Durrës, 26. 06. 2014 – Që të mund të vihet në jetë dhe të ketë jetë të gjatë ideja që po e marrim në shqyrtim, ajo duhet të ketë të paktën 3 përbërës të qëndrueshëm: 1.Një literaturë të shkruar, 2. Një organ qendror drejtues dhe 3. Një numër zbatuesish vendorë të literaturës përkatëse, të ritevet gjegjës, si dhe të direktivavet të qendrës. Që të 3 këta përbërës janë të domosdoshëm dhe pa ekzistencën dhe funksionimin e tyre, vetë ideja mbetet e pazbatueshme. Por unë do të ndalem tash vetëm te pika e tretë.
Duhet thënë që në fillim që, krejt ky projekt i imi, nuk është shpikje, por është një kopjim, ose më saktë, një kompilim i përvojavet mijëvjeçare gjithnjerëzore. Të gjithë religjionet e derisotëm, kanë jetuar gjatë, falë pikërisht komponentit të tretë, predikimit, si dhe zbatimit të një riti të mirëpërcakuar në terren. Paganizmi ka pasur faltoret dhe tempujt e vet, hebraizmi ka pasur dhe ka sinagogat dhe rabinët, krishtërimi, kishat dhe priftërinjtë, islamizmi, xhamitë dhe hoxhët, teqetë dhe shehlerët.
Njësitë vendore të projektit tim, të quajtur PËRKUJDESJA GJITHSHQIPTARE, unë i kam emërtuar FJALËMIRA TË GJUHËS SHQIPE.
LEXONI – GJOKË DABAJ: PËRKUJDESJA GJITHSHQIPTARE (PLATFORMË)
HAPE: https://pashtriku.org/index.php?kat=47&shkrimi=1276
* * *
Që një njësi vendore të jetë funksionale, asaj i duhet pa tjetër një VEND TUBIMI, një PREDIKUES dhe një RIT sa më i përshtatshëm, për t’i shërbyer qëllimit.
Kthehemi prapë te religjionet, ndonëse kjo që po predikoj unë, nuk është mirëfilli religjion, por, në shumë pika i afrueshëm. Që predikimi i hebraizmit të jetë funksional në qëllimin e vet, njësia e tij vendore duhet të ketë një sinagogë, një rabin dhe një rit të konsoliduar brenda asaj sinagoge.
Thelbi i idesë që predikoj unë, është përjetësimi dhe zhvillimi i mëkënejshëm i idevet të RILINDJES SONË KOMBËTARE, duke e kompletuar INSTITUCIONIN që rilindësit e zunë fill, me elementët e domosdoshëm të jetëzgjatjes.
Pamja fizike e arkitekturës së një Fjalëmire
Po jap këtu të skicuar pamjen fizike të një FJALËMIRE. (Shih figurën) Pamja ballore e ndërtesës fjalëmirore tregon që ajo ka 3 të ndara kryesore. Në qendër është salla e predikimevet dhe e ceremonivet, PRUSHI I FJALËS, në njërin krah janë ambientet ku përvetësohen dijet, PRUSHI I DIJES, ndërsa në krahun tjetër është ambienti që unë e kam quajtur PRUSHI I PËRJETËSISË.
Po i përshkruaj këta ambiente dhe funksionet e tyre një për një dhe fare shkurt.
1.PREDIKATORJA, ajo që unë e kam emërtuar PRUSHI I FJALËS, është një sallë, në të ciën mund të ulen deri 100 vetë. (Pa dallim feje apo prejardhjeje krahinore, ashtu siç është krijuar tashmë në kombin tonë një traditë që pakkush e ka). Ka një katedër, prej nga predikon profesori, predikuesi i Fjalëmirës. Në sfond, prapa predikuesit, ka 2 flamuj, flamuri ynë kombëtar dhe, për luajalitet, flamuri i shtetit ku gjendet Fjalëmira. Përballë, anash dhe gjithandej, ka zbukurime figurativë: fotografi, piktura, bazoreliefë, skulptura, harta, që të gjitha me përmbajtje iliro-arbro-shqiptare. Salla është e pajisur me mjetet e kohës audiovizivë elektronikë. Ka, në krah të predikuesit një dixhei, të cilin e vë në punë njëri nga ndihmësit e predikuesit të Fjalëmirës. Veç dixheistit, në krahët e predikuesit qëndrojnë 2 fëmijë, veshur me rroba krahinore kombëtare. Te dera e sallës qëndrojnë edhe 2 djem 20-30-vjeçarë, veshur edhe ata me rroba kombëtare, sigurisht të stilizuara. Funksioni i tyre është, të mirëpresin pjesëmarrësit dhe të mbajnë rend e rregull në sallë.
Ceremonia, zakonisht, është javore, komuniteti mblidhet aty si rregull 1 herë në javë, por mund të praktikohet edhe në raste të veçantë: Festa e përvjetorë, vizita personalitetesh, ligjërata njerëzish të shquar, koncerte këngëtarësh.
Riti, sipas idesë sime, është ky: Predikuesi (profesori) zë vend prapa katedrës. Çohen në këmbë pjesëmarrësit, ekzekutohet Himni ynë Kombëtar, ulen pjesëmarrësit, predikuesi mban një ligjëratë 20-minutëshe me temë nga historia, gjuha, folklori, letërsia, arkeologjia, monumentet tanë të kulturës, martirët e Kombit Shqiptar, etnografia. Bëhet një pushim 10-minutësh, 2 fëmijët, secili me nja një kuti në dorë, kuti e posaçme, të cilën nuk po e përshkruaj tani, mbledhin kontributin në monedha, që pjesëmarrësit e japin për të siguruar mbarëvajtjen e INSTITUCIONIT. Në 20 minutat pasues predikuesi trajton një temë aktuale. Informon pjesëmarrësit mbi ngjarjet kryesore që lidhen me Kombin Shqiptar dhe, me atë rast, përcaktohet qëndrimi që duhet mbajtur, si dhe mund të propozohet ndonjë veprim konkret në funksion të njërës apo tjetrës ngjarje. As ky ligjërim nuk duhet të zgjatë më shumë se 20 minuta. Në mbyllje intonohet një këngë patriotike, psh “Për ty, Atdhe!” ose ndonjë tjetër, por gjithmonë me masën dhe freskinë e duhur, pa i bajatur gjërat.
Në pjesën e tretë, pasi të jenë shpërndarë pjesëmarrësit, PREDIKUESI bashkë me 4 anëtarë të KËSHILLIT TË FJALËMIRËS, dëgjojnë, prej banorëvet të komunitetit përkatës, PROBLEMET KONKRETË që ata i shqetësojnë, ankesat, hallet, propozimet. Mbahen shënimet për çdo çështje, kërkohen rrugëzgjidhje, merren mendimet e këshilltarëvet dhe, gjatë javës, predikuesi duhet të përpiqet për t’i zgjidhur problemet që janë shtruar. Javën tjetër ai raporton mbi punët e kryera. Nuk do harruar që, që të gjithë komunitetet, në këtë rast shqiptarët, kudo që ata ndodhen, kanë me dhjetëra e me qindra probleme të jetës së tyre të përditshme. Vetëm për këto punë do t’ia vlente të krijohej Fjalëmira e Gjuhës Shqipe.
2. Ambientet ku përvetësohen dijet, që unë I kam emërtuar PRUSHI I DIJES, vendosur në njërin krah të predikatores, përbëhen prej e pakta 4 të ndarash: Një bibliotekë me libra shqip, një arkiv sa më të plotë dhe sa më funksional për komunitetin, një klasë për mësimin e gjuhës shqipe (Aty ku ka shkollim shqip, ky kabinet shërben për gjuhë të huaja.) dhe një klasë për mësimin e gjuhës apo gjuhëvet që flasin bashkëbanorët: Në Tivar gjuha malaziase, në Shkup gjuha sllavomaqedone, në Gjenevë gjuha frënge, në Këln gjuha gjermane, në Izmir gjuha turke.
Për funksionimin dhe punët e kësaj pjese të Fjalëmirës ka vend për qindra faqe udhëzime, por edhe me kaq, vlera e saj është plotësisht e kuptueshme.
3. E ndara me emrin PRUSHI I PËRJETËSISË është ndoshta pjesa më origjinale e këtij projekti. Dihet që, që të gjithë njerëzit vdesin, por unë nuk kam qejf ta përdor fjalën vdekje. Në të 2 muret anësorë të sallës ka rreth 100 kamare të madhësisë 1 metër kub, ndërtuar në formë raftesh dhe mbyllur me kanate të ornamentuara sa më bukur. (Ngjashëm me musëndrat.) Këto kamare janë PËRKUJTIMORET FAMILJARËVET për çdo pjesëtar të tyre që është larguar nga jeta biologjike. Secili pjesëtar i familjes që është larguar nga jeta biologjike, ka aty një arkëz me disa sende ose relikte që konsiderohen të domosdoshme për ta përjetësuar kujtimin e tij: Letërnjoftime e pasaporta, jetëshkrim të shkurtër, dëftesa e diploma shkollimi, dëshmi pune, dekorata, regjistër veprash apo punësh që ka kryer, album me fotografitë më kryesore, skemë të pemës gjenealogjike dhe vendi i të ndjerit në atë pemë dhe gjëra të tjera, përfshirë aty një tufë flokësh dhe shishen me hirin e tij, në rastet kur i ndjeri kremohet.
Cetremonitë dhe mënyrat e varrimit ne shqiptarët i kemi pasur dhe i kemi si mos më keq. Mjafton të shkosh në Varrezat e Sharrës apo të Tufinit dhe të del vetja qejfit. Thua: Ç’popull jemi ne që duam, që dëshirojmë t’i nderojmë të vdekurit, që shpenzojmë qimet e kokës për t’I nderuar ata dhe bëjmë një katrahurë. Mendimi im është që dalëngadalë duhet të fusim në praktikën tonë mortore ritin e kremimit. Trupi i asnjërit prej nesh nuk ka vlerë më të madhe se TRUPI I HEKTORIT. Le të ketë një crematorium modern dhe le të kryhet aty puna në mënyrën më dinjitoze të mundshme dhe le të ruhet prej të ndjerit një enë me hi, si kujtim i përjetshëm i tiji. Sa më përket mua, unë do të isha 100 herë më i kënaqur të ma djegin trupin, se sa të më hanë krimbat poshtë një rrase prej mermeri.
Megjithatë, në FJALËMIRËN tonë askush nuk do të detyrohet për ta shkelur traditën, nëse vetë ai nuk dëshiron. Njerëzit le të varrosen si të duan e ku të duan, mjafton që ata të sjellin aty sendet e përjetësimit që i përmenda, midis të cilëvet doemos edhe tufën e flokëvet për shkak të AND-së.
Kjo mënyrë procedimi i jep mundësi secilës familje të organizojë përshpirtje e përkujtiore për paraardhësit e vet dhe t’i nderojë ata brez pas brezi, duke mos e humbur asnjëherë lidhjen me rrënjët e veta.
Edhe rreth kësaj pjese të tretë të Fjalëmirës mund të flitet dhe të rrihen mendimet, por thelbi mbetet po ai: Njeriu aty PËRJETËSOHET. Shqiptari aty PËRJETËSOHET. Nuk i humb gjurma. Nuk i humb emri dhe vetëm kur të përfytyrojmë një periudhë 100 apo 200-vjeçare, na jepet mundësia për ta perceptuar edhe më mirë vlerën, jo vetëm të kësaj pjese, por të krejt këtij projekti, që unë e kam quajtur PËRKUJDESJA GJITHSHQIPTARE.
* * *
Vlera e krejt FJALËMIRËS SË GJUHËS SHQIPE është aq e madhe, sa askush, përveç atij që s’është në gjendje të kuptojë, nuk ka arsye të hezitojë për vënien në jetë të këtij projekti. Mjafton të përfytyrojmë mijëra tragjedi familjare që mund të parandalohen me funksionimin si duhet të këtij INSTITUCIONI. Mjafton të kuptojmë që, me funksionimin si duhet të këtij INSTITUCIONI, mund të parandalohen qindra gjaqe, para se të vijë puna te gjakmarrjet dhe mund të shpëtohen nga tjetërsimi e humbja e identitetit, qindra mijë fëmijë shqiptarë, që lindin nëpër botë.
Është e kuptueshme që krejt kjo ndërmarrje kërkon një KOSTO FINANCIARE. Por, siç mund të shihet edhe nga sa u tha këtu, përveç një suporti fillestar, krejt puna e PËRKUJDESJES GJITHSHQIPTARE do të synohet për t’u VETËFINANCUAR.
Sapo të arrihet për t’u krijuar dhe pajisur me lejet përkatëse KRYESIA E PËRKUJDESHJES dhe sapo të jetë ndërtuar e para FJALËMIRË E GJUHËS SHQIPE në qytetin e P R I Z R E N I T, ne do mund të shkojmë në Zvicër, në SHBA, në Gjermani, në Australi, në Vendet Skandinavë dhe të hapim atje FJALËMIRA pranë shoqatavet ekzistuese dhe ato, përveç rolit që do të luajnë në mjediset e vet, do të mund të shërbejnë edhe si BURIM FINANCIAR për një zgjërim gjithnjë e më frytdhënës.
Unë kam bindjen që këtë projekt timin do ta presin shqiptarët me shumë shpresa anembanë botës, kudo që jetojnë dhe se Kombi ynë, deri në fund të këtij shekulli do t’ia dalë për të ndërtuar dhe për t’i vënë në punë të paktën 150 MIJË të këtilla FJALËMIRA.
Nuk është, pra, fjala për kurrfarë arnimesh plastikë apo zbukurimesh kozmetikë, por për një MJEKIM RRËNJËSOR të qindra mijë pjesëtarëve të këtij Kombi në të 2 shtetet tanë, si dhe në krejt diasporën tonë të vjetër apo të re. Bëhet fjalë për të çelur një rrugë prosperiteti të atillë që ky Komb s’e ka përjetuar kurrë më parë. Klima, tash për tash, është e atillë që këtë punë mund ta bëjmë. Nesër mund të jetë vonë.
Gjokë Dabaj – Durrës, Janar- qershor 2014