Tiranë, 26. 01. 2016: Mendimtarët e mëdhenj liberalë të shekullit 18-19, Adam Smith, Vilhelm von Humbold etj., që mbrojtën me forcë idenë e një rendi ku konkurrenca e lirë do të ishte zemra e zhvillimit ekonomik duke çuar përpara lirinë dhe respektimin e të drejtave, i trembeshin shumë shndërrimit të njeriut në një qenie materialiste dhe të drejtuar vetëm nga fitimi. Për ta, homo economicus, një zgjedhës racional i asaj që i prodhon fitim, do të ishte një qenie pa kapital social, që nuk do të ishte bartës i asnjë gjëje të trashëguar dhe i asnjë norme morale apo shpirtërore. Edmund Burke e quante homo economicus-in, njeriun ideal të revolucionit jakobin. Rreth dy shekuj më pas, kjo frikë duket u bë realitet. Homo economicus-i prodhoi totalitarizmat më të tmerrshëm të njerëzimit, si nazizmin dhe komunizmin, prodhoi vrasjet, genocidin, shfarosjet dhe gjithçka tjetër në mënyrë të organizuar dhe të sistematizuar.
Në “Letër mbi Humanizmin”, filozofi gjerman, Martin Heideger flet për tëhuajësim të njeriut si pasojë e makinave moderne dhe teknologjisë që kishte mundësuar ndërtimin e sistemeve të sofistikuara, mbi të cilat njerëzit nuk kanë kontroll. Një anë shumë e errët e kësaj kulture dhe një element i këtij sistemi është seksualizimi i njeriut dhe i shoqërisë. Homo economicus, në përpjekje për të kthyer gjithçka në mall, ka seksualizuar prej kohësh një pafundësi mallrash me qëllim që seksi të kthehet në mall. Sara Bragg, David Buckingham, Rachel Russel, tre profesorë të universiteteve të Loughboroug-ut dhe të Glasgow-ut, shpjegojnë me detaje në librin “Fëmijët, seksualizimi dhe kultura e konsumit” se si prej vitesh prodhohen mallra dhe reklama me kontekst seksin, që të sjellin në mendje seksin, që i kërkojnë imagjinatës të shkojë tek seksi.
Pa hyrë në detaje, se ato nuk kanë fund, po themi se bluzat për shembull kanë buzë femre, ose deri edhe penis apo vaginë. Më e rënda është se edhe mallrat për fëmijë prodhohen masivisht me këtë qëllim. Kukullat janë miss-e, janë modele, kanë fustane të shkurtra, kanë dekolte etj. E njëjta gjë edhe me librat, kopertinat deri edhe stilolapsat, vizoret dhe gomat që mbushen me pamje seksiste. Këngët po ashtu janë të mbushura me tekste në qendër të së cilave është seksi.
(Ilustrimin e përagtiti editori i pashtriku.org,sh.b)
Në Britaninë e Madhe është zhvilluar një debat mjaft i madh tre katër vite më parë ku deputetë, sociologë, filozofë, artistë etj., ndërtuan një mjedis mjaft kritik për çdo shfaqje të seksualizmit të fëmijëve. Në Francë debati ishte edhe më i ashpër. Asambleja Kombëtare miratoi një ligj kundër asaj që e quajtën hiperseksualizmi i fëmijëve. Shqipëria për shkak të një zhvillimi me ndërprerje, me trauma ku totalitarizmi komunist zhduku çdo moment natyrshmërie në shoqëri është zhytur kryekëput në këtë tëhuajësim, duke humbur çdo ndjesi të përmasës reale të njeriut. Seksi është kudo.
Në zyra vishen si në konkurse bukurie. Studentët në shkolla janë në garë për minifundin më të shkurtër, dekoltenë më të hapur, pantallonat më të ngushta etj. Gjimnazet edhe më keq. Shkollat 9-vjeçare janë një tmerr i vërtetë. Edhe fëmijët e klasës së parë në festën e abetares vishen me fustane nuseje, me vello. Televizionet e kanë kthyer seksualizimin e fëmijëve në normë. Ka festivale ku fëmijët vishen si gra të rritura, me fustane modelesh, me grim ku shkëlqejnë faqet dhe vetullat. Seksi në të vërtetë e përkufizon sot televizionin në Shqipëri në gjithçka, deri edhe tek paraqitja e motit ose dhënia e lajmeve. Televizioni Publik Shqiptar (një ent jo vetëm mediokër) e shtyu gjithçka shumë më larg.
Pak ditë më parë ai transmetoi një sfilatë mode fëmijësh të një stilisteje nga Kosova. Fëmijët ecnin duke u tundur dhe duke bërë lëvizje të mësuara në mënyrë që të shfaqnin veshjet dhe trupin. Vetëm mendjet e bjerra të homo economicus-it mund të bëjnë gjëra të tilla. Seksualizmi ka pasoja shumë të rënda sidomos tek fëmijët. Shoqata amerikane e Psikologjisë publikoi në viti 2008 një raport ku thotë se “91 për qind e femrave vuajnë nga ideja se ato nuk kanë trupin e duhur. Mbi 30 për qind e vajzave nga mosha 20 në 30 vjeç kanë çrregullime me të ngrënët dhe çrregullime të tjera. Seksualizimi i hershëm i çon në depresion dhe i bën të kenë vlerësim të keq apo të ulët për veten”, thotë raporti.
Nga ana tjetër, seksualizimi i kthen femrat në objekte seksuale, e kufizon qenien e tyre vetëm tek seksi dhe bukuria trupore duke zhbërë përmasën e tyre si qenie që mendojnë, ndjejnë, kanë dinjitet etj.
Në qoftë se vajzat dhe gratë shihen vetëm si qenie seksuale dhe jo si qenie të komplikuara me interesa të ndryshme, dhunti, identitet dhe botë të mrekullueshme atëherë djemtë dhe burrat nuk mund të hyjnë në marrëdhënie të tjera me to, veçse ato seksuale. Ky realitet në Shqipëri është i frikshëm. Në pikëpamje kulturore duket se ne po zhytemi në një botë pornografie! I gjithë ky peizazh pornografik në lokale, zyra dhe shkolla është dëshmi e marramenthit të çmendur të shoqërisë sonë që ka shndërruar në mall gjithçka duke u bërë skllave pikërisht e kësaj sjelljeje.
Në emër të lirisë është prodhuar një robërim i plotë që redukton rënien në objekt seksual. Pornografia provokon regres seksual, kënaqësia që dikush merr nga pornografia është autoerotike. Ajo është më së shumti një ushtrim masturbimi i imagjinatës. Njerëzit që masturbohen, shkruante Irving Kristol vite më parë, – nuk mërziten me masturbimin, bash ashti si sadisti nuk mërzitet me sadizmin dhe voujeristi nuk mërzitet me voujerizmin. Gjithnjë e më tepër ajo përforcohet dhe bëhet eurozë. Dhe pikërisht në këtë gjendje jemi.