Durrës, 25. 06. 2015 – Në Republikën e Shqipërisë fitoi Aleanca për Shqipërinë Evropiane me rreth 1 milion vota. Nga 15 milionë shqiptarë, që thuhet se jetojnë, ca në Shqipëri, në hapësirën Tivar-Prevezë deri në Vardar-Moravë, ca të përhapur anembanë globit, 1 e 15-a e tyre, pra, më pak se 7%, mezi arritën të krijojnë kështu nja 45 njësi të pushtetit shtetëror vendor.
Ç’mund të themi para një të këtillë pasqyre?!
Në Republikën e Kosovës, me një pjesë komunash, në të cilat banojnë kolonë të ardhur nga Sërbia e nga Mali i Zi, ndërkombëtarët po duan të na krijojnë një të quajtur „asociacion të komunavet sërbe“, gjë që, në të vërtetë, s’është tjetër, veçse një republikë e huaj brenda njërës prej republikavet shqiptare.
Para një të këtillë pasqyre, konstatimi më gjakftohtë i mundshëm është ky: 2 nga shtetet tanë, Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës, mezi po i dalin zot vetes, le më të mund të kujdesen efektivisht për ato pjesë të kombit që jetojnë jashtë këtyre 2 shteteve.
Që nuk mund të kujdesen, është njëra anë e së vërtetës, por pushtetmbajtësit tanë në këta 2 shtete, as nuk duan ta vrasin mendjen për këto punë. Disa nuk duan, se aq e kanë kutin e kulturës, disa të tjerëve u interesojnë, karrikja, karriera dhe paraja, më shumë se kombi.
Me partitë politike konstatimi është edhe më shkurajues. Asnjëra, nga rreth 70 parti tonat, nuk e ka në program përkujdesjen ndaj KREJT kombit. Mund të jetë shkruar në programet e tyre ndonjë shprehje në formë slogani, por me pika konkrete ato nuk kanë asgjë e le më të kenë diçka me veprime konkretë. Shkurt e thjeshtë: Ne shqiptarët nuk kemi, por edhe nuk mund të kemi, parti gjithkombëtare dhe për këtë mjafton të bëhet kjo pyetje:
– Partia Socialiste, që është, për nga numri i anëtarëvet, më e madhja parti shqiptare në këtë çerek të shekullit XXI, a ka anëtarë të vetët psh në Republikën Turke dhe a mund të ketë ligjërisht elektorat atje?
– Po midis arbëreshëvet të Italisë a ka anëtarë të vetët PSSH apo cilado parti tjetër shqiptare dhe a lejohet ligjërisht për të pasur të tillë anëtarë?
Pra, me anë partish, le të jenë, jo 70, por edhe 700, kombi ynë nuk mund të kompaktësohet. Përkundrazi, ndodh e kundërta: Partitë e copëzojnë kombin. E bëjnë lafsha-lafsha.
Shoqatat janë diç më mirë se partitë, sepse thelbi i tyre është pikërisht patriotizmi, por sërish as ato, të ndara secila veç e veç, nuk janë në gjendje të bëjnë kujdes as për një pjesë të vogël të kombit, jo më për KREJT kombin. Ato janë të lokalizuara dhe, një pjesë e tyre, të orientuara në sfera të veçanta.
Media është për informim e për propagandë, por jo për organizim të veprimtarisë konkrete të përditshme. As sistemi arsimor nuk mund të marrë përsipër përkujdesjen për KREJT kombin. Ai mund të kujdeset vetëm për moshën shkollore, gjë që s’është as përafërsisht e mjaftueshme.
Për fatin tonë të keq, as religjionet e derisotëm, krishtërimi apo islamizmi, nuk ia kanë arritur ta KOMPAKTËSOJNË kombin tonë. Përçarja e krishtërimit më 1054-n e goditi etninë tonë më tragjikisht se cilindo komb tjetër. Ortodoksia e kish synim kryesor t’i tjetërsojë e t’i zhbëjë iliro-arbërit, ndërsa iliro-arbërit nuk arritën dot asnjëherë të krijojnë një kishë të vetën autoqefale. Edhe ajo që u bë më në fund në shekullin XX, në shekullin XXI ra sërish në duar të grekëvet. Katolicizmi, në kushtet e sundimit bizantin, si dhe në kushtet e sundimt të sllavëvet në Mesjetë e më vonë edhe nën sundimin osman, arriti të mbijetojë këtu vetëm në formë enklavash.
Islamizmi, edhe sot e kësaj dite i lutet Zotit nëpër xhamitë tona në gjuhën arabe. Ai e ka shndërruar në arabe krejt Afrikën Veriore dhe për pak nuk i bëri arabë edhe iranianët dhe banorët e Azisë së Vogël që sot quhen turq, le më ta ketë pasur ndonjëherë në cep të mendjes ruajtjen e identitetit kombëtar të arnautëvet. Vetë fakti që pushteti osman, i udhëhequr ideologjikisht prej islamizmit, nuk hapi, deri në vitin 1887, asnjë shkollë arbërishte, gjegjësisht shqipe, dëshmon qartë që islamizmi s‘e kish ndërmend ta ruante etninë tonë nga tjetërsimi.
I vetmi kod, i cili rezultoi i vlefshëm për kombin shqiptar dhe i cili, e them me plot bindje, e shpëtoi kombin shqiptar nga shuarja e plotë apo, në rastin më të mirë, nga katandisjna në një popullatë amorfe, ishte kodi i Rilindjes sonë Kombëtare, i formuluar prej një Pashko Vase: “Feja e shqiptarit është shqiptaria“.
Pikërisht me këtë formulë, mirëfilli të shenjtëruar për ne shqiptarët, kombi shqiptar ia ka dalë jo vetëm të mbijetojë, por edhe të shndërrohet deri diku në një FAKTOR, sado ende të brishtë, në gadishullin ku Zoti ynë na ka caktuar të jetojmë.
– Me këtë formulë u organizua mbrojtja e trojevet shqiptarë nga invazioni sllav,
– me këtë formulë u organizuan kryengritjet çlirimtare antiosmane,
– me këtë formulë u krijua në Stamboll Komiteti Qendror për Mbrojtjen e të Drejtavet të Kombësisë Shqiptare, 1877,
– me këtë formulë u themelua Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip, 1879,
– me këtë formulë u themelua në Manastir Komiteti „Për Lirinë e Shqipërisë“, 1905,
– me këtë formulë u mbajt po në Manastir Kongresi i Alfabetit, 1908,
– me këtë formulë u shpall PAVARËSIA, 1912,
– me këtë formulë („pa dallim feje e krahine“) u organizua Lufta Nacionalçlirimtare në Republikën e Shqipërisë në vitet 1941-1944,
– me këtë formulë, veçse pak të ashpërsuar, u punua në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë në kohën e Enver Hoxhës,
– me këtë formulë u zhvillua rezistenca kundër pushtimit sllav në dekadat pas Luftës së Dytë Botërore,
– me këtë formulë u organizua edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Prandaj dhe themi, me plot bindje, që pikërisht ky kod, pikërisht kjo formulë, e shenjtëruar tashmë në formën figurative „Feja e shqiptarit është shqiptaria“, e shpëtoi kombin shqiptar nga shuarja.
E shpëtoi nga shuarja, por a është ky kod i plotfuqishëm (pa i bërë kurrfarë plotësimi), për ta PËRJETËSUAR ekzistencën e këtij kombi?!
E pamë që në fillim: Shtetet tanë nuk janë në gjendje, shoqatat tona kombëtare nuk janë në gjendje, religjionet nuk janë në gjendje, as për ta zhvilluar deri atje ku duhet këtë komb, as për t’ia siguruar këtij një përjetësi dinjitoze. Madje, të gjitha këto, kështu siç janë të organizuara në ditët tona, nuk janë në gjendje as të mbrohen efektivisht prej ndonjë agresioni, i cili s’është aspak imagjinar në këtë rivringëllim armësh në kufijtë midis Perendimit dhe Lindjes.
Që ky kod „Feja e shqiptarit është shqiptaria“, nuk funksionon dot pa u përsosur edhe më tej, na dëshmojnë edhe disa fakte nga e kaluara. Në gjysmën e dytë të shekullit XIX nuk mundëm t’i mbrojmë të gjitha trevat tona veriore, verilindore dhe veriperendimore. Shkupi e Podgorica, jo vetëm që u tjetërsuan kombëtarisht, por arritën të bëhen kryeqytete shtetesh më pak se gjysmëshqiptarë ose me fare pak shqiptarë. Nishi, Vranja, Leskovci, Pazari i Ri, Plava e ndonjë qytet tjetër verior, u shkombëtarizuan. E njëjta tragjedi na ndodhi edhe në Jug. Në krejt Çamërinë, me Prevezë, Artë, Pargë, Paramithi, Margëlliç e Filat, pastaj në Janinë, Konicë, Kostur, Follorinë, na u zhvlerësua formula „Feja e shqiptarit është shqiptaria“ deri në atë shkallë, sa pjesa e krishterë iu nënshtrua genocidit më cinik shpirtëror, duke e shtyrë dinakërisht në rrugën e greqizimit, ndërsa pjesa myslimane iu nënshtrua genocidit më të tmerrshëm fizik, duke u asgjësuar ose dëbuar prej vendit të vet.
Të njëjtën gjë na dëshmojnë edhe faktet që arbëreshët e Italisë, arvanitët e Greqisë dhe arbëneshët e Zarës, iu nënshtruan edhe ata një asimilimi të pandërprerë, gjë që po ndodh pa u ndalur edhe me shqiptarët imigrantë në Turqi e në Greqi.
Çfarë u sugjeron kjo shqiptarëvet të sotëm?
Kjo u sugjeron shqiptarëvet të sotëm që formulën „Feja e shqiptarit është shqiptaria“, o ta shndërrojnë në INSTITUCION TË ORGANIZUAR IDEOLOGJIK, ose ta lënë të vdesë dhe veten t’ua dorëzojnë pa kushte interesavet të njërës apo tjetrës, qoftë superfuqi, qoftë edhe minifuqi, siç janë shteti i Malit të Zi apo shteti i quajtur Maqedoni.
Kur të mbyt një i fuqishëm, të vjen keq, por kur të mbyt edhe një më i dobët se ti, të vjen vërtet me plasë. Të vjen me ia futë vetes gishtat në fyt.
Por ka edhe defekte të brendshëm me tepricë, të cilët një formulë e thjeshtë kombndriçuese, sado efikase të ketë qenë apo edhe të jetë, nuk mund t’i vërë në rrugën e zgjidhjes: Përgjakja (Nuk po them gjakmarrja, por përgjakja.), prostitucioni, egërsia në familje (në të gjithë dimensionet), korrupsioni, burokracia, falsifikimet, trafiqet e shumëllojshëm antinjerëzorë dhe njëkohësisht antikombëtarë, zbehja deri në përdhosje e virtytit të besës, zhburrërimi, hajdutllëqet nga më vetëposhtruesit.
E gjithë kjo që thashë, na çon te ideja që kombi shqiptar sot ka nevojë më shumë se për çdo gjë tjetër, të krijojë NJË INSTITUCION TË VETIN IDEOLOGJIK KOMBËTAR, me një TEORI të vetën, e cila tashmë është e formuluar në vija të përgjithshme, me një QENDËR ORGANIZATIVE, që vetë historia na e ka caktuar në Prizren, dhe me një numër sa më të madh NJËSISH VENDORE, që do të kishin detyrë t’i zbatonin në terren teorinë përkatëse kombëtare dhe udhëzimet sistematikë të qendrës.
Unë, këtë istitucion ideologjik kombëtar, e kam quajtur PËRKUJDESJA GJITHSHQIPTARE, organin drejtues me seli në Prizren e kam quajtur KRYESIA QENDRORE E PËRKUJDESJES, ndërsa njësinë lokale, që do t’i vinte në jetë të gjitha çfarë do të na diktonte koha, e kam quajtur FJALËMIRA E GJUHËS SHQIPE.
Këtu nuk ka asgjë të vështirë për t’u kuptuar. E vetmja vështirësi është, të gjenden në gjirin e kombit shqiptar njerëzit që t’i hyjnë punës konkretisht për ta zbatuar këtë projekt. A thua do ketë në kombin tonë të tillë njerëz, të kthjellët, po edhe të guximshëm?!
– Kontakti me autorin: [email protected].
***
LEXONI PLATFORMËN E PËRKUJDESJES GJITHSHQIPTARE:
GJOKË DABAJ: PËRKUJDESJA GJITHSHQIPTARE (PLATFORMË)
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=1276
***
GJOKË DABAJ: ARKITEKTURA E NJË FJALËMIRE TË GJUHËS SHQIPE
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=2940
***
GJOKË DABAJ: FJALËMIRA E GJUHËS SHQIPE – NJËSIA VENDORE E PËRKUJDESJES GJITHSHQIPTARE
https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=887