(Pashtriku.org, 27. 09. 201299 – Prapë barbarët! Ne prapë të paparambrojtur! – Në shekujt XIX e XX krijohen prapë situata si në shekujt e Antikitetit. Këtë herë nuk vijnë barbarë prej së largu, por janë këtu të ardhurit e dikurshëm, ata që i rifillojnë korrjet. Nëse helenët e qëmotshëm i marrim më të vonë se trojanët dhe masakrën e Trojës e vlerësojmë si një masakër të ardhurish mbi vendësit (mjerisht për pakujdesinë vendimtare të vetë vendësvet), atëherë ngjarjet në Shqipërinë e Jugut, në Çamëri e gjetkë nuk duhet të merren ndryshe, veçse si vazhdim i masakravet të Trojës. Përshkrumbjet dhe përgjakjet në Shqipërinë Veriore dhe të Mesme, duhet të konsiderohen si vazhdimi i përshkrumbjevet dhe i përgjakjevet të shekujvet V, VI e këndej. (Prapë, mjerisht prej pakujdesisë sonë përherë e më tragjike, përherë e më mallkimlënëse nga ana e atyre që shuhen pa qenë vetë fajtorë.)
* * *
Kemi përpara një dorëshkrim të Hasan Dinos nga Paramithia. Ai ka shënuar këtu ata tmerre që i ka përjetuar vetë, pikërisht në vitet kur nuk duhej të përjetonte tmerre, por të gëzonte të mirat e jetës në vendlindjen e vet, jo të robëruar, por të lirë.
Më 1913-n, 6 muaj mbasi Evropa e kish miratuar pushtimin e asaj pjese të Shqipërisë nga ana e shtetit grek, grekët vrasin në Paramithi 74 shqiptarë. 2 i marrin nga qyteti e 72 i mbledhin nga fshatrat, i çonjnë në një përrua jashtë qytetit dhe i copëtojnë me sëpata e me thika.
Më 1918-n grekët vrasin në Smokovinë të Margëllëçit 6 vetë. Në Galbaq të Filatit vrasin 5 vetë, 2 nga të cilët i djegin me benzinë. Në Lopës të Filatit vrasin 2 vetë.
Më 1921, grekët vrasin po në Lopës 3 të tjerë.
Vjen viti 1940. Ushtria e Metaksait vret e masakron nëpër Çamëri 350 shqiptarë.
Më 1945-n në Filat vriten 36 ushtarë shqiptarë, në kohën kur ata po ktheheshin nga ushtria greke! Jo nga ndonjë ushtri antigreke!
Në të gjithë këta vite, shkruan paramithioti Hasan Dino, pinjoll i një familjeje me shumë merita për Atdheun, grekët jo vetëm që i vrisnin njerëzit tanë (tashmë shtetas të tyre), por vrasjet ata i bënin me mënyrat më barbare të mundshme. (Lexuesi duhet ta dijë që grekët quajnë barbarë popujt jogrekë. Por në këtë rast, ata janë barbarë nga më të egrit.) I copëtojnë me sëpata e me thika, i djegin me benzinë duke u shkaktuar vdekje të lemerishme, u ngulin gjilpëra nën thonj, gravet, për t’u tallur me to para se t’i vrasin, u fusin mace në çitjane, i çnderojnë duke i përdhunuar, të tjerëvet u vënë vezë të nxehta nën sqetulla, varin njerëz mbi tym, i rrahin deri sa të vjellin gjak, i vrasin rrugëve, siç vriten qentë bastardë, vrasin fëmijë, djem të rinj, pleq e kë të shohin në rrugë, i kapin dhe i detyrojnë për të hapur vetë varret e vet dhe të fëmijëvet të vet, pastaj vrasin fëmijët në sy të prindit e më në fund edhe vetë prindin, i thërrasin gjoja për t’u komunikuar diçka dhe i therin të gjithë, çojnë në ishujt e Egjeut me qindra dhe atje i vdesin duke i rrahur.
I ndjeri Hasan Dino na ka shënuar edhe një të dhënë shumë interesante, e cila do të duhej t’u shërbente sidomos atyre grekëve të sotëm, të cilët studiojnë e analizojnë politikat e atdheut të tyre. Pushtetarët grekë u ofronin shqiptarëvet myslimanë shuma të konsiderueshme parash, me kërkesën që ata të deklaroheshin turq. Sot shteti grek u jep para shqiptarëvet ortodoksë, me kusht që këta shqiptarë të deklarohen grekë. Është punë e tyre, por ne do të pyesnim: A kështu do ta krijojnë kombin e vet grekët? Një komb i tillë s’ka si cilësohet ndryshe veçse: komb surrogato.
…………………………………….
Na duhet të nxjerrim këtu edhe një listë shqiptarësh tanë, ortodoksë të Çamërisë, të cilët nuk kanë pasur aspak turp për t’i shërbyer pushtuesit në dëm të bashkëfshatarëvet dhe bashkëkombasvet të vet, vetëm e vetëm sepse këta ishin myslimanë. Dhimitros Hajdhushis nga Pleshovica e Filatit. Hristo Bilbili, Jorgo Drubadi, Vasil Danello dhe Har Driamandi, të 4-të nga Sajadha e Filatit.
Pano Çino nga Dragami i Paramithisë. Ky ishte një vegël e llojit të veçantë. Policia greke i thërriste njerëzit në zyrat e veta, u kërkonte të dorëzonin armët edhe kur këta nuk kishin armë. I torturonin dhe i lëshonin duke u thënë: Po nuk e solle armën, do të të marrim prapë. Pano Çinua i shkonte fshatarit të rrahur dhe i thoshte: Ta gjej unë një pushkë. Fshatari e blente pushkën për 2 napolona dhe e dorëzonte në polici, për të mos iu përsëritur tortura. Pano Çinua e merrte prapë po atë pushkë dhe ia shiste një tjetri. Në këtë mënyrë ky shqiptar i pafytyrë e ka shitur e rishitur një pushkë të vetme 300 herë në 300 fshatarë të ndryshëm dhe ka marrë prej tyre 600 napolona. Fshatarët e njihnin pushkën. Por ishin të detyruar ta blinin. Të njëjtën metodë kanë përdorur edhe sërbër në vitet 1950 nëpër Kosovë. Në mos zënshim mend prej një përvoje të këtillë, edhe ne ose nipërvet tanë, e njëjta histori ka për t’iu përsëritur.
Një kategori tjetër shqiptarësh që i angazhonte dhe i paguante Greku nëpër Çamëri, ishin vrasës ordinerë. Të tillë kanë qenë Panatezejtë dhe Koço Nikolla në Paramithi, Vasil Ballumi në Margëlliç, Andon Tasho dhe Sholi Mitro në Gumenicë dhe Ilia Kalo në Filat. Kapiten Elefter Strugari dhe kapiten Hristo Stavropullo janë zbatuesit e urdhërit të Napolon Zervës për masakrën në Paramithi, për të cilën do të flasim pak më vonë.
Gjithsesi kaq do të duhej të na mjaftonte për të kuptuar sa shumë të këqia kemi në radhë të parë ne brenda vetes. Dikur, kur e kishin pushtetin, myslimanët tanë keqtrajtonin të krishterët tanë: I vinin për të shirë driza në lëmenj, këmbëzbathur. Tani që në Çamëri e kanë pushtetin të krishterët tanë, masakrojnë dhe vrasin myslimanët tanë.
………………………………………
………………………………………..
……………………………………
* * *
Po sjellim tash këtu një regjistër, të vetëm një pjese krimesh që na i kanë bërë sërbët, malazezët dhe sllavët e Maqedonisë apo bullgarët në shekullin XX. Të dhënat janë marrë në librin “Gjenocidi serbomadh dhe Qëndresa shqiptare” të autorit Shaban Braha.
Viti 1912.
Kosovë. “Loja” me foshnjat: Foshnjat, pasi hidheshin përpjetë, priteshin poshtë nga grupe ushtarësh me bajoneta zbërthyer. Përpëlitjet e foshnjavet shqiptare, në agoninë e vdekjes, në majat e bajonetavet, autorët i quanin: Të qeshurit e shqiptarit (f.143).
Në krahinën e Shkupit numëroheshin 38 cisterna të mbushura me kufoma shqiptarësh (f.185).
Gjenerali sërb Zhivkoviq urdhëroi në Senicë vrasjen e 950 prijësve shqiptarë dhe “turq” (f.188).
“Ushtarët (sërbë), pasi morën Manastirin, merrnin dhe digjnin të gjallë secili nga 10 burra, gra dhe fëmijë” (f.188)
Në Shkup “u dënuan 36 shqiptarë me vdekje dhe u vranë në vend” (f.184).
Karadaku i Shkupit:
“U dogjën 280 ekonomi fshatare”.
Në Terstenik u vranë 60 shqiptarë,
në Smirë 32,
në Verban 20,
në Lubishtë 19,
në Komogllavë (fshat me 50 shtëpi) u vranë pa përjashtim gati të gjithë burrat (f.187).
“Në Sefer u dogj e gjallë një grua bashkë me ndihmësin e saj katolik”
“Në Gjylekatë një gruaje shtatzënë iu ça barku me bajonetë dhe iu nxor krijesa (nga barku)” (f.187)
Gjithsej në Terste, Senicë, Verban, Lubishtë dhe Gjylekatë u masakruan 238 vetë (f.187).
Edhe në Preshevë shpëtuan (gjallë) shumë pak (f.187).
Në kasaphanën e Ferizajt u vranë 1200 shqiptarë (f.186).
Lumë: 400 burra, që u dorëzuan vetë, u çuan në Prizren dhe u vranë në grupe, 40 deri 60 në ditë (f.188).
Pranë stacionit të Kumanovës, të ikurit (700-800 vetë) qenë kapur, lidhur dhe “u vranë duke i copëtuar sikur të ishin kafshë” (f.185).
Në afërsi të Shkupit u masakruan 2000 shqiptarë (f.184).
Midis Kumanovës dhe Shkupit u vranë 3000 shqiptarë (f.184)
“Njerëzit nxiren nga shtëpitë dhe vriten si minjtë. Nuk kalon ditë pa patur vdekje të tmerrshme shqiptarësh. Lumi është mbushur me kufoma.” (f.184).
Jo larg Prizrenit 5000 shqiptarë myslimanë u masakruan (f.184)
“Gjenerali Jankoviq i detyroi paritë (e Prizrenit) me revolver në dorë të nënshkruanin një deklaratë falenderuese drejtuar kral Petar-it për ‘çlirimin’ nga ushtria sërbe”. (f.187)
Pastaj : “Meqë nuk kishin kuaj, ata morën 200 shqiptarë për t’i ngarkuar me nga 50-60 kg dhe pastaj, natën, nëpër rrugë të këqia, i çuan 7 orë larg në krahinën e Lumës.” (f.187).
Në rrethin e Prishtinës 5000 shqiptarë zhduken nga terrorizmi masiv sërb (f.186)
Shtypi shkruante se vetëm gjatë 2 muajvet të parë (të vitit 1912) në Kosovë u vranë mbi 25000 shqiptarë (f.190).
“Në të 2 anët e rrugës (rajoni i Gjakovës), shkruan publicisti sërb Tomiq, nuk pashë veçse fshatra të djegur e të rrafshuar me tokë. Rrugët ishin mbushur me trekëmbësha, në të cilët ishin varur trupa shqiptarësh.” (f.189).
Në Gërdheshtë, Malziu i Pukës, sërbët therën 72 gra, pleq dhe fëmijë. Mjedën, afër Shkodrës, e kthyen në hi e pluhur (f.189).
(Po në atë vit, Kranja e Shkodrës, nga fshatrat Draganj e Blacë deri në Arbnesh, është djegur e shpërngulur krejtësisht, prej ushtrisë malazeze. GjD)
Viti 1913.
Një diplomat i huaj raporton: “Një sërb nga Çagllavica (Prishtinë) u mburr se me dorën e tij ka vrarë 100 shqiptarë” (f.221).
Në Sop të Kërçovës, “nga një sërb u lidhën të gjithë muhamedanët që kishin mbetur akoma në fshat, rreth 200 vetë, u çuan në xhami, u mbuluan me sanë dhe u dogjën të gjallë” (f.222).
Në Ujëzi, midis Gjakovës dhe Prizrenit, u dogjën 20 pjesëtarë të një familjeje. Disa fëmijë që tentuan të iknin, u ndaluan duke i therur me bajoneta (f.222).
Në Pejë u masakruan 1300 shqiptarë, sepse nuk deshën të konvertohen në fenë pravosllave (f.216).
Përdhunohen gjatë rrugës për Kërçovë dhe në fund vriten 10 gra e 9 vajza nga Fushëllazari (Ohër) (f.217).
Në Nishor të Suharekës pushkatohen 42 vetë (f.192).
Gjatë çarmatimit në Krrabë e në Çermenikë (Elbasan) sërbët kanë vrarë 20-30 shqiptarë (f.194).
Një tentativë arratisjeje nga burgu i Prizrenit rezulton me së paku 19 të vdekur (f.194).
Një forcë shqiptarësh kryengritës luftuan kundër ushtrisë sërbe afër kufujve të Prizrenit… Në atë luftë u vranë 200 shqiptarë (f.196).
“Mund të them se Luma nuk ekziston më. Kudo kufoma, hi e pluhur. Ka fshatra me 100 deri 150 shtëpi ku nuk ngeli njeri i gjallë.” (f.199).
Në Topojan të Kukësit afër 400 vetë u vranë grumbuj-grumbuj me mitraloz, në vende të tjerë u dogjën gjallë në shtëpitë e tyre (f.200)
Një officer malazez thotë: “Shqiptarët në fillim i vrisnin me pushkë dhe patllake, por së shpejti erdhi urdhëri se s’kishte levërdi të shpenzohej municioni, prandaj shqiptarët do të thereshin me thika. Dhe kështu i ndanin në grupe, nga 40 deri 50 vetë, i rreshtonin në 2 rreshta me fytyra të kthyera nga njëri-tjetri dhe atëherë oficerët ose nënoficerët i thernin një nga një në qafë.” (f.194).
Në 2 fshatra midis Prizrenit dhe kufirit oficeri komandues, me anën e kryetarit të fshatit, mbledh të gjithë të rriturit, 83 vetë, dhe i pushkaton (f.201).
Në fshatrat Lojmë e Nimçë (rrethinë e Prizrenit) i mbledhin me anë të kryepleqvet, gjoja për t’u regjistruar, dhe i vrasin: 36 lojmëjanë dhe 54 nimçjanë (f.201).
Genocidi në Lumë e Opojë (përmbledhëse): Mbi 672 të masakruar, shumica gra e fëmijë dhe 573 shtëpi të bëra hi. (f.202-203).
Në rajonin e gjërë të Gjilanit, në 19 fshatra pati masakra nga më të egrat, vetëm në Kabash u masakruan 47 vetë (f.203).
Edith Durham shkruan për krahinën e Gostivarit: “Ka fshatra me 100, 150 ose 200 shtëpi ku tani s’gjindet asnjë frymë. I mbledhin njerëzit me togje nga 40 ose 50 vetë dhe i shkojnë në bajonetë deri tek i fundit. Në Reçan të Gostivarit, sërbët, pasi pushkatuan 30 vetë, 200 gra, fëmijë e pleq i mbyllën në 2 shtëpi dhe i dogjën të gjallë” (f.203).
Në Zdunjë të Gostivarit djegin 37 gra, fëmijë e burra. Të nesërmen 9 të tjerë i çojnë në Vakuf të Benicës dhe i masakrojnë. “Alije Maksutit, kufomë, iu gjet vajza 7-muajshe mbi gjirin e saj” (f.203).
Në Simnicë të Gostivarit djegin 113 shtëpi dhe vrasin 18 vetë (f.203).
Pas 8 ditësh, sekretari i nënprefekturës ftoi me emër 22 vetë, i lidhën gjoja për t’i çuar në nënprefekturë dhe i masakruan në Vakuf të Benicës (f.204).
Në katundin Gjinovicë (Gostivar) djegin 7 shtëpi me njerëzit brenda. Vetëm në 2 prej tyre, 17 vetë (f.203).
Në Vertok pushkatojnë 18 vetë dhe i groposin në Bigorë. 40 i çojnë e i pushkatojnë në Vakuf të Benicës (f.204).
Në Kalisht të Gostivarit, rrugës për në Pozheran, i vrasin dhe i therin 43 vetë (f.204).
Në Çergan vrasin 32 vetë, duke i çuar për në Gostivar (f.204).
Në Qafë të Gostivarit masakrohen 65 gra, pleq e fëmijë (f.204).
Qyteti i Dibrës, nga 20000 banorë bie në 2000 banorë. Një pjesë e popullatës që mori arratinë, u masakrua. “Katundet që u dogjën, s’kanë numër” (f.205).
Në Gjoricë qenë masakruar 14 vetë bashkë me plakun e katundit. Qenë mbytur edhe 2 gra e 6 fëmijë (f.205).
Në Zogaj 124 shtëpi qenë djegur dhe masakruar 12 vetë: 4 hedhur në zjarr, 4 therur dhe, pasi janë kthyer edhe njëherë, kanë vrarë edhe 4 të tjerë (f.206).
Në Maqellarë u therën me majën e bajonetës 16 vetë (f.206).
Bllaca qe plaçkitur, pastaj i qe vënë zjarri nga të 4 anët. Të gjithë fshatarët qenë masakruar (f.206)
Në Allajbeg digjen 65 shtëpi dhe masakrohen në mënyrë të tmerrshme 23 vetë, midis të cilëvet 7 gra dhe 1 fëmijë 5 vjeç (f.206).
Në Vajnik i djegin të 15 shtëpitë që ka ai fshat, therin 4 njerëz duke vrapuar pas tyre dhe 1 vajzë të re e mbytin (f.206).
Në Luzni masakrohen 45 vetë (f.206-207).
Në Deshat u shkrumbuan 15 shtëpi dhe u hodhën në flakë e u dogjën të gjallë: 3 fëmijë dhe 2 gra (f.207).
Në Pilat-Mëhallë, therin me bajoneta dhe i hedhin në zjarr 2 burra dhe 2 fëmijë (f.207).
Në Peshkopi digjen 57 shtëpi dhe masakrohen 6 vetë (f.207).
Në Qafë-Bulqizë pushkatohen 13 vetë (f.207).
Numri i myslimanëvet të masakruar prej bandavet sërbe është… në Kërçovë 184, në Çallopek 47. Fshatrat Lop, Zajaz e Lesani janë djegur dhe banorët flitet qenkan vrarë (f.207).
Në Tetovë u arrestuan 400 shqiptarë myslimanë, dhe u ekzekutuan të shumtët gjatë transportit për në Shkup (f.208).
“Afër Shkupit u therën si berra 2000 shqiptarë.” (f.208).
Në Ujëzi, pranë Drinit, 32 vetë u mbyllën dhe u dogjën në një shtëpi (f.208).
Forcat sërbomalazeze në Plavë-Gusi kanë pushkatuar 720 burra. Nga këta 559 në Qafë të Previsë, 150 në Brezovicë dhe 11 brenda në Plavë (f.209).
Të atit të Shaban Kolinës të Gusisë ia nxorën sytë me bajonetë për së gjalli në prani të fëmijëvet e të gruas. Në Budovicë të Plavës, Rexhep K. Feratajn e lidhën në trungun e një dardhe, ia nxorën sytë me thikë dhe në fund e dogjën së gjalli (f.209).
Prijësit si Halil Haxhia në Drenicë, Fejzulla Lipoveci në Klinë, Hetem Korineni i Hotit (të Plavës) dhe Hetem Dobrosheva, dhe 18 të tjerë, të gjithë u ekzekutuan nga sërbët (f.209).
Barbarët serb të shek.XX!
……………………………………
Viti 1914.
Në krahinën e Përdrinit, në 18 fshatra, Ostrozup etj., vriten 227 shqiptarë dhe janë djegur 1032 shtëpi (f.211).
Në Rahovec u pushkatuan 40 vetë pa gjyq (f.212)
Nga Manastiri u shpërngulën 20000 vetë (f.227).
Mbi 7000 të shpërngulur nga fshatrat përrreth, gjenden në Manastir. Por sërbët nuk i lejojnë as aty (f.230).
Nga Dibra (me rrethe) u shpërngulën afër 3000 dibranë, që lanë shtëpitë të djegura dhe arat të shkretuara (f.227).
Në Mat, në Çermenikë, në Tiranë dhe në Elbasan, ndodhen 80000 të ikur (f.227).
Nga viset jugorë (të Shqipërisë), të pushtuar (prej Grekut), ikën 100000, nga të cilët 30000 vdiqën nga uria (f.228).
Vitet 1916 – 1918.
1916. Në Smirë të Vitisë bullgarët vrasin 21 shqiptarë (f.236).
1917. Në Lubishtë të Vitisë bullgarët vrasin 8 shqiptarë (f.237).
Në Zhitijë të Vitisë bullgarët vrasin 8 shqiptarë (f.236).
Në Gjylekar të Gjilanit bullgarët vrasin 61 shqiptarë (f.236).
1918. Në Podgoricë e Malësi të Madhe malazeztë pushkatojnë 20 vetë (f.259)
Nga viti 1912 deri në vitin 1918 në Kosovë e gjetkë llogariten mbi 200000 të masakruar dhe po aq, 200000, të shpërngulur (f.229).
Viti 1919.
Në fshatin Cërnallukë (Rozhajë-Senicë) vriten 9 vetë (f.261).
Në Tërgovishtë (Gjakovë) vriten më se 100 shqiptarë pa kurrfarë shkaku (f.261).
Në Akovë (të Peshterit) 800 vetë u vranë barbarisht. Morën 46 vajza, prej të cilavet 6 i dhunuan, tjerat, për të pësuar të njëjtin fat, i çuan në Mal të Zi (f.261).
Në Koshutan, Koshuticë, Bukël, Bisirnicë vranë 21 vetë dhe grabitën 1390 kokë bagëti (f.261).
Në Rozhajë numri i viktimave arrin, deri më 1919-n, 700 vetë (f.263).
Në 10 fshatra të Mitrovicës u masakruan 190 vetë “Kënaqem kur derdh gjak shqiptari”, thotë kapiteni Millan Kllapiq. (f.269).
Në 105 fshatra të Vushtrrisë u masakruan 1007 njerëz. (Në Qeqeli 12, në Kullë 43, në Kopiliq 7, në Tristeniq, 13, në Popovë 23) (f.269).
Në Kërninë të Istogut janë vrarë 17 vetë, janë djegë 30 shtëpi, janë grabitë 20000 bagëti (f.262).
Në Çellopek të Pejës vriten 16 vetë (f.262).
Në Beran të Pejës, 11 vetë (f.262).
Në Prishtinë ushtria sërbe ka therur më se 4800 gra, foshnja e pleq. Vetëm në 3 katunde janë vrarë 1400 vetë (f.270).
Naçallniku i Gjakovës dogji fshatin Batushë, lidhi në trungjet e shelgjevet 11 burra (dhe, tek po digjeshin shtëpitë) i bëri shoshë (f.271).
Në Radavc të Istogut forcat sërbe në një familje vranë 15 vetë (f.271).
Në Jabllanicë të Pejës vranë 78 burra, gra e fëmijë (f.271)
Prapë në Jabllanicë të Pejës sërbët hyjnë brenda në faltore, i lidhin të gjithë, bashkë me hoxhën, dhe i vënë zjarrin xhamisë, duke i djegur të gjithë për së gjalli (f.271).
Në vilajetin e Kosovës, vetëm në 2 muaj, janar-shkurt 1919, janë vrarë 12370 shqiptarë dhe janë djegur 6100 shtëpi (f.271).
Në Plavë, Gusi e Rugovë nga 8 deri 25 shkurt numrohen 844 të masakruar (f.262)
Ndërsa më 20 mars, po në trevat e Plavë-Gusisë, u masakruan 942 burra, 399 gra dhe 360 fëmijë dhe dogjën 945 shtëpi (f.271).
Në një raport të 20 marsit 1919 lidhur me genocidin në Plavë-Gusi thuhet : “Sërbët masakruan me mitralozë 356 fëmijë, pleq, plaka e burra sakatë, i dogjën në zjarr duke kërcyer rretherrotull zjarrit VALLEN E VËLLAZËRIMIT BALLKANIK” (Fjalët me shkronja të mëdha, GjD) (f.263).
Në 17 fshatra të Prizrenit vriten 376 vetë dhe digjen 85 shtëpi (f.270).
Në Tetovë vriten 30 vetë dhe digjen 636 shtëpi (f.270)
Në Istog, në 1 ditë ushtarët e Sërbisë vranë 160 dhe i lanë pa shti në dhe deri sa zunë të qelben në fushë (f.270).
Sërbët, në vitet 1918-1919, në Kosovë kanë mbytur e vrarë 30000 vetë, kanë djegur 168 katunde me 4869 shtëpi (f.271).
Përfundimisht, nga pjesa e Shqipërisë, mbetur nën Jugosllavi, nga viti 1919 deri më 1940, veç këtyre që u panë ku shkuan, do të shpërngulen për në Turqi edhe 500000 shqiptarë të tjerë (f.329).
Viti 1920.
Në Istog, në mëhallën e jashtme të qyteti, vritet Hysen Sejdija bashkë me 5 djemtë e tij dhe 94 të tjerë, burra, gra, fëmijë, pleq e plaka (f.282).
Në Bjellopojë të Istogut sërbët kanë kapur e lidhur 22 vetë, i kanë shpënë në mes të natës në një pyll dhe i kanë therur që të gjithë me bajoneta (f.282)
Në Uçë të Istogut morën 9 vetë, i lidhën këmbë e duar në një kullë dhe i vunë zjarrin kullës. Rëmbyen 20000 krerë bagëti dhe 25000 kuintalë drithë (f.282)
Rakinica u rrënua me artileri. Në vendin e ngjarjes u gjetën 43 kufoma shqiptarësh (f.282).
Në Dibër sërbët kanë djegur më se 300 katunde. 30000 shqiptarë kanë ikur (f.284 dhe 340).
Fshati Pesoçan në Dibër shfaroset i tëri brenda 1 nate, sepse dikush prej atij fshati paskish vrarë 1 xhandar (f.284).
Në Lumë 400 shtëpi janë bâ rrafsh me tokën. Në Buzmadh ka 19 të vrarë. Në krejt Lumën, të vrarë 55 burra e 12 gra (f.340).
Në Plavë-Gusi në 28 vendbanime (qytete e fshatra) masakrohen (prej malazezëvet) 893 burra, 440 gra dhe 472 fëmijë. Në 13 fshatra të tjerë masakrohen (po prej malazezëvet) edhe 1173 burra, 514 gra dhe 544 fëmijë. Gjithsej të masakruar 4036 shqiptarë, nga këta 1046 fëmijë e 954 gra. Digjen 6050 shtëpi, rrëmbehen 73884 bagëti të imta dhe 17842 bagëti të trasha (f.283).
(Dhe themi: Pse është e varfër Shqipëria?!)
Viti 1921.
Protestë e 10 prillit 1921: “Një shtet që brenda 10 ditësh vret 3800 njerëz, sa të këqia (të tjera) do të bëjë ?” (f.291).
Në fshatrat e Gostivarit janë masakruar 408 shqiptarë, ndër të cilët 79 gra e 5 fëmijë. (f.292).
Në Gjeshovicë (të Gostivarit) u vranë 9 burra, u dogjën 13 të tjerë e 7 gra. Gjithsej 29 vetë (f.292).
Në Kalisht të Gostivarit u vranë 43 vetë (f.292).
Në Banjë të Prizrenit 15 burra mbyten duke i rrahur me dru (f.287).
Në Cernallukë të Prizrenit 5 vetë, në Ofzhevc të Vushtrrisë 10 vetë, në Pallancë të Vushtrrisë 10 vetë, në Bratje 10 vetë. Të gjithë këta janë mbytur duke i rrahur me dru (f.287).
Në relacionin Pejë-Gjakovë digjen 300 shtëpi trekatëshe dhe vriten 350 vetë (f.291).
Në bjeshkë të Isniqit të vrarë 27 vetë, të grabitura 7000 kokë dhen dhe 3000 lopë e qe (f.293).
Në bjeshkët e Junikut, Carabregut etj vriten 131 vetë, për t’u grabitur bagëtitë (f.294).
Në Jabllanicë sërbët vrasin 39 vetë (f.294).
Në rajonin e Pejës masakrohen 200 djem të moshës deri në 10 vjeç, 300 gra të reja dhe 270 pleq (f.292).
Në Plavë-Gusi 26 foshnja mbyten në barqet e gravet (f.292).
Në Shabran të Prishtinës masakrojnë 10 fëmijë dhe gra. Në rrethina të Prishtinës 16 vetë. Në Bellopojë (Prishtinë) njëherë 19 e njëherë 25, kryesisht gra, fëmijë, pleq. Janë masakrime nga më të përbindshmit. (f.288-290).
Në Llap e Gollak: Në Podujevë 28 vetë, në Keqekollë 490 vetë, në Prapashticë 1020 vetë, në Shubran 31 vetë, në Bjellopojë 30 vetë, në Nishec 14 vetë, në Gërdovc 25 vetë, në Llupc të Epërm 12 vetë. Janë masakra të papërfytyrueshme. (f.287).
Përmbledhëse: Në Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Prizren, mbi 2000 shqiptarë të masakruar vetëm në 3 muajtë e parë të vitit 1921 (f.292).
Përmbledhje tjetër: Të vrarë 12371, të mbytur në tortura 625 (f.294).
Një tjetër statistikë përmbledhëse për vitin 1921: Në Prizren-Lumë, 956 të mbytur e të vrarë, në Vushtrri 2394, në Prishtinë 4950, në Ferizaj 1885, në Gjilan 900, në Preshevë 345, në Plavë-Gusi 1810, në Pejë 1840. Gjithsej të vrarë, të masakruar e të mbytur me të rrahura: 15676 shqiptarë (f.291).
Vitet 1922-1924.
Në Raushiq vriten 16 burra, plaçkiten 20 shtëpi, vlera 20000 napolona, dhe rrëmbehen 500 krerë bagëti, të trasha e të imëta (f.297).
Prill 1922: Në Obërgjan vriten 8 burra, plaçkiten 200 shtëpi, vlera 50000 napolona, dhe rrëmbehen 15000 krerë bagëti, të trasha e të imëta (f.297).
Në Ruhot vriten 6 burra, plaçkiten 20 shtëpi, rrëmbehen 3000 bagëti, të trasha e të imëta (f.297).
Në Lutogllavë vriten 6 vetë, rrëmbehen 1000 krerë bagëti dhe 40000 kuintalë groshë, grurë, misër (f.297).
Në Prapaçan vriten 7 vetë, trupat e tyre hidhen në një pus me qëllim që të mos gjenden për t’i varrosur. (f.297).
Prill-maj 1922: Në Isniq vriten në bjeshkë 8 barinj dhe rrëmbehen 9000 krerë dhen (f.297-298).
Në Tërstenik vritet një plak 8o vjeç dhe rrëmbehen 1500 krerë bagëti e 15000 kuintalë drithëra (f.298).
Në Shtup vriten 6 njerëz dhe rrëmbehen 1100 krerë bagëti (f.298).
Në Buçaj të Pejës vriten 8 burra, digjen 15 shtëpi dhe bëhen grabitjet e rastit (f.298).
Në Buçane vrasin 9 vetë, djegin 15 shtëpi, rrëmbejnë 1000 bagëti (f.298).
Në shkurt 1923, në Junik sërbët vrasin 60 burra, në Gjakovë burgosin 150 (f.303).
Në tetor 1923 prapë në Junik vrasin 10 burra e në Rasnjë 3, midis tyre edhe 1 fëmijë 6 vjeç (f.303).
Në Dumnicë xhandarmëria sërbe masakron dhe vret 23 vetë, shoqëruar, sipas traditës së tyre, me skena nga më makabret të djegies për së gjalli në zjarrin e shtëpivet (f.305-306).
Vitet 1941-1947.
1941. Në Hot (afër Hanit të Hotit), 15 të vrarë, prej malazezëvet. Në Rabnicë të Podgoricës 9 të vrarë. Kolë Ucit në Triesh, 29 vjeç, ia nxjerrin sytë dhe ia presin veshët (f.383-384).
Në Pejë 15 të vrarë, në Gjakovë 12 të vrarë, në Byc 3 gra të reja, vrarë me fëmijë në gji, në Rogovë 13 të vrarë (f.383).
Gjithsej në rrethinën e Gjakovës, pushkatuar 260 shqiptarë (f.383).
Në Sanxhak (Senicë), në fshatin Visoçkë, 12 vetë digjen në një shtëpi (f.393).
Në fshatrat e Medvegjës masakrohet popullata, përmenden 4000 frymë, por nuk del qartë sa janë vrarë (f.405).
Janar 1943. MASAKRA E BIHORIT.
Fëmijë të masakruar 701 (kryesisht me thika).
Fëmijë të djegur 705 (përcëlluar në zjarr).
Fëmijë të ngrirë 447 (vdekur nga të ftohtit).
Gra të vrara 340.
Gra të masakruara 185.
Gra të ngrira 266.
Burra të vrarë 590.
Burra të masakruar 185.
Burra të ngrirë 119.
Vdekur urie 103 vetë.
Zënë rob 251.
Të plagosur: Burra 359, gra 275. Shuma, përjetëpangushëlluese, 4526. Shtëpi të djegura 1763 (f.401).
1944. Në Banjë e Podvoricë (në luftime) çetnikët vrasin e plagosin 70 vetë (f.405).
Në Prizren, brenda 1 dite, pushkatohen 70 vetë (f.445).
Po në Prizren, mëhalla e Tabhanes, pushkatohen 350 vetë (f.445).
“Aty ku buron lumi i Istogut, të gjithë të pushkatuarit i hodhën në një gropë. Ishin aq shumë të vrarë e të masakruar, sa u qelb uji e as kafshët nuk e pinin për një kohë të gjatë” (f.446).
Në Istog, Muzhevinë, asgjësohet 1 familje me 13 anëtarë (f.446).
Në Kizhijë, prerë me bajoneta 8 vetë dhe 1 hedhur gjallë në zjarr (f.444).
Në Polan (Ferizaj) janë pushkatuar 28 vetë (f.444).
Në Prishtinë, pushkatuar më shumë se 200 vetë (f.445).
Në katundet e Mitrovicës pushkatuar më tepër se 2000 vetë (f.445).
Në Vushtrri, vrarë e fshehur në plehëra, 400 vetë (f.445).
Në Skënderaj, çarë e copëtuar me sëpata, 250 vetë (f.445).
Në Prekaz pushkatuar 18 vetë (f.445).
Në Velegllavë të Gjilanit, masakruar 35 vetë. Theren me bajonetë 7 gra e 2 fëmijë. (f.443).
Në Caravojkë dhe Stanevë, mbytur 75 vetë. “Plakut Myftar Hajdari, i cili djalin e kishte partizan, (partizanët sërbë) i kanë prerë gjuhën dhe mandej e kanë përvëluar me ujë valë” (f.443).
Në Qarr, therur me thika 21 vetë. “Kufoma të copëtuara, pa hundë, pa sy, pa veshë e pa krahë” (f.443).
Në Gjilan janë pushkatuar mbi 1000 vetë (f.443).
Burgosur në Kumanovë dhe vrarë gjatë transportimit për në Vranjë, 100 vetë. (f.444).
Në Gjilan, asgjësuar gjithsej 8000 shqiptarë. “Për shumë net rresht janë pushkatuar pa asnjë procedurë nga 40-50 shqiptarë. Në një rast, vetëm brenda 1 nate janë pushkatuar 140 shqiptarë” (f.444).
Në Medvegjë, zhduken 7 shqiptarë dhe mbeten varrhumbur (f.437).
Në Gostivar, pushkatuar mbi 100 vetë (f.437).
Në Tetovë, 80 vetë (f.437).
Në Derven të Shkupit, vrarë 200 vetë (f.437).
Në Gostivar, vrarë 20 vetë (f.438).
Në Vrapçisht të Gostivarit, më se 150 vetë (f.438).
Në Presek, vrarë 12 vetë. “Për të terrorizuar të tjerët” (f.438)
Në Zhegë të Gostivarit, therur me thika 12 vetë. “pasi i zhveshën, i shpuan me thika e bajoneta dhe pastaj i nxorën jashtë dhe i pushkatuan” (f.438)
Arrestuar në Gostivar dhe pushkatuar në Kodrën e Gradishtit, 75 vetë (f.438).
Në Pirok të Gostivarit, vrarë 27 vetë (f.439).
Në kampin e Gostivarit, janë pushkatuar më shumë se 300 vetë (f.439).
Në Tetovë, monopoli i duhanit, ku gjendeshin më tepër se 10000 vetë, janë masakruar mbi 1200 vetë (f.439).
Po në monopolin e duhanit, “i zgjodhën 500 djem të rinj, i dërguan për në Shklup, gjoja për t’i inkuadruar në forcat partizane… dhe i zhdukën” (f.439).
Në Gradec të Tetovës, vrarë 35 vetë (f.439).
Në Nikadinë të Tetovës, vriten 18 vetë (f.439).
Në Raçicë të Madhe e të Vogël, vriten 40 vetë (f.439).
Një oficer i OZN-ës, me dorën e tij vrau 50 vetë (f.439).
Në Zajaz të Kërçovës pushkatohen 320 burra e djem të rinj, që nga mosha 13 vjeç e lart (f.439).
Në Bojan të Shkupit pushkatohen 76 burra, gra e fëmijë (f.439).
Në Bllacë të Shkupit vriten 160 burra dhe 50 fëmijë (f.439).
Në fshatin Saraje të Shkupit vriten 25 vetë (f.439).
Në Bllacë, Karadak i Shkupit, pushkatuar me mashtrim rreth 100 vetë (f.440).
27 të tjerë, po të Bllacës, i çuan te Ujët e Thartë, përtej Hanit të Elezit, dhe i pushkatuan (f.440).
Në fshatrat e Karadakut të Shkupit përvëlohen me ujë valë 83 vetë (f.440).
Në Sopot të Kumanovës, bëjnë përdhunime dhe vrasin 20 burra (f.440).
Në Bukuroc të Preshevës 36 vetë “i grumbulluan në një dhomë dhe i mbytën me ujë të valuar” (f.441).
Në Bukurocë të Keqe të Preshevës. Rrethojnë fshatin para mëngjesit, zgjojnë banorët, i vënë të hapin një gropë 2 m të thellë. Në zjarr ishte vënë një fuçi me ujë, ajo po vlonte. Thirrën 27 vetë të moshave e sekseve të ndryshëm, burra, gra, fëmijë. Ua lidhën duart, ua mbështollën gojën dhe i lëshuan në gropë. Derdhën mbi ta fuçinë me ujë. Trupat e tyre shkrinë si qiriri (f.441).
Në Qarr të Gjilanit, therin me thika natën dhe vrasin 21 vetë të moshave të ndryshme (f.442).
Në Sedllar të Kamenicës masakrojnë 3 vetë (f.442).
Në Desivojë të Kamenicës masakrojnë 15 vetë (f.442).
Në Krajnidell të Kamenicës vrasin barbarisht 12 vetë (f.442).
Në Koretinë të Kamenicës, në 1 familje, vriten 11 vetë (f.442).
Në Hogosht masakrojnë 16 vetë (f.442).
Në Lisovicë, vrasin 7 vëllezër. “Ishin muratorë. I çuan në ‘burgun-shtëpi’ ku i torturuan rëndë. Ua gozhduan duart në dysheme dhe para syvet të tyre dogjën për së gjalli djalin 6-vjeçar, Mursel Qerimin” (f.442).
Në Ponesh të Gjilanit masakrohen 12 vetë. Edhe komunistët sërbë kishin të njëjtën parullë si prindët e tyre: “Mos kurseni thikën, kurseni fishekun !” (f.442).
Në Shahiq të Gjilanit, Sali Shahiqi, më 28 nëntor 1944, gjeti në shtëpinë e tij 12 pjesëtarë të familjes të vrarë. (Na kujton 28 Nëntorin e vitit 1912. Ata duan ta vrasin 28 Nëntorin tonë ! GjD) (f.442).
Në Tabelie e Vitkovicë, në luftime me çetnikët, vriten 54 luftëtarë (f.405).
Rrugës për në Tivar dhe brenda në Tivar, sipas këtij burimi, janë vrarë e masakruar 3000 shqiptarë të Kosovës. Burime të tjerë japin shifra të tjera (Krs.f.456).
Në Kaçanik, Gjilan, Kamenicë, Viti e Preshevë, gjatë Luftës së Dytë janë vrarë, prej ushtrisë partizane jugosllave, 12000 shqiptarë (f.474).
Gjithsej më 1940-1945, shqiptarë të asgjësuar prej sërbëvet, malazezëvet dhe sllavomaqedonëvet : 5200, vrarë prej çetnikëvet; prej partizanëvet: 36000, vrarë, therur apo djegur për së gjalli, në Rrafshin e Kosovës; 23000, vrarë, therur apo djegur për së gjalli, në Rrafshin e Dukagjinit; 27000, vrarë, therur apo djegur për së gjalli, në trevën e Vardarit.
Gjithsej 91200 shqiptarë të asgjësuar në trevat që edhe pas Luftës së Dytë Botërore do t’i mbeteshin Jugosllavisë. (Përmbledhja sipas Xheladin Hanës) (f.466).
Në vitin 1947, mbasi i kish mbyllur punimet e vet Konferenca e paqes në Paris, në rrethinën e Goricës, kufi me Italinë, janë mbytur me helm më se 2000 shqiptarë (f.485).
* * *
… Mbas kësaj, fëmijët shqiptarë duhet të bëhen shumë seriozë. Buzëqeshjen, natyrisht, nuk mund t’ia ndalësh fëmijës. As të hedhurit e të bredhurit nëpër shtëpi apo në oborr, në rrugë apo në park. Por atij i duhet thënë : Shiko, bir ! Kështu na ka ndodhur !
Mbas gjithë këtyre, asnjë të riu shqiptar nuk i lejohet të bëjë jetë të shkujdesur. Aq më tepër, ta çojë jetën kot. Në ndodhtë e kundërta, secili prej tyre duhet ta dijë që ATA kanë për të ardhur prapë. Kanë për të ardhur prapë dhe prapë kanë për të na therur, siç ther ujku tufën e kecavet. Në ndodhtë e kundërta.
Shqiptarëvet nuk u lejohet më ta ulin veten në nivelin e deleve, dhive, cjepve dhe kecave ! Ky duhet të jetë edhe thelbi i strategjisë sonë.
Kombit shqiptar nuk i lejohet të jetojë i shkujdesur në një ambient të këtillë, me kaq rrëziqe ! Kombi shqiptar duhet të bëhet tepër serioz në këtë vend kaq vdekjesjellës !
Nuk ka nevojë ta ushqejmë veten me mendimin e kurrfarë hakmarrjeje. As për t’i bërë fqinjët më të mirë se ç’janë, nuk mund të pretendojmë. Atë tjetrin nuk mund ta mësosh se si duhet të sillet. Atij tjetrit duhet t’ia imponosh që të mos sillet ndaj teje siç do ai. Kjo është detyra jote. Dhe kjo mund të arrihet vetëm atëherë kur ti je tepër serioz në sjelljet e tua. Të mos i biesh kujt në qafë, por t’ia bësh me dije edhe atij se nuk je gjethe dushku. Të parët tanë s’e kanë realizuar një të tillë kërkesë nga më kryesoret në jetën e një kombi, prandaj dhe i kanë përjetuar të gjithë tmerret e mundshëm. Pasardhësit tanë nuk duhet t’i çojmë më në të tilla humnera të lemerishme.
– Shkëputur nga libri: Strategjia e Shqiptarëvet, Tiranë 2011.
……………………………………….
(ILUSTRIMET I PËRGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG)