NË MBROJTJE TË SOVRANITETIT DHE INTEGRITETIT TË KOSOVËS: GJAKU I DËSHMORËVE TË NA BASHKOJË

Reagim i Shoqatës së Familjeve të Heronjve dhe Dëshmorëve të Kombit (ShHFDK) në përkrahje të Parlamentit Studentor

NË MBROJTJE TË SOVRANITETIT DHE INTEGRITETIT TË KOSOVËS: GJAKU I DËSHMORËVE TË NA BASHKOJË!

Pashtriku, 8 Shkurt 2023

Shoqata e Familjeve e Heronjve dhe Dëshmorëve të Kombit (ShHFDK) përkrahë protestat paqësore nga Parlamenti Studentor i UP në kundërshtim të Asociacionit të komunave me pakicën serbe në Republikën e Kosovës.

ShFHDK kërkon nga të gjithë shqiptarët e vërtetë që masivisht të dalin në manifestime paqësore në të gjitha trojet etnike, si dhe në diasporë.

Sa më masive që të jenë protestat në kundërshtim të asociacionit të pakicës serbe në Kosovë aq më shumë dëshmojmë atdhedashurinë, në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës sonë martire.

E kemi obligim ndaj amanetit të dëshmorëve të kombit të të gjitha periudhave historike në krye me komandantin legjendar Adem Jashari, të kundërshtojmë çdo formë të asiciacionit që bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Kërkojmë nga bashkësia ndërkombëtare, gjegjësisht nga ShBA, BE që presionin të shtojnë ndaj Serbisë gjenocidiste kundër pretendimeve të saj ndaj Kosovës.

Është absurde dhe paradoksale që bashkësia ndërkombëtare ta ledhatojë Serbinë pro ruso fashiste, ndërkohë që nga aleatja më properëndimore Kosova, kërkojnë që të pranojë asociacionin në fjalë.

Është momenti vendimtar që të protestojmë paqësisht në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Pjesëmarrja gjithëpopullore në kundërshtim të pretendimeve serbo-ruse do të jetë një mbështetje e fuqishme për kryeministrin e Kosovës, Abin Kurti, që të qëndrojë i paluhatshëm në kundërshtim të asociacionit.

Ta kemi parasysh dinakërinë serbo-ruse, e cila po tenton që ta “bosnjëzojë” Kosovën tonë.

Përkrahim reciprocitetin ndaj Serbisë dhe të gjitha pikat tjera që kryeministri Kurti ua shtroi ndërmjetësuesve ndërkombëtarë dhe Serbisë.

Prandaj të gjithë, masovikisht, i madh dhe i vogël të protestojmë më 15 shkurt  në Prishtinë. Le të dëgjohet zëri ynë sa më fuqishëm në respektimin e amanetit të dëshmorëve për sendërtimin në vepër të shtetësisë sonë sovrane dhe demokratike.

Prishtinë, 08.02.2023

Naim Zhitia, kryetar i ShFHDK

***

Reagim i ShFHDK: Gjaku i dëshmorëve të na bashkojë kundër armiqëve në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit të Kosovës!

KURRSESI DHE PËR ASNJË ÇMIM NUK DUHET TË LEJOHET ASOSACIONI I CILI BIE NDESH ME KUSHTETUTËN E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

__________________

SHTOJCË E PASHTRIKUT

Thirrja për marshim nga Parlamenti Studentor i UP-së

BASHKË KUNDËR ASOCIACIONIT

Më 15 shkurt të këtij viti shënojmë 53 vjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, universitet ky që përgjatë historikut gjysëm shekullor, përveçse tempull i dijes, ka shërbyer edhe si vend i rezistencës.

Historia e Universitetit pashmangshëm është e lidhur ngushtë me historinë e vendit tonë. Kujtojmë këtu rolin kyç të pararendësve tanë në protestat e viteve 1968, 1981 e 1997 që kulmuan me çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Rreth 24 vite pas përfundimit të luftës së fundit e 15 vite pas shpalljes së pavarësisë, Kosovës sërish po i cenohet sovraniteti e integriteti territorial i saj.

Ndonëse në rrethana krejtësisht të ndryshme, përsëri është i domosdoshëm mobilizimi e organizimi studentor për të kundërshtuar një të keqe që po provohet të instalohet brenda shtetit tonë.

Asociacioni një etnik është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës sonë. Kështu sepse asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të thotë më shumë të drejta për komunitetin serb, por më shumë ndikim të Serbisë mbi territorin e Kosovës.

Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë për të cilin ende nuk ka kërkuar falje. E kaluara në vendet e rajonit na ka dëshmuar që asociacioni do të thotë autonomi e cila më pas ka shpier në luftë.

Në vend se të flasim lidhur me marrëveshjen e cila parasheh njohjen reciproke të diplomave universitare në mes Kosovës dhe Serbisë, sot flitet vetëm për asociacionin një etnik që cenon stabilitetin dhe paqen e shtetit tonë.

Prandaj të mërkurën e 15 shkurtit (2023), përveçse kremtojmë përvjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës, MARSHOJMË BASHKË KUNDËR ASOCIACIONIT.

Me këtë rast Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës fton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pavarësisht bindjeve politike, që të na bashkohen në marshin kundër asociacionit një etnik.

© Pashtriku.org

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura