GJOKË DABAJ: INTELEKTUALËT SHQIPTARË PARA NJË DETYRE FATALISHT TË HARRUAR

Durrës, 21. 10. 2013 – Çështja që po shtrohet këtu, është një çështje shumë serioze. Është një e atillë çështje që, kur më kujtohet, them me vete: Si është e mundur që inteligjenca jonë të mos e ketë trajtuar ende me të madhe këtë problem kaq të madh?!
Po flitet për fshirje kufijsh, po flitet për heqje doganash. Aspirata e vetme e popujvet të këtij rajoni është, tashmë, aderimi në Bashkimin Europian. Diplomacia s’po bën tjetër, veçse po shkon në Bruksel, po merr detyra dhe po i megafonon përpara popullit: Ka mbetur edhe kjo pa u kryer! O burra, ta kryejmë edhe këtë punë dhe të bëhemi të lumtur një herë e për gjithmonë!
Të luftojmë korrupsionin! Ta vëmë drejtësinë në shërbim të drejtësisë! Mjekët të mos i rrjepin nga paratë pacientët, por t’i shërojnë! T’i vëmë fre krimit të organizuar! (Që të gjitha, importuar nga Europa!)
Heqjen e kufijvet, eliminimin e kufijvet, e kanë metaforizuar me muret dhe me gjerdhet. Duket sikur çdo gjë do të shkojë fjollë, vetëm të na hiqen këta të mallkuar gjerdhe.
Mirëpo, mua si intelektual, nuk mund të mos më kujtohet i njëjti problem i kufijvet, i cili qe shtruar me të madhe, pikërisht këtu, në këtë gadishull, edhe para 100 vjetësh. Shqiptarët donin ta kishin kufirin atje ku ai ishte krijuar prej shekujsh, fqinjët tanë, jo vetëm nuk donin që ne të kishim kufij shtetërorë, por nuk donin as të ekzistonim dhe këtë e dëshmuan PRAKTIKISHT.

===================

SHIKONI KU I KISHTE KUFIJTË-SERBIA, NË GJYSMËN E PARË TË SHEK.XIX!

…. E KU I KA SOT ???!!!

* * * 

 Ndërsa Ismail Qemali shpallte Pavarësinë dhe kërkonte që shteti shqiptar të ketë kufij normalë shtetërorë, fqinjët tanë ngrinin popujt e vet më këmbë, krijonin ushtri të mëdha dhe ua mësynin kufijvet të Shqipërisë. I indoktrinonin popujt e vet dhe ushtritë e veta dhe i ndërsenin mbi tokat e shqiptarëvet, për të bërë krime dhe bënë krime sa mundën.
E dogjën Shqipërinë fqinjët tanë para 100 vjetësh! Era e shkrumbit të shtëpivet ende s’na është davaritur! Era frymëzënëse e trupavet të qindra mijë shqiptarëve të vrarë e të lënë hendeqeve, ca këtu, ca atje, ende s’na është larguar prej hundësh. Kujet e nënavet, që mbetën pa djem, ende kumbojnë përzishëm në veshët tanë!
Megjithatë, që të mos tregohemi ANAKRONIKË, që të ecim edhe ne me hapin e popujvet të tjerë të Europës, po duhet t’i lëmë sado pak mënjanë ato që na kanë ndodhur, dhe po ua shtrijmë dorën pasardhësvet të atyre që na e patën shkretuar këtë vend.
Mirë po bëjmë, ne, krenarët dhe fodullët shqiptarë! Por fqinjët tanë, ndërkaq, a po sillen mirë me ne?! A janë edhe ata të sinqertë sa ne, në këtë ndërmarrje kaq të madhe të kësaj Europe, gjithsesi sfungjer gjaku?!
Mjafton të marrësh dhe të shfletosh TEKSTET E SHKOLLAVET, qoftë fillore, qoftë të mesme, të cilitdo prej shtetevet që na rrethojnë. Shihni çfarë terminologjie përdoret atje në drejtim të tokavet të Shqipërisë!
– Askund nuk thuhet që forcat greke i PUSHTUAN këta vende!
– Askund nuk thuhet që forcat bullgare i PUSHTUAN këto pjesë të Shqipërisë!
-Askund nuk thuhet që Sëbia e PUSHTOI Kosovën!
– Askund nuk thuhet që Mali i Zi i PUSHTOI Podgoricën, Plavën dhe Tivarin!
Në vend të fjalës PUSHTIM, në të gjithë tekstet shkollorë të fqinjëvet tanë vazhdon të përdoret fjala “ÇLIRIM”. Grekët, (thonë grekët), nuk e kanë PUSHTUAR, por e kanë “ÇLIRUAR” Epirin e Jugut. Sërbët, (thonë sërbët), nuk e kanë PUSHTUAR, por e kanë “ÇLIRUAR” “Kosmetin”.
Pyetja që bën çdo njeri që nuk është naiv, që nuk është debil, është kjo:
– Në qoftë se në tekstet shkollorë të Gjermanisë, të fillores dhe të së mesmes, do të thuhej që Hitleri e “ÇLIROI” Francën në vitin 1941, a do të mund të krijohej Bashkimi Europian?
Po pyes:
– A do të mund të krijohej Bashkimi Europian?!
I vetmi dallim midis nesh dhe Francës është, se Francën e çliruan anglezët dhe amerikanët, ndërsa ne s’na erdhi askush as për të na ndihmuar, që të mbrohemi prej masakruesvet.
A do të mund, pra, të krijohet një Bashkim Ballkanik, në kuadër të Europës së Bashkuar, në qoftë se ne shqiptarët do të tregohemi, jo krenarë dhe fodullë (që as ëndërr s’e kemi parë), por debilë, naivë e qyqarë, sa s’ka ku të vejë më?! Jo! Një i tillë Bashkim Ballkanik nuk do të mund të krijohet kurrë, nëse ne nuk do të bëhemi të përgjegjshëm për t’u kërkuar fqinjëvet tanë atë që duhet t’u kërkojmë: Mos lakmoni të na i shembni gjerdhet, pa e ndryshuar qëndrimin tuaj ndaj së kaluarës! Mos thoni që i keni “ÇLIRUAR” tokat që s’kanë qenë kurrë tuajat!
Fëmijët, nxënësit e sotëm të shkollavet të atyre vendeve, duhet ta dinë që gjyshërit e tyre kanë PUSHTUAR pjesë të Shqipërisë, duke i larë ata troje me gjak shqiptarësh. Duke i njohur këto të vërteta, fëmijët e atyre vendeve duhet ta ndiejnë veten BORXHLI ndaj fqinjëvet të tyre shqiptarë e jo të na shikojnë si delen e zezë midis të bardhavet. Fëmijëvet të shtetit grek nuk u duhet thënë që “Përmeti është tokë greke”, por u duhet thënë që edhe Konica është tokë shqiptare, pa çka se ajo ndodhet brenda kufijvet të shtetit grek. Fëmijëve të Sërbisë nuk u duhet thënë që “Mitrovica është tokë sërbe”, por u duhet thënë që edhe Toplica është tokë shqiptare, pa çka se ajo mbetet brenda shtetit sërb. Vetëm në këtë mënyrë, me këtë lloj kulture, mund të mirëkuptohen popujt e përgjakur të këtij gadishulli, nëse s’kanë ndërmend të ripërgjaken.
Mirëpo, ne intelektualët shqiptarë, duhet ta dimë mirë dhe ta kuptojmë tepër seriozisht që, një e tillë osmozë fqinjësie mirëkuptuese, nuk do të mund të krijohet kurrë në këto hapësira pa kontributin tonë.
Në të 4 anët, kudo ku ka shqiptarë, ka edhe shoqëriza e shoqatëza intelektualësh shqiptarë. Kanë këta intelektualë shqiptarë gjithfarë programesh, herë të vegjël e herë madhorë, madje edhe madhështorë, por s’pamë midis këtyre grupimeve që dikush të marrë mundimin e të lexojë çfarë shkruajnë për shqiptarët fqinjët tanë, nëpër tekstet e shkollavet të veta. T’i marrin dhe t’i analizojnë një për një. T’i analizojnë dhe t’u bëjnë vërejtje tekstologëvet: Këtu keni proceduar mirë, por këtu edhe këtu keni mbjellë helm, duke thënë të pavërteta.
Ka nevojë, madje, të krijohen komisione ndërballkanikë për shqyrtimin e çdo lloj teksti që u serviret brezavet të rinj. Sepse janë pikërisht ata, brezat e rinj, të cilët, o do të promovojnë harmoni, o do t’i vënë sërish zjarret këtij gadishulli. Shqiptarët janë më pak të indoktrinuar, por janë edhe kombi më i rrëzikuar. Mjafton të sjellim 1 shembull. Pakica greke ka universitet greqisht në Gjirokastër. Në Janinë shqiptarët nuk kanë as shkollë fillore në gjuhën shqipe.
Intelektualët tanë, para se ta bëjnë qeveritarët këtë punë, analizat e veta mbi tekstet shkollorë të njërit apo tjetrit shtet, sidomos të këtyre që i kemi rrotull, por edhe të shteteve të tjerë, duhet t’ua çojnë në radhë të parë autorëvet. T’u bëjnë vërejtje, t’i ballafaqojnë vërejtjet e veta me faktet shkencorë të historisë, ose edhe të gjeografisë, pastaj, nëse ata autorë, siç edhe pritet, nuk do të reagojnë pozitivisht, lënda e selektuar t’u dorëzohet gjykatavet ndërkombëtare.
Pikërisht ky është HARRIMI FATAL i inteligjencës shqiptare në këtë fillim shekulli: Dorëzimi në gjykatat ndërkombëtare i padivet përkatëse për falsifikim të historisë dhe për shkelje të të drejtavet të njeriut.
Shkelja e të drejtavet të njeriut duhet të përcaktohet në 3 kategori:
1. Vrasje, masakrime e genocid,
2. Dëbim dhe shpërngulje e popullatës autoktone,
3. Mosnjohje e të drejtavet nacionale për popullsinë shqiptare të pashpërngulur.
Problemi është aq i rëndësishëm, sa nuk mund të rrihet duarkryq. Që nga klasa e parë fillore, që nga tekstet e këngëvet, që nga poezitë që recitohen, të gjitha duhet të merren në shqyrtim dhe qëllimi i vetëm duhet të jetë: Të mos gjenerohen gjakderdhje në të ardhshmen në këtë gadishull kaq të bukur e kaq të tejngopur me tragjedira.
Për fat të keq, por edhe me një neglizhencë të pakuptueshme, tërësisht të palogjikshme, askush prej nesh deri më sot s’e ka vënë këtë ujë në zjarr, në një kohë kur pikërisht të pastruarit e tekstevet shkollorë prej helmesh të shovinizmit dhe prej lakmivet mbi tokat e të tjerëvet, duhej të ishte një ndër kushtet tanë kryesorë për t’iu bashkëngjitur ose jo nismavet të stabilizim-asocijimit etj, apo edhe vetë aderimit në BE.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura