FEHMI RAMADANI: BEOGRADI KËRCËNON, DERISA ‘PËRZGJEDHËSIT’ E SHQIPTARËVE TË LUGINËS ANKOHEN NË KUVENDIN E SERBISË!

Prishtinë, 08. 08. 2014: Beogradit, përfundimisht duhet t’i bëhet e qartë si një vend aspirant për në BE të merret me realizimin e të drejtave individuale dhe kolektive të pakicave dhe jo me kërcënimet ndaj tyre, përkatësisht ndaj shqiptarëve të Luginës, siç kishte ndodhur në Kuvendin e Serbisë nga vetë kryeministri serb Aleksander Vuçiç. Ndryshe, rruga e këtij shteti për në BE do të jetë shumë e vështirësuar.
Beogradi me kurs të vjetër politik ndaj shqiptarëve të Luginës
Në Kuvendin e Serbisë në Beograd, kohë më parë si zakonisht ishin edhe dy “përfaqësuesit” e vetzgjedhur të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, me ç’rast njëri prej tyre më në fund kishte arritur t’i shtronte një kërkesë kryeministrit serb Aleksander Vuçiç, se kur nxënësit shqiptarë të Luginës do të pajisen me tekste shkollore nga ky shtet? Përgjigja e kryeministrit serb jo vetëm që ishte cinike dhe përbuzëse, por edhe kërcënuese duke ia përkujtuar këtij “deputeti” se së pari do të duhej t’iu shpjegonte “zgjedhësve” të tij se jetojnë nën Serbi, së dyti, ai së bashku me bashkëkombësit e vet do të duhej t’i përgjigjet pagesës së rrymës elektrike, ndryshe të gjithë do të shkyçen nga rrjeti elektrik dhe së treti, këta të “përzgjedhur” mund të shkojnë të ankohen kudo, në daç te ambasadori amerikan Kirbi, ai anglez Devenport, apo edhe te ai rus Konuzin, por shteti serb nuk do të toleroj më gjëra të tilla. Në këtë Kuvend, këto fjali iu kishin përsëritur disa herë nga goja e njeriut të parë të një Qeverie, e cila ka synim “vlerat” dhe “orientimin” evropian të jetesës.

Tani shtrohet dilema, çfarë konkluza mud të nxirren nga këto qëndrime të një Qeverie e cila ka obligime ndërkombëtare që t’i respektoj të gjitha të drejtat individuale dhe kolektive të pakicave të ndryshme që jetojnë në këtë shtet, por ka edhe obligime shtesë që të punojë për çdo ditë në avancimin e mëtutjeshëm të këtyre të drejtave, për shkak se ky shtet tashmë ka marrë statusin për anëtarësim në BE?!
Nuk ka dyshim se politika e Beogradit në raport me shqiptarët e Luginës së Preshevës ende nuk është liruar nga urrejtja dhe paragjykimet nacionaliste e shoviniste. Pra, të gjithë këta njerëz që e përbëjnë Qeverinë e sotme serbe ishin pjesë e politikës së vjetër Millosheviqiane, të cilët janë përgjegjës për krimet më të llahtarshme që kanë ndodhur pas viteve 90’ta në ish-Jugosllavi. Në një seancë Parlamentare të kërcënohen shqiptarët për kinse mospagesën e rrymës elektrike dhe ky problem të bëhet temë e parë përballë opinionit serb nuk do shumë koment. Urrejtja e verbër, gjuha shoviniste, mentaliteti nacionalist dhe sjelljet fyese të këtyre politikanëve ishin dhe janë pjesë pandashme e retorikës politike të tyre. Kjo u pa edhe me këtë rast, kur pas kërcënimit që iu kishte bërë shqiptarëve të Luginës, shumica e deputetëve serb kishin duartrokitur dhe ndjenin kënaqësi se si kryeministri i tyre edhe njëherë kishte nxjerrë fytyrën shoviniste ndaj një pakice nacionale, në këtë rast ndaj shqiptarëve të Luginës, e cila jeton më herët se që ata kishin kolonizuar këtë rajon.
Kush janë dhe çfarë është politika serbe, populli shqiptar i Luginës e dinë shumë mirë, sepse politikën e tyre shtypëse e ka përjetuar në kurrizin e saj shumë herë, por dhe tani është duke përjetuar një diskriminim të hapur.
Shqiptarët e Luginës, populli më i diskriminuar në Evropë
Kjo çfarë është politika serbe le të mbetet në ndërgjegjen e popullit serb, sepse në fund të fund të gjitha pasojat është duke i paguar po ky popull, por këtë politikë vazhdimisht duhet gjykuar politika ndërkombëtare, e cila jo shpesh ka qëndrime indiferente, sidomos ndaj shkeljes së të drejtave të pakicave. Përkëdhelja e “tepruar” dhe “mbështetja” jo e merituar nuk është masë e mirë e faktorit ndërkombëtar ndaj tyre. Politikës serbe i nevojitet një monitorim i përhershëm ndërkombëtar, por edhe një trysni e vazhdueshme që të sillet konform standardeve demokratike dhe humane, sidomos ndaj pakicave të cilat janë të numërto në këtë shtet. Që nga konflikti i vitit 2001 në Luginë, faktori ndërkombëtare i kishte lëshuar pe politikës serbe duke mos realizuar kërkesat e shqiptarëve të Luginës që ishin arritur me Marrëveshjen e Konçulit. Për këtë arsye kemi edhe një neglizhim të zgjidhjes së kërkesave të tyre individuale dhe kolektive dhe lirshëm mund të themi se shqiptarët e Luginës, sot janë populli më i nëpërkëmbur në Evropë.
Ndërsa, kërcënimet e Vuçiçiq ndaj të “përzgjedhurëve” të popullit të Luginës duhen të jenë të qarta se me politikën serbe nuk ka hajgare. Ajo mbetet ajo që ka qenë, ndërsa këta “përfaqësuesit” e zgjedhur me vota abstrakte ende nuk e kanë të qartë. Ata jo që nuk e dinë, por e kanë për detyrë, ndryshe nuk do të ishin aty ku janë.
Loja me tekstet shkollore, për të cilët pretendonin të lartpërmendurit, po për çfarë libra e çfarë bakraçi të Beogradit ka nevojë Lugina, kur o sot o kurrë kemi libra e libra si në Tiranë e Prishtinë sa të duash dhe nuk po përdoren sa duhet. Të përkujdeset Beogradi për librat tona dhe të na planifikojë çfarë mësime duhet të mësojnë fëmijët tanë, pas asaj çfarë ka ndodhur në të kaluarën tonë jo të largët. Kjo është një fyerje tjetër, si ndaj Kosovës, por edhe Shqipërisë, të cilat këtë punë e mund ta bëjnë shumë kollaj dhe pa ndonjë problem.
Por, siç po shihet këta të “përzgjedhur” nuk janë shumë të interesuar të pajisen me libra nga Prishtina, apo Tirana, sepse shembullin më cinik e kishin treguar kohë më parë kur Qeveria e Prishtinës kishte dërguar mijëra libra për nxënësit shqiptarë të Luginës, por që fatkeqësisht kishin kaluar në duart e policisë serbe duke i konfiskuar ato. Padyshim, se në këtë lojë të fëlliqur kishin dorë edhe disa njerëz të politikës lokale të Luginës. Ndryshe, kjo nuk do të duhej të ndodhte, sepse ishin donacion i Qeverisë së Kosovës dhe për këtë veprim politika serbe do të mund të përballej me reagime ndërkombëtare. Serbët e Kosovës, si pakicë i kanë të gjitha librat e lejuara nga Serbia dhe nuk kanë asnjë kontroll, e lëre më të konfiskohen librat, pse atëherë e njëjta formulë të mos kishte funksionuar në Luginë. Kjo do të ishte një argument i mirë që në bisedimet e ardhshme të Brukselit do të kishte mundësi të arrihej një marrëveshje e nivelit të ndërsjellë të pajisjes me libra në mes këtyre dy shteteve pa ndonjë problem.
Kursi i ri dhe politika e re, alternativë e domosdoshme për zgjidhjen e probleme të shqiptarëve të Luginës
Alternativat për zgjidhje janë të gjithhershme, por varet vetëm nga vullneti, serioziteti dhe angazhimi në radhë të parë i atyre që kanë përgjegjësi dhe që kanë obligim moral e kombëtar të kryejnë detyrat për çfarë paguhen nga taksapaguesit shqiptarë. Ndryshe, përvoja e hidhur na ka treguar se disa njerëz të sojit publik nuk kanë qenë në nivel të detyrës së tyre, duke mos përjashtuar “përfaqësuesit” e Luginës në Kuvendin serb, të cilët hiq të ardhurat e mira dhe beneficionet që gëzojnë nga Serbia, shqiptarëve të Luginës nuk iu kanë sjellë ndonjë të mirë të njohur.
Prandaj, sot e kemi një gjendje çfarë e kemi në këtë rajon të paperspektivë dhe në një gjendje shumë të rënduar ekonomike. Padyshim se kësaj gjendje një “kontribut” të duhur i kanë dhënë edhe çiftet e tyre dhe të tjerëve, të cilët për shumë vite problemet e shqiptarëve nuk i kanë lëvizur më shumë se sa në qarkun e ngushtë dhe për interesa krejt meskine. Kjo letargji politike do të duhej të ç’rrënjoset njëherë e përgjithmonë dhe të fillojë një epokë e re politike e shqiptarëve, si në Luginë dhe me gjerë, ndryshe do të jemi të gjykuar të merremi me pasojat e saj.
Kërcënimet e kryeministrit serb Vuçiç ndaj të “përzgjedhurve”, por edhe ndaj shqiptarëve të Luginës do të duhej të shërbenin si leksion shumë i rëndësishëm se politika e re nuk bëhet me njerëz dhe mentalitete të vjetruara. Ky shtet me këta njerëz zor se do të mundë të ketë ndonjë zhvillim dhe përparim. Por, edhe politika e shqiptarëve të Luginës nuk mund të ecë dhe avancohet me njerëz, që me dekada janë në skenën politike të Luginës dhe që nuk kanë treguar rezultate të duhura. Andaj, koha është të ndryshohet ky kurs politik dhe në skenë të vijnë njerëz të rinj me vizion dhe projekte të qarta për zgjidhjen e problemeve të kësaj popullate. Nuk ka zgjidhje tjetër, sepse kjo jo vetëm që është domosdoshmëri e këtij realiteti shqiptar tashmë të krijuar, por edhe një standard i politikës së avancuar evropiane. Ndryshe, do të sillemi rreth e rrotull, sikurse që jemi sjellë deri më tani, por duke paguar një faturë të shtrenjtë, jo të rrymës elektrike çfarë kërcënon Vuçiç, por të kostos së problemit shqiptar të këtij rajoni.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

PERANDORIA SOROS!

PERANDORIA SOROS! Nga Sheradin Berisha, Facebook 7 Mars 2022 Ashtu sikurse të gjithë miliarderët globalistë edhe globalisti Xhorxh…