FORMIMI I ORGANIZATËS ILEGALE “KOMITETI NACIONAL-DEMOKRATIKE SHQIPTARE” NË KOSOVË, 1943
Nga Prof.dr. Sabile Keçmezi Basha, Prishtinë 22 shtator 2021
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe zhgënjimit të thellë të një numri të madh të luftëtarëve shqiptar në Kosovë të cilët kishin luftuar për çlirimin e tokave të pushtuara shqiptare dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë, dhe pas shuarjes me gjak të kryengritjes së këtyre luftëtarëve dhe duke mos u pajtuar me ripushtimin e tokave shqiptare në ish-Jugosllavi, që më parë, patriotët intelektualë e luftëtarë shqiptarë i hynë punës për formimin e organizatës politiko-ushtarake, të quajtur “Komiteti Nacional Demokratik Shqiptarë”[1], e cila do të marri përsipër barrën e rëndë, çështjen shqiptare, të mbetur nën Jugosllavi. Menjëherë pas formimit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit (1943), po ashtu nga patriotët shqiptar u formua edhe organizata “Komiteti Nacional Demokratik Shqiptar”, duke i dhënë emrin e atyre organizatave përparimtare, të cilat gjatë vitit 1923-1924 kishin luftuar kundër organizatës Zogiste në Shqipëri, që në këtë mënyrë vetveten para popullit ta paraqesin, si demokrat të drejt dhe të vërtet, qëllimi i të cilëve është rregullimi demokratik i Kosovës në kuadër të Shqipërisë[2].Themeluesit e organizatës ishin patriotët e njohur si Halim Spahija[3], Selman Riza, Hasan beg Kryeziu dhe Hasan Rema, duke i parë rrjedhat politiko-ushtarake në Ballkan dhe më gjerë, ri shtruan çështjen se nga duhet të shkojë lëvizja politike në Kosovë. Situata politike në vend nuk ishte e favorshme për Kosovën dhe shqiptaret në përgjithësi.
-Kuvendi i parë i organizatës “Komiteti Nacional Demokratik Shqiptarë” (KNDSH)
Takimi i parë për themelimin e organizatës ilegale “Komiteti Nacional Demokratik” u mbajt më 27 nëntor 1943, në shtëpinë e Hasan Beg Kryeziut në Gjakovë. Në këtë takim do të marrin pjesë: Halim Spahija, Selman Riza, Hasan Rema, Sokol Dobroshi, Ejup Binaku, Rexhë Meta, Haki Taha[4] etj dhe tre oficerë anglezë. Gjithashtu në takim do të jenë të pranishëm edhe disa qytetar të tjerë që kishin ardhur enkas për të kuptuar se çfarë donin anglezët në Gjakovë[5]. Në takim kryesisht u debatua se çka duhej të bëjnë shqiptarët pas kapitullimit të Italisë fashiste më 1943 dhe pas fillimit të humbjeve në frontet e Wehrmachti-t gjerman. Aty do të bëhet fjalë edhe për çështjen e interesave gjeostrategjike të Fuqive të Boshtit për Ballkanin, si dhe do të përcaktohet taktika e luftës që duhet të ndjekin shqiptarët e Kosovës për të mbetur me Shqipërinë. Për të kryer këtë mision, Tubimi merr qëndrim se kush duhet të ishte bartës i luftës për realizimin e zgjidhjes së çështjes së Kosovës[6]. Veçantë u theksua se Ballistët[7], Legalistët[8] dhe “Lidhja e Dytë e Prizrenit”[9] në një mënyrë ishin të lidhura me Fuqitë e Boshtit që po e humbnin luftën – insistonin oficerët anglezë. Dhe, si humbës te luftës, “nuk do të pyeten për asgjë”- theksonin me ngulm ata. Prandaj, që të realizohet ideja për bashkimin e Kosovës me Shqipëri, – ju shqiptarët duhej vepruar ndaras: kundër gjermanëve dhe kundër rusëve, por pro anglezëve- ngulnin këmbë oficerët anglezë[10]. Me propozimin e atdhetarit Selman Riza organizata do të marr përsipër bashkimin e Kosovës me Shqipërinë e që do të mbështetej nga demokracia anglo- amerikane dhe do të quhej fillimisht “Irredanta”[11] e cila më vonë u emërua “Komiteti Nacional Demokratik Shqiptarë”. Detyrat primare të organizatës u theksua që të jenë në dy rrafshe: Në rrafshin politik, organizata do të drejtohej nga Komiteti Qendror i NDSH-es, dhe këtë komitet derisa të mbahet Kuvendi i Përgjithshëm, do ta kryesoj Halim Spahija, Selman Riza dhe Hasan Rema[12]. Ndërkaq në rrafshin ushtarak do të drejtohej nga Ejup Binaku, të cilin e autorizuan që të strukturohej me kuadro të shkolluara në akademitë ushtarake, duke themeluar në fillim çeta të armatosura, me qëllimin e vetëm që të ndihmohet irredenta politike shqiptare në Kosovë[13]. Ndërsa Selma Riza u angazhua që të veproj në teren me inteligjencën shqiptare.
Për të vepruar dhe organizuar mbrojtjen territoriale të Kosovës, paraqitej nevoja që organizata të ketë edhe fonde financiare. Për këtë nga grupi nismëtar u caktua Hasan Rema. Pas një kohe të shkurtër në radhët e KNDSH, u anëtarësuan shumë intelektual, ushtarak, fshatar të pasur dhe qytetar të zakonshëm nga ana e Dukagjinit. Kontribut të jashtëzakonshëm në radhët e organizatë dhanë intelektualët: Sokol Dobroshi dhe Sadik Tafarshiku, Emrush Miftari, Qazim Bajraktari i Ostrazubit. Me inkuadrimin e Tahir Dedës, komiteti do të marri jehonë në anën e Rahovecit, Dragashit, Suharekës dhe në shumë lokalitete të tjera.[14]
-Kuvendi i Dytë i Komitetit Nacional Demokratik Shqiptarë (KNDSH)
Pas një aktiviteti të dendur të Komitetit, në fund të shkurtit (26.II.1944), në Rogovë të Hasit, në shtëpinë e Danë Dobroshit (babai i Sokol Dobroshit), mbahet Kuvendi i Dytë i KNDSH[15]. Për shkaqe sigurie u zgjodhe Rogova e Hasit dhe në të morën pjesë njëmbëdhjetë përfaqësues të viseve të ndryshme të Kosovës si: Halim Spahija, Sokol Dobroshi, Sadik Tafarshiku, Hasan Rema, Shefqet Shkupi, Selman Riza, Hamdi Emini, Emrush Miftari, Rexhep Broja, Ejup Binaku dhe Tahir Deda[16]. Po nga ky kuvend Selman Riza kishte prezantuar pikat kryesore të orientimit kombëtar politik të NDSH-së:
1. Do të luftoi kundër çdo zaptuesi të huaj që ne e konsiderojmë si okupator;
2. Lufta kundër kufijve të vjetër të Jugosllavisë të padrejtë, të bamë kundër neve shqiptarëve dhe tokave tona stërgjyshore;
3. Këto dy lufta do të bëhen krah për krah dhe jo njëra pas tjetrës[17].
Ndërsa në ditën e dytë të punimeve, me 27 shkurt 1944, në kuvend u debatua lidhur me statutin e organizatës. Po ashtu me statut u caktua që organizata të marri emrin Komiteti Nacional Demokratik Shqiptar dhe organi më i lartë i saj u vendos që të jetë Kongresi. Ai do të jetë i përberë nga përfaqësuesit e të gjitha krahinave të okupuara shqiptare, dhe në kongres do të zgjidhej kryetari dhe dhjetë anëtar të tjerë të cilët do të drejtojnë resorët përkatës. Komiteti do të zhvilloj veprimtari veç në territoret e robëruara, ai do të veproj edhe nëpër rrethe, komuna, dhe fshatra. Ose siç do e shohim më vonë, do të organizohej në komitete të rretheve, të komunave dhe të fshatrave[18].
Në Kuvend u vendos që anëtarët e organizatës për të pasur siguri më të madhe dhe të mos zbulohen nga organet e ndjekjes, të vepronin me pseudonime. U kërkua që të mbahet evidencë e saktë për të hyrat dhe të dalat financiare nga Komiteti. Gjithashtu u vendos që organi i Komitetit të quhej “Dardania”, por kjo ide nuk u realizua asnjëherë. Po ashtu në Kuvendin e dytë u ndan edhe detyrat për anëtarët e Komitetit. Ibrahim Fehmiu u caktua që të bënte organizimin në fushën e arsimit kombëtar; Tahir Deda u caktua të angazhohej në fushën e organizimit, të Komitetit me komitete e rretheve, komunave dhe fshatrave. Maliq Baliu u angazhua që të punonte për sigurimin të mjeteve për ekzistencë për të gjitha familjet e anëtarëve të komitetit me një anë dhe për ti ndihmuar patriotët që dëshironin të anëtarësohen dhe të atyre që shprehnin simpati dhe aderonin në KNDSH. Ishte vendosur gjithashtu që Tahir Deda të merrej me analizën e gjendjes në frontet e luftës, në mënyrë që ti ndihmohet Ejup Binakut[19] të veprohej sipas nevojës.
Po ashtu në këtë takim komiteti mori edhe disa vendime programore instruktive, politike dhe ushtarake. Komiteti Qendror i kishte njoftuar në fillim të vitit 1945, komitetet në terren se lëvizja do të shtrihet edhe në rajonin e Maqedonisë, ku shqiptarët janë në trojet e veta. Lëvizja atje do të drejtohet nga Komiteti i Shkupit. Por të dy komitete (Komiteti i Kosovës, me qendër në Prizren dhe Komiteti i Maqedonisë me qendër në Shkup) do të bëjnë betimin dhe do të miratojnë këtë program politiko-ushtarakë.
-Programi politik i Komitetit Nacional Demokratik Shqiptar (KNDSH)
Duhet përmendet se, edhe pas përfundimit të LDB, organizatat ilegale të cilat filluan të vepronin në Kosovë karakterizohen me programet e tyre që kryesisht kishin mbështetje në kërkesat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Organizata e cila bëri bujë dhe emër me veprimtarin e saj patriotike gjatë viteve 1945 e deri më 1956 ishte ONDSH-në[20], e cila veprimtarin e saj e shtrinte në Kosovë dhe në pjesën Lindore të Maqedonisë, duke u përcaktuar për luftë të armatosur kundër robërisë së re jugosllave dhe formimit të një shteti shqiptar me territoret e veta. Kishte një politik nacionale e demokratike pro-perëndimore, dhe kryesisht udhëhiqej nga patriot dhe intelektual të shquar si Ymer Berisha, Halim Spahiu, Selman Riza, Gjon Serreqi e shumë të tjerë. Programi i saj ishte i përbërë prej pesë pikave të cilat kryekëput përputheshin me pikat e LSHP.
Pikat kryesore të programit të kësaj organizate janë:
1. Liri dhe pavarësi të plotë me të drejtë vetëqeverimi në bazë të vullnetit të popullit të çfaqun lirisht.
2. Nën tokat shqiptare kuptohet krejt vendet ku banojnë shqiptaret në 60% pa dallim se si quhet krahina e vendi dhe nga kush asht i pushtuem.
3. Lëvizja nuk ka qëndrim armiqësor kundër asnjë populli fqinj as kundër partije politike, vetem insiston në mënyrë kulturave dhe me armë do të përpiqet mi arrijtë idealet shekullore të kombit Shqiptar qi të jetë i lirë dhe vetesundues në shtet të vet me kufij etnik.
4. Mbasi të vendosen kufijt etnik, pa marr parasysh tjerat kushte të kufijve si janë ato: strategjike, ekonomike, politike etj, në mënyrë miqësore do te shkëmbehet popullata e pakicave nacionale, tue i tërheq Shqiptaret qi do te mbetin jasht kufijve në vend të aryne qi do ti shpërngulin tue u organizue për regjim me të vërtet demokratik dhe për relacione miqësore me popujt fqi Ballkanik
5. Në kohë paqe Lëvizja nuk do të pushojë por do te vazhdojë si shërbim roje të drejtave të popullit Shqiptar, si t’atyne të jashtme, nderkombtare tue u organizue për regjim me të vërtet demokratik dhe për relacione miqësore me popujt fqi Ballkanik[21].
-“Shema organizative” e Lëvizjes për Lirimin e Tokave Shqiptare
1. Në çdo vend (qytet e katund) formohet “Komiteti i vendit për lirimin e tokave shqiptare”
2. Për koordinim pune në mes të këtyre komiteteve të vendit janë “Komitetet Epruer”
3. Komiteti Epruer mvaret nga Komiteti Qendror. Të parët janë në lidhje me komitetin Epruer e këta me Komitetin Qendror.
4. Çdo komitet formohet nga: Kryetari, Sekretari, Anëtari i parë, Anëtari i Dytë, dhe përgjegjës të ndryshëm sipas nevojës.
5. Këta i ndajnë detyrat dhe përgjegjësin si mbas nevojës e zotësisë. Drejtimin e përgjithshëm e mban kryetari, administron dhe zbaton urdhrat e Komiteteve Epruer.
6. Sekretari bashkë me dy anëtarët kanë: Shërbimin e propagandave të lajmeve, edhe si detyrë kryesore, ndërlidhjen, ashtu edhe shërbimin ekonomik dhe politik.
7. Shërbimi politik i takon kujdesia e posaçme. Për këtë çdo komitet formon një trup nën emrin “SIP” (Sigurimi politik). SIP-i e ka për detyrë mbledhjen e informative mbi personat e ndryshëm dhe heton sigurimin e mirëvajtjes së veprimtarisë së komiteteve.
8. Komitetet e vendit veprojnë në marrëveshje në mes të anëtarëve.
9. Komitetet Eprore kanë po këta persona; për nga shkaku se do të kenë më shumë punë, anëtarët do t’i ndajnë detyrat dhe në rast nevoje të formojnë seksione me referentë dhe përgjegjës”[22]
– Kuvendi i Tretë i Komitetit Nacional Demokratik Shqiptar (KNDSH)
Sipas deklaratës së Halim Spahisë, kuvendi tretë i KNDSH u mbajt në fshatin Gjinovc të Suharekës në familjen e Hoxhë Nuredinit, gjatë muajit gusht 1944. Në Kuvend ishin të pranishëm: Sylejman Riza, Qazim Bllaca, Sokol Dobroshi, Hoxhë Nuredini, Halim Spahija dhe përfaqësuesit e misionit ushtarak britanik[23]. Sipas këtyre te dhënave, Kuvendin do ta drejtojë Halim Spahija me Selman Rizën. Tubimi (Kuvendi, pra, i Tretë i KNDSH-së) ishte përcaktuar që aktiviteti i Komitetit të NDSH-së të shtrihej në rrafshin e Kosovës në të gjitha lokalitetet. Në këtë mbledhje u vendos që Qazim Bllaca të formojë një çetë në rrethin e tij dhe menjëherë të fillojnë me aksione si dhe të fillohet me grumbullimin e ndihmave për çetën e tij[24]. Aktivitetin për veprim në terren në rajonin e Gjilanit do ta marri Mulla Idriz Gjilani dhe pas një kohe, i riu Hamdi Berisha. Në rajonin e Llapit, në Mitrovicë dhe Vushtrri, në aktivitetin mbrojtës do të aktivizohen: Ibrahim Lutfiu, Jahja Fusha, Ajet Gërguri dhe Ramadan Ajvazi. Në Prishtinë do të përfitohet përmes profesor Ymer Berishës dhe Ali Sylejmani – “Drini”, profesor, i cili do të mbetet në LNDSH me tërë qenien në të gjitha etapat[25]. Ky organizim do të përfitojë në cilësi, meqë ishin lidhjet e mira me Drenicën, përmes Liman Isufit, në Kijevë përmes Bardhec Dodës, në Banjë përmes Bislim Hajrizit, në mënyrë që të mbesin lidhjet me Kabashin afër Prizrenit me Rexhep Avdylin.
-Komiteti Qendrorë i Komitetit Nacional Demokratik Shqiptar (KNDSH) në Prizren
Pas largimit të Halim Spahisë për Kukës, Komitetin e drejtonte Xhemil Fluku dhe u autorizua që të formonte nënkomitete nëpër rrethe. Në fillim nënkomitetet u formuan në Prizren, nën direktivën e Ali Rizës, ish kapiten, ndërsa komitetin e drejtonin: Xhemil Fluku, Sefedin Ahmeti, Sylejman Mallta, Sheh Hasani, Abdyl Hajrullahu dhe Sinan Hazëri[26].
Në muajin shkurt 1945, nga Tirana vjen në Prizren Rexhep Mborja, i besuar i britanikëve, përndryshe gjyqtar dhe takohet me Halim Spahin dhe Tahir Dedën[27]. Në takimin me ta, ai kërkon që ti grumbullojnë të dhënat për humbjet në Drenicë, të likuiduarit, të pushkatuarit dhe të burgosurit shqiptar, për shtëpitë e djegura, si dhe kush e vrau hoxhën, vëllanë e Hamit Luzhës. Po ashtu iu jep direktiva që edhe më tej të formohen komitetet, në rrethe, komuna dhe fshatra[28]. Pas shkuarjes së Mborjes për Shqipëri, po ashtu atje udhëtoi edhe Halim Spahija, ndërsa para udhëtimit i jep direktiva Tahir Dedës që të vazhdoi me formimin e komiteteve, e ai nga Shqipëria mori përsipër që do iu përcjell udhëzimet e detajuara për veprimtarin e mëtejshme. Dhe lidhje të tij ndërmjet tij dhe Tahir Dedës caktoi Hasan Remën[29].
Në ndërkohë nga Shqipëria prej Halim Spahisë për Tahir Dedën vijnë direktivat e para që sa më parë të formohen në të gjitha rrethet, komitete të rretheve, po ashtu këto direktiva dërgohen edhe në ato komitete tashmë të formuara. Direktivat ishin: 1. Menjëherë të formohen komitetet e qarkut, ndërsa në të gjitha rrethet komitetet komunale, si edhe ato në fshatra, nëse ajo është e mundshme; 2. Në komitetet e formuara (komunale) të caktohen persona udhëheqës për grumbullimin e drithit; 3. Secili komitet duhet të vendos lidhje me komitetin fqinjë / kjo vlen vetëm për qarqet?; 4. Korrier për lidhje dhe përcjellje të postës të caktohen personat më të shkathëtit dhe më të besueshmit. Në mungesë të tyre munden të angazhohen edhe gratë; 5.Të mos mbahet asnjë lidhje me organizatën e Drazha Muhajlloviqit; 6. Të bëhet përpjekje që numri sa më i madh i anëtarëve të organizatës të përfshihen në pushtetin popullor dhe institucionet tjera; 7. Pas formimit të komitetit Qendror, do të merrni udhëzime dhe direktiva për veprimtarin e secilit komitet të qarkut; 8. Nuk duhet të ndërmerren kurrfarë incidentesh, të cilat do të shkonin në dëm të kombit shqiptar; 9. Të grumbullohet sa më shumë armatim, e njëjta të ruhet mirë, ndërsa armatimin që e posedojmë të mos dorëzohet me çmim të jetës; 10. Në komitete të pranohen njerëzit më të besueshëm dhe qind për qind të sigurt; 11. Rregullisht ti dorëzohen Tahir Dedës, raportet nëpër mjet korrierit special ose personit nga komiteti për situatën dhe rezultatet[30].
Menjëherë pas marrjes së direktivave formohet “Komiteti Nacional Demokratik Shqiptarë”, dhe posa u formua komiteti, lëshoi direktivat e saja nën emrin “Instrukcionet kryesore” të KNDSH-së[31]:
-“Instruksionet kryesore” të Komitetit Qendror të KNDSH-es[32]
Dokumenti kryesor i KQ të NDSH-es, padyshim se ishte “Instruksionet kryesore”, i cili u shpërnda në të gjitha komitete e formuara të NDSH-es. Dokumenti kishte tri pika kryesore dhe disa nënpika të cilat ishin:
I. Ishte mbledhja e të gjitha shënimeve të vrarëve në të gjitha rrethet me komuna dhe katunde, emnin dhe biemërin, nga është personi dhe çfarë moshe kishte.
II. Ilegalistat kishin marr për detyrë që të formonin një Këshillë të ngushtë prej 6-7 vetave të cilët do të ngarkoheshin me detyra që duhet dhe mund ti kryejnë.
III. Duhet të përgatisin dhe të pranonin parulla si prej Qendrave të Komunave po ashtu edhe prej fshatrave për çdo ngjarje që ka ndodhë, dhe me këto informata duhet filluar menjëherë dhe anasjelltas.
a) Asnjë detyrë apo aksion nuk duhet të bëhet nga ana e anëtarëve që veprojnë në fshatë pa dijen e anëtarëve të komitetit të komunës, se ky komitet më parë duhet vu në dijeni qendrën për të dhënë pëlqimin.
b) Kurrfarë lëvizje nuk guxon të bëhet pa urdhëratë e marruna prej qendrës së rrethit, ku qendra e rrethit vazhdimisht ka me qenë në lidhje me lëvizjen që ndodhet jashtë, gjithashtu lëvizja që vepron jashtë nuk guxon të ndërmarr ndonjë aksion, por duhet të rrijë e gatshme dhe në pritje.
c) Lajmet dhe çdo gjë tjetër duhet të vihen në dijeni në Qendrën e rrethit, në qoftëse ky qëndrim nuk mund të kryhet nga burrat për hir të situatës së krijuar, duhet angazhuar edhe gratë të cilat janë anëtare të NDSH-së, apo të besueshme të lëvizjes.
ç) Çdo forcë që ndodhet jashtë, në terren duhet të jetë e mvarun prej një përgjegjësi (komandanti), ku mandej prej aty mund të jenë të ndara në Toga dhe në Çeta. Gjithashtu edhe Qendra ka me qenë e lidhur drejtpërdrejt me Komandën.
Për anëtar të Komitetit Qendror të NDSH-së u caktuan: Halim Spahija, Tahir Deda, Maliq Balia, Ibrahim Fishi, Hasan Rrustemi, Avdyl Rexhepi dhe Bahtijar Sokol Boshnjaku.[33]
-Komiteti Regjional i NDSH-së në qytetin e Prizrenit
Pas formimit të komitetit Qendror të NDSH-së, në Prizren u formua komiteti regjional i NDSH-së si dhe komitetet në qarkun e Prizrenit që kishte një anëtarësi prej 45 anëtarëve. Komiteti kryesisht në radhët e veta kishte një numër të konsideruar intelektualësh e tregtar. Anëtarët e komitetit gjatë veprimtarisë së tyre zhvilluan një aktivitet të dendur tek popullata dhe puna e tyre pati ndikim të dukshëm në rezistencën e popullit. Anëtar të komitetit ishin: Shaban Gjakova, Ahmet Zariqi, Hasan Ibrahimi, Xhemë Ragipi, Zija Xhori, Nexhmedin Fetahu, Kadri Izeti, Rahim Sadiku, Naxhi Aliu[34]
- Komiteti i Qarkut të NDSH-së në Prizren
Menjëherë pas formimit të Komitetit Qendror të KNDSH-së , anëtarët e saj menjëherë filluan të punonin në bazë të direktivave të komitetit. Edhe pse në Prizren ekzistonte komiteti, i formuar nga Ali Riza, Tahir Deda e mori përsipër dhe bëri riorganizimin e saj.
Komiteti i Qarkut të NDSH-së në Prizren e përbënin këta anëtar: Xhemil Fluku, u caktua kryetar i komitetit, Sefedin Ahmeti- ishte sekretar i komitetit, Sylejman Mallta ishte instruktor dhe arkëtar në komitet, Iljaz Sheh Hasani u caktua në fushën e propagandës, Abdyl Hajrullahu u caktua në sektorin e grumbullimit të materialeve dhe Sinan Hëzëri- anëtar[35]
– Komiteti i NDSH-së i gruas në Qarkun e Prizrenit
Në të njëjtën kohë kur u formua Komiteti i Prizrenit, me direktivën e Sali Zhurit formohet edhe Komiteti i femrave në Prizren[36] në fillim të vitit 1945[37]. Sali Zhuri gjatë kësaj periudhe e angazhon motrën e vet – Nesibe Zhurin që të formoi komitetin e grave në Prizren, ndërsa më vonë Nesibja merr direktiva të reja nga Tahir Deda si të veprohet me organizatën. Pas një kohe bëhet riorganizimi i komitetit duke u plotësua me anëtare të reja.
Në një mbledhje të komitetit propozohen anëtarët e reja për kryesia e re. Në kryesin e komitetit hynë: Nesibe Zhuri – kryetare, Luçia Bashota, Xhuliana Mateja, Roza Mjeda, Maura Shmani (italiane), Mrika Gjoka, Cecilia Krasniqi, Mane shyti dhe Roza Cukiqi-Ndreki[38]. Në organizimin e mëtejëm të komitetit njihej edhe me emrin “Komiteti i luleve” dhe kryesisht merrej me organizimin me gratë. Në punën e tyre treguan suksese të lakmueshme se në radhët e komitete u angazhuan shumë gra si nga qyteti njashtu edhe nga fshatrat për rreth.
-Komiteti Nacional Demokratik i Rrethit në Rahovec
Komitetin e Rahovecit e formoi Imer Berisha nëpër mjet Ramadan Kajtazit nga fshati Kijevë. Pas një kohe formohet edhe komiteti Qendror i KNDSH-së, që komitetet e përmendura përfshiheshin nën udhëheqjen e saj dhe arritën edhe të riorganizoheshin[39].Në të njëjtën periudhë kur u formuan komitete e rretheve të lartpërmendura, Imer Berisha bije në kontakt me Tahir Dedën, i cili njoftohet me direktivat që në Kosovë të formohen në çdo cep komitetet. Veç kësaj, Komiteti Qendror mbante lidhje të vazhdueshme me Komitetin e Rrethit në Rahovec, që për anëtarë kishin njerëzit që ishin të besueshëm dhe mbanin lidhjet me grupet në male.
Komiteti i Rahovecit ishte i përbërë nga këta anëtarë: Kadri Minushi – Vrug, Rifat Krasniqi- Sokrati, Kajtaz Ramadani, me pseudonimin “Leka”; Ahmet Dërguti- Hoj, Vahid Mustafa- Flamuri, Sheh Mujedini, pseudonimin e kishte “Jemeni”, Murat Tahiri dhe Ismail Gashi[40]. Sipas dokumenteve thuheh se ky komitet ishte më aktivi pas çlirimit. Ai mbante lidhje të përhershme me çetat e njohura të Imer berishës, Ukë Sadikut, Qazim Bajrajktarit[41] etj. Duhet përmendur se si lidhje në mes Komitetit Qendror dhe Komitetit të Rrethit të Rahovecit, ishte i angazhuar Hoxhë Maliqi, po ashtu në të ishte i angazhuar edhe Avdyl Rexhepi[42] i cili shkruante shkresa të ndryshme për Komitetin , por të cilat edhe i ruante me një kujdes të madh.
-Komiteti Nacional Demokratik i Rrethit në Suharekë
Komiteti Qendror gjatë një kohe të shkurtër nëpër mes të Tahir Dedës kishte formuar Komitetin e Rrethit edhe në Suharekë, në përbërje të të cilit ishin: Qamil Jemini, Ibrahim Abdyli, Muhamet Veseli, Sadik Peçani[43]. Katër anëtarët e lartpërmendur kishin marrë përsipër që të formonin edhe komitetet komunale edhe nëpër fshatra. Po ashtu, për të formuar komitet të rrethit në Gjilan, Ferizaj e Kaçanik, e kishte marrë përsipër Basri Sallkoviqi, por situata politike dhe arrestimi i tij ia pamundësoi formimin e këtyre komiteteve.
-Komiteti Komunal i NDSH-es në Rahovec
Anëtarë e komitetit të rrethit të Rahovecit pas direktivave që morën për formimin e Komiteteve Komunale, u angazhuan që në Rahovec të formojnë edhe komitetin komunal e NDSH-së në Rahovec. Anëtarët e komitetit të Rahovecit ishin: Destan Pishtiqi, Ahmet Aga, Xhafer Vuçiterna, Kadri Haxhihamza, Vehbi Haxhijaha, Vesel Dërguti, Mustafa Kafexhiu, Hazir Kafexhiu, Destan Haxhi Ymeri, Ibrahim Imeri, Destan Vuçiterna, Qerim Sokoli, Ramadan Shati, Qerim Rexha, Idriz Dërguti dhe Zylfikar Mehu[44]. Aktiviteti kryesor i këtij komiteti ka qenë grumbullimi i ndihmave vullnetare për qetat në teren.
Komitetietet komunal të NDSH-së u formuan si: Në Carallukë, në Banjë, në Astrazub, në Kievë, në Drenicë, në Dollc, në Bellacërkë dhe në Mamushë. Gati-gati të gjithë anëtarët e komiteteve komunale u arrestuan dhe u dënuan me vite të shumta burgu. Veprimtaria e këtyre komiteteve është e ngjajshme me veprimtarin e komiteteve të qarqve ngase komitetet e qarqve nëpër mes tyre zbatonin të gjitha direktivat e dhëna nga Komiteti Qendror i NDSH-es.
-Komiteti i NDSH-së për Qarkun e Prishtinë
Komitetin e NDSH-es për Qarkun e Prishtinës e formoi Tahir Deda duke i angazhuar Ramadan Ajvazin dhe Mehmet Kumnovën. Komiteti u formua në përbërje të: Sulejman Aliu, Kryetar i komitetit, Mehmet Kumnova- instruktor i komitetit, Mehmet Hafizi, sekretar i komitetit, Ajet Gërguri, Shaqir Ademi, Mehmet Alia, Beqir Bajgora dhe Isuf Fetahu[45]. Gjatë veprimtarisë së vet ishte aktiv në propagandë e agjitacion dhe në mbajtjen e lidhjeve me çetat si dhe në mobilizimin e çetave të reja. Parulla kryesore e tyre ishte “Kosovë e Shqioëri”[46] dhe në popull propagandonin se do të ndihmohen nga anglezet dhe se Muharrem bajraktari ka territore të lira etj.
– Komiteti i NDSH-së në Qarkun e Ferizait
Edhe komitetin e Qarkut të NDSH-së në Ferizaj e formoi Tahir Deda dhe Basri Sallku të cilët i japin detyrë Ahmet Hasan Efendis që të formoi komitetin e Qarkut në Ferizaj dhe në kuadër të saj do të përfshihen edhe komitete e rrethit të Nerodimes, Kaçanikut dhe të Gjilanit. Fillimisht u formua një grup prej tri vetave: Ismail Maksuti, Rifat Veselin dhe Agush Bushin[47], që të gjithë njerëz me autoritet dhe të respektuar në vendin e tyre.
Gjithashtu Tahir Deda kishte bisedua edhe me Murat Ademin për formimin e komitetit të Qarkut për Podujevë[48], por deri te formimi nuk erdhi për hir se organizata në disa pjesë të Dukagjinit kishte fillua të zbulohej dhe aktiviteti i mëtejmë ishte i pamundur.
Në Qarkun e Dragashit u angazhua Kamber Nexhipi për formimin e komitetit[49], por edhe ky për hir të situatës së krijuar nuk mundi ta formonte ngase u zbulua nga organet e ndjekjes.
– Betimi i anëtarëve të KNDSH-së
Çdo anëtar i komitetit e ka pasur obligim para se të anëtarësohej në Organizatë “Komiteti Nacional Demokratik Shqiptarë” duhej të betohej para anëtarëve më të vjetër të organizatës. Betimi i organizatës kishte këtë tekst: “Betohemi në zot dhe librin e shenjtë Kuranin dhe të dërguarin e zotit, flamurin dhe armës, se do të luftojmë kundra regjimit ekzistues- kundra RPFL-së gjerë në shkatërrimin e saj dhe se nuk do të pendohemi që të japim gjithçka nga vetvetja në atë luftë, madje edhe jetën dhe se nuk do ti tradhtojmë anëtarët e komitetit, nëse dikush tradhton, le ta dijë se nga ne shqiptarët e ndershëm e pret vdekja. Rroftë Kosova në kufijtë e Shqipërisë”[50]
– Dënime drakonike për anëtarët e Komiteteve të Organizatës së “Komiteti Nacional Demokratik Shqiptar”
Menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, anëtarët dhe veprimtaria e organizatës filloi të përcillej këmba këmbës nga organet e ndjekjes. Organizata u dekonspirua dhe filluan arrestimet. Nga organet e ndjekjes u arrestuan 356 veta. Të gjithë të arrestuarve iu shqiptuan 1. 227 vjet burg dhe 38 veta u dënuan me pushkatim[51]. Edhe pse u zbuluan dhe u dënuan shumë anëtarë të organizatës, megjithatë shumica e anëtarëve mbeti e pa zbuluar dhe në vitet në vazhdim zhvilloi aktivitet të dendur ilegal në organizata të ndryshme ilegale të cilat ishin vazhdimësi e “Komitetit Nacional Demokratik Shqiptarë”, por me emra të tjerë.
______________________________
Fusnotat
[1] Ethem Çeku, Shekulli i ilegales (Proceset gjyqësore kundër ilegales në Kosovë), Dokumente, Prishtinë, 2004,29
[2] Qerim Lita, Referat për Komitetet Nacional Demokratike Shqiptare”, Prishtinë, 2009,15
[3] Halim (Shaqir) Spahia (1897 – 1946) lindi në Gjakovë. Ishte tregtar, industrialist, financier dhe mbi te gjitha një patriot. Halim Spahia ishte aktivist i Ballit Kombëtar, kryetar i “Komitetit Nacional Demokratik Shqiptarë”, kryetar i Këshillit Nacionalçlirimtar (KNÇ) të Rrethit të Prizrenit dhe anëtar i Këshillit Krahinor Nacionalçlirimtar të Kosovës. Qysh në rini u detyrua ta braktiste vendlindjen e okupuar nga serbo-malazezët dhe u vendos ne Krumë, ndërsa më vonë ai vazhdojë të jetonte dhe të vepronte në Kukës. Halim Spahia luftoi dhe u angazhua vazhdimisht me tërë qenien e tij për çështjen kombëtare, për bashkimin e Kosovës dhe të tokave të tjera shqiptare në një tersi kombëtare – Shqipërinë Etnike Demokratike , të integruar ne Botën e Lirë Perëndimore. Për këtë ai sakrifikoi me plotë vetëdije pasurinë, dijen dhe jetën e tij!. Halim Spahia si deputet i Prefekturës së Kosovës në Parlamentin Shqiptar, qe angazhuar me konsekuencë për përmirësimin e gjendjes ekonomike dhe të pozitës së fshatarësisë së Veriut, si dhe angazhuar për injorimin dhe zhdukjen e kufirit që ndante dy pjesët e kombit shqiptarë. Njëherë ai ishte edhe delegate i Gjakovës në Kuvendin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit ku dha një kontribut të veçantë. Halim Spahia në Konferencën e Këshillave Popullore të rretheve të Kosovës të zhvilluar më 19-24 mars 1945 në Prishtinë, iu kundërvu energjikisht aneksimit të Kosovës dhe të tokave të tjera shqiptare nga Jugosllavia e ANOJ-it(Këshilli anti-fashist popullorë për çlirimin e Jugosllavisë) , si dhe iu kundërvu kthimit të kolonëve serbo-malazezë ne Kosovë të cilët kishin grabitur tokat e shqiptarëve autoktonë gjatë sundimit të Mbretërisë së SKS nëpërmes të kolonizimit dhe të “Reformës agrare” dhe për këtë arriti që aty të bindë me fakte shumicën dërrmuese të delegatëve, që iu bashkëngjiten këtyre kërkesave vendosura të Halim Spahisë. Halim Spahia u gjykua nga Gjyqi Ushtarak në Procesin e Prizrenit më 27.IX.1945, dhe nga kjo gjykatë iu shqiptua dënimi me vdekje-pushkatim. U pushkatua më 16 shkurt 1946 në vendin e quajtur “Strelishte” ne Taukbahqe në Prishtinë, s bashku me Tahir Dedën, Rexhep Kabashin, Rifat Krasniqin, dhe Kajtaz Ramadanin.
[4] Nuri Bashota, Halim Spahija, personalitet i ndritur i luftës për çlirim dhe bashkim kombëtar, Prishtinë 2012, 149
[5] Sabile Keçmezi-Basha, Procesi gjyqësor i Prizrenit, 2018, 212-213
[6] Rajko Vidaqiq, Obraqun sa ballistima 1944-1952, Beograd, 1990, 74-75
[7] 0rganizata “Balli Kombëtar” u themelua në tetor 1942-ën
[8] Lëvizja e Legalitetit, u themelua më 26 dhjetor 1942 në Zall të Herrit
[9] Lidhja e Dytë e Prizrenit, e themeluar më 16.9.1943-ën
[10] ASHAK, Gjykata Popullore e Kosovës e Metohisë, Penale, Dosja: Halim Spahia me shokë, d. Deklaratë e dhënë nga Tahir Deda, anëtarë i “Komitetit Nacional Demokratik Shqiptarë”, më 6 gusht.1945, në zyrat e seksionit të OZN-ës për Kosmet, Prizren
[11]ASHAK, Gjykata Popullore e Kosovës e Metohisë, Penale, Dosja: Halim Spahia me shokë, d. Deklaratë e dhënë nga Halim Spahija, kryetar i “Komitetit Nacional Demokratik Shqiptarë”, më 29 gusht.1945, në zyrat e seksionit të OZN-ës për Kosmet, Prizren
[12] Hamdi V. Thaçi, Drenica epiqendër e Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare, Prishtinë, 2016,185
[13] Ethem Çeku, Mendimi politik i Lëvizjes Ilegale në Kosovë 1945-1981, Prishtinë, 2003,91
[14] ASHAK, Fondi Penale, d. Procesi gjyqësor i Prizrenit, Aktgjykimi i Tahir Dedës, 1946
[15] ASHAK, Gjykata Popullore e Kosovës e Metohisë, Penale, Dosja: Halim Spahia me shokë, d. Deklaratë e dhënë nga Halim Spahia, anëtarë i Komitetit Nacional Demokratik Shqiptarë: “Formimi i Komitetit të NDSH-së në Prizren”, më 29.08.1945, në zyrat e seksionit të OZN-ës për Kosmet
[16] ASHAK, Gjykata Popullore e Kosovës e Metohisë, Penale, Dosja: Halim Spahia me shokë, d. Deklaratë e plotësuar, e dhënë nga Halim Spahija, kryetar i Komitetit Nacional Demokratik Shqiptarë, më 25.07.1945, në zyrat e seksionit të OZN-ës për Kosmet, Prizren.
[17] ASHAK, Buletini i KNDSH-së, 1943
[18] ASHAK, Gjykata Popullore e Kosovës e Metohisë, Penale, Dosja: Halim Spahia me shokë, d. Deklaratë e dhënë nga Tahir Deda, anëtarë i Komitetit Nacional Demokratik Shqiptarë, më 10.07.1945, në zyrat e seksionit të OZN-ës për Kosmet, Prizren.
[19] ASHAK, Gjykata Popullore e Kosovës e Metohisë, Penale, Dosja: Halim Spahia me shokë, d. Deklaratë e dhënë nga Tahir Deda, anëtarë i Komitetit Nacional Demokratik Shqiptarë, më 24.07.1945, në zyrat e seksionit të OZN-ës për Kosmet, Prizren.
[20] Nuri Bashota, Halim Spahia, Personalitet i ndritur i luftës për çlirim dhe bashkim kombëtar, Prishtinë, 2012, 74
[21] Sabile Keçmezi-Basha, Programet politike të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare 1878-1990, Prishtinë, 2013,158-159
[22] Dokumentet të cilat u miratuan në Kongresin e IV të ONDSH-së, i cili u mbajt me 1 qershor të vitit 946 në Shkup: “Shema Organizative” dhe “Programin” e “Lëvizjes për Lirimin e Tokave Shqiptare” e kishte hartua patrioti i Gjilanit, Halim Orana,
[23]ASHAK, Gjykata Popullore e Kosovës e Metohisë, Penale, Dosja: Halim Spahia me shokë, d. Deklaratë e dhënë nga Halim Spahija, kryetar i “Komitetit Nacional Demokratik Shqiptarë”, më 13.08.1945, në zyrat e seksionit të OZN-ës për Kosmet, Prizren
[24]ASHAK, Gjykata Popullore e Kosovës e Metohisë, Penale, Dosja:Halim Spahia me shokë, d. Deklaratë e dhënë nga Halim Spahija, kryetar i “Komitetit Nacional Demokratik Shqiptarë”, më 29.08.1945, në zyrat e seksionit të OZN-ës për Kosmet, Prizren; Qerim Lita, Referat për komitete… vepër e cituar, 17
[25] Emin Fazlija, Profesor Imer Berisha, udhëheqësi dhe farkëtari i denjë i idealit kombëtar për ribashkimin e trojeve etnike shqiptare në një shtet etnik, demokratik dhe përparimtar, https://bkdsh.de.tl/prof-.–ymer-berisha-.htm ( 20 maj 2021); Emin Fazlija, Hamid Emini- Brunçaj (19.09.1909- 16.10. 1986), “Doktori i Maleve të Lira të Drenicës Dardane, Prishtinë, 2009.
[26] ASHAK, Gjykata Popullore e Kosovës e Metohisë, Penale, Dosja: Halim Spahia me shokë, d. Deklaratë e dhënë nga Tahir Deda, anëtarë i “Komitetit Nacional Demokratik Shqiptarë”, më 8 korrik.1945, në zyrat e seksionit të OZN-ës për Kosmet, Prizren
[27] ASHAK, Gjykata Popullore e Kosovës e Metohisë, Penale, Dosja: Halim Spahia me shokë, d. Deklaratë e dhënë nga Halim Spahija, anëtarë i “Komitetit Nacional Demokratik Shqiptarë”, më 13.08.1945, në zyrat e seksionit të OZN-ës për Kosmet, Prizren
[28] ASHAK, Gjykata Popullore e Kosovës e Metohisë, Penale, Dosja: Halim Spahia me shokë, d. Deklaratë e dhënë nga Tahir Deda, anëtarë i “Komitetit Nacional Demokratik Shqiptarë”, më 9 korrik 1945, në zyrat e seksionit të OZN-ës për Kosmet, Prizren.
[29] Po aty, Deklarata e Tahir Dedës dhënë në organet e hetuesisë më 4 korrik 1945, Prizren
[30] ASHAK, Gjykata Popullore e Kosovës e Metohisë, Penale, Dosja: Halim Spahia me shokë, d. Deklaratë e dhënë nga Tahir Deda, anëtarë i “Komitetit Nacional Demokratik Shqiptarë”, më 9 korrik 1945, në zyrat e seksionit të OZN-ës për Kosmet, Prizren.
[31] ASHAK. Gjykata Popullore e Kosovës e Metohisë, Penale, Dosja: Halim Spahia me shokë, d. Tahir Deda, Sasllushanje, ragjeno 9 jula 1945, u kancelariju Odelenja OZN-e za Kosmet. F.3. (ka nënshkrim të T.D)
[32]ASHAK. Gjykata Popullore e Kosovës e Metohisë, Penale, Dosja: Halim Spahia me shokë, d. Gjyqi i Krahinës Kosovës- Metohisë, Prizren, 20.IX. 1945, f. 16
[33] ASHAK, Gjykata Popullore e Kosovës e Metohisë, Penale, Dosja: Halim Spahia me shokë, d. Procesverbal, 21.09. 1945, Prizren
[34] Qerim Lita, Referat për Komitetet... vepër e cituar,24
[35] ASHAK, Gjykata e Qarkut-Prizren, Lënda: Penale, Kutia: Dosja e Xhemil Flukut, dokumenti- Hetuesia, 1945, e punuar me 2 korrik 1945, në zyrat e hetuesisë, Prizren K-99/45
[36] ASHAK, Gjykata e Qarkut-Prizren, Lënda: Penale, Kutia: Dosja e Sefedin Ahmeti, dokumenti- Hetuesia, 1945, e punuar me 27 korrik 1945, në zyrat e hetuesisë, Prizren K-99/45
[37]ASHAK, Gjykata e Qarkut-Prizren, Lënda: Penale, Kutia: Dosja e Abdullah Hajrullahut, dokumenti- Hetuesia, 1945, e punuar me 24 korrik 1945, në zyrat e hetuesisë, Prizren K-99/45
[38] ASHAK, Gjykata e Qarkut-Prizren, Lënda: Penale, Kutia: Dosja Komiteti i grave të KNDSH-së, Prizren, P.nr.17/45; Hysen Azemi, LNDSH-ja dhe Sigurimi Shtetëror serb, Vëllimi I, Prishtinë, 2013; Sabile Keçmezi-Basha, Edhe gratë shqiptare në burgjet jugosllave,, Gazeta Epoka e Re, 18 tetor 2008
[39]ASHAK. Gjykata Popullore e Kosovës e Metohisë, Penale, Dosja: Halim Spahia me shokë, d. Lica koja su bila u vezi sa komitetima ali nijesu uhapshena: Centralni Komitet; Sreski Komitet u Prizrenu; Sreski Komitet u Orahovcu; Ljudi koji su bili predlozheni po mbesne komitetet sreeza Orahovaqkog; O stvaranju Organizacije “Nacional Demokrat“ na Kosmetu; Lica koja su predata sulu; Sreski Komitet u Prizrenu; Sreski Komitet u Orahovcuë Sreski Komitet u Suvoj Reci; Zhenski Komitet u Prizrenu; Veze Komiteta, 1945, f.4.
[40]ASHAK. Gjykata Popullore e Kosovës e Metohisë, Penale, Dosja: Halim Spahia me shokë, d. Lica koja su bila u vezi sa komitetima ali nijesu uhapshena: Centralni Komitet; Sreski Komitet u Prizrenu; Sreski Komitet u Orahovcu; Ljudi koji su bili predlozheni po mesne komitetet sreza Orahovaqkog; O stvaranju Organizacije “Nacional Demokrat“ na Kosmetu; Lica koja su predata sudu; Sreski Komitet u Prizrenu; Sreski Komitet u Orahovcuë Sreski Komitet u Suvoj Reci; Zhenski Komitet u Prizrenu; Veze Komiteta, 1945, f. 2.
[41] Qerim Lita, Referati për komitetet..., vepër e cituar31
[42] ASHAK. Gjykata Popullore e Kosovës e Metohisë, Penale, Dosja: Halim Spahia me shokë, d. Lica koja su bila u vezi sa komitetima ali nijesu uhapshena: Centralni Komitet; Sreski Komitet u Prizrenu; Sreski Komitet u Orahovcu; Ljudi koji su bili predlozheni po mbesne komitetet sreeza Orahovaqkog; O stvaranju Organizacije “Nacional Demokrat“ na Kosmetu; Lica koja su predata sudu; Sreski Komitet u Prizrenu; Sreski Komitet u Orahovcuë Sreski Komitet u Suvoj Reci; Zhenski Komitet u Prizrenu; Veze Komiteta, 1945, f.2.
[43]ASHAK. Gjykata Popullore e Kosovës e Metohisë, Penale, Dosja: Halim Spahia me shokë, d. Lica koja su bila u vezi sa komitetima ali nijesu uhapshena: Centralni Komitet; Sreski Komitet u Prizrenu; Sreski Komitet u Orahovcu; Ljudi koji su bili predlozheni po mesne komiteteet sreza Orahovaqkog; O stvaranju Organizacije “Nacional Demokrat“ na Kosmetu; Lica koja su predata sudu; Sreski Komitet u Prizrenu; Sreski Komitet u Orahovcu, Sreski Komitet u Suvoj Reci; Zhenski Komitet u Prizrenu; Veze Komiteta, 1945, f.4.
[44] Sabile Keçmezi- Basha, Procesi gjyqësor i Prizrenit, Prishtinë 2018, 28
[45] Qerim Lita, Referati për komitetet... (dokumente), vepër e cituar, 38
[46] Po aty,
[47]ASHAK, Gjykata Popullore e Kosovës e Metohisë, Penale, Dosja: Halim Spahia me shokë, d. Deklaratë e Tahir Dedës, e dhënë në hetuesi me 6 gusht 1945, zyrat e OZN-së, Prizren;
[48] ASHAK, Gjykata Popullore e Kosovës e Metohisë, Penale, Dosja: Halim Spahia me shokë, d. Deklaratë e Tahir Dedës, e dhënë në hetuesi me 3 shtator 1945, zyrat e OZN-së, Prizren
[49] Po aty,
[50] ASHAK, Gjykata Popullore e Kosovës e Metohisë, Penale, Dosja: Halim Spahia me shokë, d. Procesverbal, , 21.09. 1945, Prizren; Muhamet Pirraku, Mulla Idriz Gjilani dhe Mbrojtja Kombëtare e Kosovës Lindore 1941-1951, 1995, 317
[51] Qerim Lita, Referatet e komiteteteve …vepër e cituar, 103; Sabile keçmezi- Basha, Të burgosurit politik Shqiptar në Kosovë 1945-1990, Logos-A, Shkup, Prishtinë, Tiranë, 2010, 45