FRANCIS PARKER YOCKEY (ULICK VARANGE): KOMUNIZMI

Pashtriku.org, 25. 07. 2015 – Kalimi gradual i Frymës së shekullit të 18-të në atë të shekullit të 19-të, u manifestua nga natyra gjithnjë e më radikale e konfliktit midis Traditës dhe Demokracisë. Racionalizmi u bë gjithnjë e më ekstrem në çdo dekadë. Produkt i tij më i papajtueshëm, është Komunizmi. Në harkun kohor prej njëqind vitesh, 1750-1850, Demokracia minoi Shtetin dhe hapi rrugën për Epokën Ekonomike. Por, bankierët dhe baronët industrialë, zëvendësuan monarkët absolutë. Komunizmi është simboli i shpërnguljes së luftës demokratike në sferën e ekonomisë.
Komunizmi u pajis me një filozofi racionaliste: një metafizikë materialiste, një logjikë atomiste, një etikë sociale, një politikë ekonomike. Ai madje, ofroi një filozofi të historisë, e cila thoshte se historia e njeriut ishte histori e zhvillimit ekonomik dhe të luftërave! Dhe këta njerëz qeshën me filozofët skolastikë për natyrën e problemeve me të cilat ata ishin marrë! Feja ka qenë ekonomi, politika, natyrisht, po se po. Teknika dhe arti janë dukshëm ekonomikë. Kjo teori ishte në të vërtetë, një marrëzi intelektuale që kurorëzon Epokën e Ekonomisë. Kështu, ajo Epokë siguroi pozitën e plotfuqishme dhe universalitetin e saj. “Çdo gjë në ekonomi, asgjë jashtë ekonomisë, asgjë kundër ekonomisë”, mund të ketë qenë slogani i saj.
Ashtu siç aspekti politik i Demokracisë u drejtua kundër cilësisë dhe traditës, ashtu dhe aspekti ekonomik, u drejtua kundër cilësisë dhe epërsisë, kur këto shfaqeshin në dallimet ekonomike. Lufta politike e klasave, u bë luftë ekonomike e klasave. Ashtu siç apeli në fazën e parë u drejtohej të gjithë atyre që nuk u përkisnin Shtyllave, më vonë iu drejtua të gjithë atyre që nuk kishin pronë; jo të gjithë të papronëve, por vetëm atyre të qyteteve të mëdha dhe, brenda këtij grupi, vetëm punëtorëve të krahut, pasi vetëm këta ishin fizikisht të përqendruar dhe mund të dilnin nëpër rrugë për të bërë luftën e klasave.

Por, Komunizmi ishte politik, ndryshe nga Liberalizmi. Ai përcaktoi një armik, i cili duhej asgjësuar – borgjezinë. Për ta bërë programin e veprimit të ecte më mirë, tabloja u thjeshtua: ka vetëm dy realitete në të gjithë botën, borgjezia dhe proletariati. Kombet dhe Shtetet janë mjetet borgjeze për ta mbajtur proletariatin të ndarë, e në këtë mënyrë të shtypur. Kjo ishte origjina e idesë se Komunizmi ishte një Internacionale. Por, forcën e tij si një Internacionale, e shfaqi në 1914-ën, kur organizatat e luftës së klasave në të gjitha vendet, e shtrinë me shumë oreks luftën mes kombeve. Ajo nuk mund të ishte kurrë një Internacionale në kuptimin e vërtetë.
Megjithatë, ishte një afirmim i politikës dhe ishte një forcë për t’u marrë parasysh gjatë Epokës Ekonomike. Ajo ishte në gjendje që në vende të ndryshme Perëndimore të çonte në Luftë Civile, p.sh. në Francë, në vitin 1871. Pika më e lartë e saj është Revolucioni Bolshevik në Rusi, në 1918-ën, kur teoria e Komunizmit u zbatua në fakt, nga një regjim joteorik aziatik si një armë e politikës së jashtme.
Ishte në thelbin e Komunizmit, si në çdo nënprodukt të Racionalizmit, që tabloja e dëshiruar prej tij, të mos realizohej kurrë. Të përdorësh logjikën inorganike për të ndërtuar një program që t’i përshtatet aktualitetit, nuk e ndryshon faktin që një organizëm ka tempon dhe strukturën e vet të zhvillimit. Ajo strukturë mund të goditet, deformohet, asgjësohet nga jashtë, por, së brendshmi, ajo nuk mund të ndryshohet. Kështu, Komunizmi kishte thjesht pasojë shkatërruese dhe kjo ishte arsyeja pse pushteti aziatik në kufijtë e Evropës, e përvetësoi atë si një program për të zhbërë të gjitha shtetet evropiane. Komunizmi, si të gjitha Utopitë, është diçka e pamundur për t’u realizuar, për shkak se ato janë Racionale dhe Jeta është irracionale. E vetmja risi që solli Utopia e Komunizmit, është se ajo e shpall veten si të pashmangshme. Kjo i detyrohej kërkesës së saj për pushtet, por kjo mburrje boshe, pati të njëjtën jetëgjatësi si dhe Racionalizmi. Me ardhjen e Epokës së Politikës Absolute, ra edhe teoria e luftës së klasave. Historia e shpie Racionalizmin dhe gjithë mbeturinat e tij, në këndin e gjërave të vdekura. Vdekje, jo përgënjeshtrim- ky është fati i teorive racionaliste të politikës dhe të ekonomisë. Ne, që jetojmë në mesin e shekullit të 20-të, do të dëshmojmë për pavlefshmërinë përfundimtare të Racionalizmit dhe të pasardhësve të tij.
Bashkimi dhe Ndarja e Formave të Mendimit dhe Veprimit
Në zhvillimin e një këndvështrimi të shekullit të 20-të në politikë, gjëja e parë e nevojshme është që të veçohet politika nga drejtimet e tjera të energjisë njerëzore, veçanërisht nga ekonomia dhe morali. Duke pasur parasysh numrin e madh të teorive që rrekeshin të shpjegonin fenomenet politike me teknika ideore që rrjedhin, apo u përshtaten fushave të tjera të mendimit, kjo gjë është më se e nevojshme. Kemi parë se politika është një lloj aktiviteti sui generis, se praktika e saj përfshin shpesh, krejtësisht në mënyrë të pandërgjegjshme mbi pjesën e aktorit, mënyrën e vet të të menduarit ndërsa vepron. Mbetet për t’u përcaktuar përfundimisht dasia dhe ndërvarësia e drejtimeve të ndryshme të energjisë njerëzore dhe të energjisë kulturore.
Një botë pa mendim abstrakt – bota e qenit, për shembull – është një botë ku mbretëron një vazhdimësi e plotë. Çdo gjë i përshtatet më së miri vendit apo sferës së saj. Në krahasim me botën e njeriut, ajo është një botë joproblematike. Realiteti dhe aparenca janë një. Por shpirti i ndryshëm i njeriut e sheh gjithësinë si simbolike; ai bën dallimin mes Aparencës dhe Realitetit, simbolit dhe asaj që simbolizohet. Çfarëdolloj mendimi konstruktiv i njeriut, e përmban këtë si thelbin e tij. Por, kjo ndarje e gjërave në aparencë dhe realitet, ky veçim i njërës nga tjetra dhe futja e një mendimi të fuqishëm abstrakt në të, është në vetvete një shtrembërim i lidhjes së qetë dhe joproblematike me gjëra të tjera. Kështu, të mendosh, do të thotë të ekzagjerosh.
Për njeriun e Kulturës, Kultura e Lartë, ku fati e do që ai të jetojë dhe të vdesë, është bota e shpirtit të tij. Kultura e Lartë përcakton kufijtë shpirtërorë të kësaj bote. Kultura e Lartë vulos pothuajse çdo formë të mendimit, të veprimtarisë së individëve dhe të grupeve brenda saj. Brenda këtij kuadri, format e të menduarit dhe mendimet, format e të vepruarit dhe veprimet, të gjitha përshtaten me vendet e natyrshme të tyre dhe mbajnë marrëdhëniet e tyre joproblematike me njëri-tjetrin. Këto marrëdhënie vazhdojnë, edhe pse mendimi që zbatohet në një sferë ekzagjeron pjesën e vet në fatin e së tërës. Të mendosh do të thotë të ekzagjerosh, por ky ekzagjerim prek vetëm mendimin dhe nuk çrregullon gjithësinë. E njëjta gjë është e vërtetë me çdo njeri: drejtimet e ndryshme të energjisë së tij, mbajnë një marrëdhënie të unifikuar dhe harmonike me njëra-tjetrën. Nuk ka “njeri ekonomik” – ka vetëm një njeri që për momentin i drejton energjitë e veta tek ekonomia. As ka ndonjë “burrë të arsyeshëm”, siç pohojnë disa sisteme ligjore perëndimore. Ka vetëm një njeri që është i arsyeshëm për këtë rast. Karakteristika thelbësore e organizmave të lartë, e njeriut dhe e Kulturës së Lartë, është shpirti. Kështu, ky njeri i caktuar vepron ekonomikisht në një mënyrë krejt të ndryshme nga një tjetër njeri, sepse shpirti i tij është i ndryshëm. Kjo e bën të gjithë mendimin dhe veprimin e tij, diçka të përveçme. Një njeri ka interesa dhe aftësi të forta në një drejtim të caktuar; një njeri tjetër i ka ato diku tjetër. Edhe Kulturat e Larta dallojnë nga njëra-tjetra prej dhuntive të ndryshme në drejtime të ndryshme. Ai që quhet individuationis principium, vlen edhe për Kulturat e Larta.
Çdo organizëm, që nga bimët dhe kafshët deri te njerëzit dhe Kulturat, ka një shumëllojshmëri funksionesh, një larmi që rrit përsosjen dhe artikulimin e saj siç e thamë më lart. Megjithatë, kjo larmi funksionale, nuk e prish unitetin e organizmit. Është vetë uniteti i organizmit ai që krijon nevojën për këto shprehje në drejtime të ndryshme. Sepse, nëse ndiqet një drejtim që dëmton një tjetër, ky është një shtrembërim dhe sjell sëmundje, deri dhe vdekje nëse vazhdohet ashtu. Këtu e kam fjalën vetëm për organizmat e shëndetshëm dhe, te këta organizma, ndryshimi i drejtimit të energjisë kontrollohet nga ritmi i brendshëm i organizmit. Ky ritëm është i ndryshëm në çdo organizëm dhe varet nga individualiteti, mosha, gjinia, përshtatja dhe mjedisi. Çdo njeri ka rendin e vet të përditshëm të ndryshimeve të drejtimit të rrjedhjes së energjisë. Të gjithë organizmat, kanë ritmin e tyre të brendshëm që vendos se cili funksion e hyn në lojë në një moment të dhënë. Edhe një kulturë ka një ritëm të tillë dhe, në faza të ndryshme të zhvillimit të saj, ky ritëm thekson një herë njërën fushë të mendimit e të veprimit e pastaj tjetrën. Po kështu, çdo njeri, dhe njeriu i Kulturës në veçanti, ka llojin e vet të veprimtarisë dhe të mendimit për çdo moshë të zhvillimit të tij. Është e drejtë ajo që është thënë se një djalë i ri, është një idealist; një njeri i pjekur, realist; një plak, është misticist. Në një Kulturë, ky ritëm që i jep përparësi një ane të caktuar të jetës së saj, gjatë një periudhe të caktuar, është burimi i Frymës së Epokës.
Vetëm theksi, ritmi, preket nga ky ndryshim drejtimi. Funksionet e ndryshme vazhdojnë të gjithë, por njëri është primar. Kjo gjë përshkruan si njerëzit, ashtu edhe kulturat. Kështu, “njeriu ekonomik” vazhdon të ekzistojë si një njësi, madje edhe në aktivitetin e tij ekonomik; individualiteti i tij vazhdon dhe, anët e tjera shpirtërore të tij ekzistojnë ende, edhe pse nuk u jepet përparësi për momentin. Njësoj është edhe me Kulturat: të gjitha llojet e mendimit dhe të veprimit, ekzistojnë në të gjitha epokat, edhe pse në një Epokë të dhënë, një anë e caktuar e jetës, është më mbizotëruese. Ky është kuptimi i “anakronizmit”, kur përdoret në kuptimin historik. Kështu, Fausto Sozini, është një anakronizëm në shekullin e 16-të, Kerlili në të 19-in. Kaq për bashkimin e formave të mendimit dhe të veprimit. Ato janë gjithashtu edhe të ndara.
(…)
Shkëputur nga libri i autorit ULICK VARANGE (Francis Parker Yockey) – IMPERIUM (FILOZOFI E HISTORISË DHE E POLITIKËS), botuar nga SHB – ‘HELGA’s SECRETS’, Tiranë 2010, faqe 205 – 209)

____________________

FRANCIS PARKER YOCKEY (ULICK VARANGE): LIBERALIZMI

HAPE: https://pashtriku.org/?kat=62&shkrimi=4325

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura