GJOKË DABAJ: FJALORI ETIMOLOGJIK I ZEF KRISPIT (HARTUAR MBI TË DHËNAT QË OFRON LIBRI I XHUZEPE (ZEF) KRISPIT ‘SHQIPJA, NËNA E GJUHËVE’)

Pashtriku.org, 16. 04. 2015 – (Hyrje) – Më ra në dorë ky libër i Zef Krispit, botuar para më shumë se 180 vjetësh dhe përkthyer së fundi nga z.Taulant Hatia. Ma solli ime bijë, të fotokopjuar. S’ishte aspak rasti të humbim kohë me pyetjet: Pse s’është punuar themelisht me këtë libër të albanologjisë dhe me të tjerë si ky? Pse s’është përkthyer më parë ky libër? Pse nuk i është kushtuar vëmendja institucionale historisë përtejilire të shqiptarëvet? Pyetja praktike që i shtrova vetes, pasi e lexova librin e Zef Krispit, ishte: Ç’duhet të bëj unë, meqë pata fatin dhe më ra në dorë ky libër? Duhet të përpiqem që punën e atij dijetari arbëresh, të gati 2 shekuj para nesh, ta bëj sa më të përdorshme për dijetarët vullnetmirë të kohës së sotme dhe të kohëvet që do të vijnë.
Fjalët, me të cilat ish marrë dijetari ynë, duhej të RRESHTOHESHIN sipas alfabetit, në mënyrë që të mund të punohej me to më lehtë dhe më sistematikisht. Kjo duhej bërë, sepse ato etimologji, as mund të pranohen en bloc, as mund të hidhen poshtë që të gjitha. Shkalla e njohurivet të sotme në linguistikë jep mundësi që, ç’është thënë para gati 2 shekujsh, të mund të vështrohet më qartë dhe më saktë, qoftë në koncepcione, qoftë në terminologji gjuhësore, qoftë edhe për mundësitë që ofron sot kibernetika. Gjithsesi, duke u sistemuar krejt puna kërkimore e të madhit, por të harruarit tonë, dijetarit arbresh Zef Krispi, u hapet dijetarëvet kështu edhe një dritare për ta parë albanologjinë EDHE PËRTEJ ILIRISË. Kjo ka shumë rëndësi. Qoftë sikur edhe 1/5 e fjalëvet që janë trajtuar këtu, të pranohen PARRËZUESHËM si fjalë paragreke (dmth edhe paralatine), e gjithë filologjia BOTËRORE do të duhet T’I RIKTHEHET KAPITULLIT TË ALBANOLOGJISË NGA E PARA. S’ka rrugë tjetër, por këtë rrugë duhet ta hapim ne e jo të presim që të na e hapë dikush tjetër.

Për ta pasur edhe më të lehtë punën dijetarët që do të merren me këtë temë, por edhe për shembull se si mund e duhet të punojmë, konsultova Fjalorin etimologjik të Gustav Majerit, botuar në vitin 1991, por përkthyer në shqip tani së voni nga studiuesja jonë, zonja Donikë Omari dhe botuar në kolanën “Botimet Çabej” në vitin 2007. I kam marrë me radhë të gjitha fjalët që i ka trajtuar Zef Krispi ynë dhe kam shënuar ç’ka thënë për po ato fjalë albanologu Gustav Majeri. Pas Gustav Majerit konsultova edhe etimologjitë përkatëse të gjuhëtarit tonë të shquar Eqrem Çabej, vëllimet 1 dhe 2. Në këtë mënyrë, duke i krahasuar të 3 këta dijetarë, Skiro-Majer-Çabej, s’ka dyshim që do të mund të nxiren konkluzione të rëndësishëm.
U ndjeva borxhli që s’jam marrë edhe më parë me Zef Krispin, por nuk e pashë të arsyeshme të mbaj mbi supe edhe BORXHIN që i kanë atij, AKADEMIKËT tanë të sotëm dhe AKADEMITË tona, gjithanësisht të ASFIKSUARA. Të asfiksuara nga vetëvetja, por edhe nga shumë forca të tjera, të cilat çarmatosjen e akademivet tona e konsiderojnë njësoj si çarmatosjen e ushtrivet tona.
Disa sqarime, për lehtësi përdorimi:
1.Fjalët që përbëjnë titull zëri, janë shënuar me shkronja të zmadhuara.
2.Zërat janë larguar njëri nga tjetri me 1 spas më shumë.
3.Një numër fjalësh (si psh, fjalën UJË), Z.Krispi i ka trajtuar nga disa herë. Ato, gjithkështu janë shënuar me shkronja të zmadhuara, por pa e larguar rreshin nga rreshti.
4.Organizuar në këtë mënyrë, këtë fjalor mund ta përdorë cilido linguist, duke e printuar dhe duke shtuar pastaj, në vazhdim të secilit zë, konstatimet e vet apo etimologjitë e dijetarëvet të tjerë. Arrihet kështu gjithsesi në përfundime shkencorë me vlera gjithnjë e më të qëndrueshme. Informatika na e jep këtë mundësi dhe prandaj hulumtuesi i sotëm e ka shumëfish më të lehtë punën se ç’e ka pasur, psh, Zef Krispi para 200 vjetësh.
* * *
Dua ta falenderoj me këtë rast zotin Taulant Hatia, që e ka përkthyer dhe publikuar këtë vepër të Krispit tonë, njërit prej fjalëstudiuesvet tanë më të hershëm. Gj.D.
***

LEXONI LIBRIN NË FORMATIN PDF:

GJOKË DABAJ: FJALORI ETIMOLOGJIK I ZEF KRISPIT (HARTUAR MBI TË DHËNAT QË OFRON LIBRI I XHUZEPE (ZEF) KRISPIT ‘SHQIPJA, NËNA E GJUHËVE’)
HAPE: https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/gjoke-dabaj-Zef%20Krispi.pdf

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura