KUSH I ORGANIZOI DEMONSTRATAT E MARSIT – PRILLIT 1981 NË KOSOVË?

Në 42 vjetorin e demonstratave të vitit 1981

KUSH I ORGANIZOI DEMONSTRATAT E MARSIT – PRILLIT 1981 NË KOSOVË?

Nga Abdullah Prapashtica, Pashtriku 18. 03. 2023

Vetima që shkrepi më 11 mars 1981 nxori në sipërfaqe vetëm një dritë blici. Në atë shkëndijë nuk kishte mundësi me u pa shumë e ardhmja!

Por, ajo që ndodhi me 26 mars 1981 e lindi një epokë të re historike!

Nga kjo ditë do të llogaritet koha – para dhe pas 26 marsit 1981!

Mirëpo, pa ngjarjen e 25 marsit 1981 nuk do të ndodhte as 26 marsi 1981, ashtu si ndodhi!

Të rikujtojmi së pari 11 marsin 1981!

Ditë e bukur e me diell e pranverës së hershme të 1981!

Prishtinë, më 1 prill 1981: Demonstratë

Në mbrëmje rreth orës 19.00 spontanisht shpërtheu revolta në Mensën e Studentëve në Prishtinë për shkak të ushqimit të dobët dhe për shkak të parregullsive tjera në ambientet studentore.

Kjo nuk ishte protesta e parë, sepse kishin ndodh edhe disa të tjera në Qendrën e Studentëve e në ambientet tjera studentore! Por, ishte e para që studentët dolën në rrugë ashtu si ishin bashkë, pavarësisht nga përkatësia nacionale!

Parulla me e dëgjueshme ishte “KUSHTE – KUSHTE”!

Me që isha bartës i Resorit të SHSSH (Shërbimi i Sigurimit Shtetëror) – (Služba Državne Sigurnosti – SDS) për Universitetin shkova në zyrën time dhe bisedova me Drejtorin e Drejtoriatit të Regjionit të Prishtinës për SHSSH Hasan Mehmetin në telefon. Ai kërkoi nga unë që ta njoftoi personalisht Kryetarin e LKJ për Prishtinën Asllan Fazliun.

Shkova në Lagjen e Vreshtave në shtëpinë e tij diku rreth orës 20.00 dhe njoftova mbi ngjarjen dhe ia përcjella porosinë e Hasan Mehmetit që duhet të mblidhet Kryesia e Komitetit Komunal të Prishtinës për të përcjell situatën!

Pastaj u ktheva te protestuesit. Ishin diku rreth 300 veta. Kryesisht student nga vendet tjera jashtë Prishtinës që banonin në Qendrën e Studentëve. Atyre ju bashkëngjitën edhe disa dhjetëra veta nga qyteti gjatë marshimit.

Mes tyre edhe një ekip i Shtabit për Organizimin e Demonstratave i Organizatës së PKMLSHJ-së me kërkesë për Republikën e Kosovës ku ishin

Adem Prapashtica (student me korrespondencë pranë fakultetit juridik), Faton Topalli, Fatmir Grajqevci e disa tjerë. Ata duhej vetë të e vlerësonin situatën dhe nëse e shohin të mundshme, të e lanësojnë kërkesën për krijimin e Republikës Shqiptare të Kosovës së tërësishme!

Pasi përfundimit të marshimit nëpër qytet protestuesit u koncentruan te Qendra e Studentëve. Aty, nga Kryesia e Komiteti Komunal të LKJ-së të Prishtinës u dërguan Profesorë e Asistentë për të bindur studentët që të shpërndahen.

Në një trafo u ngrit nga studentet Avdi Krasniqi i cili i prezantoi kushtet e këqija dhe kërkesat e studentëve. Pastaj fjalën e mori edhe Profesor Pajazit Nushi i cili premtoi përmirësimin e kushteve.

Në mes kohë Ali Lajqi arriti diku kah ora 21.00 dhe hyri mes studentëve. Ali Lajqi e morri fjalën dhe filloi t’i politizon kërkesat e studentëve. Kjo ishte e mirëseardhur për ne!

Ali Lajqi kishte mbetur pa e dhanë provimin e Letërsisë Jugosllave dhe atë ditë kishte dorëzuar dokumentet për punësim në RILINDJE dhe i kishte shoqërua dy vajza që banonin në Qendrën e Studentëve, i ka përcjell ato deri te Qendra dhe kështu ishte kyçur bashkë me ato në protestë!  

Nga ana tjetër Adem Prapashtica, Faton Topalli, Fatmir Grajqevci dhe disa studentë e nxënës të shkollave të mesme të Prishtinës filluan të brohorisin “drejtësi, barazi“, „Poshtë borgjezia“, „Trepça punon Beogradi ndërtohet” etj., që u përkrahën edhe nga të pranishmit tjerë, por për brohoritjen e parullës “KOSOVA REPUBLIKE” ende nuk kishte përkrahje të mjaftueshme!

Situata po ashpërsohej, dhe diku kah ora 01.00 (pas mesnate) Milicia hodhi lotsjellës për të shpërnda protestuesit. Kjo nxiti revoltë dhe protestuesit thyen tërë gjamët e Qendrës së Studentëve dhe u barrikaduan brenda oborrit deri në mëngjes! Në mëngjes u shpërnda edhe grupi i fundit që ishin prishtinas!

***

Herët në orët e mëngjesit unë fillova të shkruaj Raportin mbi ngjarjen në Qendrën e Studentëve në Prishtinë si pas detyrës zyrtare! Për këtë ishte emëruar një Komision dhe Raportin e Komisionit të SHSSH për KK LKJ mbi Protestën e 11 marsit 1981, e përgatita si Përgjegjës i ati Komisioni dhe si Përgjegjës i Referatit për Universitetin e Prishtinës.

Edhe pse unë e kam raportuar se “… protesta studentore ka pas karakter social dhe se në protestë kanë marrë pjesë të gjithë studentët prezent në Mensën e Qendrës së Studentëve në Prishtinë të të gjitha nacionaliteteve…”, Azem Vllasi në Mbledhjen e KK të LKJ për Kosovën, bëhet “më katolik se papa” dhe insistonte që protestës së 11 marsit t’i jepet vlerësimi “si nacionaliste e kundërrevolucionarë” edhe pse Mahmut Bakalli nuk pajtohet me këtë vlerësim!

Raportin tim, që e kam shkruar vet, pos meje e kanë nënshkruar edhe Inspektorët Nevruz Isufaj, Millan Radulleviq dhe Zoran Dragoviq!

Qëllimi im ka qenë që të fitohet në kohë, që të mos burgosen menjëherë studentët iniciatorë të protestës, sepse ne në PKMLSHJ planifikonim që në protestat e ardhshme të dalim me kërkesën për Republikën e Kosovës përmes të këtyre studentëve, pa pas nevojë me u eksponua vet PKMLSHJ! Sepse donim që demonstratat të jenë “spontane” dhe gjithë popullore pa dal në sipërfaqe ilegalja e jonë! Kështu edhe u veprua!

***

Por, në demonstratën e 1 prillit 1981 ndodhi që dolën disa nga grupet tjera ilegale dhe e morën bajrakun në dasmën e huaj kuturi pa ditur se çfarë dëmesh po bëjnë dhe për këtë më vonë u dënuan si organizatorë të rrejshëm. Dikur me vonë gjatë hetimeve ata i zbuluan edhe kontaktet me PKMLSHJ, dhe kështu u zbuluam edhe ne!

Për arsye si filloi fushata e intrigave e luftës speciale, për të mos marrë informimi publik kahje të gabuar mbi këto ngjarje, PKMLSHJ u detyra që të dal publikisht dhe të merrë përgjegjësinë për organizimin e këtyre demonstratave!

(INFORMACIONI I PLOTË MBI NOTËN GJENDET TE SHKRIMI NË KËTË TEMË:

NOTA E KQ TË PKMLSHJ DREJTUAR KQ TË LKJ MË 14 PRILL 1981 ME TË CILËN PKMLSHJ MERR PËRGJEGJËSINË PËR ORGANIZIMIN E DEMONSTRATAVE ME KËRKESË PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS!)

Azem Vllasi ishte gjithmonë dora me besnike e Jugosllavisë në Kosovë!

Ai e kishte ndryshuar edhe nacionalitetin dhe ishte bë “jugosllav”!

Po mos të ndodhte grusht shteti i Millosheviqit në Beograd, banda e Azem Vllasit pat me shua me gjak çdo vatër patriotike shqiptare në Kosovë pa ndihmën e Serbisë, por në llogari të Serbisë! Azem Vllasi ishte bërë më serb se serbi!

Në atë kohë në Serbi vepronin dy rryma:

1) Unitaristët Jugosllavë me Stambolliqët në krye, që donin ta mbanin bashkë Jugosllavinë dhe

2) Hegjemonistët Serbomëdhenjë me Drazha Markoviqin e me Millosheviqin në krye, që donin që Serbia vet të sundonte mbi Jugosllavinë!

Gjatë ditës 12 mars 1981, te Posta e Prishtinës (ku tani gjendet Selia e BE-së) burgoset Ali Lajqi nga Mishko Llakoviq e Zoran Dragoviq!

Kur sillet në SKPB (Sekretariatin Krahinor për Punë të Brendshme) njoftohet Sekretari i SKPB Mustafë Sefedini!

Mustafë Sefedini urdhëron lirimin e Ali Ljaqit dhe jep urdhërin tjetër që mos të ketë burgosje tjera në dy javët e ardhshme. Dhe pas dy jave të burgosen vetëm ata që janë eksponuar dhe atë vetëm kur të jenë krejt vetëm, që të mos nxiten trazira të reja! Fjala ishte për kidnapime në vetmi për me u hetua se a qëndron ilegalja pas tyre!

ALI LAJQI ISHTE KALORSI I PARË QE JU PRIU KALORSËVE TË PROTESTËS SË 11 MARSIT DHE 26 MARSIT 1981!

Në vazhdimin e III fola mbi bisedën që unë zhvillova me Ali Lajqin pasi që pengova arrestimin e tij! Tani po kthehem te ai moment!

Më 11 mars 1981 më la përshtypje qëndrimi i Ali Lajqit. Dhe tani doja të bisedoja me te që ta njoh më mirë! I propozova që të ulemi në restorantin “RUGOVA” afër Qendrës që të Bisedojmë. Por ai kishte droje nga arrestimi dhe nuk pranoi. Mandej i propozova që të ulemi në Kantinën e Konviktit 4 për të marrë nga ai një deklaratë për arrestimin e 12 marsit 1981. Por ai as këtë nuk e pranoi. Atëherë e arritëm marrëveshjen që të nesërmen, me 26 mars 1981 të takohemi në Hoteli “BOZHUR” në qendër të Prishtinës. Dhe krejt në fund i thash:

“… eja, por mos i merr me vete krejt studentët… sepse nesër është edhe pritja e Stafetës…”! Mirëpo, nuk e kisha të çartë nëse porosia ime u kuptua nga ai!

Kështu morri fund biseda mes neve në orët e vona të mbrëmjes së 25 marsit 1981! Unë morra rrugën kah dalja e Qendrës së Studentëve, ndërsa rreth Aliut u grumbulluan studentët në oborr. Ata nuk dëgjoheshin mirë mes veti prandaj, vendosën që të vazhdojnë bisedën në dhomat e Konviktit 4 (ai që është me afër Spitalit – mund t’i kem harruar numrat). Unë nuk kisha njeriun tim mes këtyre studentëve, por së shpejti morra lajmin nga Nevruz Isufaj se në mesin e këtij grupi studentësh gjendet një informator i tij, më duket se ishte tezak i tij, i cili ishte absolvent në Shkencat Matematikore me mbiemrin Pepshi! Informacionet nga ai te unë më vinin përmes Nevruzit, sepse unë nuk njihesha me te.

Ali Lajçi i ka njoftuar studentët për çka ka ndodh dhe për bisedën time me te dhe i ka paralajmëruar se munden me ndodh arrestime për Protestën e 11 marsit 1981. Ky Grup Studentësh do të hartojnë kërkesat për Rektorin e Universitetit Gazmend Zajmin. Kërkesat ishin sociale – tipike studentore. Grupi i Ali Laçit marrin vendim për bllokimin e Qendrës të Studentëve deri në plotësimin e kërkesave të tyre studentore. Pos kësaj asnjë kërkesë politike! Kjo filloi të me brengos dhe fillova t’i humbi shpresat se me 26 mars 1981 mundet të ndodh diç më tepër!

Unë posa u ndava nga Ali Lajçi shkova në Zyrën time dhe në telefon e njoftova Hasan Mehemetin se “…nesër kemi demonstrata…” dhe i tregova se çka ka ndodh me inspektorët e Pejës dhe me Ali Lajçin.

Por, për bisedën time me Ali Lajçin – Hasan Mehmetit nuk ia thash asnjë fjalë!

ENDE PA U PËRMBYLLUR 25 MARSI, FILLOI 26 MARSI 1981!

Pas kësaj bisede unë u takova edhe me shokët e mij të ilegales dhe i njoftova mbi gjendjen. Pastaj u ktheva përsëri në Qendrën e Studentëve ku e takova përsëri Zymber Zymberin. Ishim në vëzhgim nga zyra e Drejtorit deri në mëngjes. Para se me zbardhë dita e 26 marsit 1981 i thash Zymber Zymberit se do të dalim në mes të oborrit të Qendrës së Studentëve për t‘ua treguar studentëve protestues “… se shteti është aty…”! Ai doli bashkë me mua dhe kur arritëm në mes të oborrit unë u ndala me ndez cigaren, ai filloi të dridhet nga frika, dhe po më thotë “… ec me shpejt se të gjithë po na shikojnë…”! E pash se e kishte kap paniku, dhe fare nuk u nguta!

Orët po kalonin dhe studentët posa u zgjuan nga gjumi e vërejtën se Qendrën e Studentëve e kishte bllokua grupi i Ali Lajqit. Disa dolën me zor nga qendra, ndërsa shumica ju përgjigjnë pozitivisht grupit të Ali Lajqit në kërkesen e tyre që të qëndrojnë në Qendër!

Gjatë natës ishin takuar dy Kryesitë e Komiteteve në nivel të Prishtinës dhe në nivel të Kosovës.

Ishin mobilizuar të gjitha forcat policore në Kosovë dhe bashkë me Njësinë e Veçantë ishin postuar në rrugët anësore rreth Qendrës së Studentëve, por pa u pa prezenca e tyre nga Qendra!

Ishin ftuar Aktivet e LKJ-së në Universitet dhe Rektori Gazmend Zajmi!

Në Qendër kishin ardhur pothuaj Kryetarët e të gjitha gjeneratave të Rinisë Socialiste të Jugosllavisë për Kosovën, për me mi bind studentët që të shpërndahen, por më i zëshmi ndër ta ishte Azem Vllasi! U bisedua gjerë e gjatë, por marrëveshje mes studentëve dhe autoriteteve universitare dhe atyre politike e shtetërore nuk pati!

Nga ora në orë në drejtim të Qendrës së Studentëve filluan të vinë edhe nxënës e studentë tjerë nga qyteti e rrethina.

Në momentin kur e vlerësova se ishin pjekur kushtet për veprim shkova te Sekretari Organizativ i PKMLSHJ Osman Osmani në shtëpi, e zgjova nga gjumi dhe e njoftova mbi gjendjen. I thash se ka ardhur koha me veprua, andaj merri aktivistët e Shtabit dhe hyni në mesin studentëve në Qendër! Dhe kur ju ta vlerësoni se ka ardhur momenti lanësone kërkesën për Republikën e Kosovës dhe nisuni drejt qendrës së qytetit.

Kështu edhe u veprua!

Osman Osmani para se të nisej për në Qendër, paraprakisht kishte njoftuar edhe vëllezërit Ahmeti. Bashkë me Osmanin në Qendër të Studentëve me rastin e fillimit të demonstrimit, komunikimin demonstruesve që të brohorasin vetëm kërkesën për Republikë kanë qenë edhe shokët e tij Adem Krasniqi dhe Osman Bytyqi. Në Qendrën e Studentëve kanë arritur edhe Fatmir Grajqevci, Adem Prapashtica, Martin Çuni me shokë e shoqe tjera.

Tani për punën e Shtabit për Demonstrata nuk po flas me tepër nga ky moment, sepse ato i dinë me mirë se unë në detale Osman Osmani. Por, do t’i them disa fjalë për momentin kur demonstruesit nuk u lejuan të marshojnë drejt qytetit dhe ata më vonë u sulmuan dhe u arrestuan nga Njësia Speciale e Beogradit që erdhi atë ditë në përforcim!

Mbas orës 16 ndodhi sulmi brutal i Milicisë Jugosllave në Qendrën e Studentëve në Prishtinë. Pati shumë të plagosur e të rrahur brutalisht mes studentëve e studenteve. Milicia hyri nëpër dhoma dhe i nxori jashtë në oborr të gjithë studentët duke i rrahur. Shumicën i ulën në oborr dhe nga mesi i tyre i nxorën Organizatorët e Protestës në krye me Ali Lajqin!

Shkova edhe vet për të parë se a gjendet ndokush nga Shtabit ynë për Demonstrata në mesin e të arrestuarve. Në mesin e të arrestuarve e gjeta vetëm vëllanë tim Adem Prapashticën! Të tjerët kishin arritur me kohë me dal nga rrethimi! Unë e nxora edhe Ademin me disa studentë të tjerë nga rrethimi. Por, kur u burgos herën tjetër pas disa muajve unë më nuk isha aty!

Jehona e 26 marsit 1981 do të përhapet si vetima në krejt Kosovën. Sjellja e regjimit ishte tepër e egër kundër një kërkese që ishte e logjikshme dhe që nuk ishte e jashtëligjshme, sepse 6 popuj tjerë në ex – RSFJ i kishin Republikat e veta!

KËRKESA PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS I BASHKOI TË GJITHA GRUPET E ORGANIZATAT PATRIOTIKE ILEGALE PËRVEÇ TË LKJ-së PËR KOSOVËN!

Prandaj, ne në Udhëheqjen e Organizatës së PKMLSHJ në Mbledhjen e 27 Marsit 1981 morëm Vendim që Sekretari Organizativ i PKMLSHJ së bashku me një ekip nga Shtabi për Organizimin e Demonstratave me kërkesë për Republikën e Kosovës së tërësishme të shkojnë me 28 mars 1981 në Qendrën e Studentëve dhe të mbajnë një tubim me studentët e pranishëm dhe të kërkojnë nga ata që të shpërndahen nëpër vendet e veta të origjinës dhe atje të njoftojnë popullin se çka ka ndodhur në Prishtinë dhe me nxënësit, studentët e punëtorët e vendlindjeve të veta ku ata jetojnë të organizojnë demonstrata në ato qytete e qyteza me të njëjtat kërkesa si në Pishtinë. Kjo mbledhje me studentët më 28 mars 1981 në Qendrën e Studentëve u mbajt dhe ngjarjet pastaj u zhvilluan sipas asaj bisede që u zhvillua me ata studentë!

Natyrisht se në këto lëvizje rolë të fuqishëm ka pas roli i individëve të pa njohur që me angazhimin e shkathtësitë e tyre organizative e vepruese vunë masat në lëvizje në krejt Kosovën dhe populli u përgjigj masovikisht.

Rol shum pozitiv patën edhe pjesëtarët e të gjitha Grupeve e Organizatave patriotike ilegale, që iu përgjigjën demonstratave dhe vepruan në organizimin e tyre të mëtutjeshëm, duke frymuar i tërë populli tamam si një komb i qytetëruar.

NË DEMONSTRATAT E PRANVERËS 1981 DËSHTOI VETËM LKJ-ja E KOSOVËS!

Dështoi vetme Lidhja e Komunistëve titist të Kosovës, e cila u rreshtua në anën e Beogradit dhe kundër kërkesës për Republikën e Kosovës së tërësishme dhe kundër Popullit të vet!

Menjëherë pas Demonstratave me kërkesën për Republikën e Kosovës, në lokalet e Garnizonit të APJ-së në Prishtinë, Fadil Hoxha shprehu frikën dhe tha se: “… tani duhet pas kujdes që nga kërkesa për Republikën e Kosovës mos të lejohet të krijohet Lëvizja për Republikën e Kosovës…”!

Zatën ky është edhe shkaku që pastaj terrori shtetëror të merrë përmasa aq të mëdha e aq brutale ndaj shqiptarëve patriotë.

U burgosën dhe u dënuan me mija veta nga pjesëtarët e të gjitha Grupeve e Organizatave patriotike ilegale, duke përfshirë këtu edhe disa grupe të PKMLSHJ-së.

U dënuan disa qindra shoqe e shokë të mij me disa qindra vite burgim, ndërsa mua regjimi me dënoi me vdekje. Por, vdekja nuk me dashti. Në vend se të vdes unë, vdiq Jugosllavia!

Në Foto: Adem Prapashtica, Faton Topalli, Lutfi Maqedonci, Fatmir Grajqevci  dhe Avdi Krasniqi

_____________________

SHTOJCË E PASHTRIKUT

Kush ishin flamurtarët e parë të Republikës së Kosovës

Shkruan: Ahmet QERIQI * Prishtinë, 11. III. 2008

https://pashtriku.beepworld.de/files/Fotodemo.1981/ahmetqeriqi_flamurtareteparterepiblikes_11.3.08.htm

***

Roli historik i demonstratave të pranverës së vitit 1981

Shkruan: Mehmet BISLIMI, Zvicër, 11. III. 2008

https://pashtriku.beepworld.de/files/Fotodemo.1981/mehmetbislimi_pranveraevitit81_11.3.08.htm

***

Kush i organizoi demonstratat e vitit 1981?

Shkruan: Bejtullah TAHIRI – Zvicër, Uster, 13. 03. 2008

https://pashtriku.beepworld.de/files/Fotodemo.1981/bejtullahtahiri_kushiorganizoidemonstratatev1981_13.3.08.htm

======

DËSHMI ARKIVORE

Ilustrimet © Pashtriku.org

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura