REXHEP KASUMAJ: PËRRALLA E STATUJTË (Mbi mëkatin zanafillor, sërish)

Shkup, 22 shtator 2017: Maqedonia, ky tampon-shtet i stisur, të kujton, si askush tjetër, fajin biblik të njeriut: mëkatin e zanafillës!
Natyrisht, njëj dallese të vogël. Ndërsa atje gabimi kje një joshje mashtruese, këtej në hapsirën e ngushtë të gadishullit ilirik, janë të tjerët që hodhën zarin e probabilitetit të një krijese pa “élan vital”, e pra, e pazonja për ekzistencë jetike.
Mirëpo, nëse vuan këtë lëngatë në kufi të vdekjes, ajo, si gjithë qeniet e llojit, është mjaftueshëm e aftë për t’ua bërë të vështirë jetën të tjerëve përreth.
Dhe ky produkt mëkatnor rreket tash 50 vjet, një grimë kohë kjo në biografinë e kombeve të vjetër, të dëshmojë Praninë dhe Ardhmërinë. Si mbetje periferike e kolonëve nga dyndjet sllave, i mban me akuzë të hapur për dështatën e vet, ata që do ti gjejë aty: shqiptarët, banorët e hershëm të truallit qyshkur perënditë jetonin akoma mes njerëzish.
Në misionin që tejkalon fuqinë e tij për t’i zhbërë, ka sprovuar shumë teknika të dhunës e shfytyrimit nga amza e fantazisë së mentorëve serbë. Por tani, kur dheu lëkundet e shkolla e segregimit digjet ngadalë, kanë nisur thurjen e prrallës romantike të simboleve asgjëthënëse. Një imitacjon i lavdisë shpifur dhe përkundje në delirin e mjerë të madhështisë…

Shkupi i statujtë!

Sheshi qendror, në të dy anët e Vardarit të heshtur, përmbytet nga vërshima e statujtë. Një babël bustesh, gati një atelje e hapur skulpturore, punuar e shpërndarë pa koncept, harmoni dhe kulturë, duhet të dërgojë mesazhin e pamundur: të një degëzimi mëvetësor në atllasin e popujve sllavë. Në gjurmë të kësaj pamundësie, a nuk i portretonte, pak me ofezë, dhe e famshmja Edit Durham? Teksa thoshte se në Ballkan vetëm shqiptari është artist, ajo m’një tjetër rast shkruante: në luginën e Vardarit ka një banorësi me dialekt sllav e qytetnisht aq të ultë saqë me lehtë merresh vesh me një lopë se me ta…
I lëmë tani anësh përskajimet pezhorative dhe legjitimisht bëjmë pyetjen logjike. Si mund t’i japin provë këtij pretendimi donkishotesk Samueli bullgar, Skënderbeu shqiptar e Kraleviqi serb? Në fakt, shqiptari e bullgari janë në vendin dhe në të drejtën e tyre. Koha e dytë që vjen i përket atyre. Një ftomë e re e saj, do ta kthejë mbrapsht mutantin e mëkatit zanafillor. E aherë edhe koha politike e nacioneve që fqinjërojnë do të ketë emblemë dhe kalendar tjetër.
Por deri atëherë ka një rrugë, aspak të lehtë, për të bërë. Mbaje mend mirë biri im, vendi i dytë i takon humbësit, këshillonte themeluesi i klanit të Kenedëve Gjonin e ri që gatitej për të hyrë në Shtëpinë e bardhë. E zgjedha e maqedonësve sllavë u ka rezervuar shqiptarëve pikërisht statusin e të dytit në renditjen tabelare të konfigurimit etnik. Ndaj dhe për ta, arbnorët e vonuar, ky status humbëtar i të dytit është jo vetëm cënim në substancë, por dhe, thjeshtë, një poshtërim kombëtar!..

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura