Prishtinë, 05. 05. 2014 – Më 23 prill 2014, Kuvendi i Kosovës me shumicë votash i tha po formimit të një Gjykate Speciale Ndërkombëtare, për të hetuar dhe gjykuar luftëtarët e lirisë, gjegjësisht ish pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për gjoja siç thuhet “pretendimet për kryerjen e veprimeve kriminale”! Marrja e një vendimi të tillë nga ana e Kuvendit të Kosovës nuk ishte ndonjë befasi për askënd, nga se javët e fundit, po thuaj të gjitha organet shtetëtrore të Republikës së Kosovës: Presidenca, Qeveria, Kuvendi, krerët e partive politike të Kosovës, ju nënshtruan një trusnie të paparë nga diplomacia e Europës dhe Amerikës. Por kjo nuk është hera e parë që Parlamenti i Kosovës mbulohet nga turpi me vendimet sa të çoroditura edhe antikushtetuese bile pse jo edhe antikombëtare. Kësaj radhe gjatë votimit pati mjaftë përçarje jo vetëm në mesin e deputetëve të të njejtit subjekt politik, por edhe në mes vëllezërve (rasti Haradinaj, Ramushi ishte pro vendimit, Dauti kundër)! Qëllimi i kësaj Gjykate Speciale është kryekëput politik, dhe nga prokurorët e saj do të lëvizin çdo gurë të mundshëm për ta përbaltur Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, luftë kjo e pastër si loti i vesës, e dëshmuar katërcipërisht edhe nga Tribunali i Hagës, gjatë procesit të gjykimit të pjesëtarëve të saj, por edhe nga Gjykatat vendore në Kosovë. Me këtë rast fiton luftën Diplomatike (nëse kishte fare një luftë të tillë) Diplomacia e Serbisë dhe ajo Ruse, kundruall Diplomacisë së venitur Shqiptare, por edhe të “miqëve” shqiptar.
Le të bëhet e qartë për çdokënd se asnjërit nga pjesëtarët e UÇK-së nuk i lëvizë çerpiku i syrit për këtë Gjykatë Speciale, ngase janë të bindur në pastërtinë e Luftës së Shenjtë të UÇK-së, në disiplinën e ushtarëve të saj, si dhe idealin e saj Çlirimtar. Ushtria e saj bëri luftë çlirimtare ndaj një pushtuesi shekullor tipik fashist në tokën e vet, dhe këmba e qoftë vetëm një ushtari të UÇK-së nuk shkeli tokën e huaj. Puna më e lehtë e ushtarëve të UÇK-së ka qenë me u fut thell në teritorin e Serbisë për të vrarë popullatë civile apo për bërë masakra mbi këtë popullatë. Ushtria, policia dhe paramilitarët serbianë, të tërbuar nga ethet për krime e plaçkitje mbi popullin liridashës shqiptar të Kosovës, kishin lënë tërsisht pa kurfarë mbrojtje dhe sigurie popullatën serbiane të brezit kufitar me Kosovën dhe një veprim i tillë jo vetëm që ishte plotësisht i mundshëm, por edhe pa rreziqe. Vet angazhimi i forcave ushtarake të NATO-s përkrah Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e dëshmon pastërtinë e luftës së kësaj ushtrie, për ndryshe si do të bëhej aleate e NATO-s një Ushtri Kriminale siç pretendohet tani, nga qarqe të ndryshme antishqiptare?! Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ka marrë notë të lartë pozitive, nga struktura të spikatura ushtarake të shumë shteteve demokratike të botës përparimtare, nga shumë analistë ushtarakë e diplomatë me renome, nga kronistë e studiues të ndryshëm, vlerësohet si njëra nga luftërat më të sukseshme guerile e cila i dha risi edhe Teorisë Botërore mbi luftërat guerile që luftuan për çlirim nga pushtues të ndryshëm. Në Universitetet e ndryshme botërore, në lëndën e Historisë mbi Luftërat Guerile, të zhvilluara anë e kënd globit, nxënës e studentë në të ardhmën do të mësojnë jo vetëm për Guerilën Shqiptare që i solli Lirinë popullit të vet por edhe për epërsitë e treguara e sidomos për pastërtinë dhe disiplinën në frontet e luftës. Prandaj të gjithë ata dashakeq dhe antishqiptarë që iu gëzuan themelimit të një Gjykate Speciale Ndërkombëtare, e cila do të mirret me hetimin dhe ndjekjen e pjesëtarëve të UÇK-së, kot se koti ngrejnë dolli dhe i fërkojnë duartë, sepse edhe kësaj radhe fitorja është e UÇK-së dhe luftëtarëve të lirisë. Për deputetët e Kuvendit të Kosovës që votuan pro kësaj Gjykate, po ua përkujtoj një fjalë popullore: “Njeriu po qëse vetëm një herë e gëlltit një lugë ndytësirë, edhe po të vjelli gjithë jetën e tij nuk do ta pastrojë organizmin”. Dalëzotësja e Kosovës, ish Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ishte dje, është sot dhe do të jetë nderi i Kosovës. Brezat e ardhshëm shqiptarë, do të mburren dhe do të edukohen në frymën kombëtare që solli UÇK-ja tek shqiptarët.
– Kontakti me autorin: [email protected]