PËRPARIM DEMI: DY FJALË PËR ZGJEDHJET…

Bukuresht, 30 maj 2017: Në Shqipëri dhe Kosovë kanë filluar fushatat e zgjedhjeve qëndrore për mandatet e ardhshme të deputetëve. Një fluks i madh informacioni përhapet në median formale dhe informale, ku forcat politike kanë shpallur “luftë” me njëra tjetrën për teritore, duke hedhur statistika të rrejshme, të modifikuara, shoqëruar me sondazhe partiake aspak reale. Nga ana tjetër nëpër fshatra dhe rrethinat e qyteteve, atje ku jeton shumica e varfër e popullatës na shfaqen kamionat me “dhurata”, si thasë me miell, vaj dhe ushqime të tjera për mbijetesë. Partitë e djathta dhe të majta e bëjnë këtë aktivitet të kushtueshëm ndërkohë paralelisht bërtasin sa mundin dhe deklarojnë (rrahin gjoksin) për zgjedhje demokratike të drejta dhe transparente.
Politika është kthyer në hipokrizi dhe manipulim të hapur. Këto parti pa kurfarë ndrojtje apo frike se shkelin ligjin me të dyja këmbët, se mashtrojnë zgjedhësit me populizmin e tyre, se marrin nëpër këmbë vullnetin e lirë të popullit, se vrasin shpresat e gjeneratave të reja për një jetë dinjitoze, se bllokojnë të ardhmen e vëndit dhe prosperitetin e tij, pa kurrëfarë turpi dërgojnë oratorët e tyre të paskrupullt në mbarë vëndin të propagandojnë të kundërtën e asaj që kanë ndërmënd të bëjnë, nëse marrin mandatin e shumicës. Fushatë negative ngado, e mbushur me fyerje dhe akuza të paqëna, shtrëngime dhëmbësh dhe grushtash, kërcënime të hapura dhe linçime publike. Parimi “gënje sa të mundesh se diçka do mbetet” është bërë instrumenti kryesor i debatit për zgjedhje. Zgjedhje që veç zgjedhje s’mund të quhen. Mund ti emërtojmë si ta duam – ndrim qeverie, riorganizim pushteti, ndrim karikesh, larje hesapesh, rikonfigurim deputetësh, matje forcash, vjedhje votash dhe shplarje kokash, uzurpim pushteti, mashtrim kolektiv, pazare nëndorë, shitje-blerje karakteri, periudhë ryshfeti të hapur dhe i organizuar, rigjenerim klikash dhe klanesh,….etj. Periudh shumë e kushtueshme. Partitë e mëdha i marrin masat me kohë për këtë aktivitet kaq të shtrënjtë, ato i ndajnë me kohë fondet e nevojshme nga parat publike të vjedhura gjatë mandateve të kaluara, pa folur për parat e drogës, kontrabandës, spekullimeve, tenderave etj. (para të zeza për ditë të bardha).
Në Shqipëri, mesa shoh, nuk parashikohen ndryshime thelbësore, çështje numrash, llogari dhe arithmetikë, pushteti autokrat do vazhdojë dhe demokracinë e pretenduar do e shohim me dylbi në një horizont më të largët. Komedia vazhdon, përsëritet, ashtu siç e kemi parë gjatë 26 viteve të kaluara. Janë rrjeshtuar partitë PS-PD-LSI të ndjekura nga PDIU, e cila shpresoj të rritet pak për ta patur zërin më të fortë në kauzën e saj kombëtare. Kuptohet që disa individë do sakrifikohen në forma të ndryshme, por kjo nuk do e prekë thelbësoren, sistemin e koruptuar. Këto zgjedhje do ua përforcojë bindjen njerëzve të thjeshtë se “kur ta fut kadia s’ka ç’të bën as perëndia” – shprehje e vjetër e mbetur që nga periudha osmane, e cila përfaqsoi sistemin më të koruptuar në histori. Dëshpërimi popullor, pa shpresa e transformuar në mentalitet e shprehur në biseda të përditëshme me përfundimin se “s’ke kujt ti qahesh”, ka marrë formën e një fataliteti dhe pesimizmi që paralizon masën e gjërë të votuesave, e bën indiferente dhe inaktive.

Në Kosovë, kemi një situatë pak më ndryshe. Partitë e mëdha PDK-LDK nuk ndryshojnë me gjithë koalicionet që kanë formuar. Ato kanë një histori të ngarkuar me dështime dhe janë të diskretituara gjatë mandateve të kaluara. Konsiderohen të koruptuara dhe mjaft personalitete të tyre akuzohen për krime. E veçanta është rritja kërcënuese e VV-së, e cila është e vetmja forcë politike e pa konsumuar dhe që vjen me një platformë të qartë dhe të detajuar në mënyrë profesionale dhe nuk bën një fushatë krejtësisht negative si të tjerat. Fushata e saj karakterizohet nga një projekt politik dhe ekonomik për nxjerrjen e vëndit nga skamja, për ndërtimin e një shteti social, ku administrata e thjeshtuar do e ndrojë në mënyrë rrënjësore raportin pushtet-popull. Kjo parti ofron jo vetëm shpresë, por tregon rrugën e realizimit të prioriteteve, gjë që krijon besimin se janë të realizueshme. Ajo problemet e brendëshme të Kosovës i vë në plan të parë dhe ato të jashtme në plan të dytë. Me këtë projekt ligjor, ekonomik, shoqëror dhe politik, ajo vërtetoi se ka një ekip profesionistësh, specialistë të të gjitha fushave, të cilët i njohin në detaje problemet makro-ekonomike të vëndit. Kjo është garancia më e madhe se platforma e VV-së do realizohet, me konditën që populli ti besoj shumicën e vendeve në Kuvënd. Një shëmbull dhe garanci për këtë është dhe eksperienca e bashkisë së Prishtinës, e cila gjatë disa vjetëve të qeverisjes vetvendosëse ka patur suksese në të gjitha drejtimet.
“Parimi i vetëvendosjes është baza e demokracisë direkte partiçipative (pjesëmarrëse) e njohur që nga antikiteti, është forma më transparente e vendim-marrjes, e cila bazohet me pjesmarrjen masive të qytetarëve në zgjedhjet vendore dhe qëndrore, është një mënyrë transparente e bërjes së politikës për administrimin e vëndit, që është antipod i autokracisë feudale”
Avantazhet e VV-së janë:
– Ka një kauzë dhe parime të qarta kombëtare;
– Ka një histori përpjekjesh, protestash dhe mobilizimi;
– Anëtarët dhe liderët e saj kanë treguar qëndrueshmëri dhe konsekvencë politike;
– Ka mobilizuar rininë, të cilën e inkurajon të marrë pjesë në drejtimin e shtetit;
– Nërmjet konkurimit dhe meritokracisë ofron perspektivë kariere për çdo të ri të shkolluar;
– Aplikon një sistem demokratik transparent brënda saj;
– Ka hartuar të parën platformë ekonomiko-poltike për zhvillimin dhe prosperitetin e vëndit;
– Në kushtet e një vëndi të varfër projekton ngritjen e një shteti social në mbrojtje të shtresave të varfëra;
– Ka përcaktuar objektiva të qarta dhe reale, të afërta dhe të largëta, si dhe rrugën e realizimit të tyre;
– Strategjia e inkurajimit të sipërmarrjeve autoktone do forcojë shtresat e mesme si një forcë lëvizëse progresiste në ekonominë e vëndit;
– Ka piketuar si prioritet edukimin dhe arsimin e lartë të lidhur me nevojat e ekonomisë reale;
– Zvoglimi i administratës shtetërore dhe politika fiskale në mbrojtje kapitalit vendor dhe të shtresave të pa favorizuara;
– Një politikë të jashtme të bazuar në interesat kombëtare dhe të parimit të reciprocitetit;
– Ndjekja e rrugës së integrimit europian mbi baza të reja;
– Zhvillimi i dialogut të kushtëzuar me Sërbinë konformë me ligjet ndërkombëtare mbi bazën e parimeve të vlerave dhe respektit të pavarsisë;
– Rinegocimi i demarkacionit me Malin e Zi pa cënuar teritoret e fshatrave shqipetare që janë në kufi;
– Riformulimi i mardhënieve me shtetin shqipetar në dobi të unifikimit dhe bashkimit kombëtar;
Ka dhe shumë të tjera, por këto janë të mjaftueshme për të demonstruar epërsinë e kësaj force të re politike, e cila (për mendimin tim) do jetë shëmbulli dhe shpresa e krejt kombit shqipetar. Me të dhe me liderat e saj, bashkimi kombëtar, ëndra e krejt popullit tonë, bëhet një realitet shumë i afërt.
Epoka e re ka filluar.

Bukuresht, 30.05.2017

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura