Tiranë, 14. 07. 2014 – (Mbi librin “Koncerti dhe Funerali 1815-1914, Shqiptarët – Ballkani – Fuqitë e Mëdha” i autorit, Prof. Dr. Lisen Bashkurti) – Këto ditë ka dalë në qarkullim libri i autorit Prof. Dr. Lisen Bashkurti “Koncerti dhe Funerali 1815-1914, Shqiptarët – Ballkani – Fuqitë e Mëdha”. Kjo monografi është e njëzeta e serialit të botimeve akademike të autorit, një trashëgimi unike shkencore, shumëdisiplinore në kuadër të marrëdhënieve ndërkombëtare e diplomacisë.
Harku kohor që është në fokus të analizës shkencore në libër është shekulli i 19-të dhe fillimi i shekullit 20-të. Kjo periudhë quhet “Koncerti i Vjenës” e përkon me zhvillime shumë të mëdha në Ballkan, në Evropë e në botë. Në Ballkan fillojnë të ngrihen nacionalizmat shtet – formues. Në Evropë fillon fuqizimi i Rusisë, rënia e Osmanëve, bashkimi i Gjermanisë e Italisë. Këto zhvillime do të trazonin situatën e përgjithshme politike në kontinent dhe në botë duke e shndërruar “Koncertin” e Vjenës në një “Funeral” të përbotshëm. Në libër analizohet gjerësisht, thellësisht dhe në dinamikë procesi i ngritjes së lëvizjeve nacionaliste në Ballkan, një proces ky i gjatë që fillon me lëvizjet autonomiste të Pashallëqeve në kuadër të Perandorisë Osmane, përfshinë lëvizjet e serbëve, grekëve, bullgarëve, rumunëve dhe shqiptarëve. Mbështetur në burime arkivore, autoriale e publicistikë të kohës, autori arrin të argumentojë:
Së pari, se shqiptarët kanë qenë kudo të pranishëm, Fillimisht ato paralajmëruan këto procese mëvetësuese në Pashallëkun e Janinës, më tutje u bënë solidarë me serbët kundër Osmanëve, mbështetën revolucionin grek për pavarësi dhe çdo lëvizje që i shërbente krijimit të shteteve nacionale kundër Perandorisë Osmane në rënie.
Së dyti, autori na provon që shqiptarët nga populli më solidar me popujt e vegjël fqinjë për luftërat e tyre për pavarësi, kaluan gradualisht në mbyllje, neutral vetëm atëherë kur në Ballkan filluan të shfaqeshin interesat klienteliste Ruse, të cilat në çdo kohë e në çdo rrethanë i lanë shqiptarët dhe interesat e tyre jashtë vëmendjes.
– Prof. Dr. Lisen Bashkurti –
Ballkanasit, argumentohet nga popuj solidar, që përfshinë fillimet e shekullit 19-të nisën të bëhen rivalizues në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të, për shkak të bartjes së rivalitetit ruso-osman në Ballkan. Ngritja e Rusisë u bë mbi baza klientelizmi sllavo-fetar, duke mbështetur kryesisht popujt sllavë të jugut dhe me konfesion të njëjtë. Në këtë projekt Rus përfshiheshin kryesisht sllavët, ndërsa grekët disi më larg. Projekti rus për Ballkanin i la jashtë vëmendjes shqiptarët, të cilët nuk kishin lidhje sllave dhe as nuk ishin tërësisht një konfesioni. Shqiptarët ishin popull autokton jo sllav dhe me konfesion të përzier nga katolik romak, ortodoks bizantin e mysliman. Qëndrimi ruso-ballkanik përjashtues për shqiptarët, sërish, sikundër argumenton Bashkurti në këtë libër, nuk i spostoi shqiptarët gjeopolitikisht në pro-Osmanë. Pra, shqiptarët nuk mbështetën osmanët në luftën ruso-osmane. Shqiptarët, qëndruan më vetë dhe gradualisht nisën kalvarin e vet sfidant për shpalljen e pavarësisë së shtetit shqiptar, bazuar tërësisht në kapacitetet e veta njerëzore, politike, ushtarake, ekonomike, diplomatike dhe kulturore. Gjithashtu, duke bërë zgjidhje kryesisht në forca të veta, ky proces vonoi krahasuar me popujt fqinjë.
Pra, autori arrin në konkluzione graduale dhe bindëse, se shqiptarët u përfshinë më vonë në procesin e nacionalizmit shtetformues dhe e shpallën pavarësinë prapa popujve të tjerë për shkaqe gjeopolitike madhore, që nuk vareshin prej tyre dhe jo aspak për aftësitë e tyre kombëtare e shtetformuese dhe jo sepse ishin osmaniste në orientimin e tyre.
Libri hedh poshtë përmes rrjedhës argumentuese historike dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare të kohës dy teza fiktive kundër shqiptarëve:
-tezën se “shqiptarët ishin të fundit në pavarësi sepse ishin pro-osmanistë”
-tezën se “shqiptarët ishin të fundit në pavarësi sepse nuk kishin kapacitete shtet-formuese”.
Leximi i këtij libri është tronditës për të parë si në një film dokumentar rrënqethës sesi ngrihet ngadalë dhe i sigurt nacionalizmi shqiptar, autokton, jashtë ndikimit ruso-sllav dhe jashtë ndikimit osmano-orientalist, duke u sfiduar për shumë dekada me fqinjët dhe Fuqitë e Mëdha.
Fqinjët janë në fokus të librit “Koncerti dhe Funerali, 1815 – 1914”. Një analizë tej mase objektiv, i paanshëm dhe i ftohtë. Mjeshtërisht lartësohet dhe ndriçon vlerat e kombit shqiptar, pa nënvleftësuar dhe paragjykuar kombet e tjerë. Autori bën një analizë krahasuese gjatë tërë kohës, në çdo ngjarje, dukuri, akt dhe fakt, në çdo proces e dinamikë. Në bazë të analizës vetë lexuesi, shqiptar apo i huaj, arrin në konkluzione lidhur me vendin dhe rolin e çdo fqinji të shqiptarëve, gjatë Krizës Lindore, në qasjen ndaj identitetit shqiptar, historisë, kulturës, gjuhës e interesave të tyre. Kjo analizë krahasuese vë në pah qartësisht ngritjen e nacionalizmit shqiptar midis dy zjarresh: zjarrit të shteteve fqinjë dhe zjarrit osman në Ballkan. E tërë beteja historike e shqiptarëve për ngritjen e nacionalizmit shtet-formues dhe pavarësi tejshkohet nga ky dyluftim madhor, midis frontit të dyfishtë: fqinjëve shovenë dhe osmanëve antishqiptarë. Beteja Ballkanike e shqiptarëve, sipas faqeve të këtij libri është rrëqethëse, por edhe e jashtëzakonshme, sepse heq çdo dyshim mbi të vërtetat historike mbi Shqipërinë dhe shqiptarët në rrugën e tyre për pavarësi përballë sfidave Ballkanike.
Sistemi i Vjenës (1815-1914), kishte tiparet e veta. Autori është marrë gjerësisht me analizën e thellë historike, ndërkombëtare, diplomatike dhe juridike të rolit të Fuqive të Mëdha të kohës në gjithë këto procese, sidomos në koncentrimin e tyre mbas krizës Lindore në Ballkan. Bazuar në fakte historike, në dinamikat ndërkombëtare, në tratativat diplomatike dhe në aktet juridike ndërkombëtare, kalohet përmes një laboratori të shkëlqyer analitik çdo faqe të vendit dhe rolit të Fuqive të Mëdha përpara, gjatë dhe sidomos mbas Krizës Lindore, që nisi me luftën ruso-osmane. Fuqi të kohës, analizohen me vlerat, tiparet, interesat gjeopolitike, planet e veprimit të tyre, manovrat diplomatike dhe aktet dinamike juridike. Fuqizimi i individualiteteve të Fuqive të Mëdha, theksimi përherë e më shumë i interesave egoiste imperiale në dëm të vlerave të përbashkëta të sistemit të Meternikut tronditën përfundimisht status quo-në që kishte themeluar Meterniku dhe “Koncerti” dhe paralajmëruan furtunat e fillimit të shekullit të 20-të.
Për mendimin tim, libri shënon një kontribut të jashtëzakonshëm në analizën shkencore të faktorit shqiptar gjatë kësaj periudhe, e cila përfshinë:
– Krizën Lindore (1877),
– Kongresin e Berlinit (1878),
– Lidhjen e Prizrenit (1878),
– Lidhjen e Pejës (1899),
– Lidhjen e Junikut (1912) dhe
– Kuvendin e Vlorës (1912), dinamikat dhe aktet ndërkombëtare mbas Kongresit të Berlinit, Konferencat e shumta diplomatike pasuese të tij, tratativat diplomatike midis Fuqive, vendeve të Rajonit me shqiptarët dhe ngritjen graduale të faktorit shqiptar nga tërësisht i injoruar në tërësisht imponues.
Autori është i pari studiues shqiptar që na jep neve në dorë një studim shkencor ku përmasa e analizës përfshinë të gjitha hapësirat etnike kulturore të shqiptarëve. Për arsye ideologjike, shkencat tona politike ndërkombëtare, kanë bërë analiza të mira, por që kanë vuajtur nga parcelizimi, fragmentimi dhe për pasojë nga mungesa e sintezave gjithëpërfshirëse shkencore për popullin dhe Kombin Shqiptar.
Në këtë libër tejshkohen me zhdërvjelltësinë e një studiuesi që njeh çdo cep e çdo faqe të historisë, katër ish Vilajetet Shqiptare në kuadër të Perandorisë Osmane, i Kosovës, i Shkodrës, i Manastirit dhe i Janinës si dhe bashkëpunimi ndërmjet tyre.
Libri zbërthen me detaje, thuajse pa i shpëtuar asgjë se, përkundër përpjekjes së Fuqive të Mëdha, Perandorisë Osmane dhe të shteteve fqinjë për t’i mbajtur të ndara këto Vilajete për interesa anti-shqiptare, faktori shqiptar arriti të krijonte sinergji të jashtëzakonshme koordinuese, bashkëpunuese e unifikuese të aksionit politik, diplomatik dhe ushtarak ndërmjet Vilajeteve shqiptare. Kjo sinergji u mbajt qysh nga Kongresi i Berlinit, erdhi duke u fuqizuar deri në fillimet e shekullit XX dhe kulmoi me betejat e jashtëzakonshme politike, diplomatike dhe ushtarake të shqiptarëve deri në vitin 1912. Platforma shqiptare e unifikimit të Vilajeteve u sabotua nga koalicioni ndërkombëtar antishqiptar që përfshiu shtetet Ballkanike, Perandorinë Osmane dhe Fuqitë e Mëdha imperialiste të kohës, sërish fryma e identitetit të tyre u ngrit me konkluzionin prognozë të Isa Boletinit se: “pa zgjidhjen e çështjeve shqiptare nuk ka paqe dhe stabilitet në Ballkan”. Pavarësia e Shqipërisë londineze që u miratua në vitin 1913 ishte vetëm një etapë e shqiptarëve për pavarësimin e pjesshëm, të arsyeshëm për kohën dhe të drejtë për rrethanat, si dhe të dobishëm për Ballkanin e asaj periudhe.
Me kënaqësi e respekt i shpreh konsideratën më të lartë autorit Lisen Bashkurti për këtë vepër të nivelit të lartë akademike dhe shkencore, për popullin dhe Kombin Shqiptar në rrafshin akademik dhe diplomatik. Gjithashtu si një prej grupit recensionues të librit në tërë fazat e tij, i shpreh autorit mirënjohje të thellë, sepse po e zhvillon mendimin shkencor shqiptar për marrëdhënie ndërkombëtare dhe diplomaci në nivelet më të larta e të avancuara bashkëkohore. Ky libër i mrekullueshëm do të jetë në çdo bibliotekë publike dhe universitare, pjesë e jetës së studentëve e pedagogëve të arsimit të lartë në Shqipëri, rajon e më gjerë. Ky libër i bashkëngjitet kështu natyrshëm gamës së kontributeve të mëdha teorike e praktike të jashtëzakonshme të Prof. Lisen Bashkurti.
*) Doktorant i Shkencave Politike Ndërkombëtare.
****
Intervista Ora 16:30, Lisen BashkurtI: