Ulqin, 13 prill 2018: Para pak muajsh një mik imi më solli dhuratë librin “ Kanuni i Lekë Dukagjinit” në gjuhën angleze, botuar nga Shtëpia botuese: Gjonlekaj Publishing Company , New York, në vitin 1989. Atë vit, disa miq të mi në Shtete të Bashkuara të Amerikës, më njoftuan për përkthimin në anglisht të këtij libri me vlerë të çmuar të kulturës shqiptare. Në pamundësi që të kontaktoja me pronarin e shtëpisë botuese, nga ato pak të dhëna që kisha shkrova një informatë për të përjavshmen në gjuhën shqipe “ Polis”, shtojcë e cila botohej në kuadër të “ Titogradska tribina”, në Podgoricë, ku punoja si redaktor përgjegjës i saj.
Edhe pse për ne shqiptarët ky lajm ishte shumë i rëndësishëm , meqë ishte përkthimi i parë i Kanunit të Maleve të Shqipërisë në gjuhën angleze , u prit me pakëz dyshim nga drejtoresha e atëhershme e Titogradska tribina. Në momentin kur shtojcën në gjuhën shqipe e kisha bërë gati për shtyp, pak para përfundimit të orarit të punës të asaj ditë , drejtoresha proserbe më ftoi në zyrën e saj. Në fillim të bisedës, si zakonisht, e njoftova për përmbajtjen e shtojcës të përgatitur për atë numër. Dhe për çudi timen, kur i erdhi radha informatës për Kanunin e Lekë Dukagjinit, drejtoresha kërkoi nga unë shpjegime të hollësishme për përmbajtjen e Kanunit, për rëndësinë që ka ai për shqiptarët, për serbët, për anglezët, për… Këto pyetje më bëheshin me qëllim që të gjendet ndonjë “arsye” e mos botimit të kësaj informatë si e parëndësishme. Megjithatë u tregova shumë i durueshëm dhe i matur në përgjigjet e mia, sepse e dija se fjala ime nuk ishte vendimtare, por fjala e saj si drejtoreshë dhe kryeredaktore e gazetës. Së fundmi arrita ta “ bindë” drejtoreshën dhe informata për përkthimin në anglisht të Kanunit të Lekë Dukagjinit fatmirësisht u botua. Prej atëherë kaluan 9 vite. Dhe tani falë botuesit ky përkthim ndodhet në bibliotekën time, pranë botimit të Kanunit në shqip.
Pas kaq vitesh vendosa që të shkruaj disa fjalë më shumë se në rastin e përmendur për këtë përkthim në anglisht nga Leonard Fox.
Ajo që, për mendimin tim, e nxiti dhe e shtyu botuesin për botimin dhe përkthimin e Kanunit në anglisht ishte në radhë të parë nevoja që të tjerët të njihen me realitetin e gjallë, të një strukture të detajuar të organizimit dhe funksionimit të shoqërisë shqiptare të asaj kohë, e cila ka qenë përcaktuese në jetën e shumë brezave.
Qëllimi i botuesit dhe përkthyesit mendoj se nuk ishte vetëm të bëjnë një shërbim të thjeshtë në përkthimin e kësaj vepre historike dhe shkencore, përmes së cilës janë zbuluar normat shoqërore të dokeve dhe zakoneve të vjetra shqiptare me karakter juridik e social, me të cilat është shërbyer popullata e trojeve shqiptare, por edhe popujt e tjerë të njoftohen se zakonet dhe doket e vjetra shqiptare, jo vetëm që kanë bartur një kulturë të vjetër, por edhe kanë ditur të krijojnë ligje dhe baza juridike, përmes së cilave shqiptarët janë shërbyer dhe i kanë zgjedhur problemet juridike të kohës.
Përkthimin e kësaj lënde komplekse në anglisht e konsideroj si një kontribut për njohjen e një segmenti të rëndësishëm të kulturës shqiptare. Ky botim në anglisht për kodin e dokeve zakonore shqiptare bën që popujt e tjerë të kenë mundësi ta njohin traditën tonë zakonore në histori, ku janë përfshirë: familja, martesa, trashëgimia, pronat, kufiri, tregu i tokës, ndera dhe vrasja.
Falë këtij përkthimi shumë personalitete botërore, jo vetëm se janë njoftuar me Kanunin e Lekë Dukagjinit, por kanë folur dhe kanë studiuar këtë vepër madhore të At Shtjefën Gjeçovit.
Ish-presidenti amerikan Bill Klinton e ka cilësuar atë të ngjashëm me Kushtetutën Amerikane. Sepse në Kanun ashtu si dhe në Kushtetutë mbrohen të drejtat e jetës së njeriut dhe respektimi i trinisë së shenjtë: Zot, fe e atdhe.
Përkthimi në anglisht i Kanunit është më shumë se një kulturë e një shoqërie njerëzore, përmes së cilës kuptohet e kaluara e shqiptarëve në kushte e rrethana të vështira ekonomike e sociale dhe pa institucione juridike , por në jetën e tyre ka pasur rregulla e ligje të cilat i ka krijuar vetë populli në mungesë të institucioneve përkatëse dhe përmes tyre është shërbyer deri vonë, kur janë krijuar kushte dhe rrethana të tjera bashkëkohore.