GJOKË DABAJ: KOALICIONI ME PARTINË MYSLIMANE, VEPËR PERFIDE ANTISHQIPTARE NË TIVAR!

Durrës, 17. 05. 2014 – Më 25 maj 2014 do të zhvillohen zgjedhjet lokale në komunën e Tivarit. Shqiptarët në këtë komunë janë aq të DISKRIMINUAR,sa është vështirë të gjesh diku tjetër në botë një ambient ku elementi vendës të jetë më i shtypur se këtu. Po vë në dukje vetëm disa aspekte të këtij DISKRIMINIMI.
1. Shqiptarët e kësaj komune, me përjashtim të bashkësisë lokale të Kranjës, nuk deklarohen dhe nuk regjistrohen si shqiptarë dhe ky është rezultat i DISKRIMINIMIT, i cili e ka fillesën në janar të vitit 1878, kur ky qytet është pushtuar prej Malit të Zi.

2. Shqiptarët e kësaj komune i kanë llagapet të deshqiptarizuar, pra të deformuar, me anë të prapashtesavet –IQ dhe –VIQ, përfshirë këtu edhe një pjesë të mirë të banorëvet të Kranjës.
3. Shqiptarët e këtyre trevave, me përjashtim të Kranjës, të Poshtme dhe të epërme, deri në Muriq, nuk e përdorin pothuaj fare gjuhën shqipe në ambientet publikë. Kanë frikë ose u vjen “turp” të flasin shqip. Nëpër zyra, në bar-restorante, në tregun e fshatarëvet, në stacione treni e autobusi, në rrugë, kudo ata flasin sllavisht.

Aq negative janë këto fprma DISKRIMINIMI, sa vetëm një vendës mund të marrë me mend sa shqiptarë ka në Tivar, ndërsa çdo i huaj krijon përshtypjen sikur këtu nuk ka fare shqiptarë.
4. Në komunën e Tivarit, me përjashtim të bashkësisë lokale të Kranjës, që është më afër Shkodrës se Tivarit, nuk ka asnjë shkollë shqipe. Ky lloj REPREZALIJEJE NACIONALE është ushtruar mbi këtë popull qysh në mbarim të shekullit XIX, kur edhe janë arrestuar njerëzit që rezistonin t’i çonin fëmijët në shkollë sllavisht, ka vazhduar gjatë gjithë shekullit XX dhe po vazhdon edhe sot në shekullin XXI, pa e shqetësuar fare Bashkimin Evropian. Shqiptarët e Tivarit nuk guxojnë të kërkojnë shkollë shqipe për fëmijët e vet. Në aparencë atyre u thuhet që shkolla në gjuhën shqipe “nuk ka levërdi”.
5. Në komunën e Tivarit nuk ka asnjë organ shtypi në gjuhën shqipe. Aty nuk gjendet asnjë librari, ku të shiten libra shqip dhe në asnjë kioskë nuk shiten gazeta shqiptare. Nga mediat audiovizive, vetëm Radio-Tivari jep 5 minuta lajme në gjuhën shqipe dhe me kaq fillon e mbaron pëfaqësimi publik i kombësisë shqiptare në këtë komunë.
6. Popullsia shqiptare në komunën e Tivarit përbëhet nga 3 konfesionet. Aty ka shqiptarë katolikë, të tubuar rreth Arqipeshkvisë së tyre 1000-vjeçare. Ka shqiptarë myslimanë, jo vetëm kranjanë e anamalas, por edhe banorë të hershëm të Tivarit Nalt, si dhe banorë të hershëm të rrethinës më të ngushtë të Tivarit. Por aty ka edhe shqiptarë ortodoksë nga fshatrat Pecanj e Uzhdabiq të Shestanit, si dhe nga Selca, Godenja e Krrica, që deri në shekullin XIX kanë qenë pjesë e Shestanit.
————————-
Por, çfarë ka ndodhur me këta pjesëtarë të të njëjtit komb?! Së pari, Kisha Pravosllave ka punuar për t’i sllavizuar shqiptarët ortodoksë dhe i ka sllavizuar pothuaj plotësisht. Së dyti, në kishën arqipeshvnore të Tivarit, me një narrëveshje DISKRIMINUESE midis Malit të Zi dhe Vatikanit, është vendosur mesha në kishat e Tivarit, bashkë me të gjithë shërbimet e tjerë, të kryhet në gjuhën sllave, madje në gjuhën starosllave. Në këtë mënyrë, edhe pjesa katolike ka hyrë TRADHTISHT në rrugën e sllavizimit. Ndërkaq, mbi pjesën e myslimanëvet shqiptarë është ushtruar presion që ata të transformohen në “myslimanë boshnjakë”. Ata janë vënë para alternativës: ose të vetëquhen myslimanë boshnjakë, ose të shpërngulen e të ikin nga vendi i vet. Nga sytë, këmbët!
Propaganda kundër shqiptarëvet myslimanë, midis shqiptarëvet katolikë e ortodoksë, është aq këmbëngulëse, sa thua se të gjitha të këqiat ia kanë prurë ata këtij vendi. Krijohet ashtu përshtypja sikur sllavët, madje as sërbët që kanë ardhur aty që nga Beogradi e Nishi, as malazezët, që e kanë invaduar Tivarin, s’u kanë prurë asnjë të keqe shqiptarëvet të këtushëm.
————————–
Në këtë situatë, e cila do të donte libra të tërë, që të mund të pasqyrohej tragjedia në të gjitha përmasat, vjen koalicioni parazgjedhor i 3 partivet shqiptare me Partinë e Boshnjakëvet.
Në pamje të parë, kjo duket si një fitore e krahut shqiptar. Thuhet sikur ky koalicion do të mund të fitojë 3 apo 4 vende në Këshillin Komunal të Tivarit dhe se kjo do të shënonte aty një rezultat të pambajturmend deri më sot.
Të fitosh 3-4 vende në këshill komunal prej 37 vendesh, në krahasim me vetëm 1 që kanë pasur deri tani, është vërtet një farë rezultati, por gjithsesi ai mbetet një rezultat mizerabël, në krahasim me numrin real të shqiptarëvet që jetojnë në territorin e asaj komune.
3 partitë shqiptare, LDMZ e z. Mehmet Bardhi, FORCA e z. Nazif Cungu dhe PD e z. Fatmir Gjoka, nuk kanë marrë as në të shkuarën vota nga pjesa katolike (le më ortodokse) e shqiptarëvet të Tivarit dhe faji në këtë pikë është i yni, kryesisht i ne katolikëvet të Shestanit, që kemi rënë aty viktimë e propagandës antishqiptare. Kam këtu letrën e një mikut tim prej Shestanit, të cilit i jati, patriot shqiptar nga më të spikaturit e këtyre anëve, i është pushkatuar prej malazezëvet në vitin 1946. Ky shestanas më shprehet në këtë letër në mënyrë shumë negative kundër myslimanëvet shqiptarë. Kjo letër është dëshmia më e gjallë, që vërteton deri ku kanë arritur shqiptarofobët ta përçajnë komunitetin tonë në ato hapësira.
————————
Ne e dimë si dhe pse u bë përçarja midis qytetarëvet ulqinakë, që janë myslimanë, dhe kranjanëvet e anamalasvet, që gjithashtu janë myslimanë. U fut përçarja duke shfrytëzuar gjoja dallimet shehërli-katundar.
Ne e dimë si dhe pse u shkatërrua shoqata “Dom Gjon Buzuku”. U fut grindja midis katolikëvet të njërit fshat dhe katolikëvet të 2 apo 3 fshatravet të tjerë. Pastaj u fut grindja në vetë kryesinë e shoqatës.
Ne e dimë edhe si e pse u krijuan 11 parti shqiptare në shtetin e Malit të Zi. Dobësi karakteri, meskinitet, ëndrra për pasuri, ëndrra për karrierë e naivitet, ka në të gjithë popujt. Politika perfide antishqiptare malaziase, duke shprehur me hipokrizi simpatinë ndaj nesh, s’është marrë me gjë tjetër në këto 20 vjet, veçse me copëzimin e subjektit politik shqiptar në ato hapësira.
Megjithkëtë, është evidente që, në vitet e fundit, vihet re një lloj ndërgjegjësimi edhe midis pjesës sonë katolike të Tivarit dhe, nëse subjekti intelektual e politik shqiptar do të punonte me kujdes ndër ata banorë, është e mundur që në të ardhshmen të krijohen edhe aty disponime më të favorshëm për ne shqiptarë, duke iu shmangur sado kudo efektevet të DISKRIMINIMIT.
——————-
Është e mundur dhe këtë mund ta shikojnë më së miri vetë përfaqësuesit tanë në atë komunë, kryesuesit e degëvet përkatëse të koalicionit: z.Ismail Doda, z. Ilirian Koliqi dhe z. Fitim Draga. Mirëpo, çfarë ka ndodhur pasi 3 partitë shqiptare kanë vendosur të bëjnë koalicion?! Ka ndodhur që atij koalicioni, papritur, i është bashkëngjitur një parti joshqiptare myslimane.
Për mua, për mendimin tim, kjo s’është tjetër, veçse një manovër perfide, e kamufluar, e fshehtë, e partisë malaziase në pushtet, me qëllim për ta thelluar edhe më shumë hendekun midis shqiptarëvet myslimanë dhe shqiptarëvet katolikë të atyshëm. Madje, ky mund të jetë edhe një lloj eksperimenti, si mund të veprohet në të ardhshmen edhe në komunën e Ulqinit. Në qoftë se deri më sot shqiptarët katoikë të Tivarit, midis të cilëvet, siç thashë, ka filluar një lëvizje ndërgjegjësimi, nuk u kanë dhënë vota partivet shqiptare, mbas këtij koalicioni me PB-në (Partinë e Boshnjakëvet), të cilët, realisht, nuk janë kurrfarë boshnjakësh, midis shqiptarëvet katolikë do të marrë përhapje epidemike psikoza e urrejtjes ndaj përfaqësuesvet të partivet shqiptare: “A E SHIHNI ME KË U BASHKUAN KRANJANËT DHE ANAMALASIT?! U BASHKUAN ME MYSLIMANËT QË NUK FLASIN SHQIP!.. ASHTU SIÇ JANË BASHKUAR DIKUR ME TURKUN, ASHTU BASHKOHEN EDHE SOT ME KË T’U INTERESOJË ATYRE!”
Është manovër e partisë së z.M.Gjukanoviq dhe liderët e partivet tona nuk duhej të kishin rënë viktimë e një të këtillë shantazhi të qartë a la Kral Nikollë.
Unë i kam miq, edhe Mehmet Bardhin, edhe Ismail Dodën. Por nuk mund të mos e shpreh mendimin që miqtë e mi kanë gabuar këtë herë taktikisht.
S’kam asgjë kundër Partisë së Boshnjakëvet. Ata, siç u tha edhe pak parë, në realitet, nuk janë boshnjakë. Ata janë shumica shqiptarë, që gjuhën shqipe e kanë zëvendësuar me sllavishten, siç kanë bërë edhe të krishterët e atyshëm, nën presionin 3-4-etapësh 150-vjeçar monarko-komunsto-“democrat” të pushtuesvet sllavë. Por edhe sikur të shin boshnjakë të mitrëfilltë, unë prapë nuk do të kisha kurrfarë kompleksi ndaj tyre. Ata, madje, janë edhe përkrahës të sinqertë të ne shqiptarëvet dhe s’kish si ndodhte ndryshe. Por prapë jam i detyruar të konstatoj që edhe ata kanë rënë viktimë e lojëravet që bëhen aty mbi kurrizin e banorëvet shqiptarë, katolikë, myslimanë e ortodoksë.
Banorët shqiptarë, katolikë, myslimanë e ortodoksë, të atyre trevave, nuk janë TË ARDHUR, por janë VENDËS në të gjithë shekujt dhe janë themeli etnogjenetik i mbretërimevet të Pleuratit, Agronit, Teutës e Gencit, janë themeli i Prebalitanës së dikurshme dhe janë pjesë etnoformuese të Arbërisë Mesjetare. Pikërisht kjo është edhe arsyeja që, për politikën pansllave, kjo popullsi shqiptare as që duhet të ekzistojë fare. “Le të quhen pjesëtarët e kësaj popullsie, katolikë kroatë, le të quhen italianë a francezë, vetëm shqiptarë të mos quhen! Le të quhen pjesëtarët e kësaj popullsie, myslimanë boshnjakë, le të quhen turq apo arabë, vetëm shqiptarë të mos quhen!” Shqiptarët në Tivar e Ulqin, o duhet të tjetërsohen, o duhet të përçahen, o të shpërndahen e të zhduken sa më parë nga ata vende! Kjo politikë, e cila madje s’është as në interesin e malazezëvet, është politika më virtuale postjugosllave në krejt hapësirat e shtetit malazias ku banojnë shqiptarë.
———————-
Jam i mendimit që, sidoqoftë, duhet bërë diçka për ta neutralizuar sa të jetë e mundur këtë lloj vrulli shqiptarmbytës, para se të vijë data 25 maj 2014. Do të isha për atë që, të 3-a partitë shqiptare duhet të komunikojnë më nga afër dhe më hapur me pjesën katolike të shqiptarëvet të Tivarit, të cilët numerikisht nuk janë as 2000, as 4000, por shumë më tepër. JAM EDHE PËR ATË, DHE DO TË DËSHIROJA SHUMË, QË, BASHKËKRAHINASIT E MI, SHQIPTARËT KATOLIKË TË KOMUNËS SË TIVARIT, T’UA JAPIN MASIVISHT VOTËN E TYRE PARTIVET SHQIPTARE, QOFTË EDHE NË KOALICION ME PARTINË E “BOSHNJAKËVET”. Kjo do të ishte përgjigjja më mirë ndaj komlotit kundër shqiptarëvet në komunën e Tivarit.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura