(Pashtriku.org, 22. 03. 2012) – Gani Thaçi (vëllai i kryeministrit), një javë pas zgjedhjes në pozitën e drejtorit ekzekutiv të Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS), të martën ka paraqitur dorëheqje nga kjo pozitë e lartë.
Dorëheqjen e Gani Thaçit e ka bërë publike kryetari i Bordit të BKS-së, Rrahim Pacolli, pa dhënë shumë detaje për këtë çështje. “Kam informacion se Gani Thaçi ka ofruar dorëheqjen nga drejtimi i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, mirëpo nuk e di arsyen e vërtetë të dorëheqjes, sepse ende nuk e kam shikuar dokumentacionin. Duhet ta shikojë arsyen e dorëheqjes, cilat janë shkaqet që e kanë detyruar drejtorin e ri të dorëhiqet dhe kush mund të jetë zëvendësues i Thaçit në BKS dhe më pas të bisedohet për pranimin, apo jo të dorëheqjes së Gani Thaçit“ ka thënë z.Pacolli.
Mirëpo, sipas burimeve të gazetës „Zëri“, Gani Thaçi ka dhënë dorëheqje nga pozita e drejtorit të BKS-së për shkak të presioneve të shumta që u janë bërë kryeministrit Hashim Thaçi nga institucionet e ndryshme ndërkombëtare e vendore në lidhje me përzgjedhjen e vëllait në krye të Byrosë së Sigurimeve. “Ka pasur kundërshtime të shumta pas përzgjedhjes së Gani Thaçit në krye të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, prandaj ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë”, shprehet burimi.
Gani Thaçi më herët ka qenë zëvendësdrejtor i Shoqatës së Kompanive të Sigurimeve nga e cila pozitë ka kaluar si drejtor ekzekutiv i Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS), që mbikëqyret nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK).
Në konkursin e hapur më 29 shkurt e të mbyllur më 6 mars të këtij viti, ku për pozitën e drejtorit ekzekutiv kanë konkuruar 12 kandidatë, Bordi Drejtues i kësaj byroje kishte vënë si kriter që drejtori të ketë 3 vjet përvojë menaxheriale.
Me rastin e përzgjedhjes së Gani Thaçit drejtor të BKS-së, Rrahim Pacolli, kishte deklaruar se, Gani Thaçi kishte 3 vjet e gjysmë si zëvendësdrejtor në Shoqatën e Kompanive të Sigurimeve dhe ishte kandidati që i plotësonte më së shumti kriteret për këtë pozitë!
Jozyrtarisht mësohet se, (pas dorëheqjes së Gani Thaçit) në krye të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, do të vijë ish-kryeshefi ekzekutiv i Postë Telekomit të Kosovës (PTK), Nuredin Krasniqi, i cili poashtu ka konkurruar për drejtimin e BKS-së.
Ndërkaq, në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK), e cila e mbikëqyr BKS-në, thonë se ende nuk kanë marrë kurrfarë njoftimin në lidhje me dorëheqjen e drejtorit të ri të BKS-së, ndonëse jozyrtarisht edhe ata kanë mësuar se Gani Thaçi ka paraqitur dorëheqjen nga kjo pozitë.
<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<
Lexoni shkrimin për këtë temë:
VËLLAI I HASHIM THAÇIT – GANIU, DREJTOR I SIGURMEVE
ME 4 MIJË EURO PAGË MUJORE!
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=152
<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<<