AFËRDITA DËRVISHI, PhdC: NJË JETË E TËRË PËR ARDHJEN E LIRISË

Pashtriku.org, 5 dhjetor 2017: (Agim Sylejmani, Rrëfime nga burgu, Prishtinë, 2017)
(Kumtesë)

Përmbledhje
Në veprën „Rrëfime nga burgu“, të autorit Agim Sylejmani, është paraqitur vuajtja, sakrifica, persekutimi, nga njëra anë, dhe gatishmëria e të burgosurve politikë që të përballen me pasojat që mbart me vete veprimi konkret për liri i prirë nga fryma idealiste dhe dashuria ndaj atdheut mëmë, Shqipërisë. E gjithë kjo përsiatje është bërë në kontekst të tërësisë dhe jo të ndasive rajonale, duke shtresuar ngritjen e vetëdijes kombëtare.
Libri i Agim Sylejmanit, Rrëfime nga burgu është i veçantë, jo vetëm në mënyrën e ndërtimit, por edhe në mënyrën e rrëfimit. Këtë të veçantë autori e ka shprehur që në parathënien e tij, duke argumentuar faktin se cila ka qenë shtysa që i ka dhënë dorë hartimit të një vepre të këtillë.
Por, anë tjetër e rëndësishme e veçantë në këtë libër është mënyra e rrëfimit, sepse autori ka sistemuar rrëfimet e ngjarjeve të ish të burgosurve politikë në Kosovë, gjatë pushtetit okupues të ish-Jugosllavisë.
Në planin metodologjik, libri i Agim Sylejmanit është një përmbledhje rrëfimesh, përmes të cilëve janë shpaluar anët karakterologjike të rrëfimtarëve, secili në mënyrën e vet, si dhe secili me gjuhën e tij të rrëfimit.

– Afërdita Dërvishi, PhdC –

Hyrje
Karakteristika themelore e rrëfimeve në librin e Agim Sylejmanit, është ideali i pjesës më të shëndoshë të djalërisë shqiptare, e cila duke u ushqyer me idealin e lirisë ishte në gjendje të sakrifikonte çdo gjë për ardhjen e saj. Kjo frymë është ai peri i kuq që përshkon të gjitha rrëfimet e të burgosurve politikë, të cilët i ka përfshirë në vëllimin e parë të veprës së tij autori i Rrëfimeve nga burgu, Agim Sylejmani. Ata janë 31 të burgosur. Në mesin e tyre vetëm një femër, por në planin e rrëfimit thuajse është e njëjta botë e brendshme e tyre, thuajse rrëfen i njëjti person, por duke veçuar momente e çaste të caktuara nga ato ngjarje që shpalohen në rrëfimit e secilit veç e veç.
Do të thotë, autori nuk ka vënë dorë në rrëfimit e personazheve të tij, nëse mund të quhen kështu, ngase ata janë shprehur individualisht, por duke lexuar mënyrën e shtjellimit të rrëfimeve të tyre, duke përcjellë ecurinë e rrëfimit të ngjarjeve nëpër të cilat kishin kaluar këta të burgosur politikë, lexuesi krijon bindjen se të gjithë kishin vetëm një qëllim, përgatitjen e rrugës për ardhjen e lirisë.
Në të njëjtën kohë, thuajse në të gjithë këto rrëfime të të burgosurve politikë, që ka përmbledhur autori Agim Sylejmani në këtë vëllim, ata dhe ato ishin shumë të rinj, sa ndonjëherë lexuesit të kohës sonë vështirë i mbushet mendja se mënyra e përballimit të atyre vuajtje, të atyre torturave, të ndrydhjes dhe shkatërrimit të botës së tyre të brendshme, gur i themelit ishte ideali për çlirimin e këtyre pjesëve të atdheut dhe ideali i lirisë.

Rrëfime që na mësojnë ardhjen e lirisë
Rrëfimet dëshmojnë për një atmosferë të kohës kur kanë ndodhur ngjarjet për të cilat ata janë dënuar. Më tutje, në këto rrëfime shpalohen anë të ndryshme të raporteve pushtues-i pushtuar. Do të thotë, të burgosurit politikë, duke rrëfyer momente, raste, situata, çaste të caktuara të jetës së tyre kaluar nëpër burgje të ndryshme të Jugosllavisë së atëhershme, kanë paraqitur bindshëm fuqinë e pushtetit pushtues të asaj kohe, ku si një shkëndijë zjarri nxjerrë kokë frika e tërë atij mekanizmi torturues nga ideali për liri e të burgosurve politikë shqiptarë.
Gjithashtu në këtë libër, krahas metodave dhe formave për të shtypur lirinë e popullit shqiptar, paraqiten emrat e atyre që ishin vegla të pushtuesit, me emër e me mbiemër. Sado që tani për tani nuk ka vullnet politik, të qohet përpara “Ligji për lustracionin”, këto të dhëna janë pikënisje e mirë e përmbajtjes së listës së shqipfolësve bashkëpunëtorë të armikut e të dreqit.
Rrëfimet e këtyre 31 të burgosurve politikë, sa ka përfshirë autori Agim Sylejmani në këtë libër, pra në vëllimin e parë të tij, janë 31 përballje me fuqinë e pushtuesit pa humbur asnjëherë shpresën se ideali i tyre do të fitonte. Po ashtu, në secilin prej këtyre rrëfimeve shtresohen anë të ndryshme të jetës së brendshme të tyre. Ata nuk ishin robër të psikologjisë së kolektivitetit. Ata ishin secili individualitet në vete, gjë që ka mundësuar edhe përballimin e gjithë atyre torturave që kanë përjetuar nga të gjithë mekanizmat e pushtetit pushtues.
Nuk është aspak me rëndësi se autorët e këtyre rrëfimeve kanë dashur, apo nuk kanë dashur të shpalojnë tronditjet e botës së tyre shpirtërore. Por, vetë fakti se ata kanë folur, pra kanë rrëfyer edhe për gjendjen e familjes, edhe për mënyrën e përballimit të marrjes në pyetje, edhe për përgatitjen e aktakuzave, edhe për toruturat nëpër të cilat kanë kaluar, më tutje, edhe për vizitat që prisnin nga anëtarët e familjeve, edhe për mënyrën e komunikimit në ato vizita, edhe për dilemat e tyre të brendshme, qoftë edhe për frikën se a do të mund t’i përballonin torturat, dëshmon për pjekurinë e tyre, siç thuhet të pjekur para kohe, dëshmon edhe për qëndresën e tyre, kuptohet duke besuar në idealin e ardhjs së lirisë dhe të bashkimit kombëtar.
Përfundim
Në vëllimin e parë, e serisë së botimeve që do të pasojnë, ata janë 31 të burgosur politikë, në kohë të ndryshme, në vende të ndryshme dhe në rrethana të ndryshme. Por, secili nga ata kanë karakteristika, që lënë të kuptohet, jo vetëm bota e tyre e brendshme e veçantë, por edhe mënyra e bërjes së jetës brenda mureve të atyre burgjeve. Përkundër këtyre anëve të veçanta të secilit të burgosur, ata janë pjesë e ngjarjeve të përbashkëta, pa marrë parasysh kohën dhe mënyrën si janë burgosur, ata janë bartës të edukatës së përbashkët atdhetare, qoftë të trashëguar nga trungu familjar, qoftë të mësuar nëpër oda, qoftë të përvetësuar me literaturë ilegale atdhetare, qoftë duke pasur njohuritë e veprimtarëve atdhetar të gjeneratave para tyre.
Të burgosurit politikë, të përfshirë në këtë vëllim:
Jashar Alia, Trëndelina Labënishti, Rafi Halili, Ahmet Qeriqi, Binak Ulaj, Hydajet Hyseni, Agim Sylejmani, Rrahim Sadiku, Rizah (Elmaz)Xhakli, Shefqet Cakiqi – Llapashtica, Ylber Topalli, Sylë Mujaj, Mehmet Hajrizi, Skender Ibishi, Nysret Hajdari, Saqip Zymberi, Musli Kosumi, Tahir Hani, Argim Roci, Besim Zymberi, Shpëtim Pollozhani, Ramadan (Islam) Pllana, Abdullah Çallaku, Ali Hoxha, Shefket Hoxha Selajdin Abdullahu, Xhevat Bislimi, Rasim Kicaj, Qamil Isufi, Shaban Çupi, janë nga të gjitha anët e trevave shqiptare që kishin mbetur jashtë trungut të Shqipërisë etnike, por kërkesat e tyre ishin kërkesa për luftë çlirimtare në mënyrë që të vinte liria.
Nga vepra “Golgota shqiptare” e Hygo Fridrih e vitit 1919 e deri në ditët e sotme, vepra si kjo e Agim Sylejmanit, shërbejnë për të dashur dhe nderuar veprimtarinë dhe guximin e të gjithë atyre që janë sakrifikuar për lirinë tonë. Së këtejmi, libri “Rrëfime nga burgu” i Agimi Sylejmanit, ka vlerë të pamohueshme për historinë e re shqiptare, ngase është e para e këtij lloji, rrëfim në vetën e parë e të burgosurve politikë, që paraqesin të dhëna të dorës së parë për të gjithë autorët që mund të jenë të interesuar të studiojnë ose hulumtojnë shkakun dhe pasojën e rrugës së lirisë të shqiptarëve, format dhe mënyrat e dhunës dhe keqtrajtimit nga pushtuesi dhe bashkëpunëtorët e tij shqipfolës, përceptimin e të burgosurve politikë për lirinë kolektive në raport me lirinë individuale e tema të tjera përmes të cilave mund të trajtohen dhe maten indikatorët që shtruan rrugën e bërjes së lirisë.
Këto rrëfime janë një bazë shumë e mirë edhe për regjisorët e producentët për një film apo cikle dokumentaresh, nga të cilët rinia jonë e periudhës së internetit do të brumosej me ndjenjën a atdhedashurisë dhe me të vërtetën se liria nuk erdhi as me konferenca, as me lutje, as nuk na fali kush, por rruga drejt lirisë ishte përplot vuajtje, përplot sakrifica, përplot gjak.
Prishtinë, më 29. 11. 2017

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura