GJENOCIDI SERB NË KRAHINËN E LUMËS (1913) DHE DJEMTË E LUMËS NË SHËRBIM TË LUFTËS ÇLIRIMTARE, UÇK-së (1991 – 1999) VIDEO

GJENOCIDI SERB NË KRAHINËN E LUMËS (1913) DHE DJEMTË E LUMËS NË SHËRBIM TË LUFTËS ÇLIRIMTARE – UÇK-së, (1991 – 1999) / VIDEO

Nga Sheradin Berisha, Pashtriku 6 korrik 2023

Krahinat e Lumës, Hasit, Vrrinit dhe Opojës, gjatë historisë kishin fatin e njejtë.

GJENOCIDI SERB NË KRAHINËN E LUMËS

Në vjeshtën e vitit 1913 forcat pushtuese serbe të gjeneralit famëkeq Božidar Jankovič, në fshatin Përbreg i Poshtëm dhe i Epërm (të Lumës) në format më mizore vranë e masakruan 375 burra, gra e fëmijë dhe shuan tërësisht shumë familje. Sipas raporteve zyrtare të Fuqive të Mëdha, në këtë fshat të Lumës u ekzekutuan më shumë se 400 shqiptarë. Në dhjetor 1913 shkrimtari dhe publicisti i shquar austriak, hebreu Leo Freundlich në librin e tij: Golgota shqiptare (Albania’s Golgotha) ka shkruar edhe për gjenocidin serb në trevën e Lumës, me theks të veçantë në fshatin Përbreg.

Në rajonin e Lumës u shkatërruan krejtësisht 27 fshatra. Në këtë zonë janë parë skenat më të frikshme të krimeve mizore kundër popullit shqiptar gjatë luftës me gjenocid. Gra dhe fëmijë, pa ekzagjerimin më të vogël, janë zhytur në kashtë dhe janë djegur të gjallë përpara syve të baballarëve e bashkëshortëve të lidhur këmbë e duar. Gra shtatzëna janë shpërthyer në mes në mënyrën më të llahtarshme dhe fëmijët e palinduar janë ngritur përpjetë me bajoneta. Ai që më ka treguar, një xhentelmen, një zotni burrë, me përgjegjësi dhe me potencë të madhe, në fund të këtij kallzimi, më tha: ”E tëra kjo duket e pabesueshme, por është gjithçka e vërtet”, shkruan Leo Freundlich.

Për gjenocidin serb në Lumë ka shkruar edhe Kryepeshkopi i Shkupit, imzot Lazër Mjeda. Imzot Mjeda më 4 dhjetor 1915, në një letër dërguar princit Austro – Hungarez, shënon se, gjenerali Jankovič, i informuar që lumjanët nuk do të lejonin trupat serbe të kalonin nëpër territorin e tyre, ve në zbatim programin e shuarjes së plotë, “të vriten të gjithë, të shuhen si fise”. Fëmijët i shkulnin nga zemrat e nanave të tyne, i mbështillnin me kashtë dhe i digjnin të gjallë. Ushtarët serbë kanë shpërthye me bajonetë barqet e grave shtatzëna e më pas kanë vrarë me thikë foshnjat. Është e paimagjinueshme, por është e vërtetë. Nga fshati Përbreg me 112 familje, vetëm 4 të rritur kanë mbetur gjallë” – thotë Imzot Mjeda.

Në gazetën ”Radniçke novine”, socialdemokrati Dimitrije Tucoviç, për masakrat e ushtrisë serbe në fshatrat e Lumës ndër të tjera shkruante: ”…Kur trupat serbe shkatërruan fshatin Topojan aty nuk kishte burra. Oficerët rezervë që morën urdhëra ta djegin fshatin dhe të thernin me thika, kot kundërshtonin, kot i përsëritnin fjalët ”të gjithë a?” Të gjithë ishte përgjigjja e njëfarë kapiten Jurishiqit. Për dy orë u vranë 500 shpirtëra… Shqiptarët e “egjër” ushtarët tanë të zënë rob i çarmatosnin dhe i lëshonin, kurse ushtria jonë e ”kulturuar” e shekullit XX po i vretë edhe fëmijtë e tyre….” (Gazeta “Radniçke novine” Beograd – Tetor 1913)

Ndërsa një ushtar i quajtur Vuksanoviq për masakrat e kryera, rrëfen si vijon: ”Shqiptarët në fillim i vritnim me pushkë dhe patllake, por së shpejti erdh urdhëri se nuk kishte levërdi të shpenzohet municioni, prandaj shqiptarët do të therren me thika. Dhe kështu ndaheshin në grupe grupe…, rreshtoheshin në rreshta me fytyra të kthyera kahë njëri tjetri dhe atëherë oficerët dhe nënoficerët i thernin shqiptarët një nga një në qafë. Këta njerëz fatkëqinjë as që luanin nga vendi, as nuk bërtisnin, as nuk mbroheshin, thuajse nuk ishin qenje njerëzore të vetëdijshme, por shikonin të qetë si i therrej shoku pranë dhe thika po ia shpërthente fytin e tij. Nuk mund ta merrja me mend një gjakftohtësi dhe qëndrueshmëri të këtillë njerëzore, të cilët e shikonin vdekjen me sy të hapur. Është kjo njëra nga skenat më të llahtarshme që e përjetova gjatë luftrave. Duhet të vdesin disa gjenerata të shqiptarëve që të harrohen ato, çfarë kanë bërë serbët ndaj tyre.” (Gazeta “Radniçke novine” Beograd – Tetor 1913)

Në vjeshtën e vitit 1913 edhe në vendlindjen time, në Billushë (tani Kushtrim) ushtria pushtuese serbe i pushkatoi e theri me thika, 90 mashkuj të fshatit.

Dëshmi arkivore

BARBARIZMI I USHTRISË SERBE NË FSHATRAT E LUMËS

1. Në Shullan: ushtria serbe plaçkiti tërë fshatin, dogji 5 shtëpi dhe shkoi në bajonetë gjithë gjindjen. Shpëtuan vetëm 3 njerëz, sepse u ndodhën jashtë fshatit, kur therej gjindja…

2. Në Dode: Plaçkitën fshatin dhe dogjën një shtëpi.

3. Në Ploshtan: Nuk dogjën shtëpira, por bënë rrëmujë tërë gjanë…

4. Në Topojan: Fshatin e dogjën fund e krye dhe gjindjen, 500 vetë, burra, e gra të çdo moshe i vranë me bajonetë.

5. Në Ceren: Plaçkitën gjithë çka gjetën, rrëmbyen gjithë gjënë e gjallë.

6. Në Bushtricë: Dogjën tre shtëpi, morën 50 kuaj…

7. Në Palush: Dogjën fshatin fund e krye dhe vranë e hodhën në zjarre më tepër se 100 vetë, gra, burra dhe kalamaj.

8. Në Gjegje: Plaçkitën fshatin dhe rrëmbyen 27 lopë e 130 bagëti.

9. Në Matranxh: Bënë rrëmujë gjithë katundin dhe rrëmbyen 4 kuaj, 17 qe e 400 dhen.

10. Në Vasije: Përveç të plaçkiturit e shtëpive, morën 230 krerë bagëti, 32 lopë, 15 kuaj dhe 2 mushka.

11. Në Barruc: Morën gjithëçka kishte fshati si dhe 13 lopë, 14 dele dhe 6 kuaj.

12. Në Gjabër: Bënë plaçkë fshatin dhe morën 3 gomerë, 25 dhen e dhi, 4 kuaj dhe 40 lira turke.

13. Në Draç: Përveç katandisë dhe ushqimeve, sidomos 500-600 okë fasule, morën 2 kuaj dhe 250 berre.

14. Në Gjin: Plaçkitën fshatin dhe morën 400 berre, 5 lopë e 1 kalë.

15. Në Kalis: Bënë rrëmujë gjithë gjënë, dogjën 40 shtëpi dhe vranë 67 vetë: gra, burra e kalamaj dhe rrëmbyen 500 krerë bagëti, 50 lopë, 10 kuaj, 10 gomerë, 4 mushka.

16. Në Lusën: Dogjën 25 shtëpi, therën 52 vetë (76 vetë-Sh.B) rrëmbyen 1000 bagëti, 100 lopë, 6 mushka, 10 gomerë, 25 kuaj.

17. Në Vilë: Plaçkitën e dogjën 6 shtëpi…

18. Në Ujmisht: Plaçkitën e dogjën 21 shtëpi dhe vranë 15 vetë si dhe rrëmbyen berra, 50 lopë dhe 30 kuaj.

19. Në Xhafere: Këtë fshat prej 25 shtëpiash e dogjën fund e krye dhe gjithë gratë e burrat i vranë me bajoneta, dy veta që s´u ndodhën në fshat, shpëtuan.

20. Në Brekijë: Edhe këtë fshat prej mëse 150 shtëpiash e bënë hi dhe njerëzit, sa u ndodhën aty…

21. Në Lojme: dogjën 60 shtëpi dhe therën gjithë meshkujt, gra e çiliminj.

22. Në Nimçë: Katundin e bënë hi nga njerëzit shpëtuan vetëm 5 vetë, të tjerët, burra, gra e foshnje i shkuan në bajonetë.

23. Në Përbreg: Fshatin e tërë e dogjën dhe e bënë hi dhe gjithë njerëzinë, 375 veta burra, i shkuan në bajonetë.

24. Në Surroj: Dogjën 130 shtëpi dhe vranë 55 burra e 2 gra, të cilat i zunë besë amnestijes…

25. Në Novosej: i vunë zjarrë tërë fshatit. Dhe i hodhën të gjallë në zjarrë 9 fëmijë dhe një grua dhe rrëmbyen 40 kuaj, 280 lopë, 1300 dhen e dhi.

26. Në Bardhoc: Dogjën tërë gjanë e Haxhiut të Bardhocit.

27. Në Sulaj (Sumaj): Dogjën 24 shtëpi vranë një fshatar dhe rrëmbyen 500 dhen, 10 dhi,10 kuaj.

28. Arrëzë (Arën): Dogjën 10 shtëpi dhe vranë 10 fshatar të këtij fshati.”

(Burimi: Sotir Koleja: Barbarizmat Serbe kundër shqiptarëve, 23 Dimëruer (Dhjetor) 1913. Ky material gjindet në Muzeumin e Rrethit të Kukësit). U botua në shtypin e kohës: „Kalendari Kombiar, Sofje 1914 faqe 73-91, dhe „Lirija e Shqipnisë“ Nr. 94, datë 8-21 maj 1914 faqe 4 dhe Nr.95 datë 9-22 qershor 1914 faqe 4.)

PASARDHËSIT NË SHËRBIM TË LUFTËS ÇLIRIMTARE

Pasardhësit e familjeve Kovaçi – Dida, (në fshatin Përbreg i Poshtëm – Përbreg i Epërm), të cilat u vranë e u masakruan nga ushtria serbe, në vitet 1912 – 1913, në rrugëtimin tonë për çlirimin e Kosovës u kyqën qysh në vitin 1991 për të siguruar armatim e municione për grupet e para guerile të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK), të cilat u formuan në Vrri dhe në vende tjera të Kosovës.

Në këtë drejtim kontribut të veçantë dhanë vëllezërit Sylejman e Bajro Kovaçi, së bashku me kusheriun, Ajet Kovaçi nga Përbregu i Poshtëm, dhe Fidaim Dida (me vëllain Hasanin) nga Përbregu i Epërm. Këta djem të Lumës u angazhuan edhe gjatë rritës së gueriles (1991 – 1997) në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së) .

Në vitin 1997 pasi u sigurua një shumë e madhe e parave nga veprimtarët e Lëvizjes në Zvicër e Gjermani (ku bëja pjesë dhe unë) për blerjen e armatimit të shumëllojshëm për Njësitin gueril të UÇK-së në trevën e Vrrinit (me qendër në lagjen Tusus të Prizrenit) ishin Fidaim Dida së bashku me Ajet e Bajro Kovaçin, të cilët këto armë i futën në Kosovë  nëpër bjeshkë të Koretnikut (maleve të Zhurit). Njësitin e UÇK-së në VRRI, e drejtonte Xhevat Berisha, i cili më 1 shtator 1998, në fushëbetejën e Lezit, gjatë ofensivës së shtatorit (01 – 05. 09. 1998) – ra dëshmor.

Gjatë luftës 1998 – 1999 Shtëpia e Fidaimit, në fshatin Përbreg i Epërm (rrezë bjeshkëve të Koretnikut dhe Gjallicës) ishte baza kryesore e armatimit dhe municionit për të gjitha kalibrat e armëve, ndërsa shtëpizat (kolybet) në stanet e tij në bjeshkët e Koretnikut (përgjatë vijës kufitare Vërmicë  – Zhur – Opojë – Gore…) ishin BAZA e dytë e UÇK-së!

Përgjegjës i Logjistikës në këto baza ishte veprimtari i Lëvizjes, Shani Berisha, ndërsa udhëheqësi për bartjen e armatimit, me ushtarët e UÇK-së për Kosovë, në këtë vijë furnizimi – ishte veprimtari Xhemshit Krasniqi…

Në bazën e dytë (te stanet e familjes Dida në Koretnik) ushtarët dhe vullnetarët që vinin për herë të parë nga shtetet perëndimore në  radhët e UÇK’së fillimisht stërviteshin aty dhe pastaj me armatimin e tyre personal (e me kuaj të ngarkuar) futeshin në Zonën e lirë të UÇK-së, në Trevën e Vrrinit (në vijën Trokan, ku lidhen fshatrat Brezne me fshatin Brrut – Qeshmja e Skënder Agës – Malet e Billushës …) për të përfunduar në fshatin Jeshkovë. Në Jeshkovë ishte selia e Shtabit Lokal të UÇK-së për Prizren, në krye me K-dant Remzi Ademajn – Petrit Kodrën. K-dant Petriti më 15. 08. 1998 u vra në një pritë të organizuar nga forcat ushtarake – policore serbe, tek udhëkryqi i rrugës Grazhdanik – Nashec…

Gjatë luftës 1998 – 1999 lokali (restauranti) i Sylejman Kovaçit në Kukës, shtëpitë e Ajetit, të Sylës dhe të Fidaimit, në fshatin Përbreg, se dhe stanet (e Fidaimit) në bjeshkët e Koretnikut ishin shndërruar në bazat kryesore për vullnetarët dhe logjistikën e UÇK-së.

Në restaurantin e Sylës (te tregu i qytetit në Kukës) ushqeheshin vullnetarët që vinin nga shtetet perëndimore. Në magazinën e lokalit, i mbanim barnat, uniformat dhe paisjet tjera ushtarake, ndërsa një pjesë e ushtarëve edhe flinin aty.

Qoftë i përjetshëm kujtimi dhe lavdia për Dëshmorët e Kombit!

SHTIGJET E AGIMIT TË LIRISË

Në shtator të vitit 2022 në kuadër të manifestimit “Epopeja e UÇK-së në Vërri”, dhe në kujtim të përvitshëm për dëshmorin e kombit, Agim Shala, me moton “Shtigjet e Agimit të lirisë” u bë marshimi deri në bjeshkët e Koretnikut (Pikllimës), aty ku ishte gjatë luftës baza e logjistikës për UÇK-në. Me këtë rast OVL e UÇK-së dega në Prizren, vendosi një pllakë përkujtimore, ndërsa në shenjë faliminderimi për kontributin e dhënë para dhe gjatë luftës, iu dha mirënjohje veteranëve të UÇK-së: Suleman Kovaçit, Fidaim Didës, Ajet, Bajro e Ali Kovaçit nga fshati Përbreg i Kukësit. OVL e UÇK-së një pllakë përkujtimore e vendosi edhe në shtëpitë e Hasan Ajet Bajrës (Kovaçi) dhe Ali Ajet Bajrës (Kovaçi) në fshatin Përbreg 🇦🇱🤝🇦🇱

DOKUMENTARI

Në vijim shikoni nëntë pjesë të dokumentarit “PISHTARI I LIRISË”, kushtuar DËSHMORIT TË KOMBIT, XHEVAT BERISHA:

https://youtu.be/8jfNDTrjEdwl

________

Ilustrimet: Fotofëshmi nga periudha e luftës …

————————————————————————-

KOMENTET E LUMJANVE

Hajdin Xhahaj

Lavdi e krenari!

***

Sulejman Dida

Sheradin t’pershnes, të jam mirnjohës për këtë përmbledhje qi ke ba tue çitë në spikamë sakrificën e Lumës. Si fshatar i Përbregut të jam mirnjohës dyfish sepse e ke përkujtu me fakte genocidin serb aty (1913) po edhe kontributin e djemve tonë gjatë luftës për lirimin e Kosovës.

***

Servet Bytyçi

Shkrim mjaft interesant.

Ajo që më bëri përshtypje në fillim ishte, ardhja e Bozhidar Jankoviçit për herë të dytë në Lumë!

Nuk isha i njohur me këtë fakt. Dhe flet shumë. Statistikat janë të tmerrshme.

Dhe Përbregu gjithmonë, janë sjellë në kujtimet e pleqve të asaj kohe. Bashkë me Kolshin gjithashtu.

Flas nga të moçëm të fshatit tonë, të shpëtuar rastësisht, e që kannë lidhje me këto dy fshatra.

Bravo për shkrimin dhe historitë aktuale Sheradin!

Të lumtë

***

Sheradin Berisha

Servet Bytyçi, kjo është një histori e dhimbshme që ka frymëzuar gjeneratat e reja për të rezistuar e për ta luftuar Serbinë deri në luftën e fundit çlirimtare, të viteve 1998 – 1999. Çdo të mirë mik, familjarisht 🤝

***

Selami Dida

Emocionues faktet e përshkrimit që i keni kushtuar Lumës historike, Përbregut fshatit tonë dhe familjes tonë (babës Hasan e axhës Fidaim) bashkë me familjen Kovaçi.

Ruaj mjaft kujtime të bukura si fëmij i asaj kohe me ushtarët e lirisë në votrën tonë, të cilët ma shtojnë dashurinë edhe ma shumë për Kosovën.

Uroj që shkrime të tilla të gjinden së shpejt në rrjeshta librash për t’u mbajtë e fresket ndër breza e gjithë lëvizja për lirinë e Kosovës, si zemra e Kombit tonë.

Respekt dhe përshëndetje të përzemërta, mik i familjes tonë.

_________________

SHTOJCË

MIRËNJOHJET E GJENERAL BUNKERIT! DËSHMI ARKIVORE PËR KOMANDANTIN E FORCËS TF-3, RUZHDI SARAMATI!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura