GËZUAR DITËLINDJEN E 16-TË KOSOVA JONË E DASHUR!

Të shtunën me datë 17 shkurt 2024 në Luzern të Zvicrës  “Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Zvicrën Qendrore” me rastin e ditës së Pavarësisë së Kosovës organizoi një manifestim mbresëlënës kushtuar ditëlindjes së 16 – të, të Kosovës së lirë dhe të pavarur, në të cilin morën pjesë mjaft pjesëmarrës të konferencës së parë, si dhe qytetarë dhe nxënësit e “Shkollës Shqipe” në Zvicër.  

Shkruan. Vaxhid Sejdiu

Shqiptarët e Zvicrës janë shembulli më i mirë se si organizohen rreth datave historike, se si punojnë vullnetarisht dhe përgatiten me të vetmin qëllim që këto data të jenë sa më gjithëpërfshirëse dhe sa më të veçanta. Një gjë e të tillë e kanë dëshmuar me dekada nën hijen e flamurit kombëtar dhe tani më, agjendës së tyre, iu ka bashkangjitur edhe festa e 17 – Shkurtit, Dita  e Pavarësisë së R. së Kosovës, të cilën e festojnë me një dashuri të madhe, duke përkujtuar heronjtë e kombit, ata të cilët në momentet më të vështira u bënë dritë për Atdheun. Programi qoftë ai artistik por edhe ai shkollor është i tëri nën hijen e këngëve patriotike kushtuar atyre të cilët dhanë jetën për Lirinë e Kosovës, siç është Adem Jashari dhe bashkëluftëtarët tij, të cilët në momente më vendimtare dëshmuan se liria është më shtrenjtë se gjaku.

  • Foto në ballinë: Valltarët e ansamblit “Shqiponjat” gjatë interpretimit të tyre të valles “Vallja  e Drenicës”

Prandaj edhe kryetari Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Zvicrën Qendrore”  në fjalën hyrëse duke falënderuar pjesëmarrësit e këtij manifestimi kombëtar tha se detyrë dhe obligim kryesor për gjeneratat në të ardhëm mbetet kujtimi për të rënët, kujtimi për luftëtarët e lirisë, të cilët i dolën zot atdheut, kujtimi për gjithë ata bashkatdhetarë nga të gjitha trojet shqiptare, që u angazhuan, punuan dhe vepruan, që ne sot ta shohim dhe ta përjetojmë Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës. Prandaj në këtë drejtim është organizuar ky manifestim duke falënderuar grupin  organizues si dhe pjesëmarrësit e këtij manifestimi, duke filluar nga nxënësit e “Shkollës shqipe” në Zvicër, ansamblin “Shqiponja” në Luzern, këngëtaren Gentjana Tafilin, këngëtarin Tush Gjakovën, Viktor Virusin, grupin “Kastromusik” si dhe moderatorin Dan Morinën.

Pjesëmarrësit e manifestimit kushtuar pavarësisë së Kosovës i përshëndeti edhe ambasadori i R. së Maqedonisë së Veriut z. Rexhep Demiri, i cili po ashtu përkujtojë ditët më të lavdishme të historisë së Kosovës, betejat  e lavdishme të bijve dhe bijave më të  mirë të kombit nën hijen e flamurit të UÇK-së dhe sakrificën e popullit shqiptar, që këto përpjekje t`i bëhen realitet. Pavarësinë Kosovës ia urojë gjithë popullit shqiptar, duke besuar dhe shpresuar që Kosova jonë e dashur të hapëroj nën hijen e lirisë dhe pavarësisë.

Programin e manifestimit e moderoi aktori Dan Morina, i cili përshëndeti të gjithë të pranishmit në veçanti, shkencëtarin Jahaj Kokaj si dhe nxënësit e shkollave shqipe me mësuesin Vaxhid Sejdiun. Në fillim Grupi i nxënësve të “Shkollës Shqipe” Neuenhof dhe Spreitenbach – Alea Halimi, Tana Limoni, Liara Zuka, Arnela Halimi, Rina Morina dhe Arta Morina kënduan këngën për “Adem Jasharin”  dhe pastaj nxënëset e “Shkollës shqipe” në Spreitenbach  Arta dhe Rina Morina kënduan këngën “Oj Kosovë dhe nëna ime”, këngë të interpretuara në mënyrë të mrekullueshme nga vetë nxënësit, të cilët dëshmuan se shkolla shqipe është vatër e edukimit kombëtar.

  • Nxënësit e “Shkollës Shqipe” Neuenhof dhe Spreitenbach – Alea Halimi, Tana Limoni, Liara Zuka, Arnela Halimi, Rina Morina dhe Arta Morina me këngën për “Adem Jasharin”  i dhanë ngjyrë të papërshkruar manifestimit kushtuar Pavarësisë së Kosovës

Pas tyre këngëtarja e mirënjohur  Gentjana Tafili u paraqitë me dy këngë nga albumi i saj më i ri, e cila i dha ngjyrë festive manifestimit dhe duke u përmbyllë pjesa e parë me këngëtarin Tush Gajkova me këngën “Djemtë e Shqipes” dhe me vallet e ansamblit “Shqiponjat” “Lamtumirë vendet e mija” dhe “Vallja e malësisë”.

Në pjesën e dytë përsëri ishin nxënësit e shkollës shqipe, ata të cilët mrekulluan publikun me këngët: së pari  e nxënësja  Tana Limoni me këngën “Gjyshi dhe sharkia”, Alea Halimi, Liara Zuka, Arnela Halimi me këngën “Një lahutë dhe një flamur” si dhe Alea Halimi nxënëse e shkollës shqipe dhe ish- nxënësja e shkollës shqipe tani doktorante në Universitetin e Cyrihut Donikë Sejdiu kishin përgatitur enkas për këtë mbrëmje këngën “Drenica ime”.

Programi u përmbyll me vallen “Vallja e Drenicës” interpretuar nga valltarët e ansamblit “Shqiponjat” si dhe nga këngëtari Tush Gjakova, me këngët “Pavarësia” dhe “17 Shkurti 2008”, duke vazhduar me një program festiv për të gjithë pjesëmarrësit.

Vlen të përmendet se ky  manifestim ashtu sikurse edhe shumë manifestime tjera të organizuara në mbarë Zvicrën nderojnë jo vetëm përpjekjet e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi, por mbi të gjitha nderojnë edhe komunitetin që jeton dhe vepron ë Zvicër, i cili në vazhdimësi ka qenë dhe është nën hijen e flamurit kombëtar, nën hijen dhe përkushtimin ndaj atdheut. Dhe ky përkushtim dëshmon se e kaluara e lavdishme e popullit shqiptar po bartet me sukses edhe te gjenerata e re, e cila edhe pa ka lindur dhe por rritet larg atdheut, ajo i këndon me një atdhedashuri të veçantë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Postime të Lidhura