Pashtriku.org, 01. 12. 2015: S`ishte rastësi apo kërkesë ideja për të shkruar për Zafir Berishën, këtë luftëtar të dëshmuar kur e deshi dhe do atdheu. Ka qenë dëshirë e kamotshme, që në kohën e ilegalitetit dhe gjatë luftës, por edhe pas saj, etapa në të cilat u dëshmua karakteri i lartë i atdhedashurisë së këtij luftëtari të paepur për lirinë e atdheut. Pra, edhe si familje, por edhe si i ri, herët e kishin dalluar të bardhën nga e zeza, lirinë nga robëria, prandaj rruga e tre vëllezërve të tij Shaniut, Sheradinit dhe e Mujës, ishin frymëzim edhe për djaloshin e ri për t’u rreshtuar në rreshtat e vizionarëve të rrugës së lirisë, të cilën e kishin trashëguar edhe nga të parët e tyre.
Jo vetëm kaq, do të kthehemi në vitet e 1912-ta, pasi që Kosova ishte ripushtuar nga një pushtues i ri që quhej Serbi, vetëm pasi kishte ikur Turqia me sundimin e saj pesëshekullor në tokat shqiptare. Pa u ndalur shumë në ato vite, nga fshati Kushtrim (dikur Billushë) u vranë dhe u masakruan nga ushtria serbe, mbi 60 banorë civilë të këtij fshati dhe u dogjën rreth 120 shtëpi.,duke mos përjashtuar edhe vrasjet e masakrat edhe nëpër vendbanime tjera shqiptare.
Ishte vjeshta e vitit 1912. Kishin shpëtuar vetëm ata që ishin gjetur të strehuar, jashtë fshatit, në ara e vreshta dhe nëpër male dhe trimat që luftonin përkrah luftëtarit të shquar të asaj kohe Selman Lika. Në çetat e këtij trimi, me armë në dorë luftuan edhe shumë burra nga lagjja e Berishëve, por Berishët nuk u shuan, sepse nga gjaku i atyre që u vranë, lindën e u rritën trimat që do t’i dalin zot atdheut sa herë që e kërkonte nevoja.
Ngjarjet dhe luftërat që u zhvilluan nëpër trojet shqiptare, padyshim edhe Vërrinin nuk e lanë anash, por ne po ndalemi te Lufta e Dytë Botërore dhe pikërisht në këto vite për t’i dalë zot atdheut nga lagjja e Berishëve në fshatin Kushtrim (Billushë), përsëri doli tribuni i popullit Destan Berisha, udhëheqës i Ballit Kombëtarë në zonat e Vërrinit, që siç dihet në këto anë ai pati shumë luftëtarë, që luftonin për çlirimin e trojeve etnike shqiptare, kundër të gjithë armiqve dhe pushtuesve, të cilët synonin tokat e atdheut tonë. Ishte tribuni Destan Berisha- Billusha, i cili e pengoi edhe planin e “qubrilloviqëve” për kolonizimin e tokave shqiptare në Vërri, pikërisht mes fshatrave Hoçë e Qytetit dhe Poslisht më 1937-1941, kur kolonët serbë nga regjioni i Zhupës-Sreckë ishin vendosur nëpër pronat shqiptare me ndihmën e xhandarëve të mbretit të Serbisë, gjatë Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene. Largpamësia e këtij tribuni, burrat trima të Vërrinit i rreshtoi drejt shërbimit të atdheut dhe të çështjes kombëtare.
Pas përfundimit të luftës dhe vendosjes së komunizmit në Kosovë, kjo zonë përreth pesëdhjetë vjet u injorua dhe u diskriminua nga pushteti dhe pushtetarët. Vërrinasit nuk qëndruan duarkryq, as nuk iu nënshtruan pushtetit, por gjetën forma e metoda dhe mbijetuan duke ecur krahas të gjitha zhvillimeve në Kosovë për të mos qenë asnjëherë larg çështjes së atdheut dhe në shërbim të tij. Ky është fati dhe rruga e njërës nga familjet, që në Vërri ka shumë të tilla. Pushteti duke e ditur mirë këtë, asnjëherë nuk e la të qetë popullsinë e kësaj ane.
Pas shpërthimit të demonstratave në Prishtinë, ndiqen edhe shumë të rinj vërrinas, të cilët i përjetuan kazamatet serbo-jugosllave si: në Nish, Pozharevc, Krushevc, Beograd, Gospiq, Goli Otok, e ku jo tjetër.
Ndër këta djem ishin edhe vëllezërit e Zafir Berishës, që ishin frymëzuesit e Zafirit të ri, i cili përveç si vëlla, me ta do të jetë edhe bashkëluftëtar i tyre në shërbim të çështjes kombëtare. Burgosja e vëllezërve (Shaniut, Sheradinit dhe Mujadinit), ishte frymëzimi se si duhet urryer armiku, si të duhet atdheu, sa e shtrenjtë është liria, etj. Tanimë ideali i tij protestues dhe shpërthyes nuk ndrydhej dot vetëm në shpirtin e tij të pastër si gurrat e Vërrinit, por atë ideal Zafiri me këmbëngulësi kërkon ta shpërndajë si rrezen e diellit të mëngjesit te shokët e tij dhe në masat e gjëra popullore. Edhe pse shumë i ri, me guximin e pashoq, ai gjithmonë ishte shpërthyes kundër robërisë së popullit shqiptar në trojet e ish-Jugosllavisë.
Në çdo takim, në çdo ndeje me shokë e në çdo aheng, apo edhe në aktivitet ilegal, shpirtin liridashës e kishte të pathyeshëm edhe përkundër sfidave të kohës, ndjekjeve, kërcënimeve dhe pabesive të armikut. Si djalosh i një familjeje me traditë atdhetare, pushtuesi dhe armiqtë e dinin mirë nga u vinte rreziku, andaj e kishin halë në sy, por guximi drejt qëllimit fisnik, në rrugën e lirisë, ishte më i fortë.
Tabani kombëtar i Zafir Berishës i kalitur dhe i trashëguar ndër breza me këmbëngulësi në shërbim të atdheut, është rruga e idealizmit të tij, për çështjen kombëtare shqiptare siç është kjo jona e pazgjidhur, prandaj, atdheu i ruan me fanatizëm në gjirin e vet dhe i mban në piedestalin më të lartë këta flamurtarë të atdheut. Djemtë me një sakrificë dhe vendosmëri të tillë e meritojnë. Me ta jo vetëm që çahen errësirat, shkëputen zinxhirët e robërisë, por thyejnë dhe shporrin armiq, në këtë rast serbët. Janë vigjilentë në mjegullnajat e erërave, që e mbuluan atdheun kohërave të liga.
Rrëfimi i tij i rrjedhshëm për aktivitetin në ilegalitet, gjatë luftës, por edhe pas saj, është jeta e tij, që lidhet ngushtë me fatin e kombit e të atdheut, ndërsa për ardhmërinë dhe pjesën tjetër të jetës, do të parafrazoja një fjalë të Zafirit: “Lufta s`ka përfunduar, sepse ende nuk është zgjidhur çështja e Kosovës”…
Për shokët e rënë nëpër vijat e frontit të luftës, siç ishin: Remziu, Xhevati, Salajdini, Bekimi, Agimi, Besimi, Fatmiri, Hyseni, Bashkimi dhe të gjithë dëshmorët e tjerë, flet me admirim dhe sa herë e fillon rrëfimin për ta, ofshama e tij më bëhet si një gjëmë e jehonës së krismave nëpër bjeshkët e Vërrinit. Pra, i tillë është Zafiri edhe sot, i çiltër, me shpirt të pastër atdhetari, besnik i idealit të shokëve, protestues kundër padrejtësive dhe sfidave në udhëtimin drejt çështjes ende të pazgjidhur kombëtare, vizionar i ardhmërisë, i vendosur në luftë me padrejtësitë e kohës, njeri që dhembjen e ndrydh në shpirt për t’ua falur buzëqeshjen dhe lumturinë të tjerëve, i kujdesshëm dhe i paharruar për shokët e rënë dëshmorë, për familjet e tyre, për invalidët, shokët e luftës, i dashur dhe i respektuar ndër shokë, njeri i shtresave të vuajtura të Kosovës.
Respekti dhe sinqeriteti i tij, reflektohet më së miri edhe gjatë bisedës, sepse ai më me dëshirë flet për shokët dëshmorë, për luftën dhe heroizmat e tyre nëpër vijat e frontit, për ata që edhe sot i qëndrojnë pranë idealeve dhe vlerave të luftës. Pikërisht djemtë si Zafir Berisha, që bartën mbi supet e veta barrën e luftës dhe duke qenë të pathyeshëm karshi sfidave të kohës, i duhen edhe më tej Kosovës, në rrugën deri në pavarësi dhe bashkim kombëtar. Autori Gëzim Ajgeraj
* * *
LEXONI LIBRIN NE FORMATIN ‘PDF’:
GËZIM AJGERAJ: RRUGA E LIRISË – ZAFIR BERISHA, (Intervistë)
https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/g.a-rruga%20e%20lirise%20zafir%20berisha.pdf