GJOKË DABAJ: EMRI I KRANJËS, A ËSHTË SQARUAR PËRUNDIMISHT?(I)

(Durrës, 20. 06. 2012) – Të shpjeguarit e emrit të KRÂNJËS nga ana jonë bën pjesë në një ndërmendje tonën shumë të gjërë lidhur me detyrat që u dalin ballkanologëvet të sh. XXI për të rishikuar që nga themelet krejt ballkanologjinë e derisotme. (Natyrisht, pa hedhur poshtë të arriturat, pa të cilat as që do të numd të mendohej kurrfarë përparimi apo rishikimi.)
Në rastin tonë, emri i KRÂNJËS, ashtu si edhe qindra fjalë të tjera të shqipes, duke thënë se vjen nga gjuha starosllave (lashtosllave), është shpjeguar gabim. Nuk është mbajtur parasysh që starosllavishtja, në krejt hapësirën e këtij gadishulli, po edhe në përgjithësi, është një gjuhë shumë më e re se iliro-arbërishtja. Starosllavishtja e dokumentuar, në të cilën parapëlqejnë të mbështeten etimologët, i takon e shumta shekullit IX të erës sonë apo madje edhe shekujvet XI e XII. Ndërkaq, harrohet që iliro-arbërishtja është e dokumentuar, sado varfërisht dhe tërthorazi, e pakta 13 shekuj më parë. Psh. fjalët ilire i bardhë, dele (delme), dardhë, me ulë, i shpejtë, me ikë etj.etj. janë dokumentuar e pakta 13 shekuj, por disa arrijnë edhe 20 shekuj, më parë se starosllavishtja.
Është pohuar pathellueshmërisht që sllavët kanë prurë këtu në Gadishullin e Ilirikut një kulturë të formësuar, madje më të kompletuar se sa kultura e vetë lashtovendësvet. Psh. është thënë që kulturën e punimit të tokës dhe krejt bujqësinë e kanë prurë sllavët në këta vise, ndërsa iliro-arbërit mezi kanë mundur t’u japin të ardhurvet vetëm elementë të zejes së blegtorisë. Është lënë mënjanë fakti lehtësisht i njohshëm që, kur janë vendosur sllavët këtu, e duhet ditur që nuk janë vendosur me dhunë, por me dekret perandorak, ilirët kanë pasur një përvojë shtetërore njëmijëvjeçare, me mbi 50 mbretër lënë mbrapa dhe me mbi një duzinë perandorësh. Është harruar që, kur kanë ardhur sllavët këtu, në truallin e Ilirisë, përfshirë edhe Maqedoninë Antike, për të cilën dihet që nuk ka qenë greke, kanë pasë lulëzuar përmbi 300 qytete. Përmbi 300 qytete që i dimë me emra, pa përfshirë aty fortesat e dorës së tretë, që ishin edhe më të shumta.

GADISHULLI ILIRIK.

________________________________

Shtrohet tani pyetja: Çfarë mund t’i kenë dhënë sllavët kulturës iliro-arbërore, sidomos në 3 shekujt e parë të jetesës së tyre në këta vise, duke mos pasur shtetet e vet? Një përgjigje krahasuese mund të jetë edhe kjo: Aq sa i japin sot turqit kulturës gjermane, aq sa i japin algjerianët kulturës franceze dhe aq sa i japin marokenët kulturës italiane. E nëse shtyhemi më tutje në fushë të krahasimevet e të analogjisë, do të mund të themi edhe kështu: Mbi kulturën gjermane do të mund të ndikojnë efektivisht turqit vetëm atëherë kur ata të kenë arritur të marrin pushtetin në Gjermani. Mbi kulturën franceze do të mund të ndikojnë efektivisht algjerianët vetëm arëherë kur ata të kenë arritur të marrin pushtetin në Francë. Mbi kulturën italiane do të mund të ndikojnë efektivisht marokenët, dhe t’ia kthejnë Italisë si të vetën atë kulturë që dikur e kanë marrë prej vetë italianëvet, vetëm atëherë kur ata do të kenë marrë në dorë shtetin në Itali.
Duam të themi: Sllavët mundën të ndikojnë efektivisht, e sidomos në pjesët qendrore e lindore edhe dhunshëm, mbi kulturën iliro-arbërore vetëm atëherë kur ata arritën të krijojnë shtetet e vet në hapësitrat e këtij gadishulli. E kjo do të thotë, ata arritën të ndikojnë mbi kulturën e lashtovendësvet vetëm nga shekulli IX e këndej. Madje, duhet të themi edhe këtë: Kur sllavët krijuan shtetet e vet këtu, si dhe kur krijuan shkrimin e vet, që e morën po këtu, filluan t’ua rikthejnë lashtovendësvet shumë elementë të kulturës, duke i konsideruar si të tyret që në zanafillë.
Nisur prej një të këtillë gjykimi historik, ne kemi mbrojtur e mbrojmë tezën që sllavët, së paku në 3 shekujt e parë të të jetuarit në këto hapësira, vetëm kanë marrë kulturë, pasojisht edhe gjuhë, prej banorëvet të lashtë të këtij gadishulli, ndërsa u kanë dhënë këtyre popujve fare pak nga kultura e tyre e vjetër, për të cilën dihet se ka qenë një kulturë aq primitive, sa ata nuk mundnin as për të kaluar Savën e Danubin, pa komandën organizative të avarëvet. Nuk e kemi këtu synimin as për të denigruar as për të nënvleftësuar, por duam thjeshtë të tërheqim vëmendjen te të tilla të vërteta historike, pa të cilat nuk është e mundur të bëhet shkenca.
Në vazhdim të po këtij gjykimi, ne kemi mbrojtur tezën që, jo vetëm sllavët e jugut, por edhe ata të lindjes dhe të perendimit, kanë marrë kulturë, përfshirë aty edhe elementë të rëndësishëm të gjuhës, prej Europës së Moçme, përfshirë aty fuqimisht dhe veçanërisht Gadishullin e Ilirikut. Sidomos sllavët e Lindjes i kanë marrë prej Gadishullit të Ilirikut: Kulturën dhe gjuhën latine, e cila për shumë kohë vazhdoi të jetë gjuhë zyrtare e kishtare në këto anë, kulturën dhe gjuhën greke, e cila përfaqësohej nga gjuha zyrtare tashmë e vendosur në shtetin e Bizantit si dhe në Kishën Lindore, kulturën dhe gjuhën iliro-arbërore, e cila përdorej në popull në një hapësirë shumë të madhe, qysh prej Triestes deri në Nikopol (Prevezë) dhe qysh prej Singidunit deri në Selanik e Konstantinopol, kulturën dhe gjuhën rumune, si atë të dakëvet të vjetër, ashtu edhe të dakëvet tashmë të romanizuar, madje edhe kulturën dhe gjuhën e thrakëvet dhe të maqedonëvet antikë. Nëse nuk shikohen gjërat kështu, asnjëherë nuk do të mund të vihen në këmbë të shëndosha të shkencës, as ballkanologjia e as sllavistika.
Tani po e trajtojmë emrin e KRÂNJËS ashtu si na e kanë sugjeruar tezat tona të mësipërme. Pra, në një kuadër historik real dhe pa u ngutur për të thënë gjëra të pambështetura.
Emri i përveçëm KRÂNJË, me tingullin NJ dhe me  hundore para Nj-së, formë kjo më e vjetër, e cila përdoret edhe sot ndër shestanas dhe ndër kranjanë të moçëm, emri KRÂJË, me tingullin J në vend të NJ-së, por prapë me  hundore, formë të cilën e përdorin Shkodra dhe të tjerë, emri KRAJINA, që e përdorin sllavët, jo vetëm për këtë trevë, por për shumë treva të tjera, vijnë prej emrash të përgjithshëm, pra prej apelativash. Prandaj ne do të flasim në fillim pikërisht për 2 emra të përgjithshëm, 2 apelativa të 2 gjuhëve tona.
Në shqip është emri i përgjithshëm, pra apelativi KRAH. Domethënia fillestare e tija është: pjesë anësore, gjymtyrë anësore e trupit të njeriut, nga supi deri te dora. Secili njeri pa të meta trupore ka 2 KRAHË, të djathtin e të majtin. Në këtë kuptim kemi shprehjet: Me KRAHËT hapur, në një KRAH, kockat e KRAHUT ose kockat e KRAHËVET, me shtri KRAHUN ose me shtri KRAHËT, me kryqëzue KRAHËT, me lëvizë KRAHUN ose KRAHËT, me thye KRAHUN, me zânë për KRAHU. Të lumshin KRAHËT! T’u thafshin KRAHËT!
Në shqip me KRAH kuptojmë edhe pjesën e sipërme të shpinës: Me thes në KRAH, me pushkë në KRAH, me bajtë dru në KRAH, me ngarkue buljerën në KRAH. Kuptojmë 2 gjymtyrët e sipërme të shpendëvet, të insektevet dhe të ndonjë gjitari që fluturon: KRAHËT e zogut, KRAHËT e pulës, KRAHËT e mizës, KRAHËT e bletës, KRAHËT e lakuriqit të natës, puplat e KRAHËVET.
Së këndejmi dalin edhe kuptimet, të themi, gjysmë të figurshëm të po kësaj fjale: Secila nga fletët e aeroplanit, secila nga fletët e mullirit me erë, KRAHU i vinçit, KRAHU i ekskavatorit, pjesët anësore të karrikes a kolltukut, ku mbështeten bërrylat. Në ushtri: Me i marrë KRAHËT armikut, me sigurue KRAHËT, me sulmue mbrapa KRAHËVET. Në sport: Lojtar i KRAHUT të majtë, lojtar i KRAHUT të djathtë. Ngarkesë e vogël sendesh: Një KRAH kashtë, një KRAH me shkarpa.
Emri KRAH në gjuhën shqipe përdoret edhe në shprehjet me kuptim të figurshëm: KRAH për KRAH, që do të thotë, së bashku; me u ba me KRAHË, me u gëzue shumë; me iu këputë KRAHËT (dikujt), me u lodhë shumë (dikush); me i fërkue KRAHËT (dikujt), me e marrë (dikënd) me të mirë (në kuptimin negativ); me i mbajtë (dikujt) KRAHUN, me përkrahë dikënd; me rrudhë KRAHËT, për të treguar se nuk di a nuk kupton diçka.
Por kuptimi më domethënës që na intereson ne në trajtimin e kësaj teme, është ai i vendit. Fjala KRAH në gjuhën shqipe merr shpeshherë edhe kuptimin e vendit, të drejtimit për të ecur njerëzit, kafshët, makinat, të vendit për të kullotur bagëtitë, të vendndodhjes, të vendbanimit dhe të vendqëndrimit. Në KRAH të shkollës, dmth ngjitur me shkollën, në KRAH të fabrikës, dmth ngjitur me fabrikën. Merr këtë KRAH, dmth shko këndej. Nga ç’KRAH je? dmth, nga cili vend (i këtushëm) je? Ky është nga KRAHU ynë, dmth, ky është nga vendi ynë.
Në gjuhën sllavojugore qendrore emri KRAH është përkthyer: Ruka (do ramena), rame, pleća (pleqa), leđa (legja), krilo (krillo), strana, bok, naramak.
Le të themi kalimthi, pa u larguar prej temës që po trajtojmë, se në fjalën sllave rame, ne shohim një formë të mundshme arbërishte *KRAHMË. Te krillo gjejmë një KRIHË, formë shumësi e emrit KRAH, dhe prapashtesën –Ël. Pra: *KRIHËL→KRILLO.
Kur konstatojmë që emri KRAH në gjuhën shqipe mund të përdoret edhe si një emër i përgjithshëm topik, dmth emër vendi: KRAHU matanë, KRAHU juaj, KRAHU ynë, KRAHU i këndejmë i liqenit, KRAHU i përtejmë i liqenit, na del e nevojshme të sqarojmë një dukuri të gjithkundgjendshme të gjuhës shqipe, të cilën gjuhët sllave nuk e kanë kaq prodhimtare. Dukuria është kjo: Emrat e pjesëvet të trupit të njeriut, apelativat anatomikë, përdoren në shkallë të gjërë edhe si emra të përgjithshëm vendesh, si apelativa topikë. E, së këndejmi, krejt natyrshëm, ata përdoren edhe si toponime apo hidronime, pra, si emra të përveçëm vendesh, ujërash etj. Prof.Eqrem Çabej shkruan: “Si në të tjera gjuhë, edhe në shqipen, emrat e disa pjesëve të trupit përdoren… metaforikisht me kuptime të ndryshëm” (Çab.VII,f.207) Ndërsa Prof.Shaban Demiraj shumicën e fjalëvet që do të renditim këtu, ballë, brinjë, buzë, dorë, dhëmb, grykë, gji, hundë, krah, krye, kurriz, qafë, vetull, i konsideron fjalë të fondit të trashëguar të gjuhës shqipe. (Sh.D.His.f.95) Që të 2 këta konstatime të 2 gjuhëtarëve tanë nga më të mëdhenjtë, janë shumë të rëndësishëm, sepse prej së tillë konstatimesh na bëhet e mundur të kuptojmë që gjuha shqipe është një gjuhë dukshëm shumë e lashtë. Për emrin KRAH kemi madje një të dhënë shumë të vlefshme që na vjen prej sh XV. Në vitin 1450 nga kancelaria e Gjergj Kastriotit Skëderbeut na del një përdorim shumë interesant i kësaj fjale. Dhjaku sllavishtfolës Ninc Vukosaliqi, nëpunës i asaj kancelarie, në një letër që i dërgon Raguzës, ka përdorur këtë shprehje: “s nashe KRANE vashem gospocvu”, me kuptimin “prej KRAHUT tonë (prej ANËS sonë) zotërisë suaj”. Vërtetohet kështu përdorimi i emrit KRAH së bashku me prapashtesën -NË, pra KRA(HË)NË (KRANË) në vend të emrit ANË (me rënien e tingujvet H dhe Ë). (Sll.st.f.182)

____________________________
VALLJA E SHESTANIT…

_________________________________

Rreshtojmë tani një varg shembujsh ku gjuha shqipe na dëshmohet si përdoruese në shkallë të gjërë e emravet anatomikë si emra topikë, qoftë të përgjithshëm, qoftë të përveçëm.
Kështu, emërtimin anatomik BALLË, si pjesë e trupit të njeriut, e gjejmë të përdorur si emër të përgjithshëm vendi: BALLI i shtëpisë, por edhe si emër të përveçëm: BALLDRE,-NI, fshat në afërsi të Lezhës, vend përballë lumit Drin. (Çab.I,f.53), dhe, BALINE, mal midis Bukovikut dhe Bërçelit në Cërrnicë të Malit të Zi (Erd.f.217 dhe 221)
Emri BËRRYL përdoret së pari si emër i përgjithshëm, BËRRYL rruge, BËRRYL lumi, prapa BËRRYLIT, BËRRYLAK, për kthesë, pastaj edhe si një emër i përveçëm: TE BËRRYLI, toponime në qytetin e Tiranës edhe në qytetin e Durrësit.
Apelativi BISHT, që është pjesë anatomike e kafshëvet dhe shpendëvet, por nuk përjashtohet edhe si pjesë atavike e organizmit të njeriut, gjendet si apelativ topik gjithandej nëpër të folmet e shqipes: BISHTI i arës, BISHTI i urës, BISHTI i livadhit. I njëjti emër është i përfaqësuar po ashtu gjithandej edhe në toponimi: BISHTI i Pallës ose BISHTPALLA në rrethin e Durrësit, BISHTI i Rrasës në Valdanos të Ulqinit, BISHTI i Malit në Ulqin edhe në Seslenicë të Vlorës, VELABISHTI, fshat në rreth të Beratit, BISHTAKTHI dhe Qafa e BISHTAKTHIT në Mal të Shestanit, rrethina e Tivarit, BISHTI i Fushës në Mal të Krythës, rrethina e Ulqinit.
Emri BRINJË,-A e tërheq vëmendjen tonë, sepse, ndërsa në shqip kuptimi fillestar i tiji është “një nga emrat e pjesëvet të trupit”, (Çab.VII,f.210), në gjuhën sllavojugore qendrore ai ka hyrë vetëm si emër topik: BRINA (Çab.I,f.77) Themi, tërheq vëmendjen tonë, sepse, siç do të shohim më vonë, edhe emri KRAH ka hyrë në gjuhët sllave gjithashtu si emër topik. Në shqip, prej emrit anatomik BRINJË, kemi një varg jo të shkurtër të emravet të përgjithshëm vendesh: BRINJË e zhveshur, BRINJË e keqe, BRINJË e thatë, BRINJË mali, BRINJË shkëmbi, dhitë kullosin BRINJAVET, lepuri në BRINJË e helli në zjarr. Si toponim e kemi në krejt hapësirën arbërishteshqipfolëse: BRINJA e Gjânë në Mal të Shestanit, trevë e Tivarit, BRINJA e Malit në Krythë të Ulqinit, BRINJA e Laskaj në Malëshovë të Përmetit, Mali i BRINJËS në rrethinë të Ulqinit, që malazezët e kanë gjysmëpërkthyer me BRISKA Gora. Prof.E.Çabej e gjen emrin BRINJË edhe te emri i një fisi ilir: BRINATES. (Çab.I,f.77), ndërsa në Dalmaci ai shënon një BRINA si emër i një vendi në breg të detit. (Çab.I,f.77, Çab.VII,f.193). Emra vendesh me emrin BRINA, nga BRINJË, gjejmë disa edhe në veprat e Dr.J.Erdeljanoviqit: BRINA, toponim në Vuçji Do, Qekliq, Katunska Nahija; BRINSKA Voda hidronim në Milijeviq të Qekliqit; BRINSKA Peqina, emër shpelle po në Milijeviq. (Erd.f.534,535, 537,558,559). Do vënë dukje këtu që tingulli NJ i arbroshqipes ka dhënë N e jo NJ, megjithse NJ-ja nuk mungon në sllavishtet.
Për fjalën BUZË, në Fjalor jepet ky përkufizim: Secila nga 2 pjesët e mishta e të lëvizhme që mbulojnë dhëmbët etj. Të përdoret një e këtillë pjesë e butë e trupit të njeriut për të emërtuar pjesë të forta të tokës, sipërfaqësisht do të dukej diçka e çuditshme. Megjithatë, gjuha shqipe, mbështetur jo në butësinë apo fortësinë e lëndës, por në ngjashmërinë e vendosjes, e ka krijuar një numër emërtimesh gjeografikë edhe me këtë fjalë: BUZË rruge, BUZË shkëmbi, BUZË gremine, BUZË are, BUZË pylli, BUZË lumi, BUZË deti, BUZË liqeni, BUZË uji, BUZË e rrëzikshme, BUZË e thepisur, BUZË e zhveshur, ra nga BUZA dhe theu qafën. Prof.E.Çabej jep madje një hidronim në Klabri, BUSENTO (Buzento), duke e quajtur “relikt i ilirishtes së Italisë” (Çab,I,f.86). Ne do të shtonim këtu, ndoëse jo me siguri të plotë, sepse janë të gjinisë mashkullore, toponimin BUS në Llastva të fisit Cuce në Mal të Zi (Erd.f.167) dhe emrin e fshatit BUZ në rrethin e Tepelenës. Lidhur me emrin BUZËM, kërcu i trashë që vihet në zjarr natën e Krishtlindjevet, nuk ka mendim të prerë. Me sa duket, ky është një problem i kohëvet më të hershme, që lidhet me gjuhësië indoevropiane. Por në ishullin Andros të Egjeut, banuar prej arvanitësh, gjendet një hundë mali me emrin BUZMI (Μπούξμι) (Çab.I,f.86).
Emrin BYTHË, si organ i jashtqitjes, e kemi të përfaqësuar te BUTIDOSËT (BYTHËDOSËT) e Mesjetës, të njohur edhe si fis, edhe si troje vendqëndrimi. Këtu duhet të vëmë re 2 ndryshime fonetikë, si rezultat i përdorimit të këtij emri nga të huajtë: Kalimin e Y-së në U dhe kalimin e TH-së në T.
Emri DORË nuk na del si emër i përgjithshëm topik, megjithatë, ai, siç duket, është ruajtur edhe si toponim, edhe si pranemër, ndër arbëreshët e Itlisë: DORSA (kujtojmë Vinçenco DORSËN), edhe si emër fshati në rrethin e Librazhdit: DORËZI, në rrethin e Tiranës prapë: DORËZI, si dhe në Tepelenë, sërish: DORËZI.
Kemi shënuar edhe me emrin DHËMB 2 toponime në trevat shqiptare: Malin DHÂMZ,-I në Shestan të Sipërm dhe malin DHËMBEL në rreth të Përmetit. Ne do të shënojmë këtu edhe toponimin ZUBIN Potok (Përroi i DHËMBIT), emër i përkthyer në gjuhën sërbe, për të cilin mendojmë se reflekton emrin e njërit nga qytetet më të famshëm të Iliro-Dardanisë, DAMASTION, simbas nesh i afrueshëm me një *DHÂMBËST,-I (*DHÂMBËSTION).
Fjala FAQE, si një emërtim anatomik jo i lashtë në gjuhën arbroshqipe, është përdorur si apelativ topik, por, si duket, nuk ka arritur të rrënjoset edhe si emër vendi i përveçëm: FAQE muri, FAQE çatie, FAQE mali, FAQE kodre, FAQE deti.

_________________________

________________________

Edhe fjala GOJË, që Gustav Majeri e bie (për ne, dyshimshëm) prej latinishtes GULA, pjesë e fytyrës së njeriut dhe e kafshëvet, pjesë e organevet të të folurit e të ngrënit, ndonëse jo në shkallë të gjërë, prapëseprapë kemi shembuj se është përdorur edhe në toponimi: Fshatrat GOLAN i Epërm dhe GOJANI i Vogël në rrethin e Pukës (nëse është për t’u mbështetur te forma tingëllore pa u hyrë kërkimevet të tjerë), BABGOJZA, Qafa e BABGOJZS, Funi i BABGOJZS, në Malin e Shestanit, GOLEMADI (GOJËMADHI), fshat dhe fushë në Leshanska Nahijes në Mal të Zi. (Erd.f.77)
Fjala GRYKË, e cila, për mendimin tonë, ka rëndësi të posaçme në historinë e gjuhës shqipe, sepse lidhet me rrënjën ANG, na shfaqet si apelativ edhe në tokë të thatë, edhe në ujëra: GRYKË mali, GRYKË deti, GRYKË lumi, GRYKËDERDHJE, GRYKË shkëmbore. Gjithkështu e kemi të shumtë edhe në toponimet e hidronimet: GRYKA e Bunës, GRYKA e Këlcyrës, GRYKAT e Kotorrit, GRYKA e Bërdhelës në afërsi të Ulqinit, GRYKA e Gjolulit në rrugën Shkodër-Velipojë, GRYKA E Melgunit në luginën e Drinit, GRYKA e Skavicës në Dibër, GRYKA e Shkopetit në rreth të Matit, GRYKAT e Hapëta në Alpet e Shqipërisë, GRYKA e Muzhics midis Shestanit dhe Togjemilit në afërsi të Tivarit.
Emri GJI,-RI (-NI), me kuptimin pjesë e futur e gjoksit, mesi i krahërorit, organ i femrës në pjesën e përparme të krahërorit, është përdorur si emër i përgjithshëm vendi në mjaft raste: GJI deti, GJI liqeni, GJI i hapur, anija hyri në GJI, por edhe: GJIRI i tokës, GJIRI i natyrës. Së këndejmi, prej emërtimit të thjeshtë anatomik, nëpërmjet emërtimevet topikë të përgjithshëm, janë krijuar edhe emrat e përveçëm kryesisht hidrikë: GJIRI i Vlorës, GJIRI i Durrësit, GJIRI i Sarandës, GJIRI i Rodonit, GJIRI i Drinit, GJIRI i Ftelias, GJIRI i Lalëzit, GJIRI i Spilesë, GJIRI i Shëngjinit, GJIRI i Valdanosit, GJIRI i Prevezës. Me fjalën GJI janë krijuar edhe toponimet në lindje të Ulqinit: GJERÂNA,-T dhe Guri i GJERÂNAVET. Këtu kemi një emër të përbërë, një kompozitë, krijuar me apelativët GJI dhe RÂNË. Pra: GJIRÂNË, GJI i mbushur me rërë, GJI prej rëre. Kalimi i I-së në E ndodh kur zanorja e patheksuar shkurtohet shumë.
Për fjalën KAPTINË, me kuptimin kokë, krye, dihet që ka hyrë vonë në gjuhën shqipe. Megjithatë, duke iu përshtatur natyrës së kësaj gjuhe, është përdorur edhe kjo si një apelativ topik: KAPTINË mali, KAPTINË kodre, e aty-këtu edhe si toponim, psh. KAPTINA e Martaneshit.
Fjalën KËMBË, si gjymtyrë njerëzore, e gjejmë si emër të përgjithshëm vendi te KËMBË mali, KËMBË e urës, KËMBË lumi e ndonjë tjetër, nocioni i së cilës është shtrirë, ndonëse mjaft rrallë, edhe në emra të përveçëm, si në toponime edhe në hidrinime. Thuhet: 2 KËMBËT e Semanit janë Devolli dhe Osumi, KÔMBA e Dajtit. Në gjuhën sllavojugore qendrore, e njëjta fjalë NOGA, këmbë, përdoret, me kuptimin topik të përgjithshëm, në formën PODNOŽJE (podnozhje), nënkëmbë,-a. E kemi gjetur edhe si toponim: NOGAŠEVICA (nogashevica), fshat në Kçevo të Ozriniqit, Katunska Nahija. Do theksuar këtu që në gjuhët sllave emrat anatomikë përdoren shumë rrallë si emra topikë.
Emrin KOKË, si sinonim i emrit krye,-t, e kemi hasur si apelativ hidrik në shprehjet: KOKË lumi, KOKË kanali. Si emër vendi: KOKA e Frashërit, mal në veriperendim të Dangëllisë, KOK-PAPAJ, fshat në rrethinë të Shkodrës, KOKËDODA, fshat në Pukë dhe ndoshta KOKREVA në Hotolisht të Librazhdit.
Ndërkaq, KRYE, që është fjalë e fondit të lashtë të iliro-arbro-shqipes, ashtu si edhe KRAH, ka një shtrirje përdorimi shumë të gjërë, veç tjeravet, edhe në emërtimet e vendevet, si emër i përgjithshëm, dmth. si apelativ, po edhe në toponimi e hidrinimi si emër i përveçëm: KRYET e rrugës, KRYET e fshatit, KRYET e katundit, KRYET e pazarit, KRYET e malit, KRYET e luginës, KRYEVEND,-I, në KRYE të tokavet. Si toponim e gjejmë në formën KRYTH/Ë,-A, 2 fshatra në rrethinë të Ulqinit, që janë të prejardhur prej emrit KRYE me prapashtesën karakteristike –TH. KRYEVIDH fshat në bregdetin e Kavajës, KRYEMAT/E,-JA, grup fshatrash rreth rrjedhës së epërme të lumit Mat. KRYESHKOZË, toponim në Krythë të Ulqinit. KRYEMËDHENJ,-I, fshat në rreth të Kavajës. KRYEZI,-U, fshatra në Tiranë, në Kavajë dhe në Pukë. KRYEGJAT/Ë,-A, në rreth të Fierit. KRYEZARTH,-I, fshat në Shpat të Elbasanit. KRYEZEZ,-I, bajrak (territor) në rreth të Lezhës. Të përmendim në fund edhe fshatin KRYTH në Zadrimë të Lezhës, i cili për nga formimi, përveç gjinisë, është i njëjtë me 2 KRYTHAT e Ulqinit, dhe që në këtë trevë konsiderohet si një ndër fshatrat shumë të moçëm. Jashtë arealit të sotëm shqiptar emrin KRYE e kemi hasur në disa raste: KRIMAL, majë mali a kodre në fshatin Mirac të Njegushit. POTKRIMAL, toponim i po atij fshati. Në krahun nga Grykat e Kotorrit thirren po me këtë emër, POTKRIMAL, tokat që shtrihen poshtë kësaj kodre a mali. (Erd.f.434 etj). Në Grykat e Kotorrit duhet të hulumtohet prejardhja e emrit KRIMOVICE. Në Kroaci është fsahti KRIMEA. Në Greqi gjendet një fshat KRIMIN. Në Itali prapë KRIMEA. Në Rumani një përrua quhet KRIMINETU. E gjithë kjo të krahasohet me të dhënat që jep dr.J.Edreljanoviqi në veprën e tij “Stara Crna Gora” (Erd.f.434-435 etj) Shtojmë këtu edhe emrin e gadishullit të njohur KRIME,-JA në Detin e Zi. Është e kuptueshme që një pjesë e këtyre toponimeve mund të mos lidhen fare me apelativin tonë KRYE, por, sidoqoftë, që të gjithë këta duhet të hulumtohen dhe analizohen. Gustav Majeri fjalën tonë KRYE e ka afruar me latinishten C(E)REBRUM (Maj,f.259). Po kështu edhe H.Pederseni, simbas Akad. I.Ajeti, formën KRIE (KRYE) e ka prurë nga latinishtja CEREBRUM (I.Aj.5.f.17). ndërkohë, edhe Selishçevi, i cili ka prirjen për t’i paraqitur si sllavizma një mori fjalësh të shqipes, fjalët KRIN/Ë,-A, luzmë bletësh, dhe gjithashtu KRIN/Ë,-A, jele kali, i ka konsideruar sllavizma. Që të gjitha këto kërkojnë analiza më të hollësishme dhe sidomos më të mbështetura në fakte e në arsyetime. Në sllavishten jugore qendrore emrin anatomik KRYE, si shumicën e emravet të tjerë anatomikë, nuk e gjejmë të përdorur, përveç te hidronimi GLLAVA Zete (KREU i Zentës) në Mal të Zi, i cili gjithsesi duhet të jetë i përkthyer prej arbro-shqipes. Por ne po duam të sjellim këtu edhe nja 2 a 3 shembuj nga Antikiteti i këtij gadishulli. KRISPA është quajtur një fortesë në brigjet e Danubit. (Il+Il, f.445). KRYNIANA quhej një fortesë në Maqedoni. (Il&Il, f.441). KREKSI ose KRESPA thirrej një qytet dhe ishull në afërsi të gadishullit Istria. (Il&Il,f.193 dhe 268). Pyetja shtrohet: A është fjala KRYE aq e lashtë sa të mund të merret si një fjalë pellazgo-iliro-arbro-shqiptare? Dhe bashkë me KRYE a është edhe fjala KRAH po aq e lashtë, sepse grupin KR e kanë të njëjtë e të përbashkët?
Shprehjen KURRIZ mali Prof.E.Çabej e quan “nomenklaturë gjeografike me burim nga emrat e pjesëvet të trupit” (Çab.VII,f.210). Në Tiranë kemi toponimin KURRIZI i Dajtit. Në Shestan është toponimi KORRIZI Shkeks. G.Majeri e afron foljen ME(U) KËRRUSË me emrin KURRIS, të cilin prapë e afron me një fjalë të greqishtes. Por vetëm e afron. (Maj.f.242)
Emrin MJEKËR (Për ne: MJEKËRR, me R të fortë) G.Majeri e krahason me një fjalë të indishtes së vjetër dhe të lituanishtes. Në toponimi nuk ka përhapje, megjithate, në rrethinë të Ulqinit gjendet një fshat me emrin MJEKRRAMADH,-I, ardhur siç duket nga një emër njeriu.
VIJON…

…………………………….

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura