(Durrës, 20. 06. 2012) – Fjala QAFË, pjesa që lidh trupin dhe kokën, te njeriu ose te kafshët apo shpendët, ka gjetur ndryshe nga emri mjekërr, një përdorim shumë të gjërë, si në emërtimet topikë të përgjithshëm, ashtu edhe në emra të përveçëm të vendevet. QAFË mali, QAFË kodre, me kapëcye QAFËN, me kalue QAFËN, me u ndalë në një QAFË, përtej asaj QAFE.
Në disa toponime këtë fjalë e gjejmë me vlera të dukshme historike, me përmbajtje interesante gojëdhanore, por edhe me domethënie të thjeshtë ngjajshëmimore: QAFA e Prushit, QAFA e Agrit, QAFA e Buallit, QAFA e Thanës në Strugë, QAFA e Shkozës në Mat, QAFA e Shënmërisë në Krânjë, QAFA e Cylës në Përmet, QAFA e Lloghorasë në Vlorë, QAFA e Kiçokut në Tepelenë, QAFSHTAMA midis Krujës dhe Matit, QAFMOLLA në rrethin e Tiranës, QAFKRYZA në Shestan, komuna e Tivarit, QAFA e Mozhurit në Ulqin, QAFMORINA midis Prizrenit dhe Kukësit. Logjikisht është më se e kuptueshme: Kur emri anatomik QAFË ka gjetur kaq përdorim në gjeonomenklaturën shqiptare, edhe emri KRAH duhet të jetë përfaqësuar po në këtë fushë e pakta në shkallë të barazkrahasueshme.
Emri anatomik SY është përdorur dhe përdoret me kuptimin e një vendi nga përfshihet më mirë hapësira me shikim: SY mali, vend nga shikohet mirë rretherrotull. Por Prof.E.Çabej thotë se fjala SY përdoret edhe me kuptimin gjir, shtjellë uji. SYEN/Ë,-A, është vend i thellë në ujë, vend peshkimi, krahasuar prej Prof.e.Çabejt për nga mënyra e fjalëformimit me Buenë. (Çab,II,f.118) (Për ne: *SYUJËNË dhe *MBËUJËNË). Këndej edhe hidronimi SYRI i Kaltër në lumen Bistricë të Sarandës, SYNI i Gjuraçit, burim nënujor në Liqenin e Shkodrës përballë fshatit Gjuraç, SYNI i Sheganit, SYNI i Virit në Bregliqenin e Shkodrës në krahun e Malësisë së Madhe. Në Liqenin e Shkodrës të këtillë SYNJ ka me shumicë dhe emrat e tyre përdoren edhe prej malazezëvet, të përkthyer prej arbro-shqipes si OKO: Kërrnjiçko OKO etj. Emri SY, përveç se si hidronim, përdoret edhe si toponim gjithandej: SYNEJ fshat në rrethin e Kavajës, SYMIZË, qendra e fshatit Damës në Mallakastër, SYMIZ,-I, fshat në Maliq të Korçës, SYZEZ,-I, fshat në Poshnjë të Beratit.
________________________
SHESTANI – KRAJA …
_____________________________
Fjala SHPATULL,-A, pjesë e sipërme e shpinës së njeriut, secila nga 2 kockat rrasuke e në formë trekëndëshi, përdoret në shprehjen SHPATULL mali (Çab.VII,f.210), në emrin SHPATINË me kuptimin shpat i vogël, simbas nesh pakundërshtueshëm për nga fjalëformimi i njëjtë me KRAHINË, të dyja si me rrënjë ashtu edhe me prapashtesa të gurrës vendese. Pastaj SHPATULLINË, faqe disi e pjerrët, vend disi i pjerrët. (Çab.II,f.146-147). Si toponim, fjalën SHPATULL e gjejmë të përdorur edhe, siç thuhet, në formën “retrograde”, duke iu hequr formanti – ULL. Të tillë janë emrat: SHPAT,-I, krahinë në rreth të Elbasanit, SHPATI i Vrapit, fshat në Tiranë, SHPATMALI, fshat në Gurkuq të Korçës.
SHPINË si emërtim anatomik është pjesa e prapme e trupit të njeriut nga qafa deri te mesi. Si emër vendi kjo fjalë përdoret në shprehjet: SHPINË mali, SHPINË kodre, SHPINË deti, SHPINË uji. Prof.E.Çabej e konsideron huazim latino-italian. (Çab.VII,f.281). Pra, do t’i takonte fondit jo shumë të lashtë të shqipes. Megjithatë, po simbas Prof.E.Çabejt, këtë fjalë e gjejmë në toponimin SHPINAGËR. (Çab.VII,f.248) Ndoshta edhe SHPIRAG, me rotacizëm, mal në jugperendim të Beratit.
VETULL,-A, pjesë e fytyrës përmbi sy mbuluar me një hark qimesh të dendura, hark qimesh përmbi sy. Prof.E.Çabej e konsideron fjalë të fondit indoevropian. (Çab.VII,f.257). Përdoret në shqip edhe si emër topik: VETULL mali, strehë shkëmbi në mal, VETULL e urës, VETULL kodre. Si emër të pëveçëm vendi nuk e kemi hasur, por kjo nuk do të thotë se të tillë emra vendesh, sidomos në mikrotoponimi, nuk ekzistojnë.
Gjuha shqipe, siç u pa edhe këtu, e ka në natyrën e vet, si rrallë ndonjë gjuhë tjetër, të pasuruarit e fjalorit topik me anë të metaforavet me prejardhje anatomike. Psh. në gjuhët sllave (me qenë se po e kemi në shqyrtim këtë plan krahasues), nuk vëmë re të ketë, të themi: me shumicë (sepse nuk po u hyjmë statistikavet të hollësishme), metafora të këtilla me: ČELO (çello), ballë, LAKAT (llakat), bërryl, REP, bisht, REBRO, brinjë, USNE, buzë, GUZICA, bythë, RUKA, dorë, ZUB, dhëmb, LICE, faqe, USTA, gojë, GRLO (gërllo), grykë, NJEDRO, gji, NOGA, këmbë, GLAVA (gllava), krye, HRBAT (hërbat), kurriz, BRADA, mjekërr, VRAT, qafë, OKO, sy, PLEĆA (pleqa), shpatull, LEĐA (legja), shpinë, OBRVA (obërva), vetull. Ky konstatim na e përforcon bindjen që as emri KRAJ, me derivatin e saj KRAJINA, nuk ka mundur kurrsesi të përdoret si emër topik në gjuhët sllave pa ndërmjetësimin e iliro-arbro-shqipes.
Me ç’dimë ne, deri më sot nuk është thënë që emërvendi KRAJ i sllavistevet është i lidhur metaforikisht me pjesë të trupit të njeriut. Pikërisht kjo është arsyeja që ne po ndalemi këtu në një shqyrtim më të zgjeruar të kësaj fjale. Domethëniet e emrit KRAJ në gjuhën sllavojugore qendrore janë: anë, pjesë vendi, skaj, fund (kryesisht në kuptimin territorial), fund i diçkaje.
Prof.Petar Skoku, një ndër etimologët më të njohur sllavojugorë, thotë që KRAJ është një fjalë starosllave, fjalë e sllavishtes së vjetër kishtare. Dhe vetëm kaq. Nuk ka thellim të mëtejshëm. Ndërsa ne e kemi vënë në dukje qysh në fillim të kësaj trajtese, se sllavishtja e vjetër kishtare, në krahasim me iliro-arbro-shqipen, është një gjuhë shumë e re. Ajo është, e pakta 1300 vjet më e re se sllavishtja e dokumentuar. Kur themi e dokumentuar, e kemi fjalën te një varg emrash qoftë edhe të përveçëm, prej të cilëvet dalin fjalë të përgjithshme, si dhe formante të ndryshëm, të shqipes së sotme. Kështu, pranemri i bardhë del prej emrit të 2 mbretërvet BARDHYLI, emri dele (delme) del prej emrit DELMINIUM, emri dardhë del prej emrit DARDANI, folja me u ulë del prej emrit të TAULANTËVET, madje këndej dalin edhe nyja e përparme të-, edhe prapashtesa –ën(ë), edhe nyja shquese: -të, prej emrit të PIRUSTËVET del emri prush, por edhe rrënja pir. Shembuj të tjerë të dokumentimit të gjuhës shqipe me anë të ilirishtes ka shumë, jo pak, siç është në mjaft raste.
Prej Prof.Maks Fasmerit, njërit prej etimologëvet të njohur të gjuhës ruse, në veprën e tij 4-vëllimëshe, botim i Moskës, 1964, në lidhje me emrin KPAЙ (kraj) mund të shënojmë si të dobishëm për temën tonë kryesisht informacionin se në cilat gjuhë përdoret kjo fjalë. Formën KPAЙ (kraj), me J në fund, e kanë: rusishtja, bjellorusishtja, ukrainishtja. Sllavishtja, e quajtura sllavishtja e vjetër e kishës, e ka simbas Fasmerit, KPAИ (krai), me I në fund, shpjeguar me greqishten egialos (αίγιαλος). Bullgarishtja e ka KPAЙ (kraj) si rusishtja, me kuptimin конец (kanjec), fund. Serbokroatishtja: KPÂJ (kraj), me të njëjtin shqiptim si te rusishtja etj. Sllovenishtja: KRÀJ, me shqiptimin njëlloj si te të parat. Çekishtja, sllovakishtja, polonishtja dhe lluzhiçishtja e epërme, prapë KRAJ, kurse lluzhiçishtja e poshtme e ka KŠAJ (kshaj), me SH në vend të R-së. Përfundimisht, nga M.Fasmeri marrim vesh që fjalën KRAJ e kanë të gjitha sllavishtet pa përjashtim, se që të gjitha, përveç lluzhiçishtes së poshtme, e shqiptojnë njësoj dhe se dallohen vetëm në të shkruar, varësisht prej alfabetit që përdorin. Mbas këtij informacioni, M.Fasmeri jep me radhë autorët dhe veprat, në të cilat është trajtuar kjo fjalë, natyrisht, deri në vitin 1964. Përmend të krahasuarit dhe të dalluarit tingëllor me foljen KPOИTЬ (krajitj), me pre e me qepë (rroba), me të cilën emri KRAJ nuk mund të ketë kurrfarë lidhjesh. Thotë se është e mundur një lidhje kuptimore me lituanishten KRÙOJA, emërtimi i një përroi, degë e lumit Musha. Thotë se është plotësisht i pasigurtë krahasimi me anglishten e mesme RÓDE. Mund të krahasohet me REEDE (rejd), me kuptimin: buzë, breg. Gjithashtu e ka krahasuar me avestishten: KARAHA, trevë, anë, vend, gjë që duhet marrë parasysh nëse hyjmë më thellë në bashkëpërkimet indoevropianë, por ky bashkëpërkim do të vërtetohej më parë me fjalën shqipe KRAH e pastaj me sllavishtet KRAJ. Ka bërë krahasim edhe me persishten e re: KARĀN, KANĀR, me islandishten e moçme: HURNA, kënd…
Ky është informacioni që na e jep Prof.Maks Fasmeri, me kujdesin e tij karakteristik gjerman. Duhet vënë në dukje që M.Fasmeri në veprën e tij e ka parasysh edhe gjuhën shqipe, bën krahasime edhe me fjalë të shqipes, por në rastin e emrit KRAJ ai nuk ka krahasime me këtë gjuhë. Mirëpo kjo nuk mund ta pengojë linjën tonë të shtjellimit, përderisa aty nuk është dhënë ndonjë zgjidhje përfundimtare. Përkundrazi, mosdhënia e shpjegimit të plotë, si nga ana e Prof.P.Skokut, ashtu edhe nga Prof.M.Fasmeri, i cili po aty ka cituar edhe një varg dijetarësh të tjerë, që janë marrë me këtë fjalë, na hap rrugën që edhe ne, edhe të tjerë mbas nesh, për të kërkuar përgjigje më bindëse, gjegjësisht më të mbështetur në argumente.
Na bie në sy, madje ngacmueshëm, që, me rrokjen –AJ, me të cilën përfundon emri KRAJ, përfundojnë edhe jo pak fjalë të tjera të gjuhëvet sllave. Po sjellim këtu një listë fjalësh të sllavishtes jugore qendrore, në mënyrë që të mund të nxjerrim një lloj përfundimi.
ISPRAĆAJ (ispraqaj), përcjellje, shoqërim, IZDISAJ, frymënxjerrje, grahmë, IZMIŠLJAJ (izmishlaj), trillim, IZRAŽAJ (izrazhaj), fjalë, të shprehur, IZRIČAJ (izriçaj), të folur prerazi, IZVJEŠTAJ (izvjeshtaj), kumtim, lajmërim, JECAJ, dënesë, rënkim, KORAČAJ (koraçaj), të bërë hap, KUCAJ, të trokitur, NARAŠTAJ (narashtaj), brezni, NATEGLJAJ, gdhënjkë, hurbë, NAVJEŠTAJ (navjeshtaj), shpallje, NEHAJ, shkujdesje, NJIHAJ, luhatje, OBIČAJ (obiçaj), doke, zakon, OBLEŽAJ (oblezhaj), të fjetur bashkë, marrëdhënie seksuale, OBRTAJ (obërtaj), të rrotulluar, OČAJ (oçaj), dëshpërim, ODSJAJ, të reflektuar, OKRETAJ, rrotullim, të sjellë, OMRŠAJ (omërshaj), ngrënie mishi etj. një ditë mbas kreshmes, të burbuletur, POKUŠAJ (pokushaj), sprovë, tentativë, POLOŽAJ (pollozhaj), gjendje, pozitë, POMIŠLJAJ (pomishlaj), të çuar ndër mend, POROĐAJ (porogjaj), të lindur, të pjellë, POTPAŠAJ (potpashaj), nënbarkëzë, POVRAĆAJ (povraqaj), të kthyer, PREDOSJEĆAJ (predosjeqaj), parandjenjë, PREDUMIŠLJAJ (predumishlaj), ndërrim i mendjes, PREKRŠAJ (prekërshaj), shkelje rregulli, PREMJEŠTAJ (premjeshtaj), të shpërngulur, BREOBRAŽAJ (preobrazhaj), shndërrim, transformim, PRIDRŽAJ (pridërzhaj), të përmbajtur, PRIGRLJAJ (prigërlaj), të përqafuar, PRIPAŠAJ (pripashaj), rrip brezi, PRIRAŠTAJ (prirashtaj), ndërrritje, PRIUZDRŽAJ (priuzdërzhaj), të përmbajtur, PROMAŠAJ (promashaj), të mosqëlluar, të qëlluar huq, PROTUNAPADAJ, kundërsulm, RASPOREĐAJ (rasporegjaj), të radhitur, të renditur, RAZMIŠLJAJ (razmishlaj), të ndërmenduar, të përsiatur, RAZUZLAJ (razuzllaj), zgjidhje (e nyjës, e koklës, e gjalmit), ROĐAJ (rogjaj), të lindur, RUSVAJ, pështjellim, tollovi, SADRŽAJ (sadërzhaj), përmbajtje, SJAJ, shkëlqim, SKRETAJ, të dredhuar, SLUČAJ (slluçaj), ngjarje, rast, SMIRAJ, perendim (i diellit), SNOŠAJ (snoshaj), kontakt gjenital, të ethur, SPOTICAJ, të zënë në thua, STEČAJ (steçaj), të skaduar (afati), STICAJ, beftje, koincidencë, të mbërritur, STUPAJ, shkallinë, shkelc, ŠTRCAJ (shtërcaj), të spërkatur, TEČAJ (teçaj), rrjedhje, UKRŠTAJ (ukërshtaj), të kryqëzuar, të bërë kryq, UMIŠLJAJ (umishlaj), paramendim, UREĐAJ (uregjaj), orendi, rregull, UTICAJ, të ndikuar, VAPAJ, ankim, britmë vajtimi, ZAGRLJAJ (zagërlaj), të zënë ngryka, ZALOGAJ (zallogaj), kafshitë, ZAMAŠAJ (zamashaj), hov, vrull, ZAVESLAJ (zavesllaj), të rremtuar, ZAVJEŠTAJ (zavjeshtaj), trashëgimi (e lënë me testament), ZAVEŽLJAJ (zavezhlaj), bohçë me ndërresa, ZAVIČAJ (zaviçaj), vendjetesë, ZNAČAJ (znaçaj), rëndësi.
_________________________
VALLJA E SHESTANIT…
_________________________
Vëmë re, së pari, që kjo –AJ në të 70 fjalët e renditura këtu, na paraqitet si prapashtesë emrakrijuese. Së dyti, kjo prapashtesë nuk është gjithaq prodhuese, pasi në një fjalor prej 70000 fjalësh mezi arrijnë 0,1-përqindëshin. Së treti, në shumicën e rastevet rezulton që kjo prapashtesë bëhet shkaktare për ndryshime në tingujt fundorë ose parafundorë të rrënjëvet. Po japim nga 1 shembull për secilin rast. Te ISPRAĆAJ ka ndërrim: T në Ć. Krs. isprat(iti) – isprać(aj). Të tillë raste janë gjithsej 3. Te OBIČAJ ka ndërrim: T në Č. Krs. *obit(ati) – obič(aj). Të tillë raste ka 3. Te IZRIČAJ ka ndërrim: C në Č. Krs. izric(ati) – izrič(aj). Te IZVJEŠTAJ ka ndërrim: ST në ŠT. Krs. izvijest(iti) – izvješt(aj). Të tillë raste ka 16. Te POROĐAJ ka ndërrim: D në Đ. Krs. porod(iti) – porođ(aj). Të tillë raste ka 4. Te IZRAŽAJ ka ndërrim: Z në Ž. Krs. izraz(iti) – izraž(aj). Të tillë raste ka 4. Te ZAMAŠAJ ka ndërrim: H në Š. Krs. zamah(ati) – zamaš(aj). Te KORAČAJ ka ndërrim: K në Č. Krs. korak – korač(aj). Te OBLEŽAJ ka ndërrim: G në Ž. Krs. leg(nuti) – oblež(aj). Te IZDISAJ ka ndërrim: H në S. Krs. dih(ati) – izdis(aj), ndonëse ka edhe: dis(ati). Te ZAGRLJAJ ka ndërrim: LL në LJ. Krs. grl(o) – zagrlj(aj). Në 30 raste të tjerë, pra, në diç më pak se gjysmën, prapashtesa –AJ nuk duket se ka shkaktuar ndryshime në rrënjët e fjalëvet.
Në fund të këtij vështrimi natyrshëm shtrohet pyetja: Po në emrin KRAJ, rrokja – AJ a është prapashtesë? Nëse është prapashtesë, rrënja KR ç’përfaqëson? Nëse nuk është prapashtesë, ç’është –AJ te emri KRAJ?
Ka edhe të atilla fjalë ku rrokja fundore –AJ ose i takon qartësisht rrënjës ose ka hyrë në sllavishtet bashkë me rrënjën: JURAJ, formë kroate për ĐURAĐ (Gjuragj), emër grek, KALAJ (kallaj), emër metali, fjalë turke, KITAJ, emri i Kinës, formë ruse, MAJ, emër muaji, SARAJ, pallat, fjalë e perso-turqishtes, RAJ, parajsë, fjalë greke, παράδεισος, ku D-ja ka dhënë J, mundet edhe prej arbërishtes: (pa)raj(së). BELAJ (bellaj), bela, fjalë e arabo-turqishtes, TRAMVAJ, mjet transporti, kompozitë angleze, DUNAJ, Danub, prej Dunav.
Sidoqoftë, prej kësaj tufe fjalësh ne mund të kuptojmë që edhe emri KRAJ mund të ketë hyrë në sllavishtet, ose me gjithë rrokjen –AJ, ose me ndonjë modifikim të rastit, por pa qenë prapashtesë. Rrokja –AJ në këtë fjalë nuk vërtetohet si prapashtesë.
Megjithse në pikëpamje periodizimi është shumë larg prej kohës kur emri KRAJ është bërë fjalë e mbarë sllavishtevet, është për t’u përmendur këtu, si mundësi krahasimi, fjala SILAJ (sillaj), rrip që ngjishej në brez për të vendosur aty armën e që vjen prej arabo-turqishtes SILAH, armë. Këtu kemi një kalim të tingullit H në tingullin J, dhe kjo do të na jepte të drejtë të mendonim që po kështu do të mund të ketë kaluar edhe H-ja e emrit KRAH në J të emrit KRAJ. T’i krahasojmë edhe njëherë: SILAH- SILAJ dhe: KRAH – KRAJ. Madje jo vetëm në pikëpamje tingëllore, por edhe në pikëpamje semantike, ashtu si prej kuptimit armë fjala arabo-turke merr kuptimin e rripit, me mjetet e metonimisë, edhe kuptimi i fjalës KRAJ do të mund të ketë kaluar prej kuptimit KRAH, si apelativ anatomik, në kuptimin e apelativit topik, me mjetet e metaforës. Të njëjtët krahasime mund t’i bëjmë edhe me emrin STREHA, e cila në sllavishten jugore qendrore jep sinonimin STREJA. Pra, edhe këtu tingulli H shndërrohet në tingullin J, ashtu si te SILAH edhe KRAH.
Në përftimin e J-së në fund të emrit KRAJ mund të ketë ndikuar mbaresa -I te trajta e shquar e emrit KRAH. Kjo mbaresë vërtetohet sot në të folmet veriore të shqipes, por në të shkuarën mund të ketë pasë shtrirje në krejt ilirishten veriperendimore, deri në Kroacinë apo Slloveninë e sotme Jugore. Kështu, prej formës KRAHI, me zbutjen e tingullit H, fare mirë do të mund të jetë përftuar forma KRAJ, e cila si e tillë edhe është përhapur në mbarë sllavishtet.
Si në gjuhën shqipe, ashtu edhe në gjuhët sllave, fjalët KRAH për shqipen dhe KRAJ për sllavishtet, janë shumë prodhuese.
Për sllavishtet po marrim si më të afërtën sllavojugoren qendrore: BEZKRAJAN, i pafund, i paanë, DOKRAJA, e përfunduar,-a, DOKRAJČAVATI (dokrajçavati) dhe DOKRAJČITI (dokrajçiti), me përfundue, KRAJAC, cep i vogël, këndth, KRAJAN, i fundmë, KRAJIČAK (krajiçak), si krajac: cep i vogël, këndth, KRAJINA, trevë, territor, krahinë, KRAJIŠKI (krajishki), i trevës kufitare, i territorit kufitar, i krahinës kufitare, KRAJIŠNIK (krajishnik), banor visesh kufitarë, KRAJNIK, bajame, anginë, KRAJNJ/E-I, shumë, sa s’thuhet, i skajmë, skajor, KRAJOBRAZ, pejzazh, visore, OKRAJAK, skajth, OKRAJČITI (okrajçiti), me kornizue, me mbyllë, POKRAJ, afër, pranë, POKRAJAN, anësor, POKRAJINA, krahinë, provincë, POKRAJINSKI, i krahinës, PRIKRAJAK, anëzë, vend i fshehur, SKRAJ, përbri, SKRAJNI, skajor, SKRAJNOST, ekstremitet, UKRAJ, afër, pranë, ZAKRAJAK, vend i shmangur, vend i mënjanuar. Që të gjitha këto njësi leksikore kanë në rrënjët e veta emrin KRAJ, për të cilin tashmë po e përforcojmë bindjen se vjen prej falës arbor-shqipe KRAH.
Në shqip kemi: KRAHANË, grup njerëzish që i mbajnë dikujt anën. Është kompozitë interesante, ku të dyja pjesët përbërëse janë sinonime. KRAHAROR,-I, pjesë e përparme e trupit të njeriut. KRAHAS, përbri njëri-tjetrit. KRAHASIM, shqyrtim i ngjashmerivet. KRAHASUAR (I), i vënë përballë diçkaje për të parë ngjashëritë ose të kundërtat. KRAHASUE (ME), me shqyrtue ngjashmëritë. KRAHASUES, ai që krahason. KRAHASHUE (ME), me nda në pjesë të barabarta. KRAHATAR, punëtor krahu. KRAHAZUE (ME), me bâ ortak. KRAHËZ, tirandë, mbajtëse pantallonash. KRAHINAR, qeveritar i një krahine. KRAHINARI,-A, administratë vendore. KRAHINË, pjesë territori që dallohet pak a shumë prej territorevet rretherrotull.
Këtu duhet të ndalemi. Emri KRAHINË i shqipes dhe emri KRAJINA i sllavishtes kanë të njëjtin kuptim. Prof.Shaban Demiraj e konsideron variantin shqip sllavizëm. (Sh.D.his.f.122). edhe Prof.Eqrem Çabej shkruan kështu: “Nga fusha e marrëdhënievet, fjala e re KRAHINË ka dalë nga sllavishtja KRAJINA, kufi, krahinë kufitare, përzier me KRAH.” (Çab.VII, f.255). Të njëjtën gjë bëjnë edhe Prof.A.M.Selishçevi, edhe Prof.Idriz Ajeti. Edhe ata fjalën KRAHINË e konsiderojnë sllavizëm në gjuhën shqipe. (Krs.I.Aj.4,f.24)
Pyetja është kjo: Cila është baza shkencore ku të jenë mbështetur këta dijetarë e njohës të ligjevet të gjuhësisë? Përse të ketë pranuar, psh, Prof.E.Çabej që prej formës sllave KRAJINA të ketë mundur të dalë forma shqipe KRAHINË? A është fonetikisht e përligjur që një J e sllavishtes të japë H në gjuhën shqipe? Pak më sipër pamë që ai ka përdorur shprehjen “përzier me KRAH”. Edhe në një vend tjetër ai është shprehur: “Fjala KRAHINË duket se ka dalë nga një kryqëzim i sllavishtes KRAJINA me shqipen KRAH.” Vetë shprehja “duket se” na e bën të qartë që Prof.E.Çabej nuk ish i sigurtë në atë që e kishin thënë të tjerët para tij dhe që, ndoshta për inerci, po e thoshte edhe ai.
E gjithë ngatërresa duket se (Po përdorim edhe ne shprehjen duket se), ka ardhur si rezultat i paracaktimit të gabuar të kohës së konsolidimit të gjuhëvet sllave në raport me gjuhët e vjetra të Gadishullit të Ilirikut. Është harruar, është lënë pas dore, është injoruar fakti që gjuhët sllave janë ushqyer me elementë të gjuhës prej të gjitha gjuhëve të këtij gadishulli. Janë ushqyer prej latinishtes, që pat mbetur në përdorim për disa shekuj mbas ndarjes së Perandorisë, madje edhe mbas ndarjes së Kishës. Janë ushqyer nga greqishtja, që ish gjuhë zyrtare dhe kishtare lindore. Por gjuhët sllave kanë marrë pashmangshëm elementë gjuhësorë edhe prej iliro-arbërishtes, e cila ishte gjuha më e përhapur popullore në krejt këto hapësira, edhe prej dako-rumanishtes, edhe prej thrakishtes, e cila qe ndëshkuar për t’u zhdukur. Në pjesën bregdetase sllavët kanë marrë, madje jo pak, edhe prej italishtes venedikase. Por gjuhët sllave nuk janë studiuar nën një të këtillë dritë shikimi. As sistemi i tyre fonetik, as leksiku, as morfologjia dhe as sintaksa.
Konstatimi ynë është, që e gjthë ballkanologjia është e mbushur me përfundime të gabuar. Por ne po merremi tash vetëm me një temë të përcaktuar. Si pohim i gabuar do marrë psh edhe mendimi që “shumica e emravet shqip me –INË janë formuar nën ndikimin e emravet sllavë të këtij tipi [dolina – luginë, ravnina – rrafshinë, veliçina (madhësi) – thartinë].” Ose: “emrat e mocionit si atkinë, shkinë, ujkinë, kanë rrjedhur nga emra të sllavishtes.” (Çab.III,f.244). Nuk po mund të hyjmë tani në analizat prejardhëse të kësaj prapashtese, por duhet të mos lëmë mënjanë që një e këtillë prapashtesë, tingëllisht e njëjtë, ka ekzistuar në këto hapësira e edhe më gjërë shumë shekuj para se të vendoseshin sllavët në këtë gadishull. Po sjellim vetëm nja 10 a 15 emra nga të Antikitetit. AKYLINË, qytet ilir. ALTINË, stacion rrugor. BULINË ose BYLINË, krahinë në Iliri, Mallakastra e sotme. ERAUSINË, qytet në Liburni. JAMFORINË, qytet në Thraki. KARMINË, qytet në Epirin e Vjetër. KESTRINË, krahinë në Epir. LIGINË, qytet në Thesali. LYSINË, ishull në Dalmaci. PARTHINË, krahinë në Iliri. PRIANTINË, provincë. VALINË, qytet në Panoni. Më në fund të përmendim emrin shumë të njohur të ishullit SALAMINË në detin Egje. Prapashtesa – INË, pra, nuk është e thënë të jetë prurë këtu prej sllavëvet, sepse ajo ka ekzistuar me shumicë jo vetëm në Gadishullin e Ilirikut, siç e dëshmuam këtu me disa shembuj, por edhe në Itali e gjetkë. Në Gjermani, psh, Këlni i sotëm quhej AGRIPINË.
Përfundimisht, ne jo vetëm e shohim të mundshme, por jemi të bindur që emrat e përgjithshëm të gjuhëvet sllave KRAJ dhe KRAJINA kanë lidhje prejardhësore të drejtpërdrejtë me emrin iliro-arbro-shqip KRAH,-I. Emri i përbërë KRAHINË është një formë e brendshme e shqipes, ndërsa po ai emër i përbërë, me të njëjtin kuptim, i sllavishtevet, KRAJINA, vjen prej iliro-albanizmit KRAJ, ndërtuar me prapashtesën – INA, gjithkështu e proveniences iliro-arbërishte. Hamendja jonë është, madje, se kjo prapashtesë në periudhat më të hershme ka qenë jo: – INË, por *-ËNË.
Sa i përket përdorimit të kësaj fjale, fjalës KRAH në gjuhën shqipe si emër i përveçëm në radhë të parë del e domosdoshme të vështrohet kjo punë në pikëpamje historike. Themi, të vështrohet në pikëpamje historike, sepse, në u vërtetoftë që kjo fjalë është përdorur si emër i përveçëm edhe para ardhjes së sllavëvet në gadishullin tonë, lehtësohet puna e të pranuarit që këtë fjalë e kanë marrë sllavët prej iliro-arbërvet e jo e kundërta. Do thënë që në krye se krahasimi, përafrimi dhe shpjegimi i emravet të përveçëm të Antikitetit me apelativa të kohës sonë është gjithmonë i dymundësishëm: Ka mundësi të pranohen si të mirëgjetur, por ka mundësi edhe të rrëzohen si të pambështetur. Megjithatë, të përmendurit dhe të shtruarit për shqyrtim nuk është asnjëherë i jomirëgjendur.
KRANONI në Mitologji është biri i Pellazgut. Por KRANON është edhe qytet në Thesali. A ka lidhje ky emër me apelativin tonë KRAH? Në greqishten e vjetër AKRANTOS (άκράντος) do të thotë degë e thatë. Kjo do të mund të thuhej ndryshe edhe KRAH (i pemës) i thatë, KRAH pa fruta. (Nuk hyjmë tani për të analizuar marrëdhëniet midis protoshqipes dhe greqishtes së vjetër). Edhe KRANAU është mbret mitologjik i Atikës prej të cilit rrjedh edhe emri fillimor i Athinës: KRANAJA. Një fortesë në Maqedoninë Antike quhet KRATAIA, që do të mund ta përafronim me *KRAHTAI,-A. (Krs.Il&Il, indeks dhe Fj.mit)
Afrohemi tani rreth vendit ose në vendin ku gjendet KRÂNJA e Shkodrës. Qytetin AKRUION Ptolemeu e ka vendosur fill mbas Risinionit, Risanit të sotëm, dhe i ka shënuar koordinatat 44˚45’ – 42˚0’. Sa të sakta janë këto koordinata, është punë që mund të shikohet dhe të diskutohet. Po këtë qytet, AKRUI, Plini e ka vendosur midis, nga njëra anë, Rizinit dhe Batuas, dhe Olcinit nga ana tjetër. Ne na interesojnë këtu: grupi i bashkëtingëllorevet KR, që është përbërësi kryesor i toponimit KRÂNJË, si dhe zanorja A, e cila mund të merret si një tingull nistor i hershëm i iliro-arbërishtes, por mund të merret edhe si një formant parashtesor me kuptim të vënies përballë. Pra, mund të hamendim një *ËKR(AH) ose një *A-KR(AH). Ndryshe: *A(NTI)-KR(AH)U,-I apo *A-KR(AH)UI. (Krs.Il&Il, indeksi).
Tit Livi, ndërkaq, historian me emër të madh, që ka jetuar në kapërcim midis 2 epokavet, shkruan kështu: “(Pretori Anici) e ndau pastaj Ilirinë (kupto: shtetin e Gencit, Gj.D.) në 3 pjesë: pjesa e parë ishte ajo, për të cilën kemi folur më lart; e dyta përmblidhte gjithë labeatët, e treta banorët e AGRAVONËS, të Rizonit e Ulcinit, si edhe të vendevet kufitarë me ta.” (Il&Il,f.132).
VIJON…
……………………………….