(Durrës, 20 janar 2013) – Ne Shqiptarët nuk do të donim e, besoj, asnjë europian i kthjellët nuk do të donte që BE-ja e sotme t’i ngjajë sado pak Antantës së fillimshekullit XX. Nuk do të donim, sepse në fillimshekullin XX, Antanta, Franca dhe Anglia të lidhura me Rusinë, bënë luftë me Austro-Hungarinë e me Gjermaninë. Franca e Anglia, në pajtim të plotë me atë çfarë donte Rusia, e quajtën të arsyeshme t’i dilnin zot Sërbisë dhe ndezën një luftë botërore për hir të Sërbisë. Ndaç thuaj edhe për sebep të Sërbisë. Antanta u shpalli luftë Austro-Hungarisë dhe Gjermanisë, për të mbrojtur Sërbinë (tradicionalisht antieuropiane), por nuk i tha Kral Aleksandrit: Mos i vra shqiptarët (tradicionalisht proeuropianë). Nuk u tha Antanta, as Kral Aleksandrit të Sërbisë, as Kral Nikollës, madje as Venizellosit, që ishte deklaruar neutral: Mos bëni masakra mbi një popull që s’është as përafërsisht shkaktar i kësaj lufte.
Unë nuk e di sa e si e shtrojnë këtë çështje popujt e tjerë të Europës, por ne shqiptarët, të cilët Lufta e Parë Botërore na ka përvëluar gjer në palcë, nuk ka si të mos e kujtojmë me shqetësim të madh atë luftë. 7 ushtri e shkelën atëherë shtetin e sapokrijuar shqiptar: ushtria italiane, ushtria sërbe, ushtria greke, ushtria malazeze, ushtria franceze dhe ushtria bullgare. Me dhjetëra mijë jetë njerëzish u ka kushtuar shqiptarëvet ajo luftë. Qindra mijë ton drithë e ushqime, qindra mijë bagëti, plaçkitur e ngrënë prej atyre ushtrive. Dhjetëra mijë shtëpi djegur prej atyre ustrive, ndërsa kombi shqiptarë, me gra, pleq e fëmijë, përveç masakravet, detyrohej të përballonte zi të tmerrshme buke.
…………………………………..
Xhandarmëria Serbe largon Lapidarin e UÇPMB-së në Preshevë
Dhe, e gjithë kjo binte mbi kombin tonë, jo se i kishim ne ndonjë faj Evropës, por sepse Europa ish e verbër, si për vete, ashtu edhe për ne, që ishim pjesë e saja.
Sot, policia dhe xhandarmeria sërbe lejohen nga Europa të dislokohen dhe të kërcënojnë popullsinë shqiptare në Anamoravë, ku nuk ka kurrfarë strukturash paralele, ndërsa policia e Rep. së Kosovës detyrohet të shkojë me helikopterë në doganat e veta. Ç’do të bënte NATO-ja, nëse policia shqiptare dhe forcat e sigurisë të Rep.së Kosovës do të dislokoheshin në Leposaviq, në Zubin Potok dhe në Mitrovicën e Veriut, me kërkesën për t’i larguar prej andej strukturat paralele? Sërbët e pjesëvet veriore të Rep.së Kosovës i mbrojnë NATO-ja dhe EULEKS-i.
Po për shqiptarërt e Kosovës Lindore, pse nuk ka krijuar Europa organizma mbrojtës? Pse nuk e mbron edhe Preshevën ndonjë NATO apo EULEX? Sërbët po kërkojnë që lapidarin e UÇPMB-së ta çojnë në xhami, thua se ata luftëtarë shqiptarë paskan rënë dëshmorë për fenë islame e jo për të drejtat kombëtare. Kërkojnë sërbët kështu, dhe, as Anglia, as Franca, nuk i thonë Sërbisë: Ti merru me vrasësit e shqiptarëvet, jo me lapidarët e të vrarëvet për liri! Nuk ia thonë, ashtu si nuk i thoshin Kral Aleksandrit para 100 vjetësh: Mos i vra shqiptarët!
Dhe, më në fund, me taktikë lufte, me format e kapjes së ndonjë bande plaçkitësish, policët dhe xhandarët sërbë e shkallmojnë përmendoren. Europa nuk i merr në mbrojtje lapidarët tanë. Në qoftë se policët tanë do të kishin zhvendosur qoftë edhe një pllakë të vogël përkujtimore të sërbëve, çfarë do të kishin bërë NATO-ja dhe EULEX’i?
Më 26 prill të vitit 1915 nënshkruhej në Londër një traktat, ku Anglia dhe Franca i jepnin Italisë të drejtën për të aneksuar Sazanin, Vlorën, Tepelenën, Himarën, kurse Sërbisë e Malit të Zi u garantonin të drejtën për të marrë çfarë të donin prej tokavet të shtetit shqiptar, të njohur 1 vit më parë prej vetë atyre. Dmth, të njohur para 1 viti prej vetë Francës, Anglisë dhe Italisë. Në vitet 2012-2013, BE-ja organizon bisedime midis Rep.së Kosovës dhe Rep.së Sërbisë, pa kërkuar që Rep.e Sërbisë paraprakisht ta njohë Rep.e Kosovës. Përkundrazi, duke i thënë Rep.së Sërbisë: Ne nuk kërkojmë që ti ta njohësh Rep.e Kosovës. A nuk është kjo punë, e ngjashme me Traktatin e Fshehtë të Londrës?!
Në vitet 1915-1916, malazezët dhe sërbët kanë vrarë disa nga personalitetet më të shquar shqiptarë: Isa Boletinin, Mehmet Shpendin, Çerçiz Topullin, Mustafa Qullin, Dedë Gjo Lulin, të krishterë e myslimanë, që të gjithë të deklaruar si proevropianë, dhe Antanta s’u thotë asnjë gjysmë fjale “aleatëvet” të vet sërbë e malazezë, që, në thelbin e të gjitha politikave të tyre, kishin qenë dhe ishin antievropianë. Mjafton të sjellim në mend që ata asnjëherë nuk i pranuan ftesat e pareshtura të papëvet, për t’u bërë uniatë.
Përkundrazi, vetë Franca, më 9 nëntor 1917, vret të krishterin shqiptar Themistokli Gërmenjin, një nga burrat më profrancezë që mund të gjendej këtu në Ballkan. Nuk vret Franca Venizellosin, i cili, duke terrorizuar shqiptarët e Çamërisë dhe duke pushtuar edhe më shumë toka të Shqipërisë, po destabilizonte jo veç Europën e sh XX, por pasojisht edhe Europën e sh XXI. Vret Franca shqiptarin Themistokli Gërmenji dhe 100 vjet më vonë, në mënyrë misterioze, prishet edhe shtëpia muze e Themistokliut. A s’është kjo e krahasueshme me prishjen e lapidarit në Preshevë?
Sot, po ajo Europë, po jep miliarda euro, për të shpëtuar një Greqi, e cila i ka mjelë e po i mjel taksadhënësit evropianë, siç mjel një katundar i prapë dhentë edhe dhitë e veta. I jep Greqisë miliarda euro, ndërsa për një Rep.të Shqipërisë, po ajo Evropë s’po jep asgjë tjetër, përveç fjalësh të bukura. Po na thonë: Mos u zini njëri me tjetrin dhe bukur po thonë, por, pa shikoni: Sa diplomatë të Evropës janë shprehur kundër deklaratavet të politikanëvet të Greqisë për Vorio Epirin?! Sa shkrime ka nëpër gazetat e Evropës kundër idesë popujshtypëse dhe luftëshkaktuese së të quajturit Vorio Epir?! A nuk i ngjan edhe kjo Evropë e sotmja Antantës së dikurshme, kur grekët shkelnin Gjirokastrën, Përmetin dhe Korçën?!
Fjalë të bukura na thonë europianët ne shqiptarëvet, por vetëm atëherë kur ne nuk themi asnjë fjalë për vete. Ndërsa, sapo guxojmë e themi ndonjë fjalë edhe për veten tonë, ngrihet më këmbë gjithë diplomacia e Evropës: Mos përdorni terma nacionalistë! Nacionalizmi është i rrëzikshëm! Nacionalizmi është destabilizues! S’ka shumë muaj që një konsull grek deklaroi se korçarët janë grekë. (Nënkupto: Korçarët e Themistokli Gërmenjit, të Aleksandër Stavre Drenovës dhe të Qiriazvet). Diplomacia e po asaj Evrope që ne na thotë: Heshtni, mos flisni për kombin, s’u dëgjua të thotë asnjë fjalë kundër fjalëvet të atij konsulli.
Një Venizellos, në kohën e Antantës, lejohej të pushtonte edhe të tjera pjesë të Shqipërisë, përveç atyre që i kish zaptuar para 1913-s, një Sali Butkë nuk lejohej t’u dilte zot as Kolonjës e Leskovikut, le më shqiptarëvet të Paramithisë e Igumenicës! Një “Agim i Artë”, paralajmërues i një errësire antiagim në këtë gadishull, lejohet të pretendojë për gjithfarë reprezaljesh brenda Greqisë dhe për gjithfarë Epirësh jashtë Greqisë. Një Sali Berishe i zihet për të madhe kur shqipton, qoftë edhe njëherë, shprehjen bashkim kombëtar.
Nuk po duam të zgjatemi tani, duke përmendur qindra raste të tjerë, ku Evropa nuk ka dashur, ose, e verbuar nga konservatorizmi dhe burokracia e vet, nuk ka ditur t’i konsiderojë shqiptarët si pjesë të vetëvetes. Po duam, vetëm të vëmë në dukje që, as në Preshevë e as në Himarë apo Korçë, Ballkanit dhe Europës nuk u vjen destabilizimi prej shqiptarëvet. Destabilizimi i vjen Europës, sa herë që Europa sillet ndaj shqiptarëvet si njerkë e ndaj sllavëvet e grekëvet si nënë e dhembshur.
Edhe po të mos themi ne asnjë fjalë, edhe po të rrimë urtë, si rri qengji apo delja, po u soll Evropa ndaj nesh si në kohën e Antantës, ajo duhet ta dijë që e presin luftëra. E presin luftëra, doemos shumë më të llahtarshme se ato të vitevet 1914-1918. Për fajin e vetë Evropës e jo për fajin e shqiptarëvet. Madje. As për fajin e sërbëvet apo grekëvet, sado që ata kanë qenë e janë gjenerues krimesh në hapësirat ku jetojnë.
Lapidari kushtuar dëshmorëvet të Preshevës tani duhet të vendoset në Bruksel.
Bashkimi Europian, në qoftë se nuk dëshiron të shkojë sërish në rrugë luftërash, si ajo e vitit 1914, duhet pikërisht kështu të veprojë me atë përmendore dëshmorësh. Sepse ata dëshmorë nuk janë vetëm të shqiptarëvet. Ata janë edhe dëshmorë të Europës.
………………………………………….
SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG
BASHKIMI EUROPIAN SI BASHKIMI SOVJETIK!
David Icke – Agenda i porijeklo Europske Unije
The European Union – the New Soviet Union?
==============================