FORMIMI I POPULLIT SHQIPTAR NË DRITËN E TË DHËNAVE ARKEOLOGJIKE

Nga Skënder Anamali

Aspekti më i ri dhe padyshim më i rëndësishëm për fazën e sotme të zhvillimit  të arkeologjisë mesjetare është ai i kërkimeve të ndërmarra këto vitet e fundit pothuaj në tërë vendin tonë, të cilat kanë pasur si qëllim edhe njohjen e procesit të formimit të popullit shqiptar. Kjo është një kohë për të cilën burimet historike të shkruara janë të mangëta dhe ku të dhënat arkeologjike fitojnë një vlerë të veçantë. Grumbullimi i një lënde të pasur e të larmishme arkeologjike, bashkë me të edhe i fakteve të reja, i kanë dhënë asaj mundësinë që në lidhje me këtë problem të arrijë një varg rezultatesh të shënuara.

Mbi bazën e këtyre të dhënave në referat do të trajtohen këto çështje: Kultura e antikitetit të vonë dhe uniteti i saj (duke përfshirë edhe ndikimet romake-provinciale bizantine të hershme), kultura arbërore e mesjetës së hershme dhe veçoritë e elementët përbërëse të saj dhe prejardhja e tyre, vendi dhe koha e formimit të kësaj kulture dhe vazhdimësia e jetës qytetare nga antikiteti në mesjetë. Ato përbëjnë një problem të madh e të vështirë dhe kërkimet arkeologjike po japin dita-ditës dëshmi të qarta që procesi i formimit të popullit shqiptar u krye në kushtet e një zhvillimi në fillim të ngadalshëm por që pas shek. VIII mori përpjesëtime të dukshme. Koha e vonë antike ka qenë një periudhë vendimtare në historinë e ilirëve të jugut, një kohë kur u krye procesi konservues i kulturës materiale e shpirtërore, mori impulset e para një proces tjetër, ai i formimit të popullit shqiptar. Ky proces u zhvillua në kuadrin e Perandorisë Romake të vonë e më vonë të asaj Bizantine dhe mban vulën e kohës si në aspektin historik, ashtu edhe kulturor.

Shtimi i zbulimeve arkeologjike i ka ndryshuar mendimet e vjetra për kohën e vonë antike në trevën e ilire jugore dhe na ka imponuar një vizion historik të ri. Ato kanë dhënë prova të pakontestueshme të vazhdimësisë etno-kulturore ilire në provincat e Prevalitanës, Dardanisë, Epirit të Ri dhe Epirit të Vjetër dhe të pranisë në to në atë kohë të [i]një kulture unitare[/i].

Dihet se një nga pasojat më të rëndësishme të rendit skllavopronar qe rënia e qyteteve dhe ruralizmi i jetës, sidomos në perëndim. Kjo u ndie edhe në provincat lindore të Perandorisë Romake. Në trevën e gjerë ilire vihet re rritje e ndjeshme e vendbanimeve fshatare, të cilat në antikitetin e vonë na dëshmohen nëpërmjet të dhënave arkeologjike në një numër më të madh, sesa në shekujt e mëparshëm. Me interes janë në këtë vështrim gjetjet e dendura të veglave bujqësore në nekropolet pranë këtyre vendbanimeve fshatare. Në vendin tonë kjo dukuri pasqyrohet në Ultësirën Bregdetare të njohur më parë si një krahinë e urbanizuar intensivisht[fn]S. Anamali, [i]Arkeologjia dhe bujqësia[/i], Tiranë1980, f. 55-63[/fn]. Popullsia fshatare e këtyre vendbanimeve na paraqitet tani si një fshatarësi e lirë dhe mjaft aktive. Kriza e rendit skllavopronar ndikoi edhe në lidhjet tregtare ndërprovinciale. Ato tani ndërpriten dhe treva ilire na paraqitet e pavarur nga importi. Prodhimet zejtare vendëse tani plotësojnë nevojat e konsumatorëve, por, ndryshe nga e kaluara, ky është prodhim i zejtarëve të vegjël.

Popullsia fshatare ilire në qëndresën e gjatë kundër pushtuesve romakë ka treguar një stabilitet në fusha të ndryshme të jetës. Fundi i sundimit të gjatë të traditave të artit romak i çliroi edhe në provincat ilire jugore forcat krijuese vendëse, të cilat deri atëherë i kishte ndrydhur ky art. Në lidhje me këtë rilindje të artit vendës, ku nuk mungojnë edhe ndikimet antike, janë me shumë interes disa relieve të gjetura këto vitet e fundit. Ato tregojnë njerëz të punës, bujq e zejtarë, dhe janë vepra të dala nga duart e mjeshtërve popullor. Këto relieve që zbulohen kryesisht në vendbanime fshatare, dallohen nga ato më të hershmet nga kompozimi, gdhendja e cekët e gurit dhe sidomos nga veshja tipike ilire që mbajnë figurat njerëzore të skalitur[fn][i]Po aty[/i], f. 64-68[/fn]. Ky art popullor provon se bashkësia etnike ilire nuk ka pushuar së ekzistuari asnjëherë. Ecuria e procesit evolutiv të kulturës ilire gjatë kohës së vonë antike u bë në mënyrë të rregullt.

Këtu duhet shtuar edhe ky fakt: me gjithë qëndresën e gjithanshme kundër romanizimit – i cili nuk mundi të çonte në asimilimin e kulturës – si pasojë e kontakteve të vazhdueshme me kulturën e Perandorisë Romake, në kulturën ilire hynë elemente të reja, por ilirët mbetën një element etnik i qëndrueshëmS. Anamali, [i]Nga ilirët te arbërit[/i], në «Studime historike», 3, 1972, f. 122-126.

  • Mbishkrim kushtuar perëndeshës Artemis në kohën e prytanis me emrin ilir Triteutas

Karakteristikë për kohën e vonë antike ka qenë edhe fortifikimi i disa qyteteve, por sidomos rindërtimi i kështjellave fushore me karakter ushtarak. Të tilla kanë qenë fortesat e Skampinit (Elbasan), Vigut (në rrethin e Shkodrës), Paleokastrës (në rrethin e Gjirokastrës), e në ndonjë tjetër. Është thënë se ngritja e tyre ka qenë diktuar më tepër nga nevoja e mbrojtjes kundër invazioneve të gotëve e të barbarëve të tjerë[fn]A. Baçe, [i]Kështjella e Paleokastrës[/i], në «Iliria», 2, 1981, f. 36.[/fn]. Duke pranuar si të drejtë këtë mendim, duhet shtuar se këto kështjella u ndërtuan edhe për një arsye tjetër jo më pak të rëndësishme: për të kontrolluar lëvizjet e kryengritjet e popullsisë vendase, e cila, siç njoftohet në mjaft raste, ka kundërshtuar pushtimin romak. Le të kujtojmë këtu një kryengritje të ilirëve taulantë të vitit 395 të e. sonë, të cilën perandori Honor e shtypi duke dërguar kundër tyre vizigotët e komanduar nga Alariku[fn]Prokopi i Cezaresë, «[i]De bello vandalico[/i]» III, 10-12, në vëllimin «Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë», Tiranë 1965, f. 431.[/fn].

Një pamjet tjetër kemi në qytetet, ku kriza e rendit skllavopronar u ndie më shumë dhe u shoqërua me pasoja të rënda, sidomos në shek. IV të e. sonë. Por, megjithatë, jo të gjitha qytetet e provincave ilire jugore u rrënuan dhe u braktisën nga popullsia. «Seleksionimi» i qyteteve të lashta u bë më tepër në ultësirën Bregdetare të Adriatikut, ku kishte një dendësi qytetesh relativisht të madhe. Kështu ndodhi në qytetin e madh e të njohur të Apolonisë. Pas një mijë vjet jetë Apolonia u bë dhe qendër peshkopale, por, duke mos pasur një rol ekonomik (lumi Aoos kishte ndërruar shtrat dhe derdhej më në jug, kurse rrethina bujqësore ishte bërë moçalore), u kthye në një qendërbanim «parazitar», të cilin dora-dorës e braktisën banorët. Në atë kohë u braktisën edhe qytete të tjera si Antigones (Jerma pranë Gjirokastrës), qyteti në Zgërdhesh të Krujës etj.

Në shek. V e VI gjendja e përgjithshme e provincave ilire jugore të përfshira në Perandorinë e Lindjes, disi ndryshoi. Kishte ende qytete të cilat, të favorizuara nga pozita e mirë gjeografike, e përballuan dhe e kapërcyen krizën e rendit skllavopronar të shek. IV dhe mbetën përsëri qendra të rëndësishme të fortifikuara me mure të rindërtuara. Këto qytete u mbajtën gjallë si rezultat i rritjes së elementeve prodhuese dhe të periferisë së tyre. Disa nga këto qytete, Skodra, Lisi (Lezha), Antipatrea-Pulkeriopoli (Berati), Aulona, Hadrianopoli (Melani në rrethin e Gjirokastrës), Onhezmi (Sarandë) e ndonjë tjetër, duke u ndodhur në rrugët e rëndësishme tokësore e detare mbetën qendra zejtare-tregtare. Kërkimet arkeologjike kanë treguar se në Lis, poshtë, në këtë kohë ka pasur një lagje, e cila, e favorizuar nga kalimi i një rruge kryesore që lidhte Dyrrahun me qytetet e Dardanisë dhe nga lundrimi nëpër lumin Drin, arriti të bëhej më e madhja e qytetit. Në kështjellën e Beratit janë gjetur dëshmi të shumta arkeologjike, që tregojnë se Antipatrea-Pulkeriopoli vazhdonte të ishte në shek.. V-VI ende një qendër e madhe. Nën muret e kështjellës mesjetare janë zbuluar pjesë muresh të ngritura në kohën e vonë antike, kurse në disa pika brenda kështjellës mesjetare, ku janë bërë gërmime, kanë dalë në dritë rrënoja godinash po të kësaj kohe. Në vendet e gërmuara janë gjetur me shumicë fragmente enësh balte të pjekur të përdorimit të përditshëm – enë të tryezës, të gatimit e të qilarit. Bashkë me to, në shtresën kulturore u gjetën vegla pune, sende shtëpiake dhe monedha[fn]H. Spahiu, [i]Qyteti iliro-shqiptar i Beratit[/i] (rezultate të gërmimeve arkeologjike), kumtesë e lexuar në sesionin shkencor të v. 1978[/fn].

Dyrrahu (Durrësi), kryeqendra e provincës Epiri i Ri, ka qenë edhe në antikitetin e vonë një qytet i madh. Përqendrimi i administratës provinciale dhe ushtarake dhe i institucioneve kishtare stimuloi zhvillimin e degëve të ndryshme të prodhimit dhe të tregtisë së qytetit me prapatokën e tij. Në Dyrrah ka pasur punishte të mëdha perandorake prodhuese të tullave e të tjegullave, punëtori të gdhendjes së skulpturave dekorative arkitektonike, të cilat furnizonin jo vetëm qytetin, por një krahinë të gjerë[fn]K. Zheku, [i]Zbulime epigrafike në muret rrethuese të kalasë së Durrësit[/i], në «Monumentet», 3, 1972, f. 147-158.[/fn]. Kjo ka qenë krahina e quajtur Dyrrakia, e cila, sipas Vib Sekuestrit, një gjeograf i shek. V, shtrihej nga Mati në veri deri në Shkumbin në jug[fn]Vebii Sequestris, [i]De fluminibus, fontibus, lacubus, nemoribus, paladibus, montibus, gentibus per litteras Tiballus[/i], Lipsiae, 1967, f. 6.[/fn]. Kjo ka qenë një krahinë e banuar nga një popullsi ilire kompakte, që mbrojti kurdoherë qytetin dhe luajti një rol të rëndësishëm në ngjarjet e shek. VI e fillimet e shek. VII dhe që mbeti e lidhur me Dyrrahun edhe në mesjetë. (Burimet historike përmendin 30 kështjella që e mbronin këtë qytet dhe që shkonin në veri deri në Ulqin). Në kohën e vonë antike Dyrrahu ka pasur një sistem të fuqishëm muresh mbrojtëse të ngritura nga perandori Anastas I me origjinë nga ky qytet[fn]Gj. Karaiskaj – A. Baçe, [i]Kalaja e Durrësit dhe sistemi i fortifikimit përreth në kohën e vonë antike[/i], në «Monumentet», 9, 1975, f. 5-23.[/fn]. Këto mure, dhe ato të ndërtuara në kohën e perandorëve Justin dhe Justinian, do të mbeten gjatë gjithë mesjetës paraturke baza kryesore e mbrojtjes së qytetit. Muzeu i Durrësit ka sot koleksionin më të pasur të skulpturës dekorative arkitektonike paleokristiane të vendit tonë; ato janë shtylla e kapitele prej graniti e mermeri nganjëherë me përmasa shumë të mëdha, ku nuk mungojnë edhe ekzemplarë nga Prekonezi pranë Kostandinopojës, si dhe pllaka e korniza të skalitura me shumë mjeshtëri, që dikur zbukuronin një varg bazilikash monumentale që ngriheshin në qytet dhe në rrethinën e tij[fn]S. Anamali, [i]Dyrrahu në shekujt V e VI e. sonë[/i], kumtesë e lexuar në sesionin shkencor të vitit 1979 në Durrës (dorëshkrim).[/fn].

Në provincat jugore ilire ka pasur qytete të cilat, megjithëse vazhduan të ekzistonin në antikitetin e vonë, kishin pësuar ndryshime. Kishte qytete që ishin rrudhur në kështjella të thjeshta ushtarako-strategjike, kishte të tjera që nuk kishin as muret madhështore të mëparshme, as godinat e vjetra shoqërore – me përjashtim të ndonjë kishe – dhe që nuk kishin, çka është më me rëndësi, as fuqinë, as edhe mjetet ekonomike të dikurshme, madje edhe sipërfaqja e banuar ishte zvogëluar, duke zënë vetëm një pjesë të vogël të qendërbanimit të lashtë.  Një pamje e tillë ka dalë në rrënojat e qytetit ilir Bylis të zbuluar në kodrën mbi fshatin Hekal të Mallakastrës, në rrethin e Fierit.

Sipas udhërrëfyesit të shek. VI, Synekdemit të Hieroklit, në provincat ilire aso kohe kishte 20 qendërbanime të konsideruara si qytete[fn]Hierocli [i]Synecdemus[/i], 651-656, në vëllimin «Ilirët dhe Iliria te autorët antikë», f. 455-456.[/fn]. Ky numër përputhet me të dhënat e koncileve kishtare të kohës, mbasi thuajse të gjitha qytetet e mëdha ishin edhe seli peshkopale. Të tilla qenë Skodra, Lisi, Dyrrahu, Skampini, Skupi (Shkupi), Ulpiana (pranë Prishtinës), Lyhnidi (Ohri), Apolonia, Bylisi, Amantia (Ploça e Vlorës), Aulona, Butroti (Butrinti), Onhezmi, Foinike (Finiqi i Sarandës) dhe Hadrianopoli – Justiniapoli.

Kërkimet e gërmimet arkeologjike kanë zbuluar një pamje deri dje të panjohur për këtë trevë, ku, përveç ndërtimeve ushtarake – civile, ka pasur një veprimtari të gjerë krijuese edhe në fushën e ndërtimeve monumentale kishtare, e cila shihet në arkitekturën e tyre, në mozaikët dhe në plastikën dekorative arkitektonike. Po përmendim si zbulime të reja të shek. V e VI bazilikën e Sarandës, të ngritur brenda mureve rrethuese të qytetit me dysheme të shtruara me mozaikë shumëngjyrësh që zë një sipërfaqe prej 150 m², bazilikën e Ballshit (në rrethin e Fierit) që ka dhënë një skulpturë dekorative arkitektonike shumë të pasur dhe bazilikën e Arapajt në rrethin e Durrësit, e cila paraqitet si një nga godinat e kultit kristian nga më të mëdhatë të zbuluara në vendin tonë[fn]S. Hidri, [i]Një bazilikë e shek. VI-XII në fshatin Arapaj (Durrës)[/i] kumtesë e lexuar në sesionin shkencor të Sarandës (14.6.1982)[/fn].

Numri i rrënojave të bazilikave paleokristiane të zbuluara këto vitet e fundit ka ardhur duke u rritur shumë. Në Ultësirën Bregdetare dhe në brendi të vendit, në qytetet dhe në rrethinat e tyre numërohen mbi 30 rrënoja bazilikash paleokristiane. Këto ndërtime kanë qenë lidhur me shtresat e larta sunduese.

Krahas qyteteve seli peshkopale, ka pasur edhe një tog qyteza e kështjella, ndonjëra prej tyre e lidhur me interesat ushtarake të Perandorisë Bizantine, por shumica e tyre qenë qendra banimi të tipit fshatar, në jetën e të cilave bujqësia zinte një vend të dorës së parë. Këto të fundit kanë qenë ndërtuar nga popullsia vendase, gjë që shpjegon edhe numrin e madh të tyre. Me shumë interes janë qytezat e fortifikuara të kohës së vonë antike të Kosovës, qendërbanime të popullsisë minatore dardane – ne njohim më mirë ato të Drenicës[fn]Gjatë ekspeditës arkeologjike të vitit 1980 në Kosovë eksploruam kështjellat e Verbovcit e të Kosmacit. Shih edhe Muhamet Pirraku, [i]Ndihmesë për hartë arkeologjike të pjesës qendrore të Kosovës[/i], në Onomastika e Kosovës, Prishtinë 1979, f. 475-539.[/fn] – por ende të pagërmuara dhe të studiuara në mënyrë të pamjaftueshme.

Të dhënat që sollëm deri tani tregojnë për praninë në shek. V e VI të [i]një kulture materiale unitare[/i] në trevën e banuar nga shqiptarët. Uniteti i kësaj kulture vërehet në prodhimet e ndryshme zejtare, në qeramikë (duke përfshirë edhe qeramikën e ndërtimit), në artin e të ndërtuarit, në plastikën arkitektonike e në mozaikët dhe deri në qarkullimin monetar[fn]S. Anamali, [i]Antikiteti i vonë dhe mesjeta e hershme (arritje e probleme) në «Iliria», IX-X, 1979-1980.[/fn]. Konstatimi i kësaj kulture materiale unitare në provincat ilire jugore, Prevalitanë, Dardani, Epir i Vjetër dhe Epir i Ri tregon se popullsia e tyre e njësishme nga pikëpamja etnike ka reaguar njëlloj ndaj ndikimeve të kulturës romake dhe më vonë asaj bizantine[fn]A. Buda, [i]Rreth disa çështjeve të historisë së formimit të popullit shqiptar, të gjuhës e të kulturës së tij[/i], në «Studime historike», 1, 1980, f. 170.[/fn].

Me një zhvillim ekonomik e shoqëror të përparuar, me një kulturë materiale e shpirtërore unitare hynë ilirët në mesjetë. Por në burimet tregimtare bizantine pas shek. VI nuk ka njoftime për ta. [i]Për mesjetën e hershme ka kryesisht materiale arkeologjike[/i]. Materialet arkeologjike shtohen nga viti në vit, por rritet edhe vlera dokumentare e tyre, sepse ato janë thuajse tërësisht vendase.

E tillë është «[i]Kultura e Komanit[/i]». Zbulimet e para të kësaj kulture i takojnë fundit të shekullit të kaluar dhe u bënë, sikurse dihet, në varrezën e Kalasë së Dalmaces, pranë fshatit Koman të Pukës, prej të cilit ka marrë edhe emrin. Që kur u zbuluan varret e para, gjetjet arkeologjike të varrezës tërhoqën vëmendjen e studiuesve dhe ngjallën diskutime të shumta. Duke u gjetur para një kulture të panjohur, por me një interes shkencor të madh, studiuesit u përpoqën të zbulonin «misterin» e saj. Pa njohur historinë e popullit e të vendit, ku ishte zbuluar varreza, me pak fjalë gjeografinë e krahinës së Pukës, ata çuan në Koman popuj që nuk kishin të bënin me vendasit, si suevët germanikë, avarët e sllavët. Më i arsyeshëm e më i pranueshëm qe, për atëherë, mendimi se në varrezat e Kalasë së Dalmaces duhet parë një popullsi ilire e romanizuar, sikurse edhe datimi i dhënë: koha e «dyndjes së popujve» apo shek. IV-VII[fn]S. Anamali, [i]Problemi i kulturës së hershme mesjetare shqiptare në dritën e zbulimeve të reja[/i], në «Studime historike», 2, 1967, f. 29-40.[/fn].

Gjurmimit e studimit të kulturës së Komanit, në këta 20 vjetët e fundit, arkeologjia jonë i ka kushtuar një vëmendje të posaçme. Rezultat i kërkimeve sistematike të këtyre viteve ka qenë zbulimi i një tog varrezash të ngjashme me atë të Kalasë së Dalmaces, kryesisht në Shqipërinë e Veriut e të Mesme, në rrethet e Tiranës, Durrësit, Krujës, Lezhës, Mirditës, Shkodrës e Kukësit. Kultura e Komanit është zbuluar edhe jashtë kufijve të R. të Shqipërisë: në një varrezë të vogël në Afionë të Korfuzit (Greqi), në varrezën e Mijeles pranë Vir Pazarit në breg të liqenit të Shkodrës (Mal i Zi) dhe në varrezat e Grobinikut, Radolishtit e Shën Erazmit në rrethin e afërt të qytetit të Ohrit (Maqedoni). Numri relativisht i madh i varrezave të zbuluara – gërmimet sistematike të bëra në disa prej tyre, si dhe lënda arkeologjike e pasur që ka dalë në dritë, kanë krijuar kushtet për studimin e kulturës së Komanit në një sfond gjeografik të ndryshëm nga ai i studiuesve të parë, mbi një bazë materiale të bollshme dhe, ajo që është me shumë rëndësi, kanë lejuar të zgjidhen drejt çështjet më themelore që lidhen me të[fn]Po ai, [i]Nga ilirët te arbrit[/i], f. 130-132.[/fn].

Në të gjitha varrezat e gjurmuara, duke përfshirë edhe ato më të voglat, është gjetur [i]një kulturë materiale e vetme[/i]. Këtë e tregon në rradhë të parë [i]inventari i varreve[/i], ku fibula me këmbë të përthyera përbën shembullin më të bukur. Por e tregojnë edhe disa elemente të përbashkëta, si përdredhjet spirale të telit ose kokat piramidore etj. që vërehen në një grup stolish sikurse janë fibulat, rrathët e qafës, rrathët e dorës e rrathët e tëmthave si  dhe varëset e mëdha të rripave. E njëllojtë është edhe zbukurimorja e stolive metalike, në të cilat përsëriten nganjëherë me një insistim e gjerësi të jashtëzakonshme shumë elemente të simbolikës ilire.

Në të gjitha varrezat janë gjetur [i]varre të ndërtuara njëlloj[/i]; ato kanë trajtën e një arkëze, ndonjëherë pakëz të fryrë në mes. Zakonisht varret kanë anash rasa shtufi apo gëlqerori të vendosura pingul, në raste të tjera janë të rrethuara me mure gurësh të vegjël ose të përzier edhe me rrasa. Me rrasa është edhe çatia, e cila në disa varre (kryesisht në Krujë), ka trajtën e një çatie dyujëshe. Kudo varret janë me vendosje trupi të shtrirë në shpinë drejt në tokë. Unitet ka në orientimin e varreve, ku mbizotëron ai lindje-perëndim. Janë gjetur varre edhe me orientim verilindje-jugperëndim ose veriperëndim-juglindje (ka të ngjarë të diktuara nga stinët e motit) dhe më rrallë (kryesisht në Krujë) varre me orientim veri-jug. Si ndërtimi e orientimi i varreve dhe riti i varrimit janë të lashta në vendin tonë, ata janë gjetur gati në të gjitha varrezat tumulare që nga periudha e fundit e bronzit e epoka e hekurit.

Arkeologët që kanë studiuar kulturën e Komanit kanë përcaktuar [i]edhe përbërësit e saj[/i]. Madje me anën e këtyre përbërësve ata kanë mundur të ndjekin edhe procesin e formimit autokton të kësaj kulture. Kështu, tashmë është krejt e qartë që kultura e Komanit është vazhduese e drejtpërdrejtë e kulturës vendase të kohës së vonë antike, por në një nivel më të lartë. Kjo vërehet shumë mirë në një tog objektesh të gjetura në varret, tek veglat e punës e armët, latushat, sëpatat, thikat e majat e shigjetave, tek stolitë, fibulat, broshet, tokëzat dhe në qeramikë. Të gjitha këto objekte riprodhojnë trajta të njohura,  të cilat i kemi gjetur në varreza e qendërbanime të  shek. IV-VI, dhe janë me shumë interes, sepse tregojnë për prodhimin e tyre në vend, pra dëshmojnë për [i]vijimësinë[/i] e disa zejeve si argjendaria, farkëtaria  e poçeria, një dukuri kjo krejt e natyrshme në procesin e formimit autokton të kulturës së Komanit.

Midis gjetjeve arkeologjike të bien në sy disa varëse – që lidheshin me veshjen – dhe që vijnë nga fondi i kulturës ilire të epokës së hekurit. Këto varëse të punuara vetëm në bronz kanë trajtën e një ose dy-tre rrathëve me ose pa rreze të brendshme dhe shpesh janë të zbukuruara, në dy ose katër anët, me protome shpendësh. Këto varëse rrethore janë quajtur edhe rrotëza dhe tek ilirët kanë kryer funksionin e amuleteve. Me trajtën e tyre rrethore paraqesin diellin ose tregojnë simbolin e diskut diellor. Protomet e shpendëve i lidhin ato edhe me kultin e zogut diellor.

Varëse të tilla, jo të pakta, janë gjetur në të gjitha varrezat e mëdha, çka do të thotë se ato ruanin përmbajtjen e vjetër simbolike dhe se kanë qenë bartur edhe në mesjetën e hershme. Një përfundim i tillë është me shumë rëndësi: [i]së pari[/i] tregon se në gjirin e popullsisë që përdori varrezat ruheshin ende të forta disa mbeturina të kulteve pagane, bashkë me to edhe mbeturina të kulturës së lashtë shpirtërore të tyre.

Një dukuri tjetër që është vërejtur në varrezat dhe që përforcon mendimin tonë mbi vazhdimësinë ilire është edhe prania në varret e disa objekteve karakteristike ilire, si sumbullat gjysmësferike të zbukuruara në pjesën e sipërme me vija radiale të tejshpuara, rruazat bikonike, rrathët me gunga anësorë dhe pjesë stringlash, të gjitha të punuara në bronz. Të gjitha këto objekte janë gjetje të zakonshme në varrezat tumulare ilire të Matit. Por në varrezat tona ato janë gjetje të vetmuara, të cilat nuk e kanë më funksionin e vjetër – një sumbull gjysmësferike u gjend në një varr e varur në një gjerdan rruazash prej qelqi – dhe kanë mbetur relike, objekte me karakter simbolik të trashëguara nga banorët e lashtë të viseve ku ndodheshin varrezat.

Të gjitha të çojnë në një përfundim logjik se [i]rrënjët e thella të kulturës së Komanit arrijnë tek ilirët, banorët e lashtë të vendit tonë[/i][fn]Po aty.[/fn].

Në fondin e kulturës së Komanit ka edhe objekte të cilat janë drejtpërdrejtë ndikime bizantine të hershme dhe njëkohësisht pjesë përbërëse e rëndësishme e saj. Disa prej këtyre objekteve dhe në radhë të parë vathët nuk janë thjesht «[i]imitime bizantine»[/i], por i janë nënshtruar një përpunimi krijues dhe kanë marrë nga një trajtë, kanë fituar një paraqitje artistike vendëse, e cila lidhej me aftësitë e mjeshtërve që i punuan, duke treguar njëkohësisht se trajtat e reja janë përthithur prej tyre. Në përgjithësi stolitë e kulturës së Komanit janë tregues të veçorive të qarta etnike. Kjo shihet qartë kur i krahasojmë me ato të popujve të tjerë fqinjë. Dallimi ndihet menjëherë; ato nuk gjenden jashtë trevës së banuar nga një popullsi autoktone.

Midis stolive, disa lloje tokëzash rripi, broshat e praruara dhe ndonjë rreth floriri, të ardhura me ndërmjetësinë e parisë vendase, i takojnë drejtpërdrejtë [i]importit bizantin[/i]. Pjesa më e madhe e tyre janë gjetur në varrezën e Krujës, por nuk mungojnë edhe në inventarët e varrezave të Lezhës, Milijes e bile të Kalasë së Dalmaces. Qendra prej nga erdhën këto objekte dhe në përgjithësi «ndikimet bizantine» ka qenë qyteti i Dyrrahut. Kjo mund të shpjegohet në radhë të parë nga pozita gjeografike e tij dhe afërsia me rrugët që kalonin asokohe pranë varrezave që përmendëm. Një provë tjetër, tani për tani vetëm për tokëzat, na kanë dhënë gjetjet e reja në disa varre të shek. VII të zbuluara brenda qytetit të Durrësit, inventari i të cilave përbëhet kryesisht prej tokëzave, ku ka edhe trajta që i shohim për të parën herë[fn]F. Tartari, [i]Varreza e Durrësit e shek. VI-VIII[/i], kumtesë e lexuar në sesionin shkencor të Sarandës (14.6.1982)[/fn].

Gjetja e objekteve bizantine në varrezat tona do të thotë se kultura e Komanit kishte edhe [i]elemente kulturore të natyrës ballkane-bizantine[/i], por të hershme.

Në kulturën e Komanit nuk ka elemente të kulturës sllave e avarë. Shfaqja e vetmuar e tre fibulave të harkuara «me gishta», të gjetura në varrezat e Krujës e të Lezhës, janë sigurisht të pamjaftueshme për të pohuar praninë e një kulture sllave të ardhur me dyndjet në shek. VI-VII. Në lidhje me këto fibula, të datuara në dy shekujt e mësipërm, në arkeologji ka mendime të ndryshme. Tani së fundi disa studiues rumunë, duke u nisur nga fakti se gjenden në vise të ndryshme të Perandorisë Bizantine (deri në Azi të Vogël), janë të mendimit se ato duhen lidhur me popullsinë autoktone të viseve ku janë gjetur[fn]Petre Aurelian, [i]Les fibules «digitées d’Histria»[i], në «Studi si cercetari de Istorie Veche», 1, Tomul 16, 1965, f. 67, 96; V. Çiuca, [i]Fibula digitata[/i], në «Revista Muzeelor si Monumentelo». 6. 1978, f. 47.[/fn]. Disa të tjerë i quajnë si stoli të grave sllave, por duke shtuar se nga shqyrtimi i vendgjetjeve këto fibula «nuk kanë qenë karakteristike për të gjithë sllavët, por vetëm për antët»[fn]Shih [i]«Rapports du III Congrés International d’Archéologie Slave»[/i], Tome 1, Bratislave, 1979, f. 31.[/fn]. Kjo tregon qartë se «tri fibulat» tona kurrsesi nuk duhen marrë si mbeturina të përhapjes së sllavëve, por ka të ngjarë të jenë «të ardhura në këto vise nëpërmjet tregtisë». Një gjë e tillë duhet menduar edhe për ndonjë majë shigjete trifletëshe prej hekuri të përdorura nga avarët dhe të gjetura në tre varre (Lezhë e Shurdhah) apo në qytezën e Pogradecit (dy ekzemplarë).

Në lidhje me «teorinë» e disa arkeologëve jugosllavë, që shihnin në disa objekte të varrezës së Kalasë së Dalmaces «mbeturina sllave», para shumë vjetësh të mbështetur në dëshminë e një materiali arkeologjik të pasur dhe me argumente të shumta, ne kemi provuar paqëndrueshmërinë e saj[fn]S. Anamali, [i]Mbi kulturën e hershme shqiptare[/i], në «Studime historike», 2, 1969, f. 155-169.[/fn]. Për hir të vërtetës duhet thënë se sot në literaturën jugosllave nuk ka më një mendim të vetëm për elementet «sllave» në kulturën e Komanit, sidomos pas shtimit të zbulimeve arkeologjike dhe gjetjes së varrezave me objekte të kësaj kulture në brigjet e liqeneve të Shkodrës e të Ohrit. Një pjesë e mirë e arkeologëve jugosllavë pranojnë se në kulturën e Komanit «[i]shihet një traditë materiale e shpirtërore e popullsisë vendase, se ajo formohet si një kulturë me vete në traditën antike të vonë[/i]»; për ndonjë tjetër qëndron mendime se «[i]në një hapësirë të caktuar është formuar një grup arkeologjik me karakteristika të veçanta me shumë import bizantin, i cili i takon një etnosi[/i]». Por ndodh që thuhet edhe kështu – sikurse është rasti për inventarin e nekropolit të Mijelës në Mal të Zi «[i]Analogjia më e afërt na jepet prej materialit funerar të Kalasë së Dalmaces e të Krujës[/i]». Ka autorë pastaj që kërkojnë rrugë kompromisi sikur është rasti përsëri për varrezën e Mijeles kur pohojnë se «[i]tani për tani mund të flitet për një trashëgim që përfshin periudhën në të cilin në këtë vend (në Mijelë, Kala e Dalmaces, Krujë e Lezhë) ishin të pranishëm me krijimtarinë e tyre materiale e shpirtërore ilirët dhe për kohën e dyndjeve barbare kur ka qenë e mundur të bëhet sinkretizimi i kulturave të dy etnoseve iliro-shqiptare dhe sllavëve.[/i]» Një mendim i paargumentuar jepet për bartësit e kulturës së tri varrezave të periferisë së Ohrit. Duke mohuar plotësisht kulturën e Komanit e shtrirjen e saj, objektet i atribuohen një fisi sllav brsjacöve

[fn]Shih për
këto: Irena Rajteric-Sive, [i]Stand der Mittelterlichen archeologischen Forschung
in Albanien nach dem II Weltkrieg[/i], në «Arheoloski Vostnik, XXV, 1974,
Lubjana 1976.

 

J. Kovacevic, [i]Sloveni i starobalkansko
stanovisto[/i], në «Materiali» IX 1972, f. 171.

 

O. Velimirovic-Zizic, [i]Mijele, Vir
Pazar-ranosrednjovekovna nekropola[/i] në «Arheoloski Pregled»,8, 1966, f. 155.

 

P. Mijovic, [i]Mijelskinakit i kultura verovanja[/i],
në «Starina» XX, 1, 1970 (Beograd 1972), f. 68-69.

 

B. Babie, [i]Od arheoloskoto bogatsva na SR
Makedonia[/i] (Srednovekoven period vo SR Makedonija), Skopje, 1980, f. 103.

 

Sikurse shihet në literaturën jugosllave në lidhje me
kulturën e Komanit ka mendime kontradiktore. Por një gjë është e vërtetë,
«Kultura e Komanit» në shumicën e rasteve pranohet që është një kulturë vendëse
(nuk thuhet shqiptare), por me shtojcën se, përveç ndikimeve bizantine, ka edhe
ndikime sllave (të cilat te sllavët – kanë ardhur nga Bizanti).

 

Elementët e kulturës provinciale romake që u ruajtën
në kohën e vonë antike dhe vazhduan në mesjetën e hershme, elementet e kulturës
së hershme bizantine nuk e dobësojnë karakterin autokton të kulturës së
Komanit. Përkundrazi, sikurse e kemi theksuar edhe më parë ato tregojnë se kjo
kulturë u zhvillua në kontakte të ngushta me to dhe se [i]bartësit e saj janë
arbrit mesjetarë, pasardhësit e drejtpërdrejtë të popullsisë së lashtë
ilire[/i], e cila i kishte njohur në vend kulturat romake provinciale dhe bizantine
të hershme.

 

E mbështetur në këto të dhëna, arkeologjia jonë arriti
në përfundimin se kultura e Komanit është një kulturë vendëse dhe u zhvillua
mbi bazën e një kulture më të vjetër, po ashtu vendëse. Duke qenë e tillë
kuptohet se edhe bartësit e saj nuk janë tjetër veçse pasardhësit e popullsisë
së vjetër ilire, të cilët në mesjetë dolën me emrin arbër, vazhdues të emrit të
albanëve të Ptolemeut. Kultura e Komanit lulëzoi aty nga fundi i shek. VI-VIII,
në një kohë kur kishte nisur të zhvillohej procesi i formimit të popullit
shqiptar. Prandaj ajo lidhet me arbrit – shqiptarët e hershëm.

 

Popullsia arbërore në shek. VII
e VIII është e organizuar në bashkësi fshatare e qytetare. Por në varrezat e
përdorura nga kjo popullsi janë gjetur varre me inventar të pasur, të varfër
dhe bile pa inventar, çka tregon për një diferencim ekonomik dhe për shtresa të
ndryshme në gjirin e bashkësisë. Kultura e Komanit ka qenë kultura e bashkësive
fshatare e qytetare arbërore, shthurja e të cilave i takon periudhës fillestare
të vendosjes së marrëdhënieve feudale.

 

Cilët kanë qenë kufijtë e
shtrirjes ose treva ku u përhap kultura e Komanit? Zbulimi i kësaj kulture në
krahinën e Kukësit përbën një provë të qartë që edhe trualli i Dardanisë, ku ka
qenë përfshirë kjo krahinë në mesjetën e hershme, ka pasur të njëjtin zhvillim
kulturor si krahinat e tjera të vendit tonë. Po e njëjta gjë mund të thuhet
edhe për krahinën përreth liqenit të Ohrit, ku si në truallin dardan banojnë
pasardhësit e bashkësisë së madhe ilire. Mendoj se nuk është për të mos u
përfillur mendimi i shfaqur 15 vjet më parë se «shkaku i mungesës se gjetjeve
(të kulturës së Komanit S. A.) në provincat e Maqedonisë e të Dardanisë duket
se e ka burimin në veprimtarinë relativisht të pamjaftueshme, të gjurmimit,
sepse në provincat fqinje të Prevalitanës e të Epirit të Ri kemi një popullsi
autoktone të atyshme dhe një sasi gjetjesh përkatëse nga varrezat e
rëndësishme. Shembulldhënës është nekropoli i Komanit, dikur kalaja e Dalmaces
në Shqipërinë e Veriut, pastaj nekropoli i Shqipërisë së Mesme i Krujës etj»[fn]Zd.
Vinski, [i]Preslavenski Etnicki Elementi na Balkanu etnogenezi juznih
Slovena[/i] në «Sympozium», Mostar 24-26 tetor 1968. Sarajevo 1969.[/fn]

). Gjetja e varrezës së Afionës në Korfuz na bën të mendojmë edhe për viset jugore një dukuri të ngjashme.

Sidoqoftë, mund të thuhet me plot bindje se kultura e Komanit ka qenë përhapur në një trevë të gjerë, e cila  ka qenë përfshirë në grupin kulturor ilir të Matit. Mbi këtë bazë u shtri në fillim të mesjetës një krahinë e mëvonshme e madhe etnografike.

Gërmimet arkeologjike të bëra në këto vitet e fundit  në disa varreza tumulare të Shqipërisë Jugore kanë zbuluar edhe në këto vise praninë e një kulture arbërore të mesjetës së hershme. Ajo ka dalë nga një tumë në Dukat të Vlorës, në tumat e Piskovës, Rapckës e Grabovës në rrethin e Përmetit, në tumën e Rehovës të Kolonjës dhe në disa varre vendbanimesh fshatare në Skrapar

[fn]N. Bodinaku, [i]Gjetje të kulturës së hershme mesjetare në luginën e
sipërme të Vjosës[/i]. Kumtesë e lexuar në Konferencën Kombëtare për Formimin e
Popullit Shqiptar, të Gjuhës dhe të Kulturës së Tij, (Tiranë 2-5 korrik 1982).

S. Alia, Gjetje të
mesjetës së hershme në Rehovë (Kolonjë)[/i], kumtesë e lexuar në sesionin
shkencor të Sarandës (14.6.1982).

 

S. Anamali, [i]Gjetje
mesjetare në rrethin e Skraparit[/i] (dorëshkrim)[/fn]

. Gjetjet nga këto varreza janë ende të pastudiuara e të pabotuara, çka lë të kuptohet se një përpjekje sintezë është një detyrë e vështirë dhe e parakohshme. Megjithatë, nga kumtimet e bëra nga gjurmuesit e tjerë mund të krijohet një përfytyrim paraprak rreth kulturës së këtyre varrezave. Ajo që do theksuar menjëherë është ripërdorimi i tumave të vendvarrimeve në mesjetë, riti i varrimit me vendosje trupi dhe varret në trajtë arke, dukuri dëshmon për ruajtjen e elementëve të kulturës shpirtërore të lashtë dhe për praninë e një popullsie autoktone, që edhe këtu është arbërore.

Në varrezat e mësipërme deri tani mungojnë objektet që të kujtojnë antikitetin, kurse objektet e mesjetës së hershme, numerikisht të pakta dhe të kufizuara në disa lloje stolish, kryesish vathë, unaza, gjerdanë rruazash dhe ndonjë byzylyk, e kanl origjinën te trajtat korresponduese bizantine të shek. IX. Ndoshta ky tipar i kulturës arbërore ka qenë kushtëzuar nga pozita gjeografike dhe situata politike, ku janë për t’u shënuar kontaktet me bizantin ishin

[i]më të lehta
dhe më të shpeshta nëpër luginën e Vjosës.

 

Edhe pse ende me gjetje
të kufizuara, mund të flitet për praninë në Shqipërinë e Jugut të një kulture
materiale të mesjetës së hershme që lidhet me popullsinë arbërore të
porsaformuar. Mendoj se na imponohet edhe një përfundim tjetër, i cili sot ka
karakter paraprak e kërkon dëshmi të reja arkeologjike, formimi i një krahine
tjetër të madhe etnografike. Për atë janë karakteristike një grup tjetër
stolish, sidomos disa tipa vathësh argjendi. Ka shumë të ngjarë që kjo krahinë
etnografike t’i përgjigjet trevës në jug të Shkumbinit ku ka qenë  përhapur grupi kulturor ilir jugor. Por, për
ta bërë më të qëndrueshëm këtë mendim, duhen bërë kërkime të reja dhe duhet
zbuluar një material arkeologjik i pasur dhe i larmishëm.

 

Një material arkeologjik
me interes, që u takon shekujve X-XII, është zbuluar në disa varreza të
Shqipërisë Juglindore. Ai ndryshon në një farë mënyre nga ato më të hershmet
dhe kjo pjesërisht nga inventari dhe pjesërisht nga shtrirja gjeografike.

 

Varret e varrezat janë
gjetur kryesisht në pjesën juglindore të vendit tonë, në rrethet e Pogradecit,
Korçës, Kolonjës, Skraparit e më pak në rrethin e Përmetit. Inventari i varreve
të hapura [i]është mjaft uniform[/i]

dhe përbëhet kryesisht prej byzylykësh të hapur, vathësh e unazash të punuara në përgjithësi në bronz

[fn]Pjesa më e madhe
e varrezave të kësaj kohe janë të pabotuara. Shih D. Komatën, [i]Gërmimet në
varrezën mesjetare të Shtikës[/i] (Kolonjë), Buletini Arkeologjik, Tiranë 1969.

 

Këto stoli kanë pasur një
shtrirje të gjerë edhe në vise të tjera të Ballkanit, në Greqi, Maqedoni,
Bullgari e Serbi. Në literaturën arkeologjike rreth këtyre stolive, të
përhapura në shek. IX-XI, janë shfaqur mendime të ndryshme. Për disa studiues
ato duhen konsideruar se «janë zhvilluar nga modele bizantine», kurse disa të
tjerë i kanë lidhur me sllavët[fn]S. Anamali, [i]Antikiteti i vonë…[/i] f.
11[/fn]

. Nga fakti që rrethet e mësipërme i takojnë një zone të një kontakti të veçantë e të vazhdueshëm me shtetin bullgar, prania e tyre në vendin tonë, pa harruar edhe ndikimin bizantin, mund të lidhet edhe me pushtimet bullgare.

Përhapja e këtyre objekteve në trevën arbërore të Jugut nuk ka të bëjë me formimin e popullit tonë, sepse ky proces ishte kryer tashmë dhe kishte nisur një proces tjetër, ai i konsolidimit të kombësisë shqiptare. Përveç kësaj këto objekte qenë të përhapura sikurse thamë, në një zonë kontakti, por gjeografikisht e kronologjikisht të kufizuar.

Në lidhje me këtë krahinë etnografike të formuar në shek. VI është për t’u vënë në dukje edhe një fakt tjetër po ashtu me rëndësi: gjallërimi i jashtëzakonshëm i një vargu vendbanimesh e qytetesh vendase në ngjarjet e shek. X-XI, si Ballshi-Gllavenica, Jerikoja, Butroti, Hadrianopoli, Kolonea e Deaboli. Këto janë tashëm qytete arbërore dhe luftërat e pushtimet e huaja mund të jenë shoqëruar me pasoja të rënda ekonomike për popullsinë vendase, por nuk ndryshuan dot pamjen që kishin këto vise jugore që nuk ndryshonte nga ajo e atyre veriore.  Arkeologjia nuk ka dhënë asnjë dëshmi të qendërbanimeve të reja që mund të lidheshin me pushtimet e huaja të shek. X-XI. Ka vetëm qytete që kanë ardhur nga lashtësia dhe qytete që u ngritën së kështjella nga arbrit dhe që pastaj vetë arbrit i transformuan në qytete.

Për problemin që trajtojmë me shumë interes është shqyrtimi i jetës qytetare në mesjetën e hershme, sepse qytetet kanë qenë ndërlidhëse në transmetimin e traditave etnokulturore të lashta dhe kanë luajtur një rol të dorës së parë në formimin e popullit shqiptar. Në këtë shqyrtim duhen pasur  parasysh dy faktorë të rëndësishëm: së parë që qyteti arbëror u zhvillua në një truall me tradita të lashta qytetare, për të cilat kërkimet arkeologjike të antikitetit kanë dhënë prova të shumta bindëse dhe së dyti se ky truall, sidomos zona bregdetare, u prek fare pak nga dyndjet e invazionet barbare që ndodhën në Ballkan në prag të mesjetës[fn]S. Anamali, Dyndjet barbare në Ballkan, karakteri i tyre. Sllavët e jugut (dorëshkrim).[/fn].

Ajo që duhet thënë që në krye është se fizionomia e qyteteve dhe varrezave arbërore, në fillim të mesjetës, ishte mjaft e ngjashme me atë të kohës së vonë antike, sidomos në dy shekujt e parë të mesjetës. Ato vazhduan rregullisht jetën duke kaluar nga antikiteti i vonë në mesjetë si rrjedhim i një zhvillimi të brendshëm të pandërprerë, por duke përjetuar krizën e rendit skllavopronar dhe pasojat e tij. Do të përmend shembujt më të njohur që kanë dalë në gërmimet e dhjetë vjetëve të fundit.

Kështjella e Pogradecit është një nga qytezat e vogla të fortifikuara të ngritura në kohën e vonë antike, që vazhduan edhe në mesjetën e hershme, ku bujqësia zë një vend të dorës së parë[fn]S. Anamali, [i]Kështjella e Pogradecit[/i], në «Ilira», IX-X, 1970-1980.[/fn]. Gërmimet katërvjeçare kanë nxjerrë në dritë dëshmi të një rigjallërimi të popullsisë së këtij qyteti dhe një ripërtëritje të disa traditave kulturore. U vërejt se elemente të kulturës materiale të kohës së vonë antike autoktone vazhduan edhe në mesjetën e hershme. Majat e shigjetave dhe thikat prej hekuri që u gjetën në qytezë, analogjitë më të bukura i kanë në lëndën e varrezave të shek. VI-VIII të Shqipërisë Veriore e të Mesme. Vorbat kanë trajta e motive zbukurimi që vazhdojnë edhe në mesjetë. Shek. VI e VIII në këtë kështjellë u takojnë një tog fragmentesh qeramike të një tipi të veçantë; enë të mëdha prej brumi balte të verdhë, të zbukuruara me pika e vija, ku nuk mungon edhe motivi i kryqit, me ngjyrë kafe e të kuqe; bashkë me to u gjetën edhe një vëth floriri me varëse në trajtë vile rrushi dhe një enkolpion prej bronzi, të gjitha të prodhimit bizantin.

Gërmimet në gradishtën e Symizës (në rrethin e Korçës) një qytezë me origjinë desarete, gjithashtu qendër e një zonë bujqësore, kanë dhënë këtë pamje. Në fillim të mesjetës në qytezë është vërejtur një rënie e përkohshme e intensitetit të jetës, e shkaktuar sipas gjurmuesve të saj nga gjendja e turbullt e krijuar në viset lindore fqinje. Që nga shek. VIII, e sidomos në shek. IX-XI, sipas gjetjeve arkeologjike, jeta në qytezë gjallërohet përsëri. Karakteristikë për këtë periudhë është qeramika, e cila «vazhdon traditat e antikitetit të vonë, që pasqyrohen në format dhe zbukurimet e enëve»[fn]Gj. Karaiskaj, [i]Gradishta e Symizës në periudhën e vonë antike dhe në mesjetë[/i], në «Iliria», IX-X, 1979-1980.[/fn].

Vazhdimin e traditave të poçerisë popullore të kohës së vonë antike në mesjetën e hershme si dhe ekzistencën e punishteve poçarë vendase arkeologët i kanë konstatuar edhe në gërmimet në rrënojat e qytetit të njohur të Butrintit. Butroti edhe në mesjetën e hershme ka qenë një qytet i rëndësishëm i Perandorisë, i cili nuk i ndërpreu asnjëherë lidhjet me pushtetin perandorak, sikurse e tregojnë edhe gjetjet arkeologjike të burimit bizantin si qeramike e emaluar, disa lloje stolish (vathë, tokëza rripi etj.) edhe monedhat[fn]K. Lako, [i]Rezultatet e gërmimeve arkeologjike në Butrint në vitet 1975-1976[/i], në «Iliria», 1981, 1.[/fn]. Muret e ngritura në shek. IX në këtë qytet rrethonin një hapësirë më të madhe se ato të periudhave të mëparshme historike, dhe në to janë ripërdorur edhe blloqet antike. Shpesh këto rindërtime të mesjetës së hershme janë bërë mbi muret antike, siç shihet qartë në anën veriore të fortifikimeve të qytetit

[fn]Gj. Karaiskaj,
[i]Muret rrethuese të Butrintit në mesjetë në shek. VIII-XV[/i], në
«Monumentet», 20, 1980, f. 15.[/fn]

.

Bashkëkohës me Butrintit dhe që ka pasur një zhvillim ekonomik e kulturor të ngjashëm në kohën e vonë antike dhe në mesjetën e hershme kanë qenë edhe qytetet Antipatrea-Pulkeriopoli-Beligradi e më vonë dhe Kanina. Të dhënat arkeologjike të fituara nga gërmimet në kështjellën e Beratit tregojnë se në mesjetën e hershme ai është një qytet i vërtetë. Muret mesjetare në këtë kështjellë janë ngritur mbi muret ilire dhe ndjekin vijën e tyre[fn]H. Spahiu, Po aty.[/fn]. Po kështu në kështjellë e Kaninës muret mesjetare ngrihen mbi muret e lashta[fn]D. Komata, [i]Të dhëna të reja arkeologjike nga kalaja e Krujës[/i], në «Iliria», 1, 1982.[/fn]. Edhe në qytetin e Hadianopolit muret mesjetare, me pak ndryshime, i përmbahen rrethimit të vjetër. [i]Pamjen që kështjellat arbërore kanë pasur në mesjetë dhe që pjesërisht e ruajnë edhe sot e kanë marrë në mesjetën e hershme[/i]. Shembujt që solla, mendoj se tregojnë një të vërtetë: popullsia në antikitetin e vonë dhe në mesjetën e hershme është po ajo, sepse ajo ruajti në të njëjtin kuadër jetësor e urbanistik edhe kulturën materiale e shpirtërore.

Një situatë deri diku e ngjashme ka dalë edhe në Dyrrah. Ky qytet edhe në mesjetën e hershme vazhdonte të ishte i rrethuar me muret që kishte pasur në antikitetin e vonë. Në shek. VII e VIII ai nuk kishte nevojë, por, me sa duket, nuk kishte as mjetet ekonomike për të bërë ndërtime të reja, sepse qëndronin ende në këmbë godinat e mëdha civile e fetare dhe funksiononte për bukuri sistemi i kanaleve nëntokësore të kohës së vonë antike. Qyteti i ishte përshtatur gjendjes së krijuar në përgjithësi në Perandorinë Bizantine dhe qëndroi brenda kufijve të tij të vjetër pa u rrudhur e pa u zgjeruar dhe çka duket më e rëndësishme, duke ruajtur marrëdhëniet e dobishme që kishte pasur me popullsinë arbërore të prapatokës. Dyrrahu, në mesjetën e hershme vazhdoi të ishte një qendër zejtare-tregtare dhe këtë e tregojnë shumë qartë një grup stolish metalike të tipit bizantin të shek. VII e VIII të ardhura nga ky qytet dhe të gjetura në disa varreza arbërore.

Karakteristikë për këtë fazë të parë të mesjetës së hershme dhe që lidhet drejt me popullsinë arbërore është edhe ruajtja e organizimit të vjetër kishtar. Edhe në lidhje me godinat kishtare «[i]intra et extra muros[/i]» të qyteteve vërejmë të njëjtën dukuri. Për më se dy shekuj nuk konstatohen ndërtime të reja, por ruhen godinat monumentale «paleokristiane» duke u meremetuar pjesërisht. Kjo u ka rënë në sy studiuesve të bazilikave monumentale të Butrintit, Arapajt, Sarandës, Ballshit etj.

Bazilika e Ballshit është një monument që meriton një vëmendje të posaçme. Ajo ka qenë një bazilikë peshkopale dhe një ndërtim i kohës së sundimit të perandorit Justinian dhe zë një vend të rëndësishëm në ngjarjet historike që u zhvilluan në krahinat jugore të trevës arbërore më vonë. Ajo hyn në grupin e bazilikave që lidheshin me manastiret e fortifikuara dhe që zotëronin prona të mëdha tokësore. Qendërbanimi  i vogël i Ballshit me manastirin e tij në qendër, me burime më të mira ekonomike, zuri në prag të mesjetës vendin e Bylisit ilir. Me shpërnguljen e qytetit dhe me kalimin e kohës emri i vjetër ilir u transformua: në burimet kishtare ne lexojmë: [i]Bylis, Belis, Ballis, Vallis,[/i] të cilat na çojnë te emri i sotëm Ballsh. Burimet bizantine në shek. IX-XI në këtë pjesë jugore të trevës arbërore përmendin një qytet, që është edhe një qendër peshkopale, Gllavenica-Kefaleninë që, sipas mendimit tonë është Ballshi (krahaso Ballsh-Kokë-Gllava-Kefalis). Meqenëse për një farë kohe, sipas burimeve tregimtare bizantine, Ballsh-Gllavenicën e pushtuan bullgarët dhe ajo u lidh me figura historike bullgare, është shfaqur mendimi se bazilika e Ballsh-Gllavenicës ka qenë një ndërtim bullgar. Gërmimet e bëra në rrënojat e bazilikës së Ballshit, sikurse është thënë, kanë provuar se ajo është një ndërtim i kohës së Justinianit dhe për më tepër një ndërtim me vlera të mëdha arkitektonike dhe artistike, që ka pasur një jetë më shumë se njëmijëvjeçarë. Deri tani nuk është zbuluar asgjë që të tregojë se ndërtimet e bëra në fazën bullgare që mbaron më 1018, madje edhe rindërtimi i parë i madh, i cili ka prekur edhe arkitekturën dhe plastikën zbukuruese të brendshme, duke u mbështetur në zbulimet arkeologjike, i takon shek. IX-XII dhe periudhës së rilindjes së arkitekturës së artit bizantin[fn]S. Anamali, [i]Monumenti iliro-shqiptar i Ballshit[/i], në «FIERI» almanak, 1976, [i]Rreth skulpturës dekorative arkitektonike të Ballshit[/i] në «Iliria» 2, 1981[/fn].

Për një veprimtari ndërtuese të popullsisë arbërore në mesjetën e hershme dëshmojnë edhe disa kështjella, të cilat i kemi gjurmuar tani për tani në viset veriore. Si një shembull të njohur, ku janë bërë gërmime sistematike dhe ka pasur rezultate shumë të mira, po përmend [i]Kështjellën e Shurdhahut (Sardën mesjetare)[/i].

Sarda (Shurdhahu) e filloi jetën si kështjellë në shek. VI-VII, jo shumë larg një rruge të rëndësishme që lidhte bregdetin e Adriatikut me viset e brendshme dardane (Kosovën). Në periudhën e parë kishte një mur që rrethonte gjithë kodrën (të rrethua në tri anët nga lumi Drin) dhe 12 kulla të trajtave të ndryshme. Nga materialet që ndihmojnë në përcaktimin e shek. VI-VII si fillim të jetës dhe të ngritjes si kështjellë janë së pari enët prej balte të dala në gërmimet, pastaj gjetjet e varrezës që i takojnë kulturës së Komanit. Madje në Shurdhah kemi diçka me interes, që më vonë është përsëritur në Krujë; brenda në kështjellë, midis rrënojave të banesave më të hershme, janë gjetur stoli e vegla pune të kulturës së Komanit[fn]H. Spahiu, D. Komata, [i]Shurdhahu-Sarda, qytet i fortifikuar mesjetar shqiptar[/i], në «Iliria», III (1974); D. Komata, Po aty.[/fn]. Me të dhënat e gjetjeve arkeologjike përputhen edhe elementët e arkitekturës. Të gjithë ata që kanë studiuar këtë kështjellë kanë ardhur në përfundimin se me kështjellën e mesjetës së hershme të Shurdhahut elementet e trashëguara nga antikiteti i vonë nga kastrat romake provinciale janë kudo të pranishme në trajtat e kullave, në mbrojtjen e hyrjes nga dy kulla, nga aksi i vetëm i qytetit që nis nga mesi i portës e shkon lart etj. Në përgjithësi bie në sy një dëshirë për të zbatuar kërkesat e një sistemi fortifikimi të mëparshëm të njohur mirë dhe njëkohësisht një përpjekje për të respektuar konceptet kompozicionale të arkitekturës paraardhëse.

Të gjitha këto që vërehen në kështjellën e Shurdhahut nuk i detyrohen një rastësie: ato lidhen me një popullsi vendase trashëgimtare të qytetërimit të vonë antik, e cila njihte jetën qytetare. Kështjella e Shurdhahut – Sarda u ngrit për t’i shërbyer në një fazë të caktuar popullsisë vendase, popullsisë arbërore që po formohej në truallin ilir. Më vonë është kjo popullsi e re e mbrujtur edhe si kombësi më vete që do ta transformojë Shurdhahun nga një kështjellë në një qytet.

Shurdhahu nuk qe kështjella e vetme që ruajti një farë origjinaliteti, ajo pati marrëdhënie me Bizantin, por në të njëjtën kohë kishte edhe autonominë e vet. Tabloja e lindjes dhe e zhvillimit të kështjellës së Shurdhahut është shumë e ngjashme me ato të Drivast-Drishtit e të Krujës. Edhe ato u ngritën si kështjella duke iu përshtatur terrenit, por edhe duke qenë pjesërisht të mbrojtura nga natyra. Për Krujën nuk ka ndikuar veçse në mënyrë anësore afërsia me Dyrrahun; lënda arkeologjike lidhet si edhe në Shurdhah me praninë e një popullsie arbërore së cilës në shek. VI-VIII i përket varreza e pasur që shtihej në shpatin e malit përbri.

Ngritja e kështjellave nga vetë popullsia vendase u bë në kushtet e dobësimit të përkohshëm të Perandorisë Bizantine, por edhe të dobësimit të lidhjeve të shumë krahinave arbërore me pushtetin qendror. Në këtë gjendje politike të ndryshuar popullsia arbërore u çlirua nga presioni direkt i autoriteteve perandorake dhe u zhvillua më lirisht. Kjo ndikoi në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në gjallërimin e prodhimit. Ky gjallërim i zejtarisë vendase (kujto lëndën e pasur arkeologjike të varrezave arbërore) na bën të mendojmë se për më shumë se dy shekuj shfrytëzimi i minierave, metalurgjia, zejtaritë e ndryshme dhe këmbimet, duke përfshirë edhe ato ndërkrahinore, kishin kaluar në duart e popullsisë vendase, që ishte bërë asokohe një forcë e gjallë.

Sipas të dhënave të arkeologjisë, duke filluar nga fundi i shek. VIII, por në mënyrë të veçantë në shek. IX qytetet arbërore gjallërohen edhe më shumë. Shkaqet e këtij gjallërimi kanë qenë të ndryshme. S’ka dyshim që në radhë të parë i dhanë nxitje zhvillimit të brendshëm forca prodhuese vendase dhe riorganizimi administrativ i Perandorisë Bizantine, [i]krijimi i temës së Durrësit[/i] dhe më pas i asaj të Nikopojës në të cilat qe përfshirë gjithë treva arbërore. Por ky nuk ka qenë shkaku i vetëm. Mendoj se duhen pasur parasysh edhe fakte të tjera jo më pak të rëndësishme, forcimi gradual i marrëdhënieve feudale dhe krijimi i një klase feudale vendase dhe formimi tashmë i popullit shqiptar, kalimi drejt mbrujtjes së kombësisë.

Janë përmendur më sipër rindërtimet e mureve mbrojtëse të disa qyteteve të kështjellave, pra ndërtime me karakter ushtarak, të stimuluara më tepër nga shteti dhe të lidhura tani me rritjen e rëndësisë ushtarake administrative të tyre. Këto i takojnë fazës së parë. Më pas shtohen edhe ndërtimet me karakter kishtar e ndërtime të tjera civile që mund të shikohen si tregues të rritjes ekonomike. Një shembull klasik përbën edhe për këtë kohë përsëri qyteti i Durrësit. Një kompleks gjetjesh të rastit[fn]Këto janë zakonisht fragmente kornizash me mbishkrime dhe të shoqëruara me motivin e «valëve që ndjekin njëra-tjetrën» dhe pjesësh arkitektonike të zbukuruara me gërsheta trifishe që ndërthuren. Ruhen në muzetë arkeologjik të Durrësit e të Tiranës.[/fn] vendosja e qytetit të ri mbi qytetin mesjetar [i]pengon shpesh gërmimet e gjëra[/i] – ku mbizotërojnë ekzemplarë të një plastike zbukuruese arkitektonike të një tipi të ri dhe me vlera artistike tregon për ndërtime kishtare monumentale të reja në këtë qytet. Në të njëjtën kohë që është edhe periudha e rigjallërimit të peshkopatave të vjetra dhe krijimit në viset e brendshme të peshkopatave të reja – godina të kultit ndërtohen edhe jashtë qyteteve. Është me rëndësi të theksohet ajo që u ka rënë në sy studiuesve të këtyre monumenteve, vazhdimësia e kishave të tipit bazilikal – çka nuk ndodh në Kostandinopojë në atë kohë, gjetja e një plastike zbukuruese arkitektonike të pasur (në rrethet Fier, Berat, Gjirokastër, Sarandë etj.) dhe teknika e ndërtimit që nuk ndryshon nga ajo e fortifikimeve bashkëkohëse.

Shek. IX-XI kanë qenë për popullsinë arbërore një periudhë e ngarkuar me shumë luftëra dhe me pasojat e tyre. Këto luftëra u kanë dhënë rast kronistëve bizantinë të përmendin një tog qytetesh. Arbanoni, si dikur Iliria, është i mbushur me to e me kështjella të fortifikuara dhe jo vetëm në krahinat bregdetare, por edhe në viset e brendshme. Duhet shtuar edhe diçka tjetër: në viset arbërore ka një vazhdimësi historike të pandërprerë midis qytetit ilir dhe atij shqiptar e shoqëruar me të gjitha pasojat e kalimit nga shoqëria skllavopronare në feudalizëm. Për të provuar këtë, fjala e parë i takon arkeologjisë dhe arkeologjia e ka bërë. Por karakterin arbëror të shumë qyteteve tona të mesjetës, madje dhe vazhdimësinë e tyre e tregojnë edhe emrat që mbajnë sot dhe argumentet për këto dukuri e të tjera që lidhen me toponomastikën i kanë sjellë dhe pasuruar gjuhëtarët[fn]E. Çabej, [i]Problemi i autoktonisë së shqiptarëve në dritën e emrave të vendeve[/i], në «Buletini i Universitetit Shtetëror të Tiranës»,  Seria e Shkencave Shoqërore, 2, 1958, f. 54-62; [i]Vendbanimi i hershëm i shqiptarëve në Gadishullin Ballkanik në dritën e gjuhës e të emrave të vende[/i], ibidem 1, 1962, f. 219-236..

Lindja e zhvillimi i qyteteve ka qenë lidhur me popullsinë vendëse. Në këto qytete ka jetuar gjithmonë [i]një shtresë e fuqishme etnike[/i], e cila, edhe kur nuk e ka pasur në duar pushtetin politik, ka ushtruar një ndikim të fortë në drejtimin që duhej të merrte jeta ekonomike e politike e vendit. Kjo ka bërë që në trevën ilire jugore, ndryshe nga ajo e Ballkanit Qendror, çurbanizim gati i plotë nuk ka pasur as në kohën e vendosjes së sllavëve në Ballkan, as më vonë. Qytetet ilire shqiptare kanë vazhduar jetën me zigzaget që kanë sjellë kohërat, por pa e ndërprerë atë asnjëherë.

Në trajtesën e parashtruar nëpërmjet rezultateve të kërkimeve arkeologjike kemi ndjekur procesin e formimit autokton të popullit tonë dhe të kulturës së tij. Por, duhet pranuar se ato nuk janë shteruese. Për arkeologun zbulimi i vazhdueshëm i fakteve të reja nëpërmjet kërkimeve e gërmimeve  arkeologjike është një gjë e domosdoshme, por jo një qëllim në vetvete. Për të zbuluar të vërtetën faktet arkeologjike duhen krahasuar, lidhur midis tyre dhe shpjeguar. Këtë rrugë ka ndjekur arkeologjia jonë dhe kjo rrugë e ka çuar atë në konkluzione të rëndësishme.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura