Pashtriku.org, 28. 04. 2013 –
1.
Ajo i rrinte te koka. Plagët nuk ia shihte dot, por pat dëgjuar zëra rrotull, që, një nga 5 plumbat, i kish rënë kokë e dalë në nofull. Por, e mjera, nuk ia shihte dot! Mundohej ta pëfytyronte djalin e vet tani, pas çarjes që i kishjin bërë plumbat, por nuk arrinte, ndërsa ai po rrinte përpara saj , i shtrirë, i mbyllur, për të mos u hapur kurrë më. Dhe i ftohtë.
2.
Qe 3 vjet më i vogël se i madhi (I cili s’kish ardhur ende për të qarë të vëllanë dhe po vonohej, kushedi për ç’arsye.) Ai kish 15, ky 12, kur në qytetin luginor të vogël, për të cilin, disa thoshin, është në mes të Shqipërisë, disa në cep, sapo kish ardhur epoka ndjellavdekëse e bixhozit. (I mallkuari!.. Medet!..) Atje, në të vetmin shesh të qytetit, fitoheshin shumë para. Ish një mrekulli mendjeprishëse! Ish një punë që, që në ditët e para, ua pat rrëmbyer mendjen të 2-vet.
3.
Ishin të 2 çuna të shkathët. Sytë xhixha u nxirnin. Mësuan fillimisht të luanin me letra. I përzienin letrat me një marifet të posaçëm, e fshihnin njërën prej tyre poshtë të tjeravet dhe, kush e gjente, i merrte paratë. Kur s’e gjenin, paratë u mbeteshin këtyre. E braktisën shkollën, në fillim i madhi, pas tij edhe tjetri. Gëdhiheshin atje ku luhej, e shpeshherë rrinin atje, pa ngrënë bukë deri me natë.
4.
Dikur, grumbulluan aq shumë para, sa fillun të iknin me furgona për në Tiranë dhe rrinin Tiranës me javë. E ëma i ngryste ditët me tmerr në shpirt. Por ata ktheheshin me tufa të mëdha parashë, palosur në ca çanta speciale, që lidheshin për brezit. Vinin, i fshihnin paratë në një farë vendi dhe iknin sërish për në Tiranë. Iknin sërish, duke e përshëndetur t’ëmën në mënyrën më origjinale në Botë: “Mos e çaj kryet, o nanë!”
5.”Mos, o bir!” U thoshte kjo, por ata zhdukeshin përtej portës, pa e dëgjuar dhe pa e parë t’ëmën deri të ktheheshin prapë. Herë vinin për të lënë para, herë vinin për të marrë, dhe iknin me vrap… Në një rast, kur këta mungonin, i pat ardhur te dera një burrë që kjo s’e njihte, dhe i pat folur rreptas: ”Vocat e tu, oj loke, më kanë vu në lojë! Më kanë hangër në pazar! M’i kanë marrë me rrena 8 mijë lekë të vjetër! Ta dish edhe ti, vocat e tu e kanë me mu një hesap!”
6.
E ëma, dmth kjo që tani po i rrinte përmbi të birit, kokë e nofullçarë, ua pat treguar, ashtu si dinte, atë lloj kërcënimi, që u kish bërë ai burrë. Por djemtë patën qeshur: “I ka humbur në lojë, oj nënë!” Pat bërtitur ky i vogli, sikur po i fliste një shurdhe. “Njeriu, kur hyn në atë lojë, i llogarit, edhe fitimin edhe humbjen, qysh më parë.” Pat heshtur pak dhe pat shtuar me qesëndi: “Shumë paska humbur! Aty lënë, jo 8 mijë, por 800 mijë, dhe s’bëzajnë fare!”
7.
Dikur, ata qenë rritur dhe s’i thoshin më nënës nënë, por mama. E blenë një shtëpi, u bartën, me nënë, me motra e ç’kishin, mu në lagjen ku dikur ish themeluar Partia Komuniste. Ndërtuan edhe një lokal lojërash fati mu në buzë të Lanës. Tani, edhe përshëndetjen e patën ndërruar. Nuk thoshin më “Mos e çaj kryet, nanë!”, por: “Bingo, mama!” Djali madh qe martuar… Ai, që tash po vonohej në mordin e të vëllait, dhe arsyen, pse po vonohej, kjo ende nuk e dinte.
8.
“Bingo, mama!” “Mos, o bir!” U përgjigjej kjo. Ata qeshnin dhe, nganjëherë, mundoheshin t’i bënin edhe leksion filozofie: “Mama! Në kapitalizëm fitojnë ata që janë të zgjuar e të zotë. Humbasin, ata që s’janë të zotë!”… “Ne, që ta dish ti,” plotësonte tjetri, “nuk luajmë bixhoz. Ne vëmë të tjerët të luajnë!.. E sheh, si i ka ndarë Zoti punët në Botë?!”
9.
Sa herë dilnin shtëpie të 2 bashkë, duke përshëndetur: “Bingo, mama!”, gjithë entuziazëm, në të vërtetë, duke ia shkelur shpirtin dhe mendjen nënës së ngratë, ajo do të sajonte te shkallët, një folje të çuditshme, me pjesëzën ndaluese: Mos! “Mosni, bijtë e mi!”… Dhe mbetej aty, gjymtyrëngrirë, një copë herë të gjatë. Pas kësaj, tek sillej rreth punëvet të përditshme, gjithë ditën, të njëjtin përgjërim e përsëriste pa ia ndarë nëpër shtëpi: “Mosni, bijtë e mi!”
10.
Brenda 2 vjetësh, ndërtuan një vilë nga më të bukurat. Lokalin në Lanë ua prishi Edi Rama, por ata blenë një shumëmilionësh në bodrumet e njërit prej pallatevet 12-katësh. Tani, nëpër ambientet e vilës, lëviznin, jo 1, por 2 nuse, si fluturat. Djemtë rrinin me radhë te lokali. Herë njëri herë tjetri, vinin në vilë. Ndaleshin në sheshin brenda portës, dilnin prej Nisanit apo prej Benzit dhe thërrisnin: “Bingo, mama!” E përshëndesnin kështu plakën, e ajo vraponte sakaq në njërin ballkonesh, për të thënë, si përherë: ”Mos, o bir! Mos, o bir!”
11.
Mbrëmë ia patën prurë këtë më të voglin, ashtu si kjo e kish përfytyruar me mijëra herë. Ia kishin vënë përpara, lyer me ilaçe, për të mos u qelbur. Se kur e pat përshëndetur me atë “Bingo, mama!” për herë të fundit, tani s’po i kujtohej, dhe s’po I kujtohej gjithashtu se kur kjo me “Mos, o bir!” i ishhte përgjigjur. (Oh, sa pa vlerë!) S’po i kujtohej, se po mendonte për atë tjetrin… Papritur i pa do lëvizje burrash nëpër korridore, burra që hynin e dilnin, herë në njërën e herë në tjetrën derë.
12.
S’kish nevojë as t’i thoshte kush, as ta ngushëllonte. U çua lehtë, pa e shtyrë karriken, e drejtoi trupin dhe thirri. Me të madhe thirri! Me një zë kashte, të thatë! (Ndërsa 2 nuset, tashmë të veja, po lebetisnin.) “Silleni këtu edhe atë të madhin! Dhe mos të dëgjoj kënd duke bërtitur! E mos të shoh kënd të derdhë sot këtu pikën e lotit! Uleni këtu trupin e vdekur, pranë të vëllait!.. Askush fajin s’ua pat!”
Durrës, 16 mars 2007 Gjokë Dabaj.
Postime të Lidhura
MALËSIA PA TRASHËGIMI NUK KA ARDHMËRI
MALËSIA PA TRASHËGIMI NUK KA ARDHMËRI Nga Gjekë Gjonaj, Ulqin 18 Nëntor 2021 Malësia është e pasur për…
VERA E SHPIRTIT
VERA E SHPIRTIT Nga Vlora Obërtinca, Pashtriku 21. 09. 2022 „Autorja Vlora Obërtinca në librin e saj “Vera…
ANTON MARKU: PËRPARËSIA
Vjenë, 6 qershor 2018: Nga ana e majtë e ndërtesës, para portës kryesore, një burrë rreth të gjashtëdhjetave…
NJË JETË E TËRË NË PËRPJEKJE DREJTË IDEALEVE TË LARTA KOMBËTARE
Muhamet D. Rogova: NJË JETË E TËRË NË PËRPJEKJE DREJTË IDEALEVE TË LARTA KOMBËTARE – Recension i interpretimit…