PROF.DR.ABDULLA MEHMETI: PSE REPUBLIKA E MAQEDONISË VERIORE?

Tetovë, 28 qershor 2018: Republika e Maqedonisë së mëparshme, sot Republika e Maqedonisë Veriore, përfshin vetëm 37% të territorit të rajonit gjeografik me emrin Maqedoni (Emadhia-Maqedhoni-Maqedoni), prandaj, duke mos pasur të drejtë ekskluzive për mbatjen e emrit përcaktues „е Maqedonisë“, është detyruar të pranojë një emër të përbërë me përcaktim gjeografik, historik, kohor, apo tjetër.
Rajoni administrativ me emrin „Maqedoni“ në shtetin e sotëm të Greqisë, përfshin afër 52% të territorit të rajonit gjeografik me këtë emër, dhe përbën pjesën më të rëndësishme nga e kaluara historike e këtij rajoni, me kryeqytet Selanikun (qytetin e lashtë ilir Terma), pavarësisht se ky rajon asnjëherë nuk është dominuar nga popullsia greke, por nga popullsia shqiptare, sllave, turke dhe grupe të tjera etnike.
Shteti i deridjeshëm me emrin Republika e Maqedonisë, i njohur ndërkombëtarisht si Republika ish jugosllave e Maqedonisë, është krijuar nga diplomacia ndërkombëtare e kohës, me arsyetim të nevojës për ruajtjen e një baraspeshe politike dhe strategjike mes shteteve të rajonit, për herë të parë i themeluar në vitin 1944 me ndihmën e Internacionales komuniste (Komintern), si njësi e veçantë në kuadër të ish Federatës Jugosllave, ndërsa është pavarësuar pas shpërbërjes së kësaj Federate Jugosllave më 1991, pa i respektuar parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare për formimin e shteteve me strukturë shumetnike, shumëkonfesionale dhe shumëgjuhësore, në të cilin jetojnë mbi 27 bashkësi etnike të ndryshme, ku populli shqiptar autokton përbën afër gjysmën e popullsisë së tij, ndërsa gjuha shqipe është gjuhë që flitet në mbi gjysmën e territorit të këtij shteti.

Nevoja për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, për mënjanimin e konflikteve dhe çështjeve të hapura mes popujve dhe shteteve të rajonit të trashëguara nga e kaluara, për sigurimin e progresit të përgjithshëm shoqëror dhe hapjen e prespektivës evropiane të shteteve të rajonit, ka lindur nevojën për riorganizimin politik dhe gjeostrategjik të tij, ndërsa si mundësi më e mirë është projektuar krijimi i bashkësisë së re të shteteve me emrin Ballkani Perëndimor, ku nuk do të bëjnë pjesë Greqia dhe Bullgaria, dy nga shtetet fqinje të Maqedonisë, të cilat vazhdimisht e kanë kërcënuar me pretendime territoriale, edhe këtë pjesë të mbetur të Maqedonisë së krijuar shtet, pas ndarjes së mëhershme të rajonit gjeografik me të njëjtin emër mes Serbisë, Greqisë dhe Bullgarisë në fillim të shekullit të kaluar, me Marrëveshjen e Bukureshtit të vitit 1913, ose me synime të hapura që ky shtet i ri të dominohet në aspektin politik, ekonomik dhe kulturor, duke e vënë në pikëpyetje stabilitetit, integritetin, sovranitetin dhe ardhmërinë e tij.
Marrëveshja
Sipas Marrëveshjes mes Qeverisë së Greqisë dhe Qeverisë së Maqedonisë, me ndërmjetësim ndërkombëtar nga negociatori i OKB-së, Metju Nimic, me pjesëmarrjen edhe të përfaqësuesve të lartë të BE-së, të nënshkruar më 17 qershor 2018, në Nivicë të Prespës, një katund shqiptar i cili aktualisht ndodhet nën Greqi, me të cilën ky shtet pajtohet në të ardhmen të mbajë emër të ri: Republika e Maqedonisë Veriore. Sipas analizës tonë, për arritjen e kësaj marrëveshje ka shumë arsye, historike, politike, ekonomike, gjeostrategjike dhe të tjera, edhe atë:
Sepse, rrethanat e reja të krijuara në rajon kanë kërkuar një zgjidhje të ngutme, e cila duhet t’i rehatojë dhe pajtojë të dy palët në kontestin për emrin e shtetit të ngritur nga Greqia 27 vjet më parë, i cili e ka mbajtur peng jo vetëm shtetin e Maqedonisë, por edhe disa shteteve të tjera të rajonit në procesin e integrimeve europiane dhe euroatlantike.
Sepse, rajoni i Ballkanit (Gadishulli Ilirik) paraqet nyjen kryesore që lidh tri kontinente, ku gërshetohen interesat strategjike dhe gjeopolitike të fuqive të mëdha të botës, të blloqeve politike e ushtarake, si rajon i vijës së takimit mes civilizime, kulturave dhe religjione të ndryshme, i cili përgjatë historisë ka qenë burim i konflikteve, luftërave të përgjakshme dhe përplasjeve mes shteteve, blloqeve të shteteve, ideologjive fetare dhe politike të interesave të ndryshme.
Kontesti
Në këtë rajon kanë sunduar së paku katër perandoritë më të fuqishme që njeh historia e njerëzimit, ajo Romake, Bizantine, Osmane dhe Austro-Hungareze, të cilat kanë lënë pasoja të mëdha në këtë rajon, që kanë rezultuar me luftëra të përgjakshme, terror dhe shfarosje të një pjese të madhe të banorëve autoktonë, shpërngulje me dhunë dhe ardhje gjithashtu të një mase tjetër të madhe të banorëve të ri nga disa rajone të tjera të botës, të cilët shpeshherë janë sjellë me ashpërsi mbi popullsinë vendëse, si pushtues, okupatorë dhe sundues të egër, të cilët në masë të madhe e kanë imponuar me dhunë edhe kulturën, gjuhën, traditat dhe besimet e tyre mbi popullsinë autoktone.
Kjo histori e përgjakshme disa mijëvjeçare e rajonit nuk mund të ndryshohet me asnjë formulë magjike, për ta zgjidhur lëmshin e ngatërruar mes shumë popujve, religjioneve, kulturave dhe gjuhëve të tyre, gërshetimi i të cilave ndër shekuj ka krijuar edhe një përzierje racash, kombesh, kulturash dhe gjuhësh, ku secili popull që sot jeton në këto hapësira ka diçka brenda vetes nga popujt tjerë me të cilët rrethanat e kanë detyruar të bashkëjetojë, si në strukturën etnike dhe etnopsikologji, edhe në kulturën dhe gjuhën e tij.
Pjesët e popullit dikur dominues të këtij rajoni, shqiptarët autoktonë, aktualisht të trajtuara sipas konceptit politik modern si pakica kombëtare, që jetojnë të ndara në disa shtete, janë më të madha në numër seç janë disa popuj të tjerë brenda shteteve të tyre „etnike” në këtë rajon; siç janë mbi 10 milionë banorë me prejardhje shqiptare në Turqi, dukshëm në numër më të madh se sa janë për shemebull, serbët, grekët, ose bullgarët në shtetet e tyre. Gjithashtu, numri i shqiptarëve, arvanitasve në Greqinë e sotme, është shumë më i madh se numri i përgjithshëm i popujve sllavë në Maqedoni, i boshnjakëve, ose i malazezëve në shtetet e tyre; ndërsa numri i shqiptarëve në Maqedoni, të cilët edhe aktualisht trajtohen si pakicë kombëtare sipas kushtetutës aktuale, janë në numër më të madh se numri i malazezëve në shtetin e tyre, apo i kroatëve dhe serbëve në Bosnje dhe Hercegovinë, të cilëve u njihet statusi i popullit shtetformues dhe kanë krijuar entitetet e tyre të veçanta, njësitë shtetërore në kuadër të Federatës, përkatësisht të Konfederatës së Bosnjes dhe Hercegovinës.
Gjatë mbi pesë shekuj sundimi të Perandorisë Osmane në këtë rajon, lëmshi ballkanik është ngatërruar edhe më tepër, duke nxitur gjatë dy luftërave ballkanike dhe dy luftërave botërore të rizgjohen lugetët e vjetër, shpeshherë me përkrahjen edhe të fuqive të mëdha, të rishfaqen synime dominimi në këtë rajon përmes shteteve satelite të Rusisë, përmes favorizimit të popujve dhe shteteve sllave e ortodokse, të cilat politikat e tyre i kanë orientuar kryesisht në dëm të popullit shqiptar dhe pushtimin e territoreve etnike të tij.
Humbja e ndjenjës së përbashkimit të popujve në bazë të prejardhjes etnike, të gjakut, gjuhës, traditave dhe zakoneve të përbashkëta, shumë pak është kultivuar nga popujt e këtij rajoni, përballë interesave të tjera të imponuara nga ideologjitë, religjionet dhe kulturat e huaja, mes dy civilizimeve dominuese, atij oriental dhe oksidental.
Ardhja e sllavëve në Gadishullin Ilirik nga fundi i shek.VII e.r. ka sjellë një masë të madhe banorësh të ri në këtë rajon nga një kontinent tjetër, me tradita, doke, zakone dhe mënyrë tjetër të jetesës, të cilët kanë ushtruar trusni të fuqishme mbi popullsinë autoktone ilire, duke e detyruar atë të tërhiqet nga luginat e lumejve dhe fushat pjellore nëpër male dhe vise jopjellore, për ta ruajtur qenien fizike, në pamundësi për ta zbrapsur këtë valë të fiqishme pushtimi.
Ligji i më të fortit përherë ka dominuar përgjatë shekujve të fundit në këtë rajon, me këtë edhe janë ndryshur kodet etnike, religjioze, kulturore dhe gjuhësore të disa popujve, duke krijuar një masë të përzier mbi këto baza, në favor të popujve të ardhur dhe në dëm të popujve autoktonë, duke filluar një periudhë e re edhe për paraqitjen ndryshe të realitetit historik, të kaluarën e rajonit, duke e falsifikuar historinë dhe përvetësuar vlerat kulturore të popujve autoktonë, sidomos pas krijimit të entiteteve fetare dhe shtetërore sllave dhe greke në favor të këtyre politikave pushtuese dhe asimiluese mbi popujt autoktonë.
Rajoni gjeografik i Maqedonisë, i shtrirë në jug të Gadishullit Ilirik, i cili është dominuar që në lashtësinë e hershme pellazge nga fiset ilire, të cilat ngritën disa mbretëri dhe principata të fuqishme gjatë asaj periudhe, por që e humbën më vonë primatin, kur territoret e tyre u dominuan nga fiset dhe popujt e ardhur, fillimisht nga grekët dhe më vonë edhe nga sllavët dhe të tjerët.
Rajoni gjeografik i Maqedonisë, pas rënies së dinastisë së mbretërve të Pajonisë dhe më vonë edhe të Mbretërisë së fuqishme të Maqedonisë së lashtë të Lekës së Madh, ka përfshirë një territor mbi 67,000 km², kurse Maqedonia nga viti 146 para erës sonë deri në shek.VII të erës së re ka qenë provincë ilire. Maqedonia, në shek. III dhe IV, ka qenë provincë e ndarë në dy pjesë, Maqedonia Prima, (pjesa jugore me kryeqytet Selanikun) dhe Maqedonia Salutaris (Sekonda) në veri, me kryeqytet Stobin (qytet i lashtë ilir mes qyteteve të sotme Shtip dhe Manastir).
Maqedonia Prima dhe Maqedonia Sekonda (Salutaris) kanë qenë të përfshira në kuadër të Dioqezës së Maqedonisë, një nga tri dioqezat në kuadër të Prefekturës së Ilirikut, të krijuar në vitit 318. Pas ndarjes së Prefekturës së Ilirikut në Iliriku Perëndimor dhe Iliriku Lindor, më 379, krahina e Maqedonisë u bë pjesë e Ilirikut Lindor. Me ndarjen e Perandorisë Romake në atë lindore dhe perëndimore, më 395, Maqedonia bëhet pjesë e Perandorisë Bizantine, nën të cilën nuk është përmendur asnjëherë më vonë me emrin Maqedoni, si krahinë e veçantë, mbi 1 mijë e njëqind vjet me radhë. Edhe gjatë sundimit të Perandorisë Osmane, mbi pesë shekuj, ky rajon gjeografik nuk është përmendur asnjëherë me emrin Maqedoni, por me emra të tjerë, si Rumeli, ose një pjesë e saj si Thraki.
Për herë të parë, në fund të shek. XIX, të nxitur nga Bullgaria, disa grupe të fshehta dhe qarqe politike jashtë krahinës së Maqedonisë, në Bullgari dhe Rusi, e ringjallën idenë për maqedonizmin dhe Maqedoninë (në vitin 1893 u krijua organizata e fshehtë OBRM/VMRO në Selanik), kurse në fillim të shekullit XX kjo lëvizje ka kërkuar një formë autonomie në kudër të Perandorisë Osmane, me kryeqytet Selanikun, e asnjëherë nuk ka shprehur pretendime për territoret që përfshin Maqedonia e sotme, e cila është krijuar më vonë, me mbi 50% të territorit të saj në trojet etnike shqiptare, me shumicë të popullsisë autoktone shqiptare deri në vitin 1913.
Për herë të parë Maqedonia u njoh si njësi e veçantë teritoriale-politike, sajesë politike me urdhër të Kominternit, si republikë socialiste (popullore) e Maqedonisë nën ish Federatën Jugosllave, e krijuar në vitin 1944, kur edhe filloi të krijohet gjuha e veçantë maqedonase dhe të afirmohet kombi i ri maqedonas, i cili vazhdimisht është kontestuar nga fqinjët, serbët, bullgarët dhe grekët. Ky qëndrim i shteteve fqinje vazhdon edhe sot, si edhe kontesti i derisotëm për emrin e shtetit të Maqedonisë nga Greqia, i cili ka zgjatur afër 27 vjet, nga pavarësimi i Republikës ish jugosllave të Maqedonisë më 1991, e deri sot.
Kjo harresë e qëllimshme e emrit të rajonit të Maqedonisë, mbi 1 mijë e 600 vjet gjatë sundimit të Perandorisë Bizantine dhe të Perandorisë Osmane, krijoi mite dhe legjenda të reja nga grekët dhe sllavët e ardhur më vonë në këto hapësira, në bazë të miteve, legjendave dhe traditës gojore, të trashëguara brez pas brezi nga pupullsia autoktone ilire-shqiptare. Kështu, për historinë e këtij rajoni filluan të krijohen dhe përhapen dy të vërteta, ajo greke dhe sllave e rrejshme, dhe historia e vërteta e ruajtur ndër breza, si edhe në mitet, legjendat dhe epikën shqiptare, të trashëguar nga të parët e tyre ilirë, përkatësisht të fiseve dhe mbretërive të lashta Pajone, Maqedonase, Dardane, Epirote dhe të tjera.
Entiteti i krijuar në kuadër të ish federatës jugosllave më 1944, si Republika e Maqedonisë, në vitin 1991 e shpalli pavarësinë e saj si shtet, duke mos e respektuar vullnetin politik të popullit shqiptar autokton në këtë shtet, i cili sipas Kushtetutës së vitit 1974 ka qenë popull shtetformues, ndërsa pas vitit 1991 i është degraduar statusi juridik-shtetes i mëparshëm në pakicë kombëtare. Prandaj, ky shtet i ri ka pasur pak gjasa të mbijetojë mbi këto padrejtësi historike; e para, sepse nuk mund të krijohet kombi dhe shteti etnik maqedonas në 37% të territorit të rajonit gjeografik me emrin Maqedoni, ku mbi 63% e territorit të këtij ndodhet jashtë kufijve të shtet me këtë emër; dhe e dyta, të krijohet shtet nacional mbi territoret që asnjëherë nuk janë dominuar nga popullsia sllave e Maqedonisë, ndërsa më tepër se gjysma e territorit të këtij shteti të ri nuk ka qenë asnjëherë gjatë historisë pjesë e rajonit gjeografik me emrin Maqedoni, por ka qenë pjesë e Pajonisë dhe Dardanisë ilire, më vonë i Vilajetit të Shkupit (Kosovës) dhe Vilajetit të Manastirit, nën sundimin e Perandorisë Osmane.
Pasojat
Realiteti i ri i krijuar gjatë shekullit XX dhe sidomos në dekadën e fundit të tij, nuk premtonin stabilitet të qëndrueshëm në këtë rajon, duke marrë parasysh strukturën etnike të popullsisë së shtetit të ri të Maqedonisë, të kaluarën historike dhe aktualitetin, sipas strukturës etnike, konfesionale, kulturore dhe gjuhësore të këtij shteti.
Shumë autorë të lashtësisë, si Dionysius Periegetes në veprën e tij: „Dionysii Orbis terrae descriptio“ e përjashton Epirin dhe Maqedoninë prej kufijve të Akejve, apo të kështushtuquajturës „Greqi“; se ,,grekët që sot pretendojnë se janë pasardhës të Perikliut dhe Sokratit nuk janë gjë tjetër veçse një miks shqiptarësh, turqish dhe sllavësh”, sipas autorit Jakob Philipp Fallmerayer: „Geschichte der Halbinsel Morea wahrend des Mittelalters“, si dhe ajo që është më e rëndësishme, diplomacia e SHBA është përpjekur që në vitin 1783, përmes një plani strategjik-kornizë, të krijojë në këtë rajon dy shtete të veçanta (demokratike), atë të Ilirisë dhe të Maqedonisë, atëkohë me shumicë absolute shqiptare, që parashihej të krijohen pas çlirimit të tyre nga Perandoria Osmane. (Shih, në lidhje me këtë projekt: Xhon Adams, Presidenti i dytë i SHBA).
As populli dhe shteti i sotëm grek, as populli sllav i Maqedonisë dhe shteti i ri me emrin Maqedoni, nuk kanë të drejtë eksluzive mbi emrin e rajonit me emrin Maqedoni, të kalurën historike dhe trashëgiminë kulturore të tij, si dhe krijimin e identiteteve kombëtare dhe entiteteve me këtë emër, siç kanë qenë deri më sot: Republika ish jugosllave e Maqedonisë dhe Rajoni administrativ me emrin Maqedoni nën shtetin e sotëm të Greqisë.
Zgjidhja
Marrëveshja për zgjidhjen e kontestit për emrin e shtetit të Maqedonisë me Greqinë, e nënshkruar mes dy qeverive të shteteve fqinje, Greqisë dhe Maqedonisë, më 17 qershor 2018, është imponuar si zgjidhje e vetme e pranueshme për palët, edhe përkundër kundërshtimit nga një pjesë e madhe e banorëve në të dyja këto vende, dhe ka shfaqur pakënaqësi edhe ndër shumë qarqe intelektuale shqiptare, se emri i ri i shtetit: Republika e Maqedonisë Veriore, nuk e reflekton realitetin etnik, historik, kulturor dhe gjuhësor të tij. Megjithatë, duke pasur parasysh se me zgjidhjen e kësaj çështje ranoni mendohet se do të frymojë më ndryshe, do të rritet shkalla e besueshmërisë së ndërsjellë dhe niveli i bashkëpunimit mes popujve dhe shteteve të këtij rajoni; se do të hapen perspektiva të reja për integrimin e këtij shteti bashkë me shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor në NATO dhe BE, me këtë edhe do të krijohen mekanizma të ri ndërkombëtarë për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajon, si dhe do të sigurohet progres i përgjithshëm në të ardhmen, qytetarët e Greqisë, qytetarët e Maqedonisë Veriore, sidomos shqiptarët vendës në Maqedoni, mund ta përkrahin këtë Marrëveshje, sigurisht duke qenë tepër vigjilentë në hapat e mëtejmë, si do të zbatohet ajo, si do të implementohet në Kushtetutën e re të shtetit dhe si do të projektohet dhe ndërtohet e ardhja e popujve dhe shteteve të këtij rajoni në kuadër të NATO-s dhe BE-së, ndërsa më pas, si do të ndërtohet dhe afirmohet rajoni i Ballkanit Perëndimor dhe politikat e shteteve në përbërje të tij, në arenën ndërkombëtare.
Me këtë Marrëveshje përfundimisht synohet shuarja e pretendimeve të mëhershme për dominim të një populli mbi të tjerët, tendencat irredentiste për ndarjen ose bashkimin mes pjesëve të ndara të rajonit me të njëjtin emër në disa shtete, siç është rajoni gjeografik i Maqedonisë, si dhe do të pushojnë përgjithmonë pretendimet ruse për influencimin e politikave të saj në shtetet e rajonit, sidomos në shtetet satelitë të derisotëm të saj, Serbi, Bullgari dhe Greqi, mbi shtetet tjera të Gadishullit Ilirik, siç janë: Kroacia, Bosnje dhe Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia Veriore, të cilat historikisht kanë qenë me orientim evropian dhe perëndimor. Projekti madhor i inicuar nga SHBA dhe BE, për krijimin e Ballkanit Perëndimor, ka krijuar një shpresë të re për këto shtete dhe popujt e tyre, që ta ndërtojnë të ardhmen e përbashkët jashtë ndikimeve të huaja, në një bllok të ri shtetesh ku nuk do të bëjnë pjesë Greqia dhe Bullgaria, shtetet fqinje të Maqedonisë Veriore, nga të cilat është rrezikuar identiteti dhe sovraniteti i shtetit të saj deri më sot. (Shih, 9 marrëveshjet mes shteteve fqinje, Serbisë, Bullgarisë dhe Greqisë, për ndarjen dhe pushtimin e Maqedonisë, nga viti 1912 deri më sot).

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura