NË 30 VJETORIN E MBLEDHJES SË TRETË TË PËRGJITHSHME TË LPRK-së, MË 3 – 4 TETOR 1991

NË 30 VJETORIN E MBLEDHJES SË TRETË TË PËRGJITHSHME TË LPRK-së, MË 3 – 4 TETOR 1991

Nga Ramadan Avdiu, Pashtriku 16 Nëntor 2021

Vitet 1989 dhe 1990 ishin vite shumë të bujshme në historinë e Kosovës. Ato karakterizohen me një rritje të jashtëzakonshme të rezistencës antipushtuese. Rezistencë kjo e organizuar kryesisht nga LPRK.

Paralelisht me rritjen e aktiviteteve çlirimtare, të organizuara nga Lëvizja Popullore e Republikës  së Kosovës, ngritej edhe shkalla e organizimit të saj.

Para vitit 1989 filluan të ndihen erërat e ndyrshimeve të mëdha gjeopolitike. Koncepti socialist mbi shtetin kishte dështuar dhe kishte filluar të manifestohet dominimi i liberalizmit dhe ekonomisë së tregut të lirë.

Nryshimet e mëdha ideologjike dhe gjeopolitike domosdoshmërisht imponuan edhe adaptimin në rrethana të reja dhe reformimin e organizimit të Lëvizjes klandestine në Kosovë.

LPRK dhe OMLK përkundër goditjeve sistematike nga ana e pushtuesve, kishin arritur shkallë të mirë të organizimit. LPRK në rrafshin horizontal ishte e shtrirë mirë organizativisht në Kosovë dhe viset e tjera të banuara me shqiptarë në Maqedoni, Kosovë Lindore dhe Mal të Zi.

Kurse OMLK ishte e organizuar edhe në rrafshin vertikal. Komiteti Drejtues (*) ishte struktura ku kryesisht mirreshin vendimet për tërësinë e organizimit klandestin edhe pse në masë të madhe, qoftë në komunikim mes radhëve qoftë në materialet e shkruara, kjo nuk përmendej. Të gjitha materialet nënshkruheshin me LPRK….

Kurse në kuadër të Degës së Lëvizjes jashtë Vendit ishte zgjedhur Këshllii i Përgjithshëm i LPRK-së.

 Për Lëvizjen Popullore të Republikës së Kosovës, viti 1990 ka qenë viti i sfidës së madhe. Krijoheshin parti politike legale, kishte kërkesa nga disa veprimtarë që të legalizonim veprimtarinë në njërën anë dhe kishte kërkesa për të kaluar në fazë të re të rezistencës së armatosur në anën tjetër.

Sipas analizave që ne kishim bërë, konsideronim se është e domosdoshme të ruhet struktura e organizimit klandestin sepse sikur të legalizohej veprimtaria jonë, përveç rrezikimit të disa veprimtarëve nuk do të mund të bënim asgjë më shumë se ndonjë parti apo grupim politik që krijohej. Ishin mundësi shumë të kufizuara të veprimit.

Ndërkaq, për aksione të armatosura filluam të përgatitemi në konspiracion tepër të madh. Vetëm me disa njerëz të zgjedhur të cilët ishin piketuar nga sektori ushtarak i organizatës.

Në këtë kohë një anëtar, i kooptuar në komitetin drejtues, disa muaj pas rënies heroike të Afrim Zhitisë e Fahri Fazliut dhe pas largimit nga vendi të Fadil Vatës e Bardhyl Mahmutit, kokë në vete kishte filluar të organizojë grupe gati në formë të hapur për të krijuar një Organizatë të cilën e quante Fronti i Rezistencës. Pas përpjekjeve tona për ta penguar, gjë që nuk arritëm, u detyruam të marrim masa disciplinore në mënyrë që të mos rrezikonim dhe dekonspironim organizimin e Lëvizjes.

Në këtë kohë edhe Behajdin Allaqi në masë të madhe ishte dekonspiruar. Ai kërkoi të lirohet nga Komiteti Drejtues, të mbetet i përqëndruar më shumë në Prizren dhe t‘i kufizojë lëvizjet, ngase kishte dyshime se është i përcjellur nga UDB-ja.

Menjëherë thirrëm një mbledhje konsultative në Prishtinë me përfaqsuesit e Këshillave të Rretheve dhe vendosëm të thërrasim Konferencën e dytë të Organizatës.

 Në shkurt të vitit 1991 kemi organizuar Konferencën e Dytë të organizatës. Kjo ka qenë Konferencë e jashtëzakonshme, pas gjendjes së krijuar. Është zgjedhur Komiteti Drejtues prej pesë vetave.

Në komitet janë zgjedhur:

– Xhavit Haziri,

– Ramadan Avdiu,

– Halil Selimi,

– Ismet Sylejmani dhe

– Halit Krasniqi.

Ndërkaq Sekretariatin e përbënin:

– Xhavit Haziri (sekretar politik),

– Ramadan Avdiu (sekretar organizativ) dhe

– Halil Selimi (anëtar).

Është aprovuar platforma e punës. Është potencuar se LPRK është organizatë politiko-ushtarake dhe se për realizimin e synimeve të saj ajo do të përdorë të gjitha mjetet për çlirim kombëtarë. Është marrë vendim që të vazhdohet veprimtaria në formën klandestine, ekskluzivisht në emër të LPRK-së. Është vendosur që menjëherë komiteti të fillojë punën në drejtim të përgatitjes së Mbledhjes së Tretë të Përgjithshme të LPRK-së dhe Këshilli Drejtues i LPRK-së të zgjidhet brenda vendit. Dy mbledhje të Përgjithshme të LPRK ishin mbajtur jashtë vendit.

Komiteti Drejtues krahas angazhimeve në aktivitete të përditshme çlirimtare, mennjëhere ka filluar punën e forcimit të organizimit të Lëvizjes. Terreni ishte bukur i vështirë. Në muajin korrik (1991) nga Dega jashtë vendit për të na ndihmuar për organizimin e mbledhjes vjen Emrush Xhemajli, kurse në grupin e punës për përgatitjen e mbledhjes përveç anëtarëve të KD, do caktohen edhe Ahmet Haxhiu dhe Azem Syla. Ndërkaq veprimtari Ibish Neziri do të delegohet nga Kosova si pjesmarrës në Mbledhjen e Degës jashtë vendit…

Hartuam materialet programore dhe statutare, i shpërndamë nëpër të gjitha rrethet e organizuara dhe filluam të organizojmë mbledhjet e këshillave të rretheve, të cilat pas shqyrtimit të materialeve caktonin delegatin për të marrë pjesë në mbledhje të përgjithshme. Vërejtjet dhe propozimet e strukturave të Këshillave të rretheve i përcillnim në Komitetin Drejtues gjegjësisht Grupin e punës, të cilat mund të inkorporoheshin në materialet e Organizatës, por edhe delegati i rrethit e kishte për obligim t‘i paraqes në mbledhje….

Duhet theksuar se përkundër rrethanave të vështira të veprimit, në fshehtësi të thellë LPRK kishte një demokraci të brendshme mjaft të avancuar.

Anëtarët e Sekretariatit bashkë me anëtarët e grupit të punës në këtë rast Emrush Xhemajlin, Ahmet Haxhiun dhe Azem Sylën, organizuan edhe disa takime konsultative me veprimtarë të njohur të cilët ishin liruar nga burgjet jugosllave përfshirë edhe Adem Demçin.Të gjitha takimet janë organizuar me qëllim të konsultimit, marrjes së mendimit të veprimtarëve të cilët e kishin mbajtur dhe forcuar organizimin klandestin në trojet e okupuara shqiptare nga fundi i viteve gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar e deri në demonstratat e vitit 1981.

Natyrisht intenca jonë ishte edhe përfshirja në organizim të këtyre veprimtarëve të cilët ishin një lloj mbështetje e jona inkurajuese gjatë kohës sa ata mbaheshin në burgje. Pas disa konsultave e gjetëm një kompromis që edhe ata të marrin pjesë në mbledhje në cilësi të mysafirëve, që do të kontribuojnë me diskutimet e tyre dhe do të mund të zgjidhen në organet drejtuese të Lëvizjes.

Xhavit Haziri dhe unë kemi organizuar një takim konsultues edhe me profesorët Fehmi Agani dhe Zenel Kelmendi, të cilët ishin anëtarë të Kryesisë së LDK-së, me të cilët e kemi diskutuar përmbajtjen e programit të LPRK.

Pas përfundimit të mbledhjeve të këshillave të rretheve për caktim të delegatëve, e kishim pasqyrën se sa veta do të jenë pjesmarrës në Mbledhjen e përgjithshme, prandaj filluam të mendojmë anën teknike të organizimit, për gjetjen e vendit se ku do të duhet të mbahet Mbledhja. Kishim disa opcione. Azem Syla na propozojë të shkojmë dhe të shohim një shtëpi në fshatin Ujmir të Klinës. Në familjen e veprimtarëve Ukë dhe Sevdije Shala do të shkojmë për të parë vendin Ahmet Haxhiu, Azem Syla dhe unë (Ramadan Avdiu). Konsideruam se hapësira dhe ambienti përrreth është i përshtatshëm dhe pas analizës edhe të disa opcioneve të tjera vendosëm që mbledhjen ta mbajmë në Ujmirë në shtëpinë e Sadri Shalës, ngase kishte qasje nga drejtime të ndryshme dhe ndodhej në mes të Kosovës.

Shtëpia na është lënë në dispozicion nga dita e parë e muajit tetor. Ahmet Haxhiu dhe Azem Syla kanë bërë furnizimet e nevojshme dhe pregaditjet teknike për mbajtjen e mbledhjes.

Emrush Xhemajli, meqë qëndronte në fshehtësi të thellë, është dërguar në Familjen Shala dy ditë para fillimit të mbledhjes. Më 3 tetor 1991 nga të gjitha anët është organizuar transporti i delegatëve në Ujmirë. Në këtë aktivitet kanë qenë të angazhuar Ahmet Haxhiu, Azem Syla, Hysen Zogjani, Rexhep Avdiu dhe Bislim Zogaj.

Vonë, në mbrëmje, në odën e Sadri Shalës në Ujmirë janë tubuar të gjithë delegatët dhe pjesmarrësit e tjerë në Mbledhje.

Në mbledhje kanë marrë pjesë:

1. Abdullah Abdullahu, Prizren

2. Abdullah Zhegrova, Vushtrri

3. Abdyl Buja, Lipjan

4. Ahmet Haxhiu, Prishtinë

5. Ali Lajçi, Rugova e Pejës (Mysafir)

6. Azem Syla, Drenas

7. Bahri Fazliu, Prishtinë

8. Bedri Halimi, Sharr

9. Behadin Hallaqi, Prizren

10. Behxhet Kelmendi, Obiliq /Ortakoll

11. Berat Luzha, Kaçanik

12. Binak Berisha, Rahovec

13. Bislim Elshani, Suharekë

14. Emrush Xhemajli, Ferizaj (LPK-Dega jashtë vendit)

15. Enver Berisha, Prizren

16. Fadil Fazliu, Prishtinë (xhirues i Mbledhjes)

17. Fisnik Cukaj, Pejë (Unioni I Studentëve)

18. Gani Neziri, Viti

19. Gani Sylaj, Drenas (Mysafir)

20. Guximtar Labënishti, Strugë

21. Halil Selimi, Preshevë (anëtar i KD)

22. Halit Krasniqi, Malishevë (anëtar i KD)

23. Hashim Thaçi, Skenderaj

24. Hydajet Hyseni, Gjilan (Mysafir)

25. Hydajete Krasniqi, Pejë

26. Hysen Jashari, Pudujevë

27. Ibish Neziri, Pejë

28. Ilaz Kadolli, Suharekë

29. Lumnije Azemi, Ferizaj

30. Mehmet Hajrizi, Vhstrri (Mysafir)

31. Prof. Dr. Muhamet Mehmeti, Prishtinë

32. Musatfë Lajçi, Rugovë e Pejës

33. Nazmi Hoxha, Gjilan

34. Orhan Ibrahimi, Kumanovë

35. Ramadan Avdiu, Prishtinë (anëtar i KD)

36. Ramiz Lladrovci, Drenas

37. Sabit Veseli, Mitrovicë

38. Sadik Ademi, Preshevë

39. Sahit Berisha, Klinë

40. Tahir Gjonbalaj, Vuthaj /Plavë e Guci

41. Xhavit Haziri , Obiliq (anëtar i KD)

42. Xheladin Gashi, Drenas

43. Xhevat Hasani, Dragash (Mysafir).

Mbledhjen e ka hapur Xhavit Haziri kurse unë Ramadan Avdiu kam bërë verifikimin e delegatëve, meqë unë kisha marrë pjesë në mbledhjet e përgjithshme të të gjitha këshillave të rretheve dhe i njihja delegatët. Pas konstatimit të kuorumit u zgjedh Kryesia e punës së Mbledhjes në përbërje:

– Xhavit Haziri,

– Nazmi Hoxha,

– Emrush Xhemajli,

– Tahir Gjonbalaj dhe

– Guximtar Labënishti.

Është aprovuar rendi i ditës dhe mbledhja ka vazhduar me punimet e saja tërë natën dhe gjatë gjithë ditës së 4 tetorit.

Për secilën pikë të rendit të ditës ka pasur debat dhe në fund janë marrë vendime për aprovimin e Programit dhe Statutit të LPRK. Është marrë vendim për përshtatje të emrit nga Lëvizja Popullore për Republikësn e Kosovës (LPRK) në Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK).

Është aprovuar Deklarata Politike e LPK-së, me orientime të ndikuara edhe nga ambienti politik i kohës por në aspektin programor LPK ka pasur orientimin e qartë si organizatë politiko-ushtarake dhe ka ruajtur karakterin e saj çlirimtar.

Nga kjo mbledhje është zgjedhur Këshilli i Përgjithshëm i përbërë nga 15 anëtarë, i cili pastaj ka zgjedhur kryesinë.

Anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm janë zgjedhur:

1. Ahmet Haxhiu

2. Azem Syla

3. Berat Luzha

4. Gani Syla

5. Guximtar Labënishti

6. Halil Selimi

7. Hydajet Hyseni

8. Hydajtete Krasniqi

9. Mehmet Hajrizi

10. Muhamet Mehmeti

11. Musa Demiri

12. Nazmi Hoxha

13. Ramadan Avdiu

14. Ramë Buja

15. Xhavit Haziri

Këshilli i Përgjithshëm në Mbledhjen e tij të parë, më 07.10.1991, në Kishnarekë, zgjodhi Kryesinë e LPK-së në këtë përbërje:

1. Gani Syla (kryetar),

2. Xhavit Haziri (nënkryetar),

3. Ramadan Avdiu (anëtar)

4. Halil Selimi (anëtar)

5. Hydajete Krasniqi (anëtare)

6. Guximtar Labënishti (anëtar)

Me vendimet e Mbledhjes janë njoftuar të gjitha radhët e organizuara klandestine dhe dega e LPK-së jashtë vendit.

 Në fund të vitit 1991, do të pasojë një fushatë arrestimesh kundër Frontit të Rezistencës dhe disa personave të tjerë të cilët kishin marrë pjesë në stërvitje në Shqipëri. Në vazhdën e këtyre arrestimeve do të arrestohet Halil Selimi, pastaj do të vie deri tek ndeshja e parë e Adem Jasharit dhe pjestarëve të tjerë të familjes Jashari me policinë pushtuese (më 30 dhjetor 1991 – ShB) dhe do të na krijohet një situate bukur e rëndë, sepse kishim mjaft klandestinë (ilegalë) që duhej t’i mbanim, dhe fare pak mundësi.

Për shkak të arrestimit të Halilit u detyruam një kohë të qëndronim në fshehtësi të thellë edhe Xhavit Haziri, Azem Syla, dhe unë ndërkaq një pjesë e anëtarëve të Këshillit Drejtues e pasivizuan angazhimin në kuadër të Lëvizjes klandestine për ta përqëndruar angazhimin e tyre politik kryesisht në parti politike që aktivitetin e ushtronin legalisht…

Përkundër kësaj ne vazhduam me përkushtim, përkundër rrezikut, angazhimin tonë për forcim të radhëve dhe mund të themi se MTP ka mundësuar konsolidimin organiziativ edhe në rrafshin vërtikal të organizimit të LPK-së, ka mundësuar kontinuitetin si organizatë politike ushtarake për të ecur drejt realizimit të objektivës programore për çlirim të vendit.

Pjesë e konsiderueshme e Mbledhjes është xhiruar nga Fadil Fazliu, i cili ka qenë i ngarkuar për të bërë xhirimin e mbledhjes.

Një vit e gjysëm pas MTP, në prill të vitit 1993 në Kollare afër Kërçovës në Maqedoni, u mbajt Mbledhja Konsultative e LPK-së, e cila i parapriu Mbledhjes së IV të përgjithshme, e mbajtur në Prishtinë më 26 e 27 korrik 1993, prej nga fillon etapa më intensive e përgatitjes së luftës së armatosur për çlirim.

Mbledhja e Tretë e Përgjithshme e LPK-së, është mbajtur në fshehtësi të thellë. Pushtuesit serb për mbajtjen e saj kanë mësuar dy vite më vonë, pas fushatës së arrestimeve të veprimtarëve të LPK-së në gusht të vitit 1993, në vazhdën e të cilave arrestime do të arrestohen edhe z. Sadri Shala pronari i shtëpisë ku është mbajtur mbledhja në Ujmirë dhe i biri i tij Imer Shala, ndërkaq Ukë Shala iu është shmangur arrestimit duke u larguar nga vendi për t’u kthyer në formacionet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës 4 vite më vonë…

Ramadan Avdiu, më 13.11.2021

___________

Fusnota:

*) Anëtarë të Komitetit Drejtues, pas Konferencës së parë e mbajtur në prill të vitit 1989, ishin: Fadil Vata, Afrim Zhitija, Bardhyl Mahmuti, Behajdin Allaqi, Binak Berisha dhe Bajram Kadriu. Pas arrestimeve në shtator të vitit 1989, me ç’rast Fadil Vata dhe Afrim Zhitia futen në klandenstinitet (fshehtësi të thellë) në komitet do të kooptohen Ramadan Avdiu, Ilaz Kadolli dhe Halil Selimi. Kurse disa muaj pas rënies së Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut, si dhe pas largimit të Bardhyl Mahmutit nga vendi, në Komitetin Drejtues në prill të vitit 1990 është kooptuar edhe Mentor Kaçi.

***

– Kumtesë e paraqitur në Institutin e Historisë, në Akademinë e organzuar me rastin e 30 vjetorit të mbajtjes së Mbledhjes së III të Përgjithshme të LPRK-së, mbajtur më 03.10.2021.

__________________

MBLEDHJA E TRETË E PËRGJITHSHME E LPRK-së, 1991

Nga Halil Selimi (*) Pashtriku 16 Nëntor 2021

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura