PROF.DR.FLORIM ISUFI&PROF.DR.SHPEJTIM BULLIQI: MATJA/LLOGARITJA E TERRITORIT TË MALIT TË ZI SI FAKT I DEMARKIMIT TË KUFIRIT ME KOSOVËN

Prishtinë, 24. 02. 2017: “Hulumtimi nuk ka asgjë personale me qarqet politike dhe profesionale, por vetëm si dëshmi se demarkimi i kufirit në mes Kosovës dhe Malit të Zi është bërë gabim dhe se rishikimi do të mund të rregullojë bilancin negativ territorial. Ky hulumtim është në vazhdën e kontributeve në zgjidhjen profesionale të problemit të shkaktuar me rastin e demarkimit të vijës kufitare mes këtyre dy shteteve”.
“Rezultatet e prezantuara për territorin e Malit të Zi pas marrëveshjes për demarkim të vitit 2015, paraqesin anomali dhe jo përputhshmëri me realitetin. Në rast të ratifikimit të kësaj marrëveshje në Parlamentin e Kosovës, Mali i Zi do të rritë sipërfaqen. Shikuar historikisht, Mali i Zi sipas të gjitha publikimeve të Entit Federativ për Gjeodezi të ish Jugosllavisë dhe institucioneve gjeodezike të Malit të Zi nga viti 1945 deri në vitin 2015 kishte më pak sipërfaqe se sa pas demarkimit. Sipas të njëjtave rezultate edhe pas demarkimit të kufirit, Mali i Zi duhet t’i kishte 13 812 km2, por pas nënshkrimit të marrëveshjes rezulton të ketë më shumë”. Mali i Zi historikisht dhe gjate gjithë kësaj kohe ne te gjitha organizatat ndërkombëtare(OKB, BE, NATO etj) ka aplikuar dhe është pranuar duke u vetëprezentuar si shtet me sipërfaqe prej 13 812 km2.
Qëllimi i hulumtimit
Qëllimi i këtij hulumtimi ka të bëjë me deshifrimin e gabimeve në demarkimin e kufirit të Kosovës me Malin e Zi bazuar në matjen e sipërfaqes së dy vendeve. Kjo do të vërtetoj mos demarkimin e kufirit sipas raporteve të madhësisë së territorit nëpër të kaluarën historike pas Luftë së Dytë Botërore. Edhe pse demarkimi i vijës kufitare mes këtyre dy shteteve nuk është bërë sipas delimitimit të parë dhe se këtë e kemi vërtetuar disa herë me fakte hartografike, prapë u paraqit nevoja që me fakte sekondare të vërtetohet humbja e territorit të Kosovës në raport me Malin e Zi. Shpresojmë se me këto rezultate origjinale dhe të bazuara në fakte zyrtare shtetërore të publikuara gjithandej, do të binden të gjitha strukturat relevante në humbjen e territorit nga njëra palë dhe rritja e territorit nga pala tjetër.
Metoda e punës
Matja e sipërfaqes së një shteti nuk detekton saktë demarkimin e vijës kufitare, por meqë interesimi i strukturave qeveritare të Republikës së Kosovës ishte verifikimi i demarkimit të drejtë të kufirit mes Kosovës e Malit të Zi me matjen e sipërfaqes së Kosovës, ne vendosem të analizojmë territorin e Malit të Zi me të njëjtën metodë.
Që të arrihen rezultate të vërteta dhe të pa mohuara është përdorë metodologjia e matjes/llogaritjes së sipërfaqes së dy shteteve (poligoneve më poshtë) me ndihmën e GIS-it. Në këtë hulumtim janë përdorë hartat publike zyrtare të dedikuara për llogaritjen e tërësisë territoriale të një shteti, nga të cilat janë detektuar 54 065 pika me koordinata X dhe Y përgjatë tërë vijës kufitare të Malit të Zi. Distanca mesatare mes pikave është rreth 51 metër. Këto harta janë publike dhe zyrtare të qeverisë së Malit të Zi të publikuara përmes drejtorisë së patundshmërisë së Malit të Zi. Për verifikimin e rezultateve të arritura janë përdorur 861 harta publike zyrtare të Malit të Zi përgjatë tërë vijës kufitare të Malit të Zi. Pikat janë lidhë mes tyre me segmente dhe është fituar poligoni i Malit të Zi në dy nivele. Në nivelin e parë Mali i Zi paraqitet sipas vijës së demarkimit të vitit 2015, ndërsa në nivelin e dytë paraqitet sipas delimitimit të vitit 1945/46. Po ashtu me të njëjtat parametra është matë/llogaritë edhe territori i Kosovës.
Që të arrihen rezultate në përputhje me të gjitha matjet dhe punimet hartografike të kohës, jemi bazuar në të gjitha parametrat ligjor dhe zyrtar të ish Jugosllavisë. Për bazë kemi marr projeksionin hartografik të njëjtë, elipsoidin e njëjtë, datumin e njëjtë, si dhe CM (meridiani Qendror) e SF(Faktori i shkalles se deformimit) të njëjtë. Në aspektin shkencor kjo mundëson fitimin e rezultateve të njëjta me periudhën e delimitimit të parë të njësive administrative në ish Jugosllavi dhe detektimin e anomalive të ndryshme nëse shfaqen. Gjithashtu kemi marr për bazë të gjitha publikimet për sipërfaqen e Kosovës dhe Malit të Zi, nga ato shkencore deri tek ato zyrtare. Verifikimin dhe vërtetimin e rezultateve të arritura e kemi bërë me Teorinë e Bulit (Boolean theory) duke futur në raport dy poligonet me sipërfaqe zyrtare.
Rezultatet
Pas analizës së të dhënave mbi sipërfaqen e Kosovës dhe Malit të Zi u konstatua se Mali i Zi gjithherë paraqitet me të njëjtën shifër, ndërsa sipërfaqja e Kosovës me shifra të ndryshme prej 10800 km2 deri në 11000 km2. Me këtë mund të konstatohet se sipërfaqja e Malit të Zi është lehtë të caktohet, ndërsa për sipërfaqen e Kosovës duhet më shumë analiza tekstuale dhe grafike nëpër periudha të ndryshme kohore.
Për territorin e Kosovës nuk do të publikojmë vlera për dy arsye:
1. Për shkak të mos demarkimit të vijës kufitare të Kosovës me Serbinë që në të ardhmen do të sjell probleme në mos përputhje.
2. Mos krijimi i kushteve të pa përshtatshme për palën kosovare në rast të bisedimeve në të ardhmen mes Kosovës dhe Serbisë e që do të rezultonte me mos pajtim me vijën e propozuar kufitare. Kjo do të sillte në pozitë të keqe komisionin e Kosovës për demarkim, nëse sipërfaqja nuk do të dal e njëjtë me këtë të publikuar tani. Ne nuk dëshirojmë të marrim një përgjegjësi të tillë.
Rezultatet e arritura për territorin e Malit të Zi janë sa të sakta aq edhe të tmerrshme. Pas procesit të demarkimit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi dhe në rast të ratifikimit të kësaj marrëveshje në Parlamentin e Kosovës, Mali i Zi do të rritë sipërfaqen. Shikuar historikisht Mali i Zi sipas të gjitha publikimeve të Entit Federativ për Gjeodezi të ish Jugosllavisë dhe institucioneve gjeodezike të Malit të Zi nga viti 1945 deri në vitin 2015 kishte 13 812 km2. Kjo vërteton se Mali i Zi asnjëherë nuk ka publikuar vlera tjera të sipërfaqes së saj sepse nuk i kishte. Sipas këtyre rezultateve edhe pas demarkimit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi, ky i dyti duhet ti kishte 13 812 km2, por pas nënshkrimit të marrëveshjes rezulton të ketë më shumë.
Duke krijuar poligonin e shtetit të Malit të Zi mbi bazën hartografike zyrtare është arritur të vërtetohet se ky shtet rritë sipërfaqen e tij bazuar në vijën kufitare të demarkimit të vitit 2015. Bazuar në këtë Mali i Zi do të rritë sipërfaqen e tij nga 13 812 km2 në 13 882.44 km2 apo për 70.44 km2 më shumë. Këtu nuk është marrë për bazë shkëputja e vendbanimeve nga Mali i Zi dhe bashkimi me Bosnjë dhe Hercegovinë në vitin 1949. Këtu del mos përputhja e vlerës së humbjes të sipërfaqes së Kosovës me vlerën e rritjes të sipërfaqes së Malit të Zi. Nëse për bazë marrim vijën kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi sipas delimitimit të vitit 1945/46, Mali i zi do të duhet ti kishte 13 812 km2, apo aq sa i kishte gjatë tërë periudhës kohore nga 1945 deri 2015. Me këtë mund të konstatohet se delimitimi i parë i vitit 1945/46 ishte i drejtë dhe se sipërfaqja e Malit të Zi ishte e llogaritur sipas këtij delimitimi, ndërsa sipas demarkimit të vijës kufitare mes këtyre dy shteteve në vitin 2015, Mali i Zi do të rritë sipërfaqen e tij.
Shikuar procesin e demarkimit të kufijve të Malit të Zi me shtete fqinje (pa Kosovë), nuk mund të konstatohet ndonjë problem apo mosmarrëveshje. Kjo determinon faktin se Mali i Zi nuk ka asnjë lëvizje të vijës kufitare në dëm/dobi të territorit të tij. Nga kjo mund të konstatohet se rritja e territorit të Malit të Zi është bërë vetëm në drejtim dhe dëm të territorit të Kosovës. Ne nuk kemi hasur në ndonjë fakt tjetër që do të arsyetonte rritjen e territorit të Malit të Zi nga 13 812 km2 në 13 882.44 km2, apo 70.44 km2 më shumë.
Përfundimi
Metoda e aplikuar shkencore, parametrat hartografik zyrtar dhe ligjor të kohës, programet profesionale aplikative kompjuterike, shënimet zyrtare për sipërfaqe të territorit të Malit të Zi, kanë krijuar mundësin e arritjes së rezultateve ekzakte dhe të verifikuara nga kush do dhe kur do.
Bazuar në shkallën e lartë të saktësisë dhe shkallës së lartë të besueshmërisë së të dhënave hartografike zyrtare si për Kosovën ashtu edhe për Malin e Zi u konstatua se Kosova humbë territor, ndërsa Mali i Zi rritë sipërfaqen e tij për rreth 70.44 km2. Mos përputhja e humbjes së territorit të Kosovës me vlerën e rritjes së territorit të Malit të Zi, buron në transformimin e projeksioneve hartografike dhe shkëputjes së disa vendbanimeve nga Mali i Zi në vitin 1949. Me ndihmën e Teorinë e Bulit (Boolean theory), detektimi i vijës reale të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi është i lehtë dhe bindës. Nëse territorin e Malit të Zi e shtrijmë në drejtim të Kosovës deri tek vija kufitare sipas hartave topografike 1:50 000, Mali i Zi do të ketë sipërfaqe 13 812 km2,(me sipërfaqen e vendbanimeve që janë shkëputë nga Mali i Zi në vitin 1949), d.m.th ashtu siç është publikuar vazhdimisht nga institucionet shtetërore federative dhe republikane të ish Jugosllavisë. Nëse territorin e Malit të Zi e shtrijmë në drejtim të Kosovës deri tek vija kufitare sipas propozimit per demarkim të vitit 2015, sipërfaqja e Malit të Zi do të rritet, d.m.th nuk ka përputhje me vlerën zyrtare të publikuar nga institucionet relevante federative dhe republikane për 70.44 km2.
Nëse strukturat relevante publike dhe shkencore të Kosovës, pas matjes së territorit këmbëngulin se Kosova nuk humbë territor, do ta kenë shumë të vështirë të arsyetojnë rritjen/zgjerimin e territorit të Malit të Zi kur dihet se demarkimet e kufirit të Malit të Zi me shtetet tjera kanë përfunduar pa asnjë problem, ndërsa ndarja nga Serbia është bërë sipas marrëveshjes dhe pa asnjë fërkim territorial.
Jemi të gatshëm që të gjitha këto rezultate në detaje ti prezantojmë para çdo strukture politike, profesionale, mediave apo grupeve të interesit në grupe apo individuale, me dyer të hapura apo të mbyllura në çdo kohe dhe në secilën hapësirë.
Për analiza të mëtejme, verifikim apo modifikim jemi të gatshëm në çdo kohë të ulemi me të gjithë ekspertët e profesionit të ngushte me problemin si: hartograf, gjeodet dhe njohës të gjeoinformatikës.
Shpresojmë se këto rezultate më në fund kanë sqaruar në detale rrjedhën e demarkimit të vijës kufitare mes Kosovës e Malin e Zi.
Bilanci negativë i këmbimit territorial buron nga hartat e para, pas delimitimit të njësive federative të ish Jugosllavisë në vitin 1945/46, ashtu edhe nga publikimet zyrtar të shifrës së sipërfaqes së Malit të Zi nga vitit 1945 deri në vitin 2015.
F.I.&Sh.B.

Bulliqi e Isufi bajnë publike argumentet mbas matjes që ja kanë ba Malit të Zi

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura