KUDUSI LAMA: UÇK-ja, RAPORTI I DICK MARTIT DHE GJYKATA SPECIALE (IX)

Tiranë, 10 shtator 2020: UÇK-ja është nyja e unitetit kombëtar shqiptar
Pra, Kosova nuk kishte më asnjë alternativë për të jetuar në paqe duke ndërtuar të ardhmen për vete e për brezat që do të vinin. Kishte mbetur vetëm një alternativë që sillte me vete mjaft rreziqe. Ajo ishte lufta. Lufta u krye dhe prej saj lindi çlirimi për këtë popull të pushtuar, prej saj u arrit që kosovarët të mund të thonë para botës: “Kosova është jona. Kosova është truall shqiptar dhe e banuar historikisht prej shqiptarëve”.
Por të mbajmë në vëmendje se për zgjidhjen e problemeve jetike, populli shqiptar asnjëherë nuk është shkëputur nga elementet ndërkombëtare. Nëse i referohemi historisë, vërejmë se kur shqiptarët kanë pasur probleme madhore gjithnjë kanë kërkuar përkrahjen e kombeve të tjera të Evropës. E kanë dhënë ose jo përkrahjen e tyre evropianët, kjo ka qenë diçka tjetër. Kombi ynë, gjithashtu, ka qenë edhe mburojë evropiane në të gjitha momentet e vështira të saj.
Në rastin e luftës në Kosovë mbështetja ndërkombëtare fillimisht ishte e dobët, për të mos thënë se nuk ekzistonte fare. Por kur u pa se në Kosovë ishte një ushtri që kishte marrë përsipër t’i çlironte trojet e popullit të vet, natyrshëm filloi të shfaqet edhe vëmendja ndërkombëtare.
Angazhimi në këtë zgjidhje solli mbështetjen për të cilën Kosova dhe ushtria e saj çlirimtare kishin shumë nevojë. Mbështetja që ishte jo vetëm evropiane, por mbështetje botërore nëpërmjet politikës në përgjithësi dhe NATO-s, në veçanti në disa plane ishte me vlera të pazëvendësueshme për zhvillimet në Kosovë, prej të cilave veçojmë: Së pari, arriti ta shkurtonte ndjeshëm kohëzgjatjen e luftës; së dyti, zvogëloi numrin e viktimave në popullin e Kosovës; zvogëloi numrin e të rënëve në luftë nga radhët e UÇK-së dhe zvogëloi numrin e të vrarëve nga radhët e ushtrisë dhe të policisë serbo-sllave; së treti, zvogëloi shkallën e dëmeve materiale në territorin e Kosovës; së katërti, shpëtoi pa u shkatërruar flora dhe fauna e Kosovës; së pesti, nuk lejoi që forcat ushtarako-policore serbo-sllave të minonin tërë territorin e Kosovës, praktikë kjo të cilën e filluan; së gjashti, nuk lejoi që forcat ushtarako-policore serbo-sllave të shkatërronin plotësisht elementet historike dhe kulturore të Kosovës, gjë që e patën filluar; së shtati, në procesin e shpërnguljes së plotë nga Kosova, ndikoi në mbajtjen dhe në rritjen e moralit dhe të shpresës së popullit shqiptar, për arritjen e çlirimit të merituar; së teti, ndikoi në fuqizimin e shpejtë të UÇK-së; së nënti, e ktheu luftën e UÇK-së në luftë ndërkombëtare; së dhjeti, mbështeti mbijetesën e popullit të Kosovës në momentet e vështira të shpërnguljes së tij; së njëmbëdhjeti, krijoi kushte për rikthimin më të shpejtë të popullit të Kosovës në vendbanimet e tij.
Për këto faktorit ndërkombëtar do t’i jemi mirënjohës përjetësisht. Por duhet ta dijë se nuk e bëri vetëm për ne, por edhe për vete.
Në atë kohë Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së funksiononte si një qeveri e luftës dhe kishte mungesë njohurish dhe shumë vështirësi për ta realizuar ketë detyrë.
Por, Qeveria e Luftës vepronte realisht plotësisht pranë fronteve. Kjo Qeveri e Luftës ishte e detyruar të kryente detyra shumë të vështira dhe me dinamizëm maksimal. Prej saj kërkohej të ideonte, krijonte, organizonte dhe pajiste njësitë e UÇK-së. Prej saj kërkohej të ndërtonte moralin e luftës, të ndërtonte një politikë të pranueshme nga populli dhe nga politika ndërkombëtare; të siguronte mobilizimin e trupave ushtarake; të ushqente ushtrinë, t’i siguronte nevojat materiale të luftës, të bashkëpunonte me popullin, të edukonte trupat luftarake për domosdoshmërinë e luftës dhe të fitores, ta siguronte jetën e popullit të rrezikuar nga masat e dhunshme serbo-sllave, t’i siguronte pronat e popullit që kishte braktisur banesat; ta siguronte jetën e popullatës në male; ta siguronte bashkëpunimin me institucionet ndërkombëtare, të krijonte efikasitet udhëheqës të strukturave financiare, për ta siguruar vazhdimësinë e jetës dhe të luftës në Kosovë, për ushtrinë dhe popullin që jetonte në male, t’i krijonte dhe t’i udhëhiqte mediat në shërbim të luftës dhe të jetës në Kosovë; të ndërtonte rrugë dhe strehë, të vendoste rend dhe të organizonte shërbim informativ. Të gjitha këto duhet të kryheshin në kushtet e luftës, në kushtet e malit, në kushtet e terrenit, jashtë komoditetit dhe qetësisë, jashtë normalitetit dhe sigurisë. Megjithatë, faktet treguan se edhe në këto kushte Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së arriti të bëjë atë për të cilën Kosova kishte më së shumti nevojë – ta siguronte çlirimin nga kolonializmi serbo-sllav.
Kjo Qeveri e Luftës, e cila vetëm pas Rambujesë u deklarua si Qeveri e Përkohshme e Kosovës, këto detyra i kishte kryer që nga themelimi i UÇK-së. Ky ekip simpatik asnjëherë nuk u ndal për realizimin e obligimeve për ardhmërinë e Kosovës. Asnjëherë nuk u trondit nga deklarimet dhe nga angazhimi serbo-sllav për t’i zhdukur. Asnjëherë nuk u demoralizua nga dinamizmi i betejave të pabarabarta me forcat ushtarake-policore serbo-sllave.
Detyrat e Shtabit të Përgjithshëm dhe përgjegjësia e tij në udhëheqjen e jetës së luftës ishin të mëdha. Përveç ngarkesës maksimale, ata kërkonin për çdo drejtues edhe një lëvizje të vazhdueshme, për të komunikuar me trupat, me popullin, me diplomacinë botërore dhe me politikën ndërshqiptare e ndërkombëtare. Këto lëvizje nuk bëheshin me aeroplanë e as me automjete luksoze, por në këmbë, të ngarkuar edhe me armë e municione, si dhe në kushtet e rrezikut të vazhdueshëm të ndeshjes me armikun. Duhet ta mbajmë parasysh veçorinë e luftës në Kosovë, ku fronti mund të ishte gjithkund, armiku mund të ishte gjithkund, e papritura mund të ishte gjithkund, për shkak se lufta bëhej në një terren të cilin armiku e kishte pushtuar. Pikërisht, për këto shkaqe, Ushtria Çlirimtare ishte e detyruar të ishte e kudondodhur dhe, për rrjedhojë, edhe drejtuesit e saj duhet të ishin të kudondodhur.
E ardhmja do t’i japë vlerat reale të luftës çlirimtare të Kosovës. Ajo është autore e çlirimit të Kosovës, është autore e kthimit të vlerave kombëtare shqiptare në terrenet e mohuara, është autore e dinjitetit mbarëshqiptar, është simbol i qëndresës shqiptare, është pararoja e veprimtarisë për marrjen e të drejtave kombëtare nga të gjithë shqiptarët në gjithë trojet etnike në Ballkan, është pishtari i djegies përfundimtare të diktaturave, është shtrati i ecurisë kombëtare, është lavdia e historisë së Kosovës dhe i të gjitha trojeve shqiptare, është mburoja e të gjithë nevojtarëve dhe është ndihmëtarja e të pafuqishmëve.
UÇK-ja është nyja e unitetit kombëtar shqiptar.
UÇK-ja tregoi qartë se kombi shqiptar sado që të përpiqen ta zhbëjnë, ai vetëm forcohet, sado të përpiqen ta asgjësojnë – vetëm shtohet; sado të përpiqen ta djegin – vetëm pasurohet, sado të përpiqen ta shkatërrojnë – vetëm zbukurohet; sado të përpiqen ta përçajnë – vetëm bashkohet; sado të përpiqen ta injorojnë – vetëm burrërohet; sado të përpiqen ta dhunojnë – vetëm armatoset.
UÇK-ja është krenaria jonë, guximi ynë, vlera jonë, floriri ynë, forca jonë.
Lufta Çlirimtare e Kosovës, vepra madhore shqiptare e fundshekullit të njëzetë, u paraqit si fat i madh për shqiptarët, si pasqyrë e vullnetit, moralit, organizimit, atdhetarizmit, përkushtimit, unitetit, synimeve dhe objektivave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila është përfaqësuesja më madhore e idealeve kombëtare shqiptare.
Prandaj të mbahet parasysh se prania dhe vlera e saj shihet edhe në përgjigjet që kërkohet t’u jepen këtyre pyetjeve: Së pari: Kush luftoi në Kosovë për mbi dy vjet me forcat ushtarake-policore serbo-sllave? Së dyti: Pse ranë rreth dy mijë dëshmorë në Kosovë? Së treti: Pse ndërkombëtarët në Konferencën e Rambujesë, vëmendjen kryesore e përqendruan në bindjen e përfaqësisë së UÇK-së për bërjen e paqes? Së katërti: Pse erdhi NATO-ja në Kosovë dhe kush ishte forca tokësore e saj? Së pesti: Me kë luftuan për mbi dy vjet forcat serbo-sllave në Kosovë? Së gjashti: Kush i vrau mijëra ushtarakë serbo-sllavë në Kosovë, në vitet 1998-1999? Së shtati: Kush ishte pushteti i parë në Kosovë, pas Marrëveshjes së Rambujesë? Së teti: Me kë mbajti lidhje bota moderne në Kosovë deri në marrjen e pushtetit prej UNMIK-ut? Së nënti: Pse u deshtë të bëhej akti ndërkombëtar i çarmatosjes dhe shpërndarjes së UÇK-së nga NATO-ja dhe UNMIK-u? Së dhjeti: Pse duhet të mbyllej Millosheviqi në Hagë? Këto mos t’i harrojmë sa herë të na kujtohet Gjykata Speciale e themeluar nën presionin botëror për të na lodhur burrat që bën luftën.

Serbët dhe Serbia kundër shqiptarëve dhe UÇK-së e luftës së tyre
Që të kuptojmë se çfarë kanë thënë serbët kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës paraprakisht duhet të kuptojmë mirë veprimet serbe kundër dhe ndaj Kosovës duke mbajtur në vëmendje se, në këtë vend, pra në trojet e pushtuara edhe në hapësirat e Kosovës, ajo ka bërë një luftë të ashpër prej një shekulli, duke vënë në jetë parime të paimagjinueshme kundërnjerëzore që njihen, por duhet të përsëriten.

Ushtria serbo-sllave ka manifestuar cilësitë më të ulëta të një ushtrie klasike, jo vetëm në luftën e fundit, por në tërë historinë e ekzistencës e të luftërave të saj, deri në ditët tona.
Për t’i konkretizuar evidencoj disa nga parimet udhëheqëse të kësaj ushtrie në luftë, të deklaruara prej vetë serbëve e organeve shtetërore të tyre, me gojë e me shkrim, me urdhra e me dekrete mbretërore. Ato janë:
– Vra dhe masakro pa mëshirë, pa dallim gjinie, moshe dhe uniforme;
– Shkatërro çdo gjë, që është pronë e popullit të pushtuar, që duke e lënë pa asnjë mbështetje ekonomike, të detyrohet të emigrojë;
– Shkatërro çdo gjë që evidenton kulturën shqiptare dhe lashtësinë e saj, për të bërë që të shkulen më lehtë rrënjët e lashtësisë kombëtare shqiptare në tërësi, e në Kosovë, në veçanti;
– Mashtro e gjej mundësi me të gjitha mjetet që të krijohen struktura të armatosura shqiptarësh, të cilat të luftojnë kundër shqiptarëve, duke bërë që të ketë gjithnjë të ndezur një konflikt ndërshqiptar, që të detyrohen të vrasin e të ikin edhe prej njëri-tjetrit;
– Vrit duke pretenduar se po mbrohesh, përdhuno duke pretenduar se po pastrohesh, grabit duke pretenduar se po të grabisin;
– Masakro para popullit, që të ngjallësh tmerr ndër shqiptarët;
– Vrit inteligjencien shqiptare, që të mos mund të zhvillojnë kulturën dhe të detyrohen të emigrojnë në vendet e tjera;
– Rrisni vlerat para atdheut duke ditur se vlera të tilla kanë vetëm ata ushtarë serbë që arrijnë të zhdukin apo të shpërngulin me forcë sa më shumë shqiptarë, për të krijuar prona të lira për serbët që i meritojnë;
– Kombino veprimet ushtarake me veprimet banditeske, duke propaganduar se lufta bëhet pikërisht kundër këtyre banditëve;
– Persekuto e masakro në mënyrën më të shfrenuar shqiptarët e mbetur, që të kuptojnë se në këtë vend nuk kanë të ardhme;
– Shfaros e shpërngul sepse kjo është detyrë parësore, për të ndërruar raportin e popullsisë në Kosovë, nga favor i shqiptarëve në favor të serbëve, ku ne duhet të jemi patjetër shumicë;
– Gjej tek shqiptarët me çdo kusht armë të fshehura, të çarmatoset popullsia shqiptare e njëkohësisht të armatoset popullsinë serbe, që në çdo rast civilët serb të jenë krah me ushtrinë për shfarosjen e shqiptarëve;
– Krijo bindjen tek të gjithë se në Kosovë ka të drejtë të jetojë vetëm ai shqiptar që pagëzohet në fenë ortodokse dhe që nuk guxon të flasë gjuhën shqipe “atë gjuhë të ndyrë”;
– Shqiptarët në Kosovë të zhvishen nga identiteti i tyre, nga shtëpitë e tyre, nga emërtimet, kujtimet dhe arkivat e tyre;
– Edhe të gjithë shqiptarët mund të zhduken në emër të Serbisë së Madhe;
– Shfrytëzo fanatizmin etnik dhe fetar të popullit serb për të nxitur agresivitetin e tyre kundër shqiptarëve;
– Shkatërrimet dhe barbaritë, plaçkitjet, djegiet, rrënimet e çdo gjëje që është shqiptare, bombardimet, terrori intensiv, masakrat masive, përdhunimet, zhdukjet e personave, burgosjet masive dhe përdorimi i të gjitha llojeve të armëve, janë dhe mbeten norma e përhershme e ushtrisë serbe në Kosovë;
– Formimi dhe vullneti politik i popullit të Kosovës të likuidohet me të gjitha mënyrat dhe mjetet e mundshme deri në zhdukjen fizike të tij.
Këto parime nuk mund të jenë bashkudhëtare të një ushtrie klasike. Ato janë pjellë e ushtrive barbare e fashiste, që duket se në Serbi kanë lindur para se të lindte barbaria e fashizmi në Botë. Pra, shihet se serbët në jetën e tyre kanë përgatitur dhe futur në luftë ushtritë, të cilat kanë luftuar më shumë me popullin e pambrojtur se me forcën e armatosur, që kanë pasur përballë.
Këtë e vërteton edhe harta që kanë punuar për përdorimin e artilerisë gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës, ku duket se është planëzuar zjarr kudo ku ka pasur shtëpi e qendra të banuara, megjithëse me ligjet ndërkombëtare nuk lejohet të planëzohet zjarri i artilerisë më afër se 1500 metra nga shtëpia më e afërt. Hartë origjinale e kohës së luftës e zënë në front të luftës në çantën e oficerit.
Shikojeni hartën e punuar prej tyre

Deri me sot, askush ne Serbi nuk e ka dënuar luftën, që urdhëroi Sllobodan Millosheviqi kundër Kosovës, as reprezaljet dhe vrasjet masive të popullit të paarmatosur. Ky është treguesi i parë që duhet vlerësuar për të kuptuar se Serbia nuk ka hequr dorë prej politikës së saj fashiste. Prandaj edhe vlerësime e deklarime siç do të njohim më poshtë, që kanë ushqyer raportin e Dick Martyt, nuk duhet të na habisin.
E ardhmja dhe siguria e Kosovës është e garantuar sa kohë që gjithë populli të jetë gati të mbrojë atë me çdo çmim dhe ky popull që luftoj me vetëmohim dje në Luftën Çlirimtare, do të jetë i gatshëm ta bëjë këtë në çdo kohë për hatër të atdheut të vet. Gjaku shqiptar nuk ndërrohet, siç nuk është ndërruar me dhjetëra shekuj.
Çdo shqiptar duhet të jetë i qartë se për sa kohë Serbia mendon se do të rikthehet në Kosovë dhe tenton të krijojë situata për t’u rikthyer në Kosovë, lufta vazhdon.
Për sa kohë Serbia tenton të organizojë strukturat e UDB-së në Kosovë dhe me tej, si dhe deklaron edhe publikisht se i ka organizuar ato struktura në shërbim të saj, lufta ende vazhdon.
Për sa kohë vazhdon politika me tentativë për të mbjellë kriminalitetin në Kosovë, për të mbjellë hasmëritë e gjakmarrjen midis shqiptarëve, duke inskenuar të ashtuquajturat vrasje ndërshqiptare, lufta ende vazhdon.
Për sa kohë serbët mbeten nën kujdesin ndërkombëtar, duke kriminalizuar popullin dhe jetën shqiptare në Kosovë, lufta vazhdon…
Edhe raporti i paraqitur nga Dick Marty në emër të Evropës, nuk është gjë tjetër veçse një tregues më shumë se lufta vazhdon…
Është shumë i dukshëm fakti se Serbia përpiqet të mbijetojë në Kosovë. Ajo duket se nuk e koncepton akoma të vërtetën e largimit përfundimtar nga Kosova. Në kushtet që janë krijuar, Serbia po shfrytëzon të gjitha mundësitë për të mbijetuar në Kosovë dhe për të përgatitur shtrat të përshtatshëm dhe një mundësi më shumë për interesat e saj në Kosovë.
Për mbijetesën e saj, Serbia, po shfrytëzon:
Së pari, praninë ndërkombëtare dhe aktivitetin e tyre, duke bërë një propagandë të shfrenuar antishqiptare dhe shpifje të pa konceptueshme, duke ushqyer Evropën e botën me ta, për të arritur deri tek raporti i Dick Martyt në emër të Evropës e deri tek krijimi i tribunalit për krimet e luftës së UÇK-së, që po na u bën presion burrave të Kosovës.
Së dyti, po shfrytëzohen maksimalisht nostalgjikët, të cilët kanë qenë të përkëdhelurit e regjimit kolonial dhe, megjithëse, janë shqiptarë, akoma mbajnë në banesat e tyre portretet e Titos dhe në ndonjë rast edhe të Millosheviqit.
Së treti, në Kosovë jetojnë edhe një masë serbësh, të cilët në çdo moment janë kontingjent i Serbisë dhe punojnë për të.
Së katërti, edhe ish-kuadrot shqiptare të regjimit kolonial luajnë rolin e tyre në këtë situatë, pasi tentohet të joshen.
Së pesti, ish-spiunët janë kontingjenti më i rrezikshëm në Kosovë.
Së gjashti, edhe miqësitë kanë rolin e tyre në lëvizjen Kundër Kosovë të Serbisë.
Së shtati, njohjet dhe shoqëritë e krijuara gjatë bashkëjetesës koloniale.
Së teti, strukturat e UDB-së, që mendoj se janë e mbeten aktivë.
Së nënti, marrëdhëniet tregtare me Serbinë, të cilat zhvillohen aktualisht dhe do të zhvillohen e zgjerohen dita ditës në të ardhmen.
Së dhjeti, duke mbajtur akoma peng një mori mjetesh e dokumentacioni që është i Kosovës dhe i nevojitet shumë asaj.
Së njëmbëdhjeti, edhe komunikacioni është një mundësi tjetër, që po shfrytëzohet dhe do të shfrytëzohet nga Serbia, për t’i dhënë mesazhet e mbijetesës në Kosovë.
Së dymbëdhjeti, propaganda kundërshqiptare është një fushë të cilën Serbia dhe serbët e zotërojnë mirë, dhe siç duket në momentin aktual me raportin e Dick Martyt dhe Gjykatën Speciale për krimet e luftës së UÇK-së, kjo propagandë dhe këto shpifje të Serbisë po kanë edhe sukses në botë.
Së trembëdhjeti, një rol të rëndësishëm luan opinioni. Për krijimin e kushteve me të favorshme, për të siguruar opinionin e gjerë se Serbia është e vetmja forcë që mund të disiplinojë Kosovën, makineria serbe e propagandës, por edhe e shërbimeve sekrete duket se punon pa pushim.
Së katërmbëdhjeti, ushtrimi i forcës dhe i dhunës, pasqyrë e të cilës janë Mitrovica dhe pikat e kalimit kufitar mes Kosovës e Serbisë, vlerësohet si një element i rëndësishëm për ruajtjen e pranisë serbe në Kosovë.
Së pesëmbëdhjeti, në Kosovë vrasjet janë demoduar. Megjithatë, shihet se në mjaftë raste shfaqen vrasje që mbajnë në vete enigma. Ato vlerësoj se janë vepra serbe për të dhënë mesazhe pasigurie dhe për të krijuar mundësinë e përçarjes ndërshqiptare.
Së gjashtëmbëdhjeti, edhe në ekonomi po ushtrohet trysni e madhe për të mos pasur rezultat, që të paraqitet si i pamundshëm zhvillimi jashtë Serbisë.
Së shtatëmbëdhjeti, presionet politike ndaj Kosovës, janë të pranishme që nga OKB-ja, Evropa, Ballkani, Serbia dhe Kosova.
Duke vlerësuar gjithë këtë hapësirë të veprimeve serbe kundër shqiptare e kundër njerëzore, nuk duhet të habitemi as për renditjen e gjithë atij monstruoziteti të renditur në raportin e Dick Martyt, të cilin realisht e vlerësoj si një agresion të ri të Serbisë Kundër Kosovës dhe me krijimin e tribunalit për krimet e luftës së UÇK-së, vlerësoj se Serbia betejën e parë e ka fituar kundër Kosovës dhe gjithë shqiptarëve e mbi të dy shtetet shqiptare. Mbetet të shohim vazhdimin. Por shqiptarët duhet të kuptojnë se lufta vazhdon…
Për fat të keq, jo të gjithë e kuptojnë, se në Kosovë akoma hilet janë të pranishme. Kjo e vërtetë, në radhë të parë, vjen nga Evropa, ku luhen ende prapaskena në interes të Serbisë. Këtë e vërteton edhe fakti që në Kosovë serbët, megjithëse, përbëjnë vetëm rreth 2% të popullsisë, bëjnë si të fortë.
A mos është akoma e pranishme deklarata e Millosheviqit: “…ne dimë se si duhet t’i qërojmë hesapet me shqiptarët…”?
Por, edhe sa kohë do të vazhdojnë këto hile ndërkombëtare?
Kjo çorbë dihet se gatuhet në kuzhinën e Beogradit, me regjinë ruse dhe me oponencën e disa evropianëve. Unë mendoj, se Berlini, i cili ka bërë mjaft në të kaluarën kundër Shqiptarisë dhe shqiptarëve, por edhe Londra e Parisi gjithashtu, si dhe Roma, që në gjithë historinë e saj ka pasur vetëm lavdi prej shqiptarëve, nuk u lejohet të bëjnë lojë të dyfishtë. Nuk u lejohet ta sundojnë Kosovën me synim për të kthyer në ujë gjakun e derdhur. Nuk shpërbëhen shqiptarët, nuk zhbëhet gjaku i tyre dhe nuk zhbëhet gjeni i tyre luftarak. Ata do të mbeten historikisht të tillë, të urtë, të kulturuar, fisnikë, miqësorë, vëllazërorë dhe besnikë, për të gjithë ata që do t’u ofrojnë këto cilësi. Por, do të jenë luftarakë dhe të papërmbajtshëm për të gjithë ata që do të tentojnë t’i zhbëjnë e zhdukin.
Le të shohim tani se ku i ka marrë të dhënat e raportit të tij Dick Marty në emër të Evropës: Shikojeni fotografinë më poshtë që të kuptoni se Serbia nuk na harron. Kush nuk e ka lexuar këtë libër do të bënte mirë ta lexonte për të njohur mirë kush janë “kriminelët më të mëdhenj“ shqiptar, që vërtetë i kanë prishur shumë punë Serbisë. Lexojeni titullin e këtij libri dhe kuptoni se kush janë për Serbinë djemtë tanë të luftës, ata që i dhanë përfundimisht lirinë këtij vendi janë, siç përcaktohet në titullin e këtij libri: “Engjëjt e zinj të skëterrës Kosovare” DOSJET “SEKRETE”.
Ky libër publikisht është përgatitur nga Millosh Obiliç, që njihet si autori publik i tij. Por duket, se për të ka punuar një grup pune shumë i specializuar, për të ndërtuar figura kriminale dhe për të ndërtuar struktura mafioze e ushtarake. Është punuar me kujdes që gjithçka të bëhet e të duket sa më origjinale. Prandaj edhe duket që në përpilimin e këtij libri kanë marrë pjesë specialistë të ushtrisë, të policisë, të kriminalistikës, të UDB-së, të shërbimit informativ ushtarak, të kishës dhe të politikës. Gjithë ky potencial specialistësh janë angazhuar për të sjellë në publikun serb e ndërkombëtar këtë libër, i cili është shpërndarë edhe nëpërmjet internetit në gjuhën serbisht dhe anglisht. Ky libër është botuar në Beograd në vitin 2004, me një tirazh 500 kopje dhe mban numrin e ISBN 86-7552-015-8. Në vazhdim do të sjellë gjithë ato pjesë të përmbajtjes së këtij libri që duket se janë përdorur në raportin e Dick Martyt, duke bërë sqarimet dhe komentet përkatëse.
Bëhet pra shkas për t’u marrë me këtë punë, raporti i publikuar në emër të strukturave të Bashkimit Evropian nga një person që quhet Dick Marty, që emërtohet raportues i Këshillit të Evropës, i cili nuk thotë asgjë të re veç atyre që janë botuar në librin që po e citojmë gradualisht në vazhdim e që për njerëzit normal janë të njohura, ndërsa për ata si Dick Marty që janë në shërbim të Serbisë ne nuk kemi pse harxhojmë kohë e mundim për t’i sqaruar, sepse ata nuk shkruajnë se nuk dinë të vërtetën, por shkruajnë se ashtu e dëshirojnë të vërtetën. Sidoqoftë mua më shqetëson një pyetje: Edhe për sa kohë Evropa do të ketë elementë që do të flasin për shqiptarët siç flet Serbia?

Ja si flet Serbia
Në librin në fjalë “Engjëjt e zinj të skëterrës kosovare”, dosjet “SEKRETE”,[1] është thirrur në ndihmë edhe perëndia, sikur ajo është vetëm e serbëve. Në faqen e parë të librit shkruhet:

“Kush nuk vjen në luftë në Kosovë –
prej dorës së tij asgjë nuk do prodhoj:
as në fushë grurë të bardhë,
as në mal hardhi të rrushit!”
Mallkimi i princit të shenjtë – Llazarit[2] A është arsyetimi i këtij mallkimi raporti i atij të quajturi Dick Marty, që i paskan prishur shumë punë shqiptarët dhe që qenkan shkas për kriminalitet në rajon? I cili paska gjetur mundësinë të flasë në emër të Evropës për të goditur si do ai me ustallarët e tij serbë. Sa i vogël bëhet njeriu kur bëhet skllav i të tjerëve, fat i keq e ka gjetur të ziun Dick Marty.
Në vazhdim le të evidencojmë se çfarë thonë serbët në këtë libër: “Terrorizmi shqiptar në Kosovë e Metohi, si dhe në komunat e Preshevës, Bujanovcit e Medvegjës, i lidhur me forma të shumëllojshme me krimin e organizuar, paraqet një rrezik të vazhdueshëm për sigurinë e qytetarëve dhe stabilitetin politik jo vetëm të vendit tonë, por edhe të shteteve të tjera në rajon. (Edhe pse në Komunën e Medvegjës popullsia shqiptare nuk përbën shumicën, ekstremistët shqiptarë e trajtojnë atë si një pjesë të vetme territori etnik). Bartësit e një veprimtarie të tillë kanë për qëllim ta sigurojnë legalizimin e veprimtarive të tyre kriminale dhe të pasurisë së fituar, ta arrijnë krijimin e Shqipërisë së Madhe ose të Kosovës së Madhe, në mënyrë që ta rrethojnë territorin që e konsiderojnë si hapësirë etnike shqiptare dhe ta zgjerojnë tregun e tyre të brendshëm dhe, në mënyrë të ndërsjellë, fuqinë e vet ekonomike, të krijojnë ndikim politik dhe pjesëmarrjen në organet më të larta të pushtetit në këtë territor. Nxitja e dhunës dhe krijimi i vazhdueshëm i pastabilitetit në Ballkan mundëson që skenari i nxitur të realizohet në mënyrë sa më të efektshme”.[3] Kur bëhet krahasimi i terminologjisë së përdorur në këtë libër dhe asaj të përdorur në raportin e Dick Martyt, duket menjëherë ngjashmëria ose, thënë më mirë, binjakëzimi midis këtyre të dy deklarimeve megjithëse njëri është i Serbisë e tjetri i Bashkimit Evropian. “Pasi vendosën lidhjen me strukturat kriminalistike, bartësit e veprimtarisë terroriste fuqizuan pozitën e tyre politike të cilën e shfrytëzojnë për presion mbi tërë popullsinë shqiptare, si dhe mbi subjektet politike autoktone shqiptare, duke i detyruar ata për bashkëpunim dhe koncensione. Kështu në opinionin publik arrihet përshtypja për një homogjenitet të plotë të korpusit kombëtar shqiptar dhe të interesimit të tij të vetëm për të njëjtin qëllim. Megjithatë, prapa motiveve ideopolitike e kombëtare për krijimin e një shteti shqiptar të vetëm, pavarësisht nga se ai quhet Shqipëria e Madhe apo Kosova e Madhe, fshihen interesa të caktuara të strukturave kriminale, të cilat synojnë që të përfshihen në proceset ekzistuese të tranzicionit politik dhe ekonomik, përkatësisht të transformimit të rajonit në tërësi, si dhe t’i legalizojnë punët e tyre kriminale”.[4] Duket pra, se shqetësimi edhe i Serbisë edhe i zotëri Martyt është i njëjtë, të dyja palët janë shumë të shqetësuar se po u kriminalizohet rajoni, pasi shqiptarët kanë kundërshtuar me armë kolonizimin serb mbi territoret e atdheut të tyre. Ata janë shumë të shqetësuar, veç të tjerave, edhe pse shqiptarët në përgjithësi qenkan të mashtruar prej luftëtarëve, të cilët duke u folur për çështjen kombëtare, në fakt nuk paskan qëllim këtë por, thjesht, të sigurojnë pushtet për veten e tyre që ta zgjerojnë sferën e kriminalitetit. Që serbët do të flasin me këtë gjuhë është e qartë dhe nuk na krijon ndonjë befasi, por që zotëri Marty ka të njëjtin shqetësim, duket si anakronizëm. Serbët me këtë fjalor kanë folur edhe për Hasan Prishtinën, Isa Boletinin, Bajram Currin, Azem Galicën, Shaban Polluzhën e tani edhe për luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, siç do të flasin edhe për të gjithë veprimtarët kombëtarë në të ardhmen, siç kanë folur edhe për të gjithë ata burra e gra të Kosovës e të trojeve shqiptare të pushtuara, të cilët i kanë burgosur, torturuar, masakruar e shfarosur prej një shekulli. Shqiptarët e dinë mirë këtë. Ndërsa që të quhen kriminelë pse kërkojnë lirinë prej të dërguarve të Evropës, ndihen si të ishin të tradhtuar pse duan vatrat e tyre të lira. “Shqiptarët, veçmas nga Kosova e Metohia, kanë zhvilluar ndjenjën e identitetit kolektiv, i cili është parakusht i domosdoshëm për t’u marrë me krimin e organizuar. Në të vërtetë ky element, i bazuar në përkatshmërinë e një grupi të caktuar, ka lidhur krimin e organizuar shqiptar me idealet mbarëshqiptare, me politikën, me veprimtaritë ushtarake dhe me terrorizmin”.[5] Këtë formulë zotëri Marty e ka trajtuar si besnikëri klanore. Nëse serbët e trajtojnë si një ndjenjë identiteti kolektiv, që bëhet pengesë të depërtojnë serbët në strukturat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, zotëri Martyn e pengon besnikëria klanore të depërtojë për t’i gjetur kriminelët e për t’i vënë në bankën e të akuzuarve. Por, megjithatë, ai nuk e ka shumë problem, pasi duke supozuar i përcakton me emër e mbiemër ata që i konsideron udhëheqësit e kriminelëve, që nuk paskan bërë asgjë me vlerë, veçse janë marrë me krime dhe kanë shkaktuar shumë probleme, që tashmë kanë takuar në ustain – Dick Marty, i cili do t’i zbërthej deri në një për ta gjetur të “vërtetën” që i mungon sipas qëllimit që i ka vënë vetes në raportin e paraqitur në Këshillin e Evropës, që është përpiluar e trajtohet sipas instruksioneve dhe detyrave të Serbisë e në shërbim të saj.
Pra, në konkluzion të këtij paragrafi të cituar duket se, nëse lufton kundër Serbisë, nuk je tjetër veçse kriminel dhe terrorist. Të njëjtën etiketë na vë edhe zotëri Marty në raportin e tij. “Modelin universal relativisht të funksionimit të terrorizmit në botë, i cili, si rregull, në pjesën më të madhe financohet nga burime kriminale, me të ardhurat nga kontrabanda e drogës, e armëve, e njerëzve dhe e mallit të hyrë (akcizë), zbatoi, në kohën e vet, udhëheqja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK)”, kurse tani këtë e bëjnë edhe udhëheqësit e ushtrisë kombëtare shqiptare. (Është fjala për UÇPMB-në dhe Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare – KL). Në këtë mënyrë është realizuar derdhja e papenguar dhe e vazhdueshme e mjeteve për aktivitetet terroriste, kurse personalitetet udhëheqëse të UÇK-së dhe të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, si dhe patriotët shqiptarë më në zë, për një kohë të shkurtër, arritën deri në pasurinë vetjake shumë të madhe, në kushtet e një krize social-ekonomike të thellë e shumë të zgjatur në rajon. Kjo është nxitja e vazhdueshme e zgjerimit të veprimtarive kriminale, të cilat, edhe më tej, paraqesin burimin e pashtershëm të të ashtuquajturave para të pista, si baza për sigurimin e vazhdueshmërisë së veprimtarive terroriste dhe të rekrutimit të përhershëm të luftëtarëve të rinj”.[6] Na e ka gjetur modelin e financimit Serbia për ta bërë luftën për çlirimin prej pushtimit të saj. Na e ka përcaktuar se shqiptarët nuk mund të kishin bërë luftë po të mos merreshin me kontrabandën e drogës, të njerëzve, të armëve dhe të gjithë të këqijave që njihen në organet dhe organizatat e krimit në botë. Lexojeni raportin e zotit Marty, i cili nuk bën tjetër veçse duke ardhur në terren në një kohë edhe gjashtë vjet më vonë se të shkruhej ky libër, i specifikon më tej krimet e shqiptarëve, duke i saktësuar sikur të ishte duke vepruar në shkretëtirë jo në një vend të banuar e të qytetëruar, me njerëz të shkolluar e me ndërgjegje kombëtare bashkëkohore. Ai arrin të vërë edhe emra të adresave se nga është bërë lëvizja e gjithë këtij kriminaliteti.
Siç del nga ky citim, duket se shqiptarët gjithë pasurinë përpiqen ta grumbullojnë vetëm që të ndërtojnë, nxitin e funksionalizojnë terrorizmin. Ndërsa, në fakt, shqiptarët e dinë mirë se në gjenin e tyre nuk ka asnjë dukuri terroriste, nuk ka asnjë moment kur shqiptarët të jenë bërë pjesë e organizimeve apo të organizatave terroriste. Ashtu sikurse nuk mund të flitet për organizime të tilla në frontet e luftës, kur nuk ka as bukë për t’i plotësuar nevojat e organizmit në masën e duhur. Por qëllimi i këtyre citimeve nuk është të bëjmë vlerësime të detajuara. Atë ndoshta do ta bëjmë a duhet ta bëjmë në një kohë më të vonë. Kurse në këtë reagim qëllimi i vetëm është ta vlerësojmë terminologjinë e përdorur dhe adresimet në të dy materialet, në atë të Serbisë dhe në raportin e Dick Martyt, duke vënë në evidencë ngjashmëritë midis tyre, për të parë se sa besnik i Serbisë është zotëri Marty dhe sa poshtë bien organizatat ndërkombëtare duke e marrë seriozisht atë, pa paraqitur argumente. “Specifika e modelit të përbashkët të organizimit të strukturave terroriste dhe kriminale shqiptare është respektimi i parimeve të ndarjes territoriale me marrjen parasysh të sferave të interesave dhe të zonave të ndikimit të familjeve të caktuara. Në përputhje me këtë, në çdonjërin nga grupimet e përmendura, anëtarësia bazë i përket fisit përkatësisht, familjes së gjerë, e cila është mbizotëruese e përfaqësimit në territorin e caktuar. (Kështu, p. Sh., në Drenicë mbizotërojnë familjet Gecaj, Kodra, Jashari, Selimi dhe shumica e pjesëtarëve të UÇK-së nga kjo zonë dolën pikërisht nga këto familje)”.[7] Nuk përtojnë serbët të na e parcelizojnë përgjegjësinë terroriste e kriminale deri në familje, por më i thellë është zotëri Marty sepse ai na e individualizon duke na i grupuar këto familje në “Grupin e Drenicës” dhe duke na i caktuar edhe “kumbarin” me emër e mbiemër. “Ndarja e përpiktë territoriale dhe klanore e pjesës më të madhe të shoqërisë shqiptare i kontribuon ruajtjes së organizimit tradicional hierarkik, mbylljes së tij dhe disiplinës së brendshme të rreptë të pjesëtarëve, e cila edhe sot zbaton vënien në jetë të ligjit (kanunit) të zakonshëm të Lekë Dukagjinit, ose sipas nderit të kodit klanor. Kërcënimi i kryerjes së detyruar të gjakmarrjes në rast tradhtie ose thyerjes së marrëveshjes u siguron mbrojtje të plotë zbatuesve të akteve terroriste e kriminale dhe, njëkohësisht, paraqet motivin më të shpeshtë të vrasjes midis pjesëtarëve të popullsisë shqiptare”.
Ashtu si zotëri Marty më vonë, pra në vitin 2010, serbët që më 2004 na kanë zbuluar se në klanet kriminale shqiptare ekziston një kanun, që serbët e evidencojnë edhe si kanuni i Lekë Dukagjinit, që paska ligjësi të cilat ndëshkojnë tradhtinë dhe që mban rregull në grupet e familjet dhe fiset shqiptare. Ky është një monstruozitet i veçantë, që jo vetëm serbët, por edhe zotëri Marty na e kthen kanunin tonë, që është kryevepër ligjore, zakonore, kulturore dhe historike, në një ligjësi kriminaliteti. Kanuni i Lekë Dukagjinit është një ligj i lashtë, që kur ai vendoste ligje shoqërore të barazisë, në Evropën e zotëri Martyt i dënonin njerëzit duke i vendosur e djegur nëpër turra drush, duke u prerë gjymtyrët e duke u prerë kokën. Ndërsa për serbët duhet thënë se ata e dinë mirë, se kur shqiptarët zbatonin këtë ligj drejtësie, ata nuk kishin as fise të organizuara. Megjithatë duhet sqaruar se në kanun ka nene të plota që ndëshkojnë çdo krim, përfshi edhe ata që duan t’ua veshin shqiptarëve serbët dhe megafoni i Serbisë – Dick Marty. Lexojeni kanunin ju serbët dhe Ju zotëri Marty, të kuptoni se aty lejohet të bëhen vetëm vepra ndershmërie e atdhetarie, ndërsa të gjitha veprat e tjera kriminale dhe të turpshme ndëshkohen rreptë. Unë e kuptoj që ju jeni të dy palët për të ardhur keq, por realisht me këtë intensitetin e shpifjeve, po i dëmtoni shqiptarët në opinionin e gjerë botëror, pasi askush nuk ka mendjen tuaj të kuptoj se ju po shpifni. Bota mendon se jeni qytetar, ajo nuk e di se ju akoma keni mbetur në mesjetë me mendësitë dhe praktikat që zbatoni në marrëdhëniet me të tjerët e në veçanti me shqiptarët, në territoret e të cilëve edhe jeni shtrirë deri sot e jeni bërë me atdhe. (Vijon)
[1] Libri i Millosh Obiliçit, “Engjëjt e zinj të skëterrës kosovare”, dosjet “sekrete”, është përkthyer në shqip me kërkesën time nga profesor doktor Hasani Çipuri, i cili është njohës shumë i mirë i serbishtes dhe autor i një seri fjalorësh në këtë gjuhë.
[2] Obiliç, Millosh, “Engjëjt e zinj të skëterrës kosovare”, dosjet “sekrete”, Beograd, 2004, faqe 1, botimi serbisht
[3] Obiliç, Millosh, “Engjëjt e zinj të skëterrës kosovare”, dosjet “sekrete”, Beograd, 2004, faqe 7, botimi serbisht
[4] Obiliç Millosh, “Engjëjt e zinj të skëterrës kosovare”, dosjet “sekrete”, Beograd, 2004, faqe 7-8, botimi serbisht
[5] Po aty faqe 8
[6] Obiliç, Millosh, “Engjëjt e zinj të skëterrës kosovare”, dosjet “sekrete”, Beograd, 2004, faqe 8, botimi serbisht
[7] Obiliç Millosh, “Engjëjt e zinj të skëterrës kosovare”, dosjet “sekrete”, Beograd, 2004, faqe 8, botimi serbisht

VIJON …
_________________
KUDUSI LAMA: UÒªK-ja, RAPORTI I DICK MARTIT DHE GJYKATA SPECIALE (VIII)

https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=10439

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura