Fror, 2023
GJEOPOLITIKA NUK LOTON …
(Mbi torturën e pritjes serbe)
Nga Rexhep Kasumaj
1.
Dimër i madh, që thuase nuk do ikën pa bërë një vend epror në kronikën e kohës.
Në Belgradin e duhmave të vjetra, mbahej në fillimfror një seancë e regjisuar parlamentare.
Presidenti i serbëve flet për orën e vështirë: trysninë e papërballueshme për të pranuar Planin e Europës.
Por ai, një shpirt i brishtë e pëllumbor, rrethohet nga grupime nacionaliste. Për habinë e tij, partneri qeveritar, socialistët e Sllobodanit heshtin. Dhe mosbëzâmja e tyre dërgon një kumt: kumtin e vetmisë heroike të dishepullit të paqes.
E gjithë skena e parastisur duhej të krijonte një imazh të dhimbshëm. E, ndaj, një raport forcash që do justifikojë refuzimin e
planmarrëveshjes franko-gjermane. Ose, së paku, pranimin e saj epik që kërkon shpërblim të dyfishtë: lekë në Bruksel dhe territor në Kosovë.
2.
Lufta në Ukrainë më kujton shpesh frëngun e urtë që cilësonte Kremlinin një fortesë çiklopësh e shpellë dinosaurësh.
Dhe me këtë shpellë, si kurrë ndonjëherë, është natyralizuar Serbia e pasrendësit besnik të Millosheviqit, vdekur në qelitë burgëtare të Hagës.
Ndaj dhe thoshte: askush nuk e njeh Putinin më mirë se unë. Pikërisht ky pretendim i tij, disi intern, brendarus, do t’a përcyste t’pohojë: prisni e shihni pasi Mariupoli të bjerë. Sepse, siç aludonte, do të pasojë pjesa e dytë e lojës, këtu në Ballkan.
Kisha shkruar disa herë se serbi Vuçiq aktron harmoninë me Fuqitë atllantike, por në fakt s’ka asnjë ngut.
Pret fitoren spektakulare ruse. Dhe një skemë të re gjeopolitike, ku vendi i tij i molepsur nga ideologjia e krimit, do njitej lartë në tabelën e qendrave zonjërënda të Europës.
Por Mariupoli ra dhe gjysmëloja e mbetur nuk shihet kund. Aq më pak një Rend i ri bote me zotër nga stepat.
Për të qenë një perandori jetëgjatë, shkruan Herfried Münkler (“Logjika e sundimit të botës”), përveç armëve, nëvojitet poaq një ekonomi lulëtare e, sidomos, epërsi e thellë kulture. Dhe perandoritë e stepave kishin përherë këtë mangësi: defiçitin qytetnues që bjerr legjitimitetin dhe mban të pashuar kandilin e rezistencës së popujve lirishkelur.
Lufta, ndërkaq, vijon. Por si njeriu që pret trenin tek vonon dhe, edhe kur s’vjen e s’vjen dot, pritja e gjatë përligjë shpresën e mbërritjes së tij.
Që këtej, prandaj, serbi Vuçiq akoma pret. Ka hyrë aq terrshëm në shpellën e çiklopëve sa t’mos mund të dalë kurrë q’andej.
Është ky ngujim, kjo verbëri mitike dhe kjo pritje sfilitëse që i jepte Harçenkos, mëkëmbës i Gubernës serbe të Rusisë, të drejtën komode të flasë në emër të saj.
Serbia, diktonte ai, s’ka pse të nxitojë me planin e padrejtë europian. Duhet të presë epilogun ngadhnjmtar të Kremlinit në Ukrainë dhe, më pas, mbështetur kartash të reja, të rihapet çështja e Kosovës.
Këtë verdikt do t’ia ketë pëshpëritur më parë në vesh aleatit të shtruar Vuçiq. Pa dyshim fare. Kësaj shtyse vjen teatri kuvendar dhe roli i vetmitarit dhe ideja e matjes së re të votave në torturën e pritjes së një feste triumfi në Kremlin…
3.
Mirëpo, sado një levë shantazhi të ngjajë kjo atëri, hekurat unazorë shtrëngojnë sërish klientin rus Vuçiq.
Kalkulimi nuk është aspak i sigurtë. Qëndrimi lëvarë mes dy hemisferash nuk jep asnjë shenjë shtegprijëse në horizontin e vagullt.
Dydrejtimshi është i lodhur. Strategjia e ekuidistancës zbehet. Tretet nga disfata ruse në Ukrainë, ku veç armës lufton dhe zemra e lirisë.
Dhe, në përpjekje për një pakt me kohën, sheston trauma politike në arenën serbiane. Të tilla që duhet t’a bëjnë të denjë për mëshirë. Me këtë trill, ashtu si idhulli i Kremlinit në rrotullimin e pafund, synon të zbresë në kancelarinë kryeministrore. Larg vendimit të pamundur. Dhe poshtë historisë…
Sidoqoftë nuk arriti kurrësesi t’ia hedh armikut të përbetuar. Premierit kosovar që mposhtë atë përherë në përballjen taktike: heshti një grimë dhe kur ky, i vocërri Putin, do shfaqej bashkëpunues serioz, kryeqeveritari i Kosovës, pasi në krye të herës mesazhonte hezitim, pranoi Plan-marrëveshjen euroamerikane.
Dhe tani hazjajini serb gjendet në dilemën e vështirë: prej tij pritet një Jo historike! Por, vallë, kujt do t’i shkojë përgjigja dramatike?
Kujtdo t’i drejtohet, Lindjes a Perëndimit, programi i vjetër ekspandiv që ai i mban frymën, do të përfundojë në pluhnajë.
Nëse i thotë Jo të parës, rusi Harçenko i dha, tashmë, një ogur fatal: Moska nuk do ndalojë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e bashkuara. Kurse, në të kundërtën, nëse me Jo-në e tij i kthen krahët perëndimit, vendi i serbëve do mbarojë në izolim e strajcë lypësie.
Dhe më keq akoma: fundja, Rusia nuk mund t’a fitojë luftën në Ukrainë. Kurrsesi në gjithësinë e saj. E çka pastaj? Si do kthehet? Cili do ishte çmimi i aleancës me Kremlinin e fashistizuar? E, poashtu, a do i lëvizte rusi luftëhumbur gurët e mozaikut gjeopolitik me ekuacione simetrie, jashtë Serbisë?
4.
Epokë e Osmanëve në Ballkan. Ashtu si të tjerë popuj, serbët do nisnin një rebelim të qëndrueshëm, viti 1804, që, nën primjen e Karagjorgjes, do zgjaste nëntë vjet.
I kishin kërkuar ndihmë Petërsburgut përmes Princit malazez Petrit I, por nga dinastia Romanov asnjë lajm. Harrim dhe mbetje në mëshirën e shpatës otomane.
Madje, Paqja e Bukureshtit, 1812, do betononte zotërimin turk në trojet e tyre.
Të braktisur nga Rusia do ishin serbët dhe në luftën dyjavore me bullgarë, vjeshtë 1885. U disfatuan aq keq e turpshëm, sa që u desh të ndërhynte Austro-hungaria për t’mos rënë krejt përdhé.
Dhe, së voni, fillimdekada e 90-të, stinët e gjakosura të Bosnjës, Rusia do t’a votonte një rezolutë në Këshillin e Sigurimit për sanksionimin e Jugosllavisë së tretë të Sllobodanit.
Mote më pas, në vitin tonë të madh 1999, Rusia e Jelcinit do të ushtronte një ndikim të fuqishëm që serbët të tërhiqen para kushteve të Nato-s. Por nga 3 qershori, tashmë Moska trysnonte Belgradin që të dorëzohej dhe të largonte ushtritë nga Kosova e luftës çlirimtare.
Natyrisht, këto janë vetëm disa kulme të ndërmjetme historie, por që nuk vulosin lidhjet serbo-ruse ndër shekuj. A mund të imagjinojë kush Serbinë e sotme, e zgjëruar tri herë në hapësirat jetike të kombeve përreth, pa dorëzgjatjen e Rusisë? Kurrë! Do ishte, thjeshtë, një shtet i vogël dhe pa asnjë peshë e sherrnajë në Ballkan.
Megjithatë, këto pëftesa kohësh provojnë se në arenën ndërkombëtare dashnia është një trill. S’ka fllad romantik, lot a poetikë për gjakun e huaj…
Ishte mars, viti 1878, kur gadishulli ilirik coptohej e grabitej egërsisht nga “klyshët” e Rusisë.
Por, anise kishin rrëmbyer toka nga Dhéu i pazot shqiptar, princi serb Milan, i zhgënjyer nga krijimi i Bullgarisë së madhe nga Danubi në Egje, njëj dite të ftohtë pranvere kishte kuptuar qartë: “Politika e jashtme nuk mund të mbështetet asnjëherë në sentimentin e rrezikshëm sllav”!
Mbase serbi Vuçiq, ky banor i përkohshëm i strehës çiklopike të Kremlinit, do të fshâjë një ditë këputshëm si princi i hershëm serb Milan.
Traktati i parë i paqes (Jörg von Uthmann, “Diplomatët”)
në të drejtën ndërkombëtare, viti 1269 para Zotrisë, firmosur nga Ramses i dytë dhe mbreti i Hethitëve, Hattusil i tretë, ka një klauzolë interesante. Një besë të lartë qiellore.
Në pjesën e fundme, perënditë thirren si dëshmitarë dhe mallkimi i tyre hidhet mbi cilindo që thyen marrëveshjen.
Po ç’klauzolë mbi ndëshkimin e zotave do t’përfshinte, vallë, një kontratë paqeje me Serbinë?
Vetëm mizoria e një gjeopolitike fatale mund t’a kthejë kruspull nën hijen e kumbullës së vet!
Ndaj dhe ajo tjetra, postukrainasja, të cilën ethshëm ëndrron, nuk besoj t’i vijë kurrë…