FOINIKE – QYTET I KRONIT

FOINIKE – QYTET I KRONIT

Nga Besnik Imeri, Vlorë 16 shtator 2021

Për qytetërimin e spikatur të Epirit, kryesisht në Kaoni, për pozitën gjeografike, burimet natyrore, si dhe përzgjedhjen diturore që i kanë bërë këtij vendi, kundrejt të tjerëve, pellazgët qysh në prehistori, ka edhe të dhëna të tjera, të cilat janë evidentuar me kujdes nga studiuesi Aleks Trushaj:

 “…Kjo trevë (përreth Foinikes), sot për sot, përmban gjurmët më të hershme të jetës njerëzore në vendin tonë që lidhen me stacionin e Xarës të paleolititit të mesëm (100 mijë deri 30.000 vjet më parë)… Është rajon me diellzim shumë të madh në vendin tonë, në Xarë, p.sh numurohen 343 ditë me diell në vit…temperatura mesatare 16-17 gradë Celsius, përsëri është më e lartë në të gjithë vendin…Është nga më të pasurat me burime ujore…Kaonia mbetet treva më e populluar në prehistori dhe antikitet në vendin tonë…Territori i Kaonisë me shumë elemente të pasura të kulturës prehistorike është sot për sot më interesanti në vendin tonë, ai është përcaktues i shumë aspekteve të prehistorisë në vendin tonë…”[1]

Tani, nga ky parashtrim mbreslënës i Aleks Trushajt, a mund të dyshojmë në faktin që pikërisht këtë vend ‘hyjnor’ zgjodhi Kroni, dhe pas tij edhe Zeusi, për të pasur stanet e tyre?!!! A ishte një rastësi, që pikërisht në këtë trevë pushtuesit romakë ngritën fermat e tyre, duke sjellë edhe kolonë romakë?!!

 Ne kemi fortifikime prehistorike si Foinikja, të cilat duhet të jenë shumë të lashta. Kështu duke parë një trakt muri prehistorik të Foinikes ku “…I ndërtuar me blloqe drejtëkëndëshe gjigande ku përmasat e një guri arrijnë gjatësi 3,20 m, lartësi 2,20 m dhe trashësi 1,60 m…”[2], i cili datohet nga L.M.Ugolini jo më herët se viti 450 p.e.s, ndërsa N.G.L.Hamond keto mure me blloqe masive i daton midis viteve 325-300 p.e.s (Epirus, Oksford 1967, 713-716); të lindin dyshime për saktësinë e tyre.

Foinikja përmendet nga arkeologu shqiptar Gjerak Karaiskaj, por unë nuk e gjej tek arkeologë të tjerë përshkrimin e saj, madje (qofsha i gabuar) nuk ka pasur ndonjë ekspeditë arkeologjike, siç ka pasur në Buthrot, Apolloni, Lisus, Bylis, Amantie, Olympe, etj.   Mos vallë Foinikja ka qënë e “mallkuar” për arkeologët tanë, apo ka qënë kaq e mitizuar, e frikshme dhe mistike si një vend i shenjtë që nuk duhej shkelur, sa që i ka mbajtur larg ata prej saj. Apo mos vallë nga një prekje e lehtë e saj prej  Ugolinit  ka bërë që prej “hijes” së këtij arkeologu të shquar italian të mos guxojnë të thonë një mendim ndryshe për të. Madje edhe vetë Ugolini, kur u rikthye në atë zonë me ekspedita të fuqishme arkeologjike në Buthrot, nuk shkoi më në Foinike. Përse?!!! A mos vallë Foinikja ishte një tabu që nuk duhej prekur?!!! Ndërsa ekspeditat pas viteve 90-të, të sponsorizuara dhe udhëhequra nga arkeologë të shteteve të huaja, kanë shkuar në Foinike për të “zbuluar” aty qytetërimin greko-romak, atë që thoshte edhe Ugolini në vitin 1924.

 Kalaja e Foinikes, nisur edhe nga legjenda se aty ka pasur stanet Kroni, ndërsa pallatin mbretëror në Dodonë, për mendimin tim duhet të jetë ndërtuar në mugëtirë të kohrave, ndoshta pesë mijë, tetë mijë, apo dymbëdhjetë mijë vjet më parë. Madhështia e këtij fortifikimi prehistorik ka mahnitur edhe një nga arkeologët më të shquar italianë që ka bërë gërmime arkeologjike në Epir, Luigi Maria Ugolini. Ndjekim impresionet e tij:

“Pjesa më e lartë e kësaj kodre ruan mbetje të tjera arkeologjike, që duken të një rëndësie më të madhe, në krahasim me ato që janë përshkrur deri më tani. E kam fjalën për mure rrethuese të forta.

 Duke folur për to, përjetoj emocionin që ndjeva kur pashë për së largu, mbi mal, diçka që tërhiqte pareshtur vëmendjen time, dhe duke u ngjitur aty me ngut nëpër rrugë të pjerrëta, arrita papritmas nën ato mure hijerënda…rradha e poshtëme e tyre ishte shumë më e lartë se shtati im. Mbi të, kundrejt një qielli të përndezur prej diellit perëndues, ngadhënjente një kaçubë e gjelbër , laurus nobilis (dafinë), e cila në atë heshtje të thyer nga tingulli i tenus avena (fyelli) i një bariu, m’u duk si një kurorë natyrore dhe mjaft e denjë.” [3]

Por kur shkon në Romë, siç e thotë edhe vetë Ugolini, ai i lë mënjanë impresionet e takimit me këtë fortifikim madhështor, dhe, duke gjykuar me një mendje “më të ftohtë” arrin në përfundimet e çuditshme mbi kronologjinë e ndërtimit të Foinikes të përmendura më lart,  ku ai nuk e çon atë më tutje se mesi i shekullit të V p.e.s. Shtojmë, se L.M.Ugolini kur e vizitoi Foiniken në vitin 1924, pasi vërejti tre tipe muresh, dy prej të cilave, ata megalitikë dhe ata poligonalë, çuditërisht i vendosi në të njëjtën periudhë të ndërtimit të tyre. Megjithatë, arriti në përfundimin se ky fortifikim përbëhej nga tri rradhë muresh rrethuese, ku, me të  drejtë, ato megalitikë i takojnë akropolit, pjesës më të lashtë të këtij fortifikimi.Ndjekim pohimin e tij:

“…kam ndërmend tashmë të shpreh vlerësimin tim arkeologjik dhe kronologjik mbi muret e Finiqit. Kur, në momentin e parë, muret m’u shfaqen papritur para sysh me gjithë madhështinë e tyre, atëhere kur pashë traktet poligonale dhe u kujtova për toponiminë e vendit, unë krijova bindjen se i përkisnin një lashtësie të thellë. Qe ky një frut i një përshtypje fillestare. Megjithatë tani, duke reflektuar më mirë dhe duke u mbështetur në kritere objektive dhe krahasuese, kam ardhur duke pjekur një gjykim kronologjik më të matur, që do ta shfaq më poshtë.” [4]

Por edhe në këtë analizë të ftohtë, përsëri tregohet konfuz, pasi fillimisht muret megalitike të Foinikes i vendos në një kohë më të hershme se ato poligonale duke mos vendosur shenjën e barazimit për kohën e ndërtimit të tyre; por më vonë “pendohet”, dhe jo vetëm vendos shenjën e barazimit midis tyre, por çuditërisht, poligonalin, në ndonjë rast, e bën më të hershëm se megalitikun! Ndjekim disa nga pohimet e tij:

“…përparësinë e tipit poligonal ndaj megalitikut. Një përparësi e tillë do të rridhte nga krahasimet që mund të ofrojë poligonali në pamje të parë me “pellazgjikun”. Megjithatë, unë besoj se duhet përjashtuar një mendim i tillë, duke gjykuar, në rradhë të parë, se një ngjashmëri më tepër në dukje se sa në realitet, pasi “pellazgjiku” është një mur me blloqe pak a shumë të palatuara, të vëna në mur duke i lënë ato siç gjëndeshin rastësisht në natyrë, ose siç dilnin nga gurorja,  me sipërfaqe me disnivele të mëdha, pothuaj përherë të fryrë dhe ajo që është më e dukshme, duke i lënë vend hapësirave aq të gjera, sa do të duhej më pas të mbusheshin me blloqe të madhësive më të vogla…Kështu që barazia, apo vetëm edhe ngjashmëria, mes poligonalit të Finiqit dhe tipit mural të quajtur “pellazgjik” nuk ekziston, apo është vetëm në dukje të parë. Nga ana tjetër, edhe nëse merret si bazë vlerësimi kronologjik, ne nuk mund ta caktojmë poligonalin në një epokë shumë të mëparshme në krahasim me megalitikun…

Këto vështirësi teknike më të larta në poligonalin se në megalitikun dhe të kapërxyera në mënyrën më të mirë, mund të zbulojnë një finesë ekzekutimi që shpjegohet vetëm në se gjykohet se poligonali është i një epoke jo aq të lashtë, siç mund të mendohet në çastin e parë. Jo vetëm kaq, por nëse tipologjia dhe teknika nuk mund të na thonë me siguri se cili prej dy ndërtimeve  është më i lashtë, një motiv tjetër mund të na shtyjë të arrijmë në përfundimin se megalitiku duhet të vlerësohet i një epoke të njëllojtë me atë që i caktohet poligonalit…Në të vërtetë pothuajse tërësia e trasesë së mureve rrethuese përbëhet prej ndërtimi megalitik, ndërsa poligonali gjendet i vetëm, ose në një apo dy pjesë, gjë që mund të na shtyjë të hamendësojmë se tërësia e mureve ka qënë ndërtuar me punim megalitik dhe se vetëm në ndonjë pikë, për rrethana të veçanta, është ndjerë nevoja për të lidhur më mirë murin me punim poligonal, i cili rezulton mjaft i qëndrueshëm…

Vërtet, në kuptimin e ngushtë të fjalës, mund të hamendësohet, gjithashtu, se megalitiku në një kohë të dytë ka zëvendësuar pothuajse tërësisht poligonalin, me të cilin ishte ndërtuar fillimisht muri rrethues i qytetit

Besoj nga ky shqyrtim rrjedh se nuk mund të pohohet me siguri të plotë që poligonali i Finiqit është më i hershëm ndaj megalitikut apo anasjelltas. Prandaj mendoj se të dy tipat ndërtimorë janë të njëkohshëm mes tyre, ose pothuaj të tillë…

Megalitiku është tipi mural përgjithësisht i përdorur për pjesën lindore të akropolit të Finiqit, me mikrolitikun gjejmë të ndërtuar pjesën perëndimore të mureve rrethuese. Kjo pjesë na duket si një zgjerim i akropolit që ka ndodhur në një kohë të dytë, nga që në fakt pjesa lindore është ajo që paraqitet si më e vjetra…megalitiku është i një periudhe shumë të afërt në prejardhjen e tij nga poligonali. E përkthyer kjo në vite, besoj se nuk gaboj duke përcaktuar si periudhë bazë shek.V p.Kr…Nuk jemi në gjëndje të pohojmë me siguri se sa mikrolitiku është i mëvonshëm kundrejt megalitikut, për sa kohë shkalla e dijeve tona mbetet kjo që është tani. Megjithatë mendoj se mund të ndërfutet hapësira kohore prej një shekulli e gjysëm, por nuk mendoj se duhet të zbritet më tej koha e mureve të këtij qyteti.” [5]

Të bën përshtypje në këto pohime të Ugolinit,  jo vetëm turbullira dhe mungesa e qartësisë lidhur me kronologjinë e mureve rrethuese të Foinikes, por edhe fakti, që kur do të argumentojë kohën e ndërtimit të tyre, përdor metoda sofiste, pasi megjithëse bën fjalë për tri tipe muresh (megalitik, poligonal dhe mikrolitik), mënjanon më të hershmin, megalitikun, dhe zgjedh për krahasim poligonalin, të cilin e krahason me muret e tipit poligonal të mureve të Mikenës dhe murin paralelopiped të Athinës, të cilët u takojnë shekujve të V dhe të VI p.e.s; për të arritur në përfundimin e sforcuar se Foinike është ndërtuar në shekullin e V p.e.s.

Megjithatë ndjekim pohimin e tij sofist mbi kronologjinë dhe etninë e Foinikes:

“Edhe për të përforcuar këtë pohim timin nuk do të ndalem të bëj një numërim të gjatë dhe për më tepër të lehtë, të shembujve të mureve të tjera të ngjashme, kronologjia e të cilave sillet rreth kësaj kohe. Do të përmend, megjithatë, ndonjë prej këtyre rasteve, e domethënë si tipi i murit poligonal në Mikenë shfaqet në pjesët më të vona të murit rrethues; se e gjejmë në përdorim nga shekulli i VI deri V p.Kr; se murin me paralelopipedë e ndeshim, në Athinë, tashmë të përkryer, në gjysmën e dytë të shek.VI, siç mund të dëshmojë “cisterna pisistratiane” e Akropolit; më në fund, se mure me shoqërim të njëkohshëm të sistemit poligonal dhe atij paraleopiped ndeshim edhe më vonë se shek.VI (për shembull në Athinë, në murin rrethues të Asklepieon, që është ndoshta i viteve të fundit të shek.VI, apo viteve të para të shek.V p.Kr.)…” [6]

Ndërkohë që S.Islami kur flet për qytetet ilire, të cilat kanë një shkallëzim kohor të ndërtimit, me dy dhe tri rradhë muresh fortifikuese, duke filluar i pari nga akropoli, si Lisi, Zgërdheshi, etj (pavarësisht se Foiniken nuk e përmend), i vendos ato në kohë të ndryshme; nga prehistoria deri në antikitetin e vonë, me një diferencë fillim e krye të jetës së tyre gati 1000 vjeçare.Me këtë, indirekt ai  ka kritikuar lehtazi Ugolinin, pasi e së njëjtës natyrë është edhe  Foinikja, se edhe ky fortifikim përbëhej nga tri rradhë muresh rrethuese, ku ato megalitikë i  takojnë akropolit, pjesës më të lashtë të këtij fortifikimi.

Krahasimi që bën Ugolini me muret e Mikenës dhe të Athinës, jo vetëm është pa vend por edhe i gabuar; pasi dihet se akropolet e Mikenës dhe Athinës nuk janë ndërtuar në shekujt e VI dhe të V p.e.s. Muret e tipit megalitikë Mikena i ka të shekujve XV-XIII p.e.s. Ndërsa Athina mund t’i ketë edhe më të hershme. Por ai qëllimisht zgjedh muret poligonalë të tyre, të cilat, siç duket, janë identifikuar si të shekujve të V dhe të VI p.e.s. Në këtë rast, muret megalitikë të Foinikes duhej të krahasoheshin me muret megalitikë të Mikenës, Athinës, por edhe të Tirintit, për të bërë një krahasim të denjë moralisht dhe profesionalisht.

Kujtojmë këtu se akropoli i Foinikes, siç pohojnë shkrimtarët antikë,  ka qënë shtatë herë më i madh se akropoli i Athinës. Si ka mundësi?!!! Vetëm nga ky fakt, përjashtuar gjithë të tjerët, a mund të themi, siç thotë Ugolini, se Foinikja është themeluar në shek.V p.e.s?!!!

Por jo vetëm kaq, ai e quan Foiniken një qytet grek dhe ndërtimin e mureve të saj si pjesë e qytetërimit grek të shekujve të VI dhe të V p.e.s. Dhe, për këtë, në mënyrë sofiste, përmend pohimin e Polibit, që e quan Foiniken qytet të Epirit, pasi  Epiri për Ugolinin është grek. Ndërkohë që vetë Polibi, i cili fare mirë mund ta quante Foiniken qytet grek, nuk e quan si të tillë. Në këtë kuptim nuk është rastësi që ai nuk përdor emrin Foinike për këtë ndërtim madhështor, por përdor emrin e një fshati vllaho-grek që ndodhet në rrëzë të mureve të tij, Finiqit; megjithëse e di shumë mirë se ky fortifikim prehistorik quhej nga shkrimtarët antikë, Foinike, gjë që e pohon edhe vet:

“Literatura na flet për një qytet të Epirit, të emërtuar Foinike, i cili, besoj unë, nuk mund të identifikohet tjetër veçse me rrënojat që unë kam parë në Finiq…Njoftimet për zbulimet arkeologjike që unë kam paraqitur tashmë tregojnë realisht se ky mund të ishte qyteti i Epirit mjaft i fortifikuar, për të cilin na flet Polibi. Straboni thotë qartë se qyteti i Fenikes ishte i vendosur pak në brendësi dhe në veri të Buthrotum…Prokopi na jep një përshkrim të mirë të qytetit dhe të akropolit të emërtuar Fenike.” [7]

Megjithatë ndjekim pohimin e tij sofist mbi etninë e Foinikes:       

“Duke kujtuar këta shembuj, unë e kam gjykuar me vend të mos dalë nga bota greke, apo paragreke, pasi kjo është më e afërt me lokalitetin, epokën dhe qytetërimin në tërësinë arkeologjike, që jam duke trajtuar. Unë në të vërtetë e vlerësoj këtë qytet si një qytet të qytetërimit grek, përveçse prej rrënojave arkeologjike që kam parë mbi sipërfaqe të tokës, edhe prej dëshmisë së Polibit (II, 5, 8). Ky na thotë qartë se Feniki ishte një qytet i Epirit.” [8]

 Nuk është rastësi, që në vitin 2008, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në botimin e saj “Historia e Qytetërimit Shqiptar”, u përmbahet   pikë përpikë ideve të Ugolinit për Foiniken, madje duke u hequr më katolik se papa, pasi e quajnë atë koloni helene[9]; por përtej kësaj, çuditërisht, edhe ata, ashtu si Ugolini, nuk e quajnë Foinike, por Finiq, me emrin e një fshati vllaho-grek që ndodhet në rrëzë të mureve të saj gjigande.   

Identifikimi i Epirit si një territor helen është një gafë e rëndë e këtij arkeologu të shquar, në mos qoftë e qëllimtë, pasi ai, nuk mendoj se nuk ka dijeni për atë që kanë thënë shkrimtarët antikë grekë për Epirin, të cilin asnjëherë nuk e kanë quajtur helen apo grek, por gjithmonë e kanë quajtur atë të banuar nga barbarët.

Foiniken, Polibi (II, 11, 7) e ka quajtur: qyteti më i pasur, më i fuqishmi dhe më i fortifikuari i Epirit.[10] Por ai nuk thotë, qyteti më i fuqishëm dhe më i fortifikuar i Helladës, por i Epirit, duke bërë një dallim të qartë midis Helladës dhe Epirit. Polibi në një nga librat e tij, kur flet për sulmin e ilirëve të Teutës ndaj Foinikes, nuk e quan atë koloni helene, dhe, për më tepër nuk i zë ngoje ata, megjithëse ai vetë ishte grek. Ai banorët e Foinikes, por edhe të gjithë banorëve përreth deri në Antigone, i quan thjesht epirotë.

 Ndjekim Polibin: “…Megjithatë, kur kjo flotë (flota ilire) qëndroi në Foinike në Epir, ata zbritën për të marrë furnizime. Atje ndeshën me disa ushtarë Galë, rreth tetëqind sosh, të vendosur (si garnizon mbrojtës) në Foinike, duke qënë në pagesë të epirotëve. Këta kontraktuan me ta, që ata të tradhëtonin e lëshonin vendin në duart e tyre. Pasi kishin bërë këtë pazar, zbritën nga anijet e morën qytetin dhe gjithshka në të me goditjen e parë. Kur ky lajm u bë i ditur, epirotasit bënë një rekrutim të përgjithshëm dhe erdhën me nxitim për t’i shpëtuar…”.[11]

Tani, në sqarim të lexuesit, lidhur me vendqëndrimin e Kronit, babait të Zeusit, mjaft autorë, por edhe Pilika i ynë, tregojnë trojet e Epirit pellazg, apo dy pjesë, Dodonën dhe rrethinat deri në bregdet. Madje thuhet se stanet e Kronit kanë qënë në Palavli, në Delvinën e sotme. Aty ku ndodhet edhe një nga fortifikimet pellazgjike nga më të stërlashtat, Foinikja. Dhe, po t’i referohemi toponimisë, aty ndodhet edhe një katund me emrin Krongji, pra vendi i Kronit. Madje, madje, edhe ‘Rheas Kolpos’, shtatzanë me Zeusin, lindjen e ka realizuar aty, në stanet e burrit dhe jo në pallatin mbretëror në Dodonë.

Kështu sipas legjendave Rea nuk e lindi të birin në Dodonë,  nga frika se mos e hante Kroni, pasi fatthënat kishin parashikuar që i biri do t’i merrte pushtetin, por në stanet e Palavlisë (fshat në Sarandën e sotme) në Foiniken e lashtë: “…Zeusi…u lind jo në Dodonë, në pallatet e t’et, Kronit, por në Palavli, ku qe një stan i Kronit. Prej andej u aratis nëpërmjet Onhezmit dhe u dërgua në Kretë, ku u rrit dhe mbretëroi në Epir dhe Thesali, e në gjithë Greqinë…”[12]

Gurë ciklopikë 20-30 tonësh. Foinike.

 Lidhur me këtë legjendë At Shtjefën Gjeçovi tek “Hylli i Dritës” shkruan:

“…e ndër hyjni të panjehuna, po i përmendi nja disa të cilave s’ua shkulë rraja nëne prej tokës shqyptare…Për nder të Kronit shqyptarët (Kaonët) ngrehen nji kështiel në majë të Gurit të Kuq, i cili gjëndet në fushë t’Finikut ku u gjet edhe qytet i Kronit. Sot n’at vend asht fshati Krongji, në rrethinë të Delvinës. Përmbi fshat Krongji gjënden gërmadhat e montueme të kohës së pellazgëve.

Zoti (Zeusi) pra, mbas gojdhanave epirote, nuk u lind në Dodonë në Pallat të Kronit, por në Palavli të Delvinës, ku ishin të banat (stanet) e Kronit, e prej këtu u dërgue në Butrint me lundër e në Kretë…shumë fshatna të Kretës kanë emnat e Toskënisë: Selinon, Selija e Delvinës; Svaqja, Sfaka e Gjirokastrës etj…le ta marr vesh bota se hyjnitë, mënyrat dhe sjelljet e besimtarëve, si grekët dhe latinët e vjetër i patën prej etënve t’onë Pellazgjve…”[13]

Ugolini në përshkrimet e udhëtimit që ka bërë nëpër Shqipëri në vitin 1924 kur flet për Palavlinë dhe Kamenicën pohon: “Nga ana arkeologjike, ashtu si më pohuan edhe vendasit e rrethinave, vërejta se kishte mjaft gjëra interesante. Rrënojat shtrihen pak minuta rrugë nga Palavlija, që në greqisht do të thotë “pallat mbretëror i lashtë”. Por me gjithë këtë nuk më rastisi të ndesh gjurmë muresh qoftë shumë të lashta, qoftë të epokës klasike.” [14]

Pohimi i Ugolinit në lidhje me Palavlinë na jep një informatë interesante, ku emërtimi Palavli do të thotë   “pallat mbretëror i lashtë”, gjë që indirekt vërteton mitin apo legjendën të përmendur nga At Shtjefën Gjeçovi dhe Pilika, se në Palavli kanë qënë stanet  e Kronit, pra pallatet mbretërorë. Por po të shikojmë vetë fjalën Palavli, në përbërje të saj kemi pjesën ‘avli’, që në shqip njihet ‘avlli’, oborr apo pjesë e një pallati, trualli i tij. Çuditërisht kjo fjalë, sipas Zaharia Majanit, gjëndet edhe në etruskisht me të njëjtin kuptim si në shqip. Por ajo ndodhet edhe në turqisht, po me të njëjtin kuptim. Për rrjedhojë mbetja e kësaj fjale në greqisht, turqisht, shqip dhe etruskisht, nuk bën gjë tjetër, veçse vërteton se ajo është një fjalë e lashtë  e mbetur deri në ditët e sotme si një një pasardhëse “fosile” e fjalës në gjuhën pellazge. Të gjitha këto vërtetojnë faktin se kemi të bëjmë me një fjalë të lashtë pellazge, e cila në rastin tonë në greqisht, siç e thamë edhe më lart, tregon pallatet mbretërore të Kronit. 

Por në vërtetim të legjendës, ashtu siç pohon Shtjefën Gjeçovi, na vjen edhe emërtimi i fshatit Krongji, pra vend i Kronit.  Gjithashtu, në këtë zonë ndodhet edhe një fshat tjetër, i cili, çuditërisht quhet Krane, pra vendbanim i Kronit.

Në vërtetim të legjendës, por edhe të lashtësisë së Foinikes ka folur edhe E.Zhakes, i cili sjell fakte kuptimplotë dhe të pakundërshtueshëm, të cilat indirekt hedhin poshtë përcaktimin kronologjik të saj prej Ugolinit:

“Në vitin 1926 në Foinike janë gjetur dy çekanë ose koka sopatash prej guri-stralli të Kohës së Gurit…Arkeologët, poshtë shtresës romake, gjetën Epigrafe ose Mbishkrime, monedha, qeramikë. Ishte hera e parë që në Shqipëri zbuloheshin dëshmi të një qytetërimi të tillë të lashtë. Akropoli ishte më i madhi në botën antike- shtatë herë më i madh se ai i Athinës…Arkeologët mendojnë se ai kishte tre mure rrethues. Polibi: Thoshte se Foinike ishte qyteti më i pasur, më i fuqishëm dhe më i fortifikuar i Epirit.”[15]

Mure si këto të Foinikes  arkeologët, por edhe historianët i kanë quajtur, mure ciklopikë. Me këtë nënkuptohet që ato janë ndërtuar nga ciklopët. Legjendat, siç kemi treguar edhe në kapitujt e mëparshëm të këtij libri, i evidentojnë ciklopët në Epir dhe në Siçili, por edhe në Liki. Tani a i kanë ndërtuar ciklopët muret e Foinikes apo jo, këtë nuk mund ta dimë. Por legjenda na thotë se Kroni, pallatet i kishte në Dodonë, ndërsa stanet në Palavli të Foinikes. Madje, në të mirë të kësaj teze na vjen edhe emri i fshatit Krongji, i cili ndodhet në rrëzë të mureve ciklopike të Foinikes.  Gjithashtu legjenda na thotëse muret e Tirintit i ndërtuan ciklopët e ardhur nga Likia.

 Ky fakt e bën legjendën më të besueshme, pasi në Dodonën dimërkeqe të Homerit, nuk mund të dimërojnë bagëtitë, dhe, vendi më i përshtatshëm janë fushat bregdetare të Foinikes, prandaj aty janë ngritur edhe stanet dimërore. Gjithashtu, dimë se ciklopët punësoheshin për ndërtimin e kalave.

 Por përdorimi i miteve dhe legjendave për saktësimin e kohës së themelimit të Foinikes kundërshtohet nga Ugolini. Ai nuk mund ta gëlltiste faktin që Foinike ishte me një histori më të lavdishme dhe më të lashtë se vetë Roma : “Apiani rrëfen një legjendë, sipas së cilës Kelti, Iliri dhe Gali ishin tre vëllezër, bijtë e ciklopit Polifem…po për shkak të babait Polifem, do të mund të gjykohej si i mbështetur besimi i përgjithshëm popullor – i pranuar edhe ngandonjë studiues i vjetër – që ia cakton ciklopëve ndërtimin e një lloji të tillë muresh të përhapur aty këtu nëpër Shqipëri. Nuk beoj se është rasti për t’u ndalur gjatë mbi këtë supozim, pasi kuptohet lehtë se gjendemi në një fushë tepër mitike dhe poetike, sa ajo mund të merret seriozisht.” [16]

Por çuditërisht, kur do të vërtetojë idetë e tij nacionaliste mbi sjelljen e kulturës dhe qytetërimit në Iliri nga Roma, Ugolini u referohet legjendave, mbi bazën e të cilave, sipas tij, vërtetohen faktet historike. Pra një përdorim i dyfishtë i miteve dhe legjendave. Ndjekim pohimin e Ugolinit:

“Edhe legjendat e lashta, të mbledhura herë nga poetë e herë edhe nga historianë të epokës klasike, sjellin një kontribut pohues për pikëpamjen e historianëve modernë.” [17]           

Muret prehistorik, pellazgjikë të Foinikes së lashtë.

Pra, edhe ne, mund të themi me plot gojën se legjendat për Foiniken, sjellin një kontribut pohues për mendimin tonë se Foinike ka një moshë, të paktën tre-katërmijë vjeçare. Gojëdhënat tregojnë se muret e Tirintit i ndërtuan ciklopët e punësuar nga Likia!!! Atëhere, pse Kroni, të mos punësonte ciklopët për të ndërtuar kalanë e Foinikes, ku të vendoste garnizonin e vet, për të mbrojtur bagëtinë nga grabitjet dhe rrëmbimet e fiseve përrreth. Po a ka pasur rrëmbime të bagëtisë atëhere? Legjendat, përsëri na vijnë në ndihmë: Herkuli rrëmbeu bagëtitë e mbretit legjendar të Thesprotisë, Geronit. Ja edhe fakti.

Tani për të mësuar vjetërsinë e mureve të kalasë së Foinikes, nuk duhet të nisemi nga ato që thonë arkeologët, dhe, për më tepër, të tillë si Hamondi, apo edhe vetë Ugolini. Por duhet t’u drejtohemi historianëve, për të na gjetur kohën kur Kroni e ka ngritur këtë kala. Mund të thonë, që në këtë mënyrë, lashtësia mund të rritet në mënyrë progresive. Përsëri legjendat na ndihmojnë; sipas tyre muret e Trojës i ndërtoi Aiaku, Poseidoni dhe Apolloni. Nëqoftëse do të mësojmë se kur Aiaku shkoi si murator në Trojë; me siguri do të mësojmë edhe se kur është ngritur kalaja e Foinikes. Por jo në shekullin e IV p.e.s, siç na thotë Ugolini, por as edhe në shekullin e XIV p.e.s, por, ndoshta, shumë e shumë më herët. Për këtë, mbase duhet pyetur vetë Kroni, kur i ka ndërtuar!

Besnik Imeri  (marrë nga libri  “Epiri Pellazgjik”)

_______________________________


[1] Aleks Trushaj, Kaonia e Kaonët në prehistori dhe antikitet,Bot.Europrint-2007,f,8,11,13,40

[2] Gjerak Karaiskaj, 5000 vjet fortifikime ne Shqiperi, Bot. “8 Nëntori”-1980, faqe 60-61

[3] Luigi M.Ugolini, “Shqipëria e Lashtë” (Gjurmime Arkeologjike); “Albania Antica”,Vol.I, (Ricerche Archeologiche), S.E.A.I Roma-Milano,1927; Bot.Shqip.Migjeni, Përkth.Qemal Velia, red.Neritan Ceka, Tiranë-2009, f. 145

[4] Luigi M.Ugolini, “Shqipëria e Lashtë” (Gjurmime Arkeologjike); “Albania Antica”,Vol.I, (Ricerche Archeologiche), S.E.A.I Roma-Milano,1927; Bot.Shqip.Migjeni, Përkth.Qemal Velia, red.Neritan Ceka, Tiranë-2009, f. 148-149

[5] Luigi M.Ugolini, “Shqipëria e Lashtë” (Gjurmime Arkeologjike); “Albania Antica”,Vol.I, (Ricerche Archeologiche), S.E.A.I Roma-Milano,1927; Bot.Shqip.Migjeni, Përkth.Qemal Velia, red.Neritan Ceka, Tiranë-2009, f. 150-153

[6] Luigi M.Ugolini, “Shqipëria e Lashtë” (Gjurmime Arkeologjike); “Albania Antica”,Vol.I, (Ricerche Archeologiche), S.E.A.I Roma-Milano,1927; Bot.Shqip.Migjeni, Përkth.Qemal Velia, red.Neritan Ceka, Tiranë-2009, f. 155

[7] Luigi M.Ugolini, “Shqipëria e Lashtë” (Gjurmime Arkeologjike); “Albania Antica”,Vol.I, (Ricerche Archeologiche), S.E.A.I Roma-Milano,1927; Bot.Shqip.Migjeni, Përkth.Qemal Velia, red.Neritan Ceka, Tiranë-2009, f. 153

[8] Luigi M.Ugolini, “Shqipëria e Lashtë” (Gjurmime Arkeologjike); “Albania Antica”,Vol.I, (Ricerche Archeologiche), S.E.A.I Roma-Milano,1927; Bot.Shqip.Migjeni, Përkth.Qemal Velia, red.Neritan Ceka, Tiranë-2009, f. 155

[9] Kristo Frashëri, “Historia e qytetërimit shqiptar”, Bot.AKAD-SHKENC-SHQIP-2008, f. 20

[10] Aleks Trushaj, Kaonia dhe Kaonët në prehistori dhe antikitet, Bot.Europrint-2007, f, 106

[11] POLYBIUS, “THE RISE OF THE ROMAN EMPIRE”, Bot.shqip.”NGJITJA E ROMËS”, Bot. “Helga’s Sekrets”, Tiranë.-2015, f. 156

[12] Dhimitër Pilika, Pellazgët Origjina Jonë e Mohuar, Bot.ENCIKLOPEDIKE,Tiranë-2005, f,173

[13] Muhamet Bela, Gazeta “Dita”, datë 27 prill 2018.

[14] Luigi M.Ugolini, “Shqipëria e Lashtë” (Gjurmime Arkeologjike); “Albania Antica”,Vol.I, (Ricerche Archeologiche), S.E.A.I Roma-Milano,1927; Bot.Shqip.Migjeni, Përkth.Qemal Velia, red.Neritan Ceka, Tiranë-2009, f. 157

[15] Edvin Jasques, “Shqiptarët”, Bot.”Kartë e Pendë”, Fon.Abraham Linkoln,Tiranë-1996, Përkth.Ang.Edi Seferi, f. 27

[16] Luigi M.Ugolini, “Shqipëria e Lashtë” (Gjurmime Arkeologjike); “Albania Antica”,Vol.I, (Ricerche Archeologiche), S.E.A.I Roma-Milano,1927; Bot.Shqip.Migjeni, Përkth.Qemal Velia, red.Neritan Ceka, Tiranë-2009, f. 153

[17] Luigi M.Ugolini, “Shqipëria e Lashtë” (Gjurmime Arkeologjike); “Albania Antica”,Vol.I, (Ricerche Archeologiche), S.E.A.I Roma-Milano,1927; Bot.Shqip.Migjeni, Përkth.Qemal Velia, red.Neritan Ceka, Tiranë-2009, f. 191

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura