SHERADIN BERISHA: MARIGO POZIO DHE FLAMURI HISTORIK I ISMAIL QEMALIT

(Pashtriku.org, 27. 11. 2012) – Rrugëtimi i Flamurit historik të Vlorës – Për shumë vjet në historiografinë shqiptare ka dominuar versioni zyrtar se, flamuri që Ismail Qemali ngriti më 28 Nëntor 1912 në Vlorë, u qëndis nga korçarja Marigo Pozio, e cila atëkohë jetonte në Vlorë, dhe është thënë se ajo flamurin e qëndisi brenda natës. Ky version shpërfaqet edhe në filmin “Nëntori i dytë” i xhiruar në vitin 1982 nga regjisori Viktor Gjika. Për më tepër historiani Ilirian Gjika thekson që flamurin kombëtar e qëndisi Marigoja e ndihmuar nga dy vajzat e saj. Përtej këtij vështrimi, shkon historiani Kristo Frashëri, i cili në një studim të tij, shkruan se, “…me sa dimë, modelin e shqiponjës e dha Luigj Gurakuqi, në vigjilje të festës dhe gjatë natës e qëndisi Marigoja”.
Por, si duket ky version i shndërruar në mit, tashmë nuk i kënaq të gjitha interpretimet tjera që bëhen nga historianët tanë. Eqrem bej Vlorës (kushëri i Ismail Qemalit) në kujtimet e tij shkruan se, Marigo Pozio Flamurin e ka qëndisur disa ditë pas mbajtjes së Kuvendit të Vlorës, duke u bazuar në flamurin e tij personal, të cilin e kishte ngritur Ismail Qemali – më 28 nëntor 1912 në Vlorë. Madje një version tjetër shpjegon se Marigoja (e arsimuar në Shkollën e Vashave të Korçës) flamurin e kishte qëndisur që kur ishte vajzë dhe e kish pjesë të pajës së saj, sipas modelit të dhënë nga kleriku katolik, Dom Mark Vasa.


Flamuri i qëndisur nga Marigo Pozio

Një version tjetër që spikatet në kujtimet e pjesëmarrësve të Kuvendit të Vlorës është, se flamuri që u ngrit në 28 nëtor 1912 në Vlorë ishte po ai flamur, që e zbukuronte podiumin e Hotelit „Kontinental“ në Bukuresht, në mbrëmjen e 5 nëntorit 1912, gjatë takimit që mbajti Ismail Qemali me komunitetin shqiptar në Rumani, ku morën pjesë: Asdreni, Spiridon Ilo, Vasil Zografi, Pandeli Evangjeli, Luigj Gurakuqi, Dhimitër Berati, Dhame Kume etj. Në këtë takim realisht u vendos që Shqipëria të shpallë Pavarësinë e plotë nga Perandoria Osmane, e cila pas kryengritjes së përgjithshme shqiptare të verës 1912 në Kosovë, po i numronte ditët e fundit në Ballkan. Dhe, kjo do të ndodhë 23 ditë më vonë, saktësisht më 28 Nëntor 1912 në Kuvendin e Vlorës. Sipas këtij versioni, të gjitha burimet përmblidhen në një pikë, se Spiridon Ilo nga Korça (përfaqësues i komunitetit shqiptar në Bukuresht) e kishte marrë Flamurin nga kryeqyteti rumun dhe gjatë udhëtimit me delegacionin e Ismail Qemalit për në Shqipëri, do ta mbante tërë kohën me vete, në gji.
Spiridon Ilo, në kujtimet e tij shkruan: “Flamurin që përgatitëm në Bukuresht unë e kam mbajtur në gji, që nga Bukureshti deri në Vlorë dhe pastaj, pasi e valëviti Ismail Qemali, unë e mbërtheva me sqepar në parmak”.
Në këto zhvillime, ndonëse Spiridon Ilo ishte djal i tezes së Marigo Pozios, ai më 27 nëntor 1912, (kur karvani i Ismail Qemalit erdhi në Vlorë), natën do ta kalonte në shtëpinë e saj në Vlorë. Dhe thuhet se, Marigo Pozio brenda natës i ka qëndisur vetëm theket e flamurit (por jo krejt flamurin), që e kishte sjellur Spiridon Ilo nga Bukureshti.


Spirodon Ilo (1878 – 1950)


Flamuri i Spiridon Ilos, që e solli nga Bukureshti.

Ndërkaq, Vangjo Ilo (djali i Spiridon Ilos) në kujtimet e tij, thotë, se: flamuri që ka sjellë i ati i tij nga Bukureshti në Vlorë, ishte i stampuar, jo i qëndisur dhe përmasa ka qenë një metër me 80 cm. Ky flamur nuk ishte i qëndisur me fije ari siç është pohuar deri më tani, por ka pasur thekë të verdha, të cilat i ka qëndisur Marigo Pozio.

* * *
Ekziston edhe një version tjetër për sjelljen e flamurit në Vlorë, e, që lidhet me emrin e Marigo Pozios. Shpeshherë në mesin e komunitetit shqiptarë që jetonë në SHBA, është përfolur se, flamuri që u ngrit në Vlorë është qëndisur në Boston të Masacusets. Për këtë çështje madje ka shkruar edhe gazeta „Dielli“ që botohet në Amerik.
Në një shkrim të Qerim Panaritit thuhet, si vijon:
“Ne e dërguam flamurin nga Bostoni në Korfuz, një vit para se të ngrihej në Vlorë nga z. Ismail Qemali (në vitin 1911). Të gjitha shpenzimet për qëndisjen, paketimin dhe dërgimin e flamurit u bënë nga shoqëria jonë Besa-Besë.“ Në vijim z.Panariti thotë se: “Detyra e mbajtësit të flamurit ju ngarkua z. Naçi Nuçi, ish mësues i gjuhës sonë shqipe në Korçë dhe më pas, pas ndalimit të shkollës, ai punoi si instruktor në një shkollë tregëtare në Korfuz dhe ndihmonte tregëtarët shqiptarë.” Z. Naçi ishte një mik i çiftit tregëtar Pozio nga Vlora të cilëve ua besoi flamurin që ta shpinin në Vlorë dhe ta mbanin fshehur derisa t’ju kërkohej nga patriotët, të cilët kishin vendosur që Shqipërinë ta ndanin nga Turqia. Flamuri ishte i tëri mëndafsh i kuq rrethuar me thekë ari dhe në mes kishte shqiponjën me dy krerë në ngjyrë të zezë. Shtiza mbajtëse qe prej bambuje dhe i lyer me ar në majën e së cilës gjendej një shqiponjë me dy koka prej fildishi…“
Për hollësi të tjera, se si Marigoja e solli flamurin në Vlorë, ka shkruar edhe shtypi në Tiranë, bazuar në rrëfimin e kryetarit të shoqërisë shqiptaro-amerikane Koli Rodhe. Aty vihet në pah se, Marigo Pozio nga Oçishti i Korçës (grua e një tregëtari vlonjat), ndonëse ato ditë ndodhej në Korfuz, në pamundësi që ta fuste një mashkull flamurin në Shqipëri (për shkak të pengesave të mëdha doganore nga autoritetet turke), këtë gjë e bëri Marigo Pozio, e cila e mbështolli brenda veshjeve të sipërme dhe e solli në Vlorë.
Si u dogjë Flamuri historik i Ismail Qemalit?
Përveç versioneve, të shpërfaqur më lartë, ekzistojnë tashmë edhe argumente tjera për flamurin historik të Vlorës. Eqrem bej Vlora, në librin e tij “Kujtime” botuar në Mynih në vitet 1968, 1973 dhe ribotuar në Tiranë në vitin 2003, shkruan se, flamuri që u ngrit më 28 Nëntor 1912 në Vlorë nga Ismail Qemali, ishte një flamur personal, pronë private e tij, që e mbante në shtëpi si kujtim, të dhuruar solemnisht në vitin 1907 në Paris, nga një prej mëtuesve të fronit mbretëror të shqipërisë, Juan Pedro Aladro Kastrioti, i cili konsideronte veten si pinjoll i familjes Kastrioti.

Eqrem bej Vlora (1885 – 1964)

………………………………….

E.Vlora tregon edhe historinë e njohjes së tij me J.P.Alandro Kastriotin dhe bashkë me të edhe episodin se cili flamur u valëvit në shtëpinë e Vlorajve, më 28 nëntor 1912.
Sipas tij, J.P.Alandro Kastrioti ishte një princ spanjoll emri i vërtetë i të cilit ishte Juan de Alandro Perez de Velasko. Ai shërbeu gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX në diplomacinë spanjolle për shume vite, si në Paris, Vjenë, Bruksel apo gjetkë. Më pas do të drejtonte në Paris një grup aksionerësh franko-spanjollë të hekurudhës së Pirenejve. Dikur në shekullin XVIII, një stërgjysh i tij kish qenë nënmbret i Napolit dhe ky fisnik spanjoll ishte martuar me Markezen Auleta të Kastriotëve të Italisë. Me një origjine të tillë, Don Alandroja e shpalli veten në fillim të viteve 1900 pretendent të fronit të Shqipërisë. Me famën që gëzonte, propagandën dhe mjetet financiare të shpenzuara prej tij, thekson Eqrem bej Vlora në “kujtimet” e tij, Alandro Kastrioti pati meritën që e bëri të njohur problemin shqiptar në qarqet politike europiane. Diku në vitin 1907, Eqrem bej Vlora, një nga kushërinjtë e afërt të Ismail Qemalit, që do të bëhej më vonë edhe njëri prej personaliteteve më të shquara të politikës shqiptare të gjysmës së parë të shekullit XX, pati fatin të vizitonte Don Alandron në Paris (Eqrem bej Vlora, “Kujtime 1885-1925”, Shtëpia e Librit e komunikimit, Tiranë 2003, f. 215). Takimin me këtë “personazh të çuditshëm” ai e përshkruan kështu: “…Don Alandro na ftoi për darkë në vilën e madhe si pallat ku na njohu me shoqërinë e lartë të pranishme. Pasi përfundoi darka një shërbëtor solli një kuti kadifeje të kuqe mbi një tabaka argjendi dhe e vendosi para Don Alandros. Ai u ngrit dhe mbajti një fjalim të bukur… dhe pastaj hapi kutinë e kadifenjtë dhe nxori prej andej një flamur shqiptar, një shqiponjë e zezë dykrenore në fushë të kuqe dhe ma dha mua…”

Juan Pedro de Aladro Kastrioti (1845-1914) dhe flamuri i tij.

Ky dokument ëshët gjetur në arkivin e Stambollit.

……………………………………

*  *  *
Pra, ky flamur u përdor, sipas Eqrem bje Vlorës, në ditën e shpalljes së Pavarësisë, më 28 nëntor 1912 në Vlorë.

Flamuri i Eqrem Bje Vlorës , që ia kishte dhuruar

Juan Pedro Aladro Kastrioti, më vitin 1909 në Paris.

……………………………………

Kësaj historie i hedhin dritë tashmë disa dokumente – letërkëmbime të vitit 1930, në mes Eqrem bej Vlorës, prefekturës së Vlorës dhe ministrisë së jashtme e të brendshme të Shqipërisë, të cilat në maj 2004 janë gjetur, në arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë.

1. Në dokumentin e parë thuhet se, në vitin 1930 qeveria shqiptare ka marrë një vendim të rëndësishëm, që flamurin e ngritur në Vlorë (më 28. XI. 1912) ta kthente në një material muzeal dhe për këtë qëllim, prefekturës së Vlorës i drejtohet me një letër zyrtare, ku i kërkohej ta gjejë atë flamur dhe ta sjellin në Tiranë për ta vendosur në Muzeun Kombëtar. Në vitin 1930 pothuaj se të gjithë protagonistët ishin gjallë, përfshirë këtu edhe Marigo Pozion.
2. Për këtë qëlllim, Prefektura e Vlorës i dërgon një letër zyrtare ministrisë së brendshme të Shqipërisë (ministër i brendshëm ishte Musa Juka) në të cilën sqaron se flamuri, që Ismail Qamali e ka ngritur në Vlorë ishte pronë private e Eqrem bej Vlorës, ashtu siç thotë edhe vet z.Vlora në kujtimet e tij. Prandaj, kjo prfekturë kërkonë nga ministria, që t’i drejtohet zyrtarisht Eqrem bej Vlorës, i cili atëkohë ishte zyrtarë i qeverisë shqiptare (mbretërisë zogiste) në Athinë.
3. Zoti Rauf Fico, ministër i jashtëm i Shqipërisë, i dërgon një letër Eqrem bej Vlorës në Athinë, ku kërkon prej tij dorëzimin e flamurit, për ta vendosur në muzeun kombëtar në Tiranë.
4. Ndërkohë, Eqrem bej Vlora, organit zyrtarë ia kthen një letërpërgjigje prej tri faqesh. Ai pasi e falënderon ministrinë e jashtme, që më në fund është kujtuar për ta kthyer flamurin historik të Vlorës, në material muzeal, me keqardhje shkruan, se ky flamur nuk ekziston më!
Në letër, z.Vlora shkruan se flamuri i ngritur në Vlorë, pas përfundimit të Kuvendit të Vlorës – më 28 Nëntor 1912, u rikthye në shtëpinë e tij dhe ka vazhduar ta mbajë atë si të shenjtë. Kur në vitin 1914 në Vlorë hynë forcat rebele të Shqipërisë së Mesme, nga frika se do ta gjenin flamurin (sepse shtëpitë e bejlerëve shqiptar që kishin orientime perëndimore u dogjën tërësisht), zonja Delvina, një grua patriote që kishte qëndruar në shtëpinë e tij, gjatë largimit nga Vlora për në Delvinë e merrë me vete edhe flamurin historik të Vlorës. Znj.Delvina gjatë tërë kohës këtë flamur e ruante me kujdes të veçantë (si sytë e ballit) së bashku me gjësendet e saja pesonale.
Në këto zhvillime dramatike, në vitin 1914, në jug të Shqipërisë, hynë forcat greke „vorio – epirote“, të cilat pretendonin bashkimin e kësaj pjese shqiptare me Greqinë. Me këtë rast sulmojnë edhe qytetin e Delvinës, dhe familja Delvina ndonëse ishte në shënjestër për t’u persekutuar, detyrohet të shpërngulet në Korfuz, duke lënë gjithçka kishin në shtëpinë e tyre. Gjatë operacioneve pushtuese, ushtria greke, pasi kishte plaçkitur, djegur e shkretuar pothuajse tërësisht Delvinën, ia vunë flakën edhe shtëpisë së delvinajve, dhe me këtë rast, së bashku me gjësendet e mbetura brenda në shtëpi u dogjë edhe flamuri historik i Ismail Qemalit.
Si përfundim
Këto dokumente arkivore, zbehin të gjitha versionet tjera që kanë të bëjnë me flamurin historik të Ismail Qemalit.

………………………………………………..

Një Flamur që është përdorur nga qeveria e Vlorës gjatë vitit 1913. Flamuri u identifikua vitin e kaluar, në bazë të raportit gjatësi e gjerësi tek flamuri objekt dhe të po këtij raporti tek flamuri që paraqitet në dy fotografi të kohës. Flamuri është realizuar në pëlhurë të leshtë, në të cilën është qëndisur nga të dyja anët shqiponja e zezë. Përqark konturohet nga një shirit me thekë bronzi. Identifikimi i këtij flamuri u realizua nga Prof.As.Dr. Frederik Stamati dhe u certifikua nga konsulta e specialistëve, e thirrur nga QSA më datë 6 janar 2012.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura