GJOKË DABAJ: ALI ALIU – KELMENDI, NJË KRENARI KOMBËTARE

Durrës, 27 shkurt 2019: Avni Dahari, me librin “Ali Aliu-Kelmendi: Ringjallja e Prometeut”, ka bërë një punë më shumë se ç’mund të bëjë kushdo tjetër kur boton një libër. Një punë që, po të mos e kish kryer, do të kish mbetur në histoiografinë tonë një gropë e madhe, një boshllëk i frikshëm.
Unë kam laxuar shumë libra që kanë të bëjnë me të kaluarën tonë. Por libër si ky, kaq tronditës e njëkohësisht kaq të vlefshëm, nuk kisha lexuar kurrë më parë. Ua thosha këtë familjarëvet të mi, sa herë më binte rasti. Libër me kaq shumë të dhëna, me kaq shumë fakte dhe me kaq shumë arsye për t’iu rikthyer edhe një herë, edhe dy herë, edhe sa më shumë herë, këtij libri, është vështirë të gjesh në literaurën tonë.
Aty nuk është vetëm Ali Aliu. Nuk kemi të bëjmë thjeshtë me monografinë e një personi. Aty është krejt historia e Anamoravës, e kësaj treve të Shqipërisë përjetësisht me plagë të zbuluara, aty është historia e Kumanovës, e Shkupit, e Karadakut, e Gjilanit, e Kosovës dhe e krejt Shqipërisë, përndritur nga një yllësi dritëpashuar bashkëkrahinasish dhe bashkëkombasish të të madhit Ali Aliu. Sepse Ali Aliu, në gati një shekull që jetoi, s’bëri tjetër, veçse, bashkë me shokët, që kanë bshkudhëtuar e bashkëvepruar me të në ato luftëra dhe në ato përpjekje të të gjitha formave, deri në Kavaj e deri në Janinë, ngriti mure për të ndërtuar një Shqipëri të plotë. Mure me trupat e vet! Mure, gurët e të cilëvet, nuk do të pushojnë kurrë së kulluari gjak! Gjak edhe zemëratë! Gjak edhe indinjatë! Gjak, vurrata të mavijta të paçmavijosëshme përjetë! Edhe shpresë! Avuj shprese, që, gjithsesi, do të vijë një ditë kur shqiptarët do ta kenë ndërtuar një Shqipëri të plotë.
Avni Dehari, autori skrupuloz dhe i përkushtuar deri në hollësi, që kjo autobiografi e Aliut, e këtij Prometeu të shekullit të njëzetë, të dalë gjatë transkriptimit sa më e patjetërsuar, ia ka arritur plotësisht qëllimit. Vepra është e atillë që, kur njeriu fillon ta lexojë, nuk shkëputet dot prej saj pa e përfunduar.

Unë, kur i lexova parathënien dhe disa faqe të para, lashë çdo punë tjetër. I lexova, për disa ditë, duke shënuar dhe duke nënvizuar, të 677 faqet, dhe në fund, u ndala dhe rashë në një depreion të papërballueshëm. Sa shqiptarë që dinë të lexojnë, që e kanë mësuar lexim-shkrimin shqip, që kanë kryer madje edhe një hkollë të mesme apo të lartë, nuk e kanë lexuar këtë libër?! Nuk e kanë lexuar dhe as që kanë ndërmend ta lexojnë!? Nuk kanë ndërmend ta lexojnë, në një kohë kur po merren me shumë punë të tjera, të cilat s’kanë të bëjnë aspak, as me një Shqipëri që u duhet shqiptarëvet, as me heronjtë që e kanë shkrirë jetën për këtë gjuhë dhe për këtë tokë, në të cilën shqiptarët të mos gjakosen dhe në të cilën shqiptarët të kenë dëshirë për të jetuar! Për të jetuar në këtë tokë e jo për të ikur!
S’po kanë nge një shumicë shqiptarësh të sotëm të sakrifikojnë diçka për një Shqipëri më për së mbari! S’po kanë nge apo s’po duan të sakrifikojnë as të mijtën pjesë të asaj sakrifice që kanë bërë Ali Aliu, të katër vëllezërit e tij, Liburni i tij, krejt familja e tij, për një Shqipëri më dinjitoze dhe më të kompaktësuar, më të unjisuar se ç’e kemi.
Të paktën ta kishin lexuar këtë libër! Por as kaq s’po bëjnë.
Ndërsa ne, të cilët me të drejtë dhe me plot arsye, s’po na zë gjumi, mbasi t’i kemi përjetuar të këtilla biografi shqiptarësh, si kjo e Ali Aliut, duhet pa tjetër të bëjmë diçka për ta kthyer këtë komb në rrugë të mbarë, që të kujdeset më shumë për vete.
Duhet të mendojmë: Ç’do të bëjmë me Anamoravën tonë në kushtet që janë krijuar?! Si do të veprojmë, që ajo Anamoravë, heroinë si Labëria, si Drenica, si Malësia e Mbishkodrës, si Malet e Dibrës dhe si Kolonja, të mos shkërmoqet, në këtë kohë kur fatin tonë e kanë në dorë më shumë të huajt se sa vetë ne?!
Libri “Ali Aliu-Kelmendi”, me nëntitull “Ringjallja e Prometeut”, duhet pa tjetër të na shërbejë si udhërrëfyes. Si udhërëfyes, por kur ta lexojnë shqiptarët! Jo pa e lexuar! Sepse, pa e lexuar, ai s’mund t‘i shërbejë askujt!..
…O, mjerë ne në ç’gjendje kemi mbërritur! Në kohën kur 97 për qind e shqiptarëvet s’dinin lexim e shkrim, ia hidhnim fajin Perandorisë Osmane. Po tash, që 97 për qind e shqiptarëvet dinë të lexojnë e të shkruajnë, kujt duhet t’ia hedhim fajin?!
S‘ka pak që lexova disa pika të një “draft-marrëveshjeje“ që thonë se qenka planifikuar të nënshkruhet midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Sërbisë. Krejt ai draft është hartuar kundër interesavet të kombit shqiptar dhe kundër interesavet të kombit sërb. Është e njëjta skemë si midis Izraelit dhe Palestinës. Atje Izraeli, këtu Sërbia, që duket se janë të favorizuar, por, në të vërtetë, janë kobure në duart e përbindëshavet dhe zagarë në shërbim të përbindëshavet. Ç’lumturi mund të kenë një kobure dhe një zagar?! Ç’lumturi mund të ëndërrojë një Sërbi me ca FREE CITY, me ca FREE TAX ZONE, me një qendër kishtare EX PATRIA dhe me tensione të pashkëputshëm midis dy kombevet tanë?! Fola për Sërbinë dhe sërbët që dashkan t‘i përdorin si izraelitët. Ndërsa shqiptarët, nën një të tillë „marrëveshje“, qoftë edhe duke ua ofruar Preshevën si llokmë mëlçie, do të ishin, e pakta për 99 vjet, jo në rolin e kobures dhe qenit, por në rolin e ujkut, i cili bredh nëpër një pyll rrethuar me gjemba teli dhe që e gjuajnë me breshëri nga të katër anët, kudo që ai të shfaqet, qoftë duke i skërmitur dhëmbët, qoftë edhe pa i skërmitur dhëmbët.
A do ta merrte Ali Aliu, në këto rrethana, rolin e Jaser Arafatit?! Ose: A do ta nënshkruante Ali Aliu një „akt-marrëveshje“ të këtillë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Sërbisë?! Jo! Lexo librin dhe mëso si duhet të sillemi ndaj çdo lloj imponuesi!
Gjokë Dabaj, Durrës 26 shkurt 2019.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura