DOKUMENTE PËR KOSOVËN DHE VISET TJERA SHQIPTARE NË ISH JUGOSLLAVI – NË ARKIVAT E TIRANËS (8)

Nga Prof. dr. Sabit Syla

-13-

Legata e Republikës Popullore të Shqipërisë         

Vdekje fashizmit – Liri popullit

Nr. Prot. 13 res. Beograd, më 9/1/1959  

Ministrisë së Punëve të Jashtme, (Degës Adm. Konsullore), Tiranë

Mbi emigrimin në Turqi të shqiptarëve

Ka një periudhë të gjatë që në masë emigrojnë në Turqi shqiptarë të Kosovës e Metohisë dhe Maqedonisë. Në periudhën 1955, 1956, 1957 dhe 1958, shkuarjet për Turqi janë shtuar shumë.

Në gazetën “Nova Makedonija” që del në Shkup në vitin 1956-1957, botoheshin faqe të tëra gazetash me emrat e shqiptarëve që paraqitnin kërkesa për ta lënë shtetësinë jugosllave mbase do të shkonin në Turqi. Shprehja e “shkuarjes në Turqi” nuk thuhej haptazi, por kjo kuptohej nga emrat e vendet ku banonin shqiptarët. Më vonë, konkretisht gjatë vitit 1958 në gazetën e mësipërme nuk botohen më. Me sa kuptohet, ndaluan tamam kur në shtypin tonë u botuan artikuj që flisnin mbi jetën e vuajtjet e minoritetit shqiptar në Jugosllavi. Nga ana tjetër, në këtë kohë, jugosllavët hapën parulla se nuk do të lejonin më që shqiptarët të shkojnë në Turqi, por, vetëm ato të kombësisë turke. Kjo qe një veprim i kurdisur për t’i hedhur hi syve popullit. Shumë shqiptarë mbas prishjes së marrëveshjeve, 1958, por, konditat e krijuara, fanatizmi dhe kundra vullnetit të tyre, janë regjistruar si të kombësisë turke, kurse që në realitet ata të gjithë janë shqiptarë. Andaj, në të vërtetë shkuarjet për në Turqi vazhdojnë me shumicë, nga zona të caktuara, si p.sh.: Shkupi, Manastir, Peja, Prizreni, Tetova, Ohri etj., ndërsa nga qarku i Gjakovës me sa jemi informuar neve deri më tani ka shkuar vetëm një familje e një shehu dhe kjo është përbuzur nga të gjithë. Sipas informatave që kemi nga vizitorë të ndryshëm që kanë ardhur në Legatë, rezulton se nga Mitrovica kanë shkuar në Turqi rreth 90 veta gjatë këtyre tre vjetëve, nga Manastiri siç informohemi nga familja Kokolari kanë shkuar në Turqi rreth 200 familje, nga Ohri sipas një informate që kemi nga Salih Tafili, kanë shkuar në Turqi rreth 100 veta, nga Peja siç informohemi nga i quajturi Agim Gjakova, studentë kanë shkuar në Turqi mbi 200 veta etj. Nga një vizitor jemi informuar se nga zona e Kosovës kanë shkuar në Turqi mbi 100 000 veta. Ndonjë statistikë e saktë nuk dihet, por që ka shuma të mëdha shqiptarësh që kanë emigruar në Turqi është e vërtetë.

Të gjitha këto familje që kanë shkuar në Turqi, këtu kanë pas njëfarë pasurie të cilën me rastin e largimit të tyre e kanë shitur me çmim shumë të ultë, dhe me qëllim për të paguar taksa për ndërrimin e kombësisë nga ajo shqiptare në turke dhe për shpenzimet e udhëtimit. Këto pasuri iu kanë blerë serbët, maqedonasit ose malazezët dhe janë stabilizuar aty.

Në organet jugosllave për ndërrimin e kombësisë paguajnë shumën prej 12 000 dinarë për çdo person, përveç ndonjë shume të konsiderueshme që duhet t’i japin si bakshish personit që e rregullon çështjen. Po kështu edhe në konsullatat turke paguajnë taksa të mëdha deri në 10-20 000 dinarë për një familje për të marrë kombësinë turke. Kështu që, për të përballuar taksat dhe ryshfetet, shesin tokat, shtëpitë dhe bagëtitë. Po kështu, taksa të mëdha paguajnë edhe në avokatët të cilat iu bëjnë lutje e tjera veprime për këtë qëllim.

Sipas informatave që kemi, arsyet kryesore që i shtyjnë shqiptarët të shkojnë në Turqi është jeta e vështirë këtu, si p.sh.: fukarallëku i madh dhe terrori që organet jugosllave bëjnë mbi ta, përbuzja në masa që iu bëhet nga jugosllavët që nuk i konsiderojnë si njerëz, kur shkojnë ata tërhiqni njëri-tjetrin, sepse duan të shkojnë grumbull si fis, deri te njëfarë mase influencon edhe injoranca e tyre si myslimanë dhe nga ana tjetër, sepse nuk gjejnë rrugë tjetër shpëtimi për jetesë me nder pasi që të vijnë në Shqipëri e dinë mirë se organet jugosllave nuk i lirojnë dhe vihen në dyshim nga organet e sigurimit. Ka prej tyre që shkojnë në Turqi me qëllim që në një të ardhme të kenë mundësi të kthehen në Shqipëri. Për këtë gjë me raste, kemi pasur pyetje nga shqiptarë këtu ku na kanë thënë “po prej Turqi a ka mundësi të vemi në Shqipëri”.

Lidhur me sa më sipëri, i quajturi Ymer Berisha nga katundi Berishë, në një takim që kemi pasur me të në Legatë, na tha: “Shqiptarët vuajnë shumë dhe kanë ra në mes të dy zjarreve, po ikin shumë në Turqi prej hallit dhe jo pse iu pëlqen të shkojnë. Prishtina pothuaj po shkombëtarizohet, dhe disa shtëpi të reja janë ndërtuar, i kanë zënë malazezët, serbët etj.” Po kështu nga i quajturi Nusert Shala në një bisedim që kemi pasur më të na tha: “Kemi frikë ta themi se jemi shqiptarë se na përbuznin”. Veç sa më sipër në një bisedim që kemi pasur me familjen Kokolari na tha: “Se nga Manastiri kanë shkuar në Turqi 200 familje që të gjitha këto të kombësisë shqiptare. Një lagje që quhej Kacakmale që ka qenë e banuar nga të gjithë shqiptarë është boshatisur fare. Kur nisen për në Turqi tërheqin njeri-tjetrin. Në Turqi u përdorshin keq shqiptarët dhe nga ana tjetër menjëherë iu japin shtetësinë turke e nuk iu hapin shkolla shqipe. Kishin marr vesh se kanë burgosur 13 shqiptarë për arsye se kanë kërkuar t’iu hapin shkolla shqipe. Shumica e shqiptarëve në Turqi merren me punë fizike. Arsyeja e largimit për në Turqi bëhet për çështje frike. Shumë prej tyre janë penduar që kanë shkuar edhe bile prisnin që të fillonte lufta me Sirinë me qellim që t’ju krijoheshin mundësi për t’u kthyer përsëri këtu. Largimet për në Turqi bëhen më tepër nga qytetet, kurse nga fshatrat më pak”.

Organet jugosllave për qëllimet e tyre të shkombëtarizimit të popullsisë shqiptare përkrahin largimin e shqiptarëve për në Turqi dhe për t’ia arritur këtij qëllimi iu krijojnë këtyre kondita të vështira jetese, i përbuzin, i frikësojnë, me anën e burgosjeve në masë, kështu që iu krijojnë pasiguri jetese, Që t’i shpëtojnë kësaj gjendje, shqiptarët marrin arratinë në Turqi. Vet fakti që disa dhjetëra mijëra shqiptarë enden rrugëve të Beogradit, Zagrebit, Sarajevës e vendeve tjera të Jugosllavisë për të siguruar me punë të tmerrshme, si hamaj qymyri, larës rrugësh, bajtës plaçkash etj., për një copë buke, tregon gjendjen e mjerueshme ekonomike që ka katandisur klika e Titos për shqiptarët e Kosovës e Metohisë, Maqedonisë e Malit të Zi.

Në çdo skaj të Beogradit shikon dhjetëra shqiptarë të grumbulluar të veshur keq e të zbathur, që presin në diell, shi e dëborë, për ndonjë punë hamallëku për të fituar bukën për vete dhe fëmijët e tyre. Kudo i përbuzin dhe për ta flasin si për njerëzit e mesjetës që tregohen në ndodhira. Vet kemi dëgjuar në burgje serbë që flasin për shqiptarë si për njerëzit e shkretive që nuk njohin jetë tjetër përveç të hanë të flenë dhe të punojnë në kondita primitive. Po t’i pyesësh këta shqiptarë se pse vini në Beograd dhe nuk rrini në fshatrat e tyre ose të punonin atje, dhe përgjigjen se tokë kemi shumë pak, punë për neve nuk ka në vendet tona se i kanë zënë të tjerët, në kuptimin e serbëve dhe veç kësaj thonë që nuk po na “poshtatin”(d.m.th. nuk na respektojnë) njeri andej, prandaj jemi të detyruar të vijmë në Beograd për punë.

Për të maskuar veprimtarinë e tyre, jugosllavët gjoja flasin kundër shkuarjeve në Turqi të shqiptarëve, por në realitet nuk kanë marrë asnjë masë për t’i ndaluar. Jugosllavët e shpjegojnë emigrimin në Turqi të shqiptarëve me parulla false të tyre, se në Jugosllavi ka liri demokratike dhe kushdo mund të shkojë ku dëshiron, por kjo liri demokratike është vetëm për shqiptarët, kurse për jugosllavët nuk është. Pse nuk shkojnë në Turqi myslimanët e Bosnjës e Hercegovinës?! Sigurisht që nuk i lejojnë, kurse shqiptarët jo vetëm që nuk i ndalojnë, por edhe i përkrahin. Nga kjo del fare e qartë politika e shkombëtarizimit të shqiptarëve, të cilën jugosllavët prej kohësh e ndjekin. Në konsullatën turke në Shkup, vazhdimisht ka grupe shqiptarësh që shkojnë për të marrë vizat.

Sipas informatave që kemi nga vizitorë të ndryshëm, kohët e fundit ka filluar të rrallohet nga pak shkuarja në Turqi. Disa nga vizitorët e shpjegojnë se gjoja, si organet jugosllave ashtu edhe ato turke, janë më të shtrënguar në dhënien e lejeve, disa e shpjegojnë nga korrespondenca që kanë zhvilluar me ata që kanë shkuar në Turqi, të cilët iu shkruajnë se jetojnë shumë keq, nuk kanë punë as banesa, i kanë futur në baraka në periferitë e Stambollit dhe punojnë si argat, vetëm për bukën e gojës, kurse shumica që e shpjegojnë kanë influencuar shumë artikujt dhe emisione të Radio Tiranës, ku flitej për shkuar e shqiptarëve në Turqi dhe në përgjithësi mbi jetesën e shqiptarëve në Jugosllavi, duke e konsideruar se Qeveria shqiptare interesohet për jetën tonë dhe për këtë krijojnë shpresa dhe ide në mendjen e tyre. Ja p.sh.: si u shpreh në një takim që patëm me të quajturin Hashim Morina, arsimtar në katundin Pallat të Prishtinës: “Tani kohët e fundit sikur janë rralluar pak shkuarjet në Turqi. Populli po thotë se i ka shtrënguar Shqipëria. Edhe pleqtë më parë ishin agjitatorë për të shkuar në Turqi. Tani sikur nuk mbushet mendja, sepse kanë marrë vesh që ata të cilët kanë shkuar atje vuajnë për bukën e gojës. Katundet nuk po shpërngulen që t’iu a zënë vendin e tyre serbët. Neve dëgjojmë vazhdimisht Radio Tiranën dhe kënaqemi shumë me sukseset që ka arritur vendi ynë”. Nga shumë vizitorë, jemi informuar se i dëgjojnë me rregull emisionet e Radio Tiranës dhe mendojnë se këto e mbajnë lart moralin e tyre dhe influencojnë shumë në ruajtjen e patriotizmit shqiptar. Sidomos te të rinjtë, ndjehet më tepër dëshira për të ditë mbi sukseset e vendit tonë. Jemi informua se një interesim të veçantë tregojnë p.sh.: kur në emisionet e radios dëgjojnë të flitet për shqiptarët në Jugosllavi dhe në përgjithësi për të mëdhenjtë me Jugosllavinë. Këto i bëjnë komente e ditës dhe informojnë njeri-tjetrin sa kanë dëgjuar duke i interpretuar secili sipas mënyrës së vetë, dhe ajo që del kryesore është se iu lind besimi që “dikush interesohet edhe për jetën tonë”. Mendojmë se kjo ka influencuar disa persona që kishin planifikuar të shkonin në Turqi.

Veç përpjekjeve që organet jugosllave bëjnë për shkombëtarizimin e shqiptarëve të Kosovës e Metohisë, Maqedonisë etj., për shkuarje në Turqi, nga sa informohemi një politikë e tillë ndiqet edhe me shqiptarët në Zarë, ku të tillët i konsiderojnë për italian dhe shumë prej tyre po emigrojnë në Itali. Lidhur me këtë çështje me një takim që kemi pasur me Legatën, me të quajturin Micovic Sava, regjisor teatri që e ka gruan me kombësi shqiptare nga Zara, na tha se në Zarë ka rreth 26 000 veta të kombësisë shqiptare, por, shumica e tyre po shkojnë në Itali.

 I ngarkuari me punë a. i.  Rako Naço

-14-

Jugosllavia

Legata e Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë në Tiranë, i paraqet nderimet e saja Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Shqipërisë dhe me urdhër të Qeverisë së saj, ka nderin ta njoftojë me sa vijon:

Qeveria e Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë, në notat e saja të mëparshme për shumë herë, ka protestuar kundër qëndrimeve antijugosllave të Qeverisë shqiptare dhe e paralajmëron Qeverinë e Republikës Popullore të Shqipërisë mbi konsekuencat e dëmshme të një politike të tillë si për marrëdhëniet shtetërore, ashtu edhe për paqen në këtë pjesë të botës. Por, megjithëkëtë, udhëheqës me përgjegjësi shqiptare, vazhdojnë dhe përforcojnë goditjet armiqësore kundër Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë dhe me këtë përsëri tregojnë që Qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë nuk dëshiron të ndjekë një politikë të fqinjësisë së mirë me Jugosllavinë, gjë që do t’u përgjigjej interesave fillestare si të popullit shqiptar, ashtu dhe popullit jugosllav.

Përveç të tjerave, kështu është shfrytëzuar edhe vizita e delegacionit qeveritar dhe e partisë së Shqipërisë në Republikën Çekosllovake për goditjet armiqësore dhe shpifëse kundër jugosllavëve. Përkrah qëndrimit antijugosllav të udhëheqësve shqiptarë gjatë kohës së kësaj vizite, të cilat me këtë i kanë shërbyer fushatës së njohur shpifëse antijugosllave, nga periudha mbas vitit 1948, Jugosllavia është goditur rëndë edhe në komunikatën zyrtare të nënshkruar, më 17 janar 1959, në Pragë.

Qeveria e Republikës Popullore Federative e Jugosllavisë, në mënyrë të veçantë thekson se është e rregullit në praktikën ndërkombëtare që midis deklaratës shtetërore të dy shteteve të godasim një shtet të tretë, me të cilin mbajmë marrëdhënie diplomatike të rregullta.

Qeveria e Republikës Popullore Federative e Jugosllavisë, proteston në mënyrë më energjike kundër qëndrimeve antijugosllave të udhëheqësve shqiptarë dhe thekson se Qeveria e Republikës Popullore e Shqipërisë do të mbajë të gjithë përgjegjësinë për të gjitha gjërat që mund të dalin nga nja politikë e tillë armiqësore.

Tiranë, më 24 janar 1959

Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Shqipërisë Tiranë

-15-

Agjencia Telegrafike Shqiptare

Beograd,17 shkurt 1959 (“Tanjug”)

Notë jugosllave drejtuar Shqipërisë

Sot pranë Sekretariatit Shtetëror për Punë të Jashtme të Jugosllavisë, të ngarkuarit me punë të Legatës së Republikës Popullore të Shqipërisë, iu dorëzua një notë me përmbajtje e cila vijon:

Sekretariati Shtetëror i Punëve të Jashtme të Republikës Federative të Jugosllavisë me porosinë e Qeverisë së RFPJ-së ka nderin t’i njoftoj Legatës së, RP të Shqipërisë, me sa vijon:

Qeveria e RFPJ-së edhe më parë shumë herë ka protestuar pranë Qeverisë së Republikës Popullore të Shqipërisë, kundër politikës armiqësore dhe tërhoqi vërejtjen e Qeverisë së Republikës Popullore të Shqipërisë mbi pasojat e dëmshme të një politike të tillë.

Me notën e 3 tetorit 1958, Qeveria e RFPJ-së protestoi për politikën armiqësore dhe irredentiste që po zhvillohet në RP të Shqipërisë, kundër Jugosllavisë, duke theksuar se një politikë e tillë ka si qëllim të qartë që t’i ngjallë popullit shqiptar urrejtjen shoviniste kundër popujve fqinjë të Jugosllavisë, se përpiqet për të nxitur pakënaqësi midis qytetarëve jugosllavë në zonat kufitare të Jugosllavisë dhe se është një ndërhyrje brutale në punët e brendshme të RFPJ-së dhe një cenim i integritetit të saj.

Mirëpo, Qeveria e RP të Shqipërisë, jo vetëm që po zhvillon një politikë armiqësore kundrejt RFPJ-së dhe një fushatë irredentiste me anën e artikujve dhe fjalive të udhëheqësve shqiptarë, për të cilën Qeveria e RPFJ-së ka tërhequr vëmendjen, por edhe sigurimet shtetërore shqiptare për këtë qëllim kanë dërguar diversantë dhe spiunë të propaganduar posaçërisht në krahinat kufitare të Jugosllavisë.

Gjykatat e Jugosllavisë gjerë më tani kanë një sërë vendimesh në lidhje me qytetarët shqiptarë që u dërguan në tokën jugosllave nga organet shtetërore shqiptare. Gjatë këtyre proceseve u konstatua se, organet shtetërore shqiptare u kishin dhënë personave që kishin dërguar në Jugosllavi, detyra si në vijim:

– Që të zhvillojnë propagandë irredentiste midis qytetarëve jugosllavë në krahinat kufitare për të bashkuar Krahinën e Kosovës me Shqipërinë.

– Që të organizojnë dhe të zhvillojnë akte sabotazhi në Jugosllavi duke zhvilluar kështu një fushatë angtijugosllave.

– Që të veprojnë në mënyrë aktive midis emigrantëve politikë shqiptarë në Jugosllavi dhe t’i organizojnë ata për veprime armiqësore kundër Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë.

– Që të nxisin persona për të ikur në Republikën Popullore të Shqipërisë, në mënyrë që opinionit publik shqiptar t’i duket se popullsia e Kosovës dhe Metohisë nuk është e kënaqur për gjendjen e saj dhe gjendjen në Jugosllavi.

– Që të organizojnë midis shqiptarëve në Jugosllavi persona ose grupe, të cilët do të punojnë për sigurimin shtetëror shqiptar (“Sigurimi”).

Në të njëjtën kohë ata kishin detyra të blinin dhe të dërgonin të dhëna mbi ushtrinë popullore jugosllave dhe mbi milicinë popullore, si dhe detyra të tjera informative.

Qeveria e RFPJ-së dëshiron të paraqes vetëm disa raste konkrete:

Në gjyqin me dyer të hapura kundër qytetarit shqiptar, Hafiz Mustafa Hoxha, i lindur në vitin 1937, në fshatin Boro, afër Kukësit RP të Shqipërisë, pranë Gjykatës së Rrethit të Prizrenit, më 9 dhe 10 shkurt të viti 1959, doli në shesh se, Hafiz Hoxha u dërgua më 19 maj 1958, në Jugosllavi, nga ana e organeve të sigurimit shqiptar me detyrën që të zhvillojë veprimtari spiunazhi dhe subversioni.

Në bazë të dëshmive dhe deponimeve të të pandehurit Hoxha, doli se ai ishte përgatitur dhe dërguar për të vepruar nga Jugosllavia nga kapiteni i sigurimit shtetëror shqiptar, Qemal Zaimi, nga Qendra e Diversionit dhe Spiunazhit, Kukës. Hoxha u dërgua në Jugosllavi me detyra si në vijim: që të ngjallë pakënaqësi midis popullsisë shqiptare në Jugosllavi, të përpiqet të punojë për Bashkimin e Kosovës dhe Metohisë me Shqipërinë dhe të organizojë grupe, të cilat do të vepronin sipas udhëzimeve të organeve të sigurimit shqiptar, që të lidhet me grupin diversant, i cili duhet të vinte më vonë nga Shqipëria, dhe me ndihmën e tij të organizojë kalimin ilegal të personave në Shqipëri, që të zhvillojë veprimtarinë e spiunazhit. Hafiz Hoxha u dënua nga Gjykata e Rrethit të Prizrenit, me 5 vjet burgim.

Gjykata e Rrethit të Krushevacit dënoi, më 23 janar të vitit 1959, Adem Jusuf Pashkon me 5 vjet burgim. Në bazë të provave dhe deponimeve të të pandehurit, u konstatua se Adem Jusuf Pashka i lindur në vitin 1934 në fshatin Lafiz, afër Kuksit, RP e Shqipërisë, ishte dërguar, më 16 janar 1958, në Jugosllavi, për të vepruar kundër popullsisë shqiptare dhe midis tjerash për të kryer akte sabotazhi, gjë që duhej të tregonte se shqiptarët në Jugosllavi nuk janë të kënaqur dhe jetojnë nën terror. Pashku u përgatit dhe u dërgua në Jugosllavi nga një toger i sigurimit shtetëror shqiptar nga qendra e diversionit dhe spiunazhit në Kukës.

Isa Musa Dervishi, i lindur në vitin 1939, në fshatin Kasa, afër Tropojës, RP e Shqipërisë, u dërgua si agjent nën maskën e një emigranti politik, më 18 janar 1958, për të vepruar midis emigrantëve shqiptarë në Jugosllavi. Ai u përgatit dhe u dërgua në Jugosllavi nga shefi i sigurimit në Kolgecaj, nënkolonel Adil Prifti dhe kapiten Ramë Çelia. Për veprimtarinë e tij spiune dhe të diversionit, Dervishi u dënua me 4 vjet burgim nga Gjykata e Rrethit të Krushevacit, më 23 janar të vitit 1959. Brahim Xhafer Kaloshi, i lindur më 1934 në fshatin Bole, afër Kuksit, RP e Shqipërisë, u dërgua në Jugosllavi, gjithashtu nën maskën e një emigranti politik, më 27 maj 1958, në krahinën e Prizrenit. Ai u përgatit dhe u stërvit për të vepruar në Jugosllavi, nga shefi i sigurimit të Kukësit, Abedin Tajari, kapiten Qemal Zaimi dhe togeri Raim Asllani. Gjykata e Rrethit të Prizrenit, më 5 janar të vitit 1959, e dënoi Brahim Kaloshin me 3 vjet burgim. Balia Din Taqi, i lindur në vitin 1939 në fshatin Dona, afër Kukësit RP të Shqipërisë, u dërgua për veprimtari spiunazhi dhe për diversion në Jugosllavi, më 11 gusht 1958, gjë për të cilën u përgatit nga majori i sigurimit Smail Poga nga Kukësi. Për veprimtarinë e tij të spiunazhit dhe subversionit, Gjykata e Rrethit të Krushevacit e dënoi të lartpërmendurin, më 23 janar 1959, me 3 vjet burgim.

Ali Mohaz Basha, i lindur në vitin 1929 në Novoselë, afër Kukësit RP e Shqipërisë, u dërgua si agjent në Jugosllavi, më 10 janar 1957, në krahinën e Prizrenit, me qëllim që të rekrutojë midis qytetarëve jugosllavë me kombësi shqiptare persona që të punonin për sigurimin, si dhe të nxiste të tjerë të iknin në Shqipëri. Por, për veprimtarinë e tij të spiunazhit, ai u dënua nga Gjykata e Rrethit të Krushevacit me 7 vjet burgim, më 23 janar të vitit 1959.

Ejup Brahimi Noka, i lindur më 1937, në Novoselë, afër Kukësit, RP e Shqipërisë, ushtari i ushtrisë shqiptare, u dërgua nga Tirana si agjent në Jugosllavi, më 18 prill 1957, në krahinën e Prizrenit, që të lidhej me agjentë të tjerë të sigurimit, si dhe të punojë midis popullsisë shqiptare për të nxitur intolerancën shoviniste dhe për të zhvilluar veprimtari spiunazhi. Ai u përgatit për të vepruar në Jugosllavi nga kapiteni i sigurimit, Qemal Zaimi. Për veprimtarinë e tij subversive, Gjykata e Rrethit të Prishtinës e dënoi Ejup Nokën me 3 vjet burgim, më 16 tetor 1957.

Sefer Muharem Pasha, i lindur në vitin 1937 në fshatin K. afër Tepelenës, RP e Shqipërisë, ushtar i ushtrisë shqiptare, u dërgua në Jugosllavi nga Peshkopia, ku kryente shërbimin ushtarak, si agjent i sigurimit shqiptar, më 5 qershor 1957, në krahinën e Dibrës për të zhvilluar veprimtarinë subversive midis emigrantëve politikë shqiptarë. Ai u përgatit për veprimtari në Jugosllavi nga kapiteni i klasit të parë, Memet Karamoli, nga Qendra e Diversionit dhe Spiunazhit në Peshkopi. Për veprimtarinë e tij subversive ai u dënua me 5 vjet burgim nga ana e Gjykatës së Rrethit të Shkupit, më 22 shtator 1958. Nik Fran Doda, i lindur ne vitin 1935 në fshatin Koplik, afër Shkodrës, RP e Shqipërisë, u dërgua në Jugosllavi si agjent, më 30 korrik 1937, në krahinën e Titogradit. Ai u përgatit dhe u dërgua në Jugosllavi nga kapiteni i klasit të parë, Nuo Dini, shef i sigurimit në Koplik dhe Xhevdet Miloti, toger nga Shkodra. Për veprimtarinë e tij subversive ai u dënua me 4 vjet burgim nga ana e Gjykatës së Rrethit të Plovlimit, më 15 dhjetor 1958. Hilmi Çorri Ulqinaku, i lindur në vitin 1939 në Shkodër RP e Shqipërisë, u dërgua si agjent i sigurimit shtetëror shqiptar, më 30 gusht 1957, në krahinën e Barit, që të lidhet me Nik Dodaj dhe së bashku me të, të veprojnë në popullsinë kufitare të Jugosllavisë. Për veprimtari subversive në Jugosllavi, ai u përgatit nga kapiten Hamdi Ulqinaku nga Shkodra. Gjykata e Rrethit te Plovlimit, më 16 dhjetor 1958, e dënoi atë me 3 vjet burgim.

Të lartpërmendurit dhe raste të tjera, tregojnë se Qeveria e RP të Shqipërisë zhvillon një politikë dhe përdorë të njëjtat metoda që zhvilloheshin në kohën e represionit brutal të ushtruar kundër Jugosllavisë pas rezolutës famëkeqe të vitit 1948 dhe që u dënua pastaj nga të gjithë si e dëmshme.

Qeveria e Republikës Federative të Jugosllavisë thekson se një politikë e tillë e Qeverisë shqiptare dhe veprimtaria që organet shtetërore shqiptare zhvillojnë për të minuar integritetin tokësor dhe rendin e brendshëm të Jugosllavisë, janë një ndërhyrje brutale në punët e brendshme të RPFJ-së, janë në kundërshtim jo vetëm më marrëdhëniet normale midis fqinjëve, por edhe ashpërsojnë në mënyrë të mëtejshme marrëdhëniet dhe janë një rrezik për paqen në këtë pjesë të botës.

Qeveria e Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë, proteston fuqishëm kundër kësaj politike armiqësore dhe kërkon me këmbëngulje nga Qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë që të heqë dorë nga një praktikë e tillë. Përgjegjësia për të gjitha pasojat që mund të dalin nga një veprimtari e tillë armiqësore kundrejt Jugosllavisë rëndon krejtësisht mbi Qeverinë e Republikës Popullore të Shqipërisë.

Sekretariati Shtetëror për Punë të Jashtme, deklaron se i ngarkuari me punë i Legatës shqiptare, Rako Naçi, posa u njoh me përmbajtjen e notës, sipas praktikës së gjertanishme të përfaqësuesve shqiptarë, refuzoi të pranonte notën, sado që ajo përmbante vetëm fakte dhe ishte shkruar në përputhje me praktikën diplomatike normale.

-16-

Relacion mbi popullsinë shqiptare në Jugosllavi

Qysh kur territori i Kosovës iu aneksua Jugosllavisë dhe deri sot, popullsia e kësaj krahine i është nënshtruar metodave më të egra dhe të shumëllojshme të shkombëtarizimit, me qellim që kjo krahinë të serbizohet në të gjitha aspektet e jetës dhe që gradualisht të zhduket çdo gjë që është shqiptare. Regjimet antipopullore dhe serbomëdhenj të krajlëve të Jugosllavisë, për disa dekada me radhë, u munduan me mjetet më të egra dhe çnjerëzore për t’ia arritur këtij qëllimi, por megjithatë nuk munden të thyejnë ndjenjat patriotike të popullit të Kosovës dhe dashurinë për atdheun gjuhën dhe zakonet e tyre. Procesi i serbizimit të krahinës së Kosovës i filluar nga klika serbomadhe e krajlëve, nuk u ndërpre për asnjë moment edhe pas Luftës së Dytë Botërore. Klika revizioniste e Titos e bëri të sajën këtë politikë dhe e vazhdojë dhe po e vazhdon akoma më me zell, me metoda me të egra dhe me të rafinuara.

Revizionistët jugosllavë e dinë mirë se serbizimi i krahinës së Kosovës nuk është një gjë e lehtë. Shumë faktorë të brendshëm dhe të jashtëm përbëjnë një pengesë, faktorë të cilët ata nuk mund t’i injorojnë. Sigurisht kjo nuk do të thotë se këta faktorë i detyrojnë revizionistët jugosllavë që t’i shmangën këtij procesi, në njërin apo në tjetrin drejtim, përkundrazi, në të tilla raste ata tregohen akoma më aktivë, porse metodat dhe mjetet që përdorin iu përshtatën situatave dhe terenit konkret, ato janë më të rafinuara, procesi më i gjatë, më zik-zake dhe disa herë për oportunitet politik edhe me qëndrim në vend ose tërheqje të përkohshme. Në procesin e serbizimit të krahinës së Kosovës, revizionistët jugosllavë përdorin mjetet dhe metodat të shumëllojshme. Një pjesë nga këto, ata i kanë trashëguar nga paraardhësit e tyre serbomedhenj. Midis të tjerave, në këto metoda, mund të përmendim: masakrat në masë që u bënë mbas luftës në popullsinë shqiptare të kësaj krahine; persekutimet, burgosjet dhe internimet; emigrimin e malazezve dhe serbëve në krahinën e Kosovës në të gjitha sektorët e jetës së kësaj krahine; shkombëtarizimi me anë të arsimit dhe kulturës; shpërngulja e popullsisë shqiptare sidomos asaj fshatare, në krahina tjera të Jugosllavisë për shkaqe ekonomike; serbizimi i administratës në krahinën e Kosovës; dërgimi i kuadrit të kualifikuar në Kosovë nga republika të tjera; mohimi i kombësisë shqiptare që iu bëhet me të gjitha mjetet shqiptarëve në Jugosllavi. Në këtë relacion do të flasim pikërisht për këtë të fundit.

Në këtë studim, mbi popullsinë shqiptare në Jugosllavi, si bazë është marrë materiali statistikor që ka dalë nga regjistrimet e përgjithshme të popullsisë në Jugosllavi dhe që është paraqitur në periudha të ndryshme në botimet zyrtare të Drejtorisë së Statistikave të RFPJ-së.

 Si u tha edhe më sipër, një nga metodat që ka përdorur si klika serbomadhe e krajlëve të Jugosllavisë ashtu edhe revizionistët jugosllavë për shkombëtarizimin e krahinës së Kosovës, ka qenë mohimi në çdo mënyrë i kombësisë turke, serbe, pa kombësi, ose futja në grupin e ciganëve etj. Të dhënat që do të përmendim më poshtë e pasqyrojnë në mënyrë të qartë këtë politikë. Regjistrimet e plota të popullsisë në Jugosllavi janë bërë në vitet 1921,1931,1948 dhe 1953.

Për sa i përket regjistrimeve të popullsisë për vitet 1921 dhe 1931, është vështirë të paraqitet një pasqyrë e saktë e gjendjes së shqiptarëve në Jugosllavi, sepse së pari për këto regjistrime nuk mund të siguronim gjithë materialin që është botuar, sidomos atë të vitit 1931, dhe së dyti se në regjistrimet e vitit 1921 nuk ka qenë shtruar direkt pyetja e kombësisë, porse ajo nxirrej nëpërmjet gjuhës amtare, gjë që ka krijuar mundësi për shumë spekulime në kurriz të popullsisë shqiptare. Sidoqoftë, nga kjo dalin qartë përpjekjet e regjimit për ta pakësuar sa më shumë numrin e popullsisë me kombësi shqiptare dhe për të rritur atë me kombësi turke. Kështu, p.sh.: ndërsa sipas regjistrimit të vitit 1921 në gjithë Jugosllavinë kishte 150 322 turq dhe 750 431 shqiptarë. Si do të shikojmë me poshtë, një politikë të tillë ndjek edhe regjimin titist në regjistrimin e vitit 1953.

Rezultatet definitive të regjistrimit të vitit 1921 mbi popullsinë, sipas gjuhës amtare, u botuan nga statistika e përgjithshme shtetërore, në botimin “rezultatet definitive të regjistrimit të popullsisë të 31 janarit 1921”, i cili u botua në vitin 1932, d.m.th. 11 vjet mbas regjistrimeve dhe 1 vit mbas regjistrimit të vitit 1931. Megjithëse në këto regjistrime nuk figuron pyetja mbi kombësinë por, vetëm ajo e gjuhës amtare, në grupimin e përgjithshëm kjo pyetje paraqitet si kombësi. Në këtë rast kombësia shqiptare jepet “arnaut”. Sipas këtij botimi, në vitin 1921, në Jugosllavi, kishte 439 657 shqiptarë (arnautë), nga të cilët në Kosovë 278 441, në Serbi dhe Maqedoni (atëherë ky territor quhej vetëm Serbi) 122 941, ndërsa pjesa tjetër në zona të tjera. Në këto regjistrime, turq kishte 150 322 , nga të cilët 27 910 në Kosovë, 120 425 në Serbi dhe Maqedoni, ndërsa pjesa tjetër në zona të ndryshme. (Shih tabelën nr. 9-10).

Gjendja e përgjithshme e popullsisë në krahinën e Kosovës sipas regjistrimit të vitit 1921, ishte si vijon: shqiptarë 278 841, serbë 113 848, turq 27 910, të tjerë 8 084. Gjithsej 428 283. (Shih tabelën nr. 10 të ndarë sipas rretheve). Në këtë libër popullsia sipas kombësive paraqitet edhe për çdo fshat.

Të dhënat e nxjerra nga regjistrimi i vitit 1931 duhet të jenë më të plota, sepse, në to ka ekzistuar pyetja direkte mbi kombësinë dhe gjuhën amtare, por si e përmendem edhe më lart, botimet mbi rezultatet për tani, kështu që ky boshllëk mbetet për t’u plotësuar më vonë.

Sipas mendimit tonë, regjistrimet që e paraqesin pak a shumë më të plotë gjendjen e popullsisë të kombësisë shqiptare në Jugosllavi, janë ato të 15 marsit 1948, të dhënat e të cilave u botuan në librin: “Konacni Rezultati Popisa Stanovnistva od 15 Marta 1948-Knjiga IX – Stanovnistvo Po Narodnosti-Beograd 1954”. Shifrat dhe të dhënat e tjera që jepen në këtë botim mbi popullsinë me kombësi shqiptare në Jugosllavi, sipas regjistrimit të 15 marsit 1948, në krahasim me ato të regjistrimit të 31 marsit 1953, janë dokumente të forta për të vërtetuar dhe demaskuar politikën e shkombëtarizimit që ndjek klika titiste në Kosovë. Thamë se të dhënat e botuara mbi regjistrimin e 15 marsit 1948 janë pak a shumë më të plota, sepse gjendja politike në atë kohë dhe marrëdhëniet ekzistuese nuk mund të mos influenconin në një paraqitje të tillë të gjendjes, të cilën jugosllavët me falsifikime të ndryshme në periudhën e mëvonshme kur morën rrugën e armiqësisë së hapur karshi vendit tonë dhe kampit socialist, përpiqen ta shtrembërojnë duke mohuar në mënyrë të turpshme atë gjendje që para disa vjetëve e paraqiten vetë.

Rezultatet definitive të regjistrimit të vitit 1948, për sa i përket kombësisë së popullsisë së Jugosllavisë, u botuan në vitin 1955 d.m.th. me 7 vjet vonesë dhe 2 vjet mbas regjistrimit të vitit 1953. Në hyrje të këtij botimi thuhet se libri botohet me shumë vonesë për arsye që nuk vareshin nga kompetencat e drejtorisë së statistikave, se libri priti shumë në shtypshkronjë dhe se në fund drejtoria e shtypit në shtypshkronjën e saj.

S’ka dyshim se arsyet e kësaj vonese të madhe nuk qëndrojnë në anën teknike të problemit, por në atë politike. Një gjë e tillë nuk është vështirë të konsiderohet mbasi do të mjaftonte vetëm t’i hidhej një shikim hyrjes së këtij libri të shkruar nga Milica Sentiç, shefe e Drejtorisë së Statistikës Demografike të RP-së së Serbisë dhe Gorçin Pecelj, ndihmësdrejtor i të njëjtës drejtori, që të nxjerrësh qëllimin e vërtetë të vonesës.

Siç u tha edhe më sipër, gjendja e popullsisë shqiptare në regjistrimin e vitit 1948 ishte pak a shumë e plotë. Mirëpo, një gjendje e tillë mbas vitit 1948 nuk përputhej me politikën e shkombëtarizimit të Kosovës që klika titiste filloi ta zhvillojë në mënyrë më aktive mbas kësaj periudhe dhe që në regjistrimin e vitit 1953 u paraqiten në mënyrë të qartë. Pra, duheshin pritur rezultatet e regjistrimit të vitit 1953 para se të botoheshin këto të dhëna, në mënyrë që të bëhej çmos për të justifikuar ndryshimet e mëdha në numrin e popullsisë së kombësisë shqiptare dhe turke, nga njëri regjistrim në tjetrin. Dhe ky justifikim u gjet, por, në një mënyrë shumë të trashë.

Ja se çfarë shkruajnë autorët e lartpërmendur në hyrjen e këtij libri: “…..Nga ana tjetër, dhënia e përgjigjes mbi pyetjen e kombësi sipas kriterit subjektiv, megjithëse ky kriter në konditat tona më i drejtë, mund të zbatohej nën influencën e rrethanave të ndryshme të cilat në disa raste mund të jepnin shkak për dyshim mbi ekzaktsinë e të dhënave mbi numrin e pjesëtarëve të disa kombësive. Kështu, p.sh.: mendojmë se ishte rasti me gjermanët dhe turqit, numri i të cilëve në regjistrimin e popullsisë së vitit 1948 u ul në favor të hungarezëve dhe shqiptarëve….”. “Sipas rezultatit të këtij regjistrimi, në vendin tonë kemi 750 431 shqiptarë ose 4.8% e gjithë popullsisë. Mendojmë se ky numër shqiptarësh është pak më i madh se sa në fakt, sepse autorëve të hyrjes (të cilët morën pjesë në zhvillimin dhe përpunimin e të dhënave të regjistrimit të vitit 1948) u është e njohur se, veçanërisht në krahinën e Kosovë e Metohisë dhe Sanxhakut si dhe RP-së së Maqedonisë, një numër i konsiderueshëm turqish u deklaruan si shqiptarë. Është normale të pritet që argumentimi mbi numrin ekzakt të shqiptarëve nga regjistrimet e mëparshme të popullsisë mos të jetë i saktë. Megjithatë është e njohur se të dhënat nga regjistrimet e viteve 1921 dhe veçanërisht nga regjistrimet e vitit 1931 janë krejtësisht të dyshimta, prandaj krahasimi me këto të dhëna do të dihet në fakt i pa vend”.

       S’ka dyshim se ky konkluzion që nxjerrin autorët e hyrjes së këtij libri ka për qëllim të justifikojë ndryshimin e madh që pësoi numri i popullsisë shqiptare në regjistrimet e vitit 1953 si rezultat i politikës së shkombëtarizimit dhe turqizmit të kësaj popullsie që u ndoq gjatë kësaj periudhe. Megjithëse bëhen përpjekje që ky konkluzion të paraqitet si i shprehur para regjistrimit të vitit 1953, në fakt ky nuk është gjë tjetër veçse si rrjedhim i përfundimeve të këtij regjistrimi. Një gjë e tillë bëhet e qartë edhe nga fakti se konkluzioni që nxjerrin autorët e lartpërmendur se një pjesë e turqve në regjistrimin e vitit 1948 u deklaruan si shqiptarë, nuk mbështetet në asnjë bazë dhe është krejtësisht i trilluar edhe për vetë faktin se këtu nuk kemi të bëjmë me një numër të kufizuar, por, me një masë të madhe popullsie. Përveç kësaj, si mund të pranohet se një numër kaq i madh banorësh, në vitin 1948, u deklaruan shqiptarë dhe në vitin 1953 si turq. Çfarë i shtyri ata që brenda një periudhe kaq të shkurtër të ndryshonin si pa gjë të keqe kombësinë e tyre, kur vetë autorët e lartpërmendur thonë se nga regjistrimet e vitit 1946 për herë të parë në historinë e Jugosllavisë botojnë statistika ekzakte dhe të plota mbi kombësitë që jetojnë në Jugosllavi, se në regjistrimet e para është dhënë një pasqyrë jo ekzakte dhe e shtrembëruar e strukturës kombëtare të popullsisë, se Jugosllavia e sotme nuk ka asnjë arsye që në regjistrimet e saj të mos vendosi faktin e vërtetë mbi kombësitë që jetojnë në të. Atëherë del pyetja: si u shtrembëruan brena një kohe kaq të shkurtër këto statistika ekzakte dhe të plota që përmendin autorët e këtij botimi.

Veç sa më sipër, në këtë libër thuhet: “Në programin e regjistrimit ishte parashikuar që njohja e strukturës nacionale e popullsisë së RFPJ-së të merrej nëpërmjet pyetjes së vetme – pyetjes së “kombësisë”, ….duhet të konstatojmë se regjistrimi i popullsisë i vitit 1948 për herë të parë në historinë e Jugosllavisë bëri të mundur që të merreshin një pasqyrë reale mbi përbërjen nacionale të popullsisë së Jugosllavisë. Vënie e pyetjes direkte kombësisë, të palidhur me ndonjë grup tjetër dhe pa e ngatërruar me kufizime politike etj., dha mundësi që çdo individë lirishtë të deklarojë se kujt kombësi i përket”. Lidhur me këtë çështje në hyrjen e librit: “Popis Satavnistvo 1953 – Knjiga I -Vitalna i Etniçka Obelezja”, Beograd 1959, thuhet: “…..Si shikohet, përgjigjet mbi pyetjen e kombësisë të marra në regjistrimet e vitit 1953 si dhe 1948 janë mbledhur në kondita të përcaktimit të lirë të kombësisë dhe të kriterit absolut subjektiv gjatë përgjigjes mbi pyetjen për kombësinë.

Një përcaktim i tillë i përgjigjes mbi kombësinë u shpreh edhe në rezultatet e regjistrimit, sepse, regjistrimet e vitit 1948 dhe 1953 tregojnë në numrin e pjesëmarrësve të disa kombësive të ndryshime të cilat kanë rrjedhur vetëm nga deklarimet e ndryshme të kombësisë në vitin 1948, 1953, të motivuar për arsye të ndryshme, (p.sh.: numri i turqve në vitin 1948 që u deklaruan se janë shqiptarë ose maqedonas, ose në të kundërtën, në vitin 1953 një pjesë e shqiptarëve u deklaruan si turq)”.

      Siç shikohet, autori i parathënies së librit të lartpërmendur, Milenko Ben, kryetar i Statistikës Demografike, ndryshimin e madh në popullsinë shqiptare dhe turke në regjistrimet e vitit 1953 në krahasim me atë të vitit 1948, mundohet ta paraqet si rezultat i shprehjes së lirë të dëshirës së banorëve për të përcaktuar kombësinë e tyre, por ai harron se edhe për regjistrimet e vitit 1948 po një deklaratë e tillë u bë, bile u tha edhe diçka më tepër, se këto rezultate ishin të sakta dhe të plota. Atëherë si shpjegohet që sipas tyre në të njëjtat kondita të ndodhi një ndryshim i tillë. Çfarë i detyroi banorët e njërës apo tjetrës kombësi që njëherë të deklaronin ndryshe dhe një herë tjetër ndryshe. Në pjesën që cituam më lart, autori i parathënies këto ndryshime i motivon “për arsye të ndryshme”, por, cilat janë këto arsye. Këtë nuk e thotë dhe nuk mund ta thotë, sepse, ajo është pikërisht fushata e gjerë që filloi regjimi titist mbas vitit 1948 për turqizmin e popullsisë së kombësisë shqiptare në Jugosllavi. Kjo është e vetmja bazë e këtyre ndryshimeve arbitrare që u banë në regjistrimet e popullsisë së vitit 1953.

      Sipas të dhënave të regjistrimit të 15 marsit 1948, botuar në librin IX, gjendja e popullsisë shqiptare në Jugosllavi paraqitej si vijon: Nga të gjitha kombësitë e tjera të huaja në Jugosllavi, numrin më të madh e zinte popullsia e kombësisë shqiptare 4.8% të të gjithë popullsisë së Jugosllavisë. Popullsia me kombësi shqiptare në pjesën më të madhe është e gjithë shqiptarëve që jetonin në Jugosllavi, më 1948 dhe që e përfaqëson 8.2% të popullsisë së Serbisë. Sipas regjistrimit të vitit 1948, në Kosovë kishte 498 242 shqiptarë që përbënin 68.4% të të gjithë banorëve në Jugosllavi. Në RP të Maqedonisë, më 15 mars 1948, banonin 197 389 shqiptarë dhe që zinin 17.1% të popullsisë së kësaj republike, ose, 26.3% të të gjithë numrit të shqiptarëve në Jugosllavi. Në RP të Malit të Zi po në këto regjistrime, kishte 19 427 shqiptarë që zinin 5.2% të popullsisë së republikës, ose, 2.6% të shqiptarëve në Jugosllavi. Në tri republikat e tjera numri i shqiptarëve në këtë kohë ishte nën 1 000 për çdo republikë. Me qenë se u tha më lartë, revizionistët jugosllavë gjatë regjistrimit të 31 marsit 1953, për sa i përket popullsisë me kombësi shqiptare, kanë ndjekur politikën e turqizmit të saj, ku krahasimet nga një regjistrim në tjetrin do t’i bëjnë me popullsinë e kombësisë turke.

      Më 15 mars 1948, minoriteti turk në Jugosllavi si numër zinte vendin e katërt, ndërsa siç do ta shikojmë më poshtë në vitin 1953, kaloi në vendin e tretë. Në këtë kohë, në gjithë Jugosllavinë, kishte 97 954 vetë me kombësi turke dhe që përbënte 0.6% të gjithë banorëve të Jugosllavisë. Pjesa më e madhe e tyre jetonte në RP të Maqedonisë 95.940, ose, 97.0% e të gjithë turqve në Jugosllavi dhe që zinin 8.3% të popullsisë së kësaj republike. Në Serbi, në atë kohë, banonin 1 941 turq, ndërsa në republikat e tjera numri i tyre ishte nën 100 veta.

      Në regjistrimet e 31 marsit 1953, kjo gjendje u ndryshua duke u karakterizuar nga një ulje e konsiderueshme e popullsisë shqiptare dhe një rritje shumë e madhe e popullsisë me kombësi turke. Sipas të dhënave të këtij regjistrimi, botuar në librin: “Popis stanovnistvo 1953 – Knjiga – Vitalna i etniçka obelezja”, Beograd 1959, gjendja e popullsisë shqiptare paraqitej si vijon: Në gjithë Jugosllavinë kishte 754 245 vetë dhe që zinte 4.5% të popullsisë së Jugosllavisë. Nga këtu në RP të Serbisë, jetonin 563 513 ose 8.1% të popullsisë së kësaj republike. Në RP të Maqedonisë jetonin 162 524 vetë ose 12.5% të popullsisë së kësaj republike. Në RP të Malit të Zi kishte 23 460 vetë, ose, 5.6% të popullsisë së republikës. Numri i shqiptarëve në republikat e tjera në vitin 1953 ishte 1 500 vetë. (Shih tabelën nr. 1 dhe 2).

      Sipas këtyre të dhënave, gjendja e popullsisë së kombësisë turke u ndryshua si vijon: numri i përgjithshëm i këtyre në Jugosllavi u rritë në 259 535 vetë, e cila përfaqëson 1.5% të gjithë popullsisë së Jugosllavisë. Nga këta në RP të Serbisë jetonin 54 526 veta ose 0.8% të popullsisë së kësaj republike. Në RP të Maqedonisë jetonin 203 93 vetë, ose, 15.6% të të gjithë popullsisë së kësaj republike. Nga analiza e këtyre të dhënave dalin këto përfundime: prej vitit 1948 deri në vitin 1953, popullsia me kombësi shqiptare në Jugosllavi u shtua vetëm 3 814 vetë dhe përqindja e pjesëmarrjes së sajë në popullsinë e Jugosllavisë ra nga 4.8% në 4.5%. Popullsia me kombësi turke në Jugosllavi gjatë kësaj periudhe u shtua në 161 581 vetë, ndërsa përqindja e pjesëmarrjes në popullsinë e gjithë Jugosllavisë u rritë nga 0.6% në 1.5%.

      Sipas republikave, gjendja e popullsisë së këtyre dy kombësive gjatë kësaj periudhe u ndryshua si vijon: në RP të Serbisë numri i popullsisë së kombësisë shqiptare u shtua në 33 502, ndërsa përqindja e pjesëmarrjes në popullsinë e republikës ra nga 8.2% në 8.1%. Popullsia e kombësisë turke në këtë republikë u shtua nga 1 914 vetë në 52 612 vetë, ndërsa përqindja e pjesëmarrjes në popullsi u rrit nga 0.0% në 0.8%. (Shih tabelën nr. 5).

      Në RP të Maqedonisë numri i popullsisë së kombësisë shqiptare u pakësua në 31 865 vetë dhe përqindja e pjesëmarrjes në popullsinë e republikës ra nga 17.1% në 12.5%. Numri i popullsisë së kombësisë turke u shtua në 107 998 dhe përqindja e pjesëmarrjes në popullsinë e republikës u rrit nga 8.3% në 15.6%. Në RP të Malit të Zi numri i popullsisë së kombësisë shqiptare u shtua në 4 035 vetë dhe i turqve nga 2 vetë në 292 vetë. (Shih tabelën nr. 6).

      Për sa i përket përbërjes së popullsisë në krahinën e Kosovës, gjendja në regjistrimet e vitit 1948 dhe 1953 paraqitet si vijon: Më 15 mars 1948, Kosova kishte një popullsi prej 727 820 banorë. Sipas kombësive, ky numër ndahej në këtë mënyrë: shqiptarë 498 242 vetë, serbë 171 911, malazezë 28 050, kroatë 5 290, jugosllavë të papërcaktuar 9 659, turq 1 315, ciganë 11 230 dhe pjesa tjetër nga kombësi të ndryshme. Në regjistrimet e 31 marsit 1953, në Kosovë kishte 808 141 banorë dhe sipas kombësive numri ndahej në këtë mënyrë: shqiptarë 524 559, serbë 189 869, malazez 31 343, kroatë 6 201, jugosllav të papërcaktuar 6 241, turqe 34 583, ciganë 11 904 dhe pjesa tjetër nga kombësi të ndryshme. (Shih tabelën nr. 3). Nga këto të dhëna del se, gjatë kësaj periudhe e gjithë popullsia e kësaj krahine pati një shtesë prej 80 321 vetë, ndërsa popullsia me kombësi shqiptare gjatë të njëjtës periudhë u shtua vetëm 26 317 vetë, d.m.th. në më pakë se 1/3 e shtesës së përgjithshme të popullsisë, megjithëse si numër ajo zë 64.9% të popullsisë së kësaj krahine. Në bazë të statistikave, të dhënat për lindjet, vdekjet dhe rritjen natyrale të popullsisë së Kosovës, prej vitit 1947 deri në vitin 1956, tabela Nr. 7, del se prej regjistrimeve të vitit 1948 deri në ato të vitit 1953, popullësia e Kosovës vetëm prej rritjes natyrale duhej të ishte shtuar në 94 633 vetë dhe nga kjo shifër duke llogaritur përqindjen që zënë shqiptarët në popullsinë e përgjithshme të kësaj krahine, shtesa e tyre duhej të ishte 60 565 vetë. Gjatë të njëjtës periudhë, popullsia turke në këtë krahinë u rritë nga 1 315 që ishte më 15 mars 1948, në 34 583 më 31 mars 1953, duke pasur një shtesë prej 33 268 vetë. Pra, kjo shtesë nuk është gjë tjetër veçse shndërrimi i popullsisë së kombësisë shqiptare në atë turke.

      Lidhur me popullsinë e kësaj krahine, nuk mund të lihet pa përmendur edhe një fakt tjetër. Sipas të dhënave të tabelës nr. 7 që përmendem me sipër, prej vitit 1947 deri në vitin 1953 popullsia e Kosovës u shtua në 130 742 vetë, vetëm nga rritja natyrale. Në regjistrimin e vitit 1948 numri i përgjithshëm i popullsisë ishte 727 820 + 130 742 deri në regjistrimin e vitit 1953 = 858 562, ndërsa në botimet e lartpërmendura popullsia në këtë krahinë jepet 808 141 vetë. Lind pyetja, se çfarë u bë me 56 421 vetët, mbasi si serbët ashtu edhe kombësitë e tjera në këtë krahinë, gjatë kësaj periudhe, nuk u pakësuan por u shtuan, ndërsa shqiptarët në republikat e tjera nuk u shtuan, por u pakësuan. Atëherë a nuk mund të arrihet në konkludim se ky numër përfaqëson shqiptarët që gjatë kësaj kohe emigruan në Turqi.

      Një situatë akoma më e keqe paraqitet për popullsinë shqiptare në Maqedoni, nga regjistrimet e vitit 1953. Në popullsinë e kombësisë shqiptare të kësaj zone jo vetëm se gjatë kësaj periudhe nuk pati asnjë shtesë natyrale, porse një pjesë të konsiderueshme të saj iu dha kombësia turke. Kështu p. sh.: ndërsa në vitin 1948 popullsia me kombësi shqiptare në këtë republikë ishte 197 389 dhe përbënte 17.1% të gjithë popullsisë së republikës, duke zënë vendin e parë në kombësitë e huaja, në vitin 1953 ajo u ul në 162 524, duke zënë 12.5% të popullsisë së Republikës dhe kaluar kështu në vendin e dytë si kombësi e huaj. Në këtë mënyrë ajo pati një ulje prej 34 865 pa llogaritur këtu shtesën natyrale të saj gjatë të njëjtës periudhë që të paktën duhet të jetë rreth 25-30 000 vetë, kështu që numri i popullsisë me kombësi turke në këtë republikë në regjistrimet e vitit 1953 u shtua nga 95 940 vetë ose 8.5% të popullsisë, në 203 938 vetë ose 15.6% të popullsisë, duke dalë kështu në vendin e parë si minoritet i huaj në këtë republikë me një shtesë gjatë kësaj periudhe prej 107 998 vetë. Autorët e hyrjeve të botimeve që i përmendem më sipër, deklarojnë se kjo shtesë e popullsisë me kombësi turke u bë jo vetëm në kurriz të popullsisë me kombësi shqiptare, por edhe mbi atë maqedonase. Ky është një absurditet i plotë dhe një falsifikim i pashembullt, sepse, nuk mund të mendohet në asnjë mënyrë që maqedonasi të cilin nuk e ofron as besimi dhe as gjuha me turqit, të deklarohet se është i kombësisë turke. Prandaj, nga kjo mund të nxirret si konkluzion se e gjithë shtesa e popullsisë së kombësisë turke në Maqedoni duke përjashtuar rritjen natyrale të saj prej 1948 deri në 1953 është bërë në kurriz të popullsisë së kombësisë shqiptare.

       Një tjetër karakteristikë që del nga regjistrimet e vitit 1931 në krahasim me atë të vitit 1948 është edhe fakti se, në botimet e materialeve mbi regjistrimin e vitit 1921 dhe 1948, jepen të dhëna mbi popullsinë e kombësive të ndryshme për çdo fshat të ndarë sipas kombësive, në materialet e botuara mbi regjistrimin e popullsisë në vitin 1953 këto të dhëna nuk jepen për çdo fshat të ndara sipas kombësive, porse në numër të përgjithshëm si banorë, megjithëse në regjistrimet një gjë e tillë është bërë. Ky veprim, në botimin: “Popis Stanovnistvo 1953 Knjiga XIV – Osnovni Podaci o Stanovnistva – Beograd, 1953”, justifikohet me sa vijon: “…Si shikohet nga tregimi skematik i përmbajtjes së tabelave mbi rezultatet e regjistrimit të popullsisë në vitin 1953, për fshatrat është përpunuar një tabelë (13), në të cilën përveç të dhënave të cilat botohen, gjenden edhe të dhënat mbi përbërjen e kombësisë te popullsisë se çdo fshati. Rrethi i grupimit të kombësisë nuk lejoj që këto të dhëna të viheshin në këtë libër, por këto ndodhen në dispozicion të të interesuarve në dokumentet statistikore”. Edhe në këtë rast s’ka dyshim se nuk është ana teknike ajo që nuk lejojë të botohen të dhënat mbi ndarjen e popullsisë sipas kombësive të ndryshme nëpër fshatra, siç paraqitet në botimin e lartpërmendur, por vet fakti se një gjë e tillë do të hidhte dritë mbi spekulimet e shumta që janë bërë në këtë rast në kurriz të disa kombësive dhe veçanërisht të asaj shqiptare.

      Në regjistrimin e 31 marsit 1953 përveç të tjerave, spekulime të shumta u bënë lidhur me besimin dhe gjuhën amtare. Megjithëse sot, por nuk kemi të dhëna në këtë drejtim, dihet se në popullatën e kombësisë shqiptare këto dy pyetje u përdoren me qellim të turqizmit të saj, duke shfrytëzuar në këtë rast edhe nivelin e ulët kultural të kësaj popullsie. Nga të dhënat statistikore të regjistrimit te 15 marsit 1948, botuar në librin IX-të, vlen të analizohet edhe një aspekt tjetër në popullsinë me kombësi shqiptare në Jugosllavi, ai i përbërjes në moshë të kësaj popullsie. Si do të shikohet nga tabela nr. 11, përqindja e popullsisë e grupit të moshës 0-4 vjeç në kombësinë shqiptare është 42.4%. Në krahasim me kombësitë e tjera, ky grup paraqet një ndryshim të madh, sepse, të hungarezët është 24.7%, italianët 24.2%, sllovakët 26.0%. Bile vetë autorët e hyrjes së këtij botimi thonë se kjo përqindje e madhe e fëmijëve në shqiptarë, nuk shfaqet gati në asnjë vend të botës për të cilat disponojnë statistika. Japonia, p.sh.: e cila qëndron në radhët e vendeve me përqindje shumë të madhe fëmijësh, sipas regjistrimit të 1 gushtit 1948, kishte gjithsej 34.6% të popullsisë në këtë grup. E kundërta ndodh me grupin e moshës 15-59 të popullsisë së kombësisë shqiptare në Jugosllavi. Në këtë grup, përqindja paraqitet në 49.5% dhe qe është shumë më e ultë nga ajo e kombësive të tjera, sepse, në sllovakët kjo paraqitet në 62.1%, hungarezët 63.3%, italianët në 62.5%. Në tekstin e këtij libri, lidhur me këto ndryshime thuhet si vijon: “…. Është e qartë se lindjet e shumta në shqiptarë dhe turq, një masë të konsiderueshme kanë rritur pjesëmarrjen e grupit të moshës 0-14 vjeç. Përveç kësaj, në këtë inflacion është rritur edhe përqindja e vdekjeve në popullsinë e këtyre dy kombësive”.

      Por, në qoftë se, këto të dhëna do t’i krahasojmë me të dhënat e tabelës nr. 8, e cila paraqet vdekjet në popullsinë e kombësisë shqiptare sipas grupeve të moshës, për vitin 1956, do të arrijmë në një konkluzion tjetër. Nga të dhënat e kësaj tabele del se, gjatë vitit 1956 në popullsinë e kombësisë shqiptare në Jugosllavi vdiqën gjithsej 15 043 vetë, nga të cilët 9 169 i përkasin grupit të moshës 0-14 vjeç, ndërsa grupit të moshës 15-59 vjeç vetëm 2 425 vetë. Kjo tregon se nga njëra anë nataliteti në popullsinë e kombësisë shqiptare është i lartë, por nga ana tjetër edhe normaliteti në këtë grup është gjithashtu i lartë, prandaj përqindja e madhe e njerëzve të grupit të moshës 0-14 vjeç në kombësinë shqiptare në vitin 1948 nuk mund të argumentohet kurrsesi me një argument të tillë. Sipas mendimit tonë shkaqet e vërteta të numrit të ultë të popullsisë të grupit të moshës 15-59 në popullsinë shqiptare në vitin 1948, janë masakrat në masë që bënë revizionistët jugosllavë gjatë kësaj periudhe në popullsinë shqiptare të krahinës së Kosovës.

      Në këtë studim mbi gjendjen e popullsisë shqiptare në Jugosllavi, neve u munduam të nxirrnim disa nga të dhënat kryesore që pasqyrojnë politikën e shkombëtarizimit dhe të turqizmit që ndjek klika titiste karshi pakicës shqiptare në Jugosllavi. Nga materialet që po dërgojmë me këtë rast, mund të nxirren të dhëna të tjera në këtë drejtim dhe mendojmë se do të ishte mirë që ky dokumentacion dhe ndonjë tjetër që do të mundohemi të sigurojmë me vonë, të studiohet dhe përpunohet nga njerëz kompetentë për të pasur një studim të plotë mbi këtë çështje.

Beograd, më 25/8/1959

Ministri fuqiplotë, Piro Koçi

Shtypur në 4 ekzemplarë  

3 i dërgohen M.P.J

1 ark. Legatës

(VIJON)

© Pashtriku.org

________________________

DOKUMENTE PËR KOSOVËN DHE VISET TJERA SHQIPTARE NË ISH JUGOSLLAVI – NË ARKIVAT E TIRANËS (9)

Nga Prof. dr. Sabit Syla

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura