesh në formë abstraksioni veç se e zbukuron linjën e leximit,duke e bërë të larmishme atë çka lexuesi kalon nëpër duar.Tek shkruan me guxim për Dyrrahun e dashur për të gjithë durrsakët, mendja më shkon menjëherë te libri i vetmuar i kroatit Milan Shuflai, romani “Konstandin Balsha” ku flitet për jetën e Durrësit në shekullin e 12-të dhe 13-të.
Mjeshtëria e futjes së ngjarjeve të kompleksit real – ireal në shumicën e faqeve të romanit duket se ngjet me atë të realizmit magjik të plakut Gabriel Garsia Markes, por në një natyrë krejt të kundërt me atë të amerikano – jugorëve. Vetëm mjeshtria mbetet e tillë pa asnjë shenjë tipike ndikimi e as një lloj përputhje qoftë dhe e rastit.
Gjithashtu nuk është e rastit ngjarja me nobelistin e vitit 2012 në fushën e letërsisë .Vepra e kinezit Ma Yan u cilësua nga Akademia Suedese “si punë me realizëm prej iluzionisti që bashkon tregimet popullore, historinë dhe bashkëkohoren.”
Erjon Muça përdor efektin sugjestionues, telepatik dhe pse jo dhe aspekte të disa lloj magjie. Gjatë leximit të skenave ku tregohet se si priten kokat e turqëve nga lëvizjet e zhdërrvjellta të protagonistit Gjergj, por më parë dhe të jatit të tij, Gjon, mendja më shkonte te filmat japonezë me heronj shpatash, te ninxhat e tyre dhe te samurajt. As që pritja ti gjeja ashtu stampë të mirfilltë, (por jo stampë letrare) në librin e Erjonit, por në kapitullin e dytë gjej pikërisht skena të luftimeve të ninxhave me magjistarë të shpatës. Pasi i lexon këto pasarele që vërtëtojnë “magjinë” e letërsisë së Erjon Muçës, me njëherë të kujtohet Skënderbeu.
Pa dashur të hyj në komente të tepërta ,po citoj një fragment nga libri im “Tjetërlloj” ku flas për herë të parë mbi problemet e luftës së Skendërbeut në kushte të papara gjatë komentimit të një studimi të Moikom Zeqos për figurën e Skendërbeut: “Në rastin e dytë, Moikom Zeqo ka trajtuar artin luftarak të Skendërbeut sipas teoricienit kinez Sun Xu , në një nga studimet e tij…”
Edhe në librin “Skënderbeu, një hero modern” të italianit Xhovani Falcione, trajtohen 36 raste të zbatimit të tezave të Sun Zu-së , për luftën guerrile në kushtet e terrenit të thepisur.
Pra kemi të bëjmë me telepati apo me iluzionizëm në veprën romaneske të Erjon Muçës?
Eshtë i rëndësishme fakti që gjatë sipërmarrjes së shkrimit të një romani historik duhet të dalësh nga klishetë bajate të stërpërdorura dhe keqpërdorura. Kështu, romani do të ketë destinacion harresën me anekset e saj dhe fenomenin e stokut. Por kur romani ka marrë përsipër jo vetëm ëmbëlsinë e ngjarjes por dhe disa forma jo normale se si ato ndodhin , do kuptojmë se aty do gjejmë dhe magjinë dhe këngën e eposit të ndërthurur me ligjet reale të kanunit të Lekës, përzjerë me magjinë e prerjes së kokave të turqëve me një të goditur shpate, këngët e vallet në luginat plot lule të stinës, ujin gurgullues të lumit që sjell fjalët e spiunëve që i shërbejnë turqve e kështu me radhë.
Figura e Gjergjit me të gjitha dhuntitë që ka, përbën një risi në prozën shqiptare sepse duke qenë i dhënë plotësisht si personazh, ai vjen e rritet gjatë romanit; me kalimin e faqeve lexuesi herë ndeshet me një Robin Hud, herë ndeshet me një Til Ulenshpingel e herë herë me trimat e Bjeshkëve.
Krijimi i figures së Gjergjit padyshim është i pashkëputur nga figura e të jatit Gjon si dhe të vëllezërve të tij. Jo vetëm kaq, por dhe kushërinjtë, miqtë në fshatra e në qytete janë figura lëvizëse në skenat e teatrit të Erjon Muçës dhe të gjithë së bashku realizojnë skenat masive që vinë në të ardhmen. Mund të duket si detaj i vogël, ndoshta për tu anashkaluar, lokanda, vendi ku fshatarët pinin ndonjë kafe apo një gotë verë të kuqe. Si në asnjë prozë shqiptare nuk jepet kaq gjallë jeta e fshatarëve të atëhershëm në ato thellina. Lokanda përbën një nyje jo vetëm për romanin por dhe për intesitetin e lexuesit,sepse është dhënë me shumë dashuri dhe intimitet.
Për tu rikthyer në një nga variacionet që ky roman na sjell, do të përforcoja faktin e mbijetesës së shqiptarëve ndër shekuj. Këtë lloj mbijetese virtualisht e kemi ndjerë në ballada e filma të ndryshëm, në libra historie brenda kallëpit akademik apo dhe në këngët margaritar të arbëreshëve, arvanitasve etj.
Novacioni i Erjon Muçës në romanin “Vrasësi i shpirtrave” në drejtimin e mësipërm, është ai i saktësisë së rrjedhshmërisë së jetës duke i qëndruar konsegent deri në fund të romanit, si për tu thënë lexuesve se jeta vazhdon e ku Gjergji , tashmë baba, i thotë djalit të tij të vogël e që i kishte vënë emrin e të atit, Gjon: “Ti ke nderin të jetosh në fshatin që mban emrin e atij, që armiqve nuk u merrte vetëm jetën.Ti ke nderin dhe detyrimin, ta mbash lart emrin e atij, që armiqve u vriste shpirtrat.”
Asnjë ndërprjeje nuk ka ndodhur në karakteret e në historitë e shqiptarëve. Arti i luftës i shqiptarëve është gati proverbial. Erjoni na e sjell këtë art në gjthë puritanizmin e tij dhe jo vetëm artistikisht, por të bazuar dhe në analet e historisë.Kështu autori Italian Paolo Petta, në librin e tij “Stradiotët, ushtarë shqiptarë në Itali”, shkruan se në mijra vjet , stradiotët shqiptarë kanë luftuar si trima e kalorës të aftë e që prej tyre ka dalë një papë dhe një revolucionar i shkëlqyer si Antonio Gramshi.
Në historinë e luftrave moderne të shekullit të 17-të në Europë lulëzonte strategu dhe teoricieni i kalorësisë së lehtë Gjergj Basta, i cili ishte me origjinë nga fshati Nivicë Bubar i Bregdetit të Poshtëm të Sarandës. Nuk është përsëri e rastit që ai ishte shqiptar dhe që gjyshi i tij Andrea kishte qenë bashkëluftëtar i Skënderbeut e që përfaqësonte familjen fisnike të Bastajve!
Nëse autori tek krijon personazhe të tillë origjinalë si Gjergji dhe i ati i tij duke i shpalosur ata si fitimtarë të përhershëm, ai , besoj se nuk bazohet aq fort te Davidi i Biblës që rrëzoi Goliathin se sa tek hipotezae Talesit që thotë se “tek çdo njeri ka diçka hyjnore”.
Ja përse unë e vlerësoj romanin “Vrasësi i shpirtrave” të Erjon Muçës , si roman origjinal, si një prurje e ndritshme mbi disa skena të errësuara të teatrit shqiptar të viteve e të shekujve të ndryshëm. Shpesh ato që nuk i bëjnë historianët të motivuar nga arsye nga më të ndryshmet, i bëjnë shkrimtarët, të cilët jo vetëm shkundin pluhurin e perdeve të mbyllura të teatrit të historisë shqiptare.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura