FJALËLAMTUMIRA IME E VONUAR PËR TË BARDHIN BARDHOSH NURAJ

FJALËLAMTUMIRA IME E VONUAR PËR TË BARDHIN BARDHOSH NURAJ

(Bardhi sakrifikonte shumë për të tjerët, ndaj e kërkuan yjet)

Nga Albert HABAZAJ, Vlorë 04. 10. 2022

Si ikën 6 muaj e fluturuan sikur të ishin 6 orë… E pabesueshmja tashmë paska ndodhur. Bardhosh Nuraj nuk është më në gjirin tonë, por ai na mungon vetëm fizikisht, sepse është në dhembshurinë e zemrës sonë, në kujtesën tonë të përhershme, me zërin e tij sa burrëror, aq të butë e të ngrohtë, me buzëqeshjen e tij si gurgullimë pranvere, me mirësinë e tij bardhëllore e sjelljen aq të njerëzishme, si emblemë sakrifice në familje, si model dinjiteti në punë, si imazh fisnik në shoqëri…

Kam kaq ditë që ulem në kompjuter e nis të shkruaj, por një lëmsh i hidhur më mblidhet në grykë e fjala më gulçon dëshpërueshëm thellë e mbytur… Dua të shkruaj mbresat e mia për Bardhin për kujtimet që më la. Bardhoshi ishte një djalë që i vuri emër vetes, jo vetëm se ishte bir nga një derë e parë në Drashovicë, i biri i Qemal Nurajt dhe Ajko Nures, e cila ishte bijë nga dera e madhe e Dulajve të Skomkthinës, por se u rrit dhe u edukua me virtyte njerëzore dhe vlera të larta atdhetare. Bardhua ka dhe dy vëllezër Ilirin, që është oficer policie dhe Bashkimin, që punon doganier, i cili ka mbaruar Fakultetin Ekonomik.

Bardhi sakrifikonte shumë për të tjerët. Për shoqërinë Bardhosh Nuraj falte dhe jetën. Sa e sa raste të tilla kam të regjistruara unë apo Pëllumb Nezha, Skënder Aliaj apo Ali Nderu e Alban Ndreu, Sheref Habili apo Agron Kasa… Kishte shoqëri të gjerë, të zgjedhur dhe të mirë. Të gjithë sa e kanë njohur më thonë që Bardhua ishte djalë flori, flori 24 karat. Mësuesi veteran, ish-drejtori i shkollës ë Drashovicës, liriku i Vlorës Hiqmet Mehmetaj me zë të dridhshëm më tha “Bardhoshi ka qenë e do të mbetet një nga njerëzit më të mrekullueshëm të Drashovicës, që vetëm buzëqeshje të dhuronte”. Kështu them edhe unë, edhe shokët e ushtrisë apo të institucineve të tjera ku ai ka punuar dhe ka lënë vetëm gjurmë të mira. Edhe kur i kthyen kurrizin ai nuk u ul. Vazhdoi udhëtimin në furtunë, pa u trembur nga rrufetë e kohës… 

Po ç’na bëre, more Bardho?! Po ku ke vajtur more vëlla, që nuk të shohim më, nuk të dëgjojmë zërin, nuk qeshim më me lot me ato shakatë e tua të kripura, me atë humorin tënd të hollë e të kulluar si shpirti yt i çiltër?! 

Ah, ç’na gjeti! Bardhosh Nuraj ka ikur, ka fluturuar lart, të kapë yjet. E donin yjet të nurtin Bardhon tonë. U helmua familja. Bashkëshortja e tij Nora, Leonora Mërkuri e qau me ligje, qysh nga ajo ditë e zezë të 28 marsit 2022 kur Bardhi mbylli sytë në Greqi, edhe më 1 prill kur e prunë dhe e përcollëm për në banesën e përjetshme në Varrezat e Drashovicës, në vendlindjen e tij që e donte aq shumë; e vajton dhe sot e kësaj dite atje larg, në Londër ku kurohet nga një sëmundje e gjatë dhe e keqe. 

Me dëlirësi i urojmë shërim të shpejtë dhe shëndet të plotë Norës, sepse është trime, heroinë e heshtur e familjes, stoike si ajo në përballimin e vështirësive të jetës. Është shumë ngashërues dhe emocionues ligjërimi i asaj gruaje të veçantë për burrin që s’e ka më. Patëm mundësinë ta regjistronim me zë (të cilin e ruajmë në arkivin vetiak) dhe të shkruajmë vargjet elegjiake, mbushur në çdo fjalë me dhembje shpirtërore deri në imtësi aq prekëse: “Bardhua im, nur o nur/ Në Drashovic’ të kanë prurë/, Te kjo balt’ e te ky gur/ Mua s’më besohet kurrë/. Bardhoshi ynë zemërbardhë/ Të presim, po ti s’ke ardhë/. Dyzet ditë që s’jemi parë/. Erdhëm të këmbesh dy fjalë/ Me mua, me vajzë e djalë/. Ata kërkojnë babanë/ S’u besohet, more xhan/. Të lusim si Shën Kozmanë/ Të ngrihesh e të rrim’ pranë/. Si yll na ike nxituar/ Në prill me lule ngarkuar/. Që ditën që je larguar/ Papritur e pa kuptuar/ Fati na ka tradhëtuar/, Zemra jote ka pushuar/ Në qiell ke fluturuar/ Gjer në palc’ m’ ke hidhëruar/ Djali, çupa janë shokuar/ Shokët i le shpirtcoptuar/ Nurajt mbetën sylotuar/. Vijn’ të mbulojnë me lule/ Bir i Nure, nip i Dule/. Fli i qetë te kjo lëndinë/, Shpirti yt si diell ndrin/. Zambak çelur në çdo stinë/. Portat tona hapur rrinë/ Pa trokitur të vish tinë/. Hajde Ëngjëll, shih shtëpinë/ Të çmallesh me shoqërinë/. Vjen na mbështjell me vegime/ Nëpër lumin me kujtime/ Fëmijve u jep bekime/ O melhem i zemrës sime”. Këto vargje janë dufe mallëngjime improvizuar aty për aty nga vajtuesja, konkretisht e shoqja e të ikurit, ku vërehet spontaniteti i thurjes së vargjeve bukur e natyrshëm me epitete, metafora e krahasime, me figura të admirueshme letrare edhe nga poetët, ku veçojmë karakterin sinkretik, prirjen ndaj së bukurës e sublimes, lidhjen e së bukurës me të dobishmen, kontrastin e prerë, dinamizmin estetik, përgjithësimin tipologjik, koncizitetin dhe patjetër parimin e zbukurimit, që kanë ardhur nga të parët jo vetëm në trevat tona si “ligje” të pashkruara, që realisht janë të pranishme në mënyrë intuitive tek krijuesit popullorë, ku futen edhe vajtueset, në rastin tonë Nora e Pilurit, kapetania e Mërkure, zonjë e nderit në derë të Nure.

Na ike, o Nuri Bardho Nuri. Mua më ke lënduar. U prek shoqëria. Një lumë me ngushëllime vinin supin në trarin e rëndë që kishte zënë Norën nga humbja e bashkëshortit të saj të shtrenjtë, babait të dashur të dy fëmijve, djalit dhe vajzës, të zotit të shtëpisë, burrit që i dëgjohej fjala në familje, vëllazëri e shoqëri. Ngushëllime të trishta, të thjeshta, të sinqerta, me lot në sy shpërthenin nga miq e shokë që vinin nga Drashovica, Piluri, Tërbaçi, Koculi, Gumenica, Lumi i Vlorës, Himara, Lushnja, Tirana deri dhe nga Kukësi e Tropoja e largët për të lehtësuar dhembjen e rëndë Norës, fëmijve, të afërmve.

Po citoj dy-tre prej tyre: “E pa besueshme, ike kaq shpejt nga kjo jetë, shoku dhe miku im! Ti ishe përherë një shok i rrallë, një mik i përkryer… Lajmi për ikjen tënde është i rëndë për ne, shokët e tu, për familjen e gjithë të afërmit. Lutem për Ty që Zoti t’u japë forcë familjes e fëmijve të tu! Të qoftë dheu i lehtë, o biri i Labërisë!” …

“Na hidhërove shumë, o shoku dhe miku im më i mirë me ikjen tënde të parakohshme nga jeta! Qoftë i paharruar kujtimi yt! Ngushëllime familjes dhe njerëzve të afërt!”

“O sa lajm i hidhur! Pse na ike kaq shpejt nga kjo jetë?! Do të na mungosh shumë Bardhosh. I paharruar kujtimi yt, të prehesh në paqe!”…

Bardhoshi me Norën bënë e kanë dy fëmijë: Marselin dhe Joanej, të cilët rriten dhe edukohen me edukatë qytetare universale, por pa harruar asnjëherë gjurmët e prindërve të tyre, emrin e mirë të babait të tyre, kujdesin maksimal për shëndetin e mamasë së tyre të shtrenjtë, që sfidon sëmundjen dhe s’e ka frikë biopsinë e shpërfill ankthin, se e do jetën, se ka besim tek jeta, se ka amanete për të përmbushur, se e do të kujtuar dhe të respektuar siç qe në gjallje emrin e burrit të saj…  

Eee, si vjen kjo jetë…Me të paharrimtin Bardhosh Nuraj kam shumë mbresa e kujtime të pashlyeshme. Unë jam një moshë me të, pakëz më i madh, i 20 marsit unë, ai i 7 prillit, të dy lindur në vitin e bllokadës, kështu thuhej në ato kohë për vitin 1960. Komunikonim si shokë të mirë me një pastërti qiellore, flisnim me shumë respekt e dashuri gati vëllazërore me njeri-tjetrin. Shoqëria jonë është e vjetër, por ajo u rrënjos kur ai erdhi oficer i ri në vitin 1984 në repartin ushtarak, batalionin këmbësor në Vumlo të Pilurit, së bashku me Sotir Kaçanin nga Cerkovina, një vit më i vogël se ne. Fati na qëlloi të treve në një kompani, me detyrën fillestare të oficerit në karrierën ushtarake, komandant toge (edhe pse të tre me arsim të lartë ushtarak), ndërsa komandant kompanie kishim një zallherist, sepse … ishte më i madh në moshë… Ishim të rinj. Të vrullshëm, të zotë, të aftë, sa të rreptë aq të afrueshëm me ushtarët. Ëndrrakaltër. Të tre kishim në togat përkatëse ushtarë të vitit të dytë, pak më të vegjël, por gati edhe mosha jonë, madje kishim edhe më të mëdhenj se ne. Kishte jo pak problematikë në disiplinën e domosdoshme të ushtrisë së rregullt të kohës. Fillimisht na bënin “xëngje” dy-tre kokrra. Qe problem. Ne të tre u bëmë një. Bardhi ishte dhe trupmadh dhe i fuqishëm. Sa i donte ushtarët, aq nuk i toleronte. Shumë shpejt të tria togat tona u përzgjodhën ndër nënrepartet më të dalluara për disiplinë shembullore, si dhe për rezultate të larta në stërvitje e qitje luftarake në shkallë brigade e mandej në rang divizioni. Ç’ta zgjas, se kujtimet e Vumloit nuk mbarojnë, janë aq mbresëlënëse në vështirësitë që kemi kaluar, të parashikuara dhe të paparashikuara, të pritshme dhe të papritura, sidomos nga një ish-komisar dhe ata dy-tre tipat e përkëdhelur e të përhedhur… Nuk dua t’i kujtoj, por s’mundem t’i harroj. Bardhoshit, Sotirit dhe mua na thoshnin “3 musketjerët e Vumloit”. Fillimisht ruheshin nga ne ushtarët, pastaj krijuan respekt, sepse sikurse ne, që udhëhiqnim me shembullin tonë personal, edhe ata ishin shumë korrekt dhe të dalluar në zbatimin e orarit ditor të veprimeve, në stërvitje, i cili kaloi si stafetë nga njëri brez ushtarësh tek tjetri, aq sa ne punuam së bashku në atë repart të largët dhe ndër më të vështirët në Republikë. Pas disa vitesh u ndamë, sepse aftësia, përgjegjësia, devotshmëria, serioziteti, korrektesa, së pari dhe ndershmëria profesionale na hapi secilit udhët e karrierës në detyra të ndryshme taktiko-operative, të stërvitjes apo komanduese në njësitë ushtarake. Miku im i çmuar Bardhosh Nuraj arriti edhe në detyrën e lartë të Shefit të Shtabit të Brigadës së Himarës, një ndër njësitë ushtarake të organizuara më të rëndësishme në mbarë ushtrinë shqiptare të kohës. Ai, në vështirësi diti të përdorë zgjuarsinë, intuitën, durimin dhe besimin, falë cilësive të larta humane të mbartuar dhe të fituara gjatë jetës. 

Me Bardhin kam vërtetë kujtime shumë, por do të kujtoj një mbresë të veçantë. Në vitin 2009 ndahet nga jeta Ing. Kujtim Peçi, “Doktor i Shkencave”, mbaruar universitetin për inxhinieri marine në Shën Peterburg me medalje të artë, personalitet i njohur i botës detare shqiptare, kryeinxhinier i bazës së nëndetseve, pedagog dhe dekan Fakulteti në Universitetin “Ismail Qemali”, konsulent i filmit “Vlora- Vlora”, që më vonë u quajt “Ballë për ballë”, ku është i njohur edhe debati që pati me shkrimtarin e shquar Ismail Kadare për skenarin e filmit. Pas një viti familjarët kërkojnë një autor për të shkruar një libër nderimi për kryefamiljarin e tyre, që siç u shprehëm kishte profil të shquar në botën ushtarake, akademike dhe shoqërore – atdhetare. Gruaja e Kujtimit, Lavdia është nga Drashovica, nga Nurajt, e bija e Shefqet Nurit, pra Bardhoshi e kishte hallë. Sipas Bardhit, familjarët diskutuan emrat e 4-5 autorëve vlonjatë, që shkruajnë monografi, si prof. Bardhosh Gaçe, Ruzhdi Bajrami, Eqerem Canaj, Idajet Jahaj dhe unë. Kujtimin e kisha shumë mik, sepse ai si pedagog, unë si përgjegjës i Bibliotekës shkencore në universitet rrinim shpesh bashkë, pinim kafe dhe nga gotë raki, diskutonim për shumë gjëra, venim e vinim edhe në shtëpi, isha dhe redaktor i librit të tij “Rusia, SHBA dhe lufta në Irak: studim analitik” por Kujtimi kishte ikur… Ku ta gjeja?! Bardhosh Nuraj e dinte këtë fakt, se jo pak herë rrinim tok të tre dhe, falë njohjes e besimit, këmbënguli te Ladua, halla e tij që autor i librit për Kujtimin të isha unë. Në monografinë me titull : “Intelektual i shquar erudit Kujtim Peçi”, që botova, në faqen 9 të librit, duke shprehur mirënjohjen ndaj familjarëve për besimin dhe dëshirën që patën, ndër të tjera shkruaj: “…Ndërsa shoku im i halleve dhe gëzimeve qysh në vitet’ 80 të shekullit të kaluar, Bardhosh Nuraj, i cili është njëkohësisht edhe nip i Lados, meriton fjalët më të mira nga unë për përkushtimin e papërtuar që pati për ndërtimin e këtij libri”. Pra, Bardhin e kam pasur edhe bashkëpunëtorin më të afërt të asaj monografie, thurur me aq dashuri dhe vërtetësi, sepse pa ndihmesën e jashtëzakonshme të Bardhosh Nures për takimin e njerëzve të afër të Inxhinierit, pa mbledhjen e materialeve që e bëmë vetëm unë dhe ai, libri nuk mund të bëhej… 

Edhe kur iku në Greqi ai dhe unë në Itali, edhe kur u rikthyem në atdhe kemi pasur komunikim shumë të afërt, me mesazhe për datëlindje, për festa, vit të ri, me telefonata të ngrohta, gazmore dhe të gjata, si dhe takime të përzemërta kur takoheshim në Vlorën tonë të dashur. Kujtoj që, edhe pse i ndoshur në Greqi, qe ndër të parët, që kur përcolla nënën time këtë 7 shkurt që kaloi (2022), qe ndër të parët që më bëri mesazh dhe, mbasi unë u ktheva nga Tërbaçi në Vlorë, më mori në telefon dhe më ngushëlloi gjatë me atë fjalën e tij melhem. E kam ndier vërtet pranë meje në hallet që kam kaluar. Shpesh herë nga respekti dhe besimi që kishte për mua më thurte vargje të sinqerta, por me superlative, që më vjen rëndë t’i shkruaj, gjithsesi i kam të ruajtura në messenger. Mesazhin e fundit ma ka shkruar më 26 mars 2022, më nëntë pa njëzet të darkës, më saktë më 20:39’: “Mirëmbrëma, Berti”. Dhe unë ia kthej: “Bardh! Mirëmbrëma, vëlla!”… Ndërsa tani, me gishtrinjtë që më dridhen dhe sytë rënduar nga pellgu i lotit të nxehtë i shkruaj Fjalëlamtumirën time, por kurrë jo harrimin.

Vlorë, 28 shtator 2022

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura