BESIM ZYMBERI: MASAKRA E DUBRAVËS – GJENOCID KUNDËR SHQIPTARËVE!

Ferizaj, 19. 05. 2015 – “Pas Luftës së Dytë Botërore, pashë se fuqitë antifashiste që e fituan luftën, ishin të prirura ta heshtnin Holokaustin. Nuk mund ta duroja fshehjen e një tragjedie të madhe. Ndaj formova Qendrën për Ndjeken e Kriminelëve Nazistë…” (Simon Vizental, themelues i Qendrës për Ndjekjen e Kriminelëve Nazistë të Luftës)
MASAKRA E DUBRAVËS NUK TRAJTOHET JURIDIKISHT, SEPSE DUAN TA SHPËTOJNË SERBINË NGA PËRGJEGJËSIA E GJENOCIDIT…!
Në qershor të vitit 2013, EULEX njoftoi se ka filluar hetimet për Masakrën e Dubravës. Deri më sot, asnjë e dhënë tjetër nga ky hetim!?
Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd, ka paditur zyrtarë të lartë shtetërorë serbë dhe personelin e Burgut të Dubravës për kohën e luftës në Kosovë, për përgatitje, organizim dhe ekzekutim të Masakrës së Dubravës. Ky proces mund të jetë shumë në pikëpyetje!
Në Prokurorinë e Pejës, më herët ishte dorëzuar një kallëzim për Masakrën e Dubravës. Asnjë lëvizje deri më sot. Derisa në procesin kundër Millosheviçit në Hagë, Masakra e Dubravës u trajtua si njëri ndër objektet e aktakuzës, në procesin tjetër në Hagë, Kundër Milutinoviçit, Shainoviçit, Ojdaniçit etj., në mënyrë skandaloze, Trupi Gjykues e hoqi fare objektin e Masakrës së Dubravës nga aktakuza. Arsyetimi banal atëherë ishte, gjoja, për thjeshtim të procesit!

Flet Besim Zymberi – i mbijetuari i maskrës së Dubravës:

– Pse Masakra e Dubravës, rigorozisht është vënë në embargo deri më sot, për çfarëdo diskutimi, qoftë edhe politik madje, e të mos flasim për trajtim juridik-penal…?
Arsyeja është shumë e thjeshtë. Favoret që i janë bërë e po i bëhen Serbisë, nuk lejojnë në agjendë futjen edhe të përgjegjësisë së saj për gjenocid, për pasojat e shkaktuara në luftërat e fundit në ish Jugosllavi. Le të kujtojmë se GJND-ja, ka sjellë edhe një vendim për Srebrenicën, me konstatimin se ishte vepër gjenocidi, porse Serbia nuk mund të fajësohet si autor!!!???
Mostrajtimi i Masakrës së Dubravës, në procese të mundshme deri më tani, nuk ka se si të kuptohet ndryshe, pos si vendim i Bashkësisë Ndërkombëtare që ta shpëtojë Serbinë nga përgjegjësia për ushtrim të gjenocidit kundër shqiptarëve.
Masakra e Dubravës, si objekt juridik-penal, do të ishte dëshmia më së lehti e verifikueshme për aktin e gjenocidit.
Pengjet në Burg ishin shqiptarë të gjithë, të pambrojtur. Ekzekutorët, ishin të gjithë serbë. Më e rëndësishmja është se Burgu i Dubravës, edhe në kohën e luftës ishte i administruar nga forcat ushtarake serbe dhe këtë nuk e fshehin as edhe vetë serbët. Në kushte të tilla, asgjë nuk ka mundur të bëhet aty pa dijeninë e vetë shtetit serb. Shumë gjëra rreth projektit shtetëror për grumbullimin e pengjeve shqiptare në një objekt të vetëm, me qëllim të ekzekutimit kolektiv, janë thënë nga të mbijetuarit, së paku në formë të rrëfimeve publike-mediale.
Rrjedhimisht, pamundësia e vetë shtetit serb që ta mohojë përgjegjësinë e vetë për administrimin e Burgut në Kohën e Masakrës (19-24 maj 1999), e bën lehtë juridikisht të konstatueshme përgjegjësinë e tij për ekzekutimin e Masakrës, e cila, ka të gjitha tiparet identifikuese të veprës penale të gjenocidit.
Askush, pra, as nga Bashkësia Ndërkombëtare, nuk është akoma i gatshëm që të sponsorojë një proces penal për Masakrën e Dubravës, sepse, edhe juristit më të ngathtë po t’i jepet si lëndë gjyqësore, vendimin e vetëm që do të mund ta merrte si formë aktgjykimi, do të ishte: VEPËR GJENOCIDI KUNDËR SHQIPTARËVE!
Po e shohim që askush nuk është i gatshëm për këtë hap. Ndërsa, derisa nuk trajtohet Masakra e Dubravës në përmbajtjen e saj të mirëfilltë, bota kurrë nuk do ta kuptojë tërësisht idenë shtetërore serbe për zhdukjen e një populli e një kulture!
Para disa ditësh, është marrë një vendim në Kosovë, për themelimin e Prokurorisë për Krime Lufte. Të shohim se si do të jenë formati dhe përmbajtja e saj…!
Por, ajo që është lehtë e realizueshme, janë disa hapa të duhur juridikë të institucioneve ligjvënëse e ekzekutive të Kosovës. Për të satën herë, më duhet ta përsërisë se, Qeveria e Kosovës, duhet ta përgatisë një akt juridik, të cilin Kuvendi i Kosovës, do të duhej ta përligjte. Ky akt juridik, do të duhej ta shpallte ligjshmërisht Burgun e Dubravës si-KAMP TË INSTALUAR PËRQENDRIMI, për periudhën e luftës në Kosovë, derisa, kampe të instaluara apo provizore përqendrimi, do të duhej të shpalleshin edhe burgje e hapësira tjera civile, ekonomike e ushtarake, të cilat gjatë kohës së luftës janë përdorur nga pushtuesi serb si hapësira për burgosje, torturim, dhunim e vrasje të shqiptarëve.
Një akt i tillë, do të vendoste linjën e fuqishme të definimit të natyrës së krimit shtetëror serb që ka ndodhur kundër shqiptarëve, në Kosovë, në vitet 1998-1999. Po ashtu, do të krijonte detyrimin ligjor që të definohej autorësia e fajtorit dhe cilësimi esencial juridik i një krimi të tillë. Burgu i Dubravës, po ashtu me ligj, duhet të tjetërsohet nga funksioni i deritanishëm (për momentin, së paku një pjesë e tij) dhe të shndërrohet në Muze të Gjenocidit.

– Autori është njëri prej të mbijetuarve të masakrës së Dubravës.

……………………………………………………………..

…………………………………………………………

(Ilustrimet i përzgjodhi editori i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura