GJOKË DABAJ: Ç’PO BËHET KËSHTU ME GJUHËN SHQIPE?!(I)

Durrës, 26. 05. 2014 – Libri që kam në dorë, titullohet: “ENCIKLOPEDIA IME E MADHE E DIJEVE”. Në pjesën e poshtme të kopertinës është shkruar: “NJË ENCIKLOPEDI E ILUSTRUAR, E MBUSHUR PLOT ME FAKTE FANTASTIKE DHE ILUSTRIME MAHNITËSE”. “VËLLEZËRIT TAFA, SHTËPI BOTUESE DHE FILMIKE”. Në faqen e brendshme, titulli është ky: “LIBRI IM I MADH I DIJEVE ME PYETJE DHE PËRGJIGJE”. Është i formatit të madh, 29×22 sm, dhe ka gjithsej 144 faqe. LIBËR PËR FËMIJË, me ilustrime nga më modernët, me kopertinë, jo vetëm të ilustruar bukur, por edhe me shtresë sfungjeri brenda mbështjellëse së plastifikuar. Çmimi: 1000 lekë të rinj.
Më pëlqeu (së jashtmi) dhe u gëzova shumë atë ditë që, rastësisht, më ra në dorë ky libër. E hapa dhe fillova ta lexoj me gëzimin dhe kurreshtjen pothuaj të një fëmije. “Një vlerë e jashtzakonshme”, thashë me vete. “Ku ta gjenim ne, në fëmijërinë tonë, një libër të këtillë?!” Ndjeva mirënjohje ndaj Shtëpisë Botuese dhe Filmike të vëllezërvet Tafa.
Mirëpo, sapo i shfletova disa faqe, vendin e kureshtjes dhe kënaqësisë e zuri një keqardhje më se trishtuese: Libri ish PLOT E PËRPLOT ME GABIME, edhe drejtshkrimorë, edhe kompozicionalë, madje edhe shkencorë, në ato shkenca që përfshiheshin aty. Është një SKANDAL I SHKALLËS MË TË PATOLERUESHME. Është një NDOTJE skajisht mospërfillëse E GJUHËS SHQIPE!

Më përfshiu një shqetësim i madh. Vitet e fundit, një shumicë librash, po kanë aq shumë gabime drejtshkrimorë, sa, vetëvetiu, po na imponohet pyetja: “Ç’PO BËHET KËSHTU ME GJUHËN SHQIPE?!”
——————————-
Në vend që të merresha me studimin e ILIADËS apo të ENEIDËS, për të parë në na kumtojnë gjësend, ato kryevepra botërore, për paragjyshërit më të hershëm të shqiptarëvdet, e detyrova veten të merrem me një punë, e cila, 460 vjet pas MESHARIT, nuk duhej të ish kaq problem për ne. Ta hajë dreqi! Nuk duhej të ish kaq problem!
——————————
I kam hyrë nga faqja e parë deri te e fundit, dhe, në 144 faqet e tij, kam nxjerrë mbi 200 skeda me shënime mbi gabimet, të cilët, tashmë, nuk mund të quhen lëshime, por SHKELJE dhe PAPËRGJEGJËSI nga më të dënueshmet nga pozitat e cilitdo legjislacion mbi mbrojtjen e gjuhëvet. Aq shumë jam zhgënjyer, sa, më në fund, m’u imponua pyetja: “BOTUESIT E KËTYRE LIBRAVE, A KANË VËRTET HALLIN E EDUKIMIT PËR SË MBARI TË FAMIJËVET TANË, APO KANË MË SHUMË HALLIN E PARAVET?!” Nuk i njoh vëllezërit Tafa. Nuk di kush janë. Ata mund të jenë njerëz shumë të mirë. Mundet që ky lloj NDOTJEJE i libravet, që ata kanë publikuar, të ketë ardhur thjeshtë nga keqorganizimi. Midis morisë së libravet që botohen me të këtilla shkelje në fushë të gjuhës, mund të kisha zgjedhur një tjetër. Edhe në mediat tona elektronike shkeljet janë gjithandej të padurueshme dhe mirëflli makabre. Gjuha është nëna e kombit. Të sillesh kështu me nënën tënde, (S’ka aspak rëndësi, është një nënë e përbashkët konvencionale apo thjeshtë një nënë biologjike.), tregon një nivel moral dhe edukativ tepër të ulët. Është krim dhe krimi ndaj gjuhës është më i rëndi që mund t’u bëhet kombit dhe atdheut, dmth, vetëvetes. Mjafton të gjykojmë pak më kthjellët, fare pak më kthjellët, se ç’mund të gjykojë një injorant nga më të rëndomtit: Puna kryesore e çdo kombi pushtues, a është, ta SHËMTOJË e pastaj ta ASGJËSOJË gjuhën e kombit të pushtuar?! Po një komb, që s’është i pushtuar, a ka edhe ai detyrë ta SHËMTOJË e ta ASGJËSOJË gjuhën e vet, sikur ajo gjuhë të mos ish e tija?!
Nxitur prej një të këtillë zemërimi dhe indinjate, që shpresoj të mos jenë zemërim e indinjatë vetëm e një personi, po bëj tani një pasqyrim të NDOTJEVET më të dukshme të gjuhës shqipe në këtë libër.
————————————
1. SHKELJET NË PËRDORIMIN E PRESJES
Pa pretenduar se i kam evidentuar që të gjitha shkeljet në përdorimin e presjes, këtu po më dalin plot 134 raste, ku, ose është përdorur presja pa vend, ose nuk është vënë presja atje ku duhej vënë. Po mjaftohem vetëm me 4 a 5 shembuj:
“Zjarret në shpërthimin e tyre të ndonjëhershëm shkaktojnë nxehtësi dhe flakë të çmendura.” (F.139) Duke mos u marrë tani me anën kuptimore, fjalia duhej shkruar kështu: “Zjarret, (presje) në shpërthimin e tyre të ndonjëhershëm, (presje) shkaktojnë nxehtësi dhe flakë të çmendura.”
“Stuhi e thatë, është ajo që ka vetëtima pa rënë shira.” (F.139) Midis ndajemrit “e thatë” dhe foljes “është” nuk duhet presje. Nuk po meremi me formulimin dhe përmbajtjen kuptimore të tekstit.
“Samuel Morsi përcaktoi një kod të veçantë për telegrafin i cili u mundësonte njerëzve të përcillnin mesazhe në largësi të mëdha, nëpërmjet sinjaleve elektrike.” (F.135) Duhet presje para përemrit lidhor “i cili”, nuk duhet presje pas ndajemrit “të mëdha”.
“Hëna edhe pse ka një madhësi të konsiderueshme nuk cilësohet planet.” (F.131) Duhet kështu: “Hëna, (presje) edhe pse ka një madhësi të konsiderueshme, (presje) nuk cilësohet planet.”
“Zogjtë janë, të vetmit vertebrorë me pendë.” (F.125). Nuk duhet presje pas foljes “janë”.
Me 134 shkelje të këtilla, një libër prej 144 faqesh, duhej çuar në karton.
Në mesjetë, kopjuesit e vepravet, nëse gabonin qoftë edhe me 1 presje, ndëshkoheshin rëndë, deri me vdekje. Psh., për kopjuesit e “VULGATËS”, vepër përkthimore e Shën Jeronim Eusebit, thuhet kështu: “Në kohën e mesme, secila presje, në versionin e Jeronimit, ishte aq e rëndësishme dhe e shenjtë, sa, (për mosvënien e saj, apo për vënien gabim), kanë shkuar shumë koka njerëzish.” (Krahaso: H.Koliqi, “Historia e pedagogjisë botërore”, I, f.103)
Rastet ku ka mospërdorim të presjes, atje ku duhej përdorur, ose përdorim, atje ku nuk duhej përdorur: Faqe 4 (1 rast), 5(5 raste), 8(1 rast), 9(1 rast), 11(3 raste), 15(2raste), 16(2 raste), 17(1 rast), 18(3 raste), 25(1 rast), 27(2 raste), 29(2 raste), 31(2 raste), 32(1 rast), 34(1 rast), 35(1 rast), 38(2 raste), 39(1 rast), 41(1 rast), 43(1 rast), 44(3 raste), 45(1 rast), 46(1 rast), 48(1 rast), 49(1 rast), 50(2 raste), 51(3 raste), 52(1 rast), 53(4 raste), 55(1 rast), 56(1 rast), 59(2 raste), 60(2 raste), 61(1 rast), 62(2 raste), 63(1 rast), 64(1 rast), 65(1 rast), 67(3 raste), 73(4 raste), 78(2 raste), 81(1 rast), 88(1 rast), 89(1 rast), 90(1 rast), 92(1 rast), 93(2 raste), 94(1 rast), 95(2 raste), 97(1 rast), 98(1 rast), 99(2 raste), 102(1 rast), 107(1 rast), 108(1 rast), 109(3 raste), 111(1 rast), 114(1 rast), 116(1 rast), 118(1 rast), 121(3 raste), 122(5 raste), 123(1 rast), 124(3 raste), 125(2 raste), 126(2 raste), 127(1 rast), 129(2 raste), 131(1 rast), 132(3 raste), 135(1 rast), 136(3 raste), 138(1 rast), 139(4 raste), 141(2 raste), 142(1 rast), 144(3 raste). Gjithsej, 134 gabime në vendosjen ose mosvendosjen e presjes. Nëse do t’i hyjmë edhe njëherë verifikimit, ka mundësi të na dalin edhe më shumë.
Megjithkëtë, unë nuk po them që, botuesvet, redaktorëvet dhe korrektorëvet të këtij libri, t’u hiqen kokat, por po them që, vetëm për shkak të presjevet, ky libër duhej të shkonte në karton dhe botuesit e tij të detyroheshin për ta ribotuar pa të këtillë gabime.
Do pranuar edhe fakti që, në rregullat tona të drejtshkrimit, ka ndonjë lëkundje në lidhje me përdorimin e presjes, megjithatë, shkeljet flagrante nuk duhen toleruar kurrsesi. Do pranuar edhe fakti që, sado të mundohemi për t’i zbatuar rregullat, askush nuk mund të mburret se nuk bën gabime. Mirëpo, kjo kurrsesi nuk do të thotë që t’u hapim derën shkeljevet.
2. GABIMET NË ASPEKTIN KUPTIMOR
Krejt ky libër është i mbushur me fjalë, me terma, që nuk i përshtaten aspak moshës së fëmijëvet. Edhe në disa raste, ku tentohet për t’iu përshtatur gjuhës së fëmijëvet, kjo bëhet pa kurrfarë profesionalizmi. Psh., shprehja “Shkopi magjik”, është përdorur pothuaj në të gjithë fundet e kapitujvet, por askund nuk duket se ka farë lidhjeje me kuptimin e mirëfilltë kësaj shprehjeje. Ose shprehja “E fshehta!”, lloj testi, përdorur, gjithkështu, në shumicën e fundfaqevet, shpeshherë, në mos rendom, nuk përbën kurrfarë “të fshehte”.
Unë nuk u mora aq sa duhej me këtë anë tepër të keqe të këtij libri, sepse, po t’i hyhej kësaj pune, punës së kuptimit të fjalëvet dhe shprehjevet, apo edhe ndërtimit sintaksor të fjalivet, do të më duhej të shkruaja një tjetër libër, në formën e analizës leksiko-semantike. Megjithkëtë, po i sjell këtu disa shembuj:
1.“Truri, kolona vertebrore dhe nervat formojnë sistemin nervor”. (f.21) Duhet: “Truri, palca kurrizore dhe nervat”, sepse “kolona vertebrore” nënkupton edhe unazat kurrizore, që bëjnë pjesë te skeleti e jo te sistemi nervor.
2.“Qytetërimi i lashtë kinez është një nga qytetërimet më të vjetër të botës”. (f.23) Sinonimet “i lashtë” dhe “i vjetër” e çrregullojnë fjalinë. Duhej thënë: “Qytetërimi kinez është një nga qytetërimet më të vjetër të botës.”
3.“(Qytetërimi i lashtë kinez) është ushtruar nga dinasti të tilla si Xia, Shang etj.” (f.23) A mund të thuhet “është USHTRUAR qytetërimi”? A USHTROHET qytetërimi?!
4.“Kur ne thithim ajrin, diafragma shtyhet poshtë dhe në hapësirën e krijuar, mëlçia zgjerohet si një çift tullumbacesh.” (f.34) Është MUSHKËRI e jo MËLÇI. Mëlçia është tjetër organ dhe ndodhet poshtë diafragmës, në krahun e djathtë. Vërtet ndodh ndonjëherë që në popull të përdoret shprehja “mëlçia e bardhë” për mushkërinë, por shkencërisht mushkëria nuk quhet mëlçi. Në faqen 35, i njëjti organ është quajtur “mushkëri” dhe kjo e ngatërron edhe më keq mendjen e fëmijës.
5.“Kalçiumi është minerali që gjendet me shumicë në trupin tonë.” (f.37) Kalciumi nuk është mineral. Ai është element kimik dhe metal.
6.“Anestezia frymore kryhet nëpërmjet disa lloje gazrash.” (f.38) Është më drejt të thuhet: “me anë të disa lloje gazrash”.
7.“Anestezia e përgjithshme kryhet nëpërmjet frymëmarrjes ose nëpërmjet injektimit në vena.” (f.38) Duhet thënë: ”Anestezia e përgjithshme kryhet nëpërmjet frymëmarrjes ose me anë të injektimit në vena”.
8.“Anestezia e vendos personin në gjumë.” (f.38) Duhet thënë: “Anestazia e vë pacientin në gjumë”. Madje, do parë: A është e përshtatshme fjala “gjumë”?
9.“Personi që kryen operacionin… qëndron zgjuar gjatë kryerjes së operacionit”. (f.38) Duhet thënë: “Pacienti… qëndron zgjuar”. Sepse “personi që kryen operacionin”, është MJEKU. Ai nuk ka si të mos qëndrojë zgjuar gjatë kryerjes së operacionit.
10.“Ekzistojnë rreth 5000 gjuhë të ndryshme, duke përfshirë edhe dialektet”. (f.40) Dialektet nuk janë gjuhë. Janë variante gjuhësh. Prandaj do të ish më saktë të thuhej: “Duke përfshirë edhe disa dialekte, të cilët cilësohen edhe si gjuhë më vete”. Ka shumë rëndësi t’u krijohen fëmijëvet koncepte të saktë që në fillim, sepse më vonë është vështirë të bëhen riparime. Gegërishtja nuk është gjuhë. Është variantiI një gjuhe. Toskërishtja nuk është gjuhë. Është veriant i një gjuhe.
11.“Njihen 18 grupe gjuhësh, ndër të cilët bëjnë pjesë grupe të tilla si ai i gjuhëve indo-europiane, i gjuhëve sllave, gjermanike, keltike, italike, etj.” (f.40) Ky është njëri ndër formulimet e shumtë SKANDALOZË që ka ky libër. Del sikur gjuhët sllave, gjermanike, keltike, italike, nuk janë gjuhë indo-evropiane!
12.“Grupi i gjuhëve indo-europiane, është grupimi i gjuhëve që shtrihen e përdoren sot në pjesën më të madhe të botës, kryesisht në Evropë dhe në Azi.” (f.40) Janë lënë pa u përmendur Amerika Veriore dhe Amerika Jugore, 2 kontinentet ku gjuhët indo-evropiane janë zotëruese, ndërsa për Azinë fjala KRYESISHT krijon keqkuptim, sepse në atë kontinent shumica e popujvet përdorin gjuhë të tjera. Nuk përdorin gjuhë indo-evropiane.
13.“e që përdoren nga rreth tre miliard folësa amtarë të gjuhës”. (f.40) Shprehja “folësa amtarë të gjuhës” nuk është në natyrën e gjuhës shqipe, por nuk besoj të jetë as në natyrën e ndonjë gjuhe tjetër. Fjala “miliard” duhet me ë në fund, sepse është në shumë: “miliardë”.
14. Në faqet 40-41 është vendosur një hartë me diçiturën “Gjuhët e ndryshme të botës”. Janë shënuar, jo shqip, por anglisht, (English, English, Danish, German, Frensh, Spanish, Italian, Greek, Russian, Arabic, Hindi, Chinese, Korean, Japanese, Thai, Indonesian), vetëm 16 emërtime gjuhësh dhe, në pikëpamje hapësinore, aspak korrektë. Kanadaja, Amerika Qendrore, Amerika Jugore, Afrika, Gadishulli Arabik dhe Australia, i kanë të përcaktuat shtetet, me ngjyra, por nuk kanë të shënuar as edhe një gjuhë. Më shumë 2 të tretat e botës janë memece. Ku mund të jetë marrë ky lloj atlasi?!
15.“ka numrin më të madh të pasagjerëve ndërkombëtarë”. (f.43) Shprehja “pasagjerëve ndërkombëtarë” është e papërshtatshme. Ka aeroporte ndërkombëtarë, por jo pasagjerë ndërkombëtarë.
16.“ngritja e gardheve të dëborës” (f.51) shprehja “gardheve të dëborës” nuk ka kuptim. Gardhi është, zakonisht, një thurimë prej thuprash. Ka edhe disa përdorime të figurshëm, por kurrsesi nuk mund të thuhet “gardh dëbore”.
17.“mund të shkaktojë shkarje dheu të cilat rrëzohen vrullshëm” (f.52) Del sikur shkarjet rrëzohen.
18.“rreth vitit 1150 para erës sonë, Greqia njohu rënie në arkitekturë, në letërsi dhe në fusha të tjera.” (f.62) Para asaj “rënieje” ç’letërsi të Greqisë njohim?! Madje, ç’kulturë greke njihet në vitet 1150 para erës sonë e më heret?! Është, pra, një pasaktësi shkencore në lëmin e historisë, e cila e çorienton fëmijën që në hapat e parë të arsimimit të tij.
19.“Homeri, poet i madh i verbër, mendohet se ka shkruar ‘Iliadën’ dhe ‘Odisenë’… diku në vitet 700 para erës sonë.” (f.62) Si mund të “SHKRUANTE” Homeri “I VERBËR”?! Nuk po dua të hyj fare në debate të mëtejshëm lidhur me këtë problem. Mjafton vetëm kjo pyetje: “Si mund të shkruante një njeri i verbër në shekujt VII-VIII para erës sonë?!”
20.“komedia filloi të vihej në skenë në vitin 486 të erës sonë” (f.63) Lajthitje në kohë, e pakta për 972 vjet.
21.“Lufta guerrile… është përdorur në lindje dhe në juglindje të Azisë”. (f.64) Po në Evropë dhe në Amerikën Latine, a nuk është praktikuar lufta guerrile?!
22.“Vikingët… në periudhën e viteve 800 deri 1100… sundonin në të gjithë europën”. (f.66) A “sundonin” vikingët edhe në Itali, Greqi apo Bullgari?! Veç kësaj, emri i përveçëm i Evropës është shkruar me e të vogël dhe me u, jo me v.
23.“Kulla e Londrës u deklarua në mbrojtjen e UNESKO-s si vlerë e trashëguar botërore.” (f.71) Deformim i gjuhës shqipe në lidhjen e fjalëvet në fjali, pra, deformim në sintaksë e, rrjedhimisht, edhe në semantikë.
24.“(në Nju Jork Siti) ndërtesa perandorake shtetërore…” (f.72) A ka në Njujork “ndërtesë perandorake”, aq më tepër, “shtetërore”?
25.“Perëndia u ka falur atyre disa të Drejta”, “Dhuratë nga Perendia e nga askush tjetër.” (f.73) Fëmijëvet, që edukohen në shkolla laike, nuk mund t’u flitet kështu.
26.“Kur mbahet festa e domateve?” (f.78) Duhet thënë: “Kur festohet Festa e Domatevet?” Ose disi ndryshe, por jo “mbahet”. Mbahen kreshmet, mbahet ramazani, ndërsa festat nuk mbahen, por festohen.
27.Tani kemi një të atillë “SHAKA”, prej së cilës kurrsesi nuk mund të qeshet: “Kur vdiq tigri i fundit Tasmanian?”, “Tigri i fundit…vdiq në kopshtin zoologjik ‘Hobart Zoo’.”, “Kur vdiq breshka më e moshuar e botës?”, “maçoku… Oskar… vdiq në vitin 1955.” (f.86) Idenë, mendimin, kuptimin, që kafshët nuk NGORDHIN, por “VDESIN”, siç vdes njeriu, e gjejmë edhe në faqe të tjera: “e përdredhin gjahun duke e shtërnguar gjer në vdekje.” (f.93) “Një pjesë e gjallesave detare vdesin nga helmimi.” (f.122) “Mbi 300 000 zogj deti… vdesin çdo vit” (f.122) Madje nuk “VDESIN” vetëm kafshët, por edhe objektet inorganikë: “Ç’bëhen yjet kur vdesin?” (f.111) Të mos kish asnjë shkelje tjetër në këtë libër, do të mjaftonte vetëm kjo, për të bërtitur: “Ç’PO BËHET KËSHTU ME GJUHËN SHQIPE?!”
28.“Kjo kafkë i përket stërgjyshit të njeriut të hershëm modern” (f.90) “njeriu i hershëm modern i Kro Manjonit” (f.91) “Modern” do të thotë “i kohës sonë”. “I hershëm” do të thotë që s’është i kohës sonë. Cilës prej këtyre 2 fjalëve t’i besojmë?! Pra, nuk mund të thuhet: “njeriu i hershëm modern”.
29.“Në Azinë Jugperendimore, kryesisht në Mesopotaminë e lashtë dhe në Egjipt…” (f.91) E para: Meqë Mesopotamia u gjendka “në Azinë Jugperendimore”, po India në ç’ pjesë Azisë gjendet? E dyta: Del sikur edhe Egjipti është në Azi, madje “në Azinë Jugperendimore”.
30.“njerëzit e epokës së gurit ishin nomadë” (91) Emërtimi “nomadë” vërtet ka kuptimin e të shtegtuarit, por ai lidhet kryesisht me blegtorët. Në epokën e gurit njerëzit nuk kanë qenë blegtorë, sepse atëherë kafshët ende nuk ishin zbutur. Të paktën nuk ishin zbutur në atë shkallë, sa të krijoheshin tufa dhe të bëheshin shkak që të zotërit e tyre të quheshin “nomadë”.
31.“motori me avull” (f.96) Thuhet “makina me avull” e jo “motori me avull”.
32.“qendra ndërkombëtare e zhvillimit të pambukut” (f.97) Thuhet: ”e përpunimit të pambukut”.
33.“makineritë e përpunimit të endjes” (f.97) S’ka kuptim. Endja nuk përpunohet.
34.“Ku shtrihen pjesa më e madhe e asteroideve?” (f.111) Duhet: “Ku shtrihet”.
35.“Secila nga këto galaksi janë të formuara…” (f.111) Duhet: “është e formuar”.
36.“Pellgu lumor i Amazonës… duke përshkruar të gjithë jugun e Amerikës Veriore…” (f.113) Formën “përshkruar”, në vend të formës “përshkuar”, po e zëmë si gabim kompjuterik. Por, duke e çuar pellgun e Amazonës në pjesën jugore të Amerikës së Veriut, autori dëshmon se nuk e njeh gjeografinë e botës. Ç’kusur ka fëmija të ngatërrohet me shokët, duke ngulur këmbë që pellgu i Amazonës gjendet në Amerikën Veriore?!
37.“Kontinenti i Afrikës shkon drejt Evropës… Kjo do të çojë në krijimin e një kontinenti Afro-Aziatik.” (f.113) E para: Lëvizja, zhvendosja e Afrikës, a bëhet me milimetra apo me kilometra?! Sepse fëmija, me këtë lloj formulimi, mund të mendojë që krijimi i atij kontinenti afro-aziatik do të ndodhë nesër apo pasnesër. E dyta: Po me Evropën ç’do të bëhet, kur, nga kjo shkuarje “drejt Evropës” u krijoka “kontinenti Afro-Aziatik”?! E treta: Ndajemri “Afro-Aziatik” shkruhet me të vogla: “afro-aziatik”.
38.“Ligatinat janë moçalishte të gjëra në jug të Kalifornisë në SHBA.” (f.114) Del sikur vetëm atje ka ligatina. Shihet që teksti është përkthyer nga varianti amerikan i anglishtes, mirëpo, përkthimi është bërë aq keq, sa ne çuditemi: Si ka guxuar ai “përkthyes” ta nxjerrë në publik një të këtillë punë fillestari?! Ka guxuar, sepse e ka ditur që nuk do të përgjigjet para askujt. Ka guxuar, sepse shteti, të paktën deri tani, është kujdesur për pastërtinë e gjuhës shqipe, po aq sa ç’është kujdesur për pastërtinë e lumenjvet.
39.“Muri i madh kinez shtrihet përgjatë bregut lindor të Kinës Veriore në një largësi të madhe me Azinë Qendrore.” (f.116) Nuk shtrihet “përgjatë bregut lindor të Kinës veriore”, ndërsa kumti “në një largësi të madhe me Azinë Qendrore”, nuk përbën kurrfarë informacioni.
40.“(Rrënjët e bimëve) sigurojnë qëndrueshmërinë e bimës me tokën” (f.118) E lexoj këtë fjali dhe nuk di ç’të them. Nuk është në natyrën e shqipes, por nuk qëndron as logjikisht. Ç’do me thënë: “qëndrueshmërinë me tokën”?!
41.“(Domatet) janë fruta e jo perime… sepse ato përmbajnë fara dhe tul të butë të lëngëzuar në kokrrat e tyre.” (f.120) Fryti i domates, pa dyshim, bën pjesë në grupin e perimevet. Ndërkaq, emërtimi në shumës “fruta” në shqip ka kuptimin e pemëvet të ndryshme. Unë nuk e kuptoj: Pse u hyn autori të këtillë “debateve”, sidomos në një libër për fëmijë, kur e di edhe vetë (S’ka si të mos e dijë!) që ka shumë boshllëqe në formimin e vet?!
42.“Toka nganjëherë na trondit me përmbytjet, tornado, tërmetet, shpërthimet vullkanike dhe tsunamet.Këto fenomene ndodhin për shkak të ndryshimeve të gjendjeve në koren e Tokës” (f.137) Qëllimi është i mirë (ashtu si dua të besoj që krejt qëllimi i botimit të këtij libri është i mirë), por formulimi i tekstit sjell keqkuptime, sepse del që edhe përmbytjet e tornadot ndodhin “për shkak të ndryshimeve të gjendjeve në koren e Tokës”.
3. SI LEXOHEN FJALËT E HUAJA?!
Në radhë të parë, shtrohet pyetja: Si i lexojnë fjalët e huaja fëmijët shqiptarë, të cilët, në këtë moshë, në shumicën e tyre, mezi lexojnë edhe shqip? Së dyti: Si duhen shkruar në gjuhën shqipe këto fjalë të huaja, kryesisht emra të përveçëm? Nëse i mbahemi parimit që emrat e huaj duhet të shkruhen në origjinal, pse nuk janë shkruar me alfabetin lashtogrek, psh., emrat Pitagora, Athina etj?! Pse nuk është shkruar me alfabetin rus emri Jurij Gagarin?! Pse nuk është shkruar në original, në gjuhën kineze dhe me shkrimin kinez, emri i Kinës?!
Fëmijët, natyrisht, as që mund t’i lexojnë këta emra, le më t’i harmonizojnë me tekstin shqip. As ata fëmijë që mësojnë një gjuhë të huaj qysh në klasë të parë, nuk mund t’i shijojnë format, në të cilat janë paraqitur këta emra në këtë libër.
Dhe jo vetëm në këtë libër, sepse duhet thënë që kjo është një rendje e pamend për ta bërë gjuhën shqipe të PALEXUESHME sa më shumë të jetë e mundur.
Unë po i rendit këtu një pjesë të rastevet dhe le të gjykojmë: Duhet apo s’duhet të çohet në karton ky libër, duke e detyruar botuesin ta ribotojë, me shpenzimet e vet, në formën që e kanë përcaktuar me kohë rregullat e drejtashkrimit të gjuhës sonë?!
Është shkruar: “subcutis” (f.18), “Richard Trevithich” (f.32), “Charles Babbage” (f.32), “John Logie Baird” (f.33), “John Harrington” (f.33), “Karl Candsteiner” (f.39), “Airbasi” (f.43), “Aeroporti Heathrow” (f.43), “në jahtin luksoz ‘Annalisse’”, pak më poshtë: “Annaliesse” (f.43), “Mauricie Collins” (f.47), “(lumi) Chenab” (f.59), “Charles Masson” (f.59), “Alexander Cunningham” (f.59), “John Hubert Marshall” (f.59), “Ravi dhe Kot Dijian” (f.59), “pranë Actiumit të Greqisë” (f.61), “Esquiline dhe Caelian” (f.61), “Tactius Cornelius” (f.61), “Achaicus goditën Korinthin” (f.62), “Achaea” (f.62), “Edward Teach” (f.67), “Robert Maynard” (f.67), “Manheim” (f.68), “Gottlieb Daimler” (f.68), “Joseph” (f.69), “Tenzin Gyatso” (f.70), “Disneyland” (f.72), “Yelawstone” (f.72), “Gregory Jonsoun” (f.72), “Ivory Coast” (f.76), “Neuschwanstein” (f.78), “Disneylandit” (f.78), “Stounehenxhi”, por edhe: “Stonehenge” (f.78), “Salisburg Plain” (f.78), “Channel Tunnel” (f.79), “Parthenoni”, por edhe: “Partenoni” (f.79), “Ajres Roch” (f.80), “Henry Ayres” (f.80), “Canberras Commonwealth Park” (f.81), “Blaxland” (f.81), “Wentworth” (f.81), “Lawson” (f.81), “Lamaire” (f.82), “De Gerlache” (f.82), “Charles Lemaire” (f.82), “Thylacine” (f.86).
Tani po më dhemb koka. Më duhet të pushoj, që të mund ta përballoj krejt këtë katrahurë. Po me fëmijët ç’bëhet, kur u ofrohen të këtilla “ENCIKLOPEDIRA” të bëra lëmsh në këtë farë feje?!
“HMS Cossak” (f.86), “HMS Ark Royal” (f.86), “Bristlecone” (f.86), “Methuselah” (f.86), “Archaefructus sinensis” (f.87), “Mimosa Pudica” (f.87), “Jagdish Chandra Bose” (f.87), “Kavu Chauvet Cave” (f.90), “Les Eyzies” (f.91), “Charlemagne” (E ka edhe: “Çarleman”) (f.94), “William” (f.95), ”Filippo Brunelleschi” (f.97), “Leon Battista Alberti” (f.97), “Manchester” (f.97), “Humphry Davy” (f.98), “Josephine Cochrane” (f98), “Illinis” (f.98), “Rene Laennec” (f.98), “Willis Carrier” (f.99), “Luther Simjian” (f.99), “New York” (f.99), “Robert Gilbert Bannister” (f.102), “Sarfield Sobers” (f.102), “Tiger Woods” (f.102), “Eldrick Tieger Woods” (f.102), “Harry Potter” (f.103), “Watson” (f.104), “Crich” (f.104), “Kristian Nethling Barnard” (f.105), “Christiaan Neethhling Barnard” (f.105)
I njëjti emër është dhënë në 2 forma të ndryshme. Fëmija i ynë nuk di t’i lexojë, as varianitn e parë, as të dytin.
“Huygens” (f.108), “WILD 2” (f.108), “Kometa Wild 2 comet” (f.108), “Mars Pathfinderi” (f.108), “Ares Vallis” (f.108), “Sojourner” (f.108), “Voyager 2” (f.109), “Groenlanda” (f.112), “Golden Gate” (f.116), “Angkor Wat” (f.117), “Olympus Mons” (f.130), “John Logie Baird” Pak më poshtë: “Xhon Loxhi Bërd”, ashtu si duhet. (f.132), “George Eastman” (f.133).
A e shohin prindët një të këtillë gjymtim intelektual të fëmijëvet të vet, apo tërhiqen nga ngjyrat e bukura dhe s’shikojnë më tutje?! Po mësuesit, a e shikojnë këtë lloj helmi arsimor e kulturor, me sy mësuesi, apo as ata s’duan t’ia dinë?!
“Wilhelm Konrad von Roentgen” (f.133), “Forca Corilis” (f.137), “Charles Richter” (f.137), “Taj Mahal” (f.142), “Ayres Roch” (f.143).
Organet shtetërorë janë të detyruar të nxjerrin ligje me SANKSIONE, me DËNIME, kur është fjala për shkelje kaq flagrante në trajtimin e gjuhës së kombit tonë. E thashë edhe më parë: Nuk është vetëm ky libër, ai që ka bërë hatanë. Shkelje të këtilla hasen gjithandej e ditë për ditë, në të gjithë librat, në të gjitha faqet e gazetavet dhe në shumicën e titravet nëpër ekrane.

VIJON…

________________________________________
GJOKË DABAJ: Ç’PO BËHET KËSHTU ME GJUHËN SHQIPE?!(II)
HAPE: https://pashtriku.org/?kat=47&shkrimi=2819

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura