FORTIFIKIMET PELLAZGE TË ÇUKËS SË AJTOJT DHE RRIPËSIT (VIDEO)

FORTIFIKIMET PELLAZGE TË ÇUKËS SË AJTOJT DHE RRIPËSIT

Nga Besnik Imeri, Vlorë 07. 11. 2022

ÇUKA E AJTOJT

Fortifikimi i Çukës së Ajtojt ndodhet në një kodër në fushën e Kestrinës në territorin e fisit të Prasaibëve. Nga qyteti i Konispolit, por edhe nga Butrinti ajo duket si një kodër në formë trung koni e bukur dhe tepër e dukshme. Ajo gjendet 350 m mbi nivelin e detit. Arkeologët vendosin si kronologji të saj shekujt e IV dhe të III p.e.s. Por për mendimin tonë, mbështetur në të dhënat që japin vetë arkeologët, teknikat e punimit të mureve, blloqet e gurit të papunuara dhe nw pwrmasa tw mwdha si dhe ngritja e mureve drejtëpërdrejtë mbi rrëpira apo greminë, ajo duhet të identifikohet si një fortifikim i ndërtuar nga pellazgët. Në fillim të shek. XX kjo kala është vizituar nga Ugolini, i cili ka bërë disa përshkrime të mureve të saj. Arkeologu Dhimosten Budina që e ka vizituar atë jep disa të dhëna:

“Çuka e Ajtojt ndodhet pranë fshatit Çiflik të Sarandës…Gërmimet e para u bënë nga Ugolini në vitin 1936, dhe më pas nga Markoni. Por, mjerisht, shënimet e nxjerra u zhdukën gjatë një aksidenti ajror. Në vitin 1959 kanë kryer një ekspeditë arkeologjikë këtu arkeologët Hasan Ceka dhe Selim Islami…Kodra mbi të cilën ndodhen rrënojat e kalasë, gjendet 8 km në perëndim të Konispolit mbi fshatin Çiflik. Ajo ka formën e një koni me majë të hollë që ndodhet 350 m mbi nivelin e detit.” [1]

Arkeologu Gjerak Karaiskaj bën një përshkrim të këtij fortifikimi: “Kalaja është ngritur në një kodër në formën e një koni, në skaj të fushës së Vrinës.Muret mbrojtësi me një gjatësi prej 1400 m, rrethojnë një sipërfaqeprej rreth 5 ha…Në një periudhë më të vonë, si rezultat i zgjerimit të qytetit, janë zgjeruar edhe muret e fortifikimit nga ana perëndimore. Muret me gjërësi 3,50m.. .janë punuar me teknikën poligonale dhe trapezoidale, të cilat si në fortifikimin e Lisit ndërthurren me njëra tjetrën dhe janë të njëkohëshme…Një trakt tjetër në këto mure është punuar me teknikën drejtëkëndëshe… Materialet e zbuluara i përkasin fundit të shek. IV-III p.e.s.” [2]

Çuka e Ajtojt. Foto Ugolini. 

Julian Bogdani në një studim bën identifikimin antik të saj, si dhe një përshkrim të fortifikimit:

“…Territori midis lumit Thyamis dhe lumit Kadmos (Pavla) njihej në antikitet me emrin Kestrinë ose Kammania… Çuka e Ajtojt (Maja e Shqiponjës) identifikohet me Pergamin… Ilionin… Pergami ishte djali i Andromakës dhe i Pirros (Neoptolemit) djalit të Akilit, i cili shkon në Missia dhe themelon Pergamin e famshëm….Kestrini ishte djali i Andromakës dhe i Helenit (Paussania – I,11)……Muret që rrethojnë majën konike të kodrës…kanë një gjatësi prej 1160 metra dhe rrethojnë një sipërfaqe prej gadi  5 ha… Ana veriore nuk kishte nevojë për fortifikim të qëndrueshëm, për shkak të greminës…” [3]

Nga ky përshkrim futemi në mitologji dhe mësojmë se, lumi, që në erën e re dhe me futjen në krishtërim, ka lënë emrin e shenjtë të Kadmit pellazg kananas nga Fenikia e largët, dhe ka marrë një emër të krishterë, Pavël. Gjithë krahina që përfshin disa qytete dhe fortifikime me zulm dhe nam në lashtësi si: Foinike, Buthroti, Kalivoja, Çuka e Ajtojt, Palavlia, etj, është një vend i shenjtëruar ku ku pasur zotërimet Kroni, ku ka lindur Zeusi, ku është adhuruar Poseidoni, dhe, ku çuditërisht emri i një lumi, Kadmos, dhe emrat e dy qyteteve: Foinike dhe Buthrot, na lidhin me Fenikinë e kananasve pellazgë. Por jo vetëm kaq, emri i një qyteti tjetër lidhet me ngjarjet në Azinë e Vogël, me Luftën e Trojës; me djalin e Akilit legjendar, Pirron; me nusen e djalit të Priamit, Hektorit, me Andromakën; me djalin e Priamit, Helenin, si dhe me pasardhësit e tyre. Të gjitha këto legjenda të përmbledhura në një na tregojnë padyshim se ky fortifikim nuk është ngritur në shek. e IV p.e.s, se për ndryshe nuk ka pse të identifikohej me Pergamin, rrjedhimisht ai është një fortifikim pellazgjik. Gjithashtu një portë e ngushtë, dekorative dhe e bukur, pavarësisht stilit, që e identifikon të periudhës helenistike, përmasat e vogla të saj flasin për të kundërtën.

Çuka e Ajtojit në antikitetin e vonë, rreth fundit të shek. IV të erës sonë, ka pasur një rindërtim të rëndësishëm. Kjo me siguri të dyndjeve barbare kundër perandorisë romake në fundin e shekullit të IV dhe në vazhdim në shekujt e V dhe të VI të erës sonë. Këtu mund të futet edhe rifortifikimi që u bëri Justiniani shumë kalave në Epir. Ky rifortifikim sipas arkeologut Kosta Lako është bërë në një të tretën e sipërfaqes së fortifikimit antik, ku janë ndërtuar mure të reja në brendësi të rrethimit antik, ose janë ngritur mure mbi ato antike, si dhe janë përdorur gurët e mureve antike për ngritjen e mureve të reja.

Arkeologu Kosta Lako bën një përshkrim të fortifikimit të ngritur në antikitetin e vonë duke e lidhur edhe me fortifikimin antik: “Kështjella zë gati një të tretën e fortifikimit antik, karakteristik kjo për pjesën më të madhe të fortifikimeve të kësaj periudhe si Lisi, Bylisi, Kanina, Berati, etj…Muri është i gjatë rreth rreth 700 m dhe qarkon një sipërfaqe gati 1,3 ha…Muri rrethues në drejtimin perëndim-lindje…ngrihet vende vende mbi masive shkëmbore të thepisura. Në pothuaj gjithë gjatësinë e tij ai është ngritur mbi murin antik. Ashtu si dhe në periudhën antike,  ndërtuesit kanë shfrytëzuar me mjeshtëri terrenin shkëmbor. Ata nuk kanë ngritur mure në vendet ku shkëmbinjtë janë shumë të thepisur dhe bien vertikalisht poshtë 15-20 metra… vende vende janë përdorur në mur edhe blloqe gurësh të murit antik… trashësia e tij lëkundet nga 1,90 deri në 2,10 m…pak a shumë si në kalatë e tjera të antikitetit të vonë: Butrinti, Kanina, Bylisi, Pogradeci, Berati, etj…Muri në anën veriore dhe jugore, ndjek vijën e murit antik dhe është vendosur mbi të…në mur përdoren blloqe guri nga rrethimi antik… Pjesa më e lartë e fortifikimit ndahet nga një mur tërthor që krijon një si akropol… Ky fortifikim datohet si i periudhës së vonë antike shek. IV-VI të erës sonë…”[4]

RRIPËSI

Kjo kala ndodhet rreth 2-3  km në juglindje të fshatit Zminec (Sarandë). Vendbanimi shtrihet në një kodër të vogël në krahun e djathtë të rrjedhjes së  sipërme të lumit Pavël. Fshatarët, shpesh e quajnë këtë kodër Paleokastër dhe muret e saj: “muret pellazge”.[5]

Brenda mureve rrethuese fortifikimi zë një sipërfaqe prej afro 3 ha. Në vitin 1962 në këtë fortifikim janë bërë gërmime arkeologjike nga arkeologu Dhimosten Budina. Edhe në këtë fortifikim, si në mjaft fortifikime dhe qytete në Epir dhe Iliri, vëmë re të njëjtat veçori që i dallojnë si ndërtime pellazgjike: Ngritja e mureve në rrëniet e thikta shkëmbore; ngritja e tyre drejpërsëdrejti në tabanin shkëmbor, ose shfrytëzimi i shkëmbit, nëpërmjet përpunimit, si pjesë muri; trashësie murit rrethues deri në 3 m.; blloqet e gurëve të përmasave të mëdha dhe të papunuar; kronologjia e gjetjeve arkeologjike si të periudhës së parë të hekurit, etj. Por që kalaja e Rripësit mund të ketë qënë ndër të parat fortifikime pellazgjike në Kaoni e tregojnë gojëdhanat, të cilat në gojën e banorëve vendas na kanë sjellë deri në ditët e sotme emërtimin e mureve të këtij fortifikimi si “mure pellazgjikë”. Ndjekim disa nga përshkrimet e arkeologut Dhimosten Budina:

“…Në anën perëndimore të kalasë, ku terreni pëson një rrënie të theksuar dhe shndërrohet në një rrëpirë të pangjitshme shkëmbore që bie thikë deri në fund të kodrës…muratura ka pasur tri duar ndërtimi…Muri kryesor, që i përket fazës së parë të ndërtimit, ka një trashësi prej 2,5O-3 m. Muri përbëhet nga dy këmisha: të brendshme dhe të jashtëme. Të dyja këto këmisha apo faqe janë formuar nga blloqe gurësh të mëdhenj, në përgjithësi të punuar në formë poligonale primitive e trapezoidale, në faqet ballore pak të bymyera. Blloqet që formojnë këmishat, janë vendosur njeri mbi tjetrin në të thatë, pa kurrëfarë lidhje…Blloqet fundamentalë të murit qëndrojnë pjesërisht mbi një shtresë shkëmbi natyral të rrafshuar më parë…Duke u nisur nga të dhënat krahasuese tipologjike, si dhe nga të dhënat e tjera anësore, për një kohë i kemi konsideruar këto si të periudhës së parë të hekurit…” [6]

Por arkeologu Dh.Budina tregon edhe për një gjetje arkeologjike të rrallë dhe me shumë vlerë për kronologjinë e vendbanimit të Rripësit, duke e çuar fillesën e këtij vendbanimi në periudhën neolitike. Kësaj gjetje po t’i shtojmë edhe emërtimin që u kanë bërë mureve të kësaj kalaje si mure pellazgjikë, atëherë, pa dyshim, ky ka qënë një fortifikim pellazgjik dhe i banuar nga pellazgët në prehistori. Ndjekim Budinën :

“Nga gjetjet arkeologjike të kësaj kalaje vlen të përmendim edhe sopatën prej guri, objekt ky me mjaft interes për kohën prehistorike objekti prej guri obsidian në ngjyrë gri të çelur. Sopata të tilla të ngjashme me tonën janë ndeshur në vendbanimin prehistorik të Maliqit.” [7] 

Besnik Imeraj

(marrë nga libri “Epiri Pellazgjik”)

______________

KËNGA LABE – 3000 VJEÇARE


[1] Dhimosten Budina, “Harta arkeologjike e bregdetit Jon dhe pellgut të Delvinës”, ILIRIA Nr.1 – 1971, f. 317

[2] Gjerak Karaiskaj, “5000 vjet Fortifikime në Shqipëri”, Bot.”8 NËNTORI”-1981, f, 71

[3] Julian Bogdani, “Çuka e Ajtojt: Një kontribut i ri ”, ILIRIA Nr.XXXIII-2007, 235-250

[4] Kosta Lako, “Kështjella e antikitetit të vonë në Çukën e Ajtojt ”, ILIRIA Nr.1-1982, f. 207-213

[5] Dhimosten Budina, “Kalaja e Rripësit”,  ILIRIA Nr.1-1971, f. 70

[6] Dhimosten Budina, “Kalaja e Rripësit”,  ILIRIA Nr.1-1971, f. 69, 71-73, 76

[7] Dhimosten Budina, “Kalaja e Rripësit”,  ILIRIA Nr.1-1971, f. 79

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura