Ulqin, 19. 04. 2015 – Shqiptarët në Malin e Zi në kohën e sistemit komunist përjetuan fatin e bashkëkombasve të tyre në ish – Jugosllavi. Atyre u cënoheshin disa të drejta kombëtare, të cilat përforconin bindjet e tyre patriotike dhe ndjesinë për mospajtim me pushtetin e kohës. Padrejtësitë që u bëheshin shqiptarëve ishin të shumta. Në shpirtin e secilit shqiptar pothuaj ishte ngjizur frika e tmerrshme nga pushteti jugosllav, e cila i shoqëronte gjatë gjithë jetës deri në vdekje. Me këtë frikë madje lindnin edhe foshnjat. Njëra prej të drejtave të mohuara shumicën e kohës ishte edhe përdorimi i flamurit shqiptar. Historia e përdorimit të këtij simboli tonë kombëtar në ish -Jugosllavi ndryshonte nga klima politke: herë lejohej përdorimi, e herë ndalohej, si i tekej pushtetit që s’na bënte hesap. Gjërat nisin të ndryshojnë pas rënies së Aleksandër Rankoviqit në Plenumin e Brioneve të vitit 1966. Në vitin 1977 lideri i ish Jugosllavisë, Josip Broz Tito ndër të tjera kishte inicuar edhe çështjen e lejimit të përdorimit të flamurit kombëtar shqiptar.
Flamuri i parë shqiptar valëvitet në dasmën e Palokë Shkrelit në Shtoj të Ulqinit
Zyrtarizimin e lejimit të flamurit të pakicave nacionale në ish -Jugosllavi Palokë Shkreli, sekretar në Shkollën Fillore “Marko Nuculloviq” në Shtoj, siç shprehet ai, e kishte lexuar në të përditshem “Politika“ të Beogradit, të datës 4 gusht 1968. Ky lajm i mirë e kishte inkurajuar Shkrelin që të përdorë Flamurin Kombëtar Shqiptar, me rastin e martesës së tij, më 11 nëntor të vitit 1968. Një veprim i tillë burrëror e atdhetar nuk ishte aspak i lehtë për kohën, pasi deri atëherë në këtë komunë shqiptarët nuk e kishin përdor flamurin shqiptar në ceremoni martesore. “Deri atëherë dasmat shqiptare bëheshin pa praninë e flamurit shqiptar dhe me sa di unë ky ishte flamuri i parë shqiptar që valvitej ne dasma në këtë komunë”, na tregon atdhetari i devotshëm dhe intelektuali i mirëfilltë prof.dr. Bahri Brisku, i cili në insistim të Palokë Shkrelit, pasi kishte arritur të zezën e ullirit t’i bind familjarët e vet, ditën e dasmës në rolin e dasmorit solli në shtëpinë e dhëndërrit të ri në Shtoj të Ulqinit Flamurin Kombëtar. Me këtë simbol më sublim të shprehjes së identitetit të shqiptarëve, kudo që jetojnë ata, të ngjitur në pjesën anësore në furgonin e nuses me afro 30 dasmorë të shpërndarë në disa vetura kaluan nëpër qytetin e Ulqinit, Tivarit e Titogradit (Podgorica e sotme) dhe mbërritjën në shtëpinë e Nikë Gorvokaj në bajrakun e Kojës, në këtë trevë shqiptare e cila flijoi shtatë trima heronj për ngrtijen e Flamurit Shqiptar në Deçiq në vitin 1911.
Lotë gëzimi
Sipas rrëfimit të dasmorit dr. Bahri Briksut gjatë rrugëtimit të gjatë nga Shtoji i Ulqinit deri në Kojë të Malësisë së Madhe flamurin e kishim ngritur në derë të furgonit.” Edhe pse flamuri shqiptar nuk shihej me sy të mirë nga pushteti rrugës për në Kojë nuk patëm asnjë problem. Kur mbërrtëm para shtëpisë së nuses në Kojë familjarët me duartroktije na dëshiruan mirëseradhje. Nuset dhe vajzat malësore na pritën me këngë dasme. Të gjithë u mallëngjyen dhe u gëzuan pa masë kur para shtëpisë së nuses valvitej Flamuri Kombëtar. Nuk munguan as lotët e gëzimit. Kjoshi faqebardhë, o dasmorë që na e prutë me veti nusen, duke aluduar në flamur. “Kjo nuse që na e sollët ju asht ma e bukur dhe ma madhështore se ajo çi po merrni ju. Ju sot me këtë flamur na gëzuat ne dhe krejt Malësinë e Madhe. Paskemi pas kujt me ia dhanë binë tonë. E paçim për hajrë e me nafakë flamurin tonë kombëtar, të cilin deri sot nuk kemi guxua as me e përmënd, e jo ma me e përdorë”, tha me shumë emocion njëri prej shtëpiakëve. – Ashtu kjoftë – brohoritën zëshëm malësorët dhe malësoret e tjera.
Kthimi në Ulqin
Sipas zakonit dasmorët pas dite u kthyen me nuse për në Ulqin. Kthimi, thotë nusja Gjyste Gorvokaj – Shkreli (atëherë 19 vjeç)pati dy ndalesa nga policia rrugore. Njëra në hyrje të Titogradit (Podgoricës) dhe tjetra në Tivar. “Sa isha e gëzuar që po martohesha aq edhe ndjehesha e frikësuar. Rrugës mendoja për pasojat eventuale për shkak të përdorimit të flamurit, i cili për kohën ishte risi dhe rrezik. Kur arritëm në Podgoricë i dëgjoja komentet: “Kjo makinë me këtë flamur sigurisht është e Ambasadës së Shqipërisë” I lutesha Zotit që gjithçka të shkojë mbarë. Kisha frikë që të mos jem, siç shprehemi ne malësorët, nuse hije zezë, “thotë Gjystja Asaj dhe dr.Bahri Briskut u kujtohet si sot se policia e Titogradit ishte më e sjellshme se sa ajo e Tivarit. “ Kontrollimi i policisë në Titograd nuk shkatoi asnjë shqetësim në mesin e dasmorëve. Edhe pse policët e shikon me habi flamurin shqiptar ishin korrekt. Ata u sollën mirë me ne dhe nuk na kërcënuan. Ndërkohë në Tivar policët ishin më të ashpër. Na pyetën se çka është ky flamur që e keni ngritur në makinë. „ Ne shqiptarët s‘kemi tjetër simbol kombëtar. Ky është flamuri ynë, u thashë policëve. Mirë – i tha polici bajraktarit të dasmorëve dhe shtoi pak me zë të lartë se ndër ne në dasmat tona merret flamuri i Malit të Zi. Kush e di se si do të na maltretonin policët sikur situatën të mos e „ qetësonte“ vëllai i dhëndërit Kolë Shkreli. Pas ndërhyrjes së Kolës policët me nervozizëm na urdhëruan: „Hajdeni, largohuni këtu pari dhe mos u ndalni askund rrugës“, bërtiti polici, thotë Brisku.
Reflektimi i flamurit
Sipas dr.Briskut me valëvitjen e flamurit shqiptar në dasmën e Palokë Shkrelit në Shtoj të Ulqinit shqiptarët përfituan shumë. Së pari përdorimi i këtij flamuri ishte i pari në dasmat shqiptare të komunës së Ulqinit. Së dyti ky veprim ishte një fillim i mbarë në zgjimin e vetëdijes kombëtare të popullatës shqiptare, veçmas shtojakëve. Së treti policia shtetërore në Ulqin filloi të humbas besimin në bashkëpunëtorët e tyre nga Shtoji.
Dëshmi e besnikërisë ndaj kombit
Protagonisti i këtij akti burrëror Palokë Shkreli gjatë bisedës që zhvillova për këtë veprim të tij fisnik para pak ditësh në shtëpinë e tij në Plazhin e Madh të Ulqinit në praninë e bashkëshortes së tij Gjystes shprehet me modesti. „Nuk bëra asgjë që meriton lavdëratë. Thjeshtë veprova ashtu siç do të duhej të veprojë çdo shqiptar. Mora guximin të përdorë në dasëm flamurin kombëtar, i cili ka mbajtur gjallë qenësinë shqiptare në rezistencën kundër pushtuesve të huaj sidomos në shekullin XX. Flamuri për mua është dëshmi e besnikërisë ndaj atdheut dhe ndaj kombit. Unë jam shqiptar dhe s’mund të jem askush tjetër. Por më vjen keq që disa shqiptar e mohojnë të qenurit shqiptar, duke mos ditur se çka janë. Unë nuk mund të pajtohem me ata që e duan tjetrin më shumë se vetin“, thotë Shkreli, duke shtuar se prej ditës së martesës pushteti gjithmonë e ka shkikuar me sy të keq, por nuk ka patur pasoja.
– Kontakti me autorin: [email protected].