FITOR OLLOMANI: DIN MEHMETI NJË ZË I VEÇANTË NË LETRËSINË SHQIPE, GJATË SHEK. XX (II)

Pashtriku.org, 02. 03. 2014 – (Përmbledhje poetike të botuara në Tiranë) – Mallkim gjaku, 8 Nëntori, Tiranë, 1973. Poezi ( Të përzgjedura nga Fatos Arapi), Naim Frashëri, Tiranë, 1985. Klithëm është emri im, (Përzgjedhja e poezivë është bërë nga Agim Vinca), Toena, Tiranë, 2002; Zarri i këngës, poezi, Onufri, Tiranë, 2007
Në gjuhën sërbokroate i janë botuar:
Pesme (Poezi të përgjedhura) të përkthyera nga Mirko Gashi, Narodna Knjiga, Beograd, 1976; Vreme (“Koha”), Jedinstvo, Prishtinë, 1982
Në gjuhën frënge i është botuar:
Erdhi koha (“Il est temps”) antologji përkthyer nga Elisabeth Chabuel, në botim të shtëpisë botuese META – EDITIONS, Paris, 2006
Poezia e Din Mehemtit është pjesë edhe e shumë panoramave e antologjive në gjuhë të tjera:
Dega e pikëllëuar (me Sabri Hamitin), Rilindja, Prishtinë, 1979, në gjuhën gjermane, frënge, angleze dhe gjuhën arabe (Kuvajt)
Poeti albanesi in Juguslavija, La Battana, Rijeka(Kroaci), 1979
La parole rinato (Fjalë të rilindura), (me Giasomo Sekoti), Prishtinë, 1970
Velërsimet e dhëna, thënë ndryshe shpërblimet e fituara, për krijimtarinë poetike të Din Mehmetit.
1972 – Çmimi i Dhjetorit për librin “Heshtja e kallur”
1978 – Shpërblimi i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për librin “Ikje nga vdekja”
1984 – Shpërblimi i Rilindjes dhe Mitingut të poezisë për përmbledhjen poetike “Fatin tim nuk e nënshkruaj”
2005 – Shpërblimin Kombëtar “Azem Shkreli” për veprën jetësore në krijimitarinë artistike iu dha nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës.

Din Mehmeti (1932 – 2010)

Fjala e artit poetik tё Din Mehmetit
Hulumtimi i gjuhës poetike është një rrugë e vështirë dhe e gjatë mbi të cilën nuk ecën lirshëm dhe i sigurtë në shtigjet e saj, ku misteri dhe befasia e gjuhës poetike është e madhe dhe e paparashikueshme në tërë historinë e saj.
Poezia e Din Mehmetit, përmbledhja e parë poetike “Mbi krahët e shkrepave”, gjarpëron shtigjeve dhe rrugëve të nji gjuhe të posaçme metaforike, jo të sekretshme dhe jo të lëmueme sa duhet jo të gdhendun aq sa kërkon qëllimi i poetit, të cilin e supozojmë. Ajo ka një vrull poetik, që dëshiron të ndjek traditën poetike të poezisë shqipe, por nuk është sendërtues dhe jo shumë në trajta serioze, thelbore. Ky vrull poetik dhe mungesa e ekonomisë së fjalës është ajo që e dallon, por jo në pikëpamje pozitive”. 24
Nëse do të nisemi nga adresimi i titullit të përmbledhjes poetike Mbi krahët e shkrepave, që është një adresim simbolik, do të prisnim një shumësi simbolesh të veçanta, të ambjentit të posaçëm. Ajo që të bie ndër sy është mungesa e këtyre simboleve, mungesa e tyre shkon në të mirë të disa temave të jetës njerëzore edhe pse i është dashur më shumë përkujdesje në latimin e fjalës poetike.
“Din Mehmeti asht dasht me i kushtue ma tepër kujdes indit artistik të vjershës si tanësi poetenave që ndikojnë në trajta të llojllojshme në shijen dhe imagjinatën tonë. Sepse nuk e ka ngritë sa duhet në nivelin e gjuhës përnjimend dhe superiorisht poetike. E poezia e tij këtë e kërkon, sepse asht ajo e llojit të posaçëm.25
Në disa poezi vihet re ndonjë vakum i vogël leksikor, në përmbledhjet e para poetike, por ajo pjesë leksikore e përdorur është tërsisht funksionale dhe mbartin një ngarkesë emocionale jo të vogël në shtigjet poetike të poezisë, “duket sikur kemi kompesimin e mejtit të shprehjes që mungon duke synuar funksione dhe ngarkesa maksimale poetike”. 26
Në fillimet poetike të Din Mehemtit kemi një rrëfim të unit lirik, duke aktualizuar funksionin gjuhësor të ekzistencës së fjalë në një rrafsh përgjithësues, ku uni lirik i përket shtresëzimit të peizazhit dhe artikulohet raporti i përjetimit të brendshëm poetik dhe nuancave të rrëfimit lirik të dukurive frymëzuese për poetin.
Madje, vihet re një gërshetim të ngërçit të gjuhës poetike me momente të rëndësishme të përsosmërisë poetike të tij, që janë dëshmi e një vazhdimësie të suksesshme poetike. Ky gërshetim është i pranishëm, jo vetëm nga një poezi në një tjetër, por edhe brenda së njejtës poezi. Në poezitë e Mehmetit nuk mungojnë edhe emërtime thjesht konvencionale.
“O mos më shtini në dhe/N’ kryq të rrugës së mëshirës/Ku ndahet jeta me vdekjen/N’ ball t’ ahut ballsamosmëni/Me sy due me pa pishat e dritave tona/ Kur të shpërthejnë natën.”27
Emërtimet konvencionale vazhdojnë nga vargu në varg me një strukturë semantiko- sintaksore të ligjërimit normal dhe duke mos kaluar aspak në një ligjërim sipas funksionit poetik. Ky ngërç nuk është i përgjithësuar në të gjithë poezinë. Fillimi i poezisë është realizuar me një gjuhë faremirë të latuar poetikisht, ku janë gdhendur me kujdes figura poetike të të gjitha llojeve si të tropeve kuptimore ashtu edhe të sintaksës poetike.
N’ akullin e humnerës rëshqiti nata e verbueme/Me eshtna t’thyeme- shtrigë/Ajo natë që shëmtoi ballin si dielli të fëmijëve të mi28/…../N’ hijet e idhta t’vorfnis…/Natën n’andrime kam fluturue
Si shkreptina, që kupën e qiellit e ndan me dhambët e rrëfes – 29
Në poezinë e Din Mehmetit nuk mungojnë edhe vargje të mbartura me elementet e prozaizmit letrar, po ashtu nuk mungojnë edhe notat e një deklarativizmi poetik. Kjo duket në poezinë më të gjatë të kësaj përmbledhjeje me titull “ Në parmakët e agimit”.
“Ndaluni ,/Dëgjoni, o ju të ngopun me jetë!/Unë jam ai këmbëzbathuni i shkrepave/ Që më ndoqët për bishë”30
Përmbledhja e parë poetike dëshmon për një poezi të karakterit meditativ, plot ndjenja mendime dhe kujtime të autorit. Meditacioni poetik vjen si i tillë vetëm nën efektin e fjalës poetike.
Rruga e gjatë poetike e Din Mehmetit vazhdon me përmbledhjen e dytë poetike, në të cilën shikojmë një përpjekje të poetit për të hetuar në mënyrë të plotë harmonine e gjuhës poetike. Kemi një kërkim të strukturave të reja poetike, ku fuqia e fjalës do ta shoqërojë në tërë krijimtarinë e tij. Edhe pse kritika letrare, përmbledhjen e dytë e shikon në një stad jo fort të lartë, ajo është një hap me tej drejt një gjuhe të përsosur poetike.
“Din Mehmeti ende heton, synon të kridhet në botën e mësheftësive poetike, kërkon landë e ndrysh ndonjëherë fjalën e frymëzuar, nuk e kullon koncepsionin në mënyrë konsekuente.”31
Motivet tematike: kohë, jetë ,vdekje, atdhe, këngë, kullë, baba , dashuri, vashëz, etj , kanë bërë që të kemi një gjuhë që shkon drejt harmonizimit, figuracionit poetik të lartë. Në këtë përmbledhje shmanget në mënyrë të dukshme grumbullimi metaforik nga një poezi në një tjetër, kemi një shmangie të emërtimit konvencional, kemi krijimin e imazheve dhe asociacioneve nga forca e fjalës poetike.
Përsosja poetike e Din Mehmetit vazhdon me përmbledhjen poetike Dridhjet e dritës. Kemi një përpjekje për një gjuhë të kulluar dhe një strukturim të qartë të figuracionit krahasuar me dy përmbledhjet e para poetike. Në këtë përmbledhje shikojmë një harmoni mes fjalës dhe idesë, ku forca shprehëse e fjalës është në sinkroni me ideshmërinë dhe mozaikun tematik të trajtuar në poezinë e Din Mehmetit. Me të drejtë forma poetike e poezisë në këtë përmbledhje është krahasuar me arabeska qëndisjesh poetike të veçanta.
Gjuha poetike dhe format e saj nuk janë përosur kurrë, ndaj vazhdimisht vihen re oshilacionet e shprehjes poetike, vihet re një reflektim i vazhdueshëm në përmirësimin e shprehjes poetike në përputhje të plotë me motivet tematike të trajtuara të secili autor. Ndaj edhe në përmbledhjen e tretë të poezisë së Din Mehmetit vihet re një rrëshqitje e vogël formale, gjuhësore, “ku prane fjalës së vërtetë dhe të qëlluar poetike e gjejmë edhe atë të zakonshmen, profane, të pazgjedhur dhe të pa qëlluar, ku pranë figurës dhe metaforës së njimendët poetike e hasim edhe atë që “ me qyk të zorit” mund ta pranojmë si shprehje metaforike dhe të figurshme; ku pranë qartësisë poetike, e cila e mundëson përjetimin artistik të drejtpërdrejtë, kemi edhe shtjellime abstrakte, sosh në t’ cilat s’depërtojmë dot, ngase kërkojmë ndonjë kuptim tjetër, më të lartë se që është ai i zakonshëm.”32
Në këtë ngërç Mekuli shikon një dilemë estetike që kishte kapluar jo vetëm poezinë e Din Mehmetit, por gjithë poezinë shqipe që lëvrohej në Kosovë gjatë shek XX.
Poetika e Din Mehmetit është strukturuar duke u bazuar në poetikën e këngës popullore, në shumë raste, pasi ajo ka qenë burim frymëzimi. Mehmeti është lindur, rritur dhe ka jetuar me bukurinë e këngës popullore, rrjedhimisht, në poezinë e tij ndihet qartë poetika e këngës popullore. Autenticitetin poetik “ia jep inkuadrimi i ligjeratës specifike popullore me të gjitha elementet e saj siç janë vokabulari poetik popullor, frazeologjia dhe sintaksa… Madje mund të bëjmë fjalë edhe për struktura të të menduarit popullor që vërehen të përpunuara dhe të inkuadruara në këtë poezi”33
Madje Ali Aliu shkon me tej ,ku vëren edhe struktura të tipit të anekdotës, gjëegjëzës, “brenda këtyre vargjeve hetohet fryma dhe natyra e anekdotës përzier me nuancat e sentencës, të urtisë popullore dhe të gjëegjëzës”34, kjo frymë është në funkson të artikulimit të temave, të forcës simbolike të simboleve që gjallojnë në poezinë e tij.
Poezitë më të arritura të Din Mehmetit mbajnë frymën e një strukturimi poetik modern, ku ndjenja e tij poetike realizohet brenda strukturës ritmike dhe figurave të vargut. Kjo është mënyra poetike për të bashkëjetuar me dukuritë, fenomenet, objektet që e kanë frymëzuar poezinë e Din Mehmetit. Gjuha poetike e poezisë së Din Mehmetit është ndërtuar mbi bazën e metaforës, një metaforë e ndëtuar mbi bazën e mjedisit ku është rritur dhe frymëzuar poeti. Metaforat janë njësia bazë mbi të cilën janë ngritur të gjitha njësitë semantike të përcimit të asociacioneve që krijohen, ndjenjave që përcillen, imazheve që formohen etj. Poezia e Din Mehmetit qëndron mes kufirit të poezisë tradicionale, ku qartësia ideore dhe relizimet kuptimore nuk janë të thjeshta për t’u përkapur nga lexuesi. Kjo pjesë e poezisë së Din Mehmetit është poezi, ku lexuesi duhet të jetë i sprovuar në lexime të tilla për të përkapur simbolikën, kalimet metaforike të kuptimeve dhe ideve që përcillen. Poezia e Din Mehmetit kurrë nuk kalon në guackën e hermetizmit poetik, ajo kurrë nuk krijon mundësi për tu kuptuar dhe analizuar duke u nisur nga gjëndje të tipit vegim apo ëndërr. Nuk kemi struktura poetike që përjashtojnë logjikën e pastër të funksionimit kuptimor dhe komunikativ të unit lirik të poetit.
“Duke iu ruajtur në pjesën më të madhe të vjershave anarkisë surrealiste në lidhjen associative të metaforës me objektin, duke evituar largësinë e asociacionit dhe metaforës, që ajo zgjon. Ai është kujdesur të ruajë një kontinuitet ndërmjet vargut tradicional dhe vargut bashkëkohor”. 35
Përpos metaforës mbretëreshë në poetikën e Din Mehmetit, kësaj të fundit i shërbejnë për një poezi me shprehje të fortë poetike edhe një varg të tjerë figurash që e shoqërojnë poezinë e njëmendt, pavarësisht se cila është me dominante se tjetra. Nëse do të bëjme një kronologji të mbizotërimit të figuracionit në poezinë e Mehmetit do të vëmë re se simboli është një perftesë jo e vogël në mozaikun figurativ të kësaj poezie. Simbolika e poezisë së Din Mehmetit është e bazuar mbi botën psikologjike, kulturore, shpirtërore, historike zhvillimore të shqiptarit në tërësi dhe në veçanti të shqiptarit që jeton vitet e vështira të Kosovës përgjatë gjysmës së dytë të shek. XX.
Shumë simbole janë një kontinuitet i simbolikës poetike të poezisë shqipe në tërësi, një pjesë jo e vogël e simboleve është marrë nga ambjenti ku është rritur poeti dhe një pjesë e tyre janë simbole universale që janë aktualizuar në përputhje të plotë me kohën, kushtet, ambjentin e shqiptarit. Në poezinë e Mehmetit gjemë vargje të tëra që kanë simbolikë të veçantë, madje edhe strofa të tëra dalin me funksione simbolike si në poezinë Lumi të përmbledhjes poetike “ Dridhjet e dritës dhe Nën urë fle Lumi të përmbledhjes poetike Heshtja e kallur.
Shprehja poetike e Din Mehmetit , krahas metaforave dhe simboleve, është e mbarsur me larmi figurash të tjera siç janë antitezat, krahasimet, metonimitë, përshkallëzimi, epitet të tipit metaforik, nuk mungon edhe ironia lirike. Ironia lirike buron nga rebelimi poetik ndaj situatave jetësore të societetit ku bën pjesë.Kjo ironi vihet re në poezitë Avulli i zi dhe Balada për frazën e fryrë të përmbledhjes poetike Ora.
Ndërsa, përmbledhja Fatin tim nuk e nënshkruaj dëshmon edhe një herë për praninë e ironisë, por këtë herë një ironi që shkon drejt sarkazmës gjithnjë me funksionin estetik të tipizimit të ambjentit ku jeton uni lirik individual dhe uni kolektiv në një raport ngushtësisht të përcaktuar në bashkëjetesën e tyre, jo vetëm në aspektin e jetës, por edhe atë poetik. Pasi ky raport është i artikuluar fare këndshëm në poezinë e Din Mehmetit sipas situatave që kalon individi. Mehmeti nuk e tepron me sensin e masës së përdorimit të figurës së ironisë.
“Marrë në përgjithësi Din Mehemti nuk e tepron me ironi në shfrytëzimin e këtij mjeti shprehës dhe të figurës në përgjithësi, ai e ruan atë që quhet ndjenjë e masës , gjë që flet për faktin se poezia e tij duke qenë në thelb një poezi moderne, ruan edhe disa tipare të poezisë tradicionale”36
Ndërkohë çdo përmbledhje poetike e Din Mehmetit karakterizohet nga një unikalitet të shprehjes, ashtu siç e vlerëson edhe kritika. Nëse metaforën e gjejmë në një masë të konsiderueshme në çdo poezi të Mehmetit, antitezat i gjejmë në një masë të tillë në përmbledhjen poetike Fatin tim nuk e nënshkruaj. Prania e antitezave krijojnë një ide që poezitë e kësaj përmbledhjeje janë ngjitur për të dëshmuar paradoksin që shoqëron njeriun në çdo hap të jetës. Të krijohet përshtypja që antitezat janë mjeti më i fuqishëm për të përmbysur “normalitetin” e unit individual karshi unit kolektiv. Përmes paradoksit, D. Mehmeti dëshmon se normaliteti nuk ekziston ashtu siç e shohim ne, ose ne këndveshtrimin tonë ky normalitet nuk është I tillë, por ashtu siç e parashtron poeti. “Poezia dhe shprehja poetike e Din Mehmetit përgjithësisht është e paradokseve dhe e antonimeve. Poeti nuk nguron t’i vërë pranë njëra-tjetrës, kontraste, koncepte me kuptime antitetike. Madje mund të thuhet se parimi i antonimisë dhe aplikimit të figurës së paradoksit është më i shprehur këtu se në asnjë libër tjetër”.37
Nga ana tjetër, poezia e Din Mehmetit mbart vlera të mëdha të pasurimit leksikor si në shprehje ashtu edhe në formë. Karakteristikë, e pasurimit formal, për poezinë e Din Mehmetit është krijimi i disa kompozitave me strukturë semantike të veçantë ku njësitë përbërëse të tyre janë fjalë të njohura. Kjo seri kompozitash u përket disa kategorive leksiko -gramtikore, shumica e tyre u takon kategorisë leksiko – gramatikore të foljes dhe pjesa tjetër u takon pjesëve të tjera të ligjëratës.Le të shohim disa nga kompozitat si fjalë të reja: kaltërohej ( këtu kemi fjalën kaltër dhe veprimin përkatës, – o), në këtë kontekst duhen parë edhe kompozitat në vijim me fjalën e parë duke u bashkuar me veprimin përkatës, tokëzohej, pyllëzohen, blecohem, shkumëzohem. Shumë interesante paraqiten edhe kompozitat që kanë strukturën e plotë formale të të dy komponentëve formues të kompozitës si: plis-bardhësh, gjakhumbës, dhimbëshëruar, fytyrërrudhur, atëbotë, malkohej (e formuar nga fjalët mal dhe kohej, ku kjo e fundit ka domethënien e animit të një maje, kjo kompozitë është shumë domethënese në njësinë minimale të strukturës sintaksore ku është realizuar zjarr malkohej), gjuhëpërtokur etj. Shprehja poetike e Din Mehmetit është një strukturim i qensishëm i gjuhës shqipe, që shkon vetëm në kahun e pasurimit të saj përmes artikulacioneve poetike të forta. Ja se si e shikon vetë poeti këtë shprehi poetike të tijën kur flet për metaforat e shumta që dominojnë në poezinë e tij.
Është e vërtetë se metafora është një nga figurat më dominante në poezinë time, por aty mund të gjesh edhe figura të tjera si krahasimin, metoniminë, antitezën, gradacionin, etj. Metafora siç ka thënë edhe Aristoteli është mbretëresha e figurave. Kjo lloj shprehje përdoret edhe si armë tek ata popuj që u mungon liria, për t’u mbrojtur nga censura dhe zakonisht kjo figurë përdoret për t’i ikur vargut direkt që mund të kuptohet në leximin e parë. Tek unë metafora ka pasur dy rrjedha: E para është si rrjedhë e të folurit metaforik e njerëzve në për odat e burrave ku janë ndarë pleqnitë e holla në bazë të Kanunit të Lekë Dukagjinit, ku fjala ishte mençuria e tyre për të shprehur ndonjë mendim apo për t’ia thënë njërit një diçka që nuk e bënin dot në mënyrë të drejtpërdrejtë, por me anë të metaforës. Kështu dialogu mes tyre bëhej filozofik, një dialog metaforik. Pra, të folurit popullor apo alegorik është mbushur me lloj – lloj figurash e sidomos me mendime metaforike, me periudha metaforike.…..Prej këtu rrjedh edhe një pjesë e metaforave të mia poetike, të cilat janë bërë pjesë e pandarë e kësaj poezie. Në anën tjetër metaforën e kam përdorur si diçka organike , si diçka të nevojshme si një rrjedhë të natyrshme në mua dhe si një nevojë të brendshme timen, për t’i shprehur deri në fund mendimet e mia poetike, por më vonë, kur kam filluar ta kuptoj me thellë jetën dhe pozitën time individuale dhe shoqërore dhe pozitën e popullit tim, situatën e përgjithshme ekzistenciale, atëherë kam gjetur edhe metafora të tjera, për t’i ikur ndëshkimit të censurës dhe censorëve”39.
Nga ana tjetër, poeti është i vetëdijshëm për pasojat e teprimit figurative në poezi, ndaj në poezinë e tij shikohet një përpjekje e fuqishme për të ruajtur sensin e masës, sidomos në përmbledhjet e fundit të poezisë së tij. Studiuesi i letrave shqipe, Robert Elsie konstaton se: “poezia e Din Mehmetit është bartëse e ndjeshmërisë popullore, ashtu si Ali Podrimja, i cili është po nga Gjakova, ai mbështete në shumë figura, metafora dhe simbole të poezisë popullore të Shqipërisë së Veriut për të mbrujtur dhe ndërtuar lirikat e tij të trazuara me vizione stoike të malësorëve”40.
Si përfundim mund të themi se:
Krijimtaria poetike e Mehmetit qëndron si një zë i veçantë mes tradiës dhe modernes. Tradita poetike e pararendësve i shërbeu si një bazë e fortë në krijimin e konstrukteve poetike të poezisë së tij, ajo i dha mundësi të bartë unikalitetin simbolik të simbolikës poetike shqiptare. Din Mehmeti këtë mundësi e rimodeloi sipas strukturave moderne të ligjërimit poetik. Ai tentoi të shkonte drejt surrealizmit dhe hermetizmit, por kurrë nuk u burgos në strukturat poetike të këtyre drejtimeve letrare.
Poezia e Mehmetit nuk mund të kuptohet pa botën psikologjike të shqiptarit në të gjitha trevat ku jeton, madje ajo ka krijuar një marrëdhënie të ngushtë me shqiptarin e Kosovës në shek. XX dhe shek. XXI. Në poezinë e Mehmetit shqiptari e shikon veten në të gjitha dimensionet e tij, ai shfaqet si individ, si qenie e një etnie në kërkim të mbijetesës, si pjesë e një shoqërie shumëdimensionale e lakuriqësisë politike të kohës dhe si qënie që kërkon në pafundësi lirinë e munguar ndër shekuj. Kjo e bën poezinë e tij si një zë të veçantë në letërsinë shqipe dhe veçanërisht në letërsinë shqipe të lëvruar në Kosovë gjatë shekujve XX dhe XXI.
Elementet formale dhe tematika unikale që mbart, poezia e Din Mehmetit, e bëjnë të denjë të jetë pjesë e antologjive botërore që në vitin 1989, po ashtu edhe fituese e shumë çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare, po ashtu të jetë e përkthyer në gjuhë të ndryshme si në gjuhën angleze, frënge dhe sërbo-kroate.
Krijimtaria poetike e Mehmetit është e pasur dhe e larmishme si në temë ashtu edhe në formë, ajo shtrihet një një hark kohor jo të vogël, duke u bërë pjesë e thesarit kombëtar të trashgimisë letrare.
Poezia e Din Mehmeti është e strukturuar mbi bazën e një poetike të shëndoshë të shprehjes popullore, të ligjërimit popullor me një shije tepër të hollë, e cila buron nga një brengosje piskologjike e diktuar nga kushtet historike në kohën dhe vendin ku jetonin. Ligjërimi artistik në poezitë e tij ka një specifikë të mbishtresëzimit kuptimor, ku kalimet kuptimore nga kuptimi konkret drejt kuptimit figurativ është realizuar në mënyrë mjeshtërore duke mos pasur aspak pengesën e kuptimeve urë, duke u shndërruar në mundësi të pasurimit semantik të leksikut të gjuhës shqipe. Në poezinë e Din Mehmetit gjejmë një sintaksë të veçantë poetike e diktuar nga përdorimet figurative të fjalëve. Në këtë mënyrë, i vetëdijshëm për rolin e madh në aktualizimin e kuptimeve të përdorimit të fjalës aktualizon dhe krijon struktura të reja kuptimore të fjalëve të veçanta.
______________
Fusnotat:
1. Sabri Hamiti, “Letërsia modern shqiptare” ( Gjysma e parë e shek. XX), Alb-as, Tiranë 200, f. 163.
2. Po aty, fq 165.
3. Basri Çapriqi, Simboli dhe rilvaët e tij, Kosova Pen Center, Prishtinë, 2005, f.33
4. Enver Gjergjeku, Ramiz Kelmendi dhe Hasan Mekuli, Panoramë e letërsisë bashkëkohore shqipe në Jugusllavi, Rilindja, Prishtinë, 1964, f. 20
5. Besim Muhadri, Të jesh poet , Klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi”,Gjakovë 2006, f. 45
6. Hasan Mekuli, Tri shkrime, Din Mehemtit,Vepra letrare Nr. 5, Drenusha, Prishtinë 2009, f. 07
7. Agim Vinca, Drama tragjike e Kosovës, Miti dhe fatalitetit historik, Din Mehemeti, “Klithëm është emri im”, Toena, Tiranë, 2002, f. 17.
8. Din Mehmeti, Rini Diellore, Vepra letrare Nr. 1, Drenusha, Prishtinë, 2006, f. 85
9. Besim Muhadri, Të jesh poet , Klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, Gjakovë 2006, f. 22
10. Din Mehmeti, Dridhjet e dritës, Vepra letrare Nr. 1, Drenusha, Prishtinë 2009, f. 95.
11. Din Mehmeti, As në tokë as në qiell, Vepra letrare Nr. 2, Drenusha, Prishtinë 2009, f. 251.
12. Din Mehmeti, Rini Diellore, Vepra letrare Nr.1, Drenusha, Prishtinë 2009, f. 85.
13. Din Mehmeti, Dridhjet e dritës, Vepra letrare Nr.1, Drenusha, Prishtinë 2009, f. 96.
14. Hasan Mekuli, Tri shkrime, Din Mehmeti, Vepra letrare Nr. 5 , Drenusha, Prishtinë 2009, f. 53.
15. Besim Muhadri, Të jesh poet, Klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi” Gjakovë, 2006, f. 23.
16. Po aty. f. 33.
17. Din Mehmeti, Dridhjet e dritës, Vepra letrare Nr.1, Drenusha, Prishtinë 2009, f. 94.
18. Po aty, f. 94.
19. Rexhep Qosja, Kulti i këngës, Din Mehmeti, Vepra letrare Nr. 5, Drenusha, Prishtinë 2009, f. 68
20. Rexhep Qosja, Kulti i këngës, Din Mehmeti, Vepra letrare Nr. 5, Drenusha, Prishtinë 2009, f. 64
21. Besim Muhadri, Të jesh poet, Klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, Gjakovë, 2006, f.. 38.
22. Po aty, f.31
23. Besim Muhadri, Të jesh poet, Klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, Gjakovë, 2006, f. 37
24. Po aty. f. 38.
25. Hasan Mekuli,Tri shkrime, Din Mehmeti, Vepra letrare Nr. 5, Drenusha, Prishtinë 2009, f. 09.
26. Po aty, f. 14
27. Ali Aliu, Kthimi në burim, Din Mehmeti, Vepra letrare Nr. 5, Drenusha, Prishtinë 2009, f. 95
28. Din Mehmeti, Mbi krahët e shkrepave ,Vepra letrare Nr.1, Drenusha, Prishtinë 2009, f. 15
29. Po aty, f. 13
30. Po aty, f.14
31. Po aty, f. 20
32. Hasan Mekuli, Tri shkrime, Din Mehmeti, Vepra letrare Nr. 5, Drenusha, Prishtinë 2009, f. 25
33. Po aty, f. 35
34. Ibrahim Rugova, Burimësia e një poezie, Din Mehmeti, Vepra letrare Nr.5, Drenusha, Prishtinë 2009, f. 85
35. Ali Aliu, Kthimi në burim, Din Mehmeti, Vepra letrare Nr.5, Drenusha, Prishtinë 2009, f. 100
36. Rexhep Qosja, Kulti i këngës, Din Mehmeti, Vepra letrare Nr. 5, Drenusha, Prishtinë 2009, f. 74
37. Agim Vinca, Bota poetike e Din Mehemtit, Din Mehmeti, Klithëm është emri im, Toena, Tiranë, 2002, f. 29
38. Ramadan Musliu, “Mbi ndërtimi poetic”, Rilindja, Prishtinë, 1990, f. 74
39. Besim Muhadri, Të jesh poet , Klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, Gjakovë, 2006, f. 62
40. Robert Elsie, Një fund dhe një fillim, Din Mehmeti, Vepra letrare Nr. 5, Drenusha, Prishtinë 2009, f.234
………………..
Literaturë:
– Agalliu. F, Angoni. A, Demiraj. Sh,Dhrimo. A,Hysa.E,Lafe.E,Likaj.E, Gramatika e gjuhës shqipe (Vëllimi1),Akademia e Shkencave e Shqipërisë,Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, SHBLU,Tiranë, 2002
– Aliu, Ali, Kthimi në burim, Din Mehemti, Vepra letrare Nr. 5 (Në sytë e kritikës), Drenusha, Prishtinё, 2009
– Arapi, Fatos, Mungesa e fjalës dhe heshtja e madhe, Din Mehemti, Vepra letrare Nr. 5(Në sytë e kritikës), Drenusha , Prishtinë 2009
– Çapriqi, Basri , Simboli dhe rilvaët e tij, Kosova Pen Center, Prishtinë, 2005
– Gjergjeku. E, Kelmendi.R, Mekuli.H, Panoramë e letërsisë bashkëkohore shqipe në Jugusllavi, Rilindja, Prishtinë, 1964
– Elsie, Robert, Një fund dhe një fillim, Din Mehemti, Vepra letrare Nr. 5(Në sytë e kritikës), Drenusha, Prishtinë 2009
– Hagjosaj, Halil, Kulmi i figuracionit poetike modern, Din Mehemti, Vepra letrare Nr. 5(Në sytë e kritikës), Drenusha, Prishtinë 2009
– Hamiti, Sabri, Letërsia modern shqiptare,Albas, Tiranë 2000
– Jasiqi, Ali D, Poeti që vazhdimisht ka shënuar ngritje cilësore, Din Mehemti, Vepra letrare Nr.5 (Në sytë e kritikës), Drenusha, Prishtinë 2009
– Mehmeti, Din, Ora, Koha, Prishtinë, 1974
– Mehemti, Din, Klithëm është emri im (Poezi të zgjedhura),Tonea, Tiranë, 2002
– Mehmeti, Din ,Vepra letrare Nr. 1,2,3,4, Drenusha, Prishtinë, 2009
– Mekuli, Hasan, Tri shkrime, Din Mehemti, Vepra letrare Nr. 5(Në sytë e kritikës), Drenusha, Prishtinë 2009
– Musliu, Ramadan, Mbindërtimi poetik, Rilindja, Prishtinë, 1990
– Muhadri, Besim, Të jesh poet, Klubi Letrar, “Gjon Nokollë Kazazi” Gjakovë, 2006
– Pozzato, Maria Pia Semiotika e tekstit, SHBLU, Tiranë, 2005
– Qosja, Rexhep, Kulti i këngës, Din Mehemti, Vepra letrare Nr. 5(Në sytë e kritikës), Drenusha, Prishtinë 2009
– Rugova, Ibrahim, Kritika, Akademia e Shekncave dhe e Arteve e Kosovës, Alfa Print, Prishtinë, 2007
– Rugova, Ibrahim, Burimësia e një poezie, Din Mehemti, Vepra letrare Nr.5 (Në sytë e kritikës), Drenusha, Prishtinë 2009
– Stipçeviq, Aleksander, Ilirët, Tiranë, 2002
– Vinca, Agim, Bota poetike e Din Mehemtit , Din Mehmeti Klithëm është emri im,Toena, Tiranë, 2002

( FUND )

 ——————————————-

PJESA E PARË:
FITOR OLLOMANI: DIN MEHMETI NJË ZË I VEÇANTË NË LETRËSINË SHQIPE, GJATË SHEK. XX
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=2474

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura
Read More

ASAJ

ASAJ Ti që troket në mendjen time Ma mbushë shpirtin plotë gëzi Je freskim i zemrës sime Jetës…